E shtune, 20.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Speciale

Baki Ymeri: Dilajt e Sheperit të Zagorisë, shpirt nga shpirti i Mëmëdheut

E marte, 24.03.2009, 12:50 AM


Ndriçime shqiptare lidhur me viktimat e terrorit komunist

DILAJT E SHEPERIT TË ZAGORISË,

SHPIRT NGA SHPIRTI I MËMËDHEUT

(Përkitazi me librin “Diloiada ose lotët e pa terur të dhimbjeve”, autorë: Jorgo S. Telo dhe Eduard M. Dilo, Gjirokastër, 2009)

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Nga i madhi Ilia Dilo Sheperi te martirja Kaliopi Dilo e deri te famozja Anxhela u përshfaq në teatrin e jetës së familjes së madhe të Dilajve sheperiotë një mozaik i tërë jetësor e dramatik  ngjyrash ku gjithkush sheh qartë se si rrinë të ngjizur përbërësit e këtij mozaiku: dituria dhe  krijimtaria, idealizmi  dhe atdhetarizmi,  pasioni dhe përkushtimi, dinjiteti e krenaria, vuajtjet nga persekucioni dhe  lëngatat nga internimet e burgimet, shpirti i qëndresës dhe trishtimet, lotët e vetmisë dhe lotët e mallit, diskriminimi dhe dhuna, përjetimi i ofendimeve dhe i terrorizmit absurd, poshtërimet, provokimet, tmerri dhe vdekjet e njëpasnjëshme  deri te krimi makabër ndaj një jete të pafajshme që shkaktoi lotët e pashterur të lamtumirës, duke vazhduar me rendjen drejt dritave  të ndezura të shpresës. Të gjitha këto brenda një familjeje të madhe,  me një  personalitet të ndritur në krye të tij, thekson autori i parë (Jorgo S. Telo).

Në vargjet e Diloiadës shquhet respekti ndaj gjuhës shqipe dhe dëgjohet zëri i rilindësve tanë. Në ballinën e parë (lart), duket me kapelë miku i Çajupit, patrioti dhe gjuhëtari erudit, Ilia Dilo Sheperi, martir i demokracisë (fotografuar me bashkëshorten e tij më 1914), pas së cilës pasojnë foto/medalionet e pjestarëve të kësaj familje patriote që kanë lënë gjurmë në histori. Njëri ndër ta është Dr. Jani Dilo që kishte miqësi e shkëmbim letrash me Presidentin Kenedi dhe me piktorin e madh të shekullit të kaluar, Pikaso. Luftoi me vetëmohim dhe e mbrojti e e bëri të njohur në të katër anët e botës të drejtën e pamohueshmepër pavarësi të popullit të Kosovës. Bashkëvepronte me kongresmenë amerikanë, me dashamirës dhe përkrahës të kauzës kosovare, për të organizuar para Selisë së OKB-së demonstratën në mbrojtje të rinisë studentore të Kosovës në vitet '80, duke marrë pjesë në çdo tubim dhe manifestim për realizimin e këtij misioni të shenjtë.

Përndryshe, koautori i kësaj vepre, Eduard M. Dilo do të vijë gjatë këtij viti para opinionit shqiptar edhe me një libër të ri: Ilia Dilo Sheperi dhe pasardhsit e tij (të cilët luftuan e punuan për Shqiptarë të lirë në një Shqipëri të lirë). Nga autorët kuptojmë se ndjenja e adhurimit për njerëzit e mirë dhe mendimin e lirë, si dhe neveria për ligësinë e padrejtësinë, i nxitën autorët të shkruajmë këtë libër me vlera reale të atdhedashurisë shqiptare, një poemë/baladë si kaptinë e parë, një album me fotografi dhe një kaptinë e pajisur me shkrime tjera mbi një vërtetësi sa rrënqethëse po aq edhe e dhembshme dhe e pamohueshme. Reçenzente e librit është Tonine Hido, përpunimin e fotografive e ka bërë Vasili nga Athina, ndërsa për realizimin e kopertinës ka dhënë kontribut një kosovar: Ukë Zenuni i Gjakovës, me banim në SHBA                                                   

