Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I)
E shtune, 27.09.2025, 04:30 PM
INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN HAZIR MEHMETI (I)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Hazir
Mehmeti u lind në Besnik (ish-Beçiq), Kosovë. Është pedagog, autor dhe
publicist, si dhe anëtar i Akademisë Pedagogjike të Tiranës.
Mësimet
fillestare i kreu në vendlindje, ndërsa studimet në Universitetin e Prishtinës.
Punoi
20 vite në gjimnazet e Skënderajt, Drenasit dhe Vushtrrisë. Ishte pjesë e
lëvizjes për mbrojtjen e shkollës shqipe nga pushtuesit serbë. Shërbeu si
kryetar i Sindikatave të Pavarura të Arsimit në Vushtrri dhe si kryetar i
Këshillit të Punëtorëve në Qendrën Shkollore “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri,
në kohën kur kërkohej organizim përballë pushtuesve. Aktivitetet e tij bënë që
të merrej në pyetje, të arrestohej dhe të maltretohej nga organet serbe të
instaluara.
Që
nga viti 1996 jeton në Austri, ku i është njohur nënshtetësia mbi bazën e
përndjekjes politike. Atje nostrifikoi diplomën dhe, krahas punës
edukativo-arsimore në shkollat e Vjenës, merret me veprimtari hulumtuese,
gazetareske e publicistike. Është anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të
Gazetarëve Botërorë dhe i Lidhjes së Krijuesve e Shkrimtarëve në Diasporë me
seli në Gjermani.
Është
themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”
në Austri, ku ka qenë kryetar dhe pjesë e kryesisë. Është gjithashtu anëtari i
parë i Akademisë Pedagogjike të Tiranës nga radhët e mësuesve të diasporës.
Mbi
punën e tij si pedagog dhe autor tekstesh, Prof. Dr. Musa Kraja dhe Emirjona
Kraja kanë shkruar librin studimor “Mësues e Krijues në Diasporë – Hazir
Mehmeti, monografi social-pedagogjike”.
Është
njëri nga themeluesit e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në
Austri, ku për disa vite ka qenë kryetar. Krahas mësimdhënies në shumë shkolla
të Vjenës, mori pjesë edhe në projekte të shumta të organizuara nga shkolla dhe
nga Qyteti i Vjenës. Për punën e tij pedagogjike dhe krijuese është shpërblyer
disa herë nga Qyteti i Vjenës dhe katër herë nga shkollat ku ka punuar.
Përveç
aktivitetit arsimor, merret edhe me publicistikë. Artikujt e tij gazetareskë
dhe hulumtues janë botuar në dhjetëra gazeta e revista shqiptare në Kosovë, Shqipëri,
Maqedoni dhe vende të tjera. Është bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave
letrare, si: gazeta “Dielli” (Vatra, SHBA), “Fakti Ditor”, albinfo.ch (Zvicër),
“Dielli Demokristian” (Vjenë), “Nacional” (Tiranë), “Zemra Shqiptare”
(Britani), revista “Besa” (Stokholm), albaniapresse.com (Britani),
pashtriku.org (Gjermani), revista për fëmijë në diasporë “URA” (Prishtinë),
“Zëri i Ditës”, “Bota Sot” (RKS) dhe revista “Mësuesi” (Tiranë). Ka qenë
gjithashtu gazetar i Radio Dukagjinit për Austrinë.
Është
nismëtar në themelimin e faqes së internetit Schule-mehrsprachig, përgjegjës
për gjuhën shqipe dhe drejtues i saj pranë Ministrisë së Arsimit të Austrisë.
Është autor i shumë materialeve didaktike e mësimore të botuara.
Që
nga viti 1999 u angazhua në procesin mësimor me nxënës shqiptarë. Mori pjesë në
seminare në disa vende, ku u paraqit me kumtesa analitike, dhe është
pjesëmarrës aktiv në projekte gjuhësore në kuadër të Austrisë dhe më gjerë.
Përvojën
praktike si pedagog dhe autor tekstesh e ka prezantuar në shumë seminare në
Gjermani (Hamburg, München), Suedi (Halmstad), Austri (Vjenë, Graz, St.
Pölten), Tiranë dhe vende të tjera.
Është
autor i abetares së parë shqipe në Austri, botuar nga Ministria e Arsimit e
Austrisë, e cila përdoret si abetare në diasporë në disa shtete që nga viti
shkollor 2013–2014. Kjo abetare, me standarde të larta bashkëkohore, prej
katërmbëdhjetë vitesh është në përdorim në gjithë kontinentin.
Gjithashtu,
Hazir Mehmeti është bashkautor i 19 teksteve mësimore për fëmijët në diasporë,
realizuar në kuadër të projektit të Prof. Dr. Dr. Basil Schader, të mbështetur
nga Programi Ndërkombëtar Evropian i Projekteve (IPE) dhe Ministria e Arsimit,
Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, përmes Drejtorisë për Diasporë të
udhëhequr nga Nuhi Gashi dhe Arif Demolli.
Tekstet
janë të ndara në tri nivele mësimore: Teksti Parashkollor, “Një botë për të
gjithë” N1, “Një botë për të gjithë” N2 dhe “Një botë për të gjithë” N3.
Në
vitin 2015, këto tekste u vlerësuan me çmimin “Projekti i Shkëlqyeshëm” me
rastin e Ditës së Gjuhëve (24 shtator 2015), në mesin e 66 projekteve gjuhësore
nga shumë qendra evropiane, në një konkurs të mbështetur në nivel kontinental.
Me këtë rast, Hazir Mehmeti, Dr. Basil Schader (Zürich, Zvicër) dhe Nuhi Gashi
(MASHT, Kosovë) mbajtën kumtesa mbi tekstet dhe projektin.
Hazir
Mehmeti ishte pjesë e projektit mbi metodologjinë e përdorimit të teksteve të
reja, duke qenë edhe personazh i filmimeve të realizuara drejtpërdrejt nga orët
mësimore. Këto filmime didaktiko-metodike u prezantuan në shumë seminare para
mësuesve të gjuhëve të ndryshme evropiane, në Zvicër, Austri, Gjermani e vende
të tjera.
Një
tjetër projekt ndërkombëtar shumëgjuhësor, i bazuar në përvojën e mësimit të
gjuhës amtare krahas gjuhëve të tjera, përfshiu edhe kontributin e tij si
koordinator përgjegjës për gjuhën shqipe dhe për të gjitha gjuhët amtare në
Austri. Këto përvoja u botuan në veprën “Bazat dhe Arsyet”, si dhe në pesë doracakë
metodiko-didaktikë të shoqëruar, me autor Prof. Dr. Dr. Basil Schader në
Zürich. Hazir Mehmeti ishte koordinator i projektit për Austrinë, ku shumë
mësues dhe pedagogë të gjuhëve të tjera dhanë kontributet e tyre nga përvoja
mësimore.
Ai
ishte gjithashtu pjesë e udhëtimeve studimore mbi arsimin dhe shkollat në shumë
vende të botës me grupin “Studienreise”, ku mblodhi përvoja të rëndësishme në
fushën e mësimdhënies dhe metodikës. Këto njohuri i ka përmbledhur dhe zbatuar
në punën e tij arsimore e edukative.
Aktualisht
është nënkryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Është aktiv në
shkrime publicistike dhe letrare, ndërsa jeton në Vjenë.
Vajza
e tij, Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, e bija e Nexhmijes dhe Hazirit, është
dalluar në shkencë në nivel global. Ajo ka përfaqësuar Organizatën e Kombeve të
Bashkuara në Vjenë në shumë kongrese botërore në fushën e shkencave
farmaceutike dhe biologjisë molekulare.
Botimet
Ka
botuar qindra artikuj hulumtues gazetareskë, reportazhe dhe analiza.
Botime:
“Tekst ushtrimi 1”, 2011; “Mësimi Shqip në Austri”, 1913; A-B-C Fibel –
Abetare, 1913; “Mësimi shqip në Austri” – monografi 1, 2013; “Udhëtim S”
(publicistikë), 2015; “Shëngjergji dhe tregime tjera”, 2015; “Kohëthyerja”,
2017; Zertrümmerung der Zeit, 2017, në gjermanisht, botuar nga P.E.N – Klubi
Austriak; Timp Spulberat (rumanisht), 2019; “Studiues Austriakë e Shqiptarë në
Austri”, 2020; “Mësimi shqip në Austri” (Monografia 2), 2019; “Pranverë e
helmuar”, 2020; “Aktivitete letrare në Austri”, 2022; “Kohpërfytje”, 2023;
Schwere Zeiten, 2025; “Tehe nate”, 2024.
“Kohëthyerja”,
tregime (2016), përkthehet në gjermanisht si Zertrümerung der Zeit dhe është
botuar nga PEN – Klubi Austriak (Asociacioni më i madh i shkrimtarëve në
Austri). Kjo është proza e parë e botuar nga një autor shqiptar në Austri.
Ka
shkruar shumë artikuj hulumtues rreth figurave kombëtare që vepruan në Austri.
Ka fituar tri konkurse letrare në Austri dhe Zvicër, duke marrë vendet e para
në prozë, dhe në një rast, vendet e para në prozë dhe poezi.
Bashkautor, (Co Autor):
Gjithashtu,
Hazir Mehmeti është bashkautor i 19 teksteve mësimore për fëmijët në diasporë
në kuadër të një projekti që fitoi Çmimin Evropian për Gjuhë Amtare në Evropë
si “Projekt i Shkëlqyeshëm” për vitin 2015.
Si
bashkëautor ka kontribuar në: Kampi i Përqëndrimit Mauthausen (2015,
KZ-Jahresbuch Mauthausen 2015), Libër përkujtimi i të vdekurve në Kampin e
Përqëndrimit në Mauthausen (2016, Gedenkbuch für die Toten des KZ Mauthausen
2016) dhe 19 tekste mësimore për diasporë (2009–2016). Ai është gjithashtu
bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave në diasporë dhe vendlindje.
Çmime dhe mirënjohje
Ka
fituar tri konkurse letrare në Austri dhe Zvicër, duke marrë vendet e para në
prozë dhe në poezi. Nga Klubi letrar “Rifat Kukaj” në Kosovë, vlerësohet me
çmimin “Krijues i vitit në diasporë” për vitin 2018. Shtëpia botuese e njohur
“Lena Graphic” në Kosovë i ka ndarë Çmimin “URA” për librin Studiues Austriakë
e Shqiptarë në Austri (2020). Ka fituar gjithashtu Çmimin letrar “Pena e Artë –
Martin Camaj” (2022), “Nderim Arbëresh” (2023) dhe shumë mirënjohje të tjera.
Në këtë intervistë ekskluzive, kam kënaqësinë të
bisedoj me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti, një personalitet i njohur
për kontributin e tij në letërsi, arsim dhe media. Me një karrierë të pasur që
shtrihet nga fëmijëria në fshatin Besnik të Vushtrrisë deri te përvoja e tij
akademike dhe profesionale, Mehmeti na rrëfen rrugëtimin e tij të formimit dhe
përvojat që e kanë shndërruar në një figurë të respektuar në mbarë botën
shqiptare dhe diasporë.
Në këtë pjesë të parë të bisedës, ai na kthen në
kujtimet e fëmijërisë dhe të viteve të gjimnazit, duke ndarë përvojat e një të
riu që u rrit në Mitrovicë dhe aspiratat që e drejtuan drejt Shkencave Natyrore
dhe jetës studentore në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu, ai ndan
reflektime mbi angazhimin e tij si profesor në gjimnazet e Skenderajt, Drenasit
dhe Vushtrrisë, si dhe përgjegjësitë e tij si këshilltar pedagogjik, duke
ofruar një pasqyrë të gjallë mbi botën e arsimit dhe ndikimin e tij në
gjeneratat e reja.
GM: Si e kujtoni
fëmijërinë në vendlindjen tuaj, në Besnik të Vushtrrisë, fshatin ku keni kryer
edhe shkollën fillore?
HM: Fshati im quhet Besnik (Beçiq). Gjendet në lindje të Drenicës rrëzë Qyqavicës e cila ndanë dy regjione të Kosovës; Fushën e Kosovë me rrafshlartën e Drenicës e njohur si vend malor, i prapambetur por vend qëndresë kundër armiqve pushtues. Dallohet me folklorin e saj, anekdota e saj dhe për ruajtjen e traditave të lashta shqiptare siç janë: besa, burrëria, fisnikëria dhe mikpritja, ku miku trajtohet si i dërguar i shenjtë. Por Drenica ishte shënjestër e barbarisë armike, turqve dhe serbëve e kallur shkrumb e hi në çdo gjeneratë. Im at, ndjesë pastë, tregonte përjetimet e tij dhe të atit të tij (gjyshit tim), rrëqethëse. Kulla e vjetër ku linda unë ishte e vjetër sa askush nuk e mbante mend ndërtimin e saj. Kishte murin prej guri një metër të trashë, frëngji në katin e dytë përreth, porta e trashë që mbyllej me dy shula të fuqishëm dhe pamjen horizontit rreth saj. Në kullë kishin qëndruar kaçakët e vjetër e të ri. Mes tyre Krye kaçaku Azem Bejtë Galica me nusen e tij Shotë Galica. Gjyshja ime Qama, ndjesë pastë, kujtonte momente të shumta rreth tyre. Dhoma e kullës në anën verilindore të saj ishte e vogël me dy frëngji nga ana lindore dhe një në anën veriore. Në këtë dhomë kishte qëndruar shumë herë me ditë të tëra Shota, andaj gjyshja, Qama, e quante Soba e Shotës. Historia e kontakteve me heroin përfundon me pesëmbëdhjetë gusht të vitit njëmijë e njëzet e katër, kur gjyshja ime (nuse asokohe) ia lidh plagët Azem Bejtes, bashkë me burrat e shtëpisë dhe me pak shokë të Azemit. E merr xhamadanin e Azemit dhe ruan për mbi dyzet vjet. Nga ajo plagë Azem Galica vdes. (tregimi: Nëna Qamë)
Fëmijëria
ime është shumë specifike, nuk e di me cilin do krahasohej. Ishte një fëmijëri me shumë mungesa. Vera e
vitit 52, tregohej, si viti më verën më të thatë kur kishte munguar buka.
Fshati i bukur i ngulitur rrëzë Qyqavicës në Drenicë dallohet me male, ara dhe
kullota. Kroni i Mollës është burim i fuqishëm i cili i jep jetë fshatit.
Kopshtet e vogla të ujitura nën rrjedhën e tij, krijojnë gjallëri dhe japin
perime të pastra dhe të shijshme.
Disa shekuj dallohej fshati ynë me zabelet e tij të pasur me lisa shekullor, mes tyre Zabeli i Delisë i cili i takon gjithë fshatit, i ruajtur akoma dhe sot e kësaj dite. Në atë hapësirë, tani e një shekull më parë, Besniku (Beçiqi) i ndihmuar nga fshatrat për rreth (Kozhica, Prellovci, Krasaliqi, Dubovci, Galica, Prekazi..), ndërton mejtepin për mësim fetar pasi ishte e ndaluar mësimi në gjuhën shqipe. Nxënësit mësonin arabisht të shkruanin dhe lexonin libra me shkronja arabe pa e kuptuar se çfarë kishte brenda, ashtu përmendësh. Dy vjet në këtë mejtep mësoj im at shkrim lexim arabisht. Pas Luftës së Dytë Botërore kjo ndërtesë u shndërrua në shkollë ndër të parat shkollë në Drenicë, aty ku im at kishte mësuar arabisht, tani unë isha nxënës dhe mësoja shqip nga mësuesit e parë shqiptarë në Drenicë dhe Kosovë. Këtu në shkollën e re në lisat e Zabelit të Delisë dhe mbi çati mësuesi i parë ngriti flamurin kuq e zi. Për këtë akt, ai u dënua tri vite burg dhe humbi të drejtën e mësimdhënies.
Dy
klasat e para të fillores i mbarova në shkollën e fshatit. Mbajë mend se, deri
në klasën e katër kishim një libër, dy fletore dhe një laps të cilat i bartnim
në jangjikun me tojë në krah të cilin e pat punuar nëna. Mbaj mend se, tim et, e njoha së pari kur
isha në klasën e dytë pasi u lirua nga burgu. Nëna më fliste se duhet të jem i
dashur, i kujdesshëm, të mësoj mirë se kështu kur të kthehet yt at do të donë më
shumë. Në fëmijëri pata përplot sfida jete, një roman me pesëqind faqe.
GM: Mund të na flisni mbi realitetin e përditshëm të një të riu që ndiqte gjimnazin në Mitrovicë, në periudhën kur ju ishit në shkollë?
HM:
Pasi mbarova filloren në fshatin Dubovc, katër kilometra larg, kisha dëshirë të
madhe të regjistrohem në shkollën e mesme normale apo në gjimnaz. Ishin vitet
kur së pari u hap gjimnazi në Skenderaj dhe dy paralele të normales. Për regjistrim duhej provimi pranues në lëndët
shqip, matematikë, edukatë fizike dhe edukatë muzikore. Ishte konkurrencë sepse
pranoheshin, përafërsisht, një e katërta e konkurrentëve. Gëzimi im më i madh në jetë është kur e kam
parë emrin tim në derën e shkollës regjistrin e të pranuarve, isha numër 21,
nuk e harroj kurrë. Ishte gjysma e
gushtit e vitit 1966. Kisha frikë se nuk do jep provimin pranues në muzikë dhe
edukatë fizike, sa për shqip dhe matematikë nuk frikësohesha shumë. Akoma e
ruaj lutjen për provim të shkruar nga daja im nën hijen e lisave të parkut, sot
Qendra Kulturore e Skenderajt.
Unë vendosa ta vazhdoi Shkollën Normale e cila dy vite në Skenderaj e tri të tjerat në Mitrovicë kur mori emrin “Hasan Prishtina”. Pra, mbarova dy vite në Skenderaj dhe tri vite në Mitrovicë. Isha mësuesi i parë në historinë e shkollimit të fshatit Beçiq tani e quajnë edhe Besnik. Sot e kujtoj me emocione e krenari faktin se jam i pari mësues i fshatit, i pari që mbarova universitetin. Por, kjo në sfondin e gjerë të historisë së arsimit dhe kulturës është e dhembshme, është tragjike për kombin shqiptar i cili kishte shekujve të ndaluar shkollimin në gjuhën amtare.
Vuajtjet
ishin tejet të mëdha. Im at nxirrte cunga lisash (kishim mjaftë) dhe i qonte 3
orë larg në Vushtrri, i shiste dhe m’i siguronte të hollat për ushqim e strehim
për një javë në Mitrovicë. Mezi ia dilnim me ushqim dhe strehim. Shpesh
udhëtoja këmbë nga Mitrovica në Drenicë, katër orë këmbë, verë e dimër në shi e
në borë. Pushteti në Vushtrri, aso kohe,
u jepte bursa gati të gjithëve, mua asnjë cent. Isha bir fshatari dhe familje
reaksionare! Në Normale kishim profesor
të shkëlqyeshëm të cilët i falënderoj nga toka gjerë në qiell. Jo vetëm për
vete, por për kombin i cili po armatosej me Dije, forcë mbi forca. Si normalist
shkrova poezi dhe isha pjesë grupit letrar të shkollës i cili drejtohej nga
Jakup Ceraja, njeri patriot dhe intelektual i njohur.
Profesorët
tanë, të shkolluar në Beograd, Sarajevë e Shkup, tregonin mbi presionin e madh,
nënçmimin e madh që kishin përjetuar gjatë shkollimit të tyre atëherë kur ishte
tepër vështirë për shqiptarë. Nuk mund
pa treguar një rast. Profesor Zahir Istrefi, pedagog dhe metodist i zoti, kur
një nxënës u tregua ca i pakujdesshëm dhe refuzues me lot në sy tha. “Ne duhet
bartur me këmbëngulje mësimin tek gjenerata e re. Armiku nuk e do shkollimin
tonë. Shkolla është Dija, dija është arma më e fuqishme e kombit. Një profesor
i imi me qëndrime çetnike, vazhdoi ai, kur nuk dinim ndonjë fjalë në serbisht
shkroi në tabelë : Magarc pojeo vas jezik” (Gomari e ka ngenë gjuhën tuaj”),
ose një rast tjetër kur nuk e kuptonim dhe i tregonim se jemi shqiptarë, e
vizatonte gomarin në tabelë dhe shkruante “Magarac neka ti prica siptarski” (Gomari le të flet në gjuhën
shqipe”. Ne nuk guxojmë të jemi indiferent, ne duhet me këmbëngulje të mësojmë,
e kemi mision përhapjen e dijes në vendin tonë të varfër e analfabet”
Ne
kishim profesor të shkëlqyeshëm që janë pjesë historisë krenare që dhanë mësim
pedagoge e pedagogë të parë emrat e të cilëve nuk harrohen kurrë: Fahrdin Gunga,
Latif Berisha, Zahir Istrefi, Ahmet Maloku, Hadije Hoxha, Selman Meha, Rexhep
Mehmeti, Hasan Hasani, Ali Topalli, Jakup Ceraja, Ibrahim Bajra, Ibrahim
Çitaku, Xhemajl Pllana. Ruzhdi Pllana, Emin Fejza, Ismail Gubetini, Abit
Maxhuni, Idriz Kosova, Lah Nimani e shumë tjerë.
Nga
këto mësime jetësore të pashkruara e të shkruara ne si normalist detyrën e
mësuesit e morëm si mision kombëtar, jo vetëm thjesht si detyrë. Andaj normalja
me mësuesit që nxore që nga Normalja e Elbasanit, ishte shkolla që bëri
historinë e kombit. Pushtuesit gjithnjë
e kishin në shënjestër mësuesin e vërtetë, mësuesin patriot dhe torturat mizore
i ushtroi ndaj tyre. I frymëzuar nga
shumë ngjarje faktike, kontakte me shumë mësues të torturuar, dënuar,
plagosur, shkrova tregime që pasqyrojnë
artin e qëndresës, shpirtin e pathyeshëm të mësuesit. Rrethina ime ishte dhe
është e mbushur me plotë ngjarje të tilla ku bëjë pjesë dhe unë. Përmbledhja e tregimeve Kohëthyerja përmban
tregime me tematikë nga mësuesia dhe shkolla shqipe në qëndresën e saj. Kjo
përmbledhje u përkthye edhe në gjuhën gjermane me titull Zertrümmerung der
Zeit” e botuar nga P.E.N. klubi austriak.
Nga
ajo kohë nisa të shkruaj më vrullshëm dhe me vullnet. Botimet në atë kohë ishin
të rezervuara për të “përshtatshmit”, andaj pata pak botime. Por, i ruajta
krijimet me xhelozi dhe shumica e tyre shpëtuan nga zjarri i luftës e cila
dogji dy herë shtëpinë time në fshat. Si normalist, isha anëtar i klubit letrat
të Normales të cilin e drejtonte poeti i njohur Jakup Ceraja. Botuam pak poezi
e tregime në “Zërin e Rinisë”, revistë për të rinj në nivel Kosove. Ishte
kënaqësi e pa përshkruar kur botoheshin krijimet letrare. Ato ishin kënaqësia
dhe frymëzimi ynë. Tregimet e mia të botuara dhe përkthyera edhe në
gjermanisht, kanë brumin nga ajo kohë e fillimit tonë në rrethanat e kohës e
cila ishte fillimi i ringjalljes kombëtare.
GM: Çfarë ju tërhoqi
drejt fushës së Shkencave Natyrore dhe si do ta përshkruanit jetën tuaj
studentore në Universitetin e Prishtinës?
HM:
Në shkollën e mesme lexonim shumë, mes tyre lexoja për natyrën me faunën dhe
florën e saj Fillova të shkruaj poezi
dhe tregime, por kureshtja për jetën e gjallë më drejtoj në Shkenca Natyrore
edhe pse kisha mundësi të regjistrohem në Fakultetin e Mjekësisë, kisha suksesin
e duhur. Refuzova mjekësinë, juridikun dhe për habinë e rrethit tim u
regjistrova në Fakultetin e Shkencave Natyrore, drejtimi i biologjisë. E kreva fakultetin në afat me nota të larta
dhe kjo më mundësoi regjistrimin për
studime magjistraturë e doktoratë në Zagreb. Edhe këtu vazhdoi hilja e vjetër e
pushtetit, s’ka bursë e as mbështetje, krejt më mjete personale.
Nga
studimet kam shumë kujtime. Ishin kohë të lëvizjeve të vazhdueshme për
korrigjimin dhe zgjerimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Më kujtohet kur disa herë policia rrethoi
konviktet dhe arrestoi shumë student. Më i rëndi rrethim ishte në prill të
vitit 1974, kur policia me mjete të blinduara, me qenë zbulues, spiunë sigurimi
jugosllav vërshuan në çdo dhomë ndanë nga tre; njëri me automat dhe dy që
kontrollonin me vandalizëm. Ishte
mëngjes akoma pa lindur dielli.
Nga profesorët do veçoja Prof. Dr. Dervish Rozhaja, rektori i parë i UN të Kosovës. Ishte doktori i shkencave në moshën më të re në Evropë, atë kohë. Tek ai kam dhënë tri provime me nota të larta. Në një formë u bëmë shokë shkence me pikëpamje të njëjta rreth shumë temave shoqërore të kohës. Dua të kujtoj Prof.Dr.Feriz Krasniqin, Prof.Dr.Beçir Hundozi, Prof.Dr.Avdullah Geci etj. Profesorët tanë nuk ishin vetëm mësues shkencash, por edhe vizionar, pedagog e prindër të vërtetë. Ata na donin e respektonin sikur fëmijët e tyre. Profesor Dervish Rozhaja na thoshte: Lexoje mes rreshtave. Në orën e fundit kur mbaruam fakultetin i emocionuar tha edhe këto fjalë që nuk harrohen, por të vërtetuara gjatë jetë dolën të sakta: “Tani po filloni studimet, -mos u habitni!”. Ne të çuditur reaguam duke detyruar ta zbërthen kuptimin e kësaj fjalie. Nuk do ta harroj kurrë fjalën e tij plotë emocione nga dashuria për ne, arritjet tona që ishin djersë e mundi i tij prej njeriut zemër madh e patriot. Fatkeqësisht fotot me Prof. Dervish Rozhajen u dogjën bashkë me shumë tjera në bibliotekën time gjatë luftës. Pas mbarimit të studimeve me nota të larta u regjistrova në Universitetin e Zagrebit, drejtimi Bio-neurologji, por për shkak të rrethanave nuk munda t’i mbaroj të gjitha provimet. Ky ishte meraku im shumë i madh dhe i disa profesorëve kroat të cilët e përcillnin punën time dhe rrethanat e mia. Atë kohë (vitet 1982/1983) në Zagreb studionin shumë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe kishin suksese të dalluara. Dëshirën time jetësore për të mbaruar studimet deri në doktoratë e realizoi vajza ime e dytë Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani në UN e Tokushima në Japoni dhe në UN e Vjenës, Austri. Tani jam i qetë dhe më duket se kam arritur cakun tim të dashur e dëshiruar në jetë.
Njohuritë
nga jeta e gjallë të pasurojnë me dije e cila i duhet krijuesit letrar pa
tjetër në jetë. Ishte interesantë në
krijimtarinë time letrare momenti kur e mësova lulen si organ bimor për shumim.
Definicioni shkencor për lulen e dha poeti i njohur botëror nga Gjermania
Johann Wolfgang Goethe i cili ishte edhe biolog i njohur i kohës. Goethe ishte
frymëzues i fuqishëm i shumë të rinjve shkencëtar, shkrimtarë e poet të kohës.
Që kur isha student lexova poezi nga Goethe dhe shkrime mbi jetën e tij shumë
aktive. Tani Goethen e takoj çdo ditë në Unazën kryesor (Ring) afër Bibliotekës
Kombëtar dhe Pallatit të Operës së Vjenës, ku qëndron i ulur duke medituar në
shkëmbin e lartë katër metra. Frymëzim shpirti në të gjitha kohët.
GM: Si ka qenë përvoja
juaj si profesor në gjimnazet e Skenderajt, Drenasit dhe Vushtrrisë, dhe çfarë
përgjegjësish keni pasur në rolin tuaj si Këshilltar Pedagogjik në Vushtrri?
HM:
Në Skenderaj
Ishte
fillimi i punës sime në gjimnazin e Skenderajt i cili po rritej vazhdimisht me
nxënës. Shkolla kishte shumë vështirësi, sidomos mungonte kuadri i duhur. Pata
një mbështetje nga kolektivi dhe në veçanti nga drejtori i gjimnazit në
Skënderaj, Ibrahim Çitaku, të cilin e kisha edhe profesor të shkollës Normale.
Ishte viti shkollor 1974/75. Pra, plotësisht gjysmë shekulli më parë. Mua më
interesonte shumë përfundimi në afat të studimeve, andaj sërish pa humbur asnjë
afat, vazhdova studimet. Pasi mbarova ligjëratat dhe ushtrimet laboratorik nisa
sërish punë në Drenas, aso kohe Gllogovc.
Në Drenas, ishte
shkolla moderne me laboratorë dhe bibliotekë. Aty punova dy vite me kolegë të
vyer nga të cilët mora përvojë të mirë. Si kuadër i ri u prita shumë mirë nga
drejtoria dhe shoqëria. Punonim me
përkushtim të lartë, andaj nga gjimnazi dolën kuadro që luftuan për përhapjen e
dijes dhe edukatës së drejtë kombëtare në rrethinë. Do përmend kolegë që nuk harrohen kurrë: Musa Haxhiu,
Ymer Elshani, Islam Dobra, Sinan Gashi, Tafil Qorri, Beqir Gllareva etj.
Në Vushtrri, ishte
Qendra Shkollore me drejtimet shkencore ku mbajta mësim gjashtëmbëdhjetë vite.
Laboratori dhe ambienti shkollor i krijuar nga drejtori dhe intelektuali i
njohur Emin Fejza, mundësuan punën e suksesshme timen dhe kolegëve. Punonim me
zell me nxënësit më të mirë në drejtimet shkencore dhe shumë prej këtyre
nxënësve u dalluan në studime. Kjo punë
madhore nuk shihej me sy të mirë nga serbet e malazezët, xhelozonin dhe s’mund
të shihnin përparimin dhe suksesin tonë deri në nivel Kosove, e cilësuar nga inspektori
i arsimit, aso kohe. Aty filluan “bisedat informative” ndaj meje dhe kolegëve deri në diferencim dhe
largim nga puna. Përjetuam sulme të vazhdueshme, helmimin e nxënësve, dëbimin
nga lokalet shkollore, rrahje, burgosje, vrasje.
Me
nxënësi e mi, gjimnazi Vushtrri. Nxënësit e Shkencave Natyrore drejtimi i
biologjisë në mbledhjen e bimëve për bimëtore herbarium si pjesë e praktikës.
Kjo i ndihmoi shumë nxënësit në studime të mëtejme dhe sot këto nxënëse dhe
këta nxënës i gjen në shumë institucione shkencore në Republikën e Kosovës.
Ne si kolektiv i madh i Qendrës Shkollore ku kishte shumë drejtime mësimore, dhe paralelet e gjimnazit, ( me 3200 nxënës, me 172 mësimdhënës dhe 131 paralele mësimi), wyyyformuam organet tona paralele: Sindikatën e Pavarur (isha drejtues), Këshillin e Punëtorëve (isha Kryetar disa vite që nga themelimi) dhe formuam në nivel komune dhe Rajonal (4 komuna), Shërbimin Profesional apo Këshillin Pedagogjik paralel dhe të pavarur nga ato të pushtetit. Në Këshillin Pedagogjik punova si këshilltar pedagogjik për biologji dy vite vullnetarisht pa asnjë lek. Krahas punës në gjimnaz, punonim edhe në teren për t’i ndihmuar shkollat fillore. Komuna kishte aso kohe 22 shkolla fillore dhe punohej me probleme të shumta. Pushtetarët nuk interesoheshin për sukses, por për shkatërrim. Pushtuesi bëri ndarjen e nxënësve serb e malazez nga ata shqiptarë, diç e pa parë gjerë më tani.
Në shtëpi shkolla
Nga
viti 1990 deri në vitet e luftës, mësimi u mbajt në shtëpi Shkolla. Kushtet
ishin të vështira: arrestime, rrahje, burgime, plagosje e vrasje të përditshme.
Ra dëshmori Zymber Haziri, i cili shtëpinë e bëri shkollë. Aty mbajtëm mësim me
disa paralele. Përditë dikush përndiqej nga policia serbe armike. I përjetova
të gjitha me kolegët e mi. Disa prej tyre nuk jetojnë më. Gjithmonë nënën e gjeja ulur në prag të
derës derisa kthehesha në fshat, edhe në gjysmë të natës, apo ndodhte deri në
mëngjes.
Helmimi i nxënësve
Pra,
ishte një angazhim tepër i madh që kërkonte durim, harxhime, guxim dhe mençuri.
Kam shumë kujtime pozitive me të cilat krenohem tërë jetën time. ( Nga helmimet
kam mbajtur ditar, kam shkruar tregime. Libri Pranverë e helmuar, një dokument
kohe).
Që
nga viti 1990 u ndërpre financimi i shkollave të mesme, u shtua represioni, u
dëbuam nga lokalet shkollore. Ashtu siç mundem me mbështetjen popullore u
themeluan Shtëpi Shkolla në qytet dhe fshatrat për rreth.
Kemi
punuar në këto rrethana shumë të vështira. Unë punova gjashtë vite pa financim
dhe pa mundësi jetese. Nga gjimnazi i Vushtrrisë kam kujtime të shumta dhe dua
t’i veçoi disa personalitet, kolege e kolegë: Emin Fejza, Ferat Perçuku, Halit
Selaci, Nasuf Ahmeti, Shaban Krasnqi, Gani Sokoli, Ramadan Izmaku... Nga të
gjithë i veçuar për mua ishte dhe mbeti Bedri Tahiri me të cilin na ndante
vetëm gjumi, ai në Galicë e unë në Besnik (Beçiq).