E shtune, 27.12.2025, 07:10 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (V)

E shtune, 27.12.2025, 05:00 PM


INTERVISTË ME PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU (V)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në këtë pjesë përmbyllëse të intervistës me Prof. Xhemaledin Salihun, një nga personalitetet më qendrore të kulturës, arsimit dhe aktivizmit kombëtar në Luginën e Preshevës, zbulojmë vizionin e tij mbi të ardhmen e kombit shqiptar dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit tonë.

Prof. Salihu ndan me ne reflektime të thella mbi rrugëtimin e tij jetësor, ndikimin që kanë pasur figurat emblematike të historisë në formësimin e tij dhe sfidat komplekse që përballet sot shoqëria shqiptare. Përmes kësaj bisede, ai artikulon këshilla të qarta dhe mesazhe drejtuar elitave intelektuale dhe politike për ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe të bashkuar.

Si autor i pesë veprave studimore, Prof. Salihu shpjegon motivimin pas krijimtarisë së tij dhe tematikat qendrore që trajton, duke ofruar një pasqyrë të pasur të mendimit të tij mbi çështjet kulturore dhe kombëtare. Kjo pjesë nuk është thjesht një bisedë, por një thirrje për ndërgjegjësim, për mbrojtjen e trashëgimisë sonë dhe për një angazhim aktiv në ruajtjen e identitetit shqiptar në kohët moderne.

GM: Si autor i pesë librave, cili ka qenë motivimi juaj për t’i shkruar dhe cilat janë temat kryesore që trajtoni në veprat tuaja?

XHS: Gjatë veprimtarisë time shkencore, kulturore, arsimore, botova 5 libra. Libri i parë: “Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999, trajton temën e zhvillimit të veprimtarisë kulturore prej vitit 1945 në komunën e Preshevës, në realitet e trajton këtë veprimtari edhe më hërët, ku janë përfshirë edhe koha para vitit 1945, për aq sa kemi gjetur dokumente mbi zhvillimin e veprimtarisë kulturore. Këtu janë trajtuar themelimet e institucioneve kulturore, veprimtaria bibliotekare, veprimtaria e kinemasë, veprimtaria kulturore artistike, veprimtaria informative, kuadrot e veprimtarisë kulturore dhe censura në punën e veprimtarisë kulturore, në realitet të veprimtarisë bibliotekare, konfiskimi i librave të bibliotekës në vitet 1981 dhe 1987.

Në librin: “Bujanoci- burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore, Kurora, Gjilan, 2014, kam trajtuar dhe shkruar për trashëgiminë kulturore dhe natyrore të komunës së Bujanovcit, duke e shpjeguar dhe argumentuar se kjo trashëgimi është burim e trashëgimisë shqiptare.

Në librin: “Rainca - vendbanim i vjetër dardan-shqiptar në rajonin e Preshevës, libër monografik, bashkautor me Vehbi Fazliun, Kurora, Gjilan, 2015. Sëbashku me Vebi Fazliun hulumtuam të kaluarën dardane të Raincës, shkruam për trashëgiminë kulturore dhe natyrore të këtij fshati, për arsimimin, për kulturën, për sportin dhe shumë tema të tjera nga fshati dardan Raincën në komunën e Preshevës.

Në librin: “Presheva - pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, Preshevë, 2017, trajtova dhe shkrova për periudhat e hershme të Preshevës në  Lëvizjen Kombëtare, për shkrimet dhe udhëpërshkrimet e vjetra mbi Preshevën, për trashëgiminë kulturore dhe natyrore të saj, për kulturën, për arsimin dhe për shuma tema nga e kaluara dhe e tashmja e Preshevës, qendër e Lëvizjes Kombëtare gjatë shekujve, me shumë patriota dhe burra të atdhedashurisë.

Në librin: “Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës” trajtova dhe shkrova për të gjitha mëhallët, me familjet në çdo mëhallë dhe toponimet e të gjitha vendbanimeve të komunës së Preshevës. Ajo çfarë më gëzoi dhe u vërtetua autoktonia e toponimisë shqiptare doli më shumë se 95% toponomi shqiptare.

Libri im: “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, Preshevë, 2017, në Katalogun e Bibliotekës University Princeton të SHBA-së.

GM: Keni mbajtur një numër të madh kumtesash gjatë karrierës suaj. Cilat prej tyre do t’i veçonit si më të rëndësishmet, duke marrë parasysh ndikimin që patën në diskutimet shkencore apo në opinionin publik?

XHS: Në librin shqip e anglisht: "Çështja e Kosovës-një problem historik dhe aktual (Simpoziumi i mbajtur në Tiranë, me 15-16 prill 1993) Tiranë, organizim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Artit e Kosovës dhe Institutet e Historisë, Prishtinë e Tiranë, 1996, u përfaqësova  me punimin: "Kërkesat e Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës për të drejtat kombëtare" (f.409-413) në gjuhën shqipe si dhe me të njëjtin punim në librin në gjuhën angleze (f.215-219): The Kosova Issue - A Historie And Current Problem (Symposium held in Tirana on april 15-16 1993), Prishtina, Institute of History, Tirana, Institute of History, 1996,(Xhemaledin Salihu/Presheva/, The Albanians of Presheve, Bujanoc and Medvegje), (f.215-219).

Botova shumë shkrime dhe punime shkencore nga lëmia e historisë, gjeografisë, kulturës, bibliotekarisë, trashëgimisë kulturore, etnologjisë në shume gazeta dhe web faqe e portale të shumta si dhe mora pjesë në Konferenca, Simpoziume, Sesione shkencore.

Në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare, më 17-18 shtator 2011, në Tiranë, në organizim të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, lidhur me temën: “Studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve dhe teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë”, mora pjesë më kumtesën: “Arsimi shqip dhe aspekte të studimit të plan-programeve dhe të teksteve mësimore në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës”.

Në librin: Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë (Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010) Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2011, u përfaqësua me punimin: ”Valle popullore të vjetra në Preshevë”(f.29-46).

Në librin:”Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot” (Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 e 25 dhjetor 2011) Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2012, u përfaqësua me punimin”Ritet e dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë vallet e burrave në dasmën preshevare”(f.46-76).

Në librin:”Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë” (Simpozium shkencor  mbajtur në Preshevë, më 23-24 nëntor 2012) Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2013, u përfaqësova me punimin: ”Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim (LKpÇK) dhe kërkesat për Çlirim dhe Bashkim me Shqipërinë Etnike”(f.155-174).

Më 16 dhjetor 2010 u zgjodha kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë, ku realizova shumë projekte:  regjistrimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Preshevës e Bujanocit, organizimi i Konferencave shkencore, botimi i librave, organizimi i akademive e tjerë.

Në Konferencën shkencore:”Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore”, mora pjesë me kumtesën: “ Abdullah Krashnica-Presheva, filozofia pragmatiste-praktike, altruizmi dhe vizioni i jetës dhe i veprimtarisë së tij, në mbarim të LDB”, mbajtur më 12 e 13 dhjetor 2014.

Më 10 qershor 2015, në Tetovë mora pjesë në Manifestimin kulturor “Lidhja na bashkon” në organizim të Shoqatës për Kulturë dhe Art, me kumtesën: ”Çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dikur dhe sot” Po me këtë kumtesë mora pjesë në Konferencën shkencore: ”Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe Çështja kombëtare sot”, në Prizren.

Në Javën e Albanologjisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbajtur më 15-19 qershor 2015, në Prishtinë , në Sesionin Histori mora pjesë me kumtesën:”Udhëpërshkrimet e vjetra për Preshevën”.

Në Javën e Albanologjisë të Institutit Albanologjik të Prishtinë, mbajtur më 23-27 maj 2016, në Prishtinë, në Sesionin Etnologji mora pjesë me kumtesën:” Vallet e burrave të Preshevës me rrethinë-pasuri e veçantë e trashëgimisë shqirtërore shqiptare”.

Në librin: “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dje, sot dhe nesër”(Konferenca shkencore, mbajtur në Preshevë, më 21-23 tetor 2013) Preshevë, me Institutin Albanologjik të Prishtinës, u përfaqësova me punimin: ”Trashëgimia kulturore dhe natyrore në Preshevë”.

GM: A mund të na tregoni nëse keni gjetur mbështetje nga Shqipëria dhe Kosova për aktivitetet në Luginë?

XHS: Më vitin 2024 shkrova një shkrim: “Tirana dhe Prishtina duhet ta ndihmojnë kulturën në viset shqiptare, konkretisht në Luginë të Preshevës”, të cilën ia përcolla edhe në adresë të Z. Hajrulla Çekut, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Qëllimi i vetëm i shkrimit ishte që Tirana dhe Prishtina ta ndihmojnë kulturën  në viset shqiptare, sidomos Organizatat joqeveritare që në statut kanë zhvillimin e veprimtarisë kulturore, Rinisë dhe Sportit, ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturës, trashëgimisë kulturore , arsimit, gjuhës dhe simbolet kombëtare në Luginë të Preshevës.

Lugina e Preshevës, sidomos Presheva realizoi programe të shumta kulturore artistike dhe bashkëpunim kulturor  me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Shqipërinë, sidomos me Kosovën, gjatë vjetëve të fundit të shekullit XX. Poashtu edhe këto vise shqiptare, sidomos Kosova dhe Shqipëria participuan në zhvillimin e jetës kulturoe të Preshevës.

Vlen të theksohet bashkëpunimi i ngushtë i Preshevës me kulturën e Shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë. U realizuan shumë aktivitete kulturore e bashkëpunime kulturore me Shqipëri, Kosovë e gjetiu.

Bashkëpunimi i parë kulturor e arsimor u realizua më 1979, atëherë kur një numër i punonjësve kulturorë e arsimorë vizitoi Shqipërinë dhe u njoftua me arsimin dhe jetën kulturore në Shqipëri.

Në Shkodër, na priti Grupi i Këngëtarëve të Shkodrës dhe pos kësaj punonjësit arsimorë dhe kulturorë vizituan shumë Parqe arkeologjike, kala, shkolla, e tjerë.

Në të kaluarën shumicën e programeve kulturore, Presheva i  mori me lehtësime financiare apo edhe falas nga Kosova.

Kështu, në një bisedë të viteve të 70-ta të shekullit XX, në Sekretariatin Krahinor të Kulturës/atëherë-tashti Ministria e Kulturës/ nga sekretari i këtij Sekretariati, Shefki Stublla e morëm zotimin që Ansambletë kulturore dhe shërbimet kulturore të Kosovës do të jenë minimale për Preshevë. Në bisedë me sekretarin ishte Hasan Hajrullahu, udhëheqës komunal dhe kryetar i Këshillit për kulturë në Lidhjen Socialiste të Preshevës dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Xhemaledin Salihu/atëherë Universiteti i Punëtorëve/.

Bashkëpunimi i këtillë filloi të realizohet dhe Presheva të ketë beneficione dhe çmime më të ulta për programet dhe shërbimet kulturore të Ansambleve dhe Shërbimeve të Kosovës në Preshevë.

Bashkëpunimi i parë, i realizuar ndodhi më 1975, kur Biblioteka e Qytetit dhe NGBG “Rilindja” nënshkruan Kontratë të Përhershme për sigurimin e botimeve në gjuhën shqipe që dalin në “Rilindje”, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe botimeve import nga Shqipëria. Kjo kontrarë u realizua deri më 1989, deri atëherë kur u suprimua Autonomia e Kosovës, poashtu u shkëputë edhe konktrata në fjalë.

Më 1975, në Preshevë u hap skena e përhershme e Teatrit të Prishtinës, në periudhën 1975-1983, me rëndësi të madhe shoqërore e kombëtare, për realizimin e së cilës u nënshkrua Kontrata nr.24 e dt. 14 janar 1975, në mes të Teatrit Krahinor të Prishtinës/atëherë/ dhe Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Pra, Teatri në fjalë pasuroi jetën kulturore, sidomos jetën teatrale në Preshevë.

Më 1980, Preshevën e vizituan Teatri Popullor “Migjeni” Shkodër, Radio Shkodra me këngëtarët e mirënjohur: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Violeta Zefi, Violeta Gjergji,  e tjerë dhe Ansambli Artistik “Kuksi i Ri” nga Kuksi.

Presheva organizoi që nga vitet e 90-ta të shekullit XX shumë festivale kombëtare: Festivalin “Kosovarja Këndon” më 1992, Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” që nga viti 1995 u themelua Festival Kombëtar i Komedisë dhe ky Festival ka legjtimitetin dhe legalitetin që të mbahet në Preshevë, sepse për të janë nënshkruar marrëveshje në mes të Shtëpisë së Kulturës dhe LASH-it të Maqedonisë, Kosovës, pastaj të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pastaj u realizuan Festivali i Recituesve në Preshevë, unik për të gjitha trojet shqiptare, Festivali i Këngës dhe Valles së përpunuar në Preshevë apo i SHKASH-ve shqiptare dhe Festivali i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” që mbajnë vulën e kohës dhe janë Festivale të Preshevës.

Andaj, në mbështetje të kësaj që thamë më lartë, kërkohet një bashkëpunim më i mirëfilltë i Tiranës dhe Prishtinës, për të realizuar programe konkrete kombëtare kulturore dhe arsimore në Preshevë, sigurisht, jo vetëm për ta zhvilluar kulturën shqiptare, por edhe për ta mbajtur ndezur e gjallë kulturën shqiptare në Luginën e Preshevës, e harruar nga Serbia, por edhe nga Tirana dhe Prishtina.

Lugina e Preshevës dhe shoqëria civile e saj kanë nevojë të madhe për financimin e programeve dhe projekteve kulturore që kanë taban kombëtar, sepse ato nuk i financon as shteti i Serbisë, as komuna e Preshevës dhe Bujanovcit, e cila kujdeset vetëm për financimin e projekteve dhe programeve të shoqërisë civile, vetëm të atyre me seli në Bujanovc.

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë nuk financoi asnjë program kulturor në Preshevë, deri më vitin 2023, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, viteve të fundit nëpërmjet të thirrjeve publike ka financuar disa projekte kulturore, të Rinisë dhe Sportit të Organizatave joqeveritare në Luginë të Preshevës, sidomos në Preshevë.

Këtë përvojë të kësaj Ministrie duhet ta marrë përsipër edhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe ta vazhdojë  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sepse për disa Organizata joqeveritare financimi i programeve të tyre në kulturë, trashëgimi kulturore, aktiviteteteve të rinisë dhe sportit janë jetike dhe të vetme në këtë financim.

Përndryshe mos financimi i këtyre aktivitetetve e që nuk financohen nga Ministria e Kulturës së Republikës së Serbisë, për shkak të aspektit kombëtar dhe të mos financimit nga Komunat, të cilat nuk kanë mjete për financim të projekteve më të mëdha sikur janë: Festivali “Prefoto” me karakter ndërkombëtar, Konferenca shkencore, me karakter mbarëkombëtar, botimi i librit nga punimet e studiuesve nga Konferencat shkencore, ku marrin pjesë studiuesit e të gjitha trojeve shqiptare dhe Mërgata, Manifestimi kulturor” Jehona e Poezise dhe Recitimit në Luginë të Presehvës” me aktivitetin kombëtar, i cili në vete përmban edhe aktivitetin e Ditës së Plisit të Bardhë dhe Gatimeve tradicionale që të gjitha këto e ndonjë tjetër që përmendëm më lartë janë shpallur tradicionale. Po mos t’ishte financimi i Konferencës shkencore nga ana e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore nuk do të mundte ta realizonte Konferencën shkencore dhe botimin e librit në financim të Fondit Humanitar të “Gorenje” Prishtinë, me drejtor Fatmir Kadriu.

Andaj mos përkrahja me financime që dalin nga Thirrjet publike të Ministrisë së Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shuan këto aktivitete dhe shumë aktivitete të tjera në kulturë, të rinisë dhe sportit.

Është për tu përshëndetur nisma e financimit të kulturës, informimit, gjuhës dhe në përgjithësi financimi i projekteve që kanë taban kombëtar nga Ministria e Inovacionit, Kulturës e Republikës së Shqipërisë, në vitet 2024 dhe 2025, sidomos në Preshevë, financimi i Panairit të librit, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ekspozoi botimet e saja në Panair.

Besojmë se në të ardhmenë Ministritë e Kulturës në Tiranë dhe Kosovë do ta kenë parasysh këtë brengë të Organizatave joqeveritare të Luginës së Preshevës dhe me Thirrjet publike do ta ndihmojnë qëllimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës nëpërmjet kulturës, trashëgimisë kulturore, aktiviteteve të Rinisë dhe Sportit.

GM: Keni artikuluar shqetësime në ‘Zemra Shqiptare’ lidhur me rrymat ideologjike ku identiteti fetar duket se mbizotëron mbi atë kombëtar. A mendoni se ky fenomen është thelluar apo zbutur me kalimin e kohës, dhe çfarë ndikimi po vëreni konkretisht tek brezat e rinj në Luginën e Preshevës?

XHS: Zemra shqiptare ekziston sepse Shqiptarët kanë zemër dhe meriton një emërtim  të tillë kombëtar, sepse ajo është e guximshme, me taban kombëtar, pra boton shkrime të tilla që trajtojnë pos të tjerave edhe dukuritë negative që po ndodhin përmes fesë në shoqërinë shqiptare.

Edhe më shumë ka falënderime prej meje se shumicën e shkrimeve, me autorësi timen i publikova në Zemra Shqiptare. Këtu, sigurisht meritat i takojnë kryeredaktorit dhe redaktorit të kulturës në Zemrën shqiptare.

Zemra shqiptare botoi: A ka ekstremizëm dhe radikalizëm islamik te Shqiptarët në Luginën e Preshevës, Shqiptar, zgjohu se po të rrezikohet identiteti kombëtar, Shkollën shqipe e mbyti politizimi i saj dhe ndikimi festar, A po zëvendësohet “turk elhamdurulah” me “mysliman” në Luginë të Preshevës e në Shqipëtari, Shqiptarët, a po anojnë më shumë përkah përkatësia fetare ortodokse, Ruajtja e identitetit kombëtar përmes trashëgimisë kulturore, Trevat e Preshevës, Kristianizmi dhe përhapja e fesë islame dhe struktura e saj nacionale, Kah po shkojnë Shqiptarët!?, Përhapja e fesë islame në Luginë të Preshevës, e të tjerë.

Në këto shkrime trajtova dukuritë fetare që po ndodhin te Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe se ky fenomen i përhapjes së fesë islame politike, ekstreme, radikale me të madhe po përhapet në Luginë të Preshevës, sidomos te rinia shqiptare, e cila me të madhe e përvetëson si dhe kjo mbërriti kulmin në kuptimin se rinia po indoktrinohet gjithnjë e më shumë. Pra, ky fenomen gjithnje e më shumë po thellohet te rinia shqiptare përmes predikimeve, shpjegimeve të klerikëve fetarë, të cilët me të madhe po indokrinojnë rininë, jo me predikime fetare tradicionale të fesë islame, por me predikime subjektive, vetëm e vetëm ta ndikojnë me to rininë shqiptare. Andaj lirisht mund të themi  se ky ndikim fetar nuk po zbutet te rinia shqiptare, por ai po forcohet edhe më shumë, sepse në këtë nuk po e ndihmojnë shkolla shqipe, intelektualët, të cilët disa prej tyre po vajëzojnë në vend të hoxhallarëve.

Kur bisedohet për këto tema, të cilat i përmenda më lartë me tituj rinia shqiptare polemizon, sidomos një numër i madh i japin përparësi identitetit fetar para atij kombëtar.

Kjo është katastrofale për kombin tonë dhe do të vazhdojë nëse nuk kemi ndonjë ndërhyrje të shteteve shqiptare, institucioneve, shkollave, mësimdhënësve dhe intelektualëve. Sigurisht që edhe klerikët fetarë kanë një obligim ndaj këtyre fenomeve që t’i predikojnë realisht dhe objektivisht si dhe ata ta pranojnë se përkatësia kombëtare qëndron para asaj fetare.

GM: A mendoni se niveli i gazetarisë shqiptare sot i përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive të kohës?

XHS:Mendimi im është se gazetaria shqiptare, pos rasteve të veçanta sikur Zemra Shqiptare e ndonjë tjetër, nuk po e kryen obligimin e saj themelor të informojë objektivisht, realisht, saktë. Sidomos shumimi i madh i mediave shqiptare ka bë që përshkak të ekzistencës së tyre ku po garojnë se cila prej tyre do të publikoj informata, lajme të rreme, senzacionale. Pra, gazetarisë shqiptare i duhet një reformë e re që edhe gazetarët me botëkuptime dhe pikëpamje të shëndosha mbi politikën, kulturën, arsimin, fetë, në përgjithësi mbi çështjet dhe problemet shoqërore të informojnë, të shkruajnë objektivisht, saktë dhe realisht.

GM: Cilat figura kryesore kombëtare ju kanë influencuar më shumë dhe si kanë ndikuar ato në jetën tuaj personale, profesionale dhe në vizionin tuaj për kombin?

XHS: Figurat kombëtare që patën ndikim pozitiv kombëtar ishin Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, Rilindasit, Nëna Tereze, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, i cili e dha pronën për atdhe, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, gjyshi Sali, mësimdhënësi Adem Ahmeti e ndonjë tjetër që shpirtërisht më mbushën me dashuri, vullnet për vendlindjen, atdheun, kombin, gjuhën, kulturën shqiptare, trashëgiminë kulturore që të eci pavarësisht në rrugën time jetësore aq sa kam mundur fizikisht dhe mendurisht për këto që i përmenda më lartë.

GM: Duke marrë parasysh përvojën tuaj të gjatë dhe ndjekjen e zhvillimeve, si e shihni aktualitetin e kombit shqiptar? Cilat janë sipas jush hapat thelbësorë që duhet të ndërmarrë elita intelektuale dhe politike për të garantuar një të ardhme më të fortë dhe më të bashkuar kombëtare?

XHS: Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, mendimi im ishte se Shqiptarët në Ballkan u bënë faktorë kyç për çështje siguri dhe gjeopolitikë edhe shqiptare. Mirëpo, më vonë sikur e lëshuam këtë shans të faktorizimit në Ballkan, sipas mendimit tim të lirë se nuk patëm burrështetas dhe politikanë të rryer, me përvojë në këto detyra dhe sikur u lëkund kjo mbështetje e faktorit ndërkombatër në mbështje të kësaj kauze për Shqiptarët. Krejt kjo ndodhi përshkak të gabimeve tona, se ishim të papërgatitur që ta marrim këtë detyrë dhe këto obligime nga faktori ndërkombëtar për të ecur përpara në zhvillim dhe përparim ekonomik si dhe përparim gjithëmbarshëm shoqëror e politikë.

Hapat e ardhshëm të Shqiptarëve në viset shqiptare duhet të shkojnë në drejtim të politikës unifikuese në rrjedhat gjeopolitike botërore dhe globale, sidomos në Kosovë rivënie e raporteve të mira me shtetet perëndimore dhe kryeisht me SHBA-të. Klasa politike në viset shqiptare duhet të unifikohet, të përbashkohet dhe të marrë vendime me rëndësi si dhe me peshë për të ardhmenë e popullit shqiptar në përgjithësi. Qëllimi kryesor duhet të jetë bashkimi i Shqiptarëve në Republikën e Europës, hyrja në institucionet botërore, sidomos europiane dhe në NATO.

Klasa politike, në përgjithësi Shqiptarët duhet të angazhohen për një prosperitet në ekonomi, sepse ka  resurse për këtë zhvillim ekonomik, në arsim, kulturë, inofrmim, shëndetësi e sfera të tjera të jetës dhe mirëqeniesë shqiptare. Shqiptarët, sëbashku dyhet të armatosen për t’u mbrojtur në rast të ndonjë agresioni nga jashtë. Pos të tjerave, Shqiptarëve në Ballkan i mbeten edhe detyra dhe obligime të shumta: bashkimi i të gjitha viseve shqiptare në Europë si dhe dashuria e tyre për kombin shqiptar, kulturën, arsimin, trashëgiminë kulturore shqiptare.

Jam i bindur se këto të fundit mund t’i arrijmë më një shkollë kombëtare për shqiptarët dhe plan-programe dhe tekste mësimore të përbashkëta për shkollat e trevave shqiptare dhe diasporën shqiptare.

GM: Si e vlerësoni rrugëtimin tuaj jetësor dhe profesional deri më tani, cilat janë momentet më të rëndësishme që e kanë përcaktuar atë, dhe çfarë mësimesh keni nxjerrë nga veprimtaria juaj në arsim, kulturë dhe politikë?

XHS: Rrugëtimin tim jetësor dhe profesional e vlerësoj suksesshëm, sepse arrita at që dëshirova gjatë jetës time që mos të ndikohem nga ekstreme të ndryshme në politikë, kulturë, arsim. Momenti më i rëndësishëm jetësor dhe professional ishte dëshira dhe vullneti i çelnikët për shkollim, e pata edhe përkrahjen e gjyshit dhe babës, andaj arrita suksese në ato punë, veprimtari profesionale, në arsim, sidomos në kulturë. Dhe sikur ta zgjidhja rrugëtimin tim, prap do ta zgjidhja veprimtarinë kulturore për profesion, sepse nëpërmjet saj u mbusha shpirtërisht me kulturën, gjuhën, trashëgiminë kulturore shqiptare dhe mësova shumë për dashurinë për këto, për kombin, atdheun, edhepse kultura ishte gjithmonë e varfër përkah mjetet materiale. Shumë vite në kulturë kalova dhe kjo më shtyri ta zgjedhja profesionin kulturolog, drejtues të Shtëpisë së kulturës dhe të mbetëm aty deri në pensionim.

Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan, më përkrahën të punoj dhe të korri suksese më së shumti në veprimtarinë kulturore.

GM: Cili është mesazhi juaj i domosdoshëm dhe konkret për brezat e rinj në Preshevë? Çfarë këshille do t’u jepnit atyre për të ruajtur, jo vetëm në teori, por përmes angazhimit aktiv, identitetin kulturor dhe kombëtar në kushtet e sotme?

XHS: Çështja e mbrojtjes dhe ruajtjes së identitetit shqiptar është elementare për çdo shoqëri dhe çdo individ  të formuar, intelektual, të vetëdijësuar, të ndërgjegjshëm, atdhetar.

Pra, nuk është kurrëfarë patriotizmi i shtuar. Andaj çdo Shqiptar  pos gjuhës shqipe duhet të edukohet me kulturën, traditën, trashëgiminë shqiptare.

Individi që lakmon ndërrimin e identitetit kombëtar dhe nuk nderon trashëgiminë kulturore shqiptare është xero dhe pa vlerë shoqërore.

Për ata që synojnë dhe lakmojnë për identitete të tjera kombëtare: gjermane, amerikane, italiane, arabe, turke, myslimane, serbe, maqedonase e tjerë janë jo kombetar, jo intelektual, të pa vetëdijësuar, të pa ndërgjegjshëm dhe jo atdhetar.

Pra, identiti kombëtar shqiptar është: gjuha shqipe, trashëgimia kulturore, kultura, arsimi, shkenca shqiptare.

Njollosja e flamurit, heronjve e tjerë është bërë modë e përditshme e disa “intelektualëve, hoxhallarëve e tjerë, kjo dukuri duhet ndaluar që të mos përhapet edhe më në Shqiptari.

Në këtë kohë të çthurrjeve shoqërore, të çthurrjeve arsimore, kulturore, politike, trashëgimisë kulturore, traditës, familjes si bërthamë themelore e shoqërisë, sidomos të identitetit kombëtar të Shqiptarëve, po e them me shumë përgjegjësi, po rrezikohet identiteti kombëtar edhe ate në përmasa shumë të mëdha,.

Intelegjenca shqiptare duhet të zgjohet nga gjumi i thellë, se e kanë trullosur, e kanë hipnotizuar, e kane droguar me shumëçka, vetëm jashtë kësaj që po i ndodh identitetit kombëtar, nga këto ndikime të shumta të brendshme e të jashtme. Zgjohu o Shqiptar, sa nuk është bërë vonë!

GM: Po një mesazh për shqiptarët në përgjithësi, cili do të ishte?

XHS: Ta duan punën, ta duan atdheun, vendlindjen, kombin, gjuhën, kulturën, trashëgiminë kulturore shqiptare, ta duan unitetin dhe bashkimin kombëtar, të orientohen kah Europa dhe SHBA-të dhe mos të bien pre e ndikimeve të shumta fetare, politike, ekstreme, radikale që na vijnë nga vendet armiqe dhe vendet e Lindjes.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx