E shtune, 31.01.2026, 08:47 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (II)

E shtune, 31.01.2026, 05:00 PM


INTERVISTË ME PROFESORIN DHE STUDIUESIN AVZI MUSTAFA (II)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në pjesën e dytë dhe të fundit të intervistës ekskluzive për Zemra Shqiptare, Prof. Dr. Avzi Mustafa – një njeri me një kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar – ndan përvojat dhe reflektimet e tij mbi themelimin e Universitetit të Tetovës dhe rolin e tij në konsolidimin e këtij institucioni. Ai flet për rëndësinë e mësimdhënies në studimet master dhe pasuniversitare, si dhe për përvojën e tij si shef katedre dhe anëtar i këshillave pedagogjike.

Intervista trajton gjithashtu angazhimet e tij si bashkëthemelues i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni, pjesëmarrjen në Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve, si dhe rolin drejtues në Shoqatën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Lidhjen e Arsimtarëve dhe në Unionin e Intelektualëve Shqiptarë.

Prof. Dr. Mustafa ndalet te historiku i revistës shkencore “Shqyrtime Albanologjike”, vlerësimi i punonjësve të arsimit dhe rëndësia e botimeve shkollore në zhvillimin e brezit të ri. Ai reflekton mbi sfidat e jetës gjatë komunizmit, rolin e figurave historike në ruajtjen e identitetit dhe ofron këndvështrimin e tij mbi kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Përmes kësaj bisede, Prof. Dr. Avzi Mustafa përcjell mesazhe të rëndësishme për forcimin e identitetit kombëtar dhe për vlerësimin e dijes si shtyllë të zhvillimit të shoqërisë.

GM: Ju jeni një nga figurat kyçe në themelimin e Universitetit të Tetovës. Si i kujtoni ato ditë historike dhe cili ishte roli juaj në konsolidimin e këtij institucioni?

AM: Përveç Akademisë Pedagogjike për përgatitjen e mësuesve në shkollë fillore dhe Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, shqiptarët nuk kishin institucione të larta arsimore. Thjesht, nuk ekzistonte institucion tjetër. Në fakultetet e tjera në shumë degë studionin fare pak studentë shqiptarë. Pas vitit 1981 edhe ato pak institucione për shqiptarët në Maqedoni u mbyllën, ndërsa profesorët u diferencuan. Në anën tjetër, Kosova kaloi në gjendje lufte, për shkak të demonstratave të studentëve, dhe, me vonë, ndodhi suprimimi i të gjitha institucioneve. Në atë kohë u fut edhe provimi pranues për universitet. Por, testet përgatiteshin vetëm në gjuhën maqedonase, andaj fare pak apo aspak shqiptarë mund të regjistroheshin. Më vonë u shtuan kërkesat e shqiptarëve, andaj pushteti e shpiku një formulë tjetër – u krijua i a.q. “diskriminim pozitiv”, ashtu që në çdo fakultet do të pranoheshin studentë në bazë të përqindjes nacionale. Kështu në disa drejtime u rrit numri i kuotave për pranim. Kështu shqiptarët mund të regjistroheshin deri në 5 studentë, gjithsesi nëse e kalonin testin në gjuhën maqedonase dhe një lëndë bazike të drejtimit.

Një dite erdhi në Katedër dr. Fadil Sulejmani dhe biseduam gjerë e gjatë për këto problem. Pastaj shkuam në Institutin e Historisë për ta takuar Dr. Ramiz Abdylin. Pas disa ditëve, bashkë me Fadil Sulejmanin, Abdulla Memetin dhe Prof. Ali Vishkon, e vizituam Bashkësinë Fetare Islame në Shkup, ku po ashtu kërkuam mbështetje. Unë u zgjodha në Këshillin e Universitetit.

Më 4 qershor 1994, nën organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, u mbajt Kuvendi për Themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni. Në këtë kuvend u vendos që ky institucion të emërtohet Universiteti i Tetovës, kjo sipas selisë së tij.

Unë u angazhova t’i siguroj të gjitha plan-programet e Fakultetit Filozofik, Fakultetit Filologjik, atij të Drejtësisë dhe Fakultetit Ekonomik. Më pas i filluan përgatitjet e tjera. Bashkë i zgjidhnim profesorët që mund të udhëhinin me fakultetet, për çfarë duhej së paku tre profesorë. Realizuam takime me bizismenë, mbajtëm mbledhje në të gjitha komunat dhe në fund vendosëm që të hapet Universiteti i Tetovës. Punonim ilegalisht, siç thuhej “në të egër”. Por, kështu u konsoliduan të gjitha fakultetet. Atëbotë shumë profesorë erdhën nga Kosova. Mësimi filloi dhe unë isha në përbërjen e dekanatit të Fakultetit Filozofik. Pastaj u pa nevoja që të kaloj në Fakultetin Filologjik, po ashtu në përbërjen e dekanatit. Mësimi filloi nëpër shtëpi private, ndërsa unë mbaja mësim edhe në Filologjik edhe në Pedagogjik. I mbaja disa lëndë, sipas nevojës. Më pas, me hapjen e studimeve të magjistraturës, e kam mbajtur lëndën e Metodologjisë për Fakultetin Filologjik, kurse në Fakultetin Filozofik e kam mbajtur Metodikën e gjuhës. Ndërkaq në studimet pasuniversitare e kam mbajtur lëndën Arsimimi dhe Trajnimi i Mësuesve.