Ballina e librit Diloiada
Ballina e librit Diloiada
Ata na e lanë amanet dashurinë gjuhës ngase na edukuan me frymë Perëndie

“Kurë s’kish parë ky popull/ luftë klasash kaq bishore,/ burgjet plot e jeta vorbull,/ tmerr për trojet arbërore” (f. 39). Në faqet e këtij libri defilon zëri i rilindësve tanë dhe një pjesë e atdhetarizmit shqiptar të pjestarëve të familjes Dilo Sheperi, që u shpallën “reaksionarë”, u dëbuan, u burgosën, u torturuan çnjerëzisht, u vranë  e u masakruan, bile njëri prej tyre (Ilia Dilo Sheperi), një patriot i kulluar dhe erudit i famshëm i shkronjave shqipe, u pushkatua edhe në varr, fat të pafatshëm të ciln e pat përjetuar edhe mamaja Kaliopi. Kush ishte Ilia Dilo Sheperi, të cilin e përgëzonte edhe Çajupi për atdhetarizmin e tij! “Sa i etur ish për dije,/ aq me zell pati studiuar,/ rroku dijet fije/fije, gjuhës shqipe iu kushtua” (f. 36). Familjes Stefa nga berat dhe familjes Dilo nga Zagoria,  Shqipëria u ka borxh jo vetëm ngritje monumentesh dhe pagëzime rrugësh e shkollash, por edhe një serë filmesh dokumentarë derisa i kemi gjallë kujtimet dhe pjestarët e këtyre dy familjeve të mëdha e të shenjta.

Botimi dhe difuzimi i Diloiadës është një inisiativë fisnike për ndriçimin e vlerave të panjohura kombëtare që do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja dhe pasardhësit tanë, pjestarë të një kombi të martirizuar. Një  fragment të atdhetarizmit të kësaj familjeje të rënë në altarin e demokracisë, e ka bërë të njohur revista e famshme Zemra Shqiptare, duke prezantuar nga një portret për Viktoria Dilon dhe disa shkrime tjera të shkruara me dhimbje e lotë nga Eduard Margarit Dilo, të cilit i loton  shpirti sa herë që kujton dhe përfytyron të parët e tij të arestuar, të torturuar, të burgosur e të vrarë, shqiptarë që përjetuan poshtërimin dhe skëterrën e burgut komunist, edhepse nuk i bënë kurrë keq askujt, dhe, siç rrëfehet Eduardi në një letër të tij, “Familjarët e mi të persekutuar, nuk na mësuan neve të bëhemi hakmarrës, por na e lanë amanet dashurinë e pakufishme ndaj Shqipërisë dhe trojeve shqiptare, që nga Kosova e deri në Çamëri. Ata na e lanë amanet dashurinë dhe respektin ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj njëri/tjetrit, ngase na edukuan me frymë Perëndie, dhe na mësuan të mos t’i trembemi të drejtës”.  “Eh ç’më ndjekin pas kujtimet, kur kujtoj nënën e babanë,/ për ta s’kishin fund lëngimet, ua vranë shpirtin dhe i rivranë” (f.46).

Më thoni, o djema, fill pas vdekjes sime,/ gjuhës sonë të dashur, ai bëtë shërbime!

Kjo poemë/baladë strukturohet në 12 akte të kurorëzuara me prolog, epilog dhe me nga një akt të ndërmjetmë. Secili akt i kushtohet nga një martiri. Martirizime të ngjashme ka përjetuar edhe Toma Arnëucoju i Rumanisë me pjestarët e familjes së tij, por ndjekja, torturimi dhe likudimi i tyre “justifikohet” me etiketime komuniste gjoja se ishin bashkëpunëtorë të fraksionit legjionar që bashkëvepronin me Hitlerin, edhepse misioni i tyre ishte nacionalist, antikomunist  e jo profashist.. Rasti i Dilajve të Zagorisë shqiptare është i dhimbshëm dhe dramatik ngase ata kurrë nuk u ulën me fashistët, por përjetuan tortura vetëm nga komunistët. Për Qirjak Dilon që parashtronte pyetjen: “Më thoni, o djema, fill pas vdekjes sime,/ gjuhës sonë të dashur, ai bëtë shërbime? Qirjakua ishte i rreptë me vetveten, besnik, bujar dhe i drejtë, një prind i devotshëm dhe një shqiptar me vlerë. Nga balada kuptojmë se “Kur panë që ishte kritik dhe i zgjuar/ ia kurdisën grackën për ta arrestuar” (f. 26). Margariti i Eduard Dilos, edhe ky i persekutuar, do të shprehet nga bota e engjëjve: “Brenda diktaturës ne provuam tmerrin/ na e vranë shpirtin, por jo karakterin./ Mbi ne uturinte një makinë shtypse,/ që dinte të filste me gjuhë komuniste” (f.19/20).

Nga parathënia e Evjen Perit kuptojmë se “shkrimtari, studiuesi dhe poeti i talentuar Jorgo Telo u shton këtë herë krijimeve të tij të suksesshme edhe poemën/baladë Diloiada, këtë herë së bashku me studiuesin e poetin Eduad Dilo. Në të gjen fjalë artistike e figura stilistike brenda një kompozimi origjinal të realizuar mjeshtërisht. Që në rreshtin e parë deri te rreshti i fundit që mbyll këtë baladë rrjedh dhimbja, krenaria dhe madhështia e Familjes së Madhe të Dilajve të Sheperit. Nga kjo familje nisi udhën e jetës Ilia Dilo Sheperi. Pas i vijnë fëmijët, nipërit, stërnipërit, që nuk e ulën kokën në asnjë çast, sado i rëndë për ta. Si udhërrëfyes patën dhe kanë Ilinë, si shëmbëlltyrë, po  kështu: Ilinë  e nënë Savën si kreatyrë, kurse si pikësynim, të ecin dhe ecin në gjurmët e tyre. Nëse Ilia Dilo Sheperi u ngrit deri në simbolin e  një shqiptari të madh, për shtat i vijnë dhe pasardhësit e tij të shumtë, që u shquan për prurjet e qëndresën e që nuk nuk u epën edhe pse thika u arriti deri në palcë.

Ilia Dilo Sheperi, sipas parathënjes, u bë dhe mbeti mësuesi i përkushtuar, i përjetshëm i Kombit Shqiptar. Madhërishëm tingëllojnë edhe sot fjalët/perla të Tij: “Jemi dhe ne, mësuesit e parë të kësaj Shqipërie, shpirt nga shpirti i mëmëdheut, asht nga ashti i tij.” Një fis i tërë i kryqëzuar. U sfilitën dhe u përndoqën egërsisht. Në çdo rrethanë ai mbeti vetvetja që pati dy martirë:  Një i vdekur dhe një e gjallë, që e vdiqën nën tortura çnjerëzore. Ilia shkencëtari, albanologu që rrezaton dritë, u zhvarros. Kaliopi, grua tipike zagorite, që përhapte dhe mbillte kudo mirësi, u masakrua. Ilia Dilo Sheperi mbante dhe mban madhështinë e fisit të tij. Ai mbroi dhe respektoi deri në vetëmohim shqiptarizmin, tempulli ku falej, ku frymëzohej e gjente forca për të krijuar dhe për të mbijetuar.

I hipur në piedestal, i kthyer në Bronx, Ilia Dilo Sheperi të duket sikur kuvendon e përshëndetet çdo ditë me bashkëfshatarët, me kalimtarët. Kështu thekson Evjen Peri dhe vazhdon: Për ata që urdhëruan dhe kryen zhvarrosjen 30 vjet pas vdekjes së tij, duket sikur pëshpërit: “Fali, o Zot, se nuk dijnë se çka bëjnë!” Porse vjen një ditë dhe e vërteta del në dritë, e vërtetë kjo edhe për familjen e madhe të Dilajve, që ju desh të përballonte realitetin e kobshëm, sfilitjen e kalvarin mizor, përndjekjen mizore të saj, si një nga tragjeditë më makabre të kohës. Përbëjnë këto medaljen e mirënjohjes për ta. Në këtë poemë/baladë nuk gjen asnjë fjalë të vetme të stisur, të trilluar, të krijuar artificialisht. Gjithçka është e vërtetë, e ndodhur realisht, e përjetuar, e njohur. Madje mund të themi se nuk arrihet dot plotësisht parashtrimi as i atdhetarizmit as i vuajtjeve shpirtërore e materiale, as ofshamat e keqtrajtimet, as poshtërimet, as mallkimet, as qëndresa e patundur e tyre, sido e sado që mund të shkruhet. Mjaft domethënës dhe i vlershëm është bashkëpunimi i Jorgos me njërin prej nipërve të kësaj familjeje, Eduard Margarit Dilon, fakt që të shton besueshmërinë në faktet e trajtuara artistikisht. Është për t’u përgëzuar ky bashkëpunim edhe pse në distancë të madhe, që, me sa dimë, është realizuar përmes internetit  në linjën Gjirokastër/New York.

Paskopertina (Diloiada)
Paskopertina (Diloiada)
Me dinjitetin gjenetik të babait që mbrojti flamurin kombëtar përkrah Ismail Qemalit në Vlorë

Në vështrimin e saj “baladë për terrin e pa fund”, Tonine Hido (Mësuese e Merituar), thekson: “Po shkrijnë akujt e dimrit të acartë, mbledhur nga lotët e paterur të dhimbjeve”. Atë vuajtje të përbashkët, hedhur në mijëra faqe librash e gazetash, në mijëra kujtime përmes ekraneve të televizorit për kohën pa stinë të diktaturës komuniste në Shqipëri, më të mistershmen e globit, ku “dhe vetë Zoti ç’hoqi”, autorët e japin përmes poemës/baladë, krejt të veçantë për nga materiali faktik e shumë original për nga kompozimi. Si poetë autorët përcjellin një muzikë rrënqethëse, një melodi të trishtë, kompozuar mjediseve të blerta të shpirtit, kontributeve, fisnikërisë dhe madhështisë së familjes Dilo në Sheperin e Zagorisë e të Çajupit, pikërisht për rrënjën me degëshumë, të “Mësuesit të Popullit” Ilia Dilo, gjuhëtarit. Albanologut, shkencëtarit, eruditit, muzikë përballë goditjeve çnjerëzore, amorale, me të cilat diktatura “shpërblente” vlerat e patriotëve, kontributet e njerëzve të shquar në dituri dhe humanizëm; goditje të “luftëklasës”, ku të “grinin vampirët” për  të “vrarë” shpirtin” e për të “ckulur rrënjët” e familjeve fisnike që nderoheshin dhe u dëgjohej fjala me peshë.

Mbi këtë shtyllë të fuqishme: heroi, familja, përndjekja/torturë e “djajve të kuq”, “fuksave”, që i bindeshin “timonit – padron”, qëndresa, përcjellja e vlerave në kohët e vështira, siç ishin mëkuar “ të ishin vetvetja” – era e lirisë përtej oqeanit etj. ecnin shtruar, gërshetuar me njëra/tjetrën; shpjegojnë njëra/tjetrën në përqasje e përplasje kohësh, tipash, ngjarjesh reale ecin për rrugë të drejtë, pa devijime shpifjesh, insinuatash, imagjinate delirante, hakmarrjeje, siç do të pritej natyrshëm prej çdo lexuesi. Me dinjitetin gjenetik të babait të ndritur Ilia Dilo Sheperit dhe nënës së mençur, të dashur, të duruar e largpamëse, Sava Ruci (degë e trimit që mbrojti flamurin kombëtar përkrah Ismail Qemalit në Vlorë më 1912), të dhjetë fëmijët – yje të rrënjës, krijojnë një ansambël drite njerëzore, bëmash, qëndrese, që rrallë gjendet në një portret të vetëm. Pikërisht në prologun mbresëlënës, mpleksur mitikja me realen përmes metaforave mjaft impresionuese, krijohet kuadri lokal e kohor i poemës – baladë me një antitezë të pashoqe që më shumë kuptohet në sintoninë e qëllimit autorial: “Fillikat vajton shtëpia…/ Mbledhur lotët e përgjakur,/ Nga çdo rrënjë del një bisk./ Ngjizur bisqet e përflakur/ Te kondisma – obelisk.”

Kështu paraqitet tema që do të shtjellojë libri; duke vendosur një përmendore për rrënjët dhe degët e familjes Dilo, që t’i mbetet vend i shenjtë, për t’u lutur para bustit në bronx të mësuesit të madh Ilia Dilo Sheperi, që barbarisht e zhvarrosën pas 30 vjetëve pasi kish vdekur, por hijerëndë imponohet: “Fali, o Zot, se nuk dijnë ç’bëjnë!”. Nëse libri voluminoz “Rrno vetëm për të tregue” i At Zef Pllumit, “Nder i Kombit” është quajtur “akuzë-skaner” për diktaturën e gjatë barbare 50-vjeçare në Shqipëri, ushtruar prej antinjerëzores, mizorisë, krimeve të paimagjinueshme, gjithë këtë helm e gjejmë të mbledhur për jetën e një familjeje të vetme, të familjes në zë: Ilia Dilo Sheperi: prindër, dhjetë fëmijë me bashkëshortët e tyre e fëmijët, të bukur në shpirt e mendje, të ditur e plot kulturë, krijues e zbatues në fushat përkatëse të diplomimit, por të përjashtuar, të përndjekur, të gjykuar me dëshmitarë që nuk lexonin dot as shpifjet e porositura, të burgosur e të internuar, të masakruar gjer në djegie së gjalli të nuses – nënë, Kaliopit, mu në prag të shtëpisë (nga vëllezër- hije të nazizmit në krematoriume). Në një paralele m’u kujtua Familja Jashari në Kosovë, masakruar nga forcat serbe.

Këtu në Zagori dhe jashtë saj janë masakruar mbi tri duzina dilenj: burra e gra veç prej shqiptarëve, ndoshta dhe bashkëfshatarëve, sepse krimbat s’e durojnë madhështinë e lisave, rritur në diell vlerash, që dhe kur i presin si Ilia Dilo Sheperin, gjejnë forcën t’i përqeshin kuçedrat mizore, duke thënë para vdekjes: “Edhe po ma pretë fytin nga inati,/ Bindjet dot s’m’i vrisni, vrisni vetëm shtatin./ Fytin do ta kem si “a-ja” e shqipes./ Boll ju kam duruar përmes kërcënimesh…!” Se heroi ynë, Ilia Dilo Sheperi  qe një det diturie që e vuri jetën në shërbim të shkollave shqipe në krahinë e jashtë saj, në përgatitjen e një gramatike  plot vlerë në planin shkencor e praktik për mësimin dhe ruajtjen  e gjuhës amtare; me “detin e diturisë” Mësuesi i Popullit qëndroi si burrë ndaj Patrikanës, udhëhoqi shoqatën “Kandili”  me Petro Hariton e Çerçiz Topullin tok.

Kështu, me vlagën e rrënjës familjare, gjejmë në libër gjelbërimin e hijshëm të dhjetë degëve me gjethe – lule të Dilajve, me ngjyrimet e veçanta personale të secilit, mbledhur në kornizën – flori të fisit, diçiturën e së cilës lexojmë në besimin e madhështisë shpirtërore të Qirjakos, ekonomist, gazetar, që refuzoi postin e ministrit te financave në kohën e pushtimit fashist, sepse ”jeta është e përkohshme dhe e vërteta është e përjetshme.”. E, ndonëse u trajtuan gjatë dekadave të “murtajës komuniste” si “reaksionarë” prej më antikombëtarëve, duruan me thikën për kockë me dinjitet, se pas “vdekjes” do të çelë jeta si lulja e verdhë në Çajupin e ajërit, e ujërave të pastra dhe dilenjtë besuan se do ta shihnin atë pranverë. Dhe e panë të gjymtuar, thotë balada, të rralluar në emra dhe shtëpi, por arritën kohën që prisnin e që e ndienin thellë në parathënien e vuajtjes së tyre.

Nga Zagoria e rrënjës gjer në Amerikë, përtej oqeanit një ylber  jete dhe vdekjeje, shprese dhe ringjalljeje; kujtimet e derdhura në vargjet e baladës do ta mbushnin hapësirën me lot të paterur, me derte të pathëna, me këngë të pakënduara që Rovena/mbesë nuk i përqafon dot të mbledhura në pentagramin e melodisë së mallit. Prandaj jetë – vdekja, gjenden të pranishëm dorëpërdore në poemë (si në librat e tjerë të Jorgo Telos) dhe ndjehen si etaloni “një jetë e ardhur së gjalli” për familjen Dilo, por që s’kërkon hakmarrje edhe kur  “djalli” shkon të prishi qetësinë qiellore të “shpirtit – engjëll”, të mësuesit Ilia Dilo Sheperi, duke kërkuar “çertifikatë të përsekutuari” (dënimin). Babai i të martirizuarve përcjell inkuizitorin të lajë gjynahet te “tokësorët”. Kështu autorët me realizëm, larg faljes së krimeve në qiell, japin mesazhin e vyer se mirësia investohet në jetën e të gjallëve, për t’u ngjitur në pavdekshmërinë e qiellit. edhe në bronxin e shtatoreve hijerënda. E keqja përvëluese shkrumbon së pari zjarrvënësin, qoftë edhe pas shumë vitesh. Kjo filozofi përcillet natyrshëm si një baladë e kreshnikëve të kohës moderne: me emra të njohur, me ngjarje të jetuara, përmes një gjuhe të pasur në shprehje të krahinës, me figura pikante që vulosin  mirë poretete, ide, mesazhe në mënyrë konçize dhe shpesh të lënë pa frymë nga forca sugjestive që mbartin.

Vërtet poema-baladë i kushtohet një fisi të vetëm, Dilajve në Sheper të Zagorisë, por ajo që ka ngjarë dhe përshkruhet artistikisht në libër ka forcë njohëse, përgjithësuese të pallogaritshme për arsyen e thjeshtë, se nuk mund të ketë qetësi shpirtërore dhe paqe në shoqërinë postkomuniste, pa gjetur guri vendin e vlerave apo antivlerave… realisht, jo me ligje pa zbatim, jo përmes shoqatave persekutorësh ndaj ish të persekutuarve, por me drejtësi, me bazën e së vërtetës, që është e përjetshme. Krahina e Dilajve, gjithë Shqipëria, ka nevojë për libra të tillë, jo për zjarre urrejtjeje hakmarrëse, por të mos harrojmë ç’ka ndodhur, se ndryshe e kaluara përsëritet me forca të reja, në emra të rinj në kohën moderne të demokracisë.



(Vota: 16 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora