E diele, 12.10.2025, 02:44 AM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III)

E shtune, 11.10.2025, 03:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN HAZIR MEHMETI (III)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në këtë pjesë përmbyllëse të intervistës sonë me shkrimtarin, publicistin dhe veprimtarin e njohur Hazir Mehmeti, ndalemi në disa prej çështjeve më thelbësore që përbëjnë shtyllat e mendimit të tij kulturor, historik e shoqëror. Pas një rrugëtimi të pasur me reflektime mbi letërsinë, artin dhe misionin e intelektualit shqiptar në diasporë, këtë herë z. Mehmeti na fton të shohim më thellë në pasqyrën e historisë sonë kombëtare — nga e kaluara e largët e pushtimeve deri te aktualiteti i sfidave me të cilat përballet sot kombi shqiptar.

Në këtë pjesë, ai ndalet te përvoja e tij gazetareske dhe flet për rolin e medias shqiptare në formësimin e opinionit publik, për ndërlidhjen mes kulturës dhe identitetit, si dhe për ndikimin e gjatë të periudhave osmane dhe sllavo-komuniste në ndërgjegjen tonë kombëtare. Përmes një qasjeje të thellë analitike dhe shpesh medituese, Mehmeti prek temën e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve përtej dallimeve fetare, duke ofruar një vizion të qartë mbi vlerat dhe antivlerat që shoqëria jonë bart ende sot.

Një vend të veçantë në këtë bisedë zë lidhja e tij e fortë me Austrinë, atdheun e tij të dytë, dhe mirënjohja për kontributin që ky vend ka dhënë ndër shekuj për çështjen shqiptare. Përmes përmendjes së figurave historike e kulturore që kanë ndikuar në zhvillimin e kombit tonë, Hazir Mehmeti na kujton se historia shqiptare është një mozaik i pasur me sakrifica, por edhe me dritë frymëzimi.

Në fund, z. Mehmeti ndan reflektime për të ardhmen e shqiptarëve, për sfidat që na presin dhe për rolin e diasporës në ndërtimin e një vizioni të përbashkët kombëtar. Me një ton plot shpresë e përgjegjësi, ai përcjell mesazhin e tij për bashkëkombësit kudo që ndodhen — në troje apo në mërgim — duke i ftuar të gjithë në një frymë bashkimi, vetëdijeje dhe dashurie për atdheun.

GM: Cili do të ishte një këndvështrim i përgjithshëm mbi historikun dhe aktualitetin e medias shqiptare? Gjithashtu, a mund të na flisni edhe për përvojën tuaj në rolin e gazetarit?

HM: Mendoj, se një pjesë e mediave shqiptare sot janë jashtë shërbimit që i duhet qytetarit, jashtë etikës dhe qëllimit që ka një shoqëri në zhvillim si komb dhe shoqëri. Dje në komunizëm, nën kontrollin e regjimeve, sot të kapura nga çarqe jo profesionale që kanë qëllim lekun, jo njerëzoren, jo progresin e vërtetë të kombit.  Përdorët gjuha bastarde, jo gjuha standarde shqipe.  Mjetet e informimit, mendoj, mbjellin imoralitet, gënjeshtra dhe përçajnë qytetarët shqiptarë.

Në cilin shtet nuk ka gazeta që nuk botohen me mbështetje nga buxheti i shtetit përveç Kosovës.  E kishim Rilindjen,  gazetë shumë e fuqishme dhe e konsoliduar me gazetarë profesionistë, tani nuk e kemi. E kishim “Shkëndijën”, tani nuk e kemi.  Ku do metët e shënuar jeta jonë si shoqëri në zhvillim me shumë ngjarje. Arkivat dhe shtypi i kohës janë dokumenti më i vërtetë për gjeneratat që vijnë, kujtesën e tyre dhe përparimi e tyre me rrënjë të fuqishme nga e kaluara.

Kam shkruar që nga bankat shkollore artikuj, pastaj nga problemet e shkollës  shqipe në vitet e vështira. Artikuj të botuar para dyzet viteve. Kur erdha në mërgim fillova të aktivizohem dhe të aftësohem në shkrime nga ngjarjet të ndryshme brenda jetës mërgimtare në Austri dhe problemeve në Atdhe.  Shkrimet e mia, fatbardhësisht, u priten mirë. Kështu u hapen rrugë të reja në kohën kur duhej informim i qytetarit tonë mbi ngjarjet e shumta.  Gazetarinë e kam dashur nga nevoja për informim dhe për të dhënë ndihmë sadopak në rrjedhat shoqërore që kalonte Atdheu dhe mërgata jonë shqiptare. Nga Austria nuk kishte informata, apo fare pak.  Në cilësinë e gazetarit bashkëpunëtorë kam përcjellë ngjarje me rëndësi në Vjenë dhe qytete tjera të Austrisë. Kam hulumtuar në arkiva dhe bibliotekat kryesore të Austrisë. Të qenit gazetar m’i ka hapur portat që as vet nuk e kam menduar.

Kam marr pjesë në disa projekte që më kanë dhënë mundësi njohje të thella nga e kaluara. Njëri prej tyre ishte Komiteti i Mathausenit i cili merret me shënimet dhe kujtimet e viktimave të fashizmit.  Që nga viti 2012 jam anëtar i Komitetit të Mathausenit nga radhët e komunitetit shqiptar në Austri. Fillimisht isha i autorizuar ta përfaqësoj Ambasadën e Republikës së Kosovës si shtet i ri në shënimet, hulumtimet dhe shënimet mbi viktimat e shumta të kampit famëkeq në Austri, Mautahusenit dhe degët e tij në Austri ku ranë viktima edhe nga shqiptarët. Hulumtova duke korrigjuar emrat në shqip dhe duke mbledhur fakte rreth origjinës dhe biografisë së shumë prej tyre. Jam krenar që hulumtimet e mia u prite dhe priten mirë nga Komiteti dhe tani janë gati të gjitha në shërbim informativ për publikun të digjitalizuar. Jam bashkë autor i dy librave kushtuar viktimave në mesin e 36 autorëve nga kombet tjera.  Libri u prit mirë dhe u promovua solemnisht në praninë e kryetarit të Austrisë, Joschka Fischer  në vitin 2014 e 2016. Kryetari na priti autorët e pranishëm, na përgëzoj në rrethin diplomatik nga shumë vende.   Kjo nuk harrohet kurrë dhe ndihem i lumtur që kam dhënë një ndihmë në rikujtimin dhe rishkrimin e emrave dhe biografive të shumë viktimave nga radhët e shqiptarëve në Mathusen dhe disa kampe rreth tij.    Shpresoj se së shpejti do ta sheh dritën libri im hulumtues “Shqiptarët në Mauthausen” krahas kombeve tjera.  Kjo punë e imja pak është publikuar dhe nuk është e njohur sa do duhej.  Ambasada e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Dr. Sabri Kiçmari, Ambasador e ka mbështetur projektin hulumtues për të ditur sa më shumë për viktimat e fashizmit nga territori i Kosovës, si projekt i veçantë në afirmimin e Kosovës dhe fatit të qytetarëve të saj.

Që nga shkolla e mesme kam shkruar dhe botuar, por jo vazhdimisht shkaku i rrethanave personale e shoqërore. Kam lexuar libra, teorie e praktikë nga lëmi e gazetarisë që të gaboj sa më pak në shkrimet e mia.  Qe nga fillimi i jetës në Vjenë kam shkruar vazhdimisht për disa mediume me pak honorar apo fare pa te.

GM: Në lidhje me anëtarësinë tuaj në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve dhe Fotografëve, çfarë do të dëshironit të ndanit me ne?

HM: Ishin vitet pas luftës, shkrova disa shkrime shoqëruar me foto dhe drejtuesit e asociacionit më dhanë mundësinë e konkurrimit me disa foto e shkrime të zgjedhura të përkthyera.  Pas disa muajve më vjen lajmi se jam i pranuar. U gëzova, e dërgova biografinë shoqëruar me portret dhe më pranuan. Kjo më ka hapur rrugë në përcjellën e shumë ngjarjeve nga temat politike, konferenca, kongrese dhe vizita me rëndësi. Tani e dymbëdhjetë vjet jam anëtar i rregullt i Asociacionit të njohur në glob.

Ndikimi i theksuar do fuqizohet me shkrimet e tij në revista letrare, njëra nga ato -ishte Revista Letrare e Mësuesve “Shkëndija” e cila asokohe kishte shumë lexues pasi ishin mbyllur disa nga gazetat e revistat kryesore nga pushtuesi. Njëri nga shkrimet frymëzues ishte mbi nevojën e ruajtjes së përmendoreve natyrore e historike në viset shqiptare e botuar në kohën kur demonstratat kishin shtrirje të gjerë dhe çdo gjë kontrollohej. Isha kryetar i  Këshillit të Pavarur të Sindikatave të Arsimtarëve në komunën e Vushtrrisë e cila krahas Lidhjes Demokratike të Kosovës, organizoi qëndresë në mbrojtje të shkollës shqipe në Kosovë.   Shkrimet në revistën javore Shkëndija, ishin një orientim më shumë në rrugën e lirisë.

GM: Përveç artit letrar, në cilat fusha të tjera të artit keni interes dhe cilët artistë në ato fusha i konsideroni të rëndësishëm apo frymëzues?

HM: Austria është vend i figurave botërore të artit. Kush nuk ka dëgjuar Mozartin, kush nuk ka lexuar për Karl Gegen apo për Aleksandër Moisiun e shumë tjerë. Frymëzues im është Aleksandër Moisiu me zërin e tij, qëndrimin e tij prej njeriu edhe kur ishte vështirë.   E dëgjoj melodinë e “Barshës” por edhe muzikën klasike  “An der schönen blauen Donau”, të Johan Strausit vepra e cila më fle në shpirt.  Luciano Bavaroti, gjenial, me “O sole mio” është i pa arritshëm në artin e klasikes. E dëgjoj kur lodhem, dëshpërohem, mërzitem... më duket se jep forcë.  Nga muzika shqipe gjeniale është, për mua, “Baresha” e zërit magjik të Nexhmije Pagarushës. Dhe, si melodi e luajtur nga violinisti vjenez me rrënjë shqiptare, Shkëlzen Doli.  Nga muzikantët e gjeneratës së re është e mrekullueshme pianistja shqiptare Ardita Satovci.  Nga aktorët duhet dalluar sot për sot Astrit Alhajdaraj, me rolet e tij ka bërë dhe ndihem krenar me te. Nga arti i skulpturës Mjeshtrin e Madh Destan Gashi. Në degën e pikturës ka bërë emër Gazmend Freitag në Linc,  kurse Barbara Gashi në Vjenë.

GM: Si e vlerësoni ndikimin e pushtimeve të gjata osmane dhe sllavo-komuniste në identitetin tonë kombëtar?

HM: Pushtimi osman ishte tragjiku e kombit shqiptar i cili shkatërroi besimin, kulturën, traditën. Turku vrau e dogji shqiptarë për 473 vjet. Shqiptarët e ndihmuan Perandorinë pushtuese osmane, por shpërblim morën vrasje e tmerr deri në kohën e shuarjes së kësaj kuçedre barbare.  Turqia, jo që nuk i mbrojti shqiptarët si etni, por bëri marrëveshje me sllavët për shkatërrimin e tyre deri në zhdukjen e tyre. Turqia duhet të paguan dëmshpërblim të lartë kombit shqiptar për gjithë ato dëme kolosale, gjenocidi që i ka krye ndaj shqiptarëve.  Sot në vend që të këndellemi dhe ta shohim historinë tonë tragjike ashtu siç ishte, elementet NeoOsmane antikombëtare në emër të fesë islame, veprojnë kundër interesave kombëtare duke përhapur ide dogmatike në objektet fetare që i ndërtuan e ndërtojnë të pa kontrolluar nga pushteti pas luftës. Të mbështetur nga pushtetarët e korruptuar dhe kriminel kundër interesave kombëtare. Ato e helmojnë rininë shqiptare me gënjeshtra religjioze me bazë politike kundër miqve tanë që na ndihmuan të lirohemi nga zgjedha sllave dhe turke.  Jam tejet i zhgënjyer me ecjen tonë pas luftës. Nuk e kam pritur kurrë të jemi kaq shkurt pamës si shoqëri e dalë nga robëria e egër dhe e gjatë. Mendoj, i kemi zhgënjyer edhe miqtë më besnik që kishim dhe kemi. Kjo nuk na falet në histori. Ndërtimi i xhamive politike dhe mbjellja e islamit politik armiqësor janë tragjike e ditëve tona. Akademia e Shkencave nuk reagon, institucionet nuk reagojnë. E çuditshme!

Nga pushtimi osman mbetemi nën pushtimin sllav po ashtu i egër e barbar ndaj shqiptarëve. Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve është i pa shembull në kontinent.  Fakti më dokumentuese është dokumenti  “Albanisches Golgotha” nga publicisti dhe shkrimtari austriak  Leo Freundlich”.  Thyerja e pushtimit sllav në trevat shqiptare nga Gjermania ishte hallka më e rëndësishme e shpëtimit shqiptar. Trevat shqiptare u bashkuan, u ringjallën shqiptarët, u ringjall lufta e tyre për të drejta. Erdhi komunizmi i cili e vazhdoi represionin duke e asimiluar, shthurur e shkatërruar elementin kombëtar në Maqedoni, Sanxhak, Malësi e Madhe, Kosovë, Kosovën Lindore.  Ky gjenocid shkatërrues i përmasave biblike ndaj arvanitaseve ndodhi e po ndodhë sot në Greqi.

GM: Cili ka qenë rrugëtimi historik i Kosovës, dhe cilat mendoni se janë disa nga ngjarjet më të rëndësishme që e kanë ndikuar formimin e saj si shtet?

HM: Kosova ka histori të vjetër, më shumë tragjike se sa të fitoreve. Nëse mendoni në historinë e re, Kosova ka arritur mrekulli. Ajo sot është e lirë dhe ndërton shoqërinë e saj me gjithë ato probleme që ka.

Për mua, momenti vendimtar i lirisë ka qenë lejimi i shkollave në gjuhën shqipe pas Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi.  Shkolla hapi dritaren e jetës. U themelua Universiteti i Kosovës, një ngjarje historike kombëtare. Aty u shkolluan, edukuan gjenerata të cilat e sollën lirinë e ëndërruar shekujve dhe ndërtojnë shoqërinë. Lufta për liri është e gjatë dhe shumëformësh, arma është e fundit.

Historia nuk shkruhet vetëm me plumb, por ka rrugën e saj dhe prapavijën e saj ku heronj janë njerëzit zemërmëdhenj, të mençur, të ditur, trima e vizionar. Me qindra e mijëra mësues e intelektual u torturuan burgjeve sllave. Ata përhapnin dijen e vërtetë rreth gjendjes ku ndodhej kombi. Atyre duhet ngritur lapidar kudo në çdo fshat, të paktën një gur me emrin e tij. Sot i kemi mundësitë, por mungon vlerësimi ndaj mësuesit, shkollës si institucion i dijes dhe edukimit kombëtar. Mësuesit janë frymëzuesit e heronjve dje, sot e nesër.

Në kontekstin  e shkrimit historik do ve¬çoja, sipas mendimit tim, dy elemente të një Etape: 1-Lëvizja Demokratike dhe Lindja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

GM: Sipas mendimit tuaj, cilat janë disa nga vlerat më përfaqësuese të shqiptarëve? Cilat tipare apo vlera mendoni se janë karakteristike për ne? Çfarë përfaqëson për ju kombi shqiptar?

HM: Karakterin e shqiptarit i pasur me virtyte të vlerësuara nga studiues etnolog, sociolog, antropolog etj. janë disa që e përcaktojnë madhërinë e kombi shekujve. Mendimi im është: solidariteti, trimëria, respekti, vlerësimi i mikut, mikpritja, besnikëria, sinqeriteti, urrejtja e gënjeshtrës dhe gënjeshtarit.  Këto virtyte me vlera do duhej të jenë pjesë e mësimeve edukative në shkollat shqiptare. Mjerisht, shumica e tyre virtyteve janë humbur dhe tani shqiptari del i pabesë, mashtrues, e pa edukuar, jo i sinqertë, arrogant etj. Shoqëria shqiptare kishte dhe ka probleme organizative brenda vetit. Kam përshtypje se jemi të fundit në kontinent si komb dhe shoqëri. Shtetet shqiptare duhet financuar shumë më shumë në arsim e kulturë, kjo mungon. Vlera më e madhe e kombit është rinia, nëse ajo nuk edukohet dhe arsimohet, s’ka ardhmëri.  Politika shqiptare ka dështuar dhe po dështon keq në planin arsimor e edukativ të rinisë.

GM: Po nga ana tjetër, cilat do të ishin disa antivlera ose aspekte për t’u parë në mënyrë kritike? Cilat janë disa sjellje ose mentalitete që, sipas jush, pengojnë zhvillimin e shoqërisë shqiptare?

HM: Shoqëria shqiptare është e shkapërderdhur gjithandej Gadishullit Ilirik dhe në botë. Mendoj se përgjegjësia në emancipim shoqëror në themele kombëtare bie mbi institucionet drejtuese të shteteve tona Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut. Arsimimi dhe edukimi është i dobët, jo efikas, jo i financuar, jo i organizuar brenda përgjegjësive morale e ligjore.  Andaj, shoqëria shqiptare karakterizohet me amoralitet të shtuar si asnjëherë më parë. Karakterizohet me influencë të theksuar nga dogmat religjioze të mbështetura nga strukturat armiqësore nga Serbia, Turqia, Irani dhe vendet arabe.  Po krijohet një mentalitet i dëmshëm përçarës fetar e kombëtar i shoqëruar me jo tolerancë dhe provokime të vazhdueshme.  Këto mentalitete të sëmura e pengojnë progresin modern siç e kërkon integrimi në Bashkimin Europian dhe strukturat e tij kulturore, financiare dhe edukative.  Shkollat tona janë akoma larg standardeve mësimore moderne ku konkurrohet me dituri në tregun e punës dhe menaxhimit të resurseve njerëzore të cilat i kemi fizikisht, por jo të afta dhe orientuara si duhet në konkurrim me të tjerët. Të rinjtë në mërgatë e tregojnë se aftësia e shqiptarëve është sikurse e të gjithëve, por mungon mundësia, ambienti i mundësive.

GM: Austria, atdheu juaj i dytë, ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm për shqiptarët në periudha të ndryshme historike. Cili do të ishte një përshkrim mirënjohës për Austrinë?

HM: Fan Stelian Noli thotë:  “ I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qënë Austria merhume e Habsburgëve. S’duhet t’ia hamë hakën. Ajo ka ditur si të sillet me shqiptarët e si t’ua fitonjë zëmrat. Jo, se Italia ka derdhur e po derdh miliona me tepër e prapë nuk ka zënë vent. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë. Ja arsyeja e parë dhe ja arësyeja e dytë: Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut.”  Është një konstatim gjenial i Nolit rreth Austrisë dje dhe sot.  Austria dje dhe sot është epiqendër e politikës në raport me shqiptarët.  Kam shkruar libër “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” (Në gjuhë art dhe kulturë), ku tregohet fuqishëm roli i Austrisë në shkollimin e shqiptarëve kur shqiptarët vuanin në errësirën e pushtimit të egër otoman. Aty shihet roli vendimtar i figurave madhore kombëtare të shkolluara në Austri. Austria ishte vendi që mbështeti pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës si asnjë vend tjetër.

Ishin shumë figura historike, deri në ministra që u shkolluan në Austri:  Hilë Mosi, Kristo Dako, Rexhep Mitrovica, Dr. Gjergj Pekmezi, Dr. Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N. Rrota, dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi, Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip si:  Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924 në Austri studionin 69 student shqiptarë. Më 23 mars të vitit 1917 austriakët duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emrohet Gasper Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë. Që në hapat e parë të jetës së Shqipërisë si shtet i pavarur u dërguan të rinj për studime në universitet austriake: Vjenë, Klagenfurt, Graz, Linz, Villah. Austria pati një rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare i mohuar shekujve nga pushtimi turk e pas tij pushtuesit serb. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.  Austro Hungaria mbështeti interesat kombëtare të shqiptarëve para se gjithash në fushën politike. (Nga libri im)

Personalisht, mua më ofroi strehim politik duke më trajtuar shumë mirë. Këtu gjeta atdheun e dytë i cili më ofroj jetë me dinjitet mua she familjes sime. Nga familja ime dolën intelektual të përmasave të kohës: Dr. Vlora Mehmeti, Mag. Qamile Mehmeti, Mag. Kreshnik Mehmeti, Mag. rer. nat. Hazir Mehmeti, Albana Mehmeti, pedagoge çerdhesh. Jam krenar me familjen time dhe 13 nipa e mbesa që kam.

Kam miq të shumtë në Austri pa të cilët nuk ka kuptim jeta këtu: Peter Paul Wiplinger, Johan Günther, Atiela Edner, Kemail Soglu...

Një grup i studentve nga disa qytete shqiptare shihen në foto. Nga e majta: Mendu Vrioni (Berat), Ahmet Duhanxhiu (Elbasan), Vasil (Elbasan). Ulur nga e majta: Sulejman Herri (Elbasan), Petër Ndria (Elbasan), Xhevat Daiu (Shkodër).

GM: Nga komuniteti shqiptar ndër shekuj në Austri, cilët janë disa nga emrat që do të dëshironit të veçonit?

HM: Shqiptarët në Austri erdhën para disa shekujve dhe gjetën një miqësi, natyrisht bazuar në interesa strategjike të dy kombeve.  Edhe pse larg Shqipërisë, dolën figura madhore në disa fusha që ne i njohim deri më tani. Them kështu pasi akoma nuk janë hulumtuar sa duhet dokumente që flasin mbi shqiptarët në Austro-Hungari dhe në ditët e Republikës së Austrisë. Nga dokumentet njihet se figurë madhore nga radhët austriake me rrënjë shqiptare ishte Gjergj Basta (Giorgio Basta) i cili u dallua si komandant i shkathët në luftë kundër armiqve. Ai renditet si figura madhore ushtarake në historinë e Austrisë para katër shekujve.  do lindin njerëz të kulturës, shkencës e artit ushtarak të njohur siç ishin: Gjergj Basta, Karl Gega, Aleksandër Moisiu. Dy figura gjeniale Karl Gega dhe Aleksandër Moisiu, janë urë lidhëse mes kombeve tona. Këtë e tha kryetari i Austrisë para dhjetë vitesh në pritje të kryetarit të Shqipërisë Alfred Moisiu, i cili i takonte familjes së aktorit tonë të madh.

Gjergj Basta ishte guvernator i Vjenës

Familja e tij rridhte nga fshati Bastja midis Sarandës dhe Butrintit. Nga paraardhësit e tij Gjoni dhe Andrea Basta ishin bashkëluftëtarë të Skënderbeut në Itali. Basta ishte kryekomandant i ushtrisë gjermane në Hungari, në malet e Ballkanit, në Transilvani kundër ushtrive osmane. Ishte njëri nga gjeneralët e Habsburgve, dinastia e  njohur në Europë.   Gjergj Basta ishte guvernator i Vjenës dhe është shqiptari për të cilin dihet përmes shkrimeve që ai la. 

Karl Gega u lind nga prindërit shqiptar në Venedik. Karli tregoi një dashuri të madhe për matematikë, më e madhe se për detin: Ishte inxhinier austriak i cili e ndërtoi hekurudhën e Simeringut, prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag.. Në moshën 17 vjeçare e arrin titullin, Doktor i Matematikës. Karl Gega radhitet ndër 100 “Austriaket me te mëdhenj” të të gjithë historisë se kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Terezes, Franz Josefit, Kafkes etj.

Aleksandër Moisiu

Në historinë e artit skenik botëror, Aleksandër  Moisiu la gjurmë me artin e tij. Ai kishte herë pas herë kontakte me studentë shqiptarë në Austri dhe ishte admirues i progresit kombëtar.  Aleksandër Moisiu është figurë e nderuar e kombit shqiptar. Emri i tij sot kujtohet si emër i shumë institucioneve të kulturës, shkolla, shoqata, rrugë në gjithë trevat shqiptare dhe në botë.

Në Austri vepruan figura madhore kombëtare ndër të cilët do veçuar: Dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Eqrem Çabej, Dervish Hima, Faik Konica, Jani Basho, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, Petro Nini Luarasi,  Dom Lazer Shantoja,  Dr.Frederik Shantoja, Rexhep Mitrovica, Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N. Rrota, Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi. Eqrem Vlora.  Që në hapat e parë të jetës së Shqipërisë si shtet i pavarur u dërguan të rinj për studime në universitet austriake: Vjenë, Klagenfurt, Graz, Linz, Villah.

Në shkrimet nga hulumtimet kam nxjerr shumë figura të njohura që kanë studiuar në Austri dhe që kanë bërë emër në disa fusha të jetës. Nga shqiptarë te vonë do veçoja në fushën e gjuhësisë, artit, kulturës do veçoja: Eqrem Zenelaj, Eno Peçi, Shkëlzen Doli, Ardita Statovci, Valbona Naku, Elona Kamberi, Astrit Alihajdari, Vlora Mehmeti, Fate Velaj, Gazmend Freitag, Ina Arapi,  Skender Gashi, Destan Gashi, Shkelzen Doli, Flaka Goranci etj. Vetëm në Vjenë studiojnë rreth dymijë e pesëqind shqiptarë në fusha të ndryshme. Sot shqiptarët i hasim të sistemuar dhe afirmuar në të gjitha poret e jetës në Austri. Pjesë e tyre jam edhe unë me botime hartime tekste, materiale mësimore dhe në shkrimet letrare artistike.  Austria është vend i mundësive të shumta. Në shenjë të respektit ndaj figurave madhore që studiuan dhe vepruan në Austri dhe kontributit të tyre në atdhe shekujve, kam hulumtuar disa vite dhe kam botuar librin “STUDIUES AUSTRIAKË DHE SHQIPTARË NË AUSTRI” (gjuhë, art dhe kulturë). Aty janë mbledhur 143 personalitete për të cilët ishte ditur pak.  Jam krenar që kam bërë që emrat e tyre mos të harrohen.

GM: Historia jonë kombëtare, megjithëse shpesh tragjike, ka qenë gjithashtu e lavdishme dhe e pasur me figura frymëzuese. Cilat janë disa nga figurat historike shqiptare që ju kanë frymëzuar më shumë, dhe pse?

HM:  Kombi i lashtë i dha botës figura madhore. U dha shumë vendeve drejtues të zgjuar dhe përparimtarë. Pushtimi turk pesë shekullor shkatërroi shumë kombin tonë materialisht, fizikisht dhe ekstrem e shkatërroi shpirtërisht. Turqisë i dha kombi shqiptarë inxhinier, dijetar e drejtues shteti të njohur duke e zgjeruar dhe forcuar pushtimin osman të shumë vendeve. Këta drejtues e shkatërruan Shqipërinë më shumë se vet turqit. Përjashtim këtu bënë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i cili e mundi perandorin armike osmane për 25 vite. Por, pas vdekjes së tij asgjësimi i çdo gjëje shqiptare ishte mizor.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mbetet frymëzuesi im i pa krahasuar. Pas tij në rrethin tim me jetë të kufizuar në robëri, më ka frymëzuar shumë Azem Bejtë Galica. Edhe pse ishte i ndaluar emri i tij, e këndonim kudo, dëgjoja tregime për trimëritë e tij dhe gruas së tij, Heroinës,  Shote Galica. Në kullën ku linda dhe u rrita kishin qëndruar shumë herë kur gjendeshin në kushte të vështira. Gjyshja ime, Nëna Qamë, tregonte për Shotën me të cilën kishin ndenjur në shtëpinë ku gatuanin, tregonte ngjarje që i dëgjonim gojëhapur. Gjyshja tregonte për vëllain e saj Rifat Bajsken, shok i Azem Galices. Në odë bisedohej për lidhjet që kishte stërgjyshi im Islam Beçiqi si kaçak me grupet kaçake në Shalë e Drenicë i cili ia kthen pushkën kolonëve serb që hyjnë në tokën e tij duke e vrarë mbi plug. E fundit që e tregonte gjyshja ishte momenti kur ia lidhë Azem Bejtës plagët me 15 korrik 1924. Nga këto plagë, pas një jave vdes Kryetrimi Azem Galica, xhamadanin e tij Nëna Qamë e ruan në arkë mbi 40 vjet në fshehtësi të madhe për shkak të rrezikut.  Pas njohurive që morëm rreth figurave historike kombëtare në Shkollën Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, Hasan Prishtina u bë frymëzuesi im. Profesori i gjuhës shqipe Xhemajl Pllana, ishte ndikues i fuqishëm i imi. Ai për mua, është mësimdhënësi jetësor.  Në Universitet Prof. Dr. Dervish Rozhaja ishte emër i nderuar prej shkencëtari dhe dijetari.  Jam rritur në rrethana jetësore ekstreme nga rrethanat e fshatit malor drenicas deri në Vjenën e kulturës dhe historisë evropiane. Në kohën e pjekurisë sime lexova mbi jetën dhe veprën e

GM: Nëse flasim si gjak, ne jemi një, por nëse flasim në baza fetare, ne jemi disa. Cilat mendoni se janë disa pika që ndihmojnë në hijezimin e të dytës dhe ndriçimin e të parës?

HM: Në historinë tonë shekullore patëm sfida të mëdha si asnjë popull i vjetër në Gadishullin Ilirik.  Gjaku i arbrit u flakërua me lavdinë e luftërave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Një gjenezë gjaku që nga Aleksandri i Madh dhe Pirro i Epririt. Gjaku e gjuha e lashtë pellazgjishte u trashëgua shekujve deri në ditët e sodit. Religjionet janë të vona krahasuar me gjakun dhe gjuhën e shqiptarëve.  Shqiptarët u identifikuan gjithmonë me gjakun e tyre shqiptar dhe gjuhën shqipe.  Armiqtë e ardhur nga Azia e dëmtuan shumë fenë e parë të shqiptarëve, ndër të parët në Evropë që pranuan krishterimin dhe e zhvilluan atë, ashtu siç zhvillohej me elemente të traditës shqiptare. Perandoria Osmane ishte e egër dhe e shkatërroi në të gjitha format e krishterimit, gjuhën dhe traditën shqiptare. Nuk lejoi mësimin shqip as shkrim lexim shqip. Asnjëherë feja nuk vu si identifikuese mbi gjuhën dhe gjakun shqiptar. Tani elemente fashiste islamike të mbështetura nga armiqtë  tanë shekullor: turk, rus e serb e venë fenë para kombit dhe identifikohen si arab, turq dhe jo si shqiptarë. Këta element armiku janë ngjizje e vjetër turke dhe tani janë rrezik për rrugën e progresit kombëtar dhe integrimin në rrjedhat civilizuese euro-atlantike.  Dardania e lashtë dhe e re do ta gjejë rrugën e saj, do të ndriçojë përjetësisht.

GM: Lidhja juaj me atdheun është e dukshme në çdo aktivitet që bëni, por do të ishte interesante një përshkrim i Kosovës nga perspektiva e një vizitori?

HM:  Atdheu është brumi i trupit dhe gatimi shpirtëror i ynë si komb. Aty përjetuam gëzimet e para, hapat  e parë, këngët e lojërat e para. Andaj, Atdheu është i shenjtë kudo e kurdo.  Sot Kosova është e lirë, po përparon shpejtë, përkundër problemeve që kemi. Nisur nga miqtë dhe orientimi ynë perëndimor, s’ka kush e ndalë integrimin e vendit në familjen europiane, aty ku e deshën rilindësit tanë të mëdhenj.  Jam i gatshëm të jap nga përvoja ime si mësimdhënës dhe autor i disa librave në Atdhe, por kjo nuk u kërkua. Akoma kam mundësi edhe pse jam në pension.   Jam i bindur se rrymat armiqësore dogmatike islame të mbështetura nga Turqia, Serbia dhe Rusia nuk do mund ta ndalin hapin e Kosovës, por do ta ngadalësojnë ca.  Aktualisht shoqëria kosovare është ca kaotike deri anarkike në funksionim. Kjo më shqetëson shumë sapo arrij në Kosovë.

GM: Sipas jush, cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot kombi shqiptar?

HM:  Mendoj se ka disa probleme që e sfidojnë funksionimin e shoqërisë shqiptare në Kosovë e Shqipëri. E para: mosfunksionimi i ligjit. E dyta: Korrupisoni dhe amoraliteti i thellë si normë sjellje e cila gati duket normale. Kjo është tragjike.

GM: A ndiheni optimist për të ardhmen e shqiptarëve si një komb i bashkuar?

HM: Jam i bindur se kombi ynë do bashkohet. Kjo është porosi shekullore e gjakut të derdhur, porosi e rilindësve tanë e ngulitur në shpirtin shqiptar. Ka pengesa nga politika mashtruese e drejtuar nga analfabetët dhe tradhtarët e rinj në qeveritë tona. Ata do munden nga qytetari shqiptar i brumosur me idealet e lirisë dhe bashkimit. Kombi ynë u nda padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, por edhe ne kemi mëkatet tona që nuk falen. Andaj, bashkimi s’ka alternativë.

GM: Cili do të ishte mesazhi juaj për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike dhe, veçanërisht, për ata në diasporë?

H.M.  Mesazhi im është ai i rilindësve tanë: “Atdheu duhet me vepra, jo me fjalë” – siç na porositë Sami Frashëri. Kudo që shqiptarët jetojnë ta mësojnë e përparojnë gjuhën shqipe, të  lexojnë shumë për të kaluarën e kombit. Dija është forca më e madhe e kombit, kjo duhet forcuar në shkollat tona, në familje, shoqata e klube kudo që ndodhën.  Shembulli më i duhur është kombi Ebre, ne na duhet mësuar prej tij. Kemi fuqi njerëzore në gjithë globin, por duhet Dija dhe vlerësimi i vetvetes, dashuri më shumë. Ashtu siç na porositë Shën Tereza: “Dashuria do ta shpëton botën” dhe Gjergj Kastrioti- Skëndërbeu: “Qëndroni të bashkuar, kështu do fitoni edhe pa mua”.

Respekt për Ju, Gëzim Marku dhe Zemra Shqiptare! Jam me JU!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (XI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (X) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IX) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (II)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx