Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I)
E marte, 23.12.2025, 05:00 PM

INTERVISTË ME
PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Xhemaledin
Salihu, i lindur më 14 gusht 1947 në Preshevë, është profesor i pedagogjisë,
studiues i arsimit, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, si dhe veprimtar i
shquar kulturor e shoqëror në Luginën e Preshevës. Shkollimin fillor dhe të
mesëm e kreu në Preshevë, ndërsa studimet universitare në Degën e Pedagogjisë
të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, ku u angazhua edhe në publicistikë, si
bashkëpunëtor i gazetës së studentëve “Bota e Re”, nën redaktimin e Ibrahim
Rugovës.
Karrierën
profesionale e filloi si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë në
Gjimnazin e Preshevës. Në vitet 1974–1983 ishte drejtor i Shtëpisë së Kulturës
“Abdullah Krashnica”, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e
jetës kulturore shqiptare, duke organizuar festivale, manifestime dhe
bashkëpunime ndërkombëtare. Nga viti 1984 deri në pensionimin e tij më 2012
drejtoi Bibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi”, duke modernizuar punën
bibliotekare dhe duke zbatuar për herë të parë Klasifikimin Universal Decimal.
Salihu
ka qenë aktiv në proceset politike dhe shoqërore të viteve ’90, veçanërisht në
mbrojtjen e arsimit shqip dhe në organizimin e Referendumit të vitit 1992 në
Luginën e Preshevës. Ka përfaqësuar çështjen e shqiptarëve të kësaj treve në
forume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Akademinë e Shkencave
të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Që
nga viti 2010 është kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore
të Luginës së Preshevës, përmes së cilës ka organizuar dhjetëra konferenca
shkencore, projekte kërkimore dhe botime. Është autor dhe bashkautor i mbi 20
librave shkencorë e letrarë dhe qindra shkrimeve nga fusha e historisë,
arsimit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Për veprimtarinë e tij është
nderuar me mirënjohje dhe çmime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.
Vepra të botuara
Kultura
shqiptare në Preshevë 1945–1995, Preshevë, 1999;
Bujanoci
– burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore, Kurora, Gjilan, 2014;
Rainca
– vendbanim i vjetër dardan-shqiptar në rajonin e Preshevës, libër monografik,
bashkautor me Vehbi Fazliu, Kurora, Gjilan, 2015;
Presheva
- pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj, Preshevë, 2017;
Mëhallët
dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës, 2021

Kjo
intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare ofron një vështrim të thellë në
rrugëtimin jetësor dhe intelektual të Xhemaledin Salihut, një prej figurave më
të spikatura të arsimit, kulturës dhe angazhimit shoqëror shqiptar në Luginën e
Preshevës.
Pjesa
e parë e bisedës nis me rrëfimet për vendlindjen e tij, Preshevën – qytetin ku
lindi dhe kaloi fëmijërinë, duke përfshirë edhe shkollën fillore e të mesme. Ai
ndan kujtimet më të hershme, sfidat e asaj kohe dhe vlerat që formuan
personalitetin e tij që në moshë të re.
Më
pas, intervista zhvendoset te vitet studentore në Prishtinë, ku zoti Salihu
tregon përvojat nga gazeta studentore “Bota e Re”, bashkëjetesën në konvikt me
Ibrahim Rugovën – figurën emblematike të historisë moderne shqiptare – dhe
rolin e tij si bashkëthemelues i Klubit të Studentëve “Haki Limani”.
Përmes këtyre rrëfimeve personale, intervista jo vetëm ndriçon portretin e një intelektuali të përkushtuar, por edhe pasqyron kontekstin historik dhe shoqëror që formoi brezin e tij, duke nxjerrë në pah angazhimin e hershëm për kulturën dhe identitetin shqiptar.
GM: Z. Salihu, mund të
na tregoni pak rreth vendlindjes suaj, Preshevës?
XHS:
Presheva gjendet në jug të Serbisë dhe ka 33.349 banorë sipas regjistrimit të
vitit 2022, ndërsa vetëm qyteti ka 14.219, me shumicë shqiptare.
Presheva,
vendlindja ime, gjithmonë dhe asnjëherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë në
etnikumin shqiptar, pra gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi dhe pjesë e Lëvizjes mbarëkombëtare.
Presheva pati emra të njohur, personalitete dhe figura me vlera shkencore, kulturore dhe
veprimtarë të dalluar të Rezistencës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke
filluar që nga Dardania e deri më Luftën e UÇPMB-së.
Presheva
qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë
lumit Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Shqiptarët e
Kosovës dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër në rajon. Shqiptarët e
Luginës morën pjesë në të gjitha luftërat që i bëri Mbretëria e Dardanisë
kundër pushtuesve të ndryshëm.
Pas
viteve 1454 e 1455, Presheva ra nën sundimin e Perandorisë osmane, mirëpo ajo
asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk otoman. Andaj
Shqiptarët e Preshevës gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër
Perandorisë osmane.
Të
përmendim kryengritjen e Dervish Carës, më 1843/84, për Shqipëri Etnike, e cila
kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni
dhe përfshiu tërë territorin e Dardanisë.
Pjesëmarrja
e patriotëve nga Presheva në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878:
Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga, Haxhi Abazi.
Kryengritja
e Shqiptarëve të Preshevës kundër Perandorisë Otomane me në krye të Madhin
Idriz Seferi.
Pas
Kongresit të Berlinit, më 1878, Kazaja e Preshevë i takonte Vilajetit të
Kosovës, ndërsa me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene i takoi
Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup. Dhe prej kësaj kohe Shkupi u bë
qendër e veprimtarisë patriotike të shqiptarëve të Preshevës.

Presheva,
më 1913- rruga e panagjyrit
Kështu në prill të vitit 1941, në Shkup u themelua Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar me shumë patriotë: Shaban Efendinë nga Kumanova, i lindur në Preshevë, Abdulla Saqipin, kryetarin e Shoqatës “Besa” në Beograd, me Shaip Mustafën, i cili konsiderohet më kontribuesi i vënies së Flamurit shqiptar në Urën e Gurit në Shkup, më 1941, me Abdulla Haxhi, Veliun e Preshevës, i cili ishte tregtar dhe humanist me Hafëz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Shaban Bugarinën, Nijazi Kurbalinë e të tjerë.
Lufta
e Dytë Botërore ndodhi edhe në Preshevë, në këtë luftë antifashiste morën pjesë
Abdullah Krashnica, Selim Selimi, Xheladin Kurbalia, Selami e Shinasi Hallaçi,
Qemal Shehu, Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë.
Në
Preshevë ndodhi Rezistenca e armatosur e Shqiptarëve Vullnetarë të Kosovës
Lindore përgjatë Hekurudhës Bujanovc-Preshevë-Kumanovë si dhe Preshevë ndodhi
“Kohë e Shipnisë”, kur për herë të parë kryetar u zgjodh Adem Kamberi.
Shkolla
e Parë shqipe u hap në Preshevë më 7 shkurt 1945, me mësuesit e parë nga
Presheva: Demirali Ramadani-Hoxha, Hilmi Qerimi, Kadrije Qerimi, Adem Ahmeti,
Shukri Rahimi, Hfz Lutfi Ahmeti, e tjerë.
Pas
LDB, pas viteve 1948 të përmendim mësuesin dhe patriotin e NDSH-së Mark Gashin,
Ali Aliun, Shinasi Hallaçin, e të tjerë.
Edhe
në Preshevë ndodhi Aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, kur u keqtrajtuan
shqiptarët e kësaj krahine, gjatë viteve 1955-56. Po ashtu, gjatë këtyre
vjetëve ndodhi edhe Aksioni i Heqjes së Ferexhesë, kur Demirali Ramadani-Hoxha,
i pari për të dhënë shembull i hoqi ferexhenë vajzës së vet, Kadrije
Ramadanit-Qerimi.
Pas
vitit 1966, pas Plenumit IV, të përmendim themelimin e Klubit të Studentëve
“Haki Limani” në Preshevë, të cilin e udhëhoqën Rexhep Ismajli, Riza Halimi,
Sabedin Hetemi, Xhemaledin Salihu.
Në
demonstratat e vitit 1968, të përmendim Shenasi Veliun e ndjerë që udhëtoi, në
ditën e 28 nëntorit 1968, me autobusin e “Jug-Turistit”, duke bartur në dritare
Flamurin Kombëtar nëpër vendbanimet e Kosovës, nëpër Bujanovc e deri në
Preshevë.
Pluralizmi
politik edhe në Preshevë solli formimin e partive politike, së pari u themelua
Partia për Veprim Demokratik me Riza Halimin, kryetar dhe më vonë u themelua
Partia Demokratike Shqiptare me Ali Ahmetin, kryetar.
Më
1 dhe 2 mars të vitit 1992, Shqiptarët e Preshevës dhe Luginës së Preshevës dolën
në mënyrë masive për t’u deklaruar në votim: A jeni për Autonomi Territoriale
Politike të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë me të drejtë
bashkimi me Kosovën. Vullneti i lirë i shqiptarëve dhe votat e tyre dhanë
rezultatin 98% për këtë deklarim politik në Referendum. Bartësit kryesorë në
Preshevë, Bujanovc e Medvegjë ishin: Riza Halimi, Ali Ahmeti, Ibrahim Kadriu,
Nehat Hyseni, Xhemaledin Salihu, e të
tjerë.
Së
fundi edhe Lufta e UÇMBP-së me Bardhyl Osmanin-Komandant Dellta nga Presheva.
Po
përmendim disa personalitete të shquara të shkencës dhe të kulturës:
Akademik
Rexhep Ismajli, Akademik Hivzi Islami, Akademik Idriz Ajeti, Akademik Nexhat
Daci, Dr. Nebi Islami, Dr. Fikret Ahmeti, dr. Muharrem Gashi e shumë të tjerë.
Po
përmendim disa nga veprimtarët e jetës politike-shoqërore: Mehmet Jusufi, Sami
Qerimi, Abedin Selimi, Jashar Sahiti, Hasan Hajrullahu, Hamdi Daci, Riza
Halimi, Ali Ahmeti, Zeqirja Fazliu, Ragmi Mustafa e shumë të tjerë.
Po
përmend disa nga shkrimtarët e Luginës: Ramadan Rexhepi, Feime Selimi, Qerim
Arifi, Mirko Gashi, Sahadete Presheva, Jonuz Fetahaj, Mexhid Mehmeti e shumë të
tjerë.
Lugina
e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, sipas gjeografit serb Jovan
Cvijiq, paraqesin rëndësinë më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në
Ballkan dhe shteti që mbikqyrë dhe sundon këto dy Lugina qeverisë krejt Ballkanin.
Këtu qëndron edhe rëndësia e Luginës së Preshevës, e cila gjatë historisë dhe
të kaluarës së saj ishte arenë e shumë betejave dhe luftërave për ta sunduar
atë. Hekurudha përgjatë lumit Moravë dhe Vardar lidh jo vetëm shumë shtete, por
edhe kontinente. Autostrada, poashtu është me rëndësi të madhe. Kohëve të
fundit aktualizohet edhe kanali përgjatë lumit Danub - Moravë - Vardar, për të
cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Francezët, Anglezët.

Presheva
sot
Presheva
sot ka Shtëpinë e Kulturës, Shtëpinë e Shendetit, 2 shkolla të mesme/Gjimnazin
dhe Shkollën e Mesme Teknike/ dhe 8 shkolla fillore tetëklasëshe. Presheva
është komuna më e varfër në Republikën e Serbisë dhe ka mbetur pa ekonomi
prodhuese, kështu që viteve të fundit të rinjtë preshevarë nuk po shohin
kurrëfarë perspektive dhe me të madhe po shkojnë në shtetet perëndimore për
punësim. Shto kësaj edhe presioni i pushtetit serb në Preshevë në të gjitha
sferat shoqërore e nxitë këtë shpërngulje, sidomos kohëve të fundit me pasivizimin
e adresave të banorëve të Preshevës, mospranimin e diplomave të Universitetit
të Kosovës dhe presione të tjera që po ndikojnë në shpërnguljen e rinisë
shqiptare nga Presheva.
GM: Cilat janë kujtimet
tuaja më të hershme nga Presheva, ku kaluat fëmijërinë dhe mbaruat shkollën
fillore?
XHS: U
linda në Preshevë, më 14 gusht 1947, në një familje bujqësore-punëtore, familja
merrej me bujqësi, ndërsa i ati im ishte punëtor i Monopolit të Duhanit në Preshevë. Familja ime
ishte me 12 anëtarë dhe nuk kishte asnjë të shkolluar, pos babës tim që kishte
mbaruar një shkollë serbe katërklasëshe.
Shkollën
fillore e kreva në Preshevë, me sukses të shkëlqyeshëm. Edhepse isha djalë i
vetëm i prindërve, në atë kohë mbizotëronte një prapambeturi arsimore, me plotë
analfabë, shumë kundërshtarë të shkollimit. Mirëpo, gjyshi dhe babai më
përkrahën në shkollimin tim. Krahas shkollimit, punoja edhe në fushë, për të
siguruar kafshatën e familjes. Në pronësi kishim tokën tonë, por merrnin edhe
ara të tjera që i punonim me qesim-një përqindje e vogël e mallrave mbetej për
familjen/grurë, misër, duhan e tjerë/.
GM: Edhe shkollën e
mesme e përfunduat në Preshevë. Si e përjetuat atë periudhë si gjimnazist?
Cilat sfida keni hasur dhe cilat përvoja ju kanë mbetur më të veçanta në
kujtesë?
XHS:
Për fatin tim, në Preshevë u hap Gjimnazi nga Vranja-paralele në Preshevë, e
cili më vonë u pavarsua. Shumica e mësimdhënësve dhe lëndëve mësimore ishin
serbë, por me vullnet dhe sfida të shumta me sukses të shkëlqyeshëm e kreva
gjimnazin. Pata shumë sfida të shkollimit, sepse në shtëpinë tonë shpesh vinin
mysafirë të familjes, 3 hoxhallarë dhe disa pleqë të prapambetur që e
kundërshtonin shkollimin tim. Në familje isha fëmija më i rritur dhe në këto
ardhje më binte të shërbeja këta mysafirë. Madje, njëri prej hoxhallarëve më
sulmonte që jam pa fe, komunist, marksist e tjerë, baba im ishte më i ri
dhe i urtë dhe nuk i kundërshtonte,
ndërsa unë nuk kisha të drejtën e fjalës. Mirëpo gjyshi im, zoti e shpërbleftë
me parajsë, kur kulmonte kritika ndaj meje i thonte atyre lene djalin rehat se
mirë po i shkon shkolla. Në këto ndeja shprehej një prapambeturi, një fanatizëm
i madh për shkollën shqipe dhe jo vetëm në familjen time, por kjo situatë
mbretëronte në Preshevë e gjetiu.
Edhepse
u hap gjimnazi dhe nga ky institucion arsimor dolën shumë kuadro me vlera
shkencore, kulturore deri në Akademikë, fillimi i tij ishte për vajzat pak i
vështirë, sepse në klasa kishte numër të vogël vajzash, kështu klasa ime i pati
vetëm 3 vajza. Për to u kujdesëm si për motrat tona gjatë gjithë shkollimit në
gjimnaz.
Në
Gjimnaz isha shumë aktiv në aktivitetet kulturore dhe sportive.
Isha
anëtar i grupit sportiv, sidomos i ekipit në fudboll të vogël, ku mora pjesë në
shumë gara sportive. Poashtu isha aktiv në grupin e dramës, at recitues, të
vallëtarëve e letrar, ku mora pjesë drejtpërdrejt në pjesë teatrale: ”Një vrasje
e errët” të Murteza Pezës, në recitale e tjerë.
Gjatë klasës të dytë në Gjimnazit udhëhoqa bibliotekën shkollore me Rexhep Ismajlin, Jonuz Fetahajn.
Të
ceki se isha organizator i mirë i aktiviteteve kulturore e sportive në Gjimnaz.
Pra këto aktivitete ishin të grupit dramatik, grupit të vallëtarëve, të grupit
recitues, të grupit sportiv. Për këto aktivitete kulturore e sportive e kishim
përkrahjen e mësimdhënësve të të lëmive përkatëse, sidomos të drejtorit Mehmet
Jusufi, të Adem Ahmetit, mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe të
Xhemal Ramadanit, mësimdhënës i edukatës fizike.
Organizimi
dhe pjesëmarrja në aktivitetet kulturore dhe sportive bënë që qysh në klasën e
tretë në Gjimnaz të zgjedhem sekretar i Rinisë shkollore, ndërsa në klasën e
katërtë u zgjodha kryetar i Rinisë shkollore dhe kryetar i bashkësisë së
klasës.
GM: Cilat vlera dhe
ndikime kanë luajtur rol më të madh në formimin tuaj që në moshë të re?
XHS: Familja
ime, gjyshi dhe prindët /nëna e baba im/ që ishin shumë të urtë dhe të
ndershëm, si dhe ishin fetarë të devotshëm tradicional. Këta asnjëherë nuk
ndikuan negativisht në shkollimin tim, por sa mundën materialisht dhe moralisht
më ndihmuan të formohem në personalitet të vetëdijshim për shkollim dhe çështje
atdhetare. Poashtu ia di për nder se më edukuan me mirësjellje në familje dhe
më gjërë.
Rol
të madh në arsimin dhe edukimin tim luajtën edhe disa mësimdhënës të shkollës
fillore dhe asaj të mesme/gjimnaz/, sidomos t’i përmendi mësuesit: Rexhep
Salihun-Hoxha, Didare Selimin, mësimdhënësit Ymer Shabanin, Mustafë Selimin,
Raif Bajramin, Bejtullah Osmanin, Mehmet Jusufin, Xhemal Ramadanin, Qani
Ramadanin, sidomos mësimdhënësen e matematikës në shkollë fillore/Mediha/,
pastaj mësimdhënësin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Adem Ahmetin, i cili jo
vetëm që na mësoi këtë lëndë, shumë na mësoi edhe për Rilindasit, ai rregullisht
na fliste për mirësjellje, edukatë të mirë
dhe si duhet të vishemi si dhe kjo veshje të jetë e pastër.
GM:
Studimet i vazhduat në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, Dega e Pedagogjisë.
Si do ta përshkruanit jetën studentore gjatë asaj periudhe?
XHS:
Studimet i vazhdova në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, Dega e Pedagogjisë,
duke marrë titullin profesor i pedagogjisë. Mirëpo, gjatë studimeve nuk u
angazhova në aktivitetet sportive e kulturore, por vetëm gazetareske. Shkrova
punime nga lëmia e arsimit, kulturës e pedagogjisë në gazetën e Studentëve
“Bota e Re”, gjatë viteve 1970/71, në të cilën isha bashkëpunëtor, ndërsa
Ibrahim Rugova ishte redaktor përgjegjës.
Në
studimet e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, dega e Pedagogjisë shumica e
profesorëve ishin serbë nga Beogradi apo nga Shkupi, në fillim të studimeve pak
ligjërata mbaheshin në gjuhën shqipe.
Më
vonë, kuadrotë serbe dalëngadalë u zëvendësuan me kuadro të kualifikuara
shqiptare. Të përmendi Profesor Fehmi Aganin, Jashar Rexhepagiqin e ndonjë
tjetër që shumë u angazhuan në ligjëratat e tyre. Mirësjellja e tyre me student
ishte udhërrëfyes të çështjeve atdhetare. Për këtë duhet dalluar Profesorin
Agani në Degën e Pedagogjisë, ndërsa në degë të tjera ishin Idriz Ajeti, Mark
Krasniqi, Anton Çeta e tjerë.
Atëherë
nuk kishte konvikte, pos një konvikt, ku banova vitin e katërtë të studimeve,
ndërsa viteve të tjera të studimeve banova në shtëpi private dhe një ndërtesë
të kazermave ushtarake, e quanim Pavijoni C, pa kushte të mira higjienike e
shëndetësore. Mirëpo vullneti i madh për dije ishte shumë i madh dhe i
tejkaluam këto vështirësi dhe sot nga kjo gjeneratë dolën akademikë, profesorë,
mjekë, inxhinierë e shumë profile të tjera. Vlen të ceket se në këtë kohë të
studimeve, Prishtina nuk ishte kjo e sotit, por ishte pa infrastrukturë, rrugët
dhe rrugicat e shumta ishin me baltë dhe ne studentët detyroheshim që rrygën nga banesa deri te fakulteti ta
kalojmë me çizme, këpucë për baltë, ndërsa aty i hiçnim ato dhe i veshnim
këpucët të tjera.
Ndërmjet
studentëve kishte një dashuri më të madhe për ndihmesë në literaturë dhe libra
se sot.
Po
vullneti ishte shumë i madh për suksese në shkolë dhe studime, edhepse në
kushte shumë të vështira e arrita suksesin e duhur dhe i gëzova edhe prindët,
familjarët dhe dashamirët e shkollimit tim.
GM: Çfarë mund të na
tregoni për gazetën e studentëve ‘Bota e Re’?
XHS:
Punën dhe veprimtarinë publicistike, botuese e studiuese e fillova qysh në
vitet 1970/71, atëherë student i Fakultetit Filozofik, Grupa e Pedagogjisë dhe
bashkëpunëtor i Gazetës së Studentëve “Bota e Re”, ku ishte redaktor përgjegjës
Presidenti Historik, Ibrahim Rugova nga Universiteti i Prishtinës.
Në
gazetë botova disa punime të lëmisë së pedagogjisë e punime tjera studiuse:
Punimi
im i parë u botua më qershor të vitit 1970: Hartim me të meta dhe të mira,
Analizë Libër leximit për klasën e shtatë të shkollës fillore
Shkrova
edhe këto punime: Koha e lirë dhe studentët tanë, Antonio
Gramshi/1891-1937/Përvjetor.

Bashkëpunova
me shumë gazeta, revista publicistike e shkencore, mirëpo u lidha shpirtërisht
me këtë gazetë të studentëve, të cilën e udhëhiqte Ibrahim Rugova dhe atë shumë
guximshëm.
Sfidat
që i përjetova me gazetën do të jenë udhërrëfyues për mua që edhe në të
ardhmen të merrem me studime dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore, të
botoj 5 libra dhe shumë punime shkencore.
Disa
herë ka ndodhur që gazeta të ndalohet nga pushteti i atëhershëm, përshkak të
shkrimeve të saja. Mirëpo, stafi i gazetës nuk e ndalte punën e saj dhe
vazhdonte të botonte edhe tutje.
Gazeta
“Bota e Re” me shkrimet e saja politike, kulturore, arsimore, ekonomike e
pasqyronte realisht kohën e atëherëshme shumë guximshëm, për atë shpesh ishte e
kritikuar nga regjimi i ish-Jugosllavisë. Madje, numri 40 i gazetës “Bota e Re”
u ndalua.
Nga
plejada e gazetarëve, bashkëpunëtorëve dolën dhe u kalitën në këtë gazetë shumë
studiues të lëmivë politike, kulturore, arsimore në Kosovë e gjetiu.
GM: Keni ndarë dhomën e
konviktit me Ibrahim Rugovën, sot një ndër figurat qendrore të historisë
moderne shqiptare. Si e mbani mend dhe si do ta përshkruanit Rugovën e asaj
kohe studentore?
XHS: Dhomën 509 të konviktit të parë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë para më shumë se 55 vjetëve e ndanim katër studentë. Njëri prej tyre ishte Ibrahim Rugova, i cili më pas bëhet udhëheqësi kryesor i popullit të Kosovës në rrugën e gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Rexhep Ismajli, Riza Halimi, Xhemaledin Salihu dhe Ibrahim Rugova
Në
vitin 1967 Rugova ishte regjistruar në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik,
Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ishte vendosur në dhomën 509 të konviktit
bashkë me tre studentë tjerë: Rexhep Ismajlin, Shaban Shabanin dhe Xhemaledin
Salihun, studentë nga Presheva. Në këtë dhomë shpesh gravitonte edhe Riza
Halimi.
Dhoma
509 e Konviktit të parë të Studentëve ishte qendër e lëvizjeve kulturore,
arsimore, sepse në të rregullisht vinin shumë shkrimtarë, studiues, e tjerë.
Aty debatohej për shkencë, kulturë, arsim e lëmi të tjera.
Gjatë
një rrëfimi për gazetën “Zëri” pata dhënë
detaje nga jeta studentore e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, duke e
vlerësuar si shqiptarin me zemër të pastër dhe studentin që thellohej në lexime
edhe kur shokët e dhomës nuk ndaleshin së biseduari me zë të lartë.
Po
e ceki se Rugova më motivoi për të shkruar punime, madje preferoi të shkruajë punime mbi idetë
pedagogjike-atdhetare të Naim e Sami Frashërit dhe të Rilindasve të tjerë. Kjo
nxitje më përshkroi gjatë gjithë jetës time dhe më shtyri që shkrimet dhe
punimet shkencore mos t’i lë edhe më vonë.
Rugova
mbaj mend se qëndronte deri në orët e mëngjesit duke shkruar kritika dhe ese
letrare. Më 1970 botoi librin: “Prehje lirike”. Cigaren nuk e linte, pinte pa
pushim, sigurisht që i ndihmonte në përqëndrimin e tij gjatë shkrimit.
Edhepse
rrinim deri në orët e vona, bisedonim shpesh për çështje të ndryshme shoqërore,
pa hezitim dhe të sigurtë të shpehim pikëpamjet tona ashtu si i vrenim në
realitet.
Shumica
e studentëve, por edhe studentët e dhomës 509 shetitnim në korzonë e dikurshme
të viteve të shtatëdhjeta prej Sheshit të Pajazitit të sotëm deri te Teatri,
duke përcjellur vajzat në korzo. Mirëpo, asnjëherë nuk bisedonim për dashuritë
tona, sidomos të Rugovës.
Rugova
ishte avangard për kohën në të cilën jetonte, qysh atëherë ishte i veçantë dhe
kishte mirësjellje kombëtare.
Formimi
i Rugovës ishte rezultat i frymës familjare. Rugovës, komunistët jugosllavë ia
kishin vrarë babanë, Ukë, dhe gjyshin, Rrustë.
Andaj
edhe u edukua në frymën atdhetare dhe patriotike në rini, si student dhe
gjithmonë mbeti patrioti dhe atdhetari më i madh i Kosovës, për pavarësi, liri
dhe demokraci.
Ibrahim
Rugova ishte i lidhur mishërisht me Preshevën dhe e njihte çdo detaj të saj.
Presheva e kishte ndihmuar shumë duke ia ofruar krejt intelegjencën e saj.
GM: Si u formua dhe si funksionoi
Klubi i Studentëve ‘Haki Limani’, të cilin e keni bashkëthemeluar?
XHS:
Pas vitit 1966, pas Plenumit të IV, të përmendim themelimin e Klubit të
Studentëve “Haki Limani” në Preshevë, të cilin e udhëhoqën Rexhep Ismajli, Riza
Halimi, Sabedin Hetemi, Xhemaledin Salihu.
Klubi i Studentëve në Preshevë u themelua pas vitit 1968, atëherë kur Evropën Perëndimore, po edhe Preshevën e kaploi një Lëvizje e re, e fuqishme studentore. Lëvizja e Studentëve të Preshevës shpërndau ndikim të madh shoqëror në të gjitha shtresat shoqërore në atë kohë. Klubi i Studenteve u themelua në sallën e Komitetit komunal të Preshevës, në prani të studentëve preshevarë, të cilët zgjodhën udhëheqësinë e Klubit dhe ia vunë emrin e patriotit Haki Limani, të mbytur në Prishtinë, siç thuhet nga UDB-a. Klubi i Studentëve menjëherë filloi të propagandojë barazi nacionale, kërkesa për të drejta të arsimimit të të rinjve shqiptarë, sidomos të Preshevës e Bujanovcit, përdorimin e lirë të Flamurit Kombëtar, barazinë e gjuhës shqipe, kërkesa për punësimin e të Rinjve shqiptarë sipas strukturës nacionale të popullatës, të cilën edhe e praktikoi kryetari i atëhershëm, patrioti Mehmet Jusufi.
Klubi
i Studentëve mbledhjet e veta dhe me popull i mbante në sallën e kinemasë, e
cila mbushej përplotë me popull, të interesuar jetësisht që në zgjedhjet e
vitit 1969 të zgjidhen në vende udhëheqëse njerëz të popullit e jo të partisë.
Kështu edhe ndodhi për kryetar komune dhe deputet në Kuvendin e Serbisë u
zgjodh Mehmet Jusufi. Mirëpo, menjëherë filluan përçarjet në popull, në grupe
njerëzish me interesa të ndryshëm dhe kërkesa që Mehmet Jusufi të mbajë vetëm
postin e kryetarit të komunës, ndërsa postin e deputit ta marrë Selim Selimi.
Në popullatën e Preshevës u bë një përçarje e madhe, sa që grupet e interesave
nëpër mbledhje, takime, filluan të fyejnë, njollosin personalitetet publike, si
turkofila, serbofila, e tjerë.
Në atë kohë në Preshevë ekzistonin dy grupe politikanësh, me mendime të ndryshme për zhvillimin e Preshevës. Kështu ishin ndarë edhe qytetarët e komunës së Preshevës: grupi i parë ishte i përbërë nga Selim Selimi, luftëtar i LDB, Sami Qerimi, kryetar komune, kryetar komiteti, drejtor i Monopollit të Duhanit në Preshevë, Jashar Sahitit, kryetar komune, sekretar komiteti, drejtor i Ndërrmarjes tregtare në Preshevë e ndonjë tjetër dhe grupi i dytë nga Mehmet Jusufi, kryetar komunë dhe deputet republikan në atë kohë dhe disa politikanë të tjerë. Populli ishte ndarë dhe përçarë dhe në tubimet me qytetarë, në fillim dominuan ata që ishin me Mehmet Jusufin.
Klubi
i Studentëve, duke i përvetësuar parimet europiane për të drejtat dhe liritë e
Njëriut, pakicave kombëtare, punësimin, shkollimin e Shqiptarëve, në tubimet me
qytetarë i proklamonte këto parime.
Disa
nga parimet për të drejtat dhe liritë e Shqiptarëve në Preshevë i përvetësoi
edhe Mehmet Jusufi, kryetar i komunës së Preshevës, kryetar progresiv, sidomos
filloi punësimin e shqiptarëve sipas strukturës nacionale në Preshevë dhe
reforma në shkollimin e kuadrove shqiptare.
E
kuptueshme që edhe Klubi i Studentëve u deklarua në favor dhe përkrahje të
Mehmet Jusufit. Mirëpo, grupi tjetër jo që ishin kundër këtyre parimeve të Klubit
të Studentëve, por kërkonin me ngulm që Mehmet Jusufi mos t’i gëzoje të dy
detyrat edhe kryetar edhe deputet. Për këtë filloi edhe përçarja e tyre, por
edhe e popullatës.
Në
Tubimet e Klubit të Studentëve, pa të drejt u njollos edhe Jashar Sahiti-Aga
Jashar, i Mëhallës së Majancalive në Preshevë me emërtim daullxhi, në kuptimin
se si kryetar dhe sekretar i Partisë komuniste në Preshevë vetëm po e mbante
daullën dhe të tjerët/serbët/ po luajnë me daulle dhe po vendosin në emër të
tij.
Sipas
fjalëve të djalit të madh të Jashar Sahitit, Fadil Sahitit-Presheva që gjendet
në Amerikë, ai ka qenë 12 vjet kryetar dhe 8 vjet sekretar Partie.
Agën Jashar e njoha shumë herët, që nga viti 1973 edhe më shumë. Në një manifestim për Karposhin, një luftëtar, në Kumanovë më rastisi që të jem afër tij dhe aty u hap biseda politike. Në bisedë e sipër më tha shikoji këta dy serbë që ishin ndaras njëri-tjetrit, ishte fjala për Josif Trajkoviqin, luftëtar i LDB, më vonë kryetar i Gjykatës Kushtetuese të ish-Jugosllavisë dhe tjetri, për Zhika Devexhiqin, poashtu luftëtar dhe pas LDB, shef i Policisë në Vranjë. E gjithë politika preshevare dhe polikanët, kush me pak e kush më shumë të Preshevës dhe Bujanovcit ishin në duart e këtyre të dyve.
Në
hulumtimet e mia arkivore pata dëshirë që sadopak të gjejë material arkivor, me
të cilin do të vërtetohet apo do të hudhet poshtë thënia për Agën Jashar-daullxhi. Nuk
gjeta material, pos disa rreshta në një material partiak të Preshevës, në të
cilin shkruante se Aga Jashar është angazhuar për shkollimin e Rinisë
preshevare. Këtë thënie ma vërtetuan edhe dy të moshuar, të cilët më thanë se
në Konferencën e LKS në Kragujevc paska diskutuar, kuptohet pas Plenumit të IV
për shkollimin e rinisë shqiptare, sidomos për studimet e kësaj rinie.
Gjatë
mandatit të tij mësova se nuk ka lejuar deklarimin e shqiptarëve për turqë dhe
shpërnguljen e tyre për Turqi.
Klubi i Studentëve, kur e pa situatën e këtillë në Preshevë, se më nuk kishte mundësi të ndikojë pozitivisht në këto rrjedha, një natë në Komitetin komunal, duke debatuar udhëheqësia e Klubit me disa personalitete shoqërore, të cilët na akuzonin se Klubi po ia mbante anën e Mehmet Jusufit, e lamë aktivitetin tonë dhe kështu pushoi veprimtaria e Klubit të Studentëve.









