| E merkure, 24.12.2025, 05:00 PM |

INTERVISTË ME PROFESORIN, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN XHEMALEDIN SALIHU (II)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Në këtë pjesë të intervistës, Prof. Xhemaledin Salihu na rrëfen për udhëtimin e tij të pasur profesional dhe ndikimin që ka pasur në fushën e edukimit, kulturës dhe informimit në Preshevë. Duke nisur karrierën si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë, ai ndan përvojat dhe sfidat e fillimeve të tij profesionale, si dhe reflektimet për rolin dhe përgjegjësitë e mësuesit në shoqërinë e sotme.
Gjithashtu, Prof. Salihu na tregon për angazhimet e tij si drejtues i institucioneve arsimore dhe kulturore, duke përfshirë Universitetin e Punëtorëve, Shtëpinë e Kulturës, gazetat dhe radion lokale. Përmes kujtimeve të tij, ne ndjekim kontributin e tij në promovimin e kulturës, informimit dhe çështjeve shoqërore brenda komunitetit, duke zbuluar jo vetëm sukseset, por edhe sfidat që kanë shoqëruar këto përvoja.
Kjo pjesë e intervistës ofron një pasqyrë të thellë mbi mënyrën se si një profesionist i përkushtuar ka ndikuar në edukimin, kulturën dhe bashkësinë e tij, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në historinë e Preshevës.
GM: Pas përfundimit të
studimeve, karrierën e filluat si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë.
Si e përjetuat këtë përvojë në fillimet tuaja profesionale dhe cilat ishin
sfidat e para në mësimdhënie?
XHS:
Pas studimeve, në vitin 1971/72, punova në Gjimnazin e Preshevës-Paralelja e
ndarë në Tërrnovc të Bujanovcit, ndërsa në vitin shkollor 1972/73, punova në
Gjimnazin e Preshevës, mësimdhënës i lëndës së psikologjisë dhe sociologjisë.
Atëherë
në Tërrnovc, në paralelet e ndara të gjimnazit të Preshevës nuk kishte kushte
të mira mësimi, shfrytëzonim lokalet e shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në
Tërrnovc. Ndanim një oborr me nxënësit e kësaj shkolle.
Ne
disa mësimdhënës të Preshevës udhëtonim me makina private, për të shkuar në
mësimdhënie në Tërrnovc. Po të drejtën për ta thënë kishim zell dhe vullnet
shumë të mirë që të ligjërojmë sa më mirë.

Dy
nxënës, prof. Xhevat Nasufi dhe prof. Xhemaledin Salihu në Tërrnovc
Një
numër më i vogël mësimdhënës ishin nga komuna e Bujanovcit, por më vonë u
plotësua numri i mësimdhënësve dhe nga paralelet e ndara u themelua shkolla e
mesme në Bujanovc, e cila ekziston edhe sot.
Asnjëherë
nuk shkoja pa përgatitje të mirë në orë mësimi, fitova besimin e nxënësve dhe
pata sukses të mirë, kështu që edhe sot shumica e nxënësve më respektojnë dhe
më nderojnë nxënësit e Tërrnovcit, por edhe ata të fshatrave të tjera të
komunës së Bujanovcit.
Në
Tërrnovc punova një vjet dhe vitin tjetër shkollor 1972/73 e fillova punën e
procesit edukativ mësimor në Gjimnazin e Preshevës. Aty nuk pata sfida të
vështira, sepse krijova shokë, kolegë të mirë, të cilët më ndihmonin për shumë
vështirësi të shumta që në procesin edukativ mësimor më delnin gjatë punës,
sepse isha shumë i ri, në krahasim me të tjerët , madje disa i pata edhe
profesorë në këtë gjimnaz. Gjimnazi i Preshevës ishte strumbullar i dijes dhe
nxënësve, jo vetëm të Preshevës, por edhe të Kumanovës së Maqedonisë e qyteteve
të tjera.
Me
sukses e mbarova këtë vit shkollor dhe nga udhëheqësia komunale mu afrua detyra
drejtor i Universitetit të Punëtorëve, përshkak të profesionit-pedagog dhe
aktiviteteve të mija kulturore më herët ne gjimnaz dhe qytet.
GM: Karrierën e keni
nisur si mësimdhënës i psikologjisë dhe sociologjisë, dy disiplina thelbësore
për formimin e qytetarisë. Si e përkufizoni sot profesionin e mësuesit? Cilat
janë sfidat kryesore me të cilat përballet arsimtari në ditët tona, dhe si
duhet të përgatiten brezat e rinj për këtë mision?
XHS:
Sot në shkolla mësohet edukata qytetare dhe kur e lexon programin e saj mund të
thuhet lirisht se kjo lëndë ka shumë të përbashkëta me sociologjinë dhe
psikologjinë. Në kohën time nuk kishte lëndë mësimore të edukatës qytetare, por
përmes lëndës së psikologjisë e socilogjisë
mësuam shumë kuptime, koncepte, pikëpamje, botëkuptime të qytetarisë dhe
për shpirtin e mirë të një qytetari të ndershëm, të devotshëm. Pra, përmes
këtyre dy lëndëve mësuam dhe u formuam edhe ne qytetarisht. Në shkolla të
kërkohet që nxënësit të kërkohet ta mësojnë lëndën e educates qytetare që të
formohen qytetarisht. Përmes këtyre dy lëndëve deri diku ia arritëm qëllimit në
formimin e qytetarisë të secilit nxënës në gjimnaz.
Mirëpo,
sot kur shikoj dhe me çfarë përballen mësimdhënësit, dyshoj se arrihet
qëllimi - formimi i vërtetë i qytetarisë, sespe në këtë formim të qytetarisë po
pengojnë mësimi i lëndës së mësimit fetar që ka hyrë në Preshevë që nga klasa e
parë fillore. Poashtu edhe gjuha angleze dhe serbe në shkollat tona mësohet
prej klasës së parë që sipas mendimit tim janë ngarkesë e madhe për fëmijët
tanë si dhe është sfidë për mësimdhënësit që të krijojnë një personalitet të
shëndetshëm fëmijënor.
Mësimdhënësit
në formimin qytetar dhe personalitetit të fëmijës kanë sfida të shumta, sepse
në ditët tona nuk po funksionon trekëndshi në shkollë:
mësimdhënësi-fëmija-prindërit. Sikur të funksiononte ky trekëndësh, atëherë edhe
fëmijët do të edukohen për një qytetari të shëndetshme dhe mësimdhënësit do ta
kryenin misionin e vet hyjnor në edukimin e brezave të reja. Shkollat më tepër
po mundohen ta mbushin mendjen e fëmijës me njohuri, dije të ndryshme, por jo
edhe të edukojnë, pra ka mbetur aspekti edukativ në shkolla shumë prapa.
Procesi themelëtar është edukativo-arsimor për gjeneratat dhe brezat e rinj dhe
këtë detyrë duhet ta bartin: shkolla, mësimdhënësit me familjet e prindëve.
Në
ditët e sotit në shkolla po ndodhin bullizma, dallime sociale, jo disciplinë,
jo interesim edhe i nxënësve, edhe i prindërve, të cilët vetëm qëllimin e kanë
që fëmija i tyre ta mbarojë klasën edhe pa dije, por edhe mos interesim i
mësimdhënësve që ta kryejnë me nder qëllimin dhe misionin e shenjte të tyre,
procesin edukativo-arsimor.
GM: Gjatë periudhës
1974–1983 u emëruat drejtor i Universitetit të Punëtorëve. Si e zhvilluat
aktivitetin tuaj në këtë institucion dhe çfarë ndikimi pati ai në komunitet?
XHS: Në periudhën prej viteve 1974 -1983, emërohem drejtor i Universitetit të Punëtorëve, në realitet i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, i propozuar nga referenti komunal për arsim e kulturë të Preshevës, Shukri Qerimi dhe ky propozim u pranua nga udhëheqësia komunale. Të cekim se gjatë punës në Shtëpinë e Kulturës isha kryetar i Këshillit drejtues të Bashkësisë komunale të Mbrojtjes Sociale. Poashtu gjatë viteve 1979-1983 isha edhe anëtar i Komisionit Republikan, i përcjellur nga Bashkësia e Mbrojtjes Sociale, për fabrikat, të cilat punësonin persona me të meta të veçanta.
Gjatë punës shumëvjeçare si drejtues i Shtëpisë së Kulturës dhashë një kontribut të madh në zhvillimin e veprimtarisë kulturore-artistike shqiptare në Komunën e Preshevës. Isha ideator dhe organizues i shumë manifestimeve kulturore: Garat komunale të fshatrave, Garat komunale ”Filloristi këndon”, Garat komunale ”Lexuesi më i mirë”, Garat komunale e Rajonale të Recituesve. Këto aktivitete dhe të tjera aktivitete e veprimtari kulturore artistike në Preshevë e mbushën jetën kulturore të komunitetit dhe kjo ndikoi pozitivisht ne mbushjen shpirtërore të dashamirëve të kulturës në Preshevë. Aktivitetet e organizuara kulturore-artistike i dhanë shpresë banorëve të Preshevës për një jetë më të begatshme kulturore dhe në publik vërehej kënaqësia e tyre. Përmes këtyre aktiviteteve në Preshevë u krijua një traditë dhe një publik i kulturuar për të ndjekur aktivitete të llojllojshme kulturore. Kjo traditë e publikut vërehet edhe sot ne aktivitetet e Shtëpisë së Kulturës.
GM:
Keni qenë kryetar i Këshillit Drejtues të Bashkësisë Komunale për Mbrojtjen
Sociale dhe anëtar i Komisionit Republikan për fabrikat që punësonin persona me
të meta të veçanta. Si e përjetuat këtë përvojë?
XHS:
Të cekim se gjatë punës në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë
isha kryetar i Këshillit drejtues të
Bashkësisë komunale të Mbrojtjes sociale. Gjatë një mandati katërvjeçar
patëm shumë punë, në drejtim të asaj se komuna e Preshevës ishte komuna e
varfër në Republikën e Serbisë, me një numër të vogël të punësuar, pa ekonomi
dhe kjo bënte që në Preshevë kishte shumë të varfur, që kishin nevojë shumë për
ndihmë sociale, andaj edhe detyra e jonë si këshill drejtues i mbrojtjes
sociale ishte t’i shqyrtojmë kërkesat e tyre dhe në shumicën e rasteve t’i
pranojmë dhe t’i zgjidhim pozitivisht, ndonjëherë edhepse kërkuesit nuk i
plotësonin kushtet formale ligjore. Duke e njohur pozitën e vështirë të
familjeve e kërkuesit na shtynte që ta përdorim nenin 20 të Rregullores të
punës të Këshillit, një nen që kishte parasysh humanitetin dhe solidaritetin
dhe merrnim qëndrime positive t’i plotësonim kërkesat e tyre.
Poashtu
për katër vjet 1979-1983 isha anëtar i Komisionit ekonomik Republikan i
Bashkësisë së Mbrojtjes Sociale në Serbi, përmes të cilit i mbikqyrnim fabrikat
prodhuese në Serbi, të cilat në mesin e punëtorëve kishte edhe persona me
nevoja të veçanta, vështirësitë e tyre
dhe ndihma që duhej dhënë këtyre fabrikave nga mbrojtja sociale. Në këtë
drejtim edhe në Preshevë ishte një e këtillë dhe u angazhova që ta ndihmoj edhe
materialisht në funkcionimin e saj.
GM:
Si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë gjatë punës suaj shumëvjeçare,
cilat aktivitete do të veçonit si më kryesoret?
XHS:
Gjatë punës time shumëvjeçare, prej vitit 1973 deri më vitin 1984 arrita të
organizoj veprimtarinë kulturore-artistike në Shtëpinë e kulturës. Në kuadër
të Shtëpisë së Kulturës punonin Biblioteka Amë me degët e saja, kinemaja,
qendra kulturore artistike, me shume grupe kulturoe dhe artistike, organizimi i
shfaqjeve teatrale, koncerteve kulturore artistike, SHKASH “Abdulla Krashnica”
me grupet e saja, pra, të gjitha aktivitetet kulturore që ndodhnin në komunën e
Preshevës.
Kështu
më vitin 1975 nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi, kontratë automatike me
“Rilindjen” që të gjitha botimet e saja, botimet import nga Shqipëria, botimet
në gjuhën shqipe të botuara në Mal të Zi dhe në Maqedoni t’i blejmë nga 17
ekzemplarë. Gjithashtu, Biblioteka Amë filloi të pasurohet me gazeta dhe
revista në gjuhën shqipe: Rilindja, Zëri i Rinisë, Fjala, Shkëndija, Kosovarja,
Jeta e Re dhe Përparimi.

Në
këtë periudhë themeluam Fondin e Trashëgimisë dhe Vendlindjes, më 1975
Gjatë
mandatit tim drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Preshevës pati veprimtari dhe
aktivitete të bollshme kulturoe artistike, të cilat u zhvilluan përmes SHKASH
“Abdulla Krashnica”, në kuadër të së cilës vepronin disa grupe të aktiviteteve:
grupi dramatik, i cili përgatiti shumë pjesë teatrale, grupi letrar, grupi
recitues që organizoi disa gara të recituesve si dhe disa aktivitete të
shoqërive kulturore artistike që ekzistonin në fshatra.
Me
rëndësi është të ceket se më vitin 1975 nënshkruam me Teatrin e Prishtinës
kontratë për Skenën e Përhershme në Preshevë, me të cilën çdo shfaqje teatrale
që ishte premierë në Prishtinë shfaqej edhe në Preshevë.

Organizuam
që disa solistë të Preshevës të marrin pjesë në Festivalin “Kosovarja Këndon”
në Ferizaj: Lulëzime Ahmeti, Fatmire Murati, Haxhere Aliu e ndonje tjetër.

SHKASH
“Abdulla Krashnica” në Belgjikë, më 1980
Me
ftesën zyrtare të Qendrës Kulturore, Sportive dhe Rekreative “Abdulla
Krashnica” në Namyr të Belgjikës, SHKASH “Abdulla Krashnica” e Preshevës ka
bërë një vizitë disa ditëshe, më 1980, ku mbajti disa koncerte në Bruksel,
Namyr dhe Gent të Belgjikës. Ajo përgatiti një program të pasur me këngë dhe
valle burimore të Preshevës dhe përmes tyre te Mërgata jonë ngjalli motive
atdhetarie dhe dashuri ndaj vendlindjes, gjuhës shqipe, identitetit kombëtar si
dhe këngëve e valleve popullore. Për sa ditë zgjati vizita e shoqërisë në
Belgjikë Mërgata jonë foli shqip, poashtu këndoi dhe vallëzoi shqip.
Më
1982 Ansambli “Çiftelia” mori pjesë në Festivalin e Kulturës së të Rinjve në
Serbi, ku Fikrete Xhelili, me këngën “Baresha” mori pjesë në hapjen e
Festivalit dhe për aq dite në Knjazhevc sa zgjati Festivali, banorët e
Knjazhevcit Fikreten e quanin “Bilbil të Festivalit”.
Teatri
Amator i Preshevës përgatiti disa shfaqje cilësore teatrale, me të cilat mori
pjesë në Festivale dhe mori shumë shpërblime, madje edhe vende të para.

Foto
në Knjazhevc
Grupi
recitues mori pjesë në gara komunale, rajonale dhe republikane, ku zuri edhe vende
të para, sikur Ymer Rexhepi, i cili zuri vendin e tretë në Garat Republikane të
Serbisë. Poashtu vlen të ceket organizimi i shumë ekspozitave të artistëve nga
Kosova, Maqedonia e Presheva.

Më
1992 në Preshevë organizuam Festivalin “Kosovarja Këndon” përshkak se regjimi
millosheviqian nuk i lejoi që të organizohet Festivali tradicional në Ferizaj.

Prej
këtij viti Presheva u bë qendër kulturore mbarëkombëtare, me organizimin e
shumë Festivaleve me karakter kombëtar: “Festivali Kombëtar i Komedisë”, isha
drejtor i Festivalit, Festivali i SHKASH, me këngë e valle të përpunuara,
Festivali i Recituesve, isha kryetar i Këshillave organizative të festivaleve.
Poashtu
vlen të ceket edhe Këshilli Nismëtar i hartimit të Monografisë “Zhvillimi i
Arsimit dhe Kulturës në gjuhën Shqipe të komunës së Preshevës 1945-1995”, ku
dolën dhe u botuan dy monografi: “Arsimi fillor në komunën e Preshevës” dhe
“Kultura Shqiptare në komunën e Preshevës 1945-1995”, me autor Xhemaledin
Salihu.
Më
1980 Preshevën e vizituan: Grupi i Këngëtarëve i Radio Shkodrës, Teatri
“Migjeni” i Shkodrës, Ansambli”Kuksi i ri” i Kuksit, Këngëtarët e RTV të Stambollit, një Ansambël
i Greqisë dhe Filharmonia e Nishit. U organizuan shfaqja e filmave shqiptarë në
kinemanë e qytetit dhe në disa fshatra të Preshevës si dhe u organizua premiera
e filmit “Lepuri me pesë këmbë” me pjesëmarrje të regjisorit Ismajl Ymeri dhe
artistave të filmit në fjalë.
Me
shumë vlerë është të cekim se kultura shqiptare në Preshevë pati një zhvillim
të hovshëm në bibliotekari, në kinema, në jetën kulturore artistike, në
organizimin e shumë festivaleve dhe shfaqjeve të ndryshme kulturore. Ky
aktivitet i ra në sy dhe i pengonte regjimit të atëhershëm serb, andaj edhe ky
zhvillim pati censurë të fëlliqët ndaj kulturës shqiptare, sidmos pas viti
1981, kur filloi përfolja e madhe e indoktrinimit të rinisë shqiptare me libra
të Shqipërisë dhe me programe kulturore artistike në gjuhën shqipe. Kulturës
shqiptare iu vua një kontrollë restriktive, saqë në vitin 1981 dhe 1987, përmes
censurës së rreptë deshën ta ndalojnë literaturën nga Shqipëria, të autorëve
nga Shqipëria si dhe bënin verifikimin e programeve kulturore artistike dhe t’i
ndalonin shfaqjen e këtyre programeve në gjuhën shqipe.
Kështu
më 1981, censurimin dhe diskriminimin e kulturës shqiptare e paralajmëroi
Dobrivoje Vidiq, funkcionar i lartë i Republikës së Serbisë dhe para punonjësve
arsimorë tha se nxënësit dhe rinia shqiptare po indoktrinohen nëpërmjet
literaturës nga Shqipëria.
Menjëherë
në Preshevë, Inspektori arsimor komunal ndërmori një aksion dhe urdhëroi që nga
Biblioteka e Qytetit dhe të shkollave të largohet literatura e përmendur.
Mirëpo fal angazhimit të drejtorisë së Shtëpisë së Kulturës dhe të organizatave
shoqëroro politike të Preshevës ky angazhim solli rezultate dhe nga inspektori
u morën vetëm 7 libra.
Prap
më 1987 Inspektori komunal i arsimit ndërmori një aksion të tillë largimin e
librave nga Shqipëria, i cili angazhim i mori bibliotekave 3.287 libra. Po mos
t’ishte angazhimi i punonjësve të Bibliotekës, numri do t’ishte më i madh i
librave të larguara nga bibliotekat.
Më
vonë me insistimin tonë u kthyen 998 libra, ndërsa të tjerave nuk i dihet ku
mbetën dhe a u asgjësuan.

Një
prej sfidave të këtilla na ndodhi edhe në Festivalin “Kosovarja Këndon”, kur
Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik mori vendim që në Festival të ngritet
Flamuri Kombëtar nga Nexhmije Pagarusha, sepse secili Festival duhet ta ketë
flamurin e vet dhe që me rastin e
80-vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë të lexohet një referat nga Sadije
Çarkaxhiu, solistja fituese e parë e Festivalit në Ferizaj, por nuk ndodhi,
sepse policia e Preshevës nuk lejoi. Në këtë rast pasi mungonte flamuri i
Festivalit u vendos që të valojë Flamuri Kombëtar. Pra, ndodhi një censurë e
ashpër që të mos shpaloset flamuri Kombëtar dhe mos të lexohet referati në
fillimin e Festivalit. Kështu, para se të filloje Festivali, Policia e
Preshevës na nxorri nga salla të dy përgjegjësit e Festivalit dhe na dërgoi në
zyrën e drejtorit. Pra, z. Shukri Hoxhën, kryetar i Këshillit organizativ për
Kosovë dhe Xhemaledin Salihun, kryetar i Këshillit organizativ për Preshevë. Me
ta në zyrë ishte kryeshefi i policisë së Preshevës, përgjegjësi i sigurimit
shtetëror në Preshevë dhe dy policë. Pasi na legjitimuan përmes letërnjoftimeve,
filluan pyetjet nga kryeshefi i policisë, ndërsa përgjegjësi nuk foli dhe nuk
bëri asnjë pyetje. Biseda informative ishte lidhur me Festivalin e përmendur
dhe shpalosjen e Flamurit Kombëtar. Në ndërkohë të pyetjeve, njeri prej
policëve me përkatësi serbe filloi ta maltretojë Shukri Hoxhën, duke i
urdhëruar të ngritet dhe të ulet për ta nderuar kryeshefin e policisë. Gjatë sa
zhvillohej kjo ndërhyrje e pyetjeve, në zyrë hyri Komandanti i policisë në
Preshevë dhe i tha kryeshefit se filloi Festivali. Në këtë hallakam se kush
urdhëroi, dolëm nga zyrja dhe më vonë e pranoi se urdhërin për fillimin e
festivalit e kishte dhënë drejtori i Shtëpisë së Kulturës. Ne u kthyem në sallë
dhe vazhdoi Festivali deri në mbarim. Më nuk u thirrëm lidhur me Festivalin.

Mirëpo
edhe këtë katrahure regjimi e tejkaluam dhe e shpëtuam edhe literaturën, edhe
kulturën shqiptare si dhe identitetin kombëtar.
GM: Në vitet 1977 dhe
1979, duke qenë kryetar i Këshillit Redaktues të revistës ‘Panorama’, çfarë
mund të na tregoni për arsyet që e bënë revistën të dalë vetëm dy herë?
XHS:
Në vitin 1977 u botua Revista “Panorama” nr. 1 dhe në vitin 1979 u botua numri
2, të cilat numra patën materiale botuese në gjuhën shqipe dhe serbe. Revista
“Panorama” ishte organ i Klubit letrar “Feniks” të Preshevës. Këshillin
redaktues e përbënin: Haki Sylejmani, redaktor përgjegjës dhe Xhemaledin
Salihu, kryetar i Këshillit redaktues i Revistës.
Revista
ishte revistë informative, politike, kulturore dhe financohej nga Bashkësia
komunale e Kulturës. Mirëpo, pas dy numrave, u mor nisma për themelimin e
veprimtarisë botuese në Shtëpinë e kulturës dhe u ndërpre botimi i Revistës,
përshkak se Bashkësia komunale e Kulturës planifikonte që përmes botimeve do të
zhvillonte edhe veprimtarinë letrare. Të cekim se veprimtaria botuese u
zhvillua hovshëm dhe botoi disa libra të autorëve preshevarë: Qerim Arifi,
Mirko Gashi, Ramadan Rexhepi, Jonuz Fetahaj, Mexhid Mehmeti, Sahadete
Emërrllahu e tjerë.
GM: Si e përjetuat
periudhën tuaj si drejtor i gazetës informative ‘Veprimi’?
XHS:
Me vendimin e Kryesisë së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë u themelua
gazeta e përkohëshme informative “Veprimi”, e cila do të botohet organ i
Partisë në fjalë.
Drejtor
i gazetës u emërova nga Kryesia e Partisë dhe gazetën e regjistruam në
Ministrinë për Informim të Republikës së Serbisë.

Gazeta
kishte për qëllim të përfshijë të gjitha sferat e informimit publik në komunën
e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, duke filluar nga jeta politike,
kulturoe, arsimore, historike, ekonomike, shëndetësore e tjerë. Gazeta u botua
vetëm katër numra dhe arriti qëllimin e caktuar si dhe mbushi boshllëkun
inofrmativ në këto komuna.
Edhepse
ishte një sfidë e rëndë informative, me një përkushtim e kreva detyrën e
drejtorit që ma besoi Kryesia e Partisë
dhe ia dola faqebardhë që ta plotësoj qëllimin dhe misionin informative
të publikut preshevar.
Gazeta u bë tribunë informative, jo vetëm e kësaj partie, por në përgjithësi e qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës si dhe më gjërë, falë punës time si drejtor dhe bashkëpunëtorëve të gazetës. Gazeta doli me katër numra dhe më vonë e ndërpreu punën e saj. Derisa u botua gazeta pati bashkëpunim me QIK-un e LDK, ku shumë na ndihmuan gazetari i ndjer Enver Maloku dhe Mustafë Xhemaili.
GM: Si redaktor kryesor
i Radio Preshevës, cilat ishin objektivat dhe prioritetet tuaja, dhe si e
menaxhonit përmbajtjen kulturore dhe informative?
XHS:
Në Gjyqin Ekonomik në Leskovc, Shtëpia e kulturës në Preshevë ishte regjistruar
si institucion kulturor dhe informativ.
Andaj
edhe u vendos që të regjistrohet Radio Presheva, me drejtor Havçe Hasanin dhe
mua për kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës. Kërkesa iu dërgua Ministrisë për
Informim të Republikës së Serbisë, mirëpo nga ajo arriti përgjigja se Radio
Presheva nuk mund të regjistrohet pa ndarjen e radio frekuencave nga Qeveria e
Serbisë dhe kështu dështoi puna e Radio Preshevës.
Pas
disa vjetëve u themelua RTV Presheva, e cila funksionoi disa vjet, mirëpo unë
nuk isha në detyra të këtij mediumi.
GM: Si ndikoi puna juaj
si drejtues i gazetës ‘Zgjimi’ në promovimin e kulturës, informimit dhe
çështjeve politike brenda komunitetit të Preshevës?
XHS:
Me themelimin e gazetës informative, kulturore, politike në Preshevë u plotësua
një kërkesë e kaherëshme për një informim të drejtë, objektiv dhe aktual mbi
ngjarjet politike, kulturore dhe informative në Preshevë dhe më gjërë. Pra,
gazeta “Zgjimi” e përmbushi këtë detyrë dhe mision me botimin e saj për shumë
vite. Gazeta doli më 1996 dhe vazhdoi që për çështjet aktuale politike,
kulturore dhe informative ta informojë publikun, jo vetëm preshevar, por edhe
publikun në Bujanovc, Medvegjë e më gjërë. Këtë mision e përmbushi gazeta shumë
mirë falë punës time si kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës.

Gazeta
“Zgjimi” Xh.Salihu, kryeredaktor, S. Hyseni, gazetar dhe Akademik Mark Krasniqi
Duhet
theksuar se gazeta e zgjeroi punën e saj dhe punësoi edhe gazetarët Zeqirja Nezirin
dhe Sevdail Hysenin, të cilët sëbashku me mua dhanë kontribut të mirë në
promovimin e kulturës, informimit mbi çështjet aktuale politike brenda
komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë dhe më gjërë.