E premte, 26.12.2025, 06:55 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (IV)

E premte, 26.12.2025, 05:00 PM


INTERVISTË ME PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU (IV)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në pjesën e katërt të intervistës, prof. Xhemaledin Salihu flet për rolin e tij në ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai thekson rëndësinë e dokumentimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si një mjet kyç për mbijetesën dhe forcimin e identitetit në këtë rajon me sfida të veçanta.

Biseda prek gjithashtu ndikimin e tij në jetën kulturore dhe shoqërore, angazhimin në aktivitete politike, përfshirë organizimin e Referendumit Gjithëpopullor të vitit 1992, si dhe përvojat në Simpoziumin Shkencor “Albanologji dhe Histori”, mbajtur në prill 1993. Prof. Salihu ndan përvojat e tij në fushën e bibliotekarisë, duke folur për rolin si anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, pjesëmarrjen në Javët e Bibliotekarisë dhe në Seminarin Ndërkombëtar “Biblioteka sot”, si dhe për mënyrën se si këto përvoja kanë ndikuar në formësimin e vizionit dhe zhvillimin e Bibliotekës së Qytetit të Preshevës.

GM: Duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet Lugina e Preshevës, si e vlerësoni rëndësinë kritike të dokumentimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore si një mjet për mbijetesën dhe forcimin e identitetit kombëtar atje?

XHS: Duke patur parasysh gjendjen e vështirë të kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, gjendjen jashtëzakonisht të vështirë të Trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë kulturore shqiptare, sidomos kërcënimet e shumta ndaj identitetit shqiptar, në një punim timin shkencor mora përsipër ta trajtojë temën për ruajtjen e identitetit shqiptar përmes trashëgimisë kulturore. Konventat botërore dhe europiane mbi trashëgiminë dhe krijimtarinë kulturore, trashëgiminë tonë  kulturore shqiptare e konsiderojnë pjesë të  trashëgimisë kulturore civilizuese europiane e botërore.

Shtrohet pyetja, çfarë nënkuptojmë me identitet kombëtar? Sipas ekspertit Antoni D. Smith: (autor i veprës “Identiteti kombëtar” – National Identity, London 1991), janë 6 tipare kryesore të një bashkësie kombëtare: emri kolektiv i përbashkët, miti mbi prejardhjen e përbashkët, kujtesa e përbashkët historike, një ose më shumë elemente diferencuese të kulturës së përbashkët, lidhja me një atdhe të caktuar dhe ndjenja e solidaritetit dhe përbashkësisë e një pjese të rëndësishme të popullsisë.

Në librin: Grup autorësh, Trashëgimia kulturore, Prishtinë, 2023, f.6: “Në përgjithësi, me termin Trashëgimi kulturore nënkuptohet kultura e trashëguar nga e kaluara, të cilën e përjetojmë dhe e vlerësojmë në të tashmen, për ta bartur gjeneratat e ardhshme, që ta gëzojnë në të ardhmen.

Trashëgimia kulturore është vlerë qenësore e kombësisë apo përkatësisë kombëtare - përmes saj ne kuptojmë lirinë, përkatësinë, identitetin, barazinë e diversitetin.”

Presheva, gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme nëpër periudha të ndryshme kohore. Secila prej këtyre periudhave në vete ka pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore, të trashëgimisë natyrore dhe asaj shpirtërore. Asnjë prej këtyre periudhave, gjegjësisht trashëgimia e tyre kulturore, natyrore dhe ajo shpirtërore nuk është hulumtuar, studjuar, identifikuar, regjistruar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokalitete, objekte dhe gjësende të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, sidomos asaj shqiptare të rrezikuar, të prishur, të huazuar dhe aspak të ruajtur, aspak të mbrojtur dhe nën përkujdesjen e shtetit. Pra, gjendja dhe pozita e trashëgimisë kulturore në Preshevë është e vështirë me tendencë të shkatërrimit total të saj.

