Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Rikujtim i mësueseve dhe intelektualëve të tjerë të shkolluar në Austri, të vrarë ose burgosur në Shqipëri
E shtune, 22.11.2025, 07:00 PM
Rikujtim i mësueseve dhe intelektualëve të tjerë të shkolluar në Austri, të vrarë ose burgosur në Shqipëri
“Armiqtë
e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerët” - Faik Konica
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë
Evolucion
Zhvillimi evolutiv i njeriut rrjedh
paralel me specializimet specifike të korës së truri, si baza organik e
vetëdijes dhe të mësuarit. Orientimi në të mësuar varet nga shoqëria njerëzore
në etapat e zhvillimit të tij. Ato vende ku dijes, pra mësimit, i kushtuan
kujdes, u zhvilluan si shoqëri duke ndikuar në zhvillimi e shoqërisë njerëzore
shekujve. Kështu është edhe sot e gjithë ditën, ato shtete që investojnë në
dije (mendimin njerëzor, shkencë, art...) janë prijëse të rrjedhave të
përgjithshme në botë, edhe të forcës. Pra, të kuptuarit e dijes si forcë e
ngritë nivelin e shoqërisë, kombit dhe shtetit.
Valët e rrjedhave
Kombi dhe shteti shqiptar, mjerisht,
asnjëherë nuk e kuptoi drejtë këtë sintagmë kohe të domosdoshme për të ardhmen
e tij. Përkundrazi, arsimi ishte hallka më e anashkaluar dhe persekutuar
materialisht, politikisht e fizikisht. Nëse i japim një vështirim rrjedhave të
shkollës shqiptare shekullit “të pavarësisë” do të shohim dhe tmerrohemi me
qëndrime të gabuara dhe kriminale të regjimeve që nga lindja e gjysmë shtetit
shqiptar (gjysmë shtet territorial dhe funksional). Periudha pasluftës së Dytë
Botërore do karakterizohet me ristrukturimin e shkollës shqiptare, mjerisht, i ristrukturimt
ideologjik komunist antinjerëzor dhe antikombëtar. Në territoret shqiptare të
pushtuara nga sllavët filloi lejimi i mësimit në gjuhë shqipe, por i bazuar në
parimet ideologjike komuniste serbosllave në çdo shkronjë programore. Pozitive
ishte, se do mësohet edhe në gjuhën shqipe, kjo u pa në rrjedhat e deritanishme
në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pikërisht nga ky fillim dolën mësues të
arsimuar duke thithë edukatë e dije nga rrethi i tyre kombëtar i përvuajtur
shekujve. Ata nuk pyetën shumë për plan programin zyrtar serbosllav, por mësuan
dhe ligjëruan mbi tabanin kombëtar duke formësuar mësues e mësuese me vetëdije
të lartë kombëtare që sot janë figura nderi në historinë e shkollës shqiptare
dhe historinë kombëtare.
Armiq e miq
Derisa në trevat e pushtuara shqiptare
bëhej luftë për mbijetesë të shkollës, thyerjen e vetëdijes së mbrapshtë
patriarkale, religjioze konservatore, propagandës negative të armiqve, në
Shqipëri instalohej sistemi diktatorial komunist duke ndjekur, persekutuar,
internuar e vrarë mësuesit përparimtarë kryesisht të shkolluar në vende të
ndryshme të botës. Këta mësues të edukuar në frymën demokratike të mendimit dhe
ideve, nuk u pajtuan me kursin dhe kahen e proklamuar të nisur nga sistemi
totalitar. Shumë prej tyre ngritën zërin e tyre mospajtues, disa heshtën në
heshtjen që flet dhe vret ide të mbrapshta. Të gjithë gradualisht e pësuan dhe
sot rreth tyre mësohet përmes kartonëve dokumentues të gjyqeve, burgjeve dhe
internimeve. Pësuan ata së bashku me familjet e tyre, pronat e tyre.
... A
vritet mësuesja!
Mësuesja, Marie Toçi i shkruan nënës:
”Unë po vdes sot”. Xhelatët e kuq e menduan artin e krimit më i urryer n botë;
e futen mësuesen e re në thes së bashku me macen e egër deri në vdekjen e saj.
Sa kriminel mund të jetë shqiptari ndaj njeriut të tij.
“Dekorata
e kthimit në Atdhe”!!
Shumë nga mësuesit dhe intelektualët që
studiuan në Austri u kthyen në Atdhe, dhanë ndihmë të madhe në arsim, shkencë e
kulturë. Shumë prej tyre të edukuar me kulturë e dije perëndimore nuk u pajtuan
me sistemin komunist që po instalohej në Shqipëri. Ata u dënuan në forma të
ndryshme. Në këtë shkrim, në shenjë respekti të veprës së tyre e cila buronte
nga ndjenja kombëtare patriotike, po japim emrat e disa prej tyre sadopak në
shkundje të harresës sonë.
Mësuesi dhe intelektuali i lindur nga
Prizreni, Kolë Margjini, arrestohet nga Enverianët në Shkodër ku jetonte. Kjo
nuk mjafton, ata ua dorëzojnë serbeve të cilët pas torturave çnjerëzore e
pushkatojnë.
Torturat ndaj mësuesve vizionar ishin
mizori “brenda kufirit dhe jashtë tij” ishin të pa përshkruara për nga përmasa
dhe për nga arsyeja çmendurake e njeriut tonë. Safet Butka, njeri atdhetar nga
familja atdhetare u detyrua të vetëvritet nga zhgënjimi i tij me sistemin dhe
njerëzit e tij që po vinin në pushtet pas gjithë asaj lufte që kishte bërë. Zef
Malaj, nuk u pajtua kurrë që Shqipëria të heshtë ndaj çështjes së Çamërisë e të
Kosovës dhe territoreve tjera shqiptare të copëtuara. Për këtë nga enveristët
dhe klika e tij u cilësua si “Anarkist konfuz” dhe duhej të dënohej me çdo kusht,
dënim e internim tërë jetën, prej tyre i kalon 23 vjet në burg nga 60 vjet
dënim. Mësuesi i cili solli jetë pedagogjike e didaktike moderne nga shkollat
gjermani Fadil Gumani, dënohet dhe pushkatohet mizorisht. Ethem Haxhiademi
ishte ndër pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të Lidhjes së Shkrimtarëve, u
arrestua në mes të natës, në shtëpinë e tij, kur ishte duke korrigjuar hartimet
e nxënësve. Ai ishte mësues i letërsisë në Shkollën Normale të Elbasanit, duke
e sjell në Tiranë, ku qëndron në hetuesinë muaj të tërë mes torturash të
tmerrshme. Kur kryetari i gjyqit ushtarak shqiptoi dënimin e tij me vdekje
(sipas Abdulla Memes , i cili ishte dënua edhe ai në seancën gjyqësore me te),
Ethem Haxhiademi me plot gojën thirri: “ Rroftë Shqipëria!”.
Vargu i mësuesve të dënuar që kishin
studiuar në Austri vazhdon tragjikisht me të njohurin Dr.Venemin Dashi i cili u
dënua 20 vjet burg dhe iu konfiskua e tërë pasuria. Dr. Dashi u dha jetë në
gjuhën shqipe veprave madhore të studiuesve me famë botërore të veprave
albanologjike nga Georg Von Hahn, Mayer. Kraitscher. Ky do shpërblehet nga
shteti shqiptar dënim me vdekja!
Poeti i madh i lirikës Lasgush Poradeci
u la të´ në gjendje të mjerueshme ekonomike, në burg me emrin shtëpi, deri në
vdekje. Syleman Harri u dënua me një shekull e një vit burg. Mësuesi tjetër i
talentuar i cili po ashtu studioi në Austri, Hivzi Xeka, dënohet me 15 vjet
burg. Ibrahim Babamusta arrestohet e burgosët qëllimisht nga pushteti, të cilin
fatbardhësisht gjyqi e nxjerr të pafajshëm. Izet Bebeziqi, mësues dhe
intelektual i përmasave evropiane lihet të jeton në gjendje të mjerueshme
ekonomike deri në vdekje. Skendër Luarasi nga pushtetarët u përjashtua nga
Lidhja e Shkrimtarëve edhe pse ishte njëri nga themeluesit e saj. Mësuesi
tjetër i shkolluar në Austri Qani Panariti arrestohet dhe pushkatohet.
Intelektual i madh i përmasave evropiane, veprimtar dhe luftëtar për lirinë
kombëtare, Xhevat Korça, u dënua për jetë, derisa vdes në burg. Dr. Xhevat
Korça, njeriu që ngriti lartë figurën e Skënderbeut shkencërisht me
disertacionin e tij, “Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut”. përkthyes i librit të
John Reed-it “Dhjetë ditë që tronditën botën“ Ai haptas i tha katilit të
quajtur Mehmet Shehu se: “E urrej komunizmin duke e njohur teorinë dhe praktikën
e saj në Rusi”.
Xhafer Belegu, intelektuali patriot,
autorin e veprës së përkryer “Lidhja e Prizrenit”, e dërgojnë për punë të
detyruar në bujqësi. Shembull kulmor në piramidën e krimit komunist është
dënimi i Dr. Sokrat Dodbibibës i cili sapo doktoron në Universitetin e Vjenës
kthehet në Atdhe duke dhënë kontribute madh në ekonomi dhe financa. Ai është i
njohur në historinë kombëtare si njeriu që ktheu thesarin e shtetit shqiptar në
nëntorin e vitit 1943 dhe makinës së shtypjes së monedhave, të grabitur nga
Italia. Për gjithë këto vepra kombëtare nga regjimi komunist u dënua me 30 vjet
burg, i konfiskohet pasuria, i shkatërrohet familja. Vdes në burg nga uria dhe
torturat. Historia e intelektualëve, e veçanërisht e mësuesve shqiptarë, është
e dhimbshme aq sa edhe katandisja e shtetit shqiptar në vepra kriminale ndaj
kombit shqiptar. Jo pa argument Faik Konica thotë: “ Armiqtë e Shqipërisë janë
shqiptarët, jo të tjerët”.
(të drejtat e rezervuara: autori)









