Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Kristaq Turtulli – Ambasador i Kombit
E merkure, 31.12.2025, 05:00 PM

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, PIKTORIN DHE GAZETARIN KRISTAQ TURTULLI - AMBASADOR I KOMBIT
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Kristaq
Petraq Turtulli, shkrimtar, poet, gazetar, piktor, romancier i njohur, me banim
në Toronto, Kanada. Z. Turtulli ka lindur në Korçë më 18 nëntor 1954. Mbaroi
shkollën artistike të pikturës në qytetin e lindjes, Korçë, dhe më pas ndoqi
shkollën e lartë në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi.
Kristaqi
u aktivizua në ekspozita të ndryshme me piktura dhe punoi për shumë vite si
profesor letërsie, gazetar dhe editor në revistën “Meridian”, si dhe në gazetat
dhe revistat më të suksesshme të vendit. Ka qenë për vite me radhë zv.
president i klubit të shkrimtarëve ballkanikë “Bota e Re”, frymëzues dhe
organizues i “Netëve Poetike Korçare”, si dhe zv. president i shoqatës “Korça,
Tradita, Progresi”.
Kristaq
Turtulli rrjedh nga një familje e shquar, bamirëse, tregtare dhe patriotike.
Stërgjyshi i tij, Mihal Turtulli, personalitet i shquar, përfaqësues i
Shqipërisë dhe i gjithë trojeve shqiptare në Konferencën e Parisit, ministër i
Punëve Botore në qeverinë e Sulejman Delvinës (1920), etj. Gjyshja e tij,
Dhoksi Turtulli, një patriote e shquar, mjeke popullore dhe mbështetëse e
Themistokli Gërmenjit, kur iu vra një trim në luftë, dërgoi vullnetar të birin,
Petraqin, në çetë, atin e shkrimtarit Kristaq Turtulli.
Gjyshja
e tij i hapi derën dhe ndihmoi Fan Nolin. Stërgjyshi tjetër, Thoma Turtulli,
ndërtoi me shpenzimet e veta dhe ia dhuroi qytetit të tij, me bamirësi, objekte
që i dhanë qytetit të Korçës një fizionomi të vërtetë perëndimore, si asnjë
qytet tjetër në Shqipëri, si: spitalin e qytetit, bibliotekën, Liceun, shtëpinë
e jetimores, si dhe shumë bamirësi të tjera. Xhaxhai i tij, Llambi Turtulli,
këngëtar, tenor me famë botërore, ka dhënë koncerte në Paris, Milano, Boston
etj.
Familja
e madhe Turtulli i është gjendur gjithmonë pranë kombit në momentet më të
vështira të historisë së tij.
Kristaq
Turtulli mori pjesë me disa punime të tij në pikturë në ekspozitat e
organizuara nga grupe piktorësh në Toronto në vitin 2012, si dhe në ekspozitën
e pikturës të organizuar në vitin 2018. Gjashtë punimet e tij në pikturë, në
vaj, u vlerësuan për tematikën dhe koloritin në vitin 2023.
Kristaq
Turtulli është fitues i disa çmimeve kombëtare në prozë. Është përkthyer me
sukses në gjuhën angleze dhe është anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të
Kanadasë. Veprat e tij, si romanet, librat me novela, poezitë dhe poemat, kanë
një auditor të gjerë si brenda vendit ashtu edhe në mërgim, si dhe lexues
anglishtfolës. Si në vendlindje, ashtu edhe në Kanada, nuk e ndërpreu
krijimtarinë letrare, duke i dhënë artit dhe audiencës shqiptare libra
dinjitozë. Z. Turtulli ka promovuar disa libra të suksesshëm në Kanada, me
bashkëpunimin e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto. Ka
mbajtur takime të shumta me lexues dhe artdashës shqiptarë në vendlindje, në
Kanada, Amerikë, Greqi, Itali, Francë etj., si dhe ka realizuar promovimin e
një filmi dokumentar për artin dhe krijimtarinë e tij në Toronto dhe në
Shqipëri.
Për
aktivitet të shquar në fushën letrare dhe artistike, qeveria shqiptare i
akordoi titullin “Ambasador i Kombit”.
Veprat
e tij janë të shumta dhe të larmishme. Ka shkruar një trilogji me tre libra:
Syri i Ritës, Tulipani i Koresë dhe Hidhësia e Puthjes. Ka botuar romane
voluminoze dhe libra me novela. Disa nga veprat e tij më të suksesshme dhe të
vlerësuara me çmime janë:
•
Nëna – Novelë, çmim kombëtar, 1981
•
Ana – Novelë, çmim kombëtar, 1989
•
Aventurat e Arushit Topik – Novelë-përrallë për fëmijë, çmim kombëtar, 1989
•
Zogjtë – Novelë dhe tregime për fëmijë, 1989
•
Hija e Ariut – Roman, çmim kombëtar, 1996
•
Hani me Dy Porta – Roman, Çmimi i Madh “Fan Noli”, 1998
•
Ç’është Jeta e një Njeriu – Roman, 2006
•
Vetmia e Zërave – Roman, 2007
•
Dëgjo Floriri im – Roman, Çmimi “Foqion Postoli”, 2009
•
The Inn with Two Doors – Roman, botuar në anglisht, 2009
•
Friends – Novelë për fëmijë, botuar në anglisht, 2009
•
Në Trenin e Linjës 16 – Roman, 2010
•
Syri i Ritës – Roman, 2011
•
Tulipani i Koresë – Roman, 2012
•
Pianisti – Novela, Çmimi “Mitrush Kuteli”, 2013
•
Zhgënjimi – Novela, 2014
•
Kujdes, Vajzë – Novelë, 2014
•
Puthje e Pamundur – Roman, 2015
•
Ikje prej Vetes – Roman, 2015
•
Ati dhe Fati – Roman, 2016
•
Pianisti – Novela, botim i dytë, 2016
•
Misteret e Parisit të Vogël – Roman, 2017
•
Engjëlli i Koresë – Roman, botim i dytë, 2018
•
Saga e Zërave dhe Zhurmave, në dy pjesë:
– Zëra në Lavjerrës – Roman, libri i parë,
2019
–
Zëra në Humbëtirë – Roman, libri i dytë, 2019
•
Mysteries of Little Paris – Roman, botim në gjuhën angleze, 2020
•
Litari i Mallit – Tregime dhe novela, 2020
•
Përroi Qante në Mesnatë – Roman, 2021
•
Hani me Dy Porta – Roman, botim i tretë, janar 2022, Tiranë
•
Hani me Dy Porta – Roman, botim i katërt, tetor 2022, Prishtinë
•
Zhgënjimi i Venerës – Roman, 2022, Prishtinë
•
Të Duash një Grua – Tregime dhe novela, 2023
•
Zhgënjimi i Venerës – Roman, Kosovë, 2023
•
Zhgënjimi i Venerës – Roman, Tiranë, 2024
•
Poezi të Zgjedhura – 2024
•
Girl with a Dog – botuar në SHBA, në gjuhën angleze, janar 2025
•
Dhimbja e Ikonës – qershor 2025, Tiranë
•
Dhimbja e Ikonës – korrik 2025, Prishtinë
•
Kisses with the Soul – botuar në SHBA, në gjuhën angleze, nëntor 2025
______
Në këtë intervistë ekskluzive për “Zemra Shqiptare”, shkrimtari, piktori
dhe gazetari Kristaq Turtulli – Ambasador i Kombit – ndan me lexuesit jetën, krijimtarinë dhe kontributin
e tij të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare. Biseda pasqyron rrugëtimin e
tij artistik dhe letrar, lidhjen e ngushtë me traditat dhe historinë e Korçës,
trashëgiminë familjare dhe përkushtimin për ruajtjen e identitetit kombëtar
edhe në diasporë.
Lexuesi mëson për fillimet e tij në pikturë dhe letërsi, përjetimet
studentore, karrierën si profesor dhe gazetar, si dhe organizimin e
aktiviteteve kulturore si “Netët Poetike Korçare”. Intervista hedh dritë mbi
veprat letrare dhe pikturat e tij, marrëdhënien me audiencën shqiptare dhe
ndërkombëtare, si dhe përgjegjësinë që mbart si Ambasador i Kombit.
Ky është një udhëtim i pasur dhe frymëzues përmes jetës, artit dhe
kulturës shqiptare, duke treguar sesi një krijues mund të ruajë dhe zhvillojë
trashëgiminë kombëtare, pavarësisht largësisë nga atdheu.
______
GM: Z. Turtulli, do ta fillojmë intervistën në ‘Parisin e Vogël’. Mund
të na tregoni për fëmijërinë tuaj në Korçë?
KT:
Siç dihet, Korça është një qytet veçantë, dhe jo më kot është quajtur “Parisi i
Vogël”, për shumë karakteristika që rrallë i ka ndonjë qytet në Shqipëri, por
edhe më gjerë. Qysh herët u ndje fryma e zhvillimit perëndimor, nga mënyra e
ndërtimit të qytetit, e shtëpive karakteristike, rrugët dhe rrugicat e drejta,
ndriçimi i qytetit, dhe serenatat e bukura. Ballot e mrekullueshme, me ndikim
francez, nuk i kishte asnjë qytet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Rol
për këtë luajti familja ime e madhe, Turtulli, me organizimin e ballove,
sfilatave të modës, dhe me ndërtimet dhe dhurimet që i bëri qytetit të Korçës,
si: bibliotekën, Liceun e madh, spitalin, katedralen dhe shumë bamirësi të
tjera. Pra, ndërtimet dhe dhurimet që i bëri familja ime e madhe Turtulli
qytetit të Korçës krijuan fizionominë e një qyteti modern, që nuk e kishte
asnjë qytet tjetër në Shqipëri në ato vite.
GM: Cilat ishin disa nga
përjetimet tuaja më të veçanta gjatë kohës në Shkollën Artistike të Pikturës në
Korçë?
KT: Unë fillova të vizatoja qysh kur isha fëmijë
fare i vogël, por ndikim dhe ndihmë të madhe tek unë pati motra ime e madhe,
Krisanthi, si një ndër piktoret e para të talentuara femra në qytetin e Korçës.
Ajo ndiqte hap pas hapi e më inkurajonte në ecurinë time në pikturë, dhe i jam
shumë mirënjohës motrës sime.
Në
Shkollën Artistike të Pikturës hyra me konkurs. Atje mësova shumë gjëra të
rëndësishme për një piktor të ardhshëm. Kisha mësues të zotë dhe të talentuar
në pikturë, si Rafael Dembo, etj.
GM: Si e kujtoni jetën
studentore në degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Tiranës? Ka ndonjë moment
ose episod që ju rikthen ndjesinë e veçantë të nostalgjisë apo melankolisë?
KT:
Kuptohet, jeta studentore është shumë e bukur, interesante dhe pak e vështirë,
veçanërisht në aspektin ekonomik. Të jesh student është romanca më e bukur dhe
më interesante e jetës, sepse e nis jetën i shpenguar, me plot ëndrra të bukura
për të ardhmen. Më kujtohet që mbrëmjeve, ne një grup shokësh nga qyteti ynë,
mblidheshim pas leksioneve dhe provimeve, poshtë konviktit të vajzave, dhe
këndonim serenata korçare. Ishin vërtet momente romantike.
Bile,
dy nga shokët u dashuruan me dy vajza bukuroshe shkodrane nga Fakulteti i
Ekonomikut, me fragmentin e këngës:
Do të vij një natë i
pirë
Me kitarë do të këndoj.
Në të gjeça duke tjerrë
Furkën do ta copëtoj.
____
Ta dish, sa të do lala
ty
Unë gjithë botën ta fal
ty.
Të puth pa ndërprerë
Në buzët qershizë dhe sy, etj.
Kënga
u bë virale në atë kohë dhe ishte shumë popullore mes studentëve. Gjithashtu,
popullore ishte poezia e një mikut tim, poet erotik, Klito Fundo, të cilit i
ishte botuar libri me poezi erotike, por botimi u ndal menjëherë. Libri i tij u
konsiderua i ndaluar për shkak të përmbajtjes erotike, me fragmente si:
Ç’më ashtu, moj
bukuroshe e virgjër,
Sa pi ti ujë unë pi
konjak.
Në xhep unë mbaj
rubairat
E Omar Khajanit plak.
GM: Familja Turtulli
është e njohur për kontributet e saj të vyera ndaj qytetit të Korçës dhe
çështjes kombëtare. Si do ta vlerësonit ndikimin e veprës së të parëve tuaj në
zhvillimin social dhe kulturor të vendit?
KT:
Familja ime, TURTULLI, është një nga familjet e rralla në Shqipëri që ka
kontribuar në të gjitha fushat e jetës:
Qysh
në shekullin e 19-të, një nga stërgjyshërit e mi, Galantion Turtulli, i cili u
bë murg në Malin e Shenjtë, në Athos, ishte njohës i mirë i shumë gjuhëve, nga
greqishtja e vjetër deri te latinishtja. Ai ishte një nga albanologët e parë
dhe nxorri konkluzionin se greqishtja e vjetër dhe latinishtja kanë huazuar
shumë fjalë shqipe.
Stërgjyshi
tjetër, Mihal Turtulli, doktor dhe profesor, ishte një nga personalitetet dhe
patriotët e rrallë të kombit shqiptar. Ai ishte një nga ideatorët për
realizimin e pavarësisë së Shqipërisë. Në Kajro, Egjipt, me shumë vështirësi
mblodhi delegatët për të shkuar në Vlorë në ditën e shënuar. Gjatë rrugës i kapën
stuhitë dhe ata u detyruan të qëndronin në male. Delegatët e Egjiptit mbërritën
në Vlorë ditën e nesërme. Gjithashtu, Mihali ishte një nga katër regjentët në
qeverinë e Sulejman Delvinës në vitin 1920, ministër i Punëve Botore, dhe një
nga anëtarët kryesorë të delegacionit shqiptar në Bruksel për njohjen e shtetit
shqiptar.
Stërgjyshi
tjetër, Thoma Turtulli, ishte bamirës i madh i kombit shqiptar dhe i njohur
edhe në rang ballkanik. Ai ndërtoi me paratë e veta dhe i dhuroi qytetit të
Korçës: spitalin për kurimin dhe shërimin e qytetarëve; bibliotekën e bukur,
për të studiuar dhe nxitur kulturën dhe artin; Liceun madhështor, që djemtë dhe
vajzat të mësonin dhe të bëheshin të zotë për të ndërtuar Shqipërinë e nesërme;
katedralen dhe shumë bamirësi të tjera.
Gjyshja
ime, Dhoksi Turtulli, ishte patriote e shquar, bamirëse dhe mjeke popullore.
Kur iu vra një trim i Themistokli Gërmenjit, ajo i dha komandantin Çetës,
babait tim, që të zëvendësonte trimat e rënë në luftë. Në vitin 1920, gjyshja
ime shkoi në kishën e Shën Gjergjit dhe i tha priftit: “Unë vij në emër të
nënave dhe grave korçare. Kërkojmë që ritet fetare në kishë të bëhen në gjuhën
shqipe, jo greke. Këtu është Korçë, Shqipëri; ndryshe, ja dera dhe shko nga ke
ardhur. Ne kemi plot djem korçar të mençur.”
Llambi
Turtulli, xhaxhai im, tenor i mrekullueshëm, studioi për kanto në Bukuresht dhe
Milano. Ai dha koncerte në Shqipëri në vitet 1935–36 së bashku me Tefta Tashko
Koçon dhe Jorgjia Trujën, si dhe në Francë, Itali, Gjermani, Amerikë (Boston,
Los Anxhelos) dhe gjetkë.
Krisanthi
Turtulli, Koçibelli, ishte një ndër piktoret e para. Ajo hapi disa ekspozita
personale.
GM: Çfarë do të shtonit
lidhur me përgjegjësinë që mbartni për të ruajtur këtë emër të nderuar në
historinë kombëtare dhe detyrimin moral ndaj trashëgimisë që ju lanë të parët
tuaj?
KT:
Detyrimi moral ndaj trashëgimisë që më kanë lënë të parët e mi ka qenë dhe
mbetet për mua gjëja më e rëndësishme në jetë. Rrjedh dhe ushton në rrënjët e
mia kushtrimi dhe gjykimi i të parëve të mi, të cilët më shohin nga lart dhe më
gjykojnë me mirësi, por njëherësh edhe me ashpërsi.
Unë
përpiqem t’i ruaj dhe t’i mbroj këto vlera të jashtëzakonshme, dhe dua t’i
trashëgoj tek fëmijët e fëmijëve të mi, edhe këtu, larg mëmëdheut, në mërgim.
GM: Korça ka qenë
historikisht një ndër foletë më të ngrohta të kulturës dhe patriotizmit
shqiptar. Si e përshkruani lidhjen tuaj me traditën dhe historinë e këtij
qyteti, dhe çfarë përfaqëson Korça për ju?
KT:
Edhe pse jetoj në mërgim prej 26 vjetësh, unë kam qenë dhe mbetem deri në fund
Korçar dhe Shqiptar. Lidhjet e mia me qytetin tim, Korçën, me traditën dhe
historinë e lashtë të këtij qyteti janë shumë të ngushta. Ndërkohë, për
përgjegjësinë shpirtërore që ndjej për qytetin tim të dashur, po punoj prej më
shumë se 30 vitesh për të realizuar pjesën e dytë të trilogjisë: Misteret e
Parisit të Vogël.

Në
këtë libër, unë përpiqem të vërtetoj se Korça ka pasur një zhvillim shumë më
herët se koha kur u vendos në Korçë Iliaz Bej Mirahori, duke u mbështetur në të
dhëna dhe gojëdhëna. Vend të veçantë në këtë libër zë edhe familja fisnike e
Muzakajve; treva e Korçës në atë kohë ishte nën zotërimin e Muzakajve. Muzakaj
kanë qenë një familje e fuqishme dhe kanë përballuar me sukses sulmet e të
huajve. Këtë libër po e punoj me kujdes dhe mendoj se do të ketë vlera
historike dhe letrare.
E
kaluara e qytetit tim – historia, tradita dhe kultura – është e lidhur ngushtë
me familjen time, me të parët e mi, stërgjyshërit dhe katragjyshërit. Gjithnjë
unë jam përpjekur të evidentoj vlerat më të mira të një qyteti që mburret e
gjithë Shqipëria: mikpritjen, kulturën, pastërtinë, respektin për nënën dhe
gruan, dashurinë për fëmijët, seriozitetin dhe përkushtimin ndaj punës dhe
familjes të burrit korçar.
Prandaj,
askush nuk besonte se unë do të merrja rrugën e mërgimit, pasi vetë miqtë e mi
më thoshin: “Kristaq Turtulli, për vlerat e shquara dhe traditën e madhe
patriotike familjare që mbart, sigurisht do jesh i fundit që do të largohesh
nga vatra.” Por ja që erdhi momenti, dhe unë u largova; ose më saktë, politika
e kohës më detyroi të largohem.
Megjithatë,
edhe këtu nuk rresht së punuari, duke zhvilluar takime të ndryshme me
komunitetin shqiptaro-kanadez, në kuadrin e prezantimit të librave të mi, ku
njëherësh flas për vlerat dhe traditat tona të mrekullueshme, të cilat nuk
duhen harruar, por duhen ruajtur dhe zhvilluar. Kjo duhet të jetë detyrë
parësore e çdo krijuesi dhe intelektuali.
GM: Duke qenë se jetoni
prej shumë vitesh në Kanada, a keni vënë re ndonjëherë ndonjë zbehje ose
luhatje në lidhjen tuaj me identitetin shqiptar? Për ju, çfarë përfaqëson
Shqipëria?
KT:
Kurrë. Për mua, Shqipëria përfaqëson gjithçka. Që ditën e parë kur mbërrita
këtu në Kanada, i thashë gruas sime dhe fëmijëve, që atëherë ishin të vegjël: Të
dashurit e mi, kjo shtëpi është një copë mëmëdhe, dhe do të flasim dhe do të
shkruajmë vetëm shqip. Ndërsa gjuhën angleze do ta mësoni, pasi çdo ditë shkoni
në shkollë dhe në punë. Prandaj, gjuha jonë e bukur kurrë mos vdesë, por të
jetojë mes jush në shekuj.
GM: Si do ta
përshkruanit Kanadanë, që është bërë për ju një atdhe i dytë?
KT:
Sigurisht, tashmë Kanadaja është një atdhe i dytë; nuk jam hipokrit ta mohoj.
Siç ju thashë, bëj 26 vjet që jetoj këtu dhe nuk ankohem. Shteti kanadez është
një shtet social, me vlera dhe i barabartë, por çdo ardhësi të ri e fut në
shkolla për të mësuar gjuhën angleze dhe i jep shumë mundësi të tjera.

GM: Çfarë tematike
mbizotëron në pikturat tuaja?
KT:
Më pëlqen shumë peizazhi, portreti, por dhe tema të rëndësishme sociale për aq
sa e lejon piktura. Kanadaja ka shumë vende dhe mjedise të bukua për të derdhur
artin tënd.
GM: Prezantimi i artit
tuaj në galeritë e Torontos padyshim ka qenë një moment i veçantë. Si e
përjetuat atë?
KT:
Ne një grup piktorësh shqiptarë kemi organizuar dhe hapur disa ekspozita
radhazi. Ekspozita e parë e pikturës u bë në vitin 2012 dhe u prit shumë mirë
nga artdashësit e shumtë. Pastaj, kemi hapur disa ekspozita të tjera pikture
radhazi, dhe ekspozita më e fundit ishte në vitin 2024.
GM: Cilët piktorë, nga
Shqipëria ose jashtë saj, ju kanë lënë mbresa të veçanta dhe i vlerësoni për
mënyrën se si punojnë?
KT:
Kuptohet, për mua e para ishte motra ime, Krisanthi. Por krahas saj, mua më
kanë frymëzuar piktorë si Vangjush Mio, Guri, Madhi, Vilson Kilica, Fatmir
Haxhiu etj. Nga piktorët e mëdhenj më kanë mrekulluar pikturat e Leonardo Da
Vinçit, Mikelanxhelos, Rafaelos, Delakruas, Francisko Goyas. Gjithashtu, më
kanë impresionuar piktura flamande dhe piktura ruse, me autorë si Shishkin etj.

GM: Si e përjetuat
nderimin me titullin ‘Ambasador i Kombit’ nga qeveria shqiptare, duke pasur
parasysh se ky titull sjell jo vetëm respekt, por edhe përgjegjësi?
KT:
Kuptohet, kur të nderon shteti shqiptar, atdheu yt ku ke lindur dhe ku je
rritur, me titullin e rëndësishëm të Ambasadorit të Kombit, është një vlerësim
i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë ne që jemi në mërgim. Ky vlerësim i
rëndësishëm për mua është një respekt i madh, vlerësues për krijimtarinë time
ndër vite, por ky titull i rëndësishëm është njëherë edhe një obligim dhe
përgjegjësi ndaj vetes, familjes, komunitetit shqiptar këtu në Kanada dhe ndaj
gjithë kombit.
GM: Si kanë ndikuar
çmimet letrare në rrugëtimin tuaj krijues, dhe çfarë rëndësie kanë ato për ju,
si në planin profesional, ashtu edhe në atë njerëzor?
KT:
Çmimet letrare që kam marrë ndër vite, sigurisht kanë ndikuar pozitivisht në
krijimtarinë time letrare, në planin tim profesional ashtu edhe në atë
njerëzor. Më kanë rritur besimin te vetja dhe më kanë shtuar kurajën dhe
këmbënguljen për të vazhduar më tej dhe se po bëj diçka me vlerë dhe për punën
time kam marrë vlerësimin e merituar. Unë kam qenë dhe mbetem gjithnjë në
krijim, në zhbirim të karaktereve. Sipas mendimit të specialistëve, analistëve dhe
kritikës së krijimtarisë sime, unë jam shkrimtar i karaktereve të realizuar
fuqishëm, që të mbeten në mendje, të forta, tronditëse. Kur botova në gjuhën
angleze romanin HANI ME DY POTA në anglisht: THE INNWITH THE DOOR dhe kur
dhashë intervistën në Zëri i Amerikës më 2019, kritika dhe specialistë vlerësuan
karakterin e plakës, një personazh i rrallë në letërsi dhe mbresëlënës. Po
ashtu dhe kur botova librin ATI DHE
FATI, dhe më pas në gjuhën angleze më 2019 me titull IVORY EYE. U vlerësua
shumë portreti i atit, i babait për shërimin e bijës së tij. Ndaj në shqip e
titullova librin: Ati dhe fati, pra ati luftoi pa ndërprerje kundër pengesave
natyrore dhe shoqërore deri në mundësinë e realizmit të shërimit të vajzës së
tij.
Pra,
çdo çmim që më është dhënë më vë si krijues përpara përgjegjësisë për të
krijuar sa më mirë dhe pa ndërprerje, për të ngritur artin dhe krijimtarinë
time nga ana cilësore, dhe për t’i dhënë audiencës shqiptare dhe anglishtfolëse
libra sa më dinjitozë dhe karaktere sa më të fuqishëm.
GM: Kur e kuptuat se
donit të merreshit me letërsi, cilat ishin fillimet e juaja letrare dhe cfarë
ju frymëzoi?
KT:
Më kujtohet se dikur unë shkruaja vjersha dhe skica, ndërsa isha në bankat e
shkollës. Por, kur krijova dhe botova disa poezi në Zërin e Rinisë, mora shkas
dhe u frymëzova nga akti i një nëne, që
mbaj mend si tani, me emrin Zeliha Almeta, e cila sakrifikoi jetën për
të shpëtuar fëmijën. Për këtë cikël me poezi, unë u vlerësova me çmim, dhe
atëherë isha 15 vjeç.

GM: Cila ka qenë vepra
juaj e parë dhe çfarë ndjesish ju solli momenti i botimit të saj?
KT:
Vepra ime e parë plotë dhe serioze ka
qenë novela Nëna në vitin 1981, vlerësuar me çmim. Në këtë libër personazhi
kryesor ishte Nëna ime e vuajtur, prandaj e titullova Nëna. Unë kisha
përshkruar nënën time, portretin e saj, dashurinë, fisnikërinë e saj,
përkushtimin e saj deri në vetëmohim. Kur u botua libri, nuk më rihej derisa t’ia
tregoja nënës sime. E mbajta frymën me vrap në shtëpi. Më dukej sikur
fluturoja. Sa hyra në shtëpi që në dera thirra,
‘Mama, mu botua libri...’’
Nënës
sime nga lumturia i rrodhën lot nga sytë, e
morri librin në dorë e puthi, pastaj më puthi dhe mua në ballë dhe në
sytë.
‘Rrofsh o bir, të pastë
nëna me shëndet dhe jetë.’
Ato
momente emocionuese, të mrekullueshme, puthja e nënës, më kanë mbetur në
memorie dhe nuk mund t’i harroj kurrë.
Disa
vite më vonë u botua novela Ana, e cila u vlerësua me çmim kombëtar. Më pas
vijuan romanet: 'Hija e Ariut', 'Hani me Dy Porta', 'Ç’është Jeta e Njeriut?!',
dhe kështu me radhë erdhën në jetë librat e tjerë.

GM: Çfarë mund të na
thoni për poezinë tuaj dhe botën që krijoni përmes saj?
KT:
Unë e kam dashur dhe e dua shumë poezinë. Në momente pushimi dhe çlodhje midis
librave që shkruaj, dhe botimit të tyre, poezia është një fllad i bukur
çlodhës, por dhe njëherësh nxitës. Poezia e vërtetë është e bukur, e brishtë,
delikate e mrekullueshme, por dhe tekanjoze, e ngurtë, ajo nuk kërkon shumë
fjalë dhe ujë të tepërt. Poezia kërkon të jesh i kursyer në mendim, të jesh
lakonik dhe plot muzikalitet. Qysh herët, prova e parë për mua ka qenë poezia.
Me kërkesën e miqve të mi, para tre vitesh botova një libër të plotë: ''Poezi
të Zgjedhura'', ku kisha përzgjedhur krijimet e mia poetike gjatë viteve. Ky
libër, sa di, u prit mirë nga lexuesit dhe kritika.
GM: Si lindi ideja për
organizimin e ‘Netëve Poetike Korçare’ dhe si e vlerësoni përgjithësisht këtë
aktivitet kulturor?
KT:
Unë, me një grup krijuesish, në vitin 1991 u shkëputëm nga Lidhja e
Shkrimtarëve dhe krijuam klubin tonë të ri: “Bota e Re”. Mua më zgjodhën zv. president
i Botës së Re. Ne e shtrimë aktivitetin tonë në gjithë Ballkanin. Duke parë
interesimin e krijuesve të Ballkanit, lindi natyrshëm nevoja për të krijuar një
aktivitet mbarëballkanik, që u quajt: Netët Poetike Korçare.
Në
këtë aktivitet vinin krijues nga gjithë Ballkani: Kosova, Turqia, Rumania,
Greqia, Maqedonia etj. Organizoheshin aktivitete dhe konkurse artistike,
shpallej poezia më e mirë. Ky aktivitet i bukur vazhdon dhe ka sukses edhe sot
e kësaj dite.
GM: Keni shkruar edhe
për fëmijë. Çfarë përgjegjësie ndjeni kur shkruani për ta dhe a është më e
vështirë të shkruash për fëmijët sesa për të rriturit?
KT: Po, kam botuar disa libra për fëmijë, si libra me tregime dhe novela: 'Zogjtë' në shqip dhe anglisht, libri me përralla: 'Arushi Topik dhe 'Pinoku', etj. Është shumë e bukur bota e fëmijëve dhe kërkon shumë përgjegjësi të shkruash për ta.
Sa
i përket pyetjes se cila letërsi është më e vështirë për të rritur dhe fëmijë,
e rëndësishme është të shkruash aty ku krijuesi ndjehet më mirë dhe më i
sigurt.
GM: A e konsideroni
veten një ‘arkivist’ të shpirtit shqiptar përmes veprës suaj letrare dhe
fiksionit?
KT:
Në krijimtarinë time, përgjatë 55 viteve, përpiqem të bëj më të mirën që
mundem. Do të jem i lumtur sikur krijimtaria ime e bollshme, prej më shumë se
40 veprash, të jetë një tulle modeste në godinën e madhe të artit shqiptar.
Natyrisht, kombi shqiptar ka nxjerrë krijues të shquar qysh nga Marin Barleti,
Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Faik Konica, Noli, Migjeni, Mitrush Kuteli,
Lasgush Poradeci dhe të tjerë.

GM: Veprat tuaja janë
përkthyer në anglisht. Cili ka qenë reagimi i lexuesit të huaj ndaj tematikave
shqiptare?
KT:
Po libri im i parë i botuar në Amerikë, në gjuhën angleze, u botua në vitin
2009 me titullin "Hani me Dy Porta", i vlerësuar me çmimin Fan Noli.
Në gjuhën angleze libri titullohet "The Inn with Two Doors" dhe që
atëherë pati sukses. Për suksesin e librit më mori në intervistë Zëri i
Amerikës.
Më
vonë u botua libri "Misteret e Parisit të Vogël". Dy vite më vonë u
botua libri "Ati dhe Fati", në gjuhën angleze "Ivory Eye".
Ky libër u botua edhe në Kinë, në gjuhën mandarin, në shtëpinë botuese Gred
Wall.
Para
një viti u botua, po në Amerikë dhe në gjuhën angleze, libri "Zhgënjimi i
Venerës". Para dy muajsh u botua libri "Kisses with the Soul".
Ky libër pasqyron ngjarjet e vitit të trishtë 1997, kur u shkatërrua shteti dhe
u bë katrahurë dhe çmenduri, në dukje pa një arsye, me armatosjen e gjithë
vendit.
Së
afërmi do të dalë nga shtypi, po në gjuhën angleze, libri me novela dhe tregime:
"Një natë me shi në Selanik". Në këtë libër të rëndësishëm, unë kam
përmbledhur tregime dhe novela: "Të Duash Një Grua", pjesë nga libri
"Litari i Mallit", si dhe krijime të ndryshme të shkruara dhe botuara
në gazeta të ndryshme dhe libra përgjatë 50 vjetëve.
GM: Si e përjetoni të
qenit pjesë e Unionit të Shkrimtarëve të Kanadasë?
KT:
Të jesh anëtar i Unionit të Shkrimtarëve Kanadezë është një vlerë, sepse tregon
se të besojnë, dhe kjo ka ndikuar pozitivisht tek unë në krijimtari.
GM: Çfarë përfaqëson
letërsia për ju në thelb?
KT:
Letërsia për mua është vetë jeta. Kam rreth 55 vjet që shkruaj dhe botoj. Për
herë të parë kam botuar dhe vlerësuar me çmim një cikël me poezi në moshën
15-vjeçare, në gazetën e asaj kohe Zëri i Rinisë. Dhe deri më sot, shkruaj pa
ndërprerje.
Mendoj
se kur je në mërgim, përgjegjësia krijuese dhe ndjenja rriten akoma më shumë.
Në këtë rast, gjithçka merr një formë të ndryshme, pasi gërshetohen në të
malli, nostalgjia, përgjegjësia dhe mosha që ikën shpejt dhe pa e kuptuar.
Sidomos në kurbet, jeta rrjedh, ikën shpejt dhe pa e marrë vesh.
GM: Si e shihni ju: a
duhet që letërsia të jetë universale, apo të pasqyrojë kryesisht identitetin
dhe kulturën e një kombi?
KT:
Po të shkruar bukur dhe me art të fuqishëm, letërsia bëhet universale. Ngrihet
dhe vlerësohet vetë kombi në të cilin pasqyrohet kjo letërsi dhe art. Por,
sipas mendimit tim, letërsia duhet të jetë edhe reflektim i identitetit dhe
kulturës së një kombi.
Pse? A nuk flasim për veprat e shquara të antikitetit grek dhe romak? Apo për kulturën dhe letërsinë arabe dhe perse, me autorë si Omar Khajami, Sadiu, Firdusi etj.? Pra, identiteti i letërsisë pasqyrohet tek Homeri dhe klasikët e mëdhenj grekë: Eskili, Sofokliu, Eripidi, Aristofeni etj. Në skulpturë, tek Fidia dhe Praksiteli. Në letërsinë latine, tek Virgjil, Ovidi etj.
GM: Cilat tema ju
përcjellin më shpesh në krijimtarinë tuaj dhe sa ndikim ka realiteti i jetës së
përditshme në veprat tuaja?
KT:
Unë dua të jem gjithnjë vetvetja. Kam qenë dhe mbetem studiues i jetës
shqiptare në shekuj, por edhe në dyqind vitet e fundit, e deri më sot. Si në
librin “Misteret e Parisit të Vogël”, personazhet janë që në shekullin XIX, ku
pasqyrohet jeta e shqiptarit, mjedisi, jeta e Themistokli Gërmenjit, gjyqin e
montuar nga grekët dhe pushkatimin e tij dhe plot ngjarje të tjera.
Pra,
në krijimtarinë time dua të pasqyroj me vërtetësi realitetin shqiptar,
persekutimin e shtresës fisnike shqiptare. Si lindi, mori formë dhe u zhvillua
borgjezia dhe aristokracia korçare dhe si u shkatërrua kjo shtresë e brishtë.
Si lindi dhe si u krijua Partia Komuniste, cilët ishin ata aventurierë që i
vunë dëm vendit. Të gjitha këto pasqyrohen në trilogjinë “Saga e Madhe
Shqiptare”, në librat “Zëra në Lavjerrës” dhe “Zëra në Humbëtirë”. E kështu me radhë, temën e gjakmarrjes e
trajtova në librin “Përroi Qante në Mesnatë”.

Në
verë u botua në Shqipëri dhe Kosovë libri “Dhimbja e Ikonës”. Një libër i
suksesshëm dhe i qëndrueshëm ka qenë dhe mbetet libri “Dëgjo, floriri im”, i
vlerësuar me çmimin Foqion Postoli, ku në qendër kam vendosur dashurinë e
trishtuar të dy të rinjve: një djalë shqiptar me një vajzë ruse, persekutimin e
tyre, burgosjen e djaloshit dhe takimin e tyre pas 30 vjetësh. Është një dramë
e fortë, ku në themel qëndron besa e shqiptarit ndaj dashurisë së vërtetë.
Një
pjesë të librave të mi mund t’i gjejnë miqtë dhe dashamirësit në libraritë e
Kosovës dhe Shqipërisë, por më lehtë i gjen në Amazon, në gjuhën angleze dhe
shqipe. Mjafton të kërkojnë dhe klikojnë emrin tim atje.
GM: Si do ta
përshkruanit ndikimin tuaj si profesor i letërsisë tek studentët dhe në
zhvillimin e tyre artistik?
KT:
Për mua ka qenë dhe mbetet me vlera të mëdha detyra e bukur e profesorëve të
gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe e mësuesve në përgjithësi. Detyra e mësuesit ka
qënë qysh në antikitet si më e rëndësishmja pas prindit, pasi ai luan një rol
të madh në edukimin e brezit të ri.
Së
pari, nxënësit dhe studentët duhet të njohin dhe të duan gjuhën e bukur shqipe.
Të njohin vlerat më të mira të kulturës dhe të letërsisë shqipe, që nga Buzuku dhe
Marin Barleti deri sot e kësaj dite, gjithashtu, detyra e mësuesit është të
edukojë ta pajisë me dije dhe dashuri brezin e ri
Por
është e rëndësishme që mësuesi të krijojë marrëdhënie të ndërsjella me nxënësit
dhe studentët, duke gjetur çelësin për të njohur botën e tyre shpirtërore.
Mësuesit duhet të mbrojnë gjuhën shqipe nga huazimet dhe shtrembërimet e
ndryshme. Sidomos sot, duhet të tregojnë kujdes dhe vëmendje për mbrojtjen nga
ndërhyrjet digjitale të fjalëve të huaja, veçanërisht për fëmijët e mërgimtarëve.
Unë
e kam ngritur shpesh këtë çështje në takimet e mia gjatë promovimeve të
librave, duke theksuar problemin e edukimit të gjuhës shqipe për fëmijët e
emigrantëve. Shumë prindër, për fat të keq, injorojnë trashëgiminë dhe mësimin
e gjuhës shqipe në emigracion. Shoqatat kanë mundësuar hapjen e ndonjë shkolle
të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, por edhe prindërit duhet të ndjehen
të përgjegjshëm.

Festivali i librit shqiptar organizuar në Toronto
GM: Si do ta vlerësonit
letërsinë moderne shqiptare në përgjithësi, duke marrë parasysh tematikën,
stilin dhe ndikimin kulturor, dhe si e shihni lidhjen e saj me letërsinë
ndërkombëtare?
KT:
Për mendimin tim, arti dhe letërsia kanë hov cilësor sot. Por letërsia më e
fuqishme është letërsia e emigracionit. Sot në emigracion ka shumë krijues të
fuqishëm, të zhveshur nga komplekset dhe konjunkturat politike. Mos harrojmë
rilindësit tanë, të cilët jetuan dhe krijuan në emigrim, dhe ishin ata që
zgjuan dhe ngritën ndjenjën kombëtare, si vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa,
Asdreni etj.
GM: Cilat janë
shkrimtarët dhe poetët tuaj të preferuar, shqiptarë dhe të huaj, dhe cilat
vepra ju kanë shoqëruar gjatë dekadave të krijimtarisë suaj letrare dhe përse?
KT:
P Unë vlerësoj Mitrush Kutelin si patriot
në radhë të parë, pasi ai ishte i pari që ngriti zërin kundër njësimit të
monedhës dhe ndërhyrjes së jugosllavëve në Bankën Shqiptare, dhe për këtë ai u
burgos. Unë e vlerësoj Mitrushin si përkthyes dhe mbi të gjitha si krijues, një
stilist i mrekullueshëm. Po ashtu, vlerësoj Faik Konicën, Nolin e madh,
Migjenin, Largushin, Petro Markon etj.
Nga shkrimtarët e
huaj më pëlqejnë: Heminguej, Balzak, Dante Aligeri. Markesi, Remark. Stefan
Zvajk etj.

GM: Për shumë vite keni
mbajtur detyrën e zv. Presidentit të klubit të shkrimtarëve ballkanikë 'Bota e
Re'. Duke parë pas, cilat konsideroni si sfidat më delikate dhe arritjet më
domethënëse në përpjekjen tuaj për të krijuar një dialog kulturor përmes kësaj
platforme?
KT:
Ne ishim klubi i parë me emërtimin “Bota e Re”, i
cili u krijua në Shqipëri pas shkrirjes së Lidhjes së Shkrimtarëve. Si fillim
nuk ishte e lehtë. Por unë u përpoqa, si zv. president i Klubit të Shkrimtarëve
“Bota e Re”, të krijoja një dialog me të gjithë krijuesit, si dhe në mbarë
Ballkanin. Synimi ishte ta përhapnim dhe të shtrinim aktivitetin në gjithë
sferën ballkanike, me takime dhe biseda letrare të ndërsjella.
Në këtë mënyrë,
kultura dhe arti shqiptar njihej dhe përhapej në gjithë Ballkanin dhe më gjerë.
Njëherësh, ne njiheshim me artin dhe kulturën e miqve tanë. Gjithashtu,
nëpërmjet shkëmbimeve reciproke krijonim lidhje, respekt dhe miqësi, të cilat
janë kaq të nevojshme për një Ballkan që ka qenë i trazuar në shekuj.
GM: Kush ishte Shoqata
‘Korça, Tradita, Progresi’ dhe cilat ishin aktivitetet kryesore të saj?
KT:
Shoqata “Korça, Tradita, Progresi” ishte një
shoqatë që u krijua po në vitin 1991. Si kërkesë e kohës, pas daljes së brishtë
nga komunizmi dhe në hapat e para për të krijuar një demokraci, ne ishim një
grup intelektualësh që kërkonim të ringjallnim traditat dhe kulturën, të zgjonim
vlerat dhe mendimin më përparimtar dhe më të mirë korçare.
Duke e ditur që shumë
vlera u shkatërruan në Korçë me ardhjen e komunizmit — si serenatat e bukura korçare, kultura e nëpërkëmbur, tradita, historiku i
Korçës dhe progresi për të ardhmen — në mbledhjen kryesore,
ku morën pjesë shumë intelektualë të nderuar, ne shpalosëm platformën e
shoqatës dhe u mirëpritëm nga të gjithë. Mua më zgjodhën zv. president.
Në ato vite, ne
realizuam shumë aktivitete të ndryshme dhe u lidhëm me shoqata motra në shumë
shtete të Evropës. Për fat të keq, me largimin tim kjo shoqatë pushoi së qëni.
GM: Çfarë mund të na thoni
mbi karrierën tuaj si gazetar dhe cili është këndvështrimi juaj mbi gazetarinë
në Shqipëri?
KT:
Në fillim të viteve ’90, gazetaria mori një hov të
madh; u hapën shumë gazeta qendrore dhe lokale, dhe kjo kishte arsyen e vet. Me
ardhjen e demokracisë, formimin e shumë partive politike, krijimin e gazetave
të lidhura me partitë e reja, por edhe të gazetave të pavarura, filloi liria e
të shprehurit të mendimit, e ëndrrave dhe dëshirave e të gjithë popullit
shqiptar, pas 45 vjet diktaturë të egër komuniste.
Gazetat e reja dhe
gazetarët e rinj, pa shumë eksperiencë, filluan të botonin artikuj të
rëndësishëm për kohën, të hapnin horizonte për lexuesit dhe të ndikojnë në një
mendim të ri, me vizion demokratik.
Por partitë politike,
me kalimin e kohës, tentuan ta shtypnin median. Megjithatë, media në
përgjithësi e pa dhe kuptoi rolin e madh dhe të pazëvendësueshëm që kanë
gazetat, televizioni dhe media në përgjithësi. Kështu, gradualisht filloi të
ndryshojë kahu dhe mendësia.
Më ka pëlqyer
gazetaria; kam punuar vite të tëra në gazetari, në gazetat qendrore dhe lokale,
mbasi takon shumë njerëz, njeh, sheh dhe prek shumë probleme sociale dhe
shoqërore dhe është një libër i hapur dhe i pazëvendësueshëm për një krijues.

GM: Në Shqipërinë
komuniste përjetuam një nga regjimet më brutale në botë, por sfidat nuk kanë
munguar as pas shembjes së sistemit monist. Si e shihni ju mentalitetin e
shoqërisë shqiptare dhe zhvillimet politike gjatë 35 viteve të fundit?
KT:
Në vendin tonë sundoi për 45 vjet një sistem
diktatorial enverist. Nuk ishte thjesht komunist, por një eksperiment enverist
diktatorial, më i keqi dhe më brutali në Evropë. Ky sistem shfarosi me zjarr
dhe hekur inteligjencën më të mirë shqiptare, studiuar në universitetet më të
shquara të botës. Përndoqi, burgosi dhe vrau të gjithë fisnikërinë shqiptare — atë fisnikëri që punonte me djersën e ballit dhe realizonte ndërtime,
bamirësi dhe dhurata të jashtëzakonshme për kohën.
Ky eksperiment i
neveritshëm ka lënë gjurmë të thella në mendësinë dhe në shpëlarjen e trurit të
popullit edhe sot e kësaj dite. Pra, edhe pse kanë kaluar 35 vite në
pseudodemokraci, përsëri ndjehen pasojat e pashlyeshme në politikën dhe
shoqërinë shqiptare. Por kjo mbetet një temë me vete, e trishtueshme dhe shumë
e rëndësishme.
GM: Keni pasur një
prezencë të dukshme në Kosovë edhe me botimet tuaja. Si e përjetoni aktivitetin
kulturor atje dhe çfarë domethënie ka Kosova për ju personalisht?
KT:
Unë kam botuar shtatë libra në Kosovë, dhe çdo
vepër që kam botuar aty është mirëpritur me dashamirësi nga lexuesi dhe kritika
kosovare. Gjithashtu, për vlerat artistike të librave të mi, Ministria e
Kulturës së Kosovës e ka parë të arsyeshme që këto shtatë libra t’i ribotojë në
shumë kopje. Të gjithë librat e mi, ministria e kulturës së Kosovës në
bashkëpunim me botuesin tim i ka ribotuar dhe shpërndarë në të gjitha shkollat,
universitetet dhe bibliotekat të Kosovës.
E kundërta ndodh në
vendin tim, në Shqipëri. Atje mbizotëron një indiferentizëm i plotë. Nga
Ministria e Kulturës gjithashtu ka indiferentizëm për veprat e realizuara.
Mbizotëron tarafi dhe miqësia, jo vlera e mirëfilltë. Në tekstet shkollore nuk
përfshihen krijuesit e emigracionit, dhe ka shumë ndikim të letërsisë së
realizmit socialist. Nxënësit dhe studentët nuk njihen me krijuesit që janë në
emigracion, që është një mangësi dhe një mendësi e pa tolerueshme, njëherësh e
dëmshme për brezin e ri.
Botuesit në Shqipëri
kurrë nuk e kanë vlerësuar cilësinë e librit, por paranë, për këtë arsye shohim
gjithnjë e më tepër libra mediokër. Boton ai që ka para, ndërsa lexuesi i
kualifikuar shpesh largohet nga libri.
Unë, si krijues,
ndjehem mirënjohës për interesimin dhe dashamirësinë e Ministrisë së Kulturës
dhe të popullit kosovar ndaj krijimtarisë time, të cilët janë syçelët dhe
mendje hapur. Respekt për popullin shqiptar të Kosovës.
GM: Cili është mesazhi që dëshironi të përcillni tek brezat e rinj lidhur me artin dhe kulturën shqiptare?
KT:
Ne nuk duhet kurrë të harrojmë dhe të mos e
nënvlerësojmë veten, vlerat dhe traditat tona. Ne jemi një popull vital. Brezat
e rinj duhet ta duan dhe të ruajnë, të mbrojnë dhe të zhvillojnë kulturën,
gjuhën dhe ardhmërinë. Sepse kur një komb mbron dhe zhvillon artin, kulturën,
letërsinë, e mbi të gjitha gjuhën e bukur shqipe, ai rron, përparon dhe
triumfon në shekuj.
Dhe juve miku im i
nderuar Gëzim dhe Zemra Shqiptare, ju falënderoj nga zemra që më mundësuat këtë
intervistë dhe pyetje kaq me vlerë, të bukura dhe interesante.
Respekt dhe
mirënjohje.