Trashëgimia kulturore, në emër të ndërtimeve moderne, gërmimeve jo zyrtare arkeologjike, dorës së njeriut të paditur dhe për një interes personal apo kolektiv përfitimi, lokalitetet, objektet dhe vlerat të trashëgimisë kulturore, aspak nuk kursehen, rrezikohen deri në shfarrosjen e tyre. Andaj popullata, institucionet, organet shtetërore, shoqëria civile, Shoqata për Trashëgimi kulturore në Preshevë me fanatizëm të madh duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë edhe ato pak objekte të trashëgimisë kulturore që kanë mbetur të paprekura në komunën e Preshevës.

Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari Kulturore në Preshevë, e themeluar më 2010,   me të vetmin qëllim dhe mision të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe kultivimit e zhvillimit të krijimtarisë kulturore shqiptare, në realitet të ruajtjes së identitetit kombëtar të Shqipëtarëve në Luginë të Preshevës, përmes trashëgimisë kulturore, me të drejtë legjitime dhe në suaza të obligimeve që i ka marrë mbi vete, njofton opinionin e gjërë publik, në veçanti institucionet dhe organet kompetente të Republikës së Serbisë, se gjendja e vendeve, objekteve të Trashëgimisë kulturore, me vlera historike, kulturore, etnologjike, arkeologjike, ndërtimore, muzeale, fetare të së kaluarës tonë, të lashtë  dhe asaj të mesme janë në gjendje të mjerueshme, disa nga të cilat gati janë në fazën përfundimtare të shkatërrimit, mu përshkak të moskujdesjes së institucioneve dhe organeve të lartëpërmendura, të cilat asnjëhertë, jo vetëm që nuk u kujdesën, por asnjëherë nuk reaguan ashtu siç i kanë obligimet statutare për mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore. Shembuj të shkatërrimit të objekteve të trashëgimisë kulturore kemi në Miratovc, në Tërrnavë, në Bukuroc, në Preshevë, në Bilaç, e tjerë.

Shkatërrimi i Vorrezave të Krushqëve në Bukurovc të Preshevës

Të shpresojmë se veprimet e tilla dhe të ngjajshme, është koha e fundit që në të ardhmen të mos përsëriten, se përndryshe Shoqata e jonë për Trashëgimi do ta ngritë zërin edhe më lartë, duke i sensibilizuar edhe institucionet tjera jo vetëm vendore, por edhe ato ndërkombëtare.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin edhe më të varfër para Luftës së Kosovës dhe ditën ta ruajnë dhe mbrojnë identitetin kombëtar që e kultivuan prindërit dhe gjyshërit tanë, ata asnjëherë nuk e humbën shpresën për të jetuar, për të qenë shqiptarë. Mirëpo, tashti edhepse kushtet janë më të mira materiale sikur ka humbur shpresa për një të ardhme më të mirë. Këtu dikush ka faje, a janë intelektualët, hoxhallarët apo klasa politike?

Çështja e mbrojtjes dhe ruajtjes së identitetit shqiptar është elementare për çdo shoqëri dhe çdo individ  të formuar, intelektual, të vetëdijësuar, të ndërgjegjshëm, atdhetar.

Pra, nuk është kurrëfarë patriotizmi i shtuar. Individi që lakmon ndërrimin e identitetit kombëtar dhe nuk nderon trashëgiminë kulturore shqiptare është zero dhe pa vlerë shoqërore.

Për ata që synojnë dhe lakmojnë identitete të tjera kombëtare — gjermane, amerikane, italiane, arabe, turke, myslimane, serbe, maqedonase e të tjera — janë jo kombëtarë, jo intelektualë, të pa vetëdijësuar, të pa ndërgjegjshëm dhe jo atdhetarë.

Identiteti jone kombëtar për çdo ditë po sulmohet nga ideologji të ndryshme lindore apo perëndimore dhe askush nuk po merakoset për këtë dukuri, sikur jemi strukur me hallet tona familjare, shoqërore dhe nuk konfrontohemi me këto dukuri që po na ndodhin për çdo ditë. Këtë e quaj indoktrinim. Gjatë socializmit jugosllav tejkaluam dhe e flakëm indoktrinimin, vëllazërim-bashkimin dhe krijimin e kombit jugosllav, ndërsa tashti po anojmë kah kombe të tjera, sidomos kohëve të fundit ka marrë hov një lëvizje të them globale në krijimin e një kombi mysliman, për të gjithë popujt me përkatësi fetare islame. Shqiptarët si komb me popullatë të pakët, do të shkrihen dhe nuk do të ruhet identiteti shqiptar dhe trashëgimia kulturore shqiptare në këtë komb “mysliman”. Lëvizja vehabiste dhe selefiste ndër Shqiptaret ka obligim dhe qëllim që trashëgiminë kulturore shqiptare lokale ta shkatërrojë.

Është absurde për ne të imagjinojmë se mund ta promovojmë dhe imponojmë veshjen tonë kombëtare, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare në vendet arabe apo në Turqi?

Ne nuk i detyrojmë ata të veshin veshjen tonë kombëtare, të mësojnë shqip apo të ndjekin adete, zakonet tona. Askush nuk po na bën nder duke na hequr kulturën tonë. Askush nuk po na bën nder duke e zëvendësuar identitetin shqiptar me një model të huaj që nuk ka lidhje me rrënjët, historinë apo shpirtin e këtij populli.

Në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet të angazhohen institucionet përkatëse, por nuk duhet të anashkalohen komunat e Luginës së Preshevës, shoqëria civile, SHTKK dhe individi. Trashëgiminë kulturore nuk po e shkatërron vetëm natyra, por edhe dora e njeriut. Gjuha dhe trashëgimia kulturore janë trupi i identitetit shqiptar. Mospërfillja e trashëgimisë kulturore shqiptare e shkatërron identitetin shqiptar, ndan trupin e identitetit shqiptar nga gjuha shqipe. Asimilimi i gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore asimilon identitetin shqiptar, ndërsa disa shqipëfolësa po na servojnë se mjafton vetëm gjuha shqipe, pa trashëgimi kulturore, pa rrënjë të trupit të identitetit kombëtar. Pra identitet kombëtar shqiptar është: gjuha shqipe, trashëgimia kulturore, kultura, arsimi, shkenca shqiptare.

Njollosja e flamurit, heronjve e tjerë është bërë modë e përditshme e disa “intelektualëve, hoxhallarëve e tjerë.

Në këtë kohë të çthurrjeve shoqërore, arsimore, kulturore, politike, të trashëgimisë kulturore dhe të traditës, si dhe të familjes si bërthamë themelore e shoqërisë, sidomos të identitetit kombëtar të shqiptarëve, po e them me shumë përgjegjësi: identiteti kombëtar po rrezikohet edhe në përmasa shumë të mëdha.

Intelegjenca shqiptare duhet të zgjohet nga gjumi i thellë, se e kanë trullosur, e kanë hipnotizuar, e kanë droguar me shumëçka, vetëm jashtë kësaj që po i ndodh identitetit kombëtar, nga këto ndikime të shumta të brendshme e të jashtme. Thirrja ime: Zgjohu o Shqiptar, sa nuk është bërë vonë!

Ruajtja më e mirë bëhet përmes edukimit të brezit të ri. Përmes edukimit bartet njohja dhe vlerësimi i saj, por edhe dashuria e frymëzimi për ta ruajtur identitetin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Gjatë viteve 2019, 2020, 2021, 2022, 2023 dhe 2024 realizuam projekte: „Nxënia e diturive dhe edukimi i Fëmijëve dhe të Rinjve nëpërmjet trashëgimisë kulturore si dhe promovimi e prezantimi i kësaj trashëgimie në Preshevë dhe Bujanovc.“

GM: Si e shihni ndikimin e kontributit tuaj në forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

XHS: Po mundohem që duke shkruar shkrime të shumta, punime shkencore dhe postime në Facebook, po bëj një ndikim dhe po jap kontribut të madh në ruajtjen e identitetit kulturor e kombëtar të Shqiptarëve të Preshevës, edhepse në këtë drejtim po kam kundërshtime të mëdha, por gjithashtu edhe përkrahës.

