Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau
E diele, 07.12.2025, 01:00 PM

INTERVISTË ME KËNGËTAREN E MIRËNJOHUR VIOLA SHQAU
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Këngëtarja e mirënjohur Viola Shqau lindi në fshatin Benë, në rrethin e Shllakut, në një familje ku muzika dhe folklori ishin pjesë e përditshme e jetës. Ajo njihet për interpretimin e këngëve popullore dhe folklorike të zonave veriore të Shqipërisë, veçanërisht të Shllakut dhe Malësisë, duke përfshirë këngë historike, lirike, sociale dhe humoristike. Performancat e saj në festivale dhe aktivitete kulturore janë vlerësuar për muzikalitetin e zërit dhe ritmikën e interpretimit. Muzika e saj luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e folklorit shqiptar dhe promovimin e identitetit kombëtar.
Intervista ekskluzive për Zemra Shqiptare ofron një portret emocional të artistes, e cila rikthehet te kujtimet e fëmijërisë dhe lidhja e hershme me Benën – vendi ku lind pasioni i saj për këngën dhe traditën. Viola tregon sesi muzika u bë pjesë e pandashme e jetës së saj, e frymëzuar nga familja, odat e moçme dhe shembujt e artistëve të brezave të mëparshëm.
Në këtë bisedë ajo ndan sfidat e fillimit të karrierës dhe këmbënguljen që e çoi drejt suksesit të parë, me këngë që u bënë pjesë e repertorit popullor. Viola flet për festivalet ku ka marrë pjesë, emocionet në skenë dhe lidhjen e ngrohtë me publikun, veçanërisht në dasma dhe festa, ku muzika shndërrohet në një urë bashkimi mes njerëzve.
Intervista trajton edhe bashkëpunimet me kompozitorë, tekstshkrues dhe këngëtarë të njohur, duke theksuar ato ku frymëzimi artistik shkrihet me motivet kombëtare. Ajo rrëfen këngët e saj më të dashura, gjendjen e muzikës shqiptare sot dhe artistët që sipas saj arrijnë nivelin më të lartë.
Viola ndalet te roli i familjes në formimin e saj si njeri dhe artiste, duke theksuar se mbështetja dhe vlerat e trashëguara kanë qenë themeli i rrugëtimit të saj. Në dimensionin shoqëror dhe kombëtar, ajo diskuton rëndësinë e traditës shqiptare në nderimin e heronjve dhe mënyrën si lindën këngë si ajo për Gjergj Kastriotin dhe “Xhubleta Ilirjane”, të cilat i sheh si forma arti me mision të qartë për ruajtjen e trashëgimisë.
Biseda prek gjithashtu çështje sociale, si emigrimi, sfidat e Shllakut, mungesën e investimeve shtetërore dhe të drejtat e grave. Viola flet për aktivitetet e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” dhe Shoqërisë Kulturore “Illyricum”, ku kontribuon për ruajtjen e identitetit kulturor, si dhe për preferencat e saj letrare.
Intervista mbyllet me dimensionin personal të artistes: kohën e lirë, këshillat për të rinjtë që duan të ndjekin muzikën tradicionale dhe projektet aktuale, duke lënë të kuptohet se rrugëtimi i saj artistik mbetet i gjallë, i mbushur me pasion dhe i udhëhequr nga misioni për të ruajtur dhe promovuar kulturën shqiptare.

GM: Cilat janë kujtimet
më të veçanta që ju rikthejnë te Bena e ditëve të fëmijërisë?
VSH:
Ehh, kam shumë mall për Benën time dhe nostalgji për fëmijërinë naive, për
lojrat e bukura e të thjeshta që natyra na rezervonte, për vizitat e shumta që
bëheshin në raste festash, për dasmat e gostat tradicionale…! Kishim pak, por
ishim të lumtur.
GM: Kur dhe në çfarë
rrethanash e ndjetë se rruga juaj në jetë dhe arti i muzikës do të ecnin
paralelisht?
VSH:
Këtë e kuptova pak vonë, jo që në fillimet e mia. Isha shumë e vogël kur
fillova rrugën e artit, por ashtu, pa kuptuar dhe pa i dhënë shumë rëndësi.
Isha në klasën e V, kur shkolla jonë do të konkuronte në Shkodër. Nga ky
moment, fillova të mendoj dhe të vlerësoj më shumë atë që Zoti më kishte
dhuruar: zërin.
GM: Në momentet e para
të karrierës suaj, kush ka qenë burimi kryesor i frymëzimit dhe motivimit tuaj?
VSH:
Unë jam rritur në një familje ku këndohej çdo natë! Prindërit e mi të ndjerë
këndonin të dy. Pra, ata ishin frymëzimi dhe motivimi kryesor, pastaj shkolla,
që kishte shumë aktivitete.
GM: Si e përshkruani
fillimin e karrierës suaj? Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha?
VSH:
Fillimet e mia kanë qenë që në vogli, siç e thash më lart, pa vështirësi. Duke
u rritur, filluan sfidat: mentaliteti, konkurenca.
GM: Cilat momente të
veçanta ose këngë do të thoshit se shënuan suksesin tuaj të parë?
VSH:
Momenti më i veçantë ka qenë konkurimi për në Festivalin Folklorik Kombëtar të
Gjirokastrës, ku këndova tre këngë si soliste dhe u shoqërova me duartrokitje
gjatë gjithë performancës! Juria më përzgjodhi të përfaqësoja Shllakun në atë
event të rëndësishëm kombëtar.
Kënga
më e veçantë dhe që shënoi suksesin ishte kënga e "Spikut".
GM: Keni marrë pjesë në
shumë festivale dhe ngjarje muzikore. Cilat prej tyre ju kanë lënë mbresa më të
mëdha?
VSH:
Padyshim, mbresat më të mëdha më kanë lënë Festivali Folklorik Kombëtar i
Gjirokastrës, Festivali Folklorik i Diasporës në Vitojë, dhe Java Kulturore
Shkodrane në Ferizaj…

GM: Me këngën tuaj jeni
e pranishme në dasma dhe festa. Si do ta përshkruanit ndjesinë që kjo ju sjell
dhe lidhjen që krijoni me njerëzit përmes muzikës suaj?
VSH:
Prezencat në dasma e festa familjare kanë shumë, shumë emocion, sepse bëhesh
pjesë e tyre, krijon një lidhje të veçantë me familjarët dhe me çiftin.
Performon vargje të dedikuara spontanisht.
GM: Gjatë bashkëpunimeve
tuaja me këngëtarë, kompozitorë dhe tekstshkrues të ndryshëm, cilat do t’i
konsideronit si më të veçantat deri tani?
VSH:
Kam pasur shumë bashkëpunime gjatë karrierës sime. Nuk dua të veçoj dikë, sepse
janë shumë dhe nuk dua të ketë hatërmbetje! Të gjitha bashkëpunimet janë
mirëpritur nga publiku.
GM: Cilat nga këngët
tuaja do t’i vlerësonit si më të dashurat dhe më përfaqësueset në repertorin
tuaj?

VSH:
Padyshim që më të dashurat janë dedikimet që u kam bërë vajzave të mia në ditën
e martesës, "Ndryshoi bota", "Na vun fjal pa ba kurrgja",
"Me ty s'ban e pa ty s'muj"...! Më përfaqësueset janë këngët kushtuar
Heroit tonë Kombëtar, "Gjergj Kastrioti", si dhe "Nuse pa
dasmorë" dhe "Amaneti i nanës"...
GM: Si do ta
përshkruanit gjendjen e muzikës shqiptare sot, në mënyrë të përgjithshme?
VSH:
Më vjen keq për shprehjen që më vjen në mend në përgjigje të pyetjes suaj, por
kjo është: – Si shpi pa dyer e pa dritare! Hyn e del gjithkush, pa kontroll, pa
vlerësim!
GM: Cilët këngëtarë
mendoni se pasqyrojnë më së miri nivelin e lartë të muzikës sonë?
VSH:
Dua të veçoj disa ikona të pavdekshme, me të cilat mbarë shqiptaria krenohet:
Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Sali Mani, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa, Saje
Poleshi… Nga këngëtarët e ditëve të sotme nuk do të përmend asnjë. Do të doja
t’u thoja: qëndroni në muzikën e pastër, burimore.
GM: Ne, shqiptarët, jemi
ndoshta një ndër kombet e rralla që kujtojnë dhe nderojnë heronjtë e tyre
përmes këngëve, pa harruar edhe artet e tjera. Cila është përshtypja juaj për
këtë traditë kaq pozitive?
VSH:
Kjo gjë është shumë pozitive! Kemi detyrë të pasojmë këtë traditë në breza!
Heronjët duhen nderuar nëpërmjet këngës, pikturës, skulpturës… Ata dhanë çdo
gjë në të mirë të kombit!

GM: Kënga për Gjergj
Kastriotin është një ndër më të veçantat e muzikës shqiptare, ku përveç
interpretimit të mrekullueshëm, përbën edhe një reagim kundër shqipfolësve
pushtim-dashës. Si lindi kjo këngë?
VSH:
Këtë këngë e ka shkruar kantautori Fran Kodra për Natën Tradicionale të Trevës
së Dukagjinit! Kur më prezantoi disa tekste, menjëherë zgjodha këtë këngë,
ngaqë kisha një revoltë të brendshme ndaj shqipfolësve që mohonin këtë hero, të
cilin e njeh bota për trimërinë dhe zgjuarsinë e tij!

GM: Çfarë ju frymëzoi të
këndoni ‘Xhubletën Ilirjane’ dhe si e përjetoni rolin tuaj në ruajtjen dhe
promovimin e kësaj trashëgimie të çmuar kombëtare?
VSH:
Unë jam rritur me xhubleten e nënës dhe gjyshes! Jam krenuar me këtë veshje në
kompeticione të ndryshme ku kam marrë pjesë! Kjo këngë u lançua para se të
hynte në UNESCO. Prita të merrja ndonjë ftesë në të gjithë aktivitetet që u
organizuan pasi xhubleta hyri në UNESCO, por, fatkeqësisht, asnjëherë nuk e
mora! U krijuan këngë brenda ditës për t’u përshëndetur në këto organizime,
sepse duhej të suportoheshin të vetët.

GM: Ndër të tjera, në
këngën tuaj ‘Çou Prishtinë e çou Tiranë’ thuhet: “Na kërkojmë bashkimin,
shqiptarët po largohen”, duke iu referuar emigrimit masiv të shqiptarëve. Sot,
pas rreth nëntë vitesh, si e shihni këtë problem dhe a do të kishit një mesazh
për politikanët apo për emigrantët?
VSH:
Fatkeqësisht, kjo është realitet edhe sot! Përditë largohen rinia! Shqipëria po
shkon drejt plakjes! Mesazhi im për politikën është ky: krijoni kushte, siguri
dhe vende pune për rininë! Po të vazhdoni kështu, do të vijë dita që nuk do të
jeni më të nevojshëm! Nuk do të keni kë të drejtoni!
Mesazhi për rininë është: "Ngrini zërin për të drejtat tuaja dhe për të mirën e Atdheut! Mos u dorëzoni! Vendi i huaj s’bëhet i joti! Gjithmonë i huaj mbetesh; as trupi, as shpirti nuk ka qetësi.

GM: Krahina e Shllakut,
edhe pse me një popullsi relativisht të vogël, ka një trashëgimi të pasur
kulturore dhe historike. Figura të rëndësishme nga fusha të ndryshme të jetës
kanë kontribuar për Shkodrën dhe për kombin tonë. Cilat prej këtyre figurave do
t’i veçonit?
VSH:
Krahinës së Shllakut i ka dhënë Zoti natyrë përrallore e njerëz të
mrekullueshëm! Një krahinë e varfër nga ekonomia, por e pasur në kulturë e
tradita, etnografi, besë e burrni! Shllakun e bëjnë krenarë bijtë e bijat e tij
intelektuale, klerike, të artit, kulturës, sportit, biznesit…
Do
veçoj D. Bernardin Palaj, P. Gjon Shllaku, Hil Mosi, Marije Shllaku, Martin
Camaj, Kushe Mici…

GM: Ndoshta duhet të
përdorim një mikroskop për të gjetur ndonjë investim qeveritar në Shllak, zonë
që duket se është anashkaluar. Cili është mendimi juaj mbi këtë çështje?
VSH:
Fatkeqësisht, këto 35 vitet e fundit Shllaku është lënë në harresë totale nga
politika shqiptare! Shllaku, që kishte çerdhe, kopshte, shkolla fillore, qendra
shëndetësore në çdo fshat, shkollë të mesme, shtëpi kulture, spital në Log
Gegaj… sot ka vetëm 2-3 shkolla fillore me klasa kolektive, ku mësojnë 3-4
nxënës.
GM: Cilat janë sfidat më
të mëdha që hasni si mësuese, dhe si e shihni aktualitetin e arsimit sot?
VSH:
Momentalisht nuk e ushtroj këtë profesion, por do të përgjigjem shkurtimisht:
Autoriteti i mësuesit ka rënë dëshpërimisht, dhe pasojat po shihen dita-ditës!
GM: Si e shihni gjendjen
e të drejtave të grave në Shqipëri? Cilat janë sfidat kryesore që gratë hasin
dhe, si artiste, çfarë do të propozonit për t’i përmirësuar ato?
VSH:
Në Shqipëri, sidomos në zonat rurale dhe jo vetëm, gruaja vazhdon të shihet si
objekt që mund ta përdorësh kur të nevojitet, si makinë që mund ta drejtosh, si
thes boksi për të shfryrë dufin… dhe kjo vjen si pasojë e mentalitetit
patriarkal që ekziston akoma!
Propozimi
im është, së pari, të zbatohet ligji në mbrojtje të tyre, sepse ekziston! Së
dyti, të krijohen qendra formimi me kurse të ndryshme profesionale dhe të
punësohen, që të jenë të pavarura ekonomikisht.

GM: Si anëtare e
Kryesisë së Shoqatës Atdhetare ‘Dukagjini’, mund të na tregoni cilat janë
aktivitetet kryesore të saj?
VSH:
Në kryesinë e SHAD mbuloj degën e artit! Aktivitetet kryesisht fokusohen në
promovimin e të rinjve, në vlerësimin dhe rëndësinë e gruas në shoqëri, në
ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave kulturore tradicionale, në bashkëpunim dhe
bashkëveprim me shoqatat simotra në Kosovë e Mal të Zi.
GM: Jeni e angazhuar
edhe pranë Shoqërisë Kulturore ‘Illyricum’. Mund të na tregoni cilat janë
aktivitetet kryesore të saj dhe si kontribuon kjo shoqëri në ruajtjen e
kulturës dhe traditës shqiptare?
VSH:
Shoqëria "Illyricum" ka qenë për mua si një shkollë, ku kam mësuar se
ç'është arti i vërtetë! Prova intensive, ku çdo material interpretohej live.
Aktivitetet kryesore janë veprimtaritë artistike brenda dhe jashtë kufijve:
koncerte, komedi, drama.
GM: Kush janë
shkrimtarët dhe poetët tuaj të preferuar?
VSH:
Do të përmend disa nga shkrimtarët dhe poetët e mi të preferuar: Migjeni, Atë
Gjergj Fishta, Atë Benardin Palaj, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Petro Marko…
GM: Përveç muzikës dhe
letërsisë, cilat janë artet që ju tërheqin më shumë?
VSH:
Përveç muzikës dhe letërsisë, më pëlqen shumë edhe teatri, ku kam pasur fatin
të performoj me shoqërinë Illyricum në disa role.
GM: Një pjesë e figurave
kryesore të kombit kanë gjetur vend në repertorin tuaj. Cilat janë disa nga
personalitetet që vlerësoni më shumë?
VSH:
Figurat kryesore që na bëjnë krenarë janë: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shën
Nënë Tereza, Ismail Qemali, Atë Gjergj Fishta, Vëllezërit Frashëri…

GM: Si do ta përshkruaje
familjen tënde dhe çfarë ka qenë më e rëndësishme për ju në marrëdhëniet
familjare?
VSH:
Familja është e shenjtë dhe vjen para së gjithash! Jam bashkëshorte e një
intelektuali dhe nëna e katër fëmijëve: një djalë dhe tri vajza! Falënderoj Zotin
dhe jam krenare me fëmijët e mi! Për mua ka shumë rëndësi komunikimi, qetësia
dhe dashuria, duke ua treguar me vepra. Unë ashtu kam vepruar sepse ashtu e
ndjeja dhe jam ndjerë gjithmonë e vlerësuar dhe e respektuar nga fëmijët e mi.
Për
më shumë se një dekadë e kam lënë mënjanë këngën dhe jam përkushtuar totalisht
rritjes, edukimit dhe shkollimit të fëmijëve! Sot fëmijët kanë jetën e tyre. I
kam larg, kam mall, por ky është fati i shumë familjeve shqiptare.
GM: Çfarë ju pëlqen të
bëni në kohën tuaj të lirë?
VSH:
Në kohën e lirë më pëlqen të ec në natyrë. Më frymëzon shumë! Mundohem të gjej
kohë për ta bërë sa më shpesh.
GM: Cilat këshilla do
t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin rrugën e muzikës tradicionale
shqiptare?
VSH:
Këshilla ime për të rinjtë është që të ruajnë të pastër muzikën tradicionale
dhe mos të humbin identitetin duke shkuar pas tallavasë!
GM: Cili është projekti
juaj aktual dhe çfarë mund të presim nga projektet tuaja muzikore në të
ardhmen?
VSH:
Projekti im aktual është një këngë kushtuar shenjtores sonë Nënë Tereza! Shumë
shpejt do të lançohet! Kam edhe 2-3 materiale të tjera që janë duete.
Viola Shqau në:
YouTube:
https://www.youtube.com/@ViolaShqauOfficial
Facebook: https://www.facebook.com/viola.shqau
Instagram:
https://www.instagram.com/viola_shqau_official
Tik Tok:
https://www.tiktok.com/@violashqau










