E merkure, 24.12.2025, 10:32 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II)

E merkure, 24.12.2025, 05:00 PM


INTERVISTË ME PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU (II)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në këtë pjesë të intervistës, Prof. Xhemaledin Salihu na rrëfen për udhëtimin e tij të pasur profesional dhe ndikimin që ka pasur në fushën e edukimit, kulturës dhe informimit në Preshevë. Duke nisur karrierën si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë, ai ndan përvojat dhe sfidat e fillimeve të tij profesionale, si dhe reflektimet për rolin dhe përgjegjësitë e mësuesit në shoqërinë e sotme.

Gjithashtu, Prof. Salihu na tregon për angazhimet e tij si drejtues i institucioneve arsimore dhe kulturore, duke përfshirë Universitetin e Punëtorëve, Shtëpinë e Kulturës, gazetat dhe radion lokale. Përmes kujtimeve të tij, ne ndjekim kontributin e tij në promovimin e kulturës, informimit dhe çështjeve shoqërore brenda komunitetit, duke zbuluar jo vetëm sukseset, por edhe sfidat që kanë shoqëruar këto përvoja.

Kjo pjesë e intervistës ofron një pasqyrë të thellë mbi mënyrën se si një profesionist i përkushtuar ka ndikuar në edukimin, kulturën dhe bashkësinë e tij, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në historinë e Preshevës.

GM: Pas përfundimit të studimeve, karrierën e filluat si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë. Si e përjetuat këtë përvojë në fillimet tuaja profesionale dhe cilat ishin sfidat e para në mësimdhënie?

XHS: Pas studimeve, në vitin 1971/72, punova në Gjimnazin e Preshevës-Paralelja e ndarë në Tërrnovc të Bujanovcit, ndërsa në vitin shkollor 1972/73, punova në Gjimnazin e Preshevës, mësimdhënës i lëndës së psikologjisë dhe sociologjisë.

Atëherë në Tërrnovc, në paralelet e ndara të gjimnazit të Preshevës nuk kishte kushte të mira mësimi, shfrytëzonim lokalet e shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në Tërrnovc. Ndanim një oborr me nxënësit e kësaj shkolle.

Ne disa mësimdhënës të Preshevës udhëtonim me makina private, për të shkuar në mësimdhënie në Tërrnovc. Po të drejtën për ta thënë kishim zell dhe vullnet shumë të mirë që të ligjërojmë sa më mirë.

Dy nxënës, prof. Xhevat Nasufi dhe prof. Xhemaledin Salihu në Tërrnovc

Një numër më i vogël mësimdhënës ishin nga komuna e Bujanovcit, por më vonë u plotësua numri i mësimdhënësve dhe nga paralelet e ndara u themelua shkolla e mesme në Bujanovc, e cila ekziston edhe sot.

Asnjëherë nuk shkoja pa përgatitje të mirë në orë mësimi, fitova besimin e nxënësve dhe pata sukses të mirë, kështu që edhe sot shumica e nxënësve më respektojnë dhe më nderojnë nxënësit e Tërrnovcit, por edhe ata të fshatrave të tjera të komunës së Bujanovcit.

Në Tërrnovc punova një vjet dhe vitin tjetër shkollor 1972/73 e fillova punën e procesit edukativ mësimor në Gjimnazin e Preshevës. Aty nuk pata sfida të vështira, sepse krijova shokë, kolegë të mirë, të cilët më ndihmonin për shumë vështirësi të shumta që në procesin edukativ mësimor më delnin gjatë punës, sepse isha shumë i ri, në krahasim me të tjerët , madje disa i pata edhe profesorë në këtë gjimnaz. Gjimnazi i Preshevës ishte strumbullar i dijes dhe nxënësve, jo vetëm të Preshevës, por edhe të Kumanovës së Maqedonisë e qyteteve të tjera.

Me sukses e mbarova këtë vit shkollor dhe nga udhëheqësia komunale mu afrua detyra drejtor i Universitetit të Punëtorëve, përshkak të profesionit-pedagog dhe aktiviteteve të mija kulturore më herët ne gjimnaz dhe qytet.

GM: Karrierën e keni nisur si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë, dy disiplina thelbësore për formimin e qytetarisë. Si e përkufizoni sot profesionin e mësuesit? Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet arsimtari në ditët tona, dhe si duhet të përgatiten brezat e rinj për këtë mision?

XHS: Sot në shkolla mësohet edukata qytetare dhe kur e lexon programin e saj mund të thuhet lirisht se kjo lëndë ka shumë të përbashkëta me sociologjinë dhe psikologjinë. Në kohën time nuk kishte lëndë mësimore të edukatës qytetare, por përmes lëndës së psikologjisë e socilogjisë  mësuam shumë kuptime, koncepte, pikëpamje, botëkuptime të qytetarisë dhe për shpirtin e mirë të një qytetari të ndershëm, të devotshëm. Pra, përmes këtyre dy lëndëve mësuam dhe u formuam edhe ne qytetarisht. Në shkolla të kërkohet që nxënësit të kërkohet ta mësojnë lëndën e educates qytetare që të formohen qytetarisht. Përmes këtyre dy lëndëve deri diku ia arritëm qëllimit në formimin e qytetarisë të secilit nxënës në gjimnaz.

Mirëpo, sot kur shikoj dhe me çfarë përballen mësimdhënësit, dyshoj se arrihet qëllimi - formimi i vërtetë i qytetarisë, sespe në këtë formim të qytetarisë po pengojnë mësimi i lëndës së mësimit fetar që ka hyrë në Preshevë që nga klasa e parë fillore. Poashtu edhe gjuha angleze dhe serbe në shkollat tona mësohet prej klasës së parë që sipas mendimit tim janë ngarkesë e madhe për fëmijët tanë si dhe është sfidë për mësimdhënësit që të krijojnë një personalitet të shëndetshëm fëmijënor.

Mësimdhënësit në formimin qytetar dhe personalitetit të fëmijës kanë sfida të shumta, sepse në ditët tona nuk po funksionon trekëndshi në shkollë: mësimdhënësi-fëmija-prindërit. Sikur të funksiononte ky trekëndësh, atëherë edhe fëmijët do të edukohen për një qytetari të shëndetshme dhe mësimdhënësit do ta kryenin misionin e vet hyjnor në edukimin e brezave të reja. Shkollat më tepër po mundohen ta mbushin mendjen e fëmijës me njohuri, dije të ndryshme, por jo edhe të edukojnë, pra ka mbetur aspekti edukativ në shkolla shumë prapa. Procesi themelëtar është edukativo-arsimor për gjeneratat dhe brezat e rinj dhe këtë detyrë duhet ta bartin: shkolla, mësimdhënësit me familjet e prindëve.

Në ditët e sotit në shkolla po ndodhin bullizma, dallime sociale, jo disciplinë, jo interesim edhe i nxënësve, edhe i prindërve, të cilët vetëm qëllimin e kanë që fëmija i tyre ta mbarojë klasën edhe pa dije, por edhe mos interesim i mësimdhënësve që ta kryejnë me nder qëllimin dhe misionin e shenjte të tyre, procesin edukativo-arsimor.

GM: Gjatë periudhës 1974–1983 u emëruat drejtor i Universitetit të Punëtorëve. Si e zhvilluat aktivitetin tuaj në këtë institucion dhe çfarë ndikimi pati ai në komunitet?

XHS: Në periudhën prej viteve 1974 -1983, emërohem drejtor i Universitetit të Punëtorëve, në realitet i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, i propozuar nga referenti komunal për arsim e kulturë të Preshevës, Shukri Qerimi dhe ky propozim u pranua nga udhëheqësia komunale. Të cekim se gjatë punës në Shtëpinë e Kulturës isha kryetar i Këshillit drejtues të  Bashkësisë komunale të Mbrojtjes Sociale. Poashtu gjatë viteve 1979-1983 isha edhe anëtar i Komisionit Republikan, i përcjellur nga Bashkësia e Mbrojtjes Sociale, për fabrikat, të cilat punësonin persona me të meta të veçanta.

Gjatë punës shumëvjeçare si drejtues i Shtëpisë së Kulturës dhashë një kontribut të madh në zhvillimin e veprimtarisë kulturore-artistike shqiptare në Komunën e Preshevës. Isha ideator dhe organizues i shumë manifestimeve kulturore: Garat komunale të fshatrave, Garat komunale ”Filloristi këndon”, Garat komunale ”Lexuesi më i mirë”, Garat komunale e Rajonale të Recituesve. Këto aktivitete dhe të tjera aktivitete e veprimtari kulturore artistike në Preshevë e mbushën jetën kulturore të komunitetit dhe kjo ndikoi pozitivisht ne mbushjen shpirtërore të dashamirëve të kulturës në Preshevë. Aktivitetet e organizuara kulturore-artistike i dhanë shpresë banorëve të Preshevës për një jetë më të begatshme kulturore dhe në publik vërehej kënaqësia e tyre. Përmes këtyre aktiviteteve në Preshevë u krijua një traditë dhe një publik i kulturuar për të ndjekur aktivitete të llojllojshme kulturore. Kjo traditë e publikut vërehet edhe sot ne aktivitetet e Shtëpisë së Kulturës.

GM: Keni qenë kryetar i Këshillit Drejtues të Bashkësisë Komunale për Mbrojtjen Sociale dhe anëtar i Komisionit Republikan për fabrikat që punësonin persona me të meta të veçanta. Si e përjetuat këtë përvojë?

XHS: Të cekim se gjatë punës në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë isha kryetar i Këshillit drejtues të  Bashkësisë komunale të Mbrojtjes sociale. Gjatë një mandati katërvjeçar patëm shumë punë, në drejtim të asaj se komuna e Preshevës ishte komuna e varfër në Republikën e Serbisë, me një numër të vogël të punësuar, pa ekonomi dhe kjo bënte që në Preshevë kishte shumë të varfur, që kishin nevojë shumë për ndihmë sociale, andaj edhe detyra e jonë si këshill drejtues i mbrojtjes sociale ishte t’i shqyrtojmë kërkesat e tyre dhe në shumicën e rasteve t’i pranojmë dhe t’i zgjidhim pozitivisht, ndonjëherë edhepse kërkuesit nuk i plotësonin kushtet formale ligjore. Duke e njohur pozitën e vështirë të familjeve e kërkuesit na shtynte që ta përdorim nenin 20 të Rregullores të punës të Këshillit, një nen që kishte parasysh humanitetin dhe solidaritetin dhe merrnim qëndrime positive t’i plotësonim kërkesat e tyre.

Poashtu për katër vjet 1979-1983 isha anëtar i Komisionit ekonomik Republikan i Bashkësisë së Mbrojtjes Sociale në Serbi, përmes të cilit i mbikqyrnim fabrikat prodhuese në Serbi, të cilat në mesin e punëtorëve kishte edhe persona me nevoja të veçanta, vështirësitë e tyre dhe ndihma që duhej dhënë këtyre fabrikave nga mbrojtja sociale. Në këtë drejtim edhe në Preshevë ishte një e këtillë dhe u angazhova që ta ndihmoj edhe materialisht në funkcionimin e saj.

GM: Si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë gjatë punës suaj shumëvjeçare, cilat aktivitete do të veçonit si më kryesoret?

XHS: Gjatë punës time shumëvjeçare, prej vitit 1973 deri më vitin 1984 arrita të organizoj veprimtarinë kulturore-artistike në Shtëpinë e kulturës. Në kuadër të Shtëpisë së Kulturës punonin Biblioteka Amë me degët e saja, kinemaja, qendra kulturore artistike, me shume grupe kulturoe dhe artistike, organizimi i shfaqjeve teatrale, koncerteve kulturore artistike, SHKASH “Abdulla Krashnica” me grupet e saja, pra, të gjitha aktivitetet kulturore që ndodhnin në komunën e Preshevës.

Kështu më vitin 1975 nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi, kontratë automatike me “Rilindjen” që të gjitha botimet e saja, botimet import nga Shqipëria, botimet në gjuhën shqipe të botuara në Mal të Zi dhe në Maqedoni t’i blejmë nga 17 ekzemplarë. Gjithashtu, Biblioteka Amë filloi të pasurohet me gazeta dhe revista në gjuhën shqipe: Rilindja, Zëri i Rinisë, Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Jeta e Re dhe Përparimi.

Në këtë periudhë themeluam Fondin e Trashëgimisë dhe Vendlindjes, më 1975

Gjatë mandatit tim drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Preshevës pati veprimtari dhe aktivitete të bollshme kulturoe artistike, të cilat u zhvilluan përmes SHKASH “Abdulla Krashnica”, në kuadër të së cilës vepronin disa grupe të aktiviteteve: grupi dramatik, i cili përgatiti shumë pjesë teatrale, grupi letrar, grupi recitues që organizoi disa gara të recituesve si dhe disa aktivitete të shoqërive kulturore artistike që ekzistonin në fshatra.

Me rëndësi është të ceket se më vitin 1975 nënshkruam me Teatrin e Prishtinës kontratë për Skenën e Përhershme në Preshevë, me të cilën çdo shfaqje teatrale që ishte premierë në Prishtinë shfaqej edhe në Preshevë.

Organizuam që disa solistë të Preshevës të marrin pjesë në Festivalin “Kosovarja Këndon” në Ferizaj: Lulëzime Ahmeti, Fatmire Murati, Haxhere Aliu e ndonje tjetër.

SHKASH “Abdulla Krashnica” në Belgjikë, më 1980

Me ftesën zyrtare të Qendrës Kulturore, Sportive dhe Rekreative “Abdulla Krashnica” në Namyr të Belgjikës, SHKASH “Abdulla Krashnica” e Preshevës ka bërë një vizitë disa ditëshe, më 1980, ku mbajti disa koncerte në Bruksel, Namyr dhe Gent të Belgjikës. Ajo përgatiti një program të pasur me këngë dhe valle burimore të Preshevës dhe përmes tyre te Mërgata jonë ngjalli motive atdhetarie dhe dashuri ndaj vendlindjes, gjuhës shqipe, identitetit kombëtar si dhe këngëve e valleve popullore. Për sa ditë zgjati vizita e shoqërisë në Belgjikë Mërgata jonë foli shqip, poashtu këndoi dhe vallëzoi shqip.

Më 1982 Ansambli “Çiftelia” mori pjesë në Festivalin e Kulturës së të Rinjve në Serbi, ku Fikrete Xhelili, me këngën “Baresha” mori pjesë në hapjen e Festivalit dhe për aq dite në Knjazhevc sa zgjati Festivali, banorët e Knjazhevcit Fikreten e quanin “Bilbil të Festivalit”.

Teatri Amator i Preshevës përgatiti disa shfaqje cilësore teatrale, me të cilat mori pjesë në Festivale dhe mori shumë shpërblime, madje edhe vende të para.

Foto në Knjazhevc

Grupi recitues mori pjesë në gara komunale, rajonale dhe republikane, ku zuri edhe vende të para, sikur Ymer Rexhepi, i cili zuri vendin e tretë në Garat Republikane të Serbisë. Poashtu vlen të ceket organizimi i shumë ekspozitave të artistëve nga Kosova, Maqedonia e Presheva.

Më 1992 në Preshevë organizuam Festivalin “Kosovarja Këndon” përshkak se regjimi millosheviqian nuk i lejoi që të organizohet Festivali tradicional në Ferizaj.

Prej këtij viti Presheva u bë qendër kulturore mbarëkombëtare, me organizimin e shumë Festivaleve me karakter kombëtar: “Festivali Kombëtar i Komedisë”, isha drejtor i Festivalit, Festivali i SHKASH, me këngë e valle të përpunuara, Festivali i Recituesve, isha kryetar i Këshillave organizative të festivaleve.

Poashtu vlen të ceket edhe Këshilli Nismëtar i hartimit të Monografisë “Zhvillimi i Arsimit dhe Kulturës në gjuhën Shqipe të komunës së Preshevës 1945-1995”, ku dolën dhe u botuan dy monografi: “Arsimi fillor në komunën e Preshevës” dhe “Kultura Shqiptare në komunën e Preshevës 1945-1995”, me autor Xhemaledin Salihu.

Më 1980 Preshevën e vizituan: Grupi i Këngëtarëve i Radio Shkodrës, Teatri “Migjeni” i Shkodrës, Ansambli”Kuksi i ri” i Kuksit,  Këngëtarët e RTV të Stambollit, një Ansambël i Greqisë dhe Filharmonia e Nishit. U organizuan shfaqja e filmave shqiptarë në kinemanë e qytetit dhe në disa fshatra të Preshevës si dhe u organizua premiera e filmit “Lepuri me pesë këmbë” me pjesëmarrje të regjisorit Ismajl Ymeri dhe artistave të filmit në fjalë.

Me shumë vlerë është të cekim se kultura shqiptare në Preshevë pati një zhvillim të hovshëm në bibliotekari, në kinema, në jetën kulturore artistike, në organizimin e shumë festivaleve dhe shfaqjeve të ndryshme kulturore. Ky aktivitet i ra në sy dhe i pengonte regjimit të atëhershëm serb, andaj edhe ky zhvillim pati censurë të fëlliqët ndaj kulturës shqiptare, sidmos pas viti 1981, kur filloi përfolja e madhe e indoktrinimit të rinisë shqiptare me libra të Shqipërisë dhe me programe kulturore artistike në gjuhën shqipe. Kulturës shqiptare iu vua një kontrollë restriktive, saqë në vitin 1981 dhe 1987, përmes censurës së rreptë deshën ta ndalojnë literaturën nga Shqipëria, të autorëve nga Shqipëria si dhe bënin verifikimin e programeve kulturore artistike dhe t’i ndalonin shfaqjen e këtyre programeve në gjuhën shqipe.

Kështu më 1981, censurimin dhe diskriminimin e kulturës shqiptare e paralajmëroi Dobrivoje Vidiq, funkcionar i lartë i Republikës së Serbisë dhe para punonjësve arsimorë tha se nxënësit dhe rinia shqiptare po indoktrinohen nëpërmjet literaturës nga Shqipëria.

Menjëherë në Preshevë, Inspektori arsimor komunal ndërmori një aksion dhe urdhëroi që nga Biblioteka e Qytetit dhe të shkollave të largohet literatura e përmendur. Mirëpo fal angazhimit të drejtorisë së Shtëpisë së Kulturës dhe të organizatave shoqëroro politike të Preshevës ky angazhim solli rezultate dhe nga inspektori u morën vetëm 7 libra.

Prap më 1987 Inspektori komunal i arsimit ndërmori një aksion të tillë largimin e librave nga Shqipëria, i cili angazhim i mori bibliotekave 3.287 libra. Po mos t’ishte angazhimi i punonjësve të Bibliotekës, numri do t’ishte më i madh i librave të larguara nga bibliotekat.

Më vonë me insistimin tonë u kthyen 998 libra, ndërsa të tjerave nuk i dihet ku mbetën dhe a u asgjësuan.

Një prej sfidave të këtilla na ndodhi edhe në Festivalin “Kosovarja Këndon”, kur Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik mori vendim që në Festival të ngritet Flamuri Kombëtar nga Nexhmije Pagarusha, sepse secili Festival duhet ta ketë flamurin e vet dhe që  me rastin e 80-vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë të lexohet një referat nga Sadije Çarkaxhiu, solistja fituese e parë e Festivalit në Ferizaj, por nuk ndodhi, sepse policia e Preshevës nuk lejoi. Në këtë rast pasi mungonte flamuri i Festivalit u vendos që të valojë Flamuri Kombëtar. Pra, ndodhi një censurë e ashpër që të mos shpaloset flamuri Kombëtar dhe mos të lexohet referati në fillimin e Festivalit. Kështu, para se të filloje Festivali, Policia e Preshevës na nxorri nga salla të dy përgjegjësit e Festivalit dhe na dërgoi në zyrën e drejtorit. Pra, z. Shukri Hoxhën, kryetar i Këshillit organizativ për Kosovë dhe Xhemaledin Salihun, kryetar i Këshillit organizativ për Preshevë. Me ta në zyrë ishte kryeshefi i policisë së Preshevës, përgjegjësi i sigurimit shtetëror në Preshevë dhe dy policë. Pasi na legjitimuan përmes letërnjoftimeve, filluan pyetjet nga kryeshefi i policisë, ndërsa përgjegjësi nuk foli dhe nuk bëri asnjë pyetje. Biseda informative ishte lidhur me Festivalin e përmendur dhe shpalosjen e Flamurit Kombëtar. Në ndërkohë të pyetjeve, njeri prej policëve me përkatësi serbe filloi ta maltretojë Shukri Hoxhën, duke i urdhëruar të ngritet dhe të ulet për ta nderuar kryeshefin e policisë. Gjatë sa zhvillohej kjo ndërhyrje e pyetjeve, në zyrë hyri Komandanti i policisë në Preshevë dhe i tha kryeshefit se filloi Festivali. Në këtë hallakam se kush urdhëroi, dolëm nga zyrja dhe më vonë e pranoi se urdhërin për fillimin e festivalit e kishte dhënë drejtori i Shtëpisë së Kulturës. Ne u kthyem në sallë dhe vazhdoi Festivali deri në mbarim. Më nuk u thirrëm lidhur me Festivalin.

Mirëpo edhe këtë katrahure regjimi e tejkaluam dhe e shpëtuam edhe literaturën, edhe kulturën shqiptare si dhe identitetin kombëtar.

GM: Në vitet 1977 dhe 1979, duke qenë kryetar i Këshillit Redaktues të revistës ‘Panorama’, çfarë mund të na tregoni për arsyet që e bënë revistën të dalë vetëm dy herë?

XHS: Në vitin 1977 u botua Revista “Panorama” nr. 1 dhe në vitin 1979 u botua numri 2, të cilat numra patën materiale botuese në gjuhën shqipe dhe serbe. Revista “Panorama” ishte organ i Klubit letrar “Feniks” të Preshevës. Këshillin redaktues e përbënin: Haki Sylejmani, redaktor përgjegjës dhe Xhemaledin Salihu, kryetar i Këshillit redaktues i Revistës.

Revista ishte revistë informative, politike, kulturore dhe financohej nga Bashkësia komunale e Kulturës. Mirëpo, pas dy numrave, u mor nisma për themelimin e veprimtarisë botuese në Shtëpinë e kulturës dhe u ndërpre botimi i Revistës, përshkak se Bashkësia komunale e Kulturës planifikonte që përmes botimeve do të zhvillonte edhe veprimtarinë letrare. Të cekim se veprimtaria botuese u zhvillua hovshëm dhe botoi disa libra të autorëve preshevarë: Qerim Arifi, Mirko Gashi, Ramadan Rexhepi, Jonuz Fetahaj, Mexhid Mehmeti, Sahadete Emërrllahu e tjerë.

GM: Si e përjetuat periudhën tuaj si drejtor i gazetës informative ‘Veprimi’?

XHS: Me vendimin e Kryesisë së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë u themelua gazeta e përkohëshme informative “Veprimi”, e cila do të botohet organ i Partisë në fjalë.

Drejtor i gazetës u emërova nga Kryesia e Partisë dhe gazetën e regjistruam në Ministrinë për Informim të Republikës së Serbisë.

Gazeta kishte për qëllim të përfshijë të gjitha sferat e informimit publik në komunën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, duke filluar nga jeta politike, kulturoe, arsimore, historike, ekonomike, shëndetësore e tjerë. Gazeta u botua vetëm katër numra dhe arriti qëllimin e caktuar si dhe mbushi boshllëkun inofrmativ në këto komuna.

Edhepse ishte një sfidë e rëndë informative, me një përkushtim e kreva detyrën e drejtorit që ma besoi Kryesia e Partisë  dhe ia dola faqebardhë që ta plotësoj qëllimin dhe misionin informative të publikut preshevar.

Gazeta u bë tribunë informative, jo vetëm e kësaj partie, por në përgjithësi e qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës si dhe më gjërë, falë punës time si drejtor dhe bashkëpunëtorëve të gazetës. Gazeta doli me katër numra dhe më vonë e ndërpreu punën e saj. Derisa u botua gazeta pati bashkëpunim me QIK-un e LDK, ku shumë na ndihmuan gazetari i ndjer Enver Maloku dhe Mustafë Xhemaili.

GM: Si redaktor kryesor i Radio Preshevës, cilat ishin objektivat dhe prioritetet tuaja, dhe si e menaxhonit përmbajtjen kulturore dhe informative?

XHS: Në Gjyqin Ekonomik në Leskovc, Shtëpia e kulturës në Preshevë ishte regjistruar si institucion kulturor dhe informativ.

Andaj edhe u vendos që të regjistrohet Radio Presheva, me drejtor Havçe Hasanin dhe mua për kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës. Kërkesa iu dërgua Ministrisë për Informim të Republikës së Serbisë, mirëpo nga ajo arriti përgjigja se Radio Presheva nuk mund të regjistrohet pa ndarjen e radio frekuencave nga Qeveria e Serbisë dhe kështu dështoi puna e Radio Preshevës.

Pas disa vjetëve u themelua RTV Presheva, e cila funksionoi disa vjet, mirëpo unë nuk isha në detyra të këtij mediumi.

GM: Si ndikoi puna juaj si drejtues i gazetës ‘Zgjimi’ në promovimin e kulturës, informimit dhe çështjeve politike brenda komunitetit të Preshevës?

XHS: Me themelimin e gazetës informative, kulturore, politike në Preshevë u plotësua një kërkesë e kaherëshme për një informim të drejtë, objektiv dhe aktual mbi ngjarjet politike, kulturore dhe informative në Preshevë dhe më gjërë. Pra, gazeta “Zgjimi” e përmbushi këtë detyrë dhe mision me botimin e saj për shumë vite. Gazeta doli më 1996 dhe vazhdoi që për çështjet aktuale politike, kulturore dhe informative ta informojë publikun, jo vetëm preshevar, por edhe publikun në Bujanovc, Medvegjë e më gjërë. Këtë mision e përmbushi gazeta shumë mirë falë punës time si kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës.

Gazeta “Zgjimi” Xh.Salihu, kryeredaktor, S. Hyseni, gazetar dhe Akademik Mark Krasniqi

Duhet theksuar se gazeta e zgjeroi punën e saj dhe punësoi edhe gazetarët Zeqirja Nezirin dhe Sevdail Hysenin, të cilët sëbashku me mua dhanë kontribut të mirë në promovimin e kulturës, informimit mbi çështjet aktuale politike brenda komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë dhe më gjërë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (XI)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx