E enjte, 25.04.2024, 04:34 AM (GMT+1)

Speciale

Vitore Stefa Leka: Në dallgët e jetës (II)

E hene, 30.03.2009, 06:42 PM


Vitore Stefa Leka - Qytetare Nderi e Beratit
Vitore Stefa Leka - Qytetare Nderi e Beratit
Në dallgët e jetës
/Kujtime/

Nga Vitore Stefa Leka

Ato ditë korriku 1990…

Mbaj mend atë ditë kisha blerë peshk nga ai njëzetlekshi, po s’kisha vajguri për furnellën. Bidonin e kisha lënë në rradhë, që në mëngjes, po vajguri s’kishte ardhur. Shoh Tanin, që preu një copë bukë dyzetshe, e lyeu me vaj e kripë dhe bënte ca lëvizje të pakontrolluara. Më përqafonte kot, më thoshtë: “Dhe një herë që do hanim peshk, që na kish marr malli, mbaroi vajguri apo nuk kemi as vaj? Toti! E di atë barcoletën me peshkun ti ?!”
“Ik, o bir, se s’ta kam qefin!”, i thashë, kur ai vazhdoi: ”Pa ta thënë s’ta le unë, ma ke s'ma ke qefin ti!” dhe filloi të më tregojë duke më hedhur duart në qafë: “Një peshkatar vajti për të peshkuar. Më në fund zuri një peshk të madh. Duke u kthyer për në shtëpi po mendonte: “ Të kisha dhe një gotë raki, do isha kënaqur sonte me këtë meze të rrallë. Sapo hyri në shtëpi i thirri gruas: “Laje peshkun grua, se doli darka sonte!” “S’kemi ujë mor, burrë! S’ka ardhur çezma gjithë ditën.” “E mirë, vere tiganin, se e rregulloj unë!”, tha burri. “S’kam as vaj dhe as vajguri!”, tha gruaja. Burri u nxeh dhe vajti e hodhi peshkun ne det. Peshku i lumtur, që shpëtoi, po ua tregonte gjithë gëzim peshqve të tjere ngjarjen. Një peshk i tha: “Thuj rroftë Partia e Punës, që re në grackë në këtë shtet, se të ishe kapur gjetkë, tani kushedi në ç'bark do ishe!"
"Mos i thuaj jashtë këto barcoleta mor, bir!”, i thashë e trembur, “se do hash ndonjë burg për agjitacion propagandë!”
“ Mirë “plake” (kjo ishte përkedhelja e tij), po iki unë. Peshkun ama s’e hëngra!”
"Mos u vono, i thashë, se ja, sikur erdhi vajguri!”
Po atë ditë as vajguri s'erdhi e as dhe im bir! Kjo qe biseda e fundit me tim bir Artanin, i cili po atë natë hyri në ambasaden franceze. Unë e mora vesh pas dy ditësh në televizor kur e pashë te kangjellat e ambasadës, që po bënte shenjë me dorë. Ngjarjet në ato ditë korriku po rrokulliseshin njëra pas tjetrës me shpejtësi rrufeje. Ambasada të hapura! Dyndje njerëzish dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria. Sambistët, policët, filluan t’i kapnin të rinjtë, që zbrisnin te stacioni i trenit në Tiranë dhe përveç drurit, u qethnin kokën dhe i kthenin mbrapsh nëpër qytetet e tyre me makina të dërguara posaçërisht nga degët e brendshme të qyteteve nga ku kishin ardhur. Nëpër rradhë apo rrugë vetëm për këtë flitej. “Iku dhe i biri i filanit”, apo “e sollën filanin të qethur, si e kishin rrahur!!!”, etj.
Të nesërmen e asaj dite, që iku Artani, Isku kishte konkursin. Vajta dhe unë me djalin e vogël, që po e merrte nga pak veten. Po atij fytyra i rrinte ngjyrë dheu dhe dy rrathë blu i rrethonin sytë. Mezi ecte dhe një këmbë i rrinte e enjtur. Rrënjën e fikut të egër ia vazhdoja…Pra, megjithë trubullirat, që po ndodhnin, komisioni i konkursit pati kohë të bëjë dallavera. Aty në gara, mbaj mend një shok të djalit të madh, që erdhi me taksi e mori të fejuarën që ishte kampionia e atletikës dhe i tha dhe Iskut: “Hajde me ne, mos rri me këta plera! S’kanë me të dhanë gja! Do tja japin atij Narit nga Jub- Sukthi, që ka babën kryetar kooperative dhe që ja pruni dashin qysh në mëngjes. E pashë me këta dy sy!” Po im bir kishte besim te drejtësia. E kush kish guxuar t’i fliste ndonjë fjalë të kundërt ndonjëherë? Ai ishte si në shtëpi (nga frika) si dhe në shkollë "me frymën e Partisë", por kur e pësoi zhgenjimin, thashë, se më iku nga trut djali! Filloi t’i shante aty në mes të fushës.
Gjithë atë ditë në rrugë apo dhe në palestër dëgjoja vetëm sharje kundër qeverisë. Ishin njerëz, që flisnin hapur! Në daç për të ikur, se ishin hapur
ambasadat dhe në ndaç sharje të ndryshme. Aq isha traumatizuar me frikën në palcë dhe kujdesin për mos bërë ndonjë gabim, sa kur i dëgjoja më hipte një e dridhur dhe prisja kur
t’i arrestonin, por jo! Njerëzit nxitonin e nxitonin, o Zot, ç’po ndodhte kështu?! Nga shkonte gjithë kjo turmë?
U mundova të qetësoj tim bir, po kush e mbante zhgënjimin që kishte pësuar?! “Hajde nisemi që tani për në Tiranë!”, më thoshte. Po këtë gjë tha dhe kur erdhi i jati nga puna. “ Ku të vemi, more djalë?! Nuk e sheh ç’po bëhet? Po i kthejnë të rrahur dhe të qethur”, i thoshnja.
Në atë kohë televizori po jepte lajmet, për këto ndodhira. Në një moment pashë tim bir, të madhin, Artanin, aty te kangjellat e ambasadës franceze! Të tjera të dridhura e djersë të ftohta…
Më merr ime bijë, Madi, në telefon te shtëpia e një komshije dhe më thotë: “Po ti pse s’po nisesh, t’i bësh një vizitë djalit te Arqilea?” dhe ky ishte një “mesazh” i Madit, që donte të thoshte: “Nisu, çfarë pret!” Nga të ktheja sytë më parë?! Nga një anë i vogli, strukur në një qoshe me fytyrë të trembur nga gjendja e të vëllait, që bërtiste duke sharë e duke ngulur këmbë për të ikur, nga ana tjetër im shoq, që thoshte: “Ju ikni, unë s'luaj që këtu!” Shpirti më ishte ndrydhur që kur pashë tim bir të madhin atje në ambasadën franceze duke menduar, se çfarë do t’i bënin po t’i nxirrnin nga ambasadat dhe sepse më rrinte mendja te ajo buka me vaj...Dreka e fundit, që hëngri në shtëpi! Dreq fukarallëk! E mora menjëherë vendimin dhe i thashë: “Nxitoni të kapim trenin e fundit, mos e zgjasni!” Dhe ashtu u bë edhe pse im shoq këmbëngulte për të kundërtën, por iu lut i vogli dhe kush ia kthente fjalën atij? Që te stacioni aty në Durrës e pashë që diçka nuk shkonte. Rrethuar me policë, që kontrollonin njerëezit, që shkonin për Tiranë. Fati im, që motra e komisarit të policisë ishte qiraxhie në shtëpinë time, kështu që ai e dinte ç’kishim hequr me djalin dhe i thashë, se ka vizitën nesër te doktor Arqilea. E pyeta me lezet, se ç’ishte gjithë ky kontroll? Më tha: “S’ke faj, se ke qënë e zënë me çunin, po ka rrezik kasapanë të bëhet!” dhe ju drejtua Iskut: “Dhe ti, mos lëviz shumë këto ditë, sidomos në Tiranë!”. Ishte njeri babaxhan dhe nga ai e kam dhe ardhjen këtu si dhe shpëtimin e jetës së tim biri Iskut, me ndërhyrjen që bëri më vonë, pas atyre që më ndodhën më pas.
Pra dhe në Tiranë e njëjta gjë. Polici e madhe dhe te stacioni i trenit, kur shikonin djem të rinj dhe vetëm, i ndanin mënjanë dhe i çonin në polici, ku përveç drurit dhe shkopit të gomës i qethnin flokët duke i kthyer pastaj nëpër qytetet nga kishin ardhur.
Shumë të rinj zbritën pa hyrë në Tiranë, si në Kashar, ose kur treni ishte në lëvizje, se siç duket e kishin marrë vesh ç’i priste aty te stacioni. Isku mbante të vëllanë në krahë kështu që nuk tërhoqëm shumë vëmendjen e policëve kur zbritëm tek stacioni. Shkuam te shtëpia e Madit dhe aty mësuam lloj lloj lajmesh, për ato që po ndodhnin. Filluam të bënim planet si do iknim dhe ku. Ditën e nesërme, që në mëngjes herët dolëm nga shtëpia. Tirana ishte plot e përplot me njerëz, që lëviznin kot. U hap fjala, që në ambasadën franceze ka rënë një sëmundje. M’u këput shpirti fare, duke menduar Artanin, që ishte aty. Ca të tjerë thoshin: “Jo mor, e keni ndigju gabim!Në atë italjanen, se janë tetë qind vetë dhe si kanë nga rrutullohen! Aty dhe nevojrat i kryejnë ku flenë!” Të tjerë thoshnin: “Te gjermania po bëhet nami! Janë mbi tremijë veta!” Ca të tjerë diskutonin për
kampionatin botëror. Më duket ishte dita e fundit dhe e fituan gjermanët, se në darkë, megjithë gjendjen e frikshme që kish pushtuar Tiranën, kur po shkoja për tek stacioni i trenit dëgjoja brohoritje, andej nga ambasada gjermane, që në atë qetësi të pazakontë, vinin si një ulurimë therrëse, ose më dukej mua, që po kthehesha e dërrmuar. Iu thashë të mijve të provonim njëherë, se mos hynim tek amabsada franceze, po sa morëm rrugën për andej, trotuaret po mbusheshin plot me ushtarë, që kishin nga një kazëm në krah o ashtu mu duk mua dhe që po e bllokonin rrugën. Rrugës dëgjonim zëra si: “U mbyllën ambasadat dhe ke italjania e kanë rrethuar, bile qëlluan njerin, që po hypte ke ajo e çara e murit!” Po kështu u rrethuan të gjitha ambasadat. Kishim gjysëm dite që po bridhnim sa andej këndej dhe u thashë atëhere të mijve: “Marrim ndonjë gjë për të ngrënë dhe çlodhemi pak te lulishtja tek Skënderbeu. Duhet të kthehemi menjëherë! Këtu do ndodhi ajo kasapana, që na tha komisari mbrëmë te stacioni, në Durrës…”
Ashtu bëmë. Po ku kish vend te lulishtja ? Ishte shkulur Shkodra mbarë! Flisnin me zë të lartë, shanin qeverinë. Një djalë erdhi me vrap dhe iu drejtua familjarëve të tij: “Po vjen Perens Dekuelari nga O K B-ja! Kanë dhënë urdhër që t’i nisin të gjithë jashtë nëpër shtetet sipas ambasadave, ku kanë hyrë! Lajm i sigurtë, se ma tha një shoku im, që punon në ministrinë e brendshme!” “Çfarë po thu mor?!”, u dëgjua një zë andej nga fundi, “ kanë me i vra! Hapin parrulla kot! Tan’ kan’ me i vra!...” “Ku ku për mu!”, u dëgjua një ulurimë, “ Kam djalin e vetëm, si me ja ba me e qit mor?!”
E çfarë s’dëgjoje?!… Pasi pushuam pak, u ndamë me Madin dhe morëm drejtimin e stacionit të trenit. Afër maternitetit Isku ndaloi hapat, u kthye nga ne. E lëshoi vëllain në tokë, se e mbante gjithë kohën në krah dhe tha: “Me vjen keq, por unë s’kthehem mbrapsh! Do tentoj, të bëhet ç’të bëhet!” Ne të dy, burrë dhe grua ngrimë! Ai nuk pranoi asnjë arsyetim edhe pse e pa vetë gjendjen e jashtëzakonshme aty në Tiranë.
Iku pa kthyer kokën duke na lënë si dy statuja aty në mes rrugës…
Po e ndiqja me sy ku dhe lotet kishin ngrirë...Në mend m’u fiksuan ato kaçurrelat e zeza, që pas dy ditëve s’do t’ia shihja më…M’u mblodh një nyje në fyt, isha gati t'ja plasja të qarit me zë aty në mes Tiranë, por mendoja atë të voglin, që akoma s’e kishte marrë vehten, që ia plasi të qarit sa pa që i vëllai u largua.
Bashkë me Iskun iku dhe e dashura e tij. Ndoshta kjo qe dhe arsyja e vendimit që mori, pasi vajza kishte ikur nga shtëpia për të ardhur bashkë me të dhe nuk mund të ktheje dot atje. Ky është një kapitull tjetër me peripecitë e veta, që unë do e shkruaj më vonë. Per mos tu larguar nga tema po vazhdoj…
Vërtet kisha shpëtuar nga uthulla, po ajo temperatura febrile tridhjetë e shtatë e dy ishte e përditshme te Mikelinua, gjë që i krijonte atë dobësi aq të madhe, që më shumë rrinte shtrirë, se në këmbë apo ulur. Iu ktheva tim shoqi, sikur të ma kishte ai fajin. Ishte mbledhur sa një grusht, dhe ecte kokëulur: “Ti u bëre sebep me atë “jo-në” tënde! Do ishim futur dhe ne si të tjerët në ndonjë ambasadë. Të paktën të mendoje për jetën e këtij të voglit. Ç’do bëhet tani? Ku ta çojmë?! Ku gjendet Arqilea apo ku ka ngelur pa e çuar këtu?!” dhe flisja e flisja duke iu shkarkuar. Ai, që kuptonte gjendjen time heshte. Njëherë vetëm tha: “E ku do vinim moj?! Kush na i kish hapur derën dhe po na priste? Apo të humb dhe këtë copë punë që kam?” Aty u nxeha më shumë duke i thënë: “Haje me buke atë farë pune tani! Ja u ndamë kështu për së gjalli! Njëri në ambasadë, që s’dimë çfarë ndodh, tjetri ttetëmbëdhjetë vjeç sa ka dal nga bangat, iku pa adresë. Ku do mbytemi tani?!” dhe s’dija çfarë flisja...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora