Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gëzuar 28 Nëntori 2025 - Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve!
E premte, 28.11.2025, 07:00 PM
GËZUAR 28 NËNTORI, 2025 - DITA E PAVARËSISË SË SHQIPTARËVE!
“Bota
që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë” Naim Frashëri
Nga
Frank Shkreli
GËZUAR
28 Nëntorin 2025, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit të Kombit
dhe të Heroit Kombëtar Gjergj-Katriotitit -Skenderbe!
“Bota
që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”, ka thënë Naim Frashëri, dhe
gjithnjë gjallë do të jetë! 113 vjet Shqipëri! Më në fund në liri! Shpallja e
Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për
shqiptarët, ndonëse ajo erdhi e vonuar, pas disa shekujsh nën Perandorinë e
egër osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të brendshme. Megjithkëtë, gjatë
gjithë historisë, Kombi shqiptar i qëndroi besnik identitetit dhe trashëgimisë
së vet kombëtare, duke kundërshtuar dhe duke luftuar armiqtë dhe pushtuesit që
donin t’ a zhduknin nga faqja e dheut. Ëndrra shekullore për liri që digjte në
zemrat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit
shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë,
i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo. Si e tillë, Festa kombëtare e 28
Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerëzit
mund të ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar,
55-vjet pas shembjes së komunizmit. Por, me gjithë këtë nuk duhet harruar se
Kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë
historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira,
e që më në fund, shqiptarët ia kanë arrijtur qëllimit. Ndoshta për herë të parë
në histori, fati i shqiptarëve sot, është dorë të tyre! I takon këtij brezi të
shqiptarëve, të kësaj klase aktuale politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të
gjitha trojet autoktone shqiptare në Ballkan, që më në fund, të lënë mënjanë,
të heqin dorë, njëherë e mirë, nga dallimet, grindjet politike, korrupsioni dhe
inatet, nga interesat antikombëtare vetjake dhe partiake, ndoshta edhe të
huaja, dhe të shikojnë drejtë interesave
të përbashkëta kombëtare, me qëllim që, më në fund të ndërtohet një bashkësi
vëllazërimi dhe ideali kombëtar, në interesin e vërtetë të gjithë shqitarëve,
pa dallim, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini e
tjerë, në vitin 1912 --113-vjet më parë.
Është
përgjegjsi morale e këtij brezi që të bëjë ç’ mos që të fillojë përpjekjet për
të krijuar bazën e një bashkëjetese, bazuar në besë e bashkim me njëri tjetrin,
për një komb të përbashkët, ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj
Fishta dhe të tjerë. Kurrë më parë në historinë e tij, Kombi shqiptar nuk ka
qenë në gjendje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç’ është sot, që
përfundimisht, të harmonizojë dhe të bashkërendojë mundësitë, interesat dhe
aftësitë e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në
Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, duke iu përshtatur vlerave
perëndimore dhe në bashkëpunim me organizmat euro-atlantike, pjesë e të cilave
ka qenë gjithëherë Kombi shqiptar.
Në
këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së Kombit shqiptar, ju
që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duart tuaja frenat e fatit dhe të
ardhmen e shqiptarëve, me një bashkëpunim më të ngusht politik dhe atdhetar --
mbi interesat personale e partiake -- do të nderonit Atdheun dhe të kujtonit
lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e Kombit shqiptar më 28
Nëntor 1912. Me një bashkpunim të tillë politik, njëkohësisht, do të
ringjallnit ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë
Kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At
Gjergj Fishtës, ishte “në nam e në zë në historinë e fiseve dhe të kombeve”.
Ka
ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zërë vendin që
meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve të lira dhe të
përparuara, para se të zhytet edhe në një errësirrë tjetër të historisë ssë
tij. Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar,
duhet të jetë i vetëdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të
zgjedhur të Kombit, të cilët nën rrethana shumë më të vështira se sot, gjetën
mënyra bashkëpunimi me njëri tjetrin për t’i hapur Kombit shqiptar rrugën e
lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që kujton dhe gëzon sot Kombi
shqiptar në dy shtete –Shqipëri e Kosovë.
Njëkohësisht,
klasa politike aktuale shqiptare i ka borxh brezave të ardhshëm që, me
papërgjësitë e tyre politike dhe keq-qevrisjes, të mos shkelen dhe mos të
nëpërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindësve që i dhuruan
Kombit pavarësinë!
Prandaj,
sot le të kujtojmë ata burra të Kombit, në këtë ditë, për sakrificat e tyre,
krenarinë kombëtare dhe dashurinë e tyre, të pa kushte, për Atdheun dhe ndaj
njëri tjetrit. Uroj që Flamuri Kombëtar
i Gjergj Kastriotit- të valojë sot dhe gjithmonë me krenari, në trojet e lashta
historike, iliro-arbërore dhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë.
Të
pakën kjo është dëshira ime e sinqertë nga Amerika e largët dhe besoj e
shumicës së shqiptarëve kudo në botë.
Për shumë vite gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe
të mbarë Kombit.

Të
gjithë shqiptarëve kudo që janë: Gëzuar këtë Ditë të Shënjtë të Kombit