Mirëpo, do të vazhdoj luftën përmes shkrimeve dhe punimeve në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar që është me shumë vlerë dhe rëndësi se sa disa identitete të tjera, sepse fëmija lind shqiptar, me identitet shqiptar, ndërsa identitetet tjera mund t’i përvetëson gjatë jetës.

Gjithnjë në kritikat që po më bëjnë në këtë drejtim i përgjigjem: Një zë i fortë, kumbues, i arsyeshëm më tha : Vazhdo ec në rrugën tënde...!? Do ta ndjekë rrugën time të pavarur gjatë gjithë jetës.

Fanatizmi fetar dhe Atdhetarizmi nuk shkojnë bashkë, ato ndahen në fanatizëm fetar për Fe dhe në Patriotizëm e Dashuri për Atdhe.

Fanatizmi fetar na çon kah panislamizmi, pankrishterizmi e ndonjë tjetër izëm, ndërsa Atdhetarizmi na çon kah shqiptarizma.

Shqiptaret e kanë nje identitet: atë shqiptar/themeltar/, identitetet e tjera janë të dorës së dytë.

GM: Mund të na flisni për përfshirjen tuaj në politikë apo në aktivitete politike?

XHS: Organizimi dhe pjesëmarrja në aktivitetet kulturore dhe sportive bënë që Xhemaledin Salihu qysh në klasën e tretë në Gjimnaz u zgjodh sekretar i Rinisë shkollore, ndërsa në klasën e katërtë u zgjodh kryetar i Rinisë shkollore dhe kryetar i bashkësisë së klasës.

Pas viteve të 90-ta, me pluralizmin demokratik në Preshevë, u anëtarsova në Partinë për Veprim Demokratik, para saj u anëtarsova në LDK, në PVD nuk isha ndër themeluesit e saj, por që nga ditët e para të veprimit u kyça në hartimin e Statutit, programit dhe qëllimeve themelore të saja. Në Degën e Preshevës u zgjodha sekretar i saj. Në nivel qendror të PVD-së udhëhoqa Këshillin për Kulturë, Arsim dhe Informim e Shkencë, ku solla prurje dhe rezultate të bollshme, në organizimin e jetës kulturore në Preshevë.

Nga viti 1997, sidomos nga viti 2001 definitivisht u largova nga veprimi i PVD-së, arsyetë janë të ndryshme dhe më asnjëherë nuk i takova ndonjë partie politike.

Gjatë vitit shkollor 1990/91, me ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Mesëm në Republikën e Serbisë dhe vendimin e Kuvendit komunal të Preshevës, nga Qendra shkollore u formuan dy shkolla të mesme: Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme Teknike.

Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë aprovoi vendimin, me të cilin Gjimnazet në Republikën e Serbisë, ku semimaturantët nuk i japin provimet pranuese më shumë se në numër 90 nxënës, nuk do të hapen paralelet e para të Gjimnazit. Në këtë vit shkollor në Republikën e Serbisë u mbyllën 16 gjimnaze. Rreziku i kanosej edhe Gjimnazit në Preshevë.

Këshilli për Çështje Arsimi, Kulture dhe Shkence i Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, kryetar i të cilit ishte Xhemaledin Salihu, thirri një takim me Aktivin e Mësimdhënësve të Matematikës, ku ishin ftuar mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Preshevës, për të ndërmarrë një aksion të përgatitjes së nxënësve për provimin pranues plotësues dhe njëkohësisht për të shpëtuar mbylljen e Gjimnazit.

U punua natë e ditë dhe kështu në afatin e dytë, në konkursin plotësues, të shpallur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, më 23 gusht 1991, provimin pranues e dhanë suksesshëm me shumë se 120 nxënës dhe me këtë u plotësua kriteri elementar i Ministrisë, për t’i hapur paralelet e Gjimnazit në Preshevë. Ashtu edhe ndodhi, fal mundit, sakrificës së madhe të mësimdhënësve të matematikës u vazhdua jeta e Gjimnazit „Skënderbeu“ në Preshevë.

Kështu më 1991 thirra Mbledhjen e Përbashkët të  Këshillit për Arsim i PVD-së, kryetar Xhemaledin Salihu, Komisionit për Arsim i PDSH-së, Kryesive të FISH-it në Preshevë e Bujanovc, Kryesive të LASH-it në Preshevë e Bujanovc, drejtorët dhe pedagogët e shkollave fillore e të mesme në Preshevë e Bujanovc, për të debatuar lidhur me fillimin e vitit shkollor 1991/92, sidomos lidhur me situatën e tendosur në Shkollën fillore “25 Maji” në Bujanovc.

Pas fjalës hyrëse të kryetarit të Këshillit për Arsim të PVD-së lidhur me përgatitjet dhe gjendjen e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës para fillimit të vitit shkollor 1990/91 u hap një debat shumë konstruktiv lidhur me fillimin e vitit të ri dhe situatës në shkollën fillore “25 maji” në Bujanoc. Për situatën dhe gjendjen e tendosur në shkollën fillore në Bujanovc folën shumë diskutues, mësimdhënës të kësaj shkolle. Të gjithë ishin njëzëri se gjendja në shkollë është e tendosur me tendencë përkeqësimi.

Mbizotëroi mendimi se duhet të merret një qëndrim i përbashkët nga kjo mbledhje, edhe pse pati qëndrime të ndryshme lidhur me solidarizimin dhe mbështetjen e shkollës fillore “25 Maji” në Bujanovc. Njëri qëndrim ishte më radikal dhe kërkohej që solidarizimi dhe mbështetja me shkollën në Bujanovc të shkojë deri në radikalizim me mbështetje dhe solidarizim deri në bojkotim të shkollave shqipe, madje deri në mbyllje, në mbështetje të kësaj shkolle. Ndërsa qëndrimi i dytë ishte më fleksibil që të solidarizohen dhe të mbështesin shkollat shqipe në Preshevë e Bujanovc si dhe të gjenden forma edhe të tjera të mbështetjes, por jo edhe të mbylljes me bojkot të mësimit në këto shkolla.

Në fund të debatit të ashpër u vendos që të formohet një grup punues, të cilët do të shkonin në LASH të Kosovës, për t’u konsultuar atje. Po ashtu u vendos që me qëndrimet e mbledhjes të njoftohen faktori ndërkombëtar, partitë politike dhe subjektet të tjera relevante për at kohë.

Në Kuvendin e LASH-it të Kosovës në Prishtinë, përfaqësuesit e këtij grupi shprehën qëndrimet e mbledhjes së përbashkët. Pas një shqyrtimi të hollësishëm të dy qëndrimeve, dominoi qëndrimi tjetër për mbështetje dhe solidarizim me shkollën shqipe në Bujanovc, duke e arsyetuar qëndrimin se shkollat shqipe në Luginë të Preshevës janë të veçanta dhe kanë specifikat e tyre dhe nuk mund të lejojnë vetes një komoditet të tillë që për hir të mbështetjes me shkollën shqipe në Bujanovc të bojkotojnë deri në mbyllje, sipas modelit të shkollave në Kosovë. Mbyllja e tyre do të jetë e gjatë, nuk do ta ketë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe nuk do të ketë mundësi që Lugina ta mbajë këtë barrë të madhe shumë vite.

Në mbështetje të Shkollës fillore “25 Maji” në Bujanovc u organizuan protesta dhe mbështetje me forma demokratike që dhanë rezultate pozitive. Nuk u mbyllën shkollat të tjera dhe më vonë filloi puna normale edhe në shkollën fillore të Bujanovcit.

Kështu, në materialin e hartuar nga Geert-Hinrich Ahrens, përgjegjës për Pengimin e Konfliktit Etnik dhe Grupit të Punës për Minoritet e Konferencës për Jugosllavinë, me titull : Diplomaci mbi tehun e thikës, Vëzhgimi i të drejtave të Njeriut dhe të Minoritetit në Serbinë Jugore”, shkruan në faqen 276: “ Në ditët e para të krizës Jugoslave më 1991 dhe 1992, Shqiptarët nga Serbia Jugore formuluan ankesat e tyre në tre dokumente: I pari ishte një dokument i quajtur: Informacion mbi Shkeljet e të Drejtave Civile dhe Kombëtare të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë” e nëntorit 1991, e nënshkruar për PVD-në nga Halimi. Ai u ndoq, në dhjetor 1991, nga një letër për Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të KB-së/UNESCO/, të firmosur nga sekretari i PVD-së për arsimin dhe kulturën, Xhemaledin Salihu, i cili ankohej për ”diskriminimin e plotë më një prirje shkatërrimi tërësor” të arsimit në gjuhën shqipe/26/. Dokumenti i tretë ishte broshura e lartëpërmendur/Informator në gjuhën shqipe dhe angleze/ e 1992-shit/Informatorin, poashtu e hartoi Xhemaledin Salihu, vetëm në gjuhën shqipe dhe PVD/.

GM: Cilat ishin përvojat tuaja gjatë organizimit të Referendumit Gjithëpopullor të vitit 1992?

XHS: Shqiptarët e Luginës së Preshevës e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar.

Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizuar popullin politikisht dhe nëpërmjet programeve dhe qëllimeve partiake dhe politike të kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare për Shqiptarët si dhe për ta internacionalizuar çështjen e pazgjidhur kombëtare të Shqiptarëvë të Luginës së Preshevës. Kështu në Luginë u themeluan shumë parti politike, të cilat në vend se ta unifikojnë luftën politike, ato çështjen e pazgjidhur të Shqiptarëve aq shumë e parcializuan saqë nuk mbeti mëhallë, familje pa u politizuar, jo për interesa kombëtare, por për interesa të ngushta individuale e familjare. Sipas meje u thye kolektiviteti familjar dhe kombëtar, u prish dhe filloi të çthurret edhe familja shqiptare. Dolën në shesh antivlerat politike, kulturore, arsimore, ekonomike.

Mirëpo, shpirti i popullit shqiptar është gjithmonë i parahatshëm dhe i pakënaqur me statusin e tij shoqëror e kombëtar, sidomos me regjimin e atëhershëm. Shqiptarët nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politikë në Luginë të Preshevës / PVD-kryetar Riza Halimi dhe PDSH-kryetar Ali Ahmeti/, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës, të bashkuar rreth qëllimit politik të Referendumit dolën në mënyrë masovike, për t’u deklaruar në votim: “A JENI PËR AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TË SHQIPTARËVE NË PREHSEVË, BUJANOVC DHE MEDVEGJË ME TË DREJTË BASHKIMI ME KOSOVËN?”.

Pamje gjatë Referendumit-1992

Vullneti i lirë i Shqiptarëve dhe vota e tyre ishte me 99,94% për këtë deklarim politik në Referendum. Edhepse gjatë formulimit të pyetjes për Referendum pati edhe alternativa të tjera minimaliste: Autonomi personale, kulturore sipas modelit të Kroatëve, Hungarezëve në Serbi dhe ribashkim me Kosovën, por në fund dominoi fryma kombëtare dhe në Referendum u shtrua pyetja e përmendur, duke i pasur parasysh rrethanat ekzistuese të atëhershme.

Pas formimit të Kuvendit për shpalljen dhe organizimin e Referendumit, në kuadër të tij u zgjodhë edhe Kryesia e Kuvendit me Këshillat përkatëse të veprimit, u zgjodha anëtar i Kryesisë, sipas detyrës: kryetar i Këshillit për Kulturë dhe Arsim në PVD.

Më 19 shkurt 1992, në Prishtinë u mor vula e porositur e Referendumit dhe u përgatitën 2 Konferenca për shtyp. Për Referendumin është shkruar në mjetet e infomimit dhe u tha mjaft në emisionin kulturor të TV Presheva. Mirëpo disa aktivitete përcjellëse lidhur me Referendumin nuk u cekën aty dhe nuk u shkrua asnjëherë. Andaj jemi të detyruar të shkruajmë edhe për disa aktivitete që e përcollën Referendumin në organizimin sa më të mirë të tij.

Më 19 shkurt 1992, Nehat Hyseni, kryetar i Degës së PVD-së dhe Xhemaledin Salihu, sekretar shkuan në Prishtinë për ta organizuar Konferencën e parë për shtyp dhe për ta marrë vulën e Referendumit. Më 24 shkurt në Konferencën për shtyp morën pjesë shumë gazetarë, në mesin e tyre Shefki Ukaj, Behxhet baraliu, gruaja e Azem Vllasit e ndonjë tjetër dhe për ta marrë vulën e referendumit.

At ditë u nisëm më makinën time dhe në të kthyer e morëm edhe Akademik Rexhep Ismajlin që ishte nisur dhe me shumë material të LDK-së për Gjermani. Gjatë udhëtimit, rruga ishte me akull e borë dhe bash te Liqeni i Badovcit më rrëshqiti makina. Na kanosej rreziku të rrëshqasim në Liqe dhe në pamundësi ta kontrolloj, pata humb kontrollin e makinës, u detyrova që me makinë t’i mëshoj bregut të rrugës. Kështu u rrotulluam dhe u rrëzuam në rrugën Prishtinë-Gjilan dhe po mos t’ishin dy të rinjë që na ndihmuan në ndalimin e komunacionit, sigurisht na priste vdekja e sigurtë. Më vonë te makina e jonë u ndal autobusi me punëtorë të Kishnicës dhe po mos ta ndalonin këta dy të rinjë, autobusi ose duhej të përplasej me makinën tonë ose do të duhej të biente në liqe. Pra, na shpëtuam këta dy të rinjë dhe më këtë rast i falenderojmë shumë. Frika e madhe ishte që policia mos të na gjejë vulën e Referendumit, të marrë në Prishtinë dhe materialin politik të LDK-së në dy strajcat e Akademik Rexhep Ismajlit. Akademik Ismajlin e mori autobusi, ndërsa unë dhe Nehati me makinën e thyer vazhduam rrugën për Preshevë, në një acar dhe të ftohtë të madh. Por ia dolëm edhe na edhe Ismajli.

Konferenca e Dytë për shtyp u organizua më 4 mars 1992, ku morën pjesë shumë gazetarë.

Më 28 shkurt 1993, në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” organizuam Tribunën Politike me temën: ”Referendumet e Shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe rëndësia e tyre në zgjidhjen e çështjes kombëtare”, të cilën e organizoi Partia për Veprim Demokratik, në shenjë të kremtimit të 1-vjetorit të mbajtjes së Referendumit më 1 dhe 2 mars 1992, ku morën pjesë: Prof. dr. Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, Prof. dr. Ali Aliu e Akademik Rexhep Ismajli, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, Dr. Jusuf Bajraktari, nënkryetar i PFK-së, Rasim Lajiqi, kryetar Qeverie dhe sekretar i përgjithshëm i PAD-it nga Sanxhaku, Riza Gruda, ish-deputet popullor dhe aktivist i dalluar i PAD-it, Basri Musmurati, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, Ibrahim Kadriu, kryetar  i Kuvendit për shpalljen e referendumit, Zeqirja Fazliu, kryetar i PDSH-së, përfaqsuesit e Forumit të Gruas, përfaqsuesit e mjeteve të informimit dhe prezenta e shumtë e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Me kumtesën: "Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992 dhe aktualizimi i tij" mora pjesë në tribunën Politike, lidhur me referendumin e 1 e 2 marsit 1992, të organizuar nga Klubi “Trojet” e Medvegjës, në shenjë të 24 vjetorit, e cila u mbajt më 28 shkurt 2016, në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë.

GM: Mund të na tregoni për përvojën dhe kontributin tuaj gjatë Simpoziumit Shkencor ‘Albanologji dhe Histori’ në prill 1993?

XHS: Më 1993, më erdhi ftesë zyrtare nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Republikës së Kosovës, në Tiranë, në Gjuhësi dhe Histori, për të marrë pjesë në Simpoziumin shkencor: “Çështja e Kosovës dhe e Shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Mora pjesë më 15 e 16 prill 1993, në Tiranë, në Simpoziumin shkencor, Seksioni B, histori, me punimin shkencore: “Shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës kërkojnë të drejtë bashkimi me Kosovën”, i cili punim zgjoi interesim të madh në Shqipëri, sepse deri më atëherë pak kishin dëgjuar për këtë krahinë shqiptare në ish-Jugosllavi.

GM: Si do ta përshkruanit pozicionin tuaj si anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës?

XHS: Biblioteka e qytetit të Preshevës dhe ajo e Bujanovcit më propozuan për anëtar të Kryesisë së Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës. Në këtë drejtim më ndihmoi edhe puna profesionale në Bibliotekën Ndërkomunale “Hivzi Sylejmani”, në të cilën u tregova i sukseshëm gjatë punës dy vjeçare në këtë bibliotekë. Duke i parë propozimin dhe punën në Prishtinë, Shoqata e Bibliotekarëve më pranoi anëtar të saj. Të them të drejtën anëtarët të tjerë të Kryesisë më pranuam të barabartë me ta dhe unë ndihesha shumë komod në propozimet e mia për shumë çështje të biblioekonimisë, të cilat duheshin të trajtoheshin në bibliotekarinë shqiptare të Kosovës.

Madje, anëtarët e tjerë ishin shumë të kujdeshëm dhe më nderonin gjatë punës së Kryesisë së Shoqatës dhe në aktivitetet e kësaj shoqate. Ndihesha jo vetëm i barabartë, por sikur shumë vite të kisha punuar në Kosovë, në bibliotekë dhe me kolegë të shumtë që krijova një miqësi jo vetëm punë, por edhe shoqërore.

GM: Keni qenë pjesë aktive e Javëve të Bibliotekarisë të Kosovës dhe e Seminarit Ndërkombëtar ‘Biblioteka sot’. Cili ishte kontributi juaj kryesor në këto forume, dhe si e ndikoi kjo përvojë vizionin tuaj për Bibliotekën e Preshevës?

XHS:   Tiranë, më 20-22 nëntor 2008, në Konferencën e bibliotekonomisë mora pjesë me temën: “Biblioteka, dija, publiku dhe veprimtaria kulturore-arsimore e bibliotekes”, e cila temë zgjoi interesim në mesin e studiuesve të tjerë.

Gjilan, më 17 prill 2008,  në Java e Bibliotekës në Kosovë, mora pjesë me temën:”Bibliotekaria shqiptare në Luginën e Preshevës  dhe perspektiva e saj”

Kulmi i veprimtarisë ishte pjesëmarrja në Javët e Bibliotekarisë të Kosovës, gjatë viteve 2000, 2001 e me vonë me kumtesa dhe në Seminarin Ndërkombëtar “Biblioteka sot” në Prishtinë, të organizuar nga Shoqata e Bibliotekarëve të Kosovës, ligjërues mbi klasifikimin universal decimal.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx