Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III)
E enjte, 25.12.2025, 05:00 PM

INTERVISTË ME PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU (III)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM
MARKU
Në
pjesën e tretë të intervistës me Prof. Xhemaledin Salihun, biseda kalon në një
rrafsh sa emocional, aq edhe historik. Ky kapitull i kushtohet përpjekjeve të
tij të pareshtura për kultivimin e lidhjeve kulturore mbarëshqiptare dhe
dokumentimin e thesareve të trashëgimisë sonë në Luginën e Preshevës.
Fillimisht,
profesori ndan me ne kujtimet e pashlyeshme të viteve '70-'80, duke ndaluar te
vizita e tij e parë në Shqipërinë e asaj kohe dhe pritja emocionuese e grupeve
kulturore nga Shkodra e Kukësi në Preshevë—ngjarje që thyen barierat e kohës
dhe forcuan ndjenjën kombëtare.
Më
tej, intervista pasqyron kontributin e tij disavjeçar në krye të Bibliotekës së
Qytetit “Mehmet Jusufi”, ku ai veçon inovacionet dhe projektet që e shndërruan
këtë institucion në një vatër të dijes. Një vend qendror zë edhe themelimi i
Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, si dhe organizimi i
konferencave shkencore, përmes të cilave Prof. Salihu ka dhënë një ndihmë
jetike në ndriçimin e historisë dhe vlerave kulturore të kësaj treve.
GM: Si e përjetuat
ardhjen e grupeve kulturore nga Shkodra dhe Kukësi në Preshevë në vitin 1980,
në një periudhë kur Shqipëria ishte komuniste, dhe cilat emocione ose mbresa ju
kanë mbetur më të forta nga këto vizita?
XHS:
Më 1980, në Preshevë, pas vizitës në Kosovë erdhi Grupi i Këngëtarëve të Radio
Shkodrës, me të cilët kaluam shumë mirë dhe ata dhanë një koncert të muzikës popullore shqiptare, të kënduara
nga Bik Ndoja, Violeta Gjergji, Violeta Zefi e tjerë. Pastaj për vizitë në
Preshevë erdhi Ansambli “Kuksi i Ri” i Kuksit, me të cilin nuk u ndam aq mirë,
jo për cilësinë e programit kulturor artistik të Anasamblit, por me kërkesat e
tyre jo popullore në Preshevë, ku kërkuan heqjen e fotografisë së Titos në
shkollën fillore të Preshevës dhe në darkën në Monopolin e Duhanit në Preshevë.
Më vonë, po të njëjtin vit erdhi Teatri Popullor “Migjeni” i Shkodës, me të cilin teatër kaluam shumë
mirë, jo vetëm për cilësinë e shfaqjes teatrale “Baca i Gjetajve”, ku rolin
kryesor të Bacit e luajti Ndrek Lucaj i Madh, por me nderimet e ndërsjellta dhe
respektimin e realitetit të dy shteteve, të mirëbesimit vëllazëror. Sigurisht
se këtu luajti rolin kryesor drejtori i Teatrit Isa Alibali dhe trupa
intelektuale e Teatrit. Për këtë shkroi edhe Isa Alibali në librin e tij:
Rrënjë dashurie, Shkodranët për Kosovën”
Më
12 qershor 1980, në orën 16 dhe 19, në sallën e madhe të Shtëpisë së kulturës
“A. Krashnica” në Preshevë, Teatri Popullor “Migjeni” nga Shkodra shfaqi dramën
“Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, në regji të Serafin Fanko. Shfaqjet u
mirëpritën, sa që në të dy shfaqjet, shikuesit e mbushën përplot sallën. Citat
nga libri:
“Një
ditë e nxehtë qershori. Të dy autobusët tanë rrëshqasin në rrugën e shtruar
drejt Preshevës. Është hera e parë që një grup artistik nga Shqipëria i
drejtohet këtij qyteti.
Zbresim
përpara pallatit të kulturës. Na presin vajza të reja me karanfila në dorë dhe
i vendosin në gjoksin e secilit prej nesh. Pastaj pritja nga autoritetet
shqiptare të Preshevës. Ngrohtësi e jashtëzakonshme. Njohje shumë e shpejtë,
sikur të ishim miq të vjetër. Në krye të këtij organizimi miku ynë Xhemaledini…
Isa
Alibali vazhdon:
“Në
shfaqjen e dytë, ndodhi një ngjarje jo e zakonshme. Kur në fund të shfaqjes
aktorët dalin për të përshëndetur spektatorët entuziastë, një plak, me hap të
ngadaltë i ngjitet skenës, i mbajtur nga dy nipat e vet. i afrohet Ndrekë
Lucës, i heq qeleshen nga koka dhe i vë të veten. Salla nuk përmbahet më.
Duartrokitjet e fuqishme, të cilat u shtuan tepër nga shpërthimet e
papërmbaj¬tshme, u dukën si një shpërthim i shpirtit të kombit tonë.
Plaku
nuk lëvizi nga skena. Ishte bërë pjesë e trupës së teatrit, si të ishte një nga
aktorët më të vjetër. Herë pas herë i fryhej gjoksi dhe dukej se donte të
shfrynte diçka që e kishte mbërthyer të tërin.
Të
gjitha shfaqjet e tjera Ndreka i bëri me qeleshen, që i dhuroi plaku patriot
nga Presheva.
E
ruajti përgjithnjë këtë relikt të rrallë.
Kur
në vitin 1994 i ra infarkti i dytë, para se të ndahej prej nesh, porositi të
shoqen dhe të birin që ta varrosin me atë qeleshe, të dhuruar aq bujarisht dhe
aq solemnisht nga vëllezërit e një gjaku.
Amaneti
u zbatua. Ndrekë Luca u nda nga jeta me qeleshen e plakut nga Presheva, për ta
ruajtur e për ta mbajtur pranë vetes përjetësisht.”
GM: Në vitin 1979 vizituat Shqipërinë. Si e kishit imagjinuar vendin para vizitës dhe si e gjetët kur arritët atje?
XHS:
Më 1979 grupi i drejtorëve të arsimit dhe kulturës të komunës së Preshevës dhe
të Bujanovcit ishim për vizitë në Shqipëri. Unë nuk kisha ndonjë paragjykim
lidhur me Shqipërinë.
Më
20.07. 1979 u nisëm për Shqipëri, në orën 6 të mëngjesit nga Presheva. Kufirin
jugosllav e kaluam dhe në kufirin shqiptar na pritën shumë mirë dy shoqëruesit
tanë gjatë gjithë vizitës në Shqipëri, z. Edip Agolli, një hendbollist i
Kombëtares shqiptare dhe z. Neziri.
Së
pari e vizituam Korçën, pastaj fshatin Drenova, vendlindjen e Asdrenit, nga aty
shkuam në Pogradec dhe u vendosën në hotelin “Guri i Kuq”, ku u njoftova me
drejtorin e turizmit Astrit Çollakun, i cili na bëri shumë lëshime muzikore
deri në orën 24 e më shumë, ndërsa ishte e kufizuar deri në orën 22. Na këndoi
edhe këngëtarja e njohur Violeta Zefi, e cila më 1980 erdhi me Grupin e
Këngëtarëve të Radio Shkodrës në Preshevë. Në Pogradec ishin netët plotë muzikë
dhe valle nga mikpritja e drejtorit, i cili më thonte se përshkak të lëshimeve
ndaj grupit tonë deri vonë për muzikën, por edhe në përzgjedhjen e ushqimit e
tjerë, nesër duhet lajmërohet në Parti dhe e detyrohet ta bëjë një autokritikë
për t’u fashitur puna. Mirëpo, ai nuk kishte brenga, sepse ishte nga nga një familje patriotësh dhe në mesin e
familjes kishte hero dhe dëshmorë, andaj edhe veproi kështu me grupin tonë.
Vizituam
Elabasanin, Beratin, Fierin, Vlorën e Pavarsisë dhe të Ismajl Qemalit, Krujën
Legjendare, Shkodrën, atëherë Metropol e kulturës shqiptare. U vendosëm në
hotelin “Rozafa”. Aty u njoftova me z. Isa Alibalin, drejtor i Teatrit Popullor
“Migjeni” të Shkodrës, i cili në bisedë e sipër na pyeti se për mbrëmje çfarë
do të dëshironim që mikpritësit të na organizojnë. E deklaruam se kënaqësi e
madhe do t’ishte sikur të na organizohet një mbrëmje me këngë popullore
shkodrane. Ashtu edhe ndodhi, në mbrëmje na kënduan: Bik Ndoja, artist i
Merituar, Florinda Gjergji dhe ajo Preni, Shyqyri Alushi, Violeta Zefi. Kaluam
një mbrëmje të shkëlqyeshme në hotelin “Rozafa” të Shkodrës me mikpritësat.
Në
fund të vizitës shkuam në Tiranë dhe kështu e mbaruam një vizitë të shkëlqyeshme,
kënaqësia ishte e madhe, sepse për herë të parë isha në Shqipëri dhe më doli se
kultura, arsimi, shëndetësia, bujqësia ishin në nivel të mirë. E kuptueshme se
kishte edhe varfëri dhe dallime sociale. Për këtë u vërtetova në kushtet
familjare të tezeve të nënës time, njëra në Tiranë, ku ishin kushtet më të mira
dhe tjetra në Qerret/fshat/, ku kushtet jetësore ishin më të vështira.
Më
1982 më thirrën në polici për informatë lidhur me këtë vizitë. Aty më akuzuan se
paskam vallëzuar vallën e Enver Hoxhës, edhepse paskanë insistuar disa prej
grupës që të dal nga vallja, paskam refuzuar. Poashtu u interesuan për personat
që kënduan dhe mbajtën fjalime. Sipas mendimit tim, ata i dinin në detaje të
gjitha lëvizjet tona në Shqipëri, sa që dyshova, se mos e kam spiunuar
vetveten.
Edhe
më nuk ishim takuar me Isa Alibalin, mirëpo më vonë në Prishtinë, miku im i
ndjer Isa Alibali promovoi librin
“Rrënjë dashurie” dhe aty u takuam pas shumë viteve. Takimi ishte përmallim i
madh, shkëmbyem shumë kujtime të mira nga vizita në Shqipëri dhe vizita e
Teatrit të Shkodrës në Preshevë.
GM: Gjatë përvojës suaj
shumëvjeçare si shef i Bibliotekës së Qytetit ‘Mehmet Jusufi’ në Preshevë,
cilat inovacione, projekte ose arritje konkrete do të veçonit si më të
rëndësishmet?
XHS:
Nga viti 1984, radhitem shef i Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në
Preshevë dhe nga aty dola në pension, më 2012.
Më vitin 2002, pas një pune të gjatë e të sukseshme u largova nga Shtëpia e Kulturës "Abdulla Krashnica'' në Preshevë, konkurova në konkursin e shpallur për bibliotekar në Bibliotekën Rajonale "Hivzi Sylejmani" në Prishtinë dhe u pranova. Punova afro dy viteve dhe prap erdhi kërkesa nga drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, z. Abdulla Mehmeti që të kthehem në Bibliotekën e Qytetit të Preshevës. Këtë kerkesë, e përkrahën Znj. Havçe Hasani, ish drejtoreshë e Shtëpisë së kulturës në Preshevë dhe Z. Orhan Rexhepi , i cili me grupin e tij të këshillëtarëve ishte në qeverisje komunale. Ashtu edhe ndodhi, u ktheva në Bibliotekën e Qytetit të Preshevës dhe më dhanë detyrën e shefit të Bibliotekës. Ju faleminderit: Havçe, Orhan dhe Abdulla.

Gjatë
dy vjetëve të punës përfitova një përvojë të mirë profesionale dhe mësova shumë
për bibliotekarinë, të cilat pastaj i përcolla në punën time në Bibliotekën e
Qytetit në Preshevë.
Lexoni
mesazhet e drejtorëve të Prishtinës dhe Preshevës, do të mesoni se sa kishim
nevojë për Xhemaledin Salihun.
Me
pëlqimin nr. 39, të datës 02.11.2010, delegohem anëtar i Kryesisë së Shoqatës
së Bibliotekarëve të Kosovës, nga Biblioteka e Preshevës dhe e Bujanovcit.
Gjatë
punës shumëvjeçare në veprimtarinë bibliotekare dhashë një kontribut të madh në
përparimin praktik të kësaj veprimtarie, por edhe kontribut teorik, me punime
nga kjo veprimtari.
Për
vitet 1973 e 1974, Biblioteka Amë ka vepruar në kuadër të Universitetit të
Punëtorëve dhe ka punuar në kushte të vështira të punës. Në vitin 1975 duhet të
theksohet dhe se është me rëndësi të madhe shoqërore dhe kombëtare për
veprimtarinë bibliotekare është që për herë të parë nënshkruhet Kontrata
Automatike në mes të NGB “Rilindja” në Prishtinë dhe Bashkësisë komunale të
Kulturës në Preshevë, nëpërmjet të së cilës do të sigurohen të gjitha botimet
në gjuhën shqipe të kësaj shtëpie botuese, Institutit Albanologjik të Prishtinës,
të “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit, të Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore
dhe librat që importohen nga Shqipëria. Kontrata Automatike realizohet që nga
viti 1974 dhe me këtë filloi një etapë e re në veprimtarinë bibliotekare, sepse
me të pasurohen fondet e bibliotekave më shumë në gjuhën shqipe.
Më
qershor 2004 morëm nismën që Biblioteka Amë e Preshevës që punonte në kuadër të
Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” të reformohet dhe të themelohet
institucion i pavarur bibliotekar-informativ, kulturor, edukativ e arsimor,
sepse tashti ia lejonte Ligji mbi veprimtarinë bibliotekare në Republikën e
Serbisë.
Edhepse
kjo çështje u vendos në rendin e ditës të Kuvendit komunal të Preshevës, ku e
pata fjalën e hyrjes, por nuk u përkrah nga këshillëtarët për shumë arsye të
tyre.
Për
herë të parë në Bibliotekën e Preshevës, përpunova fondin librar, sipas
Klasifikimit Universal Decimal, duke futur në përdorim Skedarin Alfabetik dhe
atë Sistematik. Madje për herë të parë në bibliotekë organizova revizionin e
fondit bibliotekar. Hartova projektin e Bibliotekës së Qytetit, të cilin
shtëpia projektuese CIP e Beogradit e mori për bazë të projektit dhe sipas të cilit u ndërtua biblioteka e sotme
me 506 m2.
I
botova disa shkrime lidhur me bibliotekën: Biblioteka Amë e Preshevës duhet të
reformohet dhe të themelohet institucion në vete, Viti 2010 edicioni i parë i
Panairit të librit në Preshevë të shënohet në kalendarin e ngjarjeve kulturore,
Veprimtaria kulturore-arsimore e Bibliotekës publike, Biblioteka populllore në
Preshevë-projekt, të cilin ia dërgova Kuvendi komunal, z. Ragmi Mustafa,
kryetar dhe Këshillit komunal në Preshevë.


Qëllimi
i projektit ishte themelimi i Bibliotekës Popullore, institucion i pavarur
publik, kulturor, edukativ, informativ, arsimor dhe qendër e bibliotekare
informative komunale në Preshevë. Në rrethin e Pçinjës, të cilit i takon
Presheva, janë themeluar bibliotekat
komunale në Vranjë, Surdulicë, Vlladiçin Han, Bosilegrad dhe Bujanoc, ndërsa
kanë mbetur pa u themeluar biblioteka në komunë të Preshevës dhe eventualisht të
Tërgovishtes.
Mbajtja
nën ombrellë të përbashkët të bibliotekës me veprimtaritë të tjera: me filmin,
me teatrin, me veprimtarinë muzikore, me informimin e tjerë dhe trajtimi i
veprimtarisë bibliotekare si veprimtari të dorës së dytë,
Në
projekt planifikova organet e Bibliotekës: Drejtori, Këshilli drejtues,
Këshilli mbikqyrës dhe eventualisht Kolegjiumi profesional. Detyrat, punët, të
drejtat dhe përgjegjësitë e organeve do të përcaktohen me Statut të
Bibliotekës.
Varësisht
nga vëllimshmëria dhe ndërlikueshmëria e punëve brenda bibliotekës, por duke
pasur parasysh mundësitë financiare të buxhetit të komunës, në këtë rast
financues dhe hapësirës që i dedikohet Bibliotekës, propozova formimin e këtyre
sektorëve: Sektori i Përparimit, Pasurimit dhe Përpunimit të Materalit bibliotekar, Sektori i Bibliotekës për të
Rritur, Sektori i Bibliotekës për Fëmijë, Sektori i Sallës së Leximit, Fondit
Shkencor, Periodikut dhe Internetit, Sektori i Vendlindjes dhe Trashëgimisë,
Sektori i Punëve të Përgjithshme, Administrative dhe Financiare. Në hapsirat e
lira të ndërtesës së Shtëpisë së kulturës u ndërtuan lokalet e Bibliotekës me
506 m2 dhe të gjithë sektorët e propozuar u vendosën në këtë lokalcion të
ndërtuar. Skicën e lokalit të Bibliotekës e hartova me dorë dhe me kompjuter,
me të gjitha sektorët, lokalet ndihmëse, të cilën skicë e mori një
ndërrmmarje projektuese CIP nga Beogradi
dhe e hartoi me disa dallime projektin e ndërtimit të Bibliotekës, përshkak se
nuk i disha ligjet e ndërtimit dhe arkitekturës.
GM: Si u themelua
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë dhe cilat janë
aktivitetet kryesore të saj?
XHS: Më 23 shtator 2020, në sallën e leximit të Bibliotekës “Mehmet Jusufi” në Preshevë u mbajt takimi i parë i Këshillit Nismëtar i kësaj Shoqate. Kryesuesi i këtij tubimi Xhemaledin Salihu elaboroi dhe foli për nismën e themelimit të Shoqatës, karakterin, qëllimet, detyrat, degët, emrin, selinë, sektorët, anëtarsimin, qeverisjen, mjetet dhe regjistrimin e kësaj Shoqate.
Në
diskutim morën pjesë disa pjesëmarrës. Thuajse të gjithë diskutantët u pajtuan
dhe e vlerësuan themelimin e Shoqatës si nismë të mbarë, të qëlluar, por pak të
vonuar. Ata poashtu diskutuan shumë çështje me rëndësi për punën dhe
veprimtarinë e Shoqatës.
Në
fund të takimit u aprovuan disa përfundime: të gjithë të pranishmit njëzërit
u deklaruan për themelimin e Shoqatës,
pati mendime dhe propozime të ndryshme lidhur me emrin dhe veprimtarinë e
Shoqatës, shprehën vullnetin të angazhohen në mbarëvajtjen e punës së Shoqatës,
por edhe në angazhimin e të gjithëve që në gjirin e Shoqatës të angazhohen
profile, ekspertë të lëmive të ndryshme si dhe angazhimin e anëtarëve të rinjë, që nesër do ta bartin punën e kësaj
Shoqate dhe se duhet gjithësesi
mbështetja morale, sidomos ajo materiale e strukturave dhe buxhetit
komunal.
Dhe
në fund u themelua Grupi punues në përbërje : Xhemaledin Salihu, Xhahit
Ramadani, Feti Shaipi, Ismet Bajrami dhe Zeqirja Fazliu, duke mos i anashkalur
mendimet dhe diskutimet e të pranishmëve, i cili do ta hartojë Statutin,
Programin dhe do ta përgatisë Kuvendin Themelues të Shoqatës.
Kuvendi
Themelues i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore u mbajt më 16
tetor 2010, në sallën e Kuvendit komunal të Preshevës, ku ishin të pranishëm
afër 100 pjesëmarrës, të interesuar për mbarëvajtjen e kësaj shoqate. Në Kuvend
u mor vendimi për themelimin e Shoqatës, ku u zgjodh Këshilli drejtues me
kryetar, Xhemaledin Salihun, në mandatin katërvjeçar. Poashtu u zgjodh edhe
kryetari i Kuvendit të Shoqatës, z. Abedin Selimi.

Kuvendi
Themelues i SHTKK-së
Më
vonë u zgjodh Zeqirja Fazliu, Hysamedin Ahmeti, ndërsa tashti është Shpëtim
Memishi.
Pas
disa ditëve u aprovua edhe Statuti i Shoqatës dhe programi i punës së saj për
vitin 2010.
Qëllimi
i Shoqatës është ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të
Luginës së Preshevës dhe kultivimi e zhvillimi i krijimtarisë kulturore në këto
treva.
Aktvitetet
e Shoqatës për trashëgimi dhe Krijimtari kulturore janë organizimi i
Konferencave shkencore, botimi i punimeve të Konferencave shkencore në një
përmbledhës-libër dhe vizitat objekteve të trashëgimisë kulturore për
studiuesit dhe pjesëmarrësit e Konferencës.
Kështu
gjatë kësaj periudhe 2010-2025 organizuam dhe realizuam 17 Konferenca
shkencore: 14 Konferenca shkencore i realizuam në Preshevë, një të përbashkët
me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe 2 Konferenca shkencore ne Medvegjë,
me botimin e 22 librave: prej tyre 15 libra me
punimet e Konferencave shkencore, 4 libra autoriale dhe 3 libra nga
letërsia.
Konferencat
shkencore i udhëheq BORDI, në përbërje: Prof. dr. Drita Halimi-Statovci - etnologe,
prof. dr. Agron Xhagolli - kulturë popullore/folklorist/, Akademik Adem Bunguri,
arkeolog, prof. dr. Isak Shema, letërsi, prof. dr. Izaim Murtezani, studime
folklori dhe etnologji, Dr. Sc. Shpëtim Memishi, ekonomi dhe Xhemaledin Salihu,
profesor, studiues.

Bordi
i Konferencës shkencore
Në Konferencat shkencore të vitit 2024 dhe 2025 morën pjesë edhe Shkëlqesia Dr. Bardhyl Canaj, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Ambasadori Jetish Jashari, i Ngarkuari në Zyren Lidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi.
Projektet
në fjalë i financon: Ministria e
Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, botimin e librave e
financon Fondi Humanitar i GNTC Gorenje Prishtinë-Fatmir Kadriu, drejtor.

Z. Ardita
Sinani, kryetare e komunës, z. Enkel Rexhepi, kryetar KKSH, z. Jetish Jashari,
Ambasador dhe Dr. Bardhyl Canaj, Ambasador
Gjatë
kësaj periudhe realizuam dy projekte të mëdha: regjistrimin, evidentimin,
fotografimin, inçizimin dhe mblodhëm në teren shënime historike, koordinatat të
objekteve me lartësinë mbidetare të 337 aseteve të trashëgimisë kulturore dhe
natyrore të komunës së Preshevës dhe 445 asete të trashëgimisë kulturore dhe
natyrore të komunës së Bujanovcit. Në mungesë të mjeteve financiare nuk mundëm
ta realizojmë të njëjtin projekt në komunën e Medvegjës.
Organizuam
debate me tema të ndryshme, takime me shoqata të tjera, vizita të shumta.
Kështu
realizuam një vizitë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës
së Kosovës, ku na priti Znj. Nora Arapi, Këshilltare e Lartë në Ministri, që u
angazhua shumë dhe fal saj realizuam 3 projekte, më 2022.

Z. Agim
Aridi, Znj. Nora Arapi, Xh. Salihu, Xhemaludin Rexhepi dhe z. Musli Emini
Më
27 shkurt 2024, delegacioni i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore e
Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë, në përbërje të Xhemaledin Salihut,
kryetar dhe Shpëtim Memishit, kryetar Kuvendi i Shoqatës u prit shumë ngrohtësisht nga Prof. Skender Gjinushi, kryetar i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ishin të pranishëm edhe Prof. Shaban
Sinani, sekretar shkencor i Akademisë dhe Prof. Gëzim Hoxha, arkeolog.

Prof.
dr. Shpëtim Memishi, Xh. Salihu, Skënder Gjinushi, kryetar ASHSH dhe Z. Shaban Sinani, sekretar
shkencor ASHSH
Xhemaledin
Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore e falënderoi
kryetarin e Akademisë dhe e njoftoi hollësisht me punën, veprimtarinë dhe
shpalosi një biografi të shkurtër për Shoqatën. Poashtu para kryetarit të
Akademisë, Prof. Skender Gjinushi shtroi disa nevoja, kërkesa të përvetshme të Shoqatës.
Në
fund Prof. Skender Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
bëri një rekapitulim të këtij takimi të ngrohtë, bashkëpunimi, përkrahjeje e
mbështetjeje dhe vëllazërore, ku përmendi nënshkrimin e një Memorandumi të
bashkëpunimit, ndihmës konkrete në fusha të ndryshme të Akademisë ndaj
kërkesave dhe nevojave të përvetshme të Shoqatës në parime, se aktivitetet dhe
veprimtarinë shkencore dhe kulturore të Akademisë, anëtarëve të saj, pjesën e
angazhimit të tyre do ta marrë përsipër edhe financiarisht, për ligjërata,
biseda, hulumtime, kërkime, në fusha të
ndryshme, por edhe gërmime arkeologjike, nëse arrihet pëlqimi me shtetin
fqinjë, të ekspertëve të fushave të ndryshme, me vlerë promovuese në Luginë të Preshevës si dhe me angazhimin e Akademikëve të caktuar me rastin
e botimeve të caktuara.
Gjatë disa viteve Shoqata organizoi Manifestimin kulturor: “Jehona e Poezisë dhe e Recitimit në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë”, i cili zgjoi interesim të madh në mesin e Poetëve dhe Recituesve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Lugina e Preshevës. Në kuadër të këtij manifestimi shpallet konkursi letrar, promovohet Dita e Plisit të Bardhë dhe gatimet tradicionale të Preshevës.

Pjesëmarrësit
e Manifestimit kulturor “Jehona e Poezisë dhe Recitimit” më 2022
Shoqata
për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore në Preshevë disa vite realizoi projektin: “Nxënia e diturive, edukimi i
nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme si dhe të rinisë, nëpërmjet
trashëgimisë kulturore të paluajtshme dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë
kulturore.” Në kuadër të këtij projekti organizohet vizita objekteve të
trashëgimisë kulturore, punëtoria e vizatimit dhe pikturimit me nxënës dhe të
rinjë dhe Ekspozita e fotografive të trashëgimisë kulturore dhe punimeve të
nxënësve apo të rinisë, me rastine 29 shtatorit - Ditës Kombëtare të Trashëgimisë
kulturore.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore në Preshevë organizoi edhe shumë promovime librash të lëmive të ndryshme dhe aktivitete të tjera.
Ajo,
poashtu që disa viti kërkon që në Preshevë të themelohet Instituti i
Trashëgimisë Kulturore i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilin duhet ta
themelonte Këshilli Kombëtar Shqiptar. Madje, në një bisedë më zëvendëskriministrin
e Republikës së Kosovës dhe Ministrenë e Arsimit të Republikës së Kosovës me
organizatat jo qeveritare, Z. Besnik Bislimi, propozimin tim e përkrahu dhe
premtoi se 5-6 vite do ta merrte
përsipër financimin Qeveria e Kosovës, mirëpo deri më tash kjo nismë nuk
u realizua.
GM: Na tregoni për
mirënjohjet ose çmimet që ju kanë dhënë më shumë kënaqësi dhe përse?
XHS:
Gjatë punës time kulturore, arsimore, politike dhe informative për pjesëmarrje
dhe kontribut mora shumë mirënjohje, certifikata e tjerë.
Kështu
për pjesëmarrje në Festivalin e SHKASH të Kosovës “Kosovarja Këndon” më dhanë
PLLAKETËN, në Ferizaj, më 17-19.11.1973

Më
1994, në 30 vjetorin e themelimit,
Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, më nderoi me Mirënjohje për
kontributin e dhënë në punë dhe kulturë.
Biblioteka
e Qytetit “Mehmet Jusufi” Preshevë më jep Mirënjohje për kontributin e dhënë në
punën e institucionit.
Këshilli
i Festivalit të Kulturës së të Rinjve të Serbisë më jep Mirenjohje për
pjesëmarrje në FESTIVALIN E XII-të, në lëmin e folklorit, Knjazhevc, më
12-19.06.1973
Janë
të shumta Certifikata për pjesëmarrje në Konferenca shkencore, Simpoziume,
Sesione shkencore, mirëpo po i ndaj dy më të dashura, ato certifikata të
Akademisë të Shkencave dhe Arteve të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës
së Kosovës më 1993, pr pjesëmarrje në Simpoziumin dhe të Institutit Albanologjik të Prishtinës,
i cili më jep Certifikata për shumë pjesëmarrje, me tema të ndryshme në
Konferencat shkencore “Java e Albanologjisë” në Prishtinë.
Më
janë të dashura, më krijuan kënaqësi shpirtërore dhe janë me shumë vlerë për punën time shkencore,
kulturore, arsimore dhe të trashëgimisë kulturore të gjitha mirënjohjet që mu
dhanë nga institucionet dhe shoqatat kulturore, arsimore, të trashëgimisë kulturore
që i përmenda më lartë.
Mirëpo
do t’i veçoja dy mirënjohje që më së shumti më gëzuan, më kënaqën dhe që kanë një vlerë e peshë të veçantë në
jetë time për punën e dhënë në kulturë, arsim, shkencë dhe trashëgimi
kulturore, ajo e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” në Tiranë dhe Shoqatës për
kulturë dhe Art “Tradita” në Tetovë.
1. Shoqata
“Bytyçi” Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më dha
Titullin e Lartë Patriotik “Aristidh Kola”, për një punë të palodhshme me
kurajo intelektuale dhe patriotike, në drejtim të Shoqatës për Trashëgimi dhe
Krijimtari Kulturore në Preshevë, kjo në funksion të ruajtjes , pasurimit e
pasimit të vlerave historike, kulturore, sociale, shpirtërore e patriotike të
popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, që është nën shtypjen shekullore
nacionale të Serbisë, duke kontribuar kështu në forcimin dhe ruajtjen e
identitetit kombëtar shqiptar të popullsisë së atyre trevave dhe prosperim në
vend të tyre.” sipas vendimit nr 64, datë 23.08.2012, të nënshkruar nga
kryetari saj Av. Agron Isa Gjedia.

2.
Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” me seli në Tetovë për çdo përvjetor të
Lidhjes së Prizrenit jep çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”, i cili u jepet
personaliteteve për vepër jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me
rëndësi të veçantë në lëmin e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare.
Me
propozim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva” nga Bujanovci, në
konkursin e shpallur, Shoqata për Kulturë dhe art “Tradita”, në kuadër të
Manifestimit “Lidhja na bashkon”, vendosi që laureat i sivjetmë i çmimit “Ali
Vishko”, të vitit 2019 të jetë veprimtari nga Presheva prof. Xhemaledin Salihu,
një personalitet i shquar i kulturës shqiptare, në fushën e trashëgimisë
kulturore.

Z. Selam
Sylejmani, kryetar i Shoqatës “Tradita” Tetovë i dorëzon Çmimin
Çmimin
më të dashur në jetë time, të veprimtarisë shkencore, kulturore, arsimore dhe
të Trashëgimisë kulturore më dha Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” me seli
në Tetovë, ku çmimin ma dorëzoi kryetari i saj Selam Sylejmani, ndërsa
Arsyetimin për këtë çmim e dha Xhelal Zejneli, në manifestimin e organizuar me
rastin e 141 –vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me moton “Lidhja na
Bashkon” në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë, më 10 qershor 2019.
GM: Cilat janë temat dhe
kontributet kryesore të konferencave shkencore që keni organizuar?
XHS:
Gjatë kësaj periudhe 2010-2025, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore
organizoi dhe realizoi 17 Konferenca shkencore: 14 Konferenca shkencore i
realizoi në Preshevë, një të përbashkët me Institutin Albanologjik në Prishtinë
dhe 2 Konferenca shkencore në Medvegjë, ajo botoi 22 libra: prej tyre 15 libra
me punimet e Konferencave shkencore, 4
libra autoriale dhe 3 libra nga letërsia.
Temat
dhe kontributet kryesore të Konferencave shkencore ishin: Çështja e valles
shqiptare në Preshevë me rrethinë: Dasma
shqiptare në Preshevë me rrethinë;
Lugina
e Preshevës në lëvizjen kombëtare gjatë historisë; Unifikimi i plan-programeve
dhe teksteve mësimore për shkollat shqipe; Presheva, Bujanovci, Medvegja, dje,
sot dhe nesër /së bashku me Institutin Albanologjik të Prishtinës/; Shqiptarët
e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera etnike në ish-jugosllavi, në mbarim
të LDB; Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar,
të drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptare-serbe; Jeta dhe
veprimtaria e Albanologut Idriz Ajeti; Trashëgimia kulturore jomateriale
shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare; Veshja shqiptare
e Medvegjës dhe e viseve shqiptare; Trashëgimia kulturore dhe turizmi;
Trashëgimia
kulturore material e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare;
Zejtaria dhe tregtia në Luginë të Preshevës dhe në viset shqiptare; Festat
kalendarike tradicionale të vitit në Luginë të Preshevës dhe në viset
shqiptare; Personalitete shkencore shqiptare në Albanologji nga Lugina e
Preshevës dhe vise të tjera shqiptare; Figura me vlera shkencore dhe kulturore
nga Lugina e Preshevës dhe viseve të tjera shqiptare; Personalitete dhe figura
me vlera shkencore dhe kulturore nga Lugina e Preshevës dhe viseve të tjera
shqiptare.
Hulumtimi,
ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të rajonit të Luginës
së Preshevës u bënë pjesë e veprimtarisë së Shoqatës për Trashëgimi dhe
Krijimtari kulturore në Preshevë.









