| E shtune, 31.01.2026, 05:00 PM |

INTERVISTË ME PROFESORIN DHE STUDIUESIN AVZI MUSTAFA (II)
EKSKLUZIVE
NGA GËZIM MARKU
Intervista trajton gjithashtu angazhimet e tij si bashkëthemelues i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni, pjesëmarrjen në Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve, si dhe rolin drejtues në Shoqatën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Lidhjen e Arsimtarëve dhe në Unionin e Intelektualëve Shqiptarë.
Prof. Dr. Mustafa ndalet te historiku i revistës shkencore “Shqyrtime Albanologjike”, vlerësimi i punonjësve të arsimit dhe rëndësia e botimeve shkollore në zhvillimin e brezit të ri. Ai reflekton mbi sfidat e jetës gjatë komunizmit, rolin e figurave historike në ruajtjen e identitetit dhe ofron këndvështrimin e tij mbi kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Përmes kësaj bisede, Prof. Dr. Avzi Mustafa përcjell mesazhe të rëndësishme për forcimin e identitetit kombëtar dhe për vlerësimin e dijes si shtyllë të zhvillimit të shoqërisë.

GM: Ju jeni një nga
figurat kyçe në themelimin e Universitetit të Tetovës. Si i kujtoni ato ditë
historike dhe cili ishte roli juaj në konsolidimin e këtij institucioni?
AM:
Përveç Akademisë Pedagogjike për përgatitjen e mësuesve në shkollë fillore dhe
Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, shqiptarët nuk kishin institucione të
larta arsimore. Thjesht, nuk ekzistonte institucion tjetër. Në fakultetet e
tjera në shumë degë studionin fare pak studentë shqiptarë. Pas vitit 1981 edhe
ato pak institucione për shqiptarët në Maqedoni u mbyllën, ndërsa profesorët u
diferencuan. Në anën tjetër, Kosova kaloi në gjendje lufte, për shkak të
demonstratave të studentëve, dhe, me vonë, ndodhi suprimimi i të gjitha
institucioneve. Në atë kohë u fut edhe provimi pranues për universitet. Por,
testet përgatiteshin vetëm në gjuhën maqedonase, andaj fare pak apo aspak
shqiptarë mund të regjistroheshin. Më vonë u shtuan kërkesat e shqiptarëve,
andaj pushteti e shpiku një formulë tjetër – u krijua i a.q. “diskriminim
pozitiv”, ashtu që në çdo fakultet do të pranoheshin studentë në bazë të
përqindjes nacionale. Kështu në disa drejtime u rrit numri i kuotave për
pranim. Kështu shqiptarët mund të regjistroheshin deri në 5 studentë, gjithsesi
nëse e kalonin testin në gjuhën maqedonase dhe një lëndë bazike të drejtimit.
Një
dite erdhi në Katedër dr. Fadil Sulejmani dhe biseduam gjerë e gjatë për këto
problem. Pastaj shkuam në Institutin e Historisë për ta takuar Dr. Ramiz
Abdylin. Pas disa ditëve, bashkë me Fadil Sulejmanin, Abdulla Memetin dhe Prof.
Ali Vishkon, e vizituam Bashkësinë Fetare Islame në Shkup, ku po ashtu kërkuam
mbështetje. Unë u zgjodha në Këshillin e Universitetit.
Më
4 qershor 1994, nën organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, u mbajt
Kuvendi për Themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni. Në këtë kuvend u
vendos që ky institucion të emërtohet Universiteti i Tetovës, kjo sipas selisë
së tij.
Unë
u angazhova t’i siguroj të gjitha plan-programet e Fakultetit Filozofik,
Fakultetit Filologjik, atij të Drejtësisë dhe Fakultetit Ekonomik. Më pas i
filluan përgatitjet e tjera. Bashkë i zgjidhnim profesorët që mund të udhëhinin
me fakultetet, për çfarë duhej së paku tre profesorë. Realizuam takime me
bizismenë, mbajtëm mbledhje në të gjitha komunat dhe në fund vendosëm që të
hapet Universiteti i Tetovës. Punonim ilegalisht, siç thuhej “në të egër”. Por,
kështu u konsoliduan të gjitha fakultetet. Atëbotë shumë profesorë erdhën nga
Kosova. Mësimi filloi dhe unë isha në përbërjen e dekanatit të Fakultetit
Filozofik. Pastaj u pa nevoja që të kaloj në Fakultetin Filologjik, po ashtu në
përbërjen e dekanatit. Mësimi filloi nëpër shtëpi private, ndërsa unë mbaja
mësim edhe në Filologjik edhe në Pedagogjik. I mbaja disa lëndë, sipas nevojës.
Më pas, me hapjen e studimeve të magjistraturës, e kam mbajtur lëndën e
Metodologjisë për Fakultetin Filologjik, kurse në Fakultetin Filozofik e kam
mbajtur Metodikën e gjuhës. Ndërkaq në studimet pasuniversitare e kam mbajtur
lëndën Arsimimi dhe Trajnimi i Mësuesve.
GM: Si e vlerësoni
rëndësinë e mësimdhënies në studimet master dhe pasuniversitare?
AM:
Në Fakultetin Filologjik kam dhënë mësim në drejtimin e gjuhës. Kam qenë i
angazhuar për të mbajtur ligjërata mbi bilinguizmin për të gjitha grupet në
gjuhën maqedonase. Më vonë, disa vite, e kam mbajtur edhe Metodologjinë e
hulumtimit, derisa organizimin e masterëve dhe doktoranturat i mori Këshilli i
formuar nga Universiteti.
Magjistratura
kishte provime ku ligjëronin profesorë specialistë. Ajo ishte një etapë shumë e
rëndësishme e studimeve për ta mësuar metodologjinë e studimeve. Andaj edhe
punimi ishte në nivel shkencor dhe pa kufizime në faqe. Ndërsa doktorantura nuk
kishte provime, por bëhej paraqitja e temës dhe bëhej zgjedhja e mentorit.
Prandaj në doktorantura çdo dështim i takonte mentorit dhe komisionit recensues.
Kur
magjistraturat dhe doktoranturat filluan të organizohen sipas sistemit të
Bolonjës, së pari ua ndërruan emrin, nga magjistratura në “master”, pastaj u
vendos që studenti t’u nënshtrohej disa provimeve, kurse punimi duhej të kishte
80-120 faqe. Sipas këtij sistemi, doktoratura duhej të kishet 180-220 faqe. Me
këtë sistem, studimet master do të zgjasnin 2 vite, kurse doktorantura 3 vite
Kam
përshtypje se kështu edhe magjistratura ose masteri disi e ka humbur rëndësinë
shkencore. Shoh një degradim, sepse nuk ka debate në ligjërata, notat merren me
punime seminarike, dnërsa inteligjenca artificiale tashmë i ka rrënuar kufijtë
e kreativitetit shkencor. Nuk jam i sigurt as për nivelin metodologjik, nuk di
sa bëhen hulumtime për ndonjë temë, andaj edhe punimet janë vetëm ideore.
Prandaj këto studime janë më shumë teorike, varësisht prej përgatitjeve të
profesorëve dhe kandidatëve.
GM: Çfarë do të veçonit
nga përvoja juaj si shef katedre dhe anëtar i këshillave pedagogjike?
AM:
Që kur më propozuan, shkova para anëtarëve të katedrës me një program se çka do
të punoj për katedrën për periudhën katërvjeçare. Së pari kërkova që biblioteka
të furnizohet me libra, revista, gazeta, fjalorë, enciklopedi etj., pastaj
kërkova që të ruhen vlerat njerëzore në katedër, të mbahen rregullisht të
gjitha ligjëratat, kalueshmëria të jetë sipas diturive, punësova 3 asistentë
dhe një bibliotekar, mbajtëm një simpozium mbi veprimtarinë e Katedrës me
rastin e 25 vjetorit etj., u hap grupi i përkthyesve, nxorëm gazetën e studentëve
“Rrezja” dhe realizuam shumë projekte më të vogla në interes të studentëve dhe,
në përgjithësi, të albanologjisë.
Ndërkaq
përvoja e ime në këshillat pedagogjike ka qenë vizioni strategjik për
zhvillimin e programeve dhe kurrikulave, duke e ruajtur cilësinë akademike,
sidomos në përgatitjen e teksteve shkollore nga aspekti gjuhësor dhe
përmbajtjesor.
GM: Si i përshkruani
aktivitetet tuaja si themelues i Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në
Maqedoni dhe si pjesë e punës suaj në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe
Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë?
AM:
Që prej themelimit e deri më 2024, Akademia e Shkencave dhe Arteve të
Maqedonisë ka pranuar vetëm tre shqiptarë. Dy shqiptarë të ytjerë u pranuan në
vitin 2025. Prania e shqiptarëve është mjaft e vështirë, edhe pse ka studiues
mjaft të përgatitur me biografi shkencore me përmasa botërore. Por “të urtëve”
në ASHAM kjo nuk u ka bërë shumë përshtypje.
Prandaj
një grup intelektualësh vendosëm ta hapim Akademinë Shqiptare për Shkencë dhe
Art. Edhe kjo u bë. Në fillim ishim pesë anëtarë, nërsa tani numri është rritur
në pesëmbëdhjetë. Sidoqoftë, ashtu siç jemi, po bëjmë ca gjera të vogla, kemi
bashkëpunim me disa akademi, punojmë në disa projekte, marrim pjesë në
simpoziume e tribuna shkencore.
Sa
i përket ITSHKSH-së, unë kam qenë ithtar i themelimit të këtij institucioni që
prej fillimit, Disa vite me radhë kam qenë anëtar i jashtëm i Këshillit të
Institutit. Kam bashkëpunuar nëpërmjet organizimeve të konferencave e
simpoziume të ndryshëm që i ka organizuar ky Institut, ndërsa jam zgjedhur edhe
“anëtar i jashtëm” dhe “mik i Institutit”. Këtu dua të theksoj se jam
mirënjohës ndaj Institutit që e organizoi një sesion shkencor mbi veprimtarinë
time dhe që i ka promovuar botimet e mia.
GM: Cilat kanë qenë
përvojat tuaja si kryetar i Shoqatës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, si kryetar
i Lidhjes së Arsimtarëve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe si drejtues i
Unionit të Intelektualëve Shqiptarë?
AM:
Në kohën e njëmendësisë, e deri në rënien e sistemit dhe prishjes së
Jugosllavisë së Titos, shqiptarët e Maqedonisë kishin institucione aq sa
lejonin pushtetarët komunistë. Përveç shkollave fillore e ndonjë shkollë të
mesme të ndonjë drejtimi në qytetet ku dominonim shqiptarët, si në Tetovë e
Gostivar, në disa qytete nuk kishte as edhe as gjimnaze.
Më
vonë, në vitet 1970-të ndodhi një avancim edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Në
këtë periudhë u lejuann gjimnaze e shkolla të mesme profesionale. Pikërisht kur
filloi diçka, erdhi viti 1981 dhe gjithë ajo që ishte arritur, u ndërpre dhe
kaloi në të vjetrën, bile u bë edhe më keq. U suprimuan ose u mbyllën shkollat
e mesme e paralele, ndërsa u shpikën të ashtuquajturat “paralele të përziera”,
ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase. Edhe dokumentacionin shkollor
mësuesit duhej ta plotësonin vetëm me shkronja cirilike, kurse mësuesit
shqiptarë derisa ishin në shkollë detyroheshin të flasin në “gjuhën e shtetit”,
pra në maqedonisht. Pati edhe diferencime me përjashtime, ndalime që fëmijët të
pagëzohen me emra shqip, u imponua që toponimia të përdoret në gjuhën sllave,
librat shkollore u mbushën me përmbajte të shtrembuara dhe me devijime prej
normës së gjuhës tonë, duke filluar prej atyre gramatikore e deri te shmangiet
gjuhësore me karakter ideo-propagandistik etj.
Gjithë
kjo e keqe që rëndonte mbi gjuhën shqipe ishte arsyeja që të formohet Shoqata e
Arsimtarëve të Gjuhës Shqipe, ndërsa më pas u formua Lidhja e Shoqatave të
Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Puna jonë ishte që të bëjmë
analiza dhe t’i kundërvihemi këtij terrori arsimor, pa marrë parasysh pasojat
dhe rreziqet që rëndonin mbi shpirtin e mësuesit, profesorit dhe nxënësit. Unë
pata fatin ta udhëheq këtë asociacion, duke e mbajtur gjallë gjuhën dhe
letërsinë shqipe. Si Lidhje, në fillim iu kundërvumë kësaj përmes demarsheve e
letrave të hapura, ndërsa më pas organizuam debate, i analizuam tekstet
shkollore dhe organizuam gara të nxënësve në nivel republikan nga lënda e
gjuhës dhe të letërsisë. Këto gara na ndihmuam mjaft që nxënësit shqiptarë ta
japin provimin pranues në shkollat e mesme dhe fakultete.
Qëllimi
ynë ishte që para opinion të vendit dhe atij botëror të dëshmojmë se po e
helmonin gjuhën e nxënësve shqiptarë në Maqedoni.
Gjatë
viteve të para të tranzicionit, intelektualët shqiptarë në Maqedoni i kishte
kapur një krizë totale. Para çdo intelektuali shfaqej dilema të heshtë dhe të
bëhet naiv apo të protestojë. Kjo gjendje e prodhoi idenë për t’u ngritur
iniciativa për Unionin e Intelektualëve Shqiptarë, që do ta vë në dukje rolin e
intelektualëve me qëllime dhe vullnete të mira. Intelektualët shqiptarë në
Maqedoni kishin arsye shumë arsye për një union të tillë, sepse atëherë duhej
marrë përgjegjësinë e madhe për t’i mbrojtur vlerat e vërteta, arsimore,
kulturore e shkencore.
GM: Si lindi ideja për
themelimin e revistës shkencore ‘Shqyrtime Albanologjike’ dhe si e përshkruani
përvojën tuaj në drejtimin dhe përgatitjen e saj?
AM:
Në Maqedoni, edhe Jugosllavisë, për shqiptarët e Maqedonisë ekzistonte vetëm
një revistë për letërsi shkencë dhe art që e mbante emrin “Jehona”. Pas
shpërbërjes së Jugosllavisë, kjo revistë u privatizua dhe dilte sipas mundësive
me një ose dy numra në vit. Kjo bëri që ata që merreshin me punime letrare dhe
shkencore të mos kishin hapësirë për të botuar. Atëhere e mora iniciativën që
ta krijojmë një revistë shkencore me emrin “Shqyrtime Albanologjike”, e cila
ishte organ i Lidhjes së Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në
Maqedoni. Këtë revistë e themelova dhe e redaktoja vetë.
Pas
disa numrave vendosa që për secilin profesor të Katedrës që shkonte në pension
t’i kushtohej një numër, sepse Buletini që dilte në Fakultet nuk e shihte të
udhës që një numër t’ia kushtonte ndonjë profesori shqiptar. Prandaj vendosa që
nga një numër të revistës t’ia kushtoj profesorëve që shkonin në pension dhe
profesorëve për ndonjë jubile.
Jeta
e kësaj reviste ishte deri në numrin e 10-të. As vet nuk e kuptova se pse ma
ndërprenë financimin e botimit. U mundova disa herë të marr përgjigje, por
kurrë nuk gjeta shpjegim. Sidoqoftë, kjo revistë shërbeu si platformë shkencore
për studiuesit e rinj, që të mund të botonin punime nga gjuha dhe letërsia
shqipe.
GM: Sa është e
rëndësishme metodologjia e studimeve shkencore për brezat e rinj dhe si e
vlerësoni gjendjen aktuale të linguadidaktikës shqiptare?
AM:
Njohja me metodologjinë si shkencë në fakultetet e shkencave humane dhe
shoqërore ishte nevojë e kohës. Kjo disiplinë shkencore në shumë fakultete dhe
degë nuk figuronte si lëndë mësimore në plan-programet mësimore. Dominonte
mendimi se kjo shkencë mësohej në studimet pasuniversitare. Mirëpo, kur tema e
diplomës u bë detyrim për studentët, ata nuk kishin aspak njohuri se si punohet
një punim diplome ose si shkruhet një trajtesë shkencore, sepse nuk i njihnin
parimet bazë të shkencës. Metodologjia e studimeve ka për synim t’i udhëzojë
studiuesit në disa çështje teorike dhe praktike. Duke ditur se kërkimi shkencor
është rrugë e panjohur, rrugë pa kthim e as shëtitje, metodologu i parë
shqiptar, Faik Konica, i jep disa këshilla për ata që duan të merën me shkrime.
Ai porosit: “Kur qëlloni të shkruani gjësendi një libër e madhe apo një
artikull pesë gjashtëradhës e para nevojë është dini mirë ç’doni të dëfteni....
Dale të mendohem mirë ç’dua për të shkruar”.
Teksti i Metodologjisë në punën kërkimore-shkencore
në fushë së të filologjisë e shkencave
filologjike ishte një ndihmesë e madhe për studentët dhe për studiuesit jo
vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.
Sa
i takon kinguadidaktikës shqiptare në Maqedoni, ajo nuk është gjendje të mirë
dhe kjo shihet nga ajo sa trajtohet kjo problematikë nëpërmjet punimeve ose
debateve shkencore. Më duket se te linguistët dominon një mendim se studimet në
fakultet mjaftojnë dhe se mjafton që një student ose një i huaj që studion një
gjuhë të dytë mund ta shkruajë dhe ta flasë gjuhën joamtare pa gabime. Por,
praktika e tregon të kundërtën – pa marrë parasysh studimet, qofshin në
fakultet ose studime shumëvjeçare, vërehen gabime, sidomos në gramatikë, si te
zgjedhimi i foljeve, vetitë e akordimit, përdorimi i nyjave, i parafjalëve
etj., sepse përvoja dhe ushtrimet nuk janë garanci për të qenë i përsosur.
Diskursi i gjuhës së dytë te shumica e njerëzve ose studentëve e nxjerr në pah
faktin se ata janë të huaj. Kjo ndodh më së shumti në procesin e mësimdhënies,
sepse mësuesit mbështeten edhe në intuitë. Shkaqet janë të shumta, por më
kryesore, sipas meje, është se mungon koherenca e lidhjeve gjuhësore dhe
psikolinguistike, që mendoj se ka pak ka ndikim mbi metodat e mësimdhënies së
gjuhës nga ana e mësimdhënësve.
GM: Si e shihni sot
pozitën e gjuhës shqipe në institucionet arsimore të Maqedonisë së Veriut?
AM:
Gjuha shqipe është pasuria më e vyer që na e kanë lënë në trashëgim me shekuj e
brez pas brezi të parët tonë. Ata, edhe në periudhat me të errëta, kur nuk
kishim alfabet e institucione shkollore, u munduan dhe e ruajtën atë si gjënë
më të shenjtë, sepse ajo na identifikonte si komb.
Gjuha
shqipe për shqiptarët e Maqedonisë është çështje kombëtare e një rëndësie
madhore. Mirëpo, ajo që vërehet në tre dekadat e fundit, nga ajo që haset
publicistikë, në veprimtarinë shkencore, librore, në edicionet informative të
radio-televizioneve, në gazetat e shtypra dhe ato elektronike, nuk mund të jemi
të kënaqur me gjendejn e përdorimit të gjuhës. Gjithnjë e më shumë vërejmë një
gjuhë të bastarduar nga fjalori i veshur me petkun e huaj, ku dominon një gjuhë
jashtë normave drejtshkrimore, si nga sintaksa, por edhe shprehjet që nuk i
takojnë gjuhës shqipe. Një degradim të gjuhës sonë e hasim edhe te
intelektualët. Fjalët e bukura shqipe po zëvendësohen me leksema të huaja dhe
gjuha shqipe në Maqedoni po helmohet. Kjo më bind se shqipja te nuk është në
atë shkallë të përdorimit që duhet ta ketë. Tani, kur e dëgjojmë ose e flasim,
tingëllon si e hidhur dhe si e pashpirt.
Për
fat të keq, populli shqiptar nuk është më pak i prekur nga ky fenomen global.
Tani ndodhemi para asaj kur, do të thosha, gjuha shqipe në shumë familje nuk
është më gjuhë amtare. Sot ka filluar, ndërsa nesër mund të flasim për gjuhë të
parë, të dytë e të tretë. Në familjet shqiptare fëmijët me motrat dhe
vëllezërit, si edhe me moshatarët e tyre, komunikojnë në gjuhën angleze.
Prandaj shumë fjalë po zëvendësohen me fjalë të anglishtes. Kështu, edhe kur
gjuha shqipe e posedon atë nocion ose ndonjë fjalë tjetër, është bërë modë
gjuhe që të përdoret gjuha e huaj ose ndonjë tautologji shqip e anglisht, të
tipit okej-mirë e ngjashëm.
Si
ta mbrojmë gjuhën tonë? Për fat të keq, as në shtetin amë, e aq më pak në
Maqedoni, nuk ekziston ndonjë strategji. Politika gjuhësore në të ardhmen duhet
t’u takojë institucioneve arsimore, e sidomos shkollës, por jo politikanëve.
Kjo do të thotë se fuqitë duhet të orientohen në forcimin e statusit të gjuhës
shqipe në sistemin arsimor.
Mësimi
i gjuhës së pari duhet të mbështetet me numër më të madh të orëve mësimore në
planin mësimor, që së pari të merret për bazë struktura gramatikore e gjuhës,
për t’u rritur pastaj numri i orëve për mësimin e gjuhës amtare në
plan-programet mësimore. Kjo do të thotë se në të ardhmen duhet të orientohemi
kah ndryshimi i paradigmave programore.

GM: A mendoni se
shoqëria jonë i vlerëson mjaftueshëm punonjësit e arsimit dhe cilat mirënjohje
apo çmime që i keni marrë do t’i konsideronit më domethënëse?
AM:
Unë mendoj se për çdo studiues, qoftë i ri a i moshuar, një mirënjohje ose një
çmim për punën që bën ose e ka bërë gjithsesi që ndikon pozitivisht dhe te
çdokush ato çmime shndërrohen në nxitje, në forcë shtyse, në besim në vetvete
dhe ato e forcojnë përgjegjësinë intelektuale dhe përpjekjet shkencore.
Kur është njeriu i ri, i ka shumë qejf mirënjohjet publike që vijnë forma të këtilla çmimesh e dekoratash dhe unë me të vërtetë kam mirëkuptim dhe vazhdoj të kem mirëkuptim për plot të rinj që ndonjëherë edhe nguten me këso prirje. Por, me kalimin e kohës, sa vjen e plaket njeriu, aq më shumë dikush si unë që i ka përfunduar të gjitha kualifikimet e karrierës, e sheh se përkundër kënaqësisë momentale që ta krijojnë këto çmime, megjithatë mirënjohjet më të bukura janë ato që burojnë nga shpirti njerëzor e miqësor. Unë jam fitues i disa çmimeve e mirënjohje nacionale, disa herë kam qenë në epiqendër të opinionit dhe në ato raste ua them sinqerisht se marrja e një çmimi nuk ma ka ndryshuar jetën me asgjë. Kujtimi dhe nderimi më i mirë që mund të kem pasur gjatë gjithë jetës sime profesionale mbetet mirënjohja nga studentët shqiptarë të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodij” pas një viti nga pensionimi im, Plaketa e Nderit e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, çmimi nacional “22 Nëntori”, që jepet me rastin e festës së alfabetit shqip etj.
GM: Cilat kanë qenë
sfidat më të mëdha gjatë karrierës suaj dhe çfarë këshille do t’u jepnit
mësimdhënësve të rinj të gjuhës dhe letërsisë shqipe?
AM:
Në studimet pedagogjike, nga leximi i veprave pedagogjike-didaktike shumë herët
e pata kuptuar se mësimdhënia është shkencë dhe art dhe se mësimdhënësit duhet
ta kuptojnë mirë se ata janë të obliguar t’i posedojnë disa cilësi, si:
komunikimin, perceptimin, bashkëpunimin dhe vlerësimin, që do të thotë se
gjuha, zëri, intonacioni, kontakti, reagimi i menjëhershëm, situata në të cilën
gjendet subjekti, por edhe vlerësimi. Këto e bëjnë mësimdhënien art mësimor,
kurse identifikimi i problemit, formulimi dhe përgatitja e hapave logjikë,
grumbullimi i të dhënave dhe interpretimi i qartë i objektivave, si trajtohet
një temë mësimore, si dhe gjykimi i mësimdhënësit dhe mësimdhënies, e bëjnë atë
shkencë.
Këshilla
ime për të gjithë ata që do të japin mësim në shkolla është që së pari të
posedojnë njohje për lëndën që e ligjërojnë, si dhe njohuri të mjaftueshme
psikologjiko-didaktike, sepse vetëm atëherë mund të arrijnë sukses te nxënësit.
GM: Si e shihni të
ardhmen e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut, dhe çfarë mesazhi do t’u
përcillnit brezave të rinj të studiuesve shqiptarë?
AM:
Sikur ta kisha në intervistë vetëm për këtë pyetje! Do të shkruaja jo vetëm një
faqe ose dy, por do të shkruaja një studim të tërë. Por, këtu do të përgjigjem
shumë shkurt. Maqedonia e Veriut tani e 30 vjet synon reformimin e sistemit
arsimor. Përveç të politizimit të këtij procesi dhe përplasjeve ndërmjet
partive politike, ajo është ende larg ngritjes së një sistemi të mirëfilltë në
arsim, përfshirë të gjitha hallkat edukativo-arsimore. Mendoj se sa u përket
reformave, Maqedonia e Veriut sigurisht të hyjë në Librin e Gjinisit, sepse që
prej ardhjes së demokracisë e deri tani janë bërë 19 reforma, aq sa ka qenë
numri i ministrave që kanë udhëhequr me këtë dikaster.
Nuk
mund ta kuptojmë ende se ekzistojnë dy reforma: reformë e jashtme dhe reformë e
brendshme. Reformën e jashtme e bën politika, e cila miraton ligje për ta
zbatuar, por ajo nuk duhet të bëjë vetëm kopjime të sistemeve të huaja europiane. Modelet e marra, si ai i Holandës, i Danimarkës ose i Britanisë nuk
dhanë rezultate, sepse ne nuk kemi kushte për t’i zbatuar sistemet e shteteve
të huaja. Pastaj, për fat të keq, nuk bëhet asnjëherë analizë për një sistem të
huazuar, por synohet të implementohet komplet ashtu siç merret.
Edhe
pse miratohen ligje, suksesi arsimor nuk ndryshon, sepse nuk sjell përmisime.
Nuk ka as edhe vazhdimësi, sepse ndryshimet pozitive dhe risitë duhet të jenë
të vazhdueshme dhe të natyrshme nga një fazë e caktuar zhvillimi e sistemit te
faza pasardhëse. Ende nuk është normalizuar sistemi arsimor, gjë që ndikon
negativisht edhe në rritjen e cilësisë dhe në efikasitetin e tij. Unë mendoj se
mungesa e një strategjie të mirëfilltë nuk mund të jetë vetëm e dikasterit ose
të ministrit. Ajo duhet të jetë tej vijës së horizontit që e kufizon çdo lloj
strategjie arsimore institucionale, pa marrë parasysh sa është e mirë ajo.
E
sa u përket studentëve të rinj shqiptarë, ata të mos kërkojnë vetëm diplomë,
por dije, sepse diploma pa dije nuk ka asnjë vlerë.
GM: Shumë nga veprat
tuaja monografike e trajtojnë historinë e arsimit dhe metodikën e gjuhës shqipe
në Maqedoni. Cilat kanë qenë motivimet dhe qëllimet kryesore që ju kanë
udhëhequr gjatë hartimit të këtyre studimeve dhe cilat prej tyre i konsideroni
më përfaqësuese?
AM:
Këtu dua të prononcohem së pari mbi motivet që më kanë shtyrë ta trajtoj
problemin e metodikës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Kur ia fillova karrierës
arsimore, nuk gjeta asnjë dispencë ose doracak mbi problemin e mësimit të
gjuhës dhe të letërsisë. Përgatitjet për ligjëratat më detyronin të hulumtoj
shumë literaturë mbi didaktikat e mësimdhënies në shumë universitete. Për disa
vite, për secilën temë kërkoja material dhe për çdo gjeneratë plotësoja risitë
mbi temat që duhej t’i ligjëroja. Pas disa viteve të mbledhjes së materialit, e
botova tekstin universitar “Didaktika e gjuhës dhe e letërsisë shqipe”. Kjo
monografi ishte edhe teksti i parë i kësaj në Maqedoni dhe më gjerë. Pas
botimit të parë, vijoi edhe botimi i dytë. Nëpërmjet këtij teksti desha të
paraqes informacione teorike dhe praktike mbi mësimdhënien e gjuhës dhe të
letërsisë. Desha ta bindi mësuesin e gjuhës jo çka të mësojë, por si të mësojë.
E
sa u përket monografive që trajtojnë figura mësuesish e patriotë që kanë dhënë
kontribut për hapjen e shkollave shqipe, qëllimi im ka qenë që nëpërmjet
hulumtimeve në arkiva të ndryshme të gjej patriotë që kanë punuar për ngritjen
e arsimore të popullit shqiptar. Kontributi i tyre në përhapjen e arsimit ishte
e vetmja rrugë e kombit për të dalë nga skëterra e injorancës dhe ndërprerja e
propagandave të ndryshme që dëshironin ta përçajnë.
Studimet
rreth historikut të shkollës shqipe në Maqedoni paarqet një kontinentet të
pandërprerë të arsimit shqip si pjesë përbërëse e arsimit kombëtar shqiptar. Më
interes të veçantë për mua kanë qenë hulumtimet e mia për shqiptarët
ortodoksëe. Së pari desha të tregoj se Reka e Epërme është gjallë dhe se
kontributi i tyre gjatë historisë për kauzën kombëtare nuk është i paktë, por
shumë i madh. Me studimet për Rekën e Epërme iu vura përballë studiuesve sllavë
që këtyre shqiptarëve me fe ortodokse ua mohonin identitetin. Kështu desha të
dëshmoj se kjo pjesë e popullit shqiptar, së bashku me intelektualët e vet, jo
vetëm që kishin rezistuar ndaj asimilimit, por kështu e nxora në pah edhe
kontributin e tyre në zhvillimin ideor kolektiv kombëtar.
Se
cilin nga botimet e mia do të veçoja si më përfaqësuese, për këtë do të themë
se për mua vlen ajo pyetja e një nëne “se cilin fëmijë e doni më shumë?”.
Përgjigja është e njëjtë – “të gjithë njësoj”, që do thotë secili e ka vendin e
vet zemër. Ashtu edhe botimet mia e kanë vendin e tyre për ato çështje që
trajtojnë.
GM: Keni hartuar një
sërë librash shkollorë dhe fletore pune për gjuhën shqipe dhe letërsinë. Si e
konceptoni rolin e këtyre teksteve në përgatitjen dhe zhvillimin e nxënësve
shqiptarë në shkolla të ndryshme, dhe mund të na bëni një përshkrim të këtyre
veprave?
AM:
Po, unë jam autor i Abatares, si dhe i librave të leximit dhe fletoreve të
punës. Për nga natyra jam shpirt i ndjeshëm dhe shqetësimi im si një profesor
me njohuri pedagogjike-psikologjike dhe njohës edhe i gjuhës dhe të letërsisë
shqipe ishte problematika e teksteve që ishin shumë larg arritjeve linguistike
dhe pedagogjike-psikologjike. Për çdo tekst duhet të kemi parasysh së pari
qartësinë e shkruarit të gjuhës, pasurinë fazeologjike, terminologjinë e
goditur dhe fjalorin e pasur. Në shumë tekste shkollore nuk i hasja këto
kërkesa, prandaj iu rreka punës që të botoj edhe tekste mësimore për nxënësit
shqioptarë në Maqedoni. Tekstet që i botova, i ndërtova shkencërisht në bazë të
vet logjikës së lëndës, psikologjisë dhe moshës së nxënësve në përputhje me
kërkesat pedagogjike, didaktike e estetike
Puna
me tekstet shkollore është puna më e mirë për një hartues tekstet, sepse për
mua nuk ka kënaqesi më të madhe kur shumë nxënës më përqafojnë dhe me thonë se
“unë kam mësuar me librat tuaj”, por kjo njëherazi është edhe punë shumë
vështirë, sepse duhet të bëhesh edhe vetë nxënës për ta hartuar një tekst të
mirë.
GM: Ju keni hartuar dhe
kontribuar në libra për përdorim intern, siç janë studimet për zhvillimin e
arsimit shqip në Maqedoni, planet-programet për refugjatët, hulumtimet mbi
zhvillimin e të folurit te fëmijët dhe Abetaret funksionale. Si e vlerësoni
rëndësinë e këtyre veprave dhe si kanë ndikuar ato në përgatitjen dhe
zhvillimin e profesionistëve të arsimit dhe fëmijëve?
AM:
Unë kam bashkëpunuar mjaft me organizata të ndryshme joqeveritare europiane dhe
amerikane. Angazhimi im në fillim ka qenë nëpërmjet projekteve. Të gjitha këto
projekte si qëllim parësor kishin që të ndihmojmë shkollat, fëmijët, mësuesit e
studentët. Mirëpo, të gjitha këto projekte, varësisht nga realizimi i tyre,
janë zhvilluar nëpërmjet trajnimeve, së pari duke përgatitur individë për ekipe
lokale, e pastaj me pjesëmarrës nga shkollat ose komunat që ishin paraparë.
Pjesëmarrja
ime në këto projekte ishte edhe një përvojë më shumë, sepse derisa ai
realizohej, ne ishim të obliguar që të përgatisim materiale, doracakë që do t’u
ndihmonin të gjithëve që kishin filluar t’i ndjekin këto projekte nëpërmjet
seminareve dhe kurseve që organizoheshin. Nga të gjitha projekt ku unë kam marrë
pjesë, vetëm një ose dy projekte kanë arritur të hyjnë në ligjet shkollore.
GM: Periudha e
komunizmit në ish-Jugosllavi ka qenë një kohë kontrastesh të mëdha. Si do ta
përshkruanit jetën tuaj personale në atë sistem dhe cilat ishin sfidat më të
vështira që duhej të përballonte një intelektual shqiptar për të ruajtur
integritetin dhe identitetin e tij?
AM:
Sistemi komunist, në të cilin unë u rrita dhe u shkollova, ishte një sistem që
tërë arsimi kishte për qëllim të edukojë qytetarë të dëgjueshëm të atij sistemi.
Në shkollë mësonim vjersha për heronjtë partizanë, organizoheshin gara poetike
se kush di të shkruajë më mirë për Titon ose për ndonjë hero tjetër, me një
fjalë çdo gjë kontrollohej prej shtëpisë e deri në vendet ku do të shkoje.
Planet
dhe programet ishin të konceptuara dhe të fragmentuara dhe të detyrueshme.
Duhej ta mësojmë një vjershë të Naim Frashëri, rëndom poezinë “Fyelli”, të
lexojmë vetëm lektyrat, ese e romane me përmbajtje të që dikush kishte dhënë
leje, pra çdo gjë kalonte nëpër filtra që komunisti i përbetuar do t’i
analizonte. Dhe, nëse ai shihte ndonjë dyshim, ai tekst nuk botohej, kurse
autori shkonte në përgjegjësi. Liria e shprehjes aspak nuk ekzistonte. Të
gjitha gazetat, nga ai që shkruante e deri te redaktori përgjegjës e kryeredaktori,
kalonin në kontroll të rreptë.
Ne
që kishim prirje për ndonjë shkrim të çfarëdo lloji ose ndonjë punim
profesional, ishim të detyruar që të gjejmë ndonjë cittat nga Marksi, Engelsi,
Lenini, Tito etj., në mënyrë që të mund të botojmë
Më
kujtohet një student i matematikës kur më pyeti a ka ndonjë citat nga ideologët
e socializmit që ka thënë diçka në matematikë. Qesha dhe i thash krijoje një
mendim dhe shkruaja emrin e ndonjë udhëheqësi socialist. Ashtu ata do të
gëzoheshin dhe do ta botonin pa asnjë problem.
Në
fillim, kur fillova të shkruaj belbëzime pedagogjike, kërkoja tema të
përgjithshme. Por, vështirë ishte që të botohet, sepse kjo varej shumë nga
redaktori komunist, që shpesh rrinte mbi dorëshkrim që të gjejë ndonjë lidhje
asociative që e lidhte sipas mendjes së tij për ta ndaluar.
Në
kohën e socializmit organet kompetente kishin caktuar njerëz të caktuar për t’i
ndjekur intelektualët. Ishte një sistem që sot lutemi që kurrë mos të kthehet!

'Prof. Shaban Demiraj, Prof. Petro Janura dhe unë'
GM: Cilat janë disa
figura, historike ose bashkëkohore, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në
fusha të ndryshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?
AM:
Në vitet 1970-1980, kur për herë të parë erdhën profesorët e Universitetit të
Tiranës, na sollën disa libra dhe dispenca mësimore nga disa lëndë. I pari që
mbaj mend ishte i madhi Eqrem Çabej i cili mbajti edhe një ligjërate në
Universitetin e Shkupit, më pas Emil Lafe, Shaban Demiraj, Hamit Beçja Androkli
Kostallari, Jani Thomai, Ali Xhiku, disa profesorë të historisë dhe të
arkeologjisë, si A. Budina, Gazmend Shpuza, Petar Lalaj etj.
Kontribut
të madh më pas ishte simpoziumi “Shqiptarët e Maqedonisë” ku morën pjesë një
numër shumë i madh studiuesish, ku morën pjesën intelektualë të të gjitha
profileve, që vinin ta dëgjonin Kristo Frashërin. Në shkencat e pedagogjisë më
duhet ta përmend Hysni Myzeirin, Ruzhdi Maton.
Nga
shqiptarët autoktonë në Maqedoni kontribut kanë dhënë prof. Shukri Rahimi,
prof. Ali Vishko, prof. Masar Kodra, Prof. Petro Janura, prof. Ali Aliu, prof.
Agim Vinca, prof Ferid Muhiqi, Lutfi Rusi, Myrteza Peza, prof. Remzi Nesimi,
prof. Xhevat Gega etj. (U kërkoj ndjesë atyre që mund t’i kem harruar.)
GM: Nëse do të duhej të
bënit një përzgjedhje, cilat figura historike dhe bashkëkohore shqiptare do të
veçonit si kolonat kryesore mbi të cilat mbështetet identiteti dhe zhvillimi i
kombit tonë sot?
AM:
Është vështirë të bësh ndarje, por janë disa emra të pakontestueshëm, si
vëllezërit Frashëri, Ernest Koliqi, Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan Noli,
Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Shtjefën Gjeçovi, Aleksandar Xhuvani, Dhimitar
Shuteriqi, Ismail Kadareja, Ali Aliu, Rexhep Qosja, Agim Vinca, Ibrahim Rugova,
Xhevat Lloshi, Shefik dhe Tomor Osmani, Jani Thomai etj.
GM: Gjatë veprimtarisë
suaj kërkimore dhe pedagogjike, a keni pasur bashkëpunime apo mbështetje
institucionale nga Shqipëria dhe Kosova?
AM: Bashkëpunimi im me Shqipërinë dhe Kosovën ka
qenë vetëm në nivel të simpoziumeve dhe konferencave shkencore, ndërsa shkrimet
e mia janë botuar edhe në gazetën “Nacional”, në “55” e “Tema”, ndërsa në
Kosovë kam botuar në “Bota sot”, si dhe në disa portale.
GM: Ekzistojnë
këndvështrime të ndryshme mbi identitetin kulturor të shqiptarëve. Sipas jush,
a dominojnë tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut elemente të kulturës
shqiptaro-orientale apo të kulturës shqiptaro-oksidentale?
AM:
Që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, Kongresi i Manastirit, e deri te shkollate
para shqipe, shqiptarët janë përcaktuar për orientimin properëndimor, siç do të
thoshte Naim Frashëri “për shqiptarët dielli lind në Perëndim”. Gjithë
nacionalizmi shqiptar është projektuar me këtë orientim dhe ne nuk kemi pasur
asnjë dilemë në këtë kurs. S’do mend se kultura orientale ka lënë gjurmë në
identitetin tonë, sepse ne kemi bashkëjetuar pesë shekuj me një perandori
lindore, por kjo nuk e zhbën faktin se ne jemi europianë dhe jemi të orientuar
për t’u integruar në Bashkimin Europian e për të qenë pranë vendeve demokratike
të qytetërimit perëndimor.
GM: Cili do të ishte
mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë lidhur me ruajtjen dhe forcimin e
identitetit kombëtar në Maqedoninë e Veriut?
AM:
Mendimi im është që sa më parë ta ndalim ikjen e popullatës shqiptare në
Perëndim. Familjet e të migruesve të më hershëm e kanë ndjenjën e fortë për
identitetin kombëtar, kurse gjeneratat e mëvonshme, gjegjësisht nipërit e tyre,
shumë pak flasin gjuhën shqipe, ka martesa me të huaj e dukuri të ngjashme.
Edhe ardhja e tyre në vendlindje është shumë e dobët.
Unë
mendoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë sa më shumë në mërgatë, që të
hapin shkolla shqipe, të dërgojnë mësues më të mirë dhe të përgatisin tekste ku
do të dominojnë lexime për vendlindjen, gjuhën dhe historinë e lavdishme të
popullit shqiptar, për folklorin e pasur etj.
Edhe
në Maqedoni të Veriut të rinjtë shqiptar duhet të kujdesen për ta ruajtur dh
ekultivuar identitetin kombëtar, sepse vetëm në saje të kësaj vlere ne
dallohemi dhe vlerësohemi në botën e qytetëruar.
GM: Për të përmbyllur
këtë intervistë të çmuar, cili është mesazhi juaj për shqiptarët në
përgjithësi, kudo që jetojnë?
AM:
Unë do të pajtohem plotësisht me thënien e të madhit Faik Konica se “Ndjenja
kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast,
moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë
gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u
mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin”.
Dua
të themë se shqiptarët në mënyrë individuale e mahniten botë në shumë sfera,
por neve na mungon puna e përbashkët (kauza) për shumë çështje që duhet t’i
zgjidhin shqiptarët. Duhet që sa më parë të angazhohen dy akademitë dhe të
përgatisin strategjinë kombëtare për të ardhmen e kombit pa marrë parasysh ku
jetojnë sot shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të
Zi ose në diasporë. Koha nuk pret.
Ju
faleminderit nga zemra për këtë intevristë dhe ju përgëzoj për punën e vyeshme
që e bëni!