GM: Si e vlerësoni rëndësinë e mësimdhënies në studimet master dhe pasuniversitare?

AM: Në Fakultetin Filologjik kam dhënë mësim në drejtimin e gjuhës. Kam qenë i angazhuar për të mbajtur ligjërata mbi bilinguizmin për të gjitha grupet në gjuhën maqedonase. Më vonë, disa vite, e kam mbajtur edhe Metodologjinë e hulumtimit, derisa organizimin e masterëve dhe doktoranturat i mori Këshilli i formuar nga Universiteti.

Magjistratura kishte provime ku ligjëronin profesorë specialistë. Ajo ishte një etapë shumë e rëndësishme e studimeve për ta mësuar metodologjinë e studimeve. Andaj edhe punimi ishte në nivel shkencor dhe pa kufizime në faqe. Ndërsa doktorantura nuk kishte provime, por bëhej paraqitja e temës dhe bëhej zgjedhja e mentorit. Prandaj në doktorantura çdo dështim i takonte mentorit dhe komisionit recensues.

Kur magjistraturat dhe doktoranturat filluan të organizohen sipas sistemit të Bolonjës, së pari ua ndërruan emrin, nga magjistratura në “master”, pastaj u vendos që studenti t’u nënshtrohej disa provimeve, kurse punimi duhej të kishte 80-120 faqe. Sipas këtij sistemi, doktoratura duhej të kishet 180-220 faqe. Me këtë sistem, studimet master do të zgjasnin 2 vite, kurse doktorantura 3 vite

Kam përshtypje se kështu edhe magjistratura ose masteri disi e ka humbur rëndësinë shkencore. Shoh një degradim, sepse nuk ka debate në ligjërata, notat merren me punime seminarike, dnërsa inteligjenca artificiale tashmë i ka rrënuar kufijtë e kreativitetit shkencor. Nuk jam i sigurt as për nivelin metodologjik, nuk di sa bëhen hulumtime për ndonjë temë, andaj edhe punimet janë vetëm ideore. Prandaj këto studime janë më shumë teorike, varësisht prej përgatitjeve të profesorëve dhe kandidatëve.

GM: Çfarë do të veçonit nga përvoja juaj si shef katedre dhe anëtar i këshillave pedagogjike?

AM: Që kur më propozuan, shkova para anëtarëve të katedrës me një program se çka do të punoj për katedrën për periudhën katërvjeçare. Së pari kërkova që biblioteka të furnizohet me libra, revista, gazeta, fjalorë, enciklopedi etj., pastaj kërkova që të ruhen vlerat njerëzore në katedër, të mbahen rregullisht të gjitha ligjëratat, kalueshmëria të jetë sipas diturive, punësova 3 asistentë dhe një bibliotekar, mbajtëm një simpozium mbi veprimtarinë e Katedrës me rastin e 25 vjetorit etj., u hap grupi i përkthyesve, nxorëm gazetën e studentëve “Rrezja” dhe realizuam shumë projekte më të vogla në interes të studentëve dhe, në përgjithësi, të albanologjisë.

Ndërkaq përvoja e ime në këshillat pedagogjike ka qenë vizioni strategjik për zhvillimin e programeve dhe kurrikulave, duke e ruajtur cilësinë akademike, sidomos në përgatitjen e teksteve shkollore nga aspekti gjuhësor dhe përmbajtjesor.

GM: Si i përshkruani aktivitetet tuaja si themelues i Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoni dhe si pjesë e punës suaj në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë?

AM: Që prej themelimit e deri më 2024, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë ka pranuar vetëm tre shqiptarë. Dy shqiptarë të ytjerë u pranuan në vitin 2025. Prania e shqiptarëve është mjaft e vështirë, edhe pse ka studiues mjaft të përgatitur me biografi shkencore me përmasa botërore. Por “të urtëve” në ASHAM kjo nuk u ka bërë shumë përshtypje.

Prandaj një grup intelektualësh vendosëm ta hapim Akademinë Shqiptare për Shkencë dhe Art. Edhe kjo u bë. Në fillim ishim pesë anëtarë, nërsa tani numri është rritur në pesëmbëdhjetë. Sidoqoftë, ashtu siç jemi, po bëjmë ca gjera të vogla, kemi bashkëpunim me disa akademi, punojmë në disa projekte, marrim pjesë në simpoziume e tribuna shkencore.

Sa i përket ITSHKSH-së, unë kam qenë ithtar i themelimit të këtij institucioni që prej fillimit, Disa vite me radhë kam qenë anëtar i jashtëm i Këshillit të Institutit. Kam bashkëpunuar nëpërmjet organizimeve të konferencave e simpoziume të ndryshëm që i ka organizuar ky Institut, ndërsa jam zgjedhur edhe “anëtar i jashtëm” dhe “mik i Institutit”. Këtu dua të theksoj se jam mirënjohës ndaj Institutit që e organizoi një sesion shkencor mbi veprimtarinë time dhe që i ka promovuar botimet e mia.

GM: Cilat kanë qenë përvojat tuaja si kryetar i Shoqatës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, si kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe si drejtues i Unionit të Intelektualëve Shqiptarë?

AM: Në kohën e njëmendësisë, e deri në rënien e sistemit dhe prishjes së Jugosllavisë së Titos, shqiptarët e Maqedonisë kishin institucione aq sa lejonin pushtetarët komunistë. Përveç shkollave fillore e ndonjë shkollë të mesme të ndonjë drejtimi në qytetet ku dominonim shqiptarët, si në Tetovë e Gostivar, në disa qytete nuk kishte as edhe as gjimnaze.

Më vonë, në vitet 1970-të ndodhi një avancim edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Në këtë periudhë u lejuann gjimnaze e shkolla të mesme profesionale. Pikërisht kur filloi diçka, erdhi viti 1981 dhe gjithë ajo që ishte arritur, u ndërpre dhe kaloi në të vjetrën, bile u bë edhe më keq. U suprimuan ose u mbyllën shkollat e mesme e paralele, ndërsa u shpikën të ashtuquajturat “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase. Edhe dokumentacionin shkollor mësuesit duhej ta plotësonin vetëm me shkronja cirilike, kurse mësuesit shqiptarë derisa ishin në shkollë detyroheshin të flasin në “gjuhën e shtetit”, pra në maqedonisht. Pati edhe diferencime me përjashtime, ndalime që fëmijët të pagëzohen me emra shqip, u imponua që toponimia të përdoret në gjuhën sllave, librat shkollore u mbushën me përmbajte të shtrembuara dhe me devijime prej normës së gjuhës tonë, duke filluar prej atyre gramatikore e deri te shmangiet gjuhësore me karakter ideo-propagandistik etj.

Gjithë kjo e keqe që rëndonte mbi gjuhën shqipe ishte arsyeja që të formohet Shoqata e Arsimtarëve të Gjuhës Shqipe, ndërsa më pas u formua Lidhja e Shoqatave të Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Puna jonë ishte që të bëjmë analiza dhe t’i kundërvihemi këtij terrori arsimor, pa marrë parasysh pasojat dhe rreziqet që rëndonin mbi shpirtin e mësuesit, profesorit dhe nxënësit. Unë pata fatin ta udhëheq këtë asociacion, duke e mbajtur gjallë gjuhën dhe letërsinë shqipe. Si Lidhje, në fillim iu kundërvumë kësaj përmes demarsheve e letrave të hapura, ndërsa më pas organizuam debate, i analizuam tekstet shkollore dhe organizuam gara të nxënësve në nivel republikan nga lënda e gjuhës dhe të letërsisë. Këto gara na ndihmuam mjaft që nxënësit shqiptarë ta japin provimin pranues në shkollat e mesme dhe fakultete.

Qëllimi ynë ishte që para opinion të vendit dhe atij botëror të dëshmojmë se po e helmonin gjuhën e nxënësve shqiptarë në Maqedoni.

Gjatë viteve të para të tranzicionit, intelektualët shqiptarë në Maqedoni i kishte kapur një krizë totale. Para çdo intelektuali shfaqej dilema të heshtë dhe të bëhet naiv apo të protestojë. Kjo gjendje e prodhoi idenë për t’u ngritur iniciativa për Unionin e Intelektualëve Shqiptarë, që do ta vë në dukje rolin e intelektualëve me qëllime dhe vullnete të mira. Intelektualët shqiptarë në Maqedoni kishin arsye shumë arsye për një union të tillë, sepse atëherë duhej marrë përgjegjësinë e madhe për t’i mbrojtur vlerat e vërteta, arsimore, kulturore e shkencore.

GM: Si lindi ideja për themelimin e revistës shkencore ‘Shqyrtime Albanologjike’ dhe si e përshkruani përvojën tuaj në drejtimin dhe përgatitjen e saj?

AM: Në Maqedoni, edhe Jugosllavisë, për shqiptarët e Maqedonisë ekzistonte vetëm një revistë për letërsi shkencë dhe art që e mbante emrin “Jehona”. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kjo revistë u privatizua dhe dilte sipas mundësive me një ose dy numra në vit. Kjo bëri që ata që merreshin me punime letrare dhe shkencore të mos kishin hapësirë për të botuar. Atëhere e mora iniciativën që ta krijojmë një revistë shkencore me emrin “Shqyrtime Albanologjike”, e cila ishte organ i Lidhjes së Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Maqedoni. Këtë revistë e themelova dhe e redaktoja vetë.

Pas disa numrave vendosa që për secilin profesor të Katedrës që shkonte në pension t’i kushtohej një numër, sepse Buletini që dilte në Fakultet nuk e shihte të udhës që një numër t’ia kushtonte ndonjë profesori shqiptar. Prandaj vendosa që nga një numër të revistës t’ia kushtoj profesorëve që shkonin në pension dhe profesorëve për ndonjë jubile.

Jeta e kësaj reviste ishte deri në numrin e 10-të. As vet nuk e kuptova se pse ma ndërprenë financimin e botimit. U mundova disa herë të marr përgjigje, por kurrë nuk gjeta shpjegim. Sidoqoftë, kjo revistë shërbeu si platformë shkencore për studiuesit e rinj, që të mund të botonin punime nga gjuha dhe letërsia shqipe.

GM: Sa është e rëndësishme metodologjia e studimeve shkencore për brezat e rinj dhe si e vlerësoni gjendjen aktuale të linguadidaktikës shqiptare?

AM: Njohja me metodologjinë si shkencë në fakultetet e shkencave humane dhe shoqërore ishte nevojë e kohës. Kjo disiplinë shkencore në shumë fakultete dhe degë nuk figuronte si lëndë mësimore në plan-programet mësimore. Dominonte mendimi se kjo shkencë mësohej në studimet pasuniversitare. Mirëpo, kur tema e diplomës u bë detyrim për studentët, ata nuk kishin aspak njohuri se si punohet një punim diplome ose si shkruhet një trajtesë shkencore, sepse nuk i njihnin parimet bazë të shkencës. Metodologjia e studimeve ka për synim t’i udhëzojë studiuesit në disa çështje teorike dhe praktike. Duke ditur se kërkimi shkencor është rrugë e panjohur, rrugë pa kthim e as shëtitje, metodologu i parë shqiptar, Faik Konica, i jep disa këshilla për ata që duan të merën me shkrime. Ai porosit: “Kur qëlloni të shkruani gjësendi një libër e madhe apo një artikull pesë gjashtëradhës e para nevojë është dini mirë ç’doni të dëfteni.... Dale të mendohem mirë ç’dua për të shkruar”.

Teksti  i Metodologjisë në punën kërkimore-shkencore në fushë së të filologjisë e shkencave filologjike ishte një ndihmesë e madhe për studentët dhe për studiuesit jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.

Sa i takon kinguadidaktikës shqiptare në Maqedoni, ajo nuk është gjendje të mirë dhe kjo shihet nga ajo sa trajtohet kjo problematikë nëpërmjet punimeve ose debateve shkencore. Më duket se te linguistët dominon një mendim se studimet në fakultet mjaftojnë dhe se mjafton që një student ose një i huaj që studion një gjuhë të dytë mund ta shkruajë dhe ta flasë gjuhën joamtare pa gabime. Por, praktika e tregon të kundërtën – pa marrë parasysh studimet, qofshin në fakultet ose studime shumëvjeçare, vërehen gabime, sidomos në gramatikë, si te zgjedhimi i foljeve, vetitë e akordimit, përdorimi i nyjave, i parafjalëve etj., sepse përvoja dhe ushtrimet nuk janë garanci për të qenë i përsosur. Diskursi i gjuhës së dytë te shumica e njerëzve ose studentëve e nxjerr në pah faktin se ata janë të huaj. Kjo ndodh më së shumti në procesin e mësimdhënies, sepse mësuesit mbështeten edhe në intuitë. Shkaqet janë të shumta, por më kryesore, sipas meje, është se mungon koherenca e lidhjeve gjuhësore dhe psikolinguistike, që mendoj se ka pak ka ndikim mbi metodat e mësimdhënies së gjuhës nga ana e mësimdhënësve.

GM: Si e shihni sot pozitën e gjuhës shqipe në institucionet arsimore të Maqedonisë së Veriut?

AM: Gjuha shqipe është pasuria më e vyer që na e kanë lënë në trashëgim me shekuj e brez pas brezi të parët tonë. Ata, edhe në periudhat me të errëta, kur nuk kishim alfabet e institucione shkollore, u munduan dhe e ruajtën atë si gjënë më të shenjtë, sepse ajo na identifikonte si komb.

Gjuha shqipe për shqiptarët e Maqedonisë është çështje kombëtare e një rëndësie madhore. Mirëpo, ajo që vërehet në tre dekadat e fundit, nga ajo që haset publicistikë, në veprimtarinë shkencore, librore, në edicionet informative të radio-televizioneve, në gazetat e shtypra dhe ato elektronike, nuk mund të jemi të kënaqur me gjendejn e përdorimit të gjuhës. Gjithnjë e më shumë vërejmë një gjuhë të bastarduar nga fjalori i veshur me petkun e huaj, ku dominon një gjuhë jashtë normave drejtshkrimore, si nga sintaksa, por edhe shprehjet që nuk i takojnë gjuhës shqipe. Një degradim të gjuhës sonë e hasim edhe te intelektualët. Fjalët e bukura shqipe po zëvendësohen me leksema të huaja dhe gjuha shqipe në Maqedoni po helmohet. Kjo më bind se shqipja te nuk është në atë shkallë të përdorimit që duhet ta ketë. Tani, kur e dëgjojmë ose e flasim, tingëllon si e hidhur dhe si e pashpirt.

Për fat të keq, populli shqiptar nuk është më pak i prekur nga ky fenomen global. Tani ndodhemi para asaj kur, do të thosha, gjuha shqipe në shumë familje nuk është më gjuhë amtare. Sot ka filluar, ndërsa nesër mund të flasim për gjuhë të parë, të dytë e të tretë. Në familjet shqiptare fëmijët me motrat dhe vëllezërit, si edhe me moshatarët e tyre, komunikojnë në gjuhën angleze. Prandaj shumë fjalë po zëvendësohen me fjalë të anglishtes. Kështu, edhe kur gjuha shqipe e posedon atë nocion ose ndonjë fjalë tjetër, është bërë modë gjuhe që të përdoret gjuha e huaj ose ndonjë tautologji shqip e anglisht, të tipit okej-mirë e ngjashëm.

Si ta mbrojmë gjuhën tonë? Për fat të keq, as në shtetin amë, e aq më pak në Maqedoni, nuk ekziston ndonjë strategji. Politika gjuhësore në të ardhmen duhet t’u takojë institucioneve arsimore, e sidomos shkollës, por jo politikanëve. Kjo do të thotë se fuqitë duhet të orientohen në forcimin e statusit të gjuhës shqipe në sistemin arsimor.

Mësimi i gjuhës së pari duhet të mbështetet me numër më të madh të orëve mësimore në planin mësimor, që së pari të merret për bazë struktura gramatikore e gjuhës, për t’u rritur pastaj numri i orëve për mësimin e gjuhës amtare në plan-programet mësimore. Kjo do të thotë se në të ardhmen duhet të orientohemi kah ndryshimi i paradigmave programore.

GM: A mendoni se shoqëria jonë i vlerëson mjaftueshëm punonjësit e arsimit dhe cilat mirënjohje apo çmime që i keni marrë do t’i konsideronit më domethënëse?

AM: Unë mendoj se për çdo studiues, qoftë i ri a i moshuar, një mirënjohje ose një çmim për punën që bën ose e ka bërë gjithsesi që ndikon pozitivisht dhe te çdokush ato çmime shndërrohen në nxitje, në forcë shtyse, në besim në vetvete dhe ato e forcojnë përgjegjësinë intelektuale dhe përpjekjet shkencore.

Kur është njeriu i ri, i ka shumë qejf mirënjohjet publike që vijnë forma të këtilla çmimesh e dekoratash dhe unë me të vërtetë kam mirëkuptim dhe vazhdoj të kem mirëkuptim për plot të rinj që ndonjëherë edhe nguten me këso prirje. Por, me kalimin e kohës, sa vjen e plaket njeriu, aq më shumë dikush si unë që i ka përfunduar të gjitha kualifikimet e karrierës, e sheh se përkundër kënaqësisë momentale që ta krijojnë këto çmime, megjithatë mirënjohjet më të bukura janë ato që burojnë nga shpirti njerëzor e miqësor. Unë jam fitues i disa çmimeve e mirënjohje nacionale, disa herë kam qenë në epiqendër të opinionit dhe në ato raste ua them sinqerisht se marrja e një çmimi nuk ma ka ndryshuar jetën me asgjë. Kujtimi dhe nderimi më i mirë që mund të kem pasur gjatë gjithë jetës sime profesionale mbetet mirënjohja nga studentët shqiptarë të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodij” pas një viti nga pensionimi im, Plaketa e Nderit e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, çmimi nacional “22 Nëntori”, që jepet me rastin e festës së alfabetit shqip etj.

GM: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë karrierës suaj dhe çfarë këshille do t’u jepnit mësimdhënësve të rinj të gjuhës dhe letërsisë shqipe?

AM: Në studimet pedagogjike, nga leximi i veprave pedagogjike-didaktike shumë herët e pata kuptuar se mësimdhënia është shkencë dhe art dhe se mësimdhënësit duhet ta kuptojnë mirë se ata janë të obliguar t’i posedojnë disa cilësi, si: komunikimin, perceptimin, bashkëpunimin dhe vlerësimin, që do të thotë se gjuha, zëri, intonacioni, kontakti, reagimi i menjëhershëm, situata në të cilën gjendet subjekti, por edhe vlerësimi. Këto e bëjnë mësimdhënien art mësimor, kurse identifikimi i problemit, formulimi dhe përgatitja e hapave logjikë, grumbullimi i të dhënave dhe interpretimi i qartë i objektivave, si trajtohet një temë mësimore, si dhe gjykimi i mësimdhënësit dhe mësimdhënies, e bëjnë atë shkencë.

Këshilla ime për të gjithë ata që do të japin mësim në shkolla është që së pari të posedojnë njohje për lëndën që e ligjërojnë, si dhe njohuri të mjaftueshme psikologjiko-didaktike, sepse vetëm atëherë mund të arrijnë sukses te nxënësit.

GM: Si e shihni të ardhmen e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut, dhe çfarë mesazhi do t’u përcillnit brezave të rinj të studiuesve shqiptarë?

AM: Sikur ta kisha në intervistë vetëm për këtë pyetje! Do të shkruaja jo vetëm një faqe ose dy, por do të shkruaja një studim të tërë. Por, këtu do të përgjigjem shumë shkurt. Maqedonia e Veriut tani e 30 vjet synon reformimin e sistemit arsimor. Përveç të politizimit të këtij procesi dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, ajo është ende larg ngritjes së një sistemi të mirëfilltë në arsim, përfshirë të gjitha hallkat edukativo-arsimore. Mendoj se sa u përket reformave, Maqedonia e Veriut sigurisht të hyjë në Librin e Gjinisit, sepse që prej ardhjes së demokracisë e deri tani janë bërë 19 reforma, aq sa ka qenë numri i ministrave që kanë udhëhequr me këtë dikaster.

Nuk mund ta kuptojmë ende se ekzistojnë dy reforma: reformë e jashtme dhe reformë e brendshme. Reformën e jashtme e bën politika, e cila miraton ligje për ta zbatuar, por ajo nuk duhet të bëjë vetëm kopjime të sistemeve të huaja europiane. Modelet e marra, si ai i Holandës, i Danimarkës ose i Britanisë nuk dhanë rezultate, sepse ne nuk kemi kushte për t’i zbatuar sistemet e shteteve të huaja. Pastaj, për fat të keq, nuk bëhet asnjëherë analizë për një sistem të huazuar, por synohet të implementohet komplet ashtu siç merret.

Edhe pse miratohen ligje, suksesi arsimor nuk ndryshon, sepse nuk sjell përmisime. Nuk ka as edhe vazhdimësi, sepse ndryshimet pozitive dhe risitë duhet të jenë të vazhdueshme dhe të natyrshme nga një fazë e caktuar zhvillimi e sistemit te faza pasardhëse. Ende nuk është normalizuar sistemi arsimor, gjë që ndikon negativisht edhe në rritjen e cilësisë dhe në efikasitetin e tij. Unë mendoj se mungesa e një strategjie të mirëfilltë nuk mund të jetë vetëm e dikasterit ose të ministrit. Ajo duhet të jetë tej vijës së horizontit që e kufizon çdo lloj strategjie arsimore institucionale, pa marrë parasysh sa është e mirë ajo.

E sa u përket studentëve të rinj shqiptarë, ata të mos kërkojnë vetëm diplomë, por dije, sepse diploma pa dije nuk ka asnjë vlerë.

GM: Shumë nga veprat tuaja monografike e trajtojnë historinë e arsimit dhe metodikën e gjuhës shqipe në Maqedoni. Cilat kanë qenë motivimet dhe qëllimet kryesore që ju kanë udhëhequr gjatë hartimit të këtyre studimeve dhe cilat prej tyre i konsideroni më përfaqësuese?

AM: Këtu dua të prononcohem së pari mbi motivet që më kanë shtyrë ta trajtoj problemin e metodikës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Kur ia fillova karrierës arsimore, nuk gjeta asnjë dispencë ose doracak mbi problemin e mësimit të gjuhës dhe të letërsisë. Përgatitjet për ligjëratat më detyronin të hulumtoj shumë literaturë mbi didaktikat e mësimdhënies në shumë universitete. Për disa vite, për secilën temë kërkoja material dhe për çdo gjeneratë plotësoja risitë mbi temat që duhej t’i ligjëroja. Pas disa viteve të mbledhjes së materialit, e botova tekstin universitar “Didaktika e gjuhës dhe e letërsisë shqipe”. Kjo monografi ishte edhe teksti i parë i kësaj në Maqedoni dhe më gjerë. Pas botimit të parë, vijoi edhe botimi i dytë. Nëpërmjet këtij teksti desha të paraqes informacione teorike dhe praktike mbi mësimdhënien e gjuhës dhe të letërsisë. Desha ta bindi mësuesin e gjuhës jo çka të mësojë, por si të mësojë.

E sa u përket monografive që trajtojnë figura mësuesish e patriotë që kanë dhënë kontribut për hapjen e shkollave shqipe, qëllimi im ka qenë që nëpërmjet hulumtimeve në arkiva të ndryshme të gjej patriotë që kanë punuar për ngritjen e arsimore të popullit shqiptar. Kontributi i tyre në përhapjen e arsimit ishte e vetmja rrugë e kombit për të dalë nga skëterra e injorancës dhe ndërprerja e propagandave të ndryshme që dëshironin ta përçajnë.

Studimet rreth historikut të shkollës shqipe në Maqedoni paarqet një kontinentet të pandërprerë të arsimit shqip si pjesë përbërëse e arsimit kombëtar shqiptar. Më interes të veçantë për mua kanë qenë hulumtimet e mia për shqiptarët ortodoksëe. Së pari desha të tregoj se Reka e Epërme është gjallë dhe se kontributi i tyre gjatë historisë për kauzën kombëtare nuk është i paktë, por shumë i madh. Me studimet për Rekën e Epërme iu vura përballë studiuesve sllavë që këtyre shqiptarëve me fe ortodokse ua mohonin identitetin. Kështu desha të dëshmoj se kjo pjesë e popullit shqiptar, së bashku me intelektualët e vet, jo vetëm që kishin rezistuar ndaj asimilimit, por kështu e nxora në pah edhe kontributin e tyre në zhvillimin ideor kolektiv kombëtar.

Se cilin nga botimet e mia do të veçoja si më përfaqësuese, për këtë do të themë se për mua vlen ajo pyetja e një nëne “se cilin fëmijë e doni më shumë?”. Përgjigja është e njëjtë – “të gjithë njësoj”, që do thotë secili e ka vendin e vet zemër. Ashtu edhe botimet mia e kanë vendin e tyre për ato çështje që trajtojnë.

GM: Keni hartuar një sërë librash shkollorë dhe fletore pune për gjuhën shqipe dhe letërsinë. Si e konceptoni rolin e këtyre teksteve në përgatitjen dhe zhvillimin e nxënësve shqiptarë në shkolla të ndryshme, dhe mund të na bëni një përshkrim të këtyre veprave?

AM: Po, unë jam autor i Abatares, si dhe i librave të leximit dhe fletoreve të punës. Për nga natyra jam shpirt i ndjeshëm dhe shqetësimi im si një profesor me njohuri pedagogjike-psikologjike dhe njohës edhe i gjuhës dhe të letërsisë shqipe ishte problematika e teksteve që ishin shumë larg arritjeve linguistike dhe pedagogjike-psikologjike. Për çdo tekst duhet të kemi parasysh së pari qartësinë e shkruarit të gjuhës, pasurinë fazeologjike, terminologjinë e goditur dhe fjalorin e pasur. Në shumë tekste shkollore nuk i hasja këto kërkesa, prandaj iu rreka punës që të botoj edhe tekste mësimore për nxënësit shqioptarë në Maqedoni. Tekstet që i botova, i ndërtova shkencërisht në bazë të vet logjikës së lëndës, psikologjisë dhe moshës së nxënësve në përputhje me kërkesat pedagogjike, didaktike e estetike

Puna me tekstet shkollore është puna më e mirë për një hartues tekstet, sepse për mua nuk ka kënaqesi më të madhe kur shumë nxënës më përqafojnë dhe me thonë se “unë kam mësuar me librat tuaj”, por kjo njëherazi është edhe punë shumë vështirë, sepse duhet të bëhesh edhe vetë nxënës për ta hartuar një tekst të mirë.

GM: Ju keni hartuar dhe kontribuar në libra për përdorim intern, siç janë studimet për zhvillimin e arsimit shqip në Maqedoni, planet-programet për refugjatët, hulumtimet mbi zhvillimin e të folurit te fëmijët dhe Abetaret funksionale. Si e vlerësoni rëndësinë e këtyre veprave dhe si kanë ndikuar ato në përgatitjen dhe zhvillimin e profesionistëve të arsimit dhe fëmijëve?

AM: Unë kam bashkëpunuar mjaft me organizata të ndryshme joqeveritare europiane dhe amerikane. Angazhimi im në fillim ka qenë nëpërmjet projekteve. Të gjitha këto projekte si qëllim parësor kishin që të ndihmojmë shkollat, fëmijët, mësuesit e studentët. Mirëpo, të gjitha këto projekte, varësisht nga realizimi i tyre, janë zhvilluar nëpërmjet trajnimeve, së pari duke përgatitur individë për ekipe lokale, e pastaj me pjesëmarrës nga shkollat ose komunat që ishin paraparë.

Pjesëmarrja ime në këto projekte ishte edhe një përvojë më shumë, sepse derisa ai realizohej, ne ishim të obliguar që të përgatisim materiale, doracakë që do t’u ndihmonin të gjithëve që kishin filluar t’i ndjekin këto projekte nëpërmjet seminareve dhe kurseve që organizoheshin. Nga të gjitha projekt ku unë kam marrë pjesë, vetëm një ose dy projekte kanë arritur të hyjnë në ligjet shkollore.

GM: Periudha e komunizmit në ish-Jugosllavi ka qenë një kohë kontrastesh të mëdha. Si do ta përshkruanit jetën tuaj personale në atë sistem dhe cilat ishin sfidat më të vështira që duhej të përballonte një intelektual shqiptar për të ruajtur integritetin dhe identitetin e tij?

AM: Sistemi komunist, në të cilin unë u rrita dhe u shkollova, ishte një sistem që tërë arsimi kishte për qëllim të edukojë qytetarë të dëgjueshëm të atij sistemi. Në shkollë mësonim vjersha për heronjtë partizanë, organizoheshin gara poetike se kush di të shkruajë më mirë për Titon ose për ndonjë hero tjetër, me një fjalë çdo gjë kontrollohej prej shtëpisë e deri në vendet ku do të shkoje.

Planet dhe programet ishin të konceptuara dhe të fragmentuara dhe të detyrueshme. Duhej ta mësojmë një vjershë të Naim Frashëri, rëndom poezinë “Fyelli”, të lexojmë vetëm lektyrat, ese e romane me përmbajtje të që dikush kishte dhënë leje, pra çdo gjë kalonte nëpër filtra që komunisti i përbetuar do t’i analizonte. Dhe, nëse ai shihte ndonjë dyshim, ai tekst nuk botohej, kurse autori shkonte në përgjegjësi. Liria e shprehjes aspak nuk ekzistonte. Të gjitha gazetat, nga ai që shkruante e deri te redaktori përgjegjës e kryeredaktori, kalonin në kontroll të rreptë.

Ne që kishim prirje për ndonjë shkrim të çfarëdo lloji ose ndonjë punim profesional, ishim të detyruar që të gjejmë ndonjë cittat nga Marksi, Engelsi, Lenini, Tito etj., në mënyrë që të mund të botojmë

Më kujtohet një student i matematikës kur më pyeti a ka ndonjë citat nga ideologët e socializmit që ka thënë diçka në matematikë. Qesha dhe i thash krijoje një mendim dhe shkruaja emrin e ndonjë udhëheqësi socialist. Ashtu ata do të gëzoheshin dhe do ta botonin pa asnjë problem.

Në fillim, kur fillova të shkruaj belbëzime pedagogjike, kërkoja tema të përgjithshme. Por, vështirë ishte që të botohet, sepse kjo varej shumë nga redaktori komunist, që shpesh rrinte mbi dorëshkrim që të gjejë ndonjë lidhje asociative që e lidhte sipas mendjes së tij për ta ndaluar.

Në kohën e socializmit organet kompetente kishin caktuar njerëz të caktuar për t’i ndjekur intelektualët. Ishte një sistem që sot lutemi që kurrë mos të kthehet!

'Prof. Shaban Demiraj, Prof. Petro Janura dhe unë'

GM: Cilat janë disa figura, historike ose bashkëkohore, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fusha të ndryshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?

AM: Në vitet 1970-1980, kur për herë të parë erdhën profesorët e Universitetit të Tiranës, na sollën disa libra dhe dispenca mësimore nga disa lëndë. I pari që mbaj mend ishte i madhi Eqrem Çabej i cili mbajti edhe një ligjërate në Universitetin e Shkupit, më pas Emil Lafe, Shaban Demiraj, Hamit Beçja Androkli Kostallari, Jani Thomai, Ali Xhiku, disa profesorë të historisë dhe të arkeologjisë, si A. Budina, Gazmend Shpuza, Petar Lalaj etj.

Kontribut të madh më pas ishte simpoziumi “Shqiptarët e Maqedonisë” ku morën pjesë një numër shumë i madh studiuesish, ku morën pjesën intelektualë të të gjitha profileve, që vinin ta dëgjonin Kristo Frashërin. Në shkencat e pedagogjisë më duhet ta përmend Hysni Myzeirin, Ruzhdi Maton.

Nga shqiptarët autoktonë në Maqedoni kontribut kanë dhënë prof. Shukri Rahimi, prof. Ali Vishko, prof. Masar Kodra, Prof. Petro Janura, prof. Ali Aliu, prof. Agim Vinca, prof Ferid Muhiqi, Lutfi Rusi, Myrteza Peza, prof. Remzi Nesimi, prof. Xhevat Gega etj. (U kërkoj ndjesë atyre që mund t’i kem harruar.)

GM: Nëse do të duhej të bënit një përzgjedhje, cilat figura historike dhe bashkëkohore shqiptare do të veçonit si kolonat kryesore mbi të cilat mbështetet identiteti dhe zhvillimi i kombit tonë sot?

AM: Është vështirë të bësh ndarje, por janë disa emra të pakontestueshëm, si vëllezërit Frashëri, Ernest Koliqi, Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan Noli, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Shtjefën Gjeçovi, Aleksandar Xhuvani, Dhimitar Shuteriqi, Ismail Kadareja, Ali Aliu, Rexhep Qosja, Agim Vinca, Ibrahim Rugova, Xhevat Lloshi, Shefik dhe Tomor Osmani, Jani Thomai etj.

GM: Gjatë veprimtarisë suaj kërkimore dhe pedagogjike, a keni pasur bashkëpunime apo mbështetje institucionale nga Shqipëria dhe Kosova?

AM:  Bashkëpunimi im me Shqipërinë dhe Kosovën ka qenë vetëm në nivel të simpoziumeve dhe konferencave shkencore, ndërsa shkrimet e mia janë botuar edhe në gazetën “Nacional”, në “55” e “Tema”, ndërsa në Kosovë kam botuar në “Bota sot”, si dhe në disa portale.

GM: Ekzistojnë këndvështrime të ndryshme mbi identitetin kulturor të shqiptarëve. Sipas jush, a dominojnë tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut elemente të kulturës shqiptaro-orientale apo të kulturës shqiptaro-oksidentale?

AM: Që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, Kongresi i Manastirit, e deri te shkollate para shqipe, shqiptarët janë përcaktuar për orientimin properëndimor, siç do të thoshte Naim Frashëri “për shqiptarët dielli lind në Perëndim”. Gjithë nacionalizmi shqiptar është projektuar me këtë orientim dhe ne nuk kemi pasur asnjë dilemë në këtë kurs. S’do mend se kultura orientale ka lënë gjurmë në identitetin tonë, sepse ne kemi bashkëjetuar pesë shekuj me një perandori lindore, por kjo nuk e zhbën faktin se ne jemi europianë dhe jemi të orientuar për t’u integruar në Bashkimin Europian e për të qenë pranë vendeve demokratike të qytetërimit perëndimor.

GM: Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë lidhur me ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar në Maqedoninë e Veriut?

AM: Mendimi im është që sa më parë ta ndalim ikjen e popullatës shqiptare në Perëndim. Familjet e të migruesve të më hershëm e kanë ndjenjën e fortë për identitetin kombëtar, kurse gjeneratat e mëvonshme, gjegjësisht nipërit e tyre, shumë pak flasin gjuhën shqipe, ka martesa me të huaj e dukuri të ngjashme. Edhe ardhja e tyre në vendlindje është shumë e dobët.

Unë mendoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë sa më shumë në mërgatë, që të hapin shkolla shqipe, të dërgojnë mësues më të mirë dhe të përgatisin tekste ku do të dominojnë lexime për vendlindjen, gjuhën dhe historinë e lavdishme të popullit shqiptar, për folklorin e pasur etj.

Edhe në Maqedoni të Veriut të rinjtë shqiptar duhet të kujdesen për ta ruajtur dh ekultivuar identitetin kombëtar, sepse vetëm në saje të kësaj vlere ne dallohemi dhe vlerësohemi në botën e qytetëruar.

GM: Për të përmbyllur këtë intervistë të çmuar, cili është mesazhi juaj për shqiptarët në përgjithësi, kudo që jetojnë?

AM: Unë do të pajtohem plotësisht me thënien e të madhit Faik Konica se “Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin”.

Dua të themë se shqiptarët në mënyrë individuale e mahniten botë në shumë sfera, por neve na mungon puna e përbashkët (kauza) për shumë çështje që duhet t’i zgjidhin shqiptarët. Duhet që sa më parë të angazhohen dy akademitë dhe të përgatisin strategjinë kombëtare për të ardhmen e kombit pa marrë parasysh ku jetojnë sot shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi ose në diasporë. Koha nuk pret.

Ju faleminderit nga zemra për këtë intevristë dhe ju përgëzoj për punën e vyeshme që e bëni!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur Salim Arifi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, piktorin dhe publicistin Fritz Radovani Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe ish-të përndjekurin politik Eduard M. Dilo Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Kristaq Turtulli – Ambasador i Kombit Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I)

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx