| E shtune, 27.12.2025, 05:00 PM |

INTERVISTË ME PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU (V)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM
MARKU
Në këtë pjesë përmbyllëse të intervistës me Prof. Xhemaledin Salihun, një nga personalitetet më qendrore të kulturës, arsimit dhe aktivizmit kombëtar në Luginën e Preshevës, zbulojmë vizionin e tij mbi të ardhmen e kombit shqiptar dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit tonë.
Prof. Salihu ndan me ne reflektime të thella mbi rrugëtimin e tij jetësor, ndikimin që kanë pasur figurat emblematike të historisë në formësimin e tij dhe sfidat komplekse që përballet sot shoqëria shqiptare. Përmes kësaj bisede, ai artikulon këshilla të qarta dhe mesazhe drejtuar elitave intelektuale dhe politike për ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe të bashkuar.
Si autor i pesë veprave studimore, Prof. Salihu shpjegon motivimin pas krijimtarisë së tij dhe tematikat qendrore që trajton, duke ofruar një pasqyrë të pasur të mendimit të tij mbi çështjet kulturore dhe kombëtare. Kjo pjesë nuk është thjesht një bisedë, por një thirrje për ndërgjegjësim, për mbrojtjen e trashëgimisë sonë dhe për një angazhim aktiv në ruajtjen e identitetit shqiptar në kohët moderne.
GM: Si autor i pesë
librave, cili ka qenë motivimi juaj për t’i shkruar dhe cilat janë temat
kryesore që trajtoni në veprat tuaja?

XHS: Gjatë veprimtarisë time shkencore, kulturore, arsimore, botova 5 libra. Libri i parë: “Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999, trajton temën e zhvillimit të veprimtarisë kulturore prej vitit 1945 në komunën e Preshevës, në realitet e trajton këtë veprimtari edhe më hërët, ku janë përfshirë edhe koha para vitit 1945, për aq sa kemi gjetur dokumente mbi zhvillimin e veprimtarisë kulturore. Këtu janë trajtuar themelimet e institucioneve kulturore, veprimtaria bibliotekare, veprimtaria e kinemasë, veprimtaria kulturore artistike, veprimtaria informative, kuadrot e veprimtarisë kulturore dhe censura në punën e veprimtarisë kulturore, në realitet të veprimtarisë bibliotekare, konfiskimi i librave të bibliotekës në vitet 1981 dhe 1987.

Në
librin: “Bujanoci- burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore, Kurora,
Gjilan, 2014, kam trajtuar dhe shkruar për trashëgiminë kulturore dhe natyrore
të komunës së Bujanovcit, duke e shpjeguar dhe argumentuar se kjo trashëgimi
është burim e trashëgimisë shqiptare.

Në
librin: “Rainca - vendbanim i vjetër dardan-shqiptar në rajonin e Preshevës,
libër monografik, bashkautor me Vehbi Fazliun, Kurora, Gjilan, 2015. Sëbashku
me Vebi Fazliun hulumtuam të kaluarën dardane të Raincës, shkruam për trashëgiminë
kulturore dhe natyrore të këtij fshati, për arsimimin, për kulturën, për
sportin dhe shumë tema të tjera nga fshati dardan Raincën në komunën e
Preshevës.

Në librin: “Presheva - pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, Preshevë, 2017, trajtova dhe shkrova për periudhat e hershme të Preshevës në Lëvizjen Kombëtare, për shkrimet dhe udhëpërshkrimet e vjetra mbi Preshevën, për trashëgiminë kulturore dhe natyrore të saj, për kulturën, për arsimin dhe për shuma tema nga e kaluara dhe e tashmja e Preshevës, qendër e Lëvizjes Kombëtare gjatë shekujve, me shumë patriota dhe burra të atdhedashurisë.

Në
librin: “Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës” trajtova
dhe shkrova për të gjitha mëhallët, me familjet në çdo mëhallë dhe toponimet e
të gjitha vendbanimeve të komunës së Preshevës. Ajo çfarë më gëzoi dhe u
vërtetua autoktonia e toponimisë shqiptare doli më shumë se 95% toponomi
shqiptare.
Libri im: “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, Preshevë, 2017, në Katalogun e Bibliotekës University Princeton të SHBA-së.

GM: Keni mbajtur një
numër të madh kumtesash gjatë karrierës suaj. Cilat prej tyre do t’i veçonit si
më të rëndësishmet, duke marrë parasysh ndikimin që patën në diskutimet
shkencore apo në opinionin publik?
XHS:
Në librin shqip e anglisht: "Çështja e Kosovës-një problem historik dhe
aktual (Simpoziumi i mbajtur në Tiranë, me 15-16 prill 1993) Tiranë, organizim
i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Artit
e Kosovës dhe Institutet e Historisë, Prishtinë e Tiranë, 1996, u
përfaqësova me punimin: "Kërkesat e
Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës për të drejtat
kombëtare" (f.409-413) në gjuhën shqipe si dhe me të njëjtin punim në
librin në gjuhën angleze (f.215-219): The Kosova Issue - A Historie And Current
Problem (Symposium held in Tirana on april 15-16 1993), Prishtina, Institute of
History, Tirana, Institute of History, 1996,(Xhemaledin Salihu/Presheva/, The
Albanians of Presheve, Bujanoc and Medvegje), (f.215-219).
Botova
shumë shkrime dhe punime shkencore nga lëmia e historisë, gjeografisë,
kulturës, bibliotekarisë, trashëgimisë kulturore, etnologjisë në shume gazeta
dhe web faqe e portale të shumta si dhe mora pjesë në Konferenca, Simpoziume,
Sesione shkencore.
Në
Konferencën e Parë Mbarëkombëtare, më 17-18 shtator 2011, në Tiranë, në
organizim të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, lidhur me temën:
“Studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve dhe teksteve
mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë”, mora pjesë më kumtesën:
“Arsimi shqip dhe aspekte të studimit të plan-programeve dhe të teksteve
mësimore në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës”.
Në
librin: Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë (Tribunë
shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010) Preshevë, Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2011, u përfaqësua me punimin: ”Valle
popullore të vjetra në Preshevë”(f.29-46).
Në
librin:”Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot” (Tribunë
shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 e 25 dhjetor 2011) Preshevë, Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2012, u përfaqësua me punimin”Ritet e
dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë vallet e burrave
në dasmën preshevare”(f.46-76).
Në
librin:”Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë” (Simpozium
shkencor mbajtur në Preshevë, më 23-24
nëntor 2012) Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2013, u
përfaqësova me punimin: ”Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe
Bashkim (LKpÇK) dhe kërkesat për Çlirim dhe Bashkim me Shqipërinë
Etnike”(f.155-174).
Më
16 dhjetor 2010 u zgjodha kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari
Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë, ku realizova shumë
projekte: regjistrimi i trashëgimisë
kulturore dhe natyrore të Preshevës e Bujanocit, organizimi i Konferencave
shkencore, botimi i librave, organizimi i akademive e tjerë.
Në
Konferencën shkencore:”Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike
në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore”, mora pjesë me
kumtesën: “ Abdullah Krashnica-Presheva, filozofia pragmatiste-praktike,
altruizmi dhe vizioni i jetës dhe i veprimtarisë së tij, në mbarim të LDB”, mbajtur
më 12 e 13 dhjetor 2014.
Më
10 qershor 2015, në Tetovë mora pjesë në Manifestimin kulturor “Lidhja na
bashkon” në organizim të Shoqatës për Kulturë dhe Art, me kumtesën: ”Çështja e
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dikur dhe sot” Po me këtë kumtesë mora
pjesë në Konferencën shkencore: ”Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe Çështja
kombëtare sot”, në Prizren.
Në
Javën e Albanologjisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbajtur më 15-19
qershor 2015, në Prishtinë , në Sesionin Histori mora pjesë me kumtesën:”Udhëpërshkrimet
e vjetra për Preshevën”.
Në
Javën e Albanologjisë të Institutit Albanologjik të Prishtinë, mbajtur më 23-27
maj 2016, në Prishtinë, në Sesionin Etnologji mora pjesë me kumtesën:” Vallet e
burrave të Preshevës me rrethinë-pasuri e veçantë e trashëgimisë shqirtërore
shqiptare”.
Në
librin: “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dje, sot dhe nesër”(Konferenca
shkencore, mbajtur në Preshevë, më 21-23 tetor 2013) Preshevë, me Institutin
Albanologjik të Prishtinës, u përfaqësova me punimin: ”Trashëgimia kulturore dhe
natyrore në Preshevë”.
GM: A mund të na tregoni
nëse keni gjetur mbështetje nga Shqipëria dhe Kosova për aktivitetet në Luginë?
XHS:
Më vitin 2024 shkrova një shkrim: “Tirana dhe Prishtina duhet ta ndihmojnë
kulturën në viset shqiptare, konkretisht në Luginë të Preshevës”, të cilën ia
përcolla edhe në adresë të Z. Hajrulla Çekut, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe
Sportit dhe Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Qëllimi
i vetëm i shkrimit ishte që Tirana dhe Prishtina ta ndihmojnë kulturën në viset shqiptare, sidomos Organizatat
joqeveritare që në statut kanë zhvillimin e veprimtarisë kulturore, Rinisë dhe
Sportit, ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturës, trashëgimisë
kulturore , arsimit, gjuhës dhe simbolet kombëtare në Luginë të Preshevës.
Lugina
e Preshevës, sidomos Presheva realizoi programe të shumta kulturore artistike
dhe bashkëpunim kulturor me Maqedoninë,
me Malin e Zi, me Shqipërinë, sidomos me Kosovën, gjatë vjetëve të fundit të
shekullit XX. Poashtu edhe këto vise shqiptare, sidomos Kosova dhe Shqipëria
participuan në zhvillimin e jetës kulturoe të Preshevës.
Vlen
të theksohet bashkëpunimi i ngushtë i Preshevës me kulturën e Shqiptarëve në
Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë. U realizuan shumë aktivitete kulturore
e bashkëpunime kulturore me Shqipëri, Kosovë e gjetiu.
Bashkëpunimi
i parë kulturor e arsimor u realizua më 1979, atëherë kur një numër i
punonjësve kulturorë e arsimorë vizitoi Shqipërinë dhe u njoftua me arsimin dhe
jetën kulturore në Shqipëri.
Në
Shkodër, na priti Grupi i Këngëtarëve të Shkodrës dhe pos kësaj punonjësit
arsimorë dhe kulturorë vizituan shumë Parqe arkeologjike, kala, shkolla, e
tjerë.
Në
të kaluarën shumicën e programeve kulturore, Presheva i mori me lehtësime financiare apo edhe falas
nga Kosova.
Kështu,
në një bisedë të viteve të 70-ta të shekullit XX, në Sekretariatin Krahinor të
Kulturës/atëherë-tashti Ministria e Kulturës/ nga sekretari i këtij
Sekretariati, Shefki Stublla e morëm zotimin që Ansambletë kulturore dhe
shërbimet kulturore të Kosovës do të jenë minimale për Preshevë. Në bisedë me
sekretarin ishte Hasan Hajrullahu, udhëheqës komunal dhe kryetar i Këshillit
për kulturë në Lidhjen Socialiste të Preshevës dhe drejtori i Shtëpisë së
Kulturës, Xhemaledin Salihu/atëherë Universiteti i Punëtorëve/.
Bashkëpunimi
i këtillë filloi të realizohet dhe Presheva të ketë beneficione dhe çmime më të
ulta për programet dhe shërbimet kulturore të Ansambleve dhe Shërbimeve të
Kosovës në Preshevë.
Bashkëpunimi
i parë, i realizuar ndodhi më 1975, kur Biblioteka e Qytetit dhe NGBG
“Rilindja” nënshkruan Kontratë të Përhershme për sigurimin e botimeve në gjuhën
shqipe që dalin në “Rilindje”, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe botimeve import
nga Shqipëria. Kjo kontrarë u realizua deri më 1989, deri atëherë kur u
suprimua Autonomia e Kosovës, poashtu u shkëputë edhe konktrata në fjalë.
Më
1975, në Preshevë u hap skena e përhershme e Teatrit të Prishtinës, në
periudhën 1975-1983, me rëndësi të madhe shoqërore e kombëtare, për realizimin
e së cilës u nënshkrua Kontrata nr.24 e dt. 14 janar 1975, në mes të Teatrit
Krahinor të Prishtinës/atëherë/ dhe Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Pra,
Teatri në fjalë pasuroi jetën kulturore, sidomos jetën teatrale në Preshevë.
Më
1980, Preshevën e vizituan Teatri Popullor “Migjeni” Shkodër, Radio Shkodra me
këngëtarët e mirënjohur: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Violeta Zefi, Violeta
Gjergji, e tjerë dhe Ansambli Artistik
“Kuksi i Ri” nga Kuksi.
Presheva
organizoi që nga vitet e 90-ta të shekullit XX shumë festivale kombëtare:
Festivalin “Kosovarja Këndon” më 1992, Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare”
që nga viti 1995 u themelua Festival Kombëtar i Komedisë dhe ky Festival ka
legjtimitetin dhe legalitetin që të mbahet në Preshevë, sepse për të janë
nënshkruar marrëveshje në mes të Shtëpisë së Kulturës dhe LASH-it të
Maqedonisë, Kosovës, pastaj të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pastaj u realizuan
Festivali i Recituesve në Preshevë, unik për të gjitha trojet shqiptare,
Festivali i Këngës dhe Valles së përpunuar në Preshevë apo i SHKASH-ve
shqiptare dhe Festivali i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” që mbajnë vulën e kohës dhe
janë Festivale të Preshevës.
Andaj,
në mbështetje të kësaj që thamë më lartë, kërkohet një bashkëpunim më i
mirëfilltë i Tiranës dhe Prishtinës, për të realizuar programe konkrete
kombëtare kulturore dhe arsimore në Preshevë, sigurisht, jo vetëm për ta
zhvilluar kulturën shqiptare, por edhe për ta mbajtur ndezur e gjallë kulturën
shqiptare në Luginën e Preshevës, e harruar nga Serbia, por edhe nga Tirana dhe
Prishtina.
Lugina
e Preshevës dhe shoqëria civile e saj kanë nevojë të madhe për financimin e
programeve dhe projekteve kulturore që kanë taban kombëtar, sepse ato nuk i
financon as shteti i Serbisë, as komuna e Preshevës dhe Bujanovcit, e cila
kujdeset vetëm për financimin e projekteve dhe programeve të shoqërisë civile,
vetëm të atyre me seli në Bujanovc.
Ministria
e Kulturës e Republikës së Shqipërisë nuk financoi asnjë program kulturor në
Preshevë, deri më vitin 2023, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e
Kosovës, viteve të fundit nëpërmjet të thirrjeve publike ka financuar disa
projekte kulturore, të Rinisë dhe Sportit të Organizatave joqeveritare në
Luginë të Preshevës, sidomos në Preshevë.
Këtë
përvojë të kësaj Ministrie duhet ta marrë përsipër edhe Ministria e Kulturës së
Republikës së Shqipërisë dhe ta vazhdojë
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sepse
për disa Organizata joqeveritare financimi i programeve të tyre në kulturë,
trashëgimi kulturore, aktiviteteteve të rinisë dhe sportit janë jetike dhe të
vetme në këtë financim.
Përndryshe
mos financimi i këtyre aktivitetetve e që nuk financohen nga Ministria e
Kulturës së Republikës së Serbisë, për shkak të aspektit kombëtar dhe të mos
financimit nga Komunat, të cilat nuk kanë mjete për financim të projekteve më
të mëdha sikur janë: Festivali “Prefoto” me karakter ndërkombëtar, Konferenca
shkencore, me karakter mbarëkombëtar, botimi i librit nga punimet e studiuesve
nga Konferencat shkencore, ku marrin pjesë studiuesit e të gjitha trojeve
shqiptare dhe Mërgata, Manifestimi kulturor” Jehona e Poezise dhe Recitimit në
Luginë të Presehvës” me aktivitetin kombëtar, i cili në vete përmban edhe
aktivitetin e Ditës së Plisit të Bardhë dhe Gatimeve tradicionale që të gjitha
këto e ndonjë tjetër që përmendëm më lartë janë shpallur tradicionale. Po mos
t’ishte financimi i Konferencës shkencore nga ana e Ministrisë së Kulturës të
Republikës së Kosovës, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore nuk do të
mundte ta realizonte Konferencën shkencore dhe botimin e librit në financim të
Fondit Humanitar të “Gorenje” Prishtinë, me drejtor Fatmir Kadriu.
Andaj
mos përkrahja me financime që dalin nga Thirrjet publike të Ministrisë së
Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë
së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shuan këto aktivitete dhe shumë aktivitete të
tjera në kulturë, të rinisë dhe sportit.
Është
për tu përshëndetur nisma e financimit të kulturës, informimit, gjuhës dhe në përgjithësi
financimi i projekteve që kanë taban kombëtar nga Ministria e Inovacionit,
Kulturës e Republikës së Shqipërisë, në vitet 2024 dhe 2025, sidomos në
Preshevë, financimi i Panairit të librit, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ekspozoi botimet e saja në
Panair.
Besojmë
se në të ardhmenë Ministritë e Kulturës në Tiranë dhe Kosovë do ta kenë
parasysh këtë brengë të Organizatave joqeveritare të Luginës së Preshevës dhe
me Thirrjet publike do ta ndihmojnë qëllimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së
identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës nëpërmjet kulturës, trashëgimisë
kulturore, aktiviteteve të Rinisë dhe Sportit.

GM: Keni artikuluar
shqetësime në ‘Zemra Shqiptare’ lidhur me rrymat ideologjike ku identiteti
fetar duket se mbizotëron mbi atë kombëtar. A mendoni se ky fenomen është
thelluar apo zbutur me kalimin e kohës, dhe çfarë ndikimi po vëreni konkretisht
tek brezat e rinj në Luginën e Preshevës?
XHS:
Zemra shqiptare ekziston sepse Shqiptarët kanë zemër dhe meriton një
emërtim të tillë kombëtar, sepse ajo
është e guximshme, me taban kombëtar, pra boton shkrime të tilla që trajtojnë
pos të tjerave edhe dukuritë negative që po ndodhin përmes fesë në shoqërinë
shqiptare.
Edhe
më shumë ka falënderime prej meje se shumicën e shkrimeve, me autorësi timen i
publikova në Zemra Shqiptare. Këtu, sigurisht meritat i takojnë kryeredaktorit
dhe redaktorit të kulturës në Zemrën shqiptare.
Zemra
shqiptare botoi: A ka ekstremizëm dhe radikalizëm islamik te Shqiptarët në
Luginën e Preshevës, Shqiptar, zgjohu se po të rrezikohet identiteti kombëtar,
Shkollën shqipe e mbyti politizimi i saj dhe ndikimi festar, A po zëvendësohet
“turk elhamdurulah” me “mysliman” në Luginë të Preshevës e në Shqipëtari,
Shqiptarët, a po anojnë më shumë përkah përkatësia fetare ortodokse, Ruajtja e
identitetit kombëtar përmes trashëgimisë kulturore, Trevat e Preshevës,
Kristianizmi dhe përhapja e fesë islame dhe struktura e saj nacionale, Kah po
shkojnë Shqiptarët!?, Përhapja e fesë islame në Luginë të Preshevës, e të
tjerë.
Në
këto shkrime trajtova dukuritë fetare që po ndodhin te Shqiptarët e Luginës së
Preshevës dhe se ky fenomen i përhapjes së fesë islame politike, ekstreme,
radikale me të madhe po përhapet në Luginë të Preshevës, sidomos te rinia
shqiptare, e cila me të madhe e përvetëson si dhe kjo mbërriti kulmin në
kuptimin se rinia po indoktrinohet gjithnjë e më shumë. Pra, ky fenomen
gjithnje e më shumë po thellohet te rinia shqiptare përmes predikimeve,
shpjegimeve të klerikëve fetarë, të cilët me të madhe po indokrinojnë rininë, jo
me predikime fetare tradicionale të fesë islame, por me predikime subjektive,
vetëm e vetëm ta ndikojnë me to rininë shqiptare. Andaj lirisht mund të
themi se ky ndikim fetar nuk po zbutet
te rinia shqiptare, por ai po forcohet edhe më shumë, sepse në këtë nuk po e
ndihmojnë shkolla shqipe, intelektualët, të cilët disa prej tyre po vajëzojnë
në vend të hoxhallarëve.
Kur
bisedohet për këto tema, të cilat i përmenda më lartë me tituj rinia shqiptare
polemizon, sidomos një numër i madh i japin përparësi identitetit fetar para
atij kombëtar.
Kjo
është katastrofale për kombin tonë dhe do të vazhdojë nëse nuk kemi ndonjë
ndërhyrje të shteteve shqiptare, institucioneve, shkollave, mësimdhënësve dhe
intelektualëve. Sigurisht që edhe klerikët fetarë kanë një obligim ndaj këtyre
fenomeve që t’i predikojnë realisht dhe objektivisht si dhe ata ta pranojnë se
përkatësia kombëtare qëndron para asaj fetare.
GM: A mendoni se niveli
i gazetarisë shqiptare sot i përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive të kohës?
XHS:Mendimi
im është se gazetaria shqiptare, pos rasteve të veçanta sikur Zemra Shqiptare e
ndonjë tjetër, nuk po e kryen obligimin e saj themelor të informojë
objektivisht, realisht, saktë. Sidomos shumimi i madh i mediave shqiptare ka bë
që përshkak të ekzistencës së tyre ku po garojnë se cila prej tyre do të
publikoj informata, lajme të rreme, senzacionale. Pra, gazetarisë shqiptare i
duhet një reformë e re që edhe gazetarët me botëkuptime dhe pikëpamje të
shëndosha mbi politikën, kulturën, arsimin, fetë, në përgjithësi mbi çështjet
dhe problemet shoqërore të informojnë, të shkruajnë objektivisht, saktë dhe
realisht.

GM: Cilat figura
kryesore kombëtare ju kanë influencuar më shumë dhe si kanë ndikuar ato në
jetën tuaj personale, profesionale dhe në vizionin tuaj për kombin?
XHS:
Figurat kombëtare që patën ndikim pozitiv kombëtar ishin Gjergj
Kastrioti-Skenderbeu, Rilindasit, Nëna Tereze, Ismail Qemali, Hasan Prishtina,
i cili e dha pronën për atdhe, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, gjyshi Sali,
mësimdhënësi Adem Ahmeti e ndonjë tjetër që shpirtërisht më mbushën me dashuri,
vullnet për vendlindjen, atdheun, kombin, gjuhën, kulturën shqiptare,
trashëgiminë kulturore që të eci pavarësisht në rrugën time jetësore aq sa kam
mundur fizikisht dhe mendurisht për këto që i përmenda më lartë.
GM: Duke marrë parasysh
përvojën tuaj të gjatë dhe ndjekjen e zhvillimeve, si e shihni aktualitetin e
kombit shqiptar? Cilat janë sipas jush hapat thelbësorë që duhet të ndërmarrë
elita intelektuale dhe politike për të garantuar një të ardhme më të fortë dhe
më të bashkuar kombëtare?
XHS:
Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, mendimi im ishte se Shqiptarët në Ballkan u
bënë faktorë kyç për çështje siguri dhe gjeopolitikë edhe shqiptare. Mirëpo, më
vonë sikur e lëshuam këtë shans të faktorizimit në Ballkan, sipas mendimit tim
të lirë se nuk patëm burrështetas dhe politikanë të rryer, me përvojë në këto
detyra dhe sikur u lëkund kjo mbështetje e faktorit ndërkombatër në mbështje të
kësaj kauze për Shqiptarët. Krejt kjo ndodhi përshkak të gabimeve tona, se
ishim të papërgatitur që ta marrim këtë detyrë dhe këto obligime nga faktori
ndërkombëtar për të ecur përpara në zhvillim dhe përparim ekonomik si dhe
përparim gjithëmbarshëm shoqëror e politikë.
Hapat
e ardhshëm të Shqiptarëve në viset shqiptare duhet të shkojnë në drejtim të
politikës unifikuese në rrjedhat gjeopolitike botërore dhe globale, sidomos në
Kosovë rivënie e raporteve të mira me shtetet perëndimore dhe kryeisht me
SHBA-të. Klasa politike në viset shqiptare duhet të unifikohet, të përbashkohet
dhe të marrë vendime me rëndësi si dhe me peshë për të ardhmenë e popullit
shqiptar në përgjithësi. Qëllimi kryesor duhet të jetë bashkimi i Shqiptarëve
në Republikën e Europës, hyrja në institucionet botërore, sidomos europiane dhe
në NATO.
Klasa
politike, në përgjithësi Shqiptarët duhet të angazhohen për një prosperitet në
ekonomi, sepse ka resurse për këtë
zhvillim ekonomik, në arsim, kulturë, inofrmim, shëndetësi e sfera të tjera të
jetës dhe mirëqeniesë shqiptare. Shqiptarët, sëbashku dyhet të armatosen për
t’u mbrojtur në rast të ndonjë agresioni nga jashtë. Pos të tjerave,
Shqiptarëve në Ballkan i mbeten edhe detyra dhe obligime të shumta: bashkimi i
të gjitha viseve shqiptare në Europë si dhe dashuria e tyre për kombin
shqiptar, kulturën, arsimin, trashëgiminë kulturore shqiptare.
Jam
i bindur se këto të fundit mund t’i arrijmë më një shkollë kombëtare për
shqiptarët dhe plan-programe dhe tekste mësimore të përbashkëta për shkollat e
trevave shqiptare dhe diasporën shqiptare.
GM: Si e vlerësoni
rrugëtimin tuaj jetësor dhe profesional deri më tani, cilat janë momentet më të
rëndësishme që e kanë përcaktuar atë, dhe çfarë mësimesh keni nxjerrë nga
veprimtaria juaj në arsim, kulturë dhe politikë?
XHS:
Rrugëtimin tim jetësor dhe profesional e vlerësoj suksesshëm, sepse arrita at
që dëshirova gjatë jetës time që mos të ndikohem nga ekstreme të ndryshme në
politikë, kulturë, arsim. Momenti më i rëndësishëm jetësor dhe professional
ishte dëshira dhe vullneti i çelnikët për shkollim, e pata edhe përkrahjen e
gjyshit dhe babës, andaj arrita suksese në ato punë, veprimtari profesionale,
në arsim, sidomos në kulturë. Dhe sikur ta zgjidhja rrugëtimin tim, prap do ta
zgjidhja veprimtarinë kulturore për profesion, sepse nëpërmjet saj u mbusha
shpirtërisht me kulturën, gjuhën, trashëgiminë kulturore shqiptare dhe mësova
shumë për dashurinë për këto, për kombin, atdheun, edhepse kultura ishte
gjithmonë e varfër përkah mjetet materiale. Shumë vite në kulturë kalova dhe
kjo më shtyri ta zgjedhja profesionin kulturolog, drejtues të Shtëpisë së
kulturës dhe të mbetëm aty deri në pensionim.
Falënderoj
të gjithë ata që më ndihmuan, më përkrahën të punoj dhe të korri suksese më së
shumti në veprimtarinë kulturore.
GM: Cili është mesazhi
juaj i domosdoshëm dhe konkret për brezat e rinj në Preshevë? Çfarë këshille do
t’u jepnit atyre për të ruajtur, jo vetëm në teori, por përmes angazhimit
aktiv, identitetin kulturor dhe kombëtar në kushtet e sotme?
XHS:
Çështja e mbrojtjes dhe ruajtjes së identitetit shqiptar është elementare për
çdo shoqëri dhe çdo individ të formuar,
intelektual, të vetëdijësuar, të ndërgjegjshëm, atdhetar.
Pra,
nuk është kurrëfarë patriotizmi i shtuar. Andaj çdo Shqiptar pos gjuhës shqipe duhet të edukohet me
kulturën, traditën, trashëgiminë shqiptare.
Individi
që lakmon ndërrimin e identitetit kombëtar dhe nuk nderon trashëgiminë
kulturore shqiptare është xero dhe pa vlerë shoqërore.
Për
ata që synojnë dhe lakmojnë për identitete të tjera kombëtare: gjermane,
amerikane, italiane, arabe, turke, myslimane, serbe, maqedonase e tjerë janë jo
kombetar, jo intelektual, të pa vetëdijësuar, të pa ndërgjegjshëm dhe jo
atdhetar.
Pra,
identiti kombëtar shqiptar është: gjuha shqipe, trashëgimia kulturore, kultura,
arsimi, shkenca shqiptare.
Njollosja
e flamurit, heronjve e tjerë është bërë modë e përditshme e disa
“intelektualëve, hoxhallarëve e tjerë, kjo dukuri duhet ndaluar që të mos
përhapet edhe më në Shqiptari.
Në
këtë kohë të çthurrjeve shoqërore, të çthurrjeve arsimore, kulturore, politike,
trashëgimisë kulturore, traditës, familjes si bërthamë themelore e shoqërisë,
sidomos të identitetit kombëtar të Shqiptarëve, po e them me shumë përgjegjësi,
po rrezikohet identiteti kombëtar edhe ate në përmasa shumë të mëdha,.
Intelegjenca
shqiptare duhet të zgjohet nga gjumi i thellë, se e kanë trullosur, e kanë
hipnotizuar, e kane droguar me shumëçka, vetëm jashtë kësaj që po i ndodh
identitetit kombëtar, nga këto ndikime të shumta të brendshme e të jashtme.
Zgjohu o Shqiptar, sa nuk është bërë vonë!
GM: Po një mesazh për
shqiptarët në përgjithësi, cili do të ishte?
XHS:
Ta duan punën, ta duan atdheun, vendlindjen, kombin, gjuhën, kulturën,
trashëgiminë kulturore shqiptare, ta duan unitetin dhe bashkimin kombëtar, të
orientohen kah Europa dhe SHBA-të dhe mos të bien pre e ndikimeve të shumta
fetare, politike, ekstreme, radikale që na vijnë nga vendet armiqe dhe vendet e
Lindjes.