Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Pesë orë në të panjohurën e shpellës së Kabashit
E enjte, 09.10.2025, 07:00 PM
PESË ORË NË TË PANJOHURËN E SHPELLËS SË KABASHIT
NGA
PËLLUMB GORICA
Udhëtar
i shekullit 21, në mbretërinë e panjohur të shpellës së Kabashit, nëntokën e
saj me thesare natyrore, nga epoka të ndryshme gjeologjike.
Në
këtë kohë globaliste, ndërsa njerëzimi tenton të ngrihet për të arritur qëllime
të larta, ne gëzohemi kur zbulojmë universin e një shpelle të veçantë, e cila
përbën një objekt me vlera shkencore, pse jo kulturore dhe turistike.
Është
në secilin prej nesh të dimë të shohim dhe jo vetëm të shikojmë, të dëgjojmë
dhe jo vetëm të ndjejmë, të jetojmë dhe jo thjesht të kalojmë kohë për të
prekur misteret e natyrës tonë.
Një
gjë është e sigurt: nëse nuk vendosim, të dalim nga zona jonë e rehatisë, në
natyrën, nuk do të shijojmë zbulimet e bukura.
Atmosferë pothuajse si
poema e Naim Frashërit
Rruga
na çoi thellë në malet e Gramshit, në vende plot mistere, poezi që shqiptohet
njëherësh, por duhet të zgjedhësh kohën e duhur për t'i zbuluar ato...
Dita
e bukur sidomos kur, si sot, dielli tregohet bujar dhe udhëzon lëvizjen tonë,
në mëngjesin e këtij fillimtetori, duke pëshpëritur fllad të freskët.
Rruga
flakëron si një shirit gri përmes mozaikut të kudrateve, të cilat variojnë nga
e gjelbra intensive në të verdhën e djegur.
Vështrimet
tona përkëdhelnin vendbanimet që shtriheshin përgjatë rrugës kryesore (edhe ato
pak të vogla sa pothuajse kalojnë pa u vënë re), që përtej kufijve të jetës së
përditshme, ofrojnë një botë plot bukuri natyrore, qetësi dhe autenticitet.
Është interesante të ndalosh në brendësitë e tyre dhe të gërmosh pak më thellë
në historinë e tyre.
Ndërsa
rruga flet me ty, të tregon peizazhet. Shfaqet liqeni artificial i Banjës me
digën e tij. Liqeni shtrihet i qetë si një pasqyrë mëndafshi blu, përqafuar nga
kodrat me gjelbërim. Ato krijojnë një sixhade të ngrohtë vjeshte. Megjithëse
priren të arrijnë kulmin pak më vonë, zakonisht në fund të tetorit deri në
fillim të nëntorit.
Shikojmë
të zakonshmen, shekulloren, një copë e vogël e “gjërave të përditshme” që
zhdukej grisur, e projektuar për zhvillim ( ura, pengesa të betonta, kavo
çeliku) plot me ambiciet e dështuara njerëzore.
Pastaj,
pas një kthesë të ngadaltë në Bardhaj, në këtë fshat të vogël të shtrirë
kodrave me bimësi mesdhetare, shkrepim disa fotografi në dritën e diellit që
përkëdhel majat, të ngjall kujtimin e kalueshëm të një vere që iku, duke lënë
pas ngrohtësinë e saj.
Ndjekim
thirrjen e lumit Holta që rrjedh paqësisht, me ca thashetheme ujërash
indiferente, ndërsa Gryka e Kanionit të Holtës më tej, e krijuar dhe modeluar
nga puna e vazhdueshme e ujit, i flet shpirtit në një gjuhë përtej fjalëve.
Shkëmbinjtë
e lartë me majat e tyre të shkarravitura duken si të gdhendura nga duart e
lashta.
Ngjitja
e rrugës “copë- copë’’, me zigzage, gropa dhe gunga, të cilat e ulin
shpejtësinë, ndonjëherë jo më se shpejtësia e ecjes, të shfaq shtëpitë e para
të Kabashit (lagjes Toska), këtij vendbanimi të këndshëm dhe mikpritës, larg
zhurmave moderne, të njohur për ata që kanë sy, për të parë përtej reales.
Gryka e përrenj shkojnë përfund kodrave, me gurë që duken sikur janë
rrokullisur dje, por ndoshta nuk janë lëvizur që kur mamuthët ishin në modë.
Kabashi
ka një ndjenjë të fortë lirie, pastërtie dhe paqeje, të flet një heshtje që
frymon me një ritëm të ngadaltë, të thjeshtësisë dhe vrazhdësisë së jetës.
Natyra
kishte bërë oda mikpritëse, ndër shekuj me durimin e artistit të mrekullueshëm,
e kishte zbukuruar peizazhin me bimësi, shkurre dhe drurë te lartë.
Sytë
humbasin në nuancat e kodrave, ndërsa zemra mbushet me një heshtje të paqtë.
Kodrat shkëmbore janë një pamje unike, e skulptorit të pashoq të natyrës. Ajri
mban erë barishtesh aromatike dhe frutash. Çdo cep duket sikur pëshpërit poezi
për ata që ndalojnë për të dëgjuar.
Mullarët
e kashtës si piramida të pjerrëta; pemët e mbushura me fruta që kërkojnë
vëmendje dhe për një çast, sikur je para një pikture të Rene Magritte.
Çdo
hap në Kabash na jep vështrime të papritura, aroma, zëra që pëshpërisin histori
të lashta, ti rri aty, duke dëgjuar. Në mes qiellit dhe tokës ruan në shpirt,
bukurinë e qetë të vendeve të banuara, që nga kohët më të hershme.
Dikur
mbretërit ilirë ndërtuan një kështjellë atje, mbi shkëmbinj, pastaj erdhën
banorët, bartës të shpresës dhe besimit, të cilët ndërtuan këtu me guxim të
madh një strehë paqeje.
Ndeshim
pak atmosferën e këtij vendi, pikërisht plagën e largimit të banorëve, për një
jetë më të mirë po gjithnjë e më shumë, të duket se i ngjan të rendurit për të
kapur hijen në perëndim të diellit. Dhe pyes veten se sa fshatra malore janë
braktisur gjatë gjithë këtyre viteve. Tani ata që banojnë aty, në aspektin
numerik kanë mbetur pakicë. Shkaku dhe pasojat dihen. Ka një arësye që të bind,
se lëvizja e banorëve nga vendi i tyre, është i justifikuar. Nëse do të kishte
punë, shëndetësi të mirë, arsim cilësor, rrugë atëherë ky vend i bukur; do të
ashtu siç e ka falur Zoti me bujari do vazhdonte të jetohej.
Kabashi
tërheq vëmendjen, me diçka të veçantë. Në çarje shkëmbinjsh dhe (gurë) të
shtresuar, është shtëpia e të paktën dhjetra “dhomave” gjeologjike, me
stalaktite dhe stalagmite marramendëse, të formuara gjatë miliona viteve. Një
frymë e ngrirë e kohës, ku natyra tregon aftësinë e saj për të na befasuar në
mënyra, që as teknologjia më e mirë nuk mund t’i rikrijonte.
Skulptorët
dhe piktorët e njohur do ta kishin zili bukuritë e papërshkrueshme të tyre.
Ecim
të përkëdhelur nga një fllad i lehtë, në një shteg me gurë të lëmuar nga hapat
e njerëzve dhe bimësi tipike të shkurreve mesdhetare me fruta të vogla: të
zeza, të kuqe, të verdha. Shpella është disa kilometra përpara.
Shtegu
rrotullohet midis shtrirjeve të kodrave, të cilat i japin peizazhit një hijeshi
unike. Prania e njeriut në këtë natyrë kaq madhështore është e rrallë. Dhitë me
kambanat e gjata, në zbritjet e pjerrëta shkëmbore. Qentë i rrethojnë tufën nga
të gjitha anët, në gatishmëri të plotë, ndërsa lëvizin me delet na shohin: lehin
por rreth njëzet metra nga ne. Shoqërues krenarë, duke ndarë ngjitjen tonë të
ngadaltë, aty- këtu një klithje shpendi, një kuitje kafshe që ngjan me ujkun,
fëshfërima gjethesh…
Pjerrësia
e butë dhe e vazhdueshme na la kohë për biseda të shkujdesura, por mbi të
gjitha të përkëdhelur nga aroma e këndshme që kontribuan për ta bërë ecjen të
jashtëzakonme nga të gjitha këndvështrimet. Nuancat e gjelbërta, gri dhe kafe
kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, në një harmoni të tillë sa mendon se vetëm një
dorë hyjnore mund të kishte bërë kaq shumë dhe kjo ishte ekstaza më absolute.
Nën
pyll, myshku qëndis shkopinjtë, si një peizazh direkt nga një përrallë e
thellë. Aty- këtu takime interesante me shenjat që ka lënë aktiviteti njerëzor,
një kryq i gdhendur në trungun e një lisi), ndërsa re dele kërcejnë lehtë nëpër
qiell, duke e pikturuar atë si një pikturë.
Pas
këtyre hapave plot ndjesi, shtegu na çon afër shkëmbinjve të një vargmali, që
shkon nga verilindja drejt jugperëndimit.
Pamja
që shohim është e përkëdhelur; ne vendosim që të ndalemi para dizajneve
surrealiste plot thepa e gthepa. Për një gjeolog, është shkëmb i gërryer nga
fenomeni karcik. Për një artist, është një pikturë me kontraste të egra. Por
për një udhëtar, veçanërisht për dikë, është më shumë se një strehimore
natyrore për njerëz e për bagëti.
Dalëngadalë,
lodhja të prek. Shpatullat janë të rënda, këmbët janë të nxehta. Shpirti
shkrihet në lëvizje. E marrim shtegun shtruar edhe kur ai është i paqartë dhe
humbet midis shkëmbinjve të shtrirë si fjalë.
Menjëherë
pas një masivi shkëmbor ikonik, i cili dhuron pamje fotografike, të shfaqen
kreshtat e dhëmbëzuara shkëmbore me ca fragmente muresh të kalasë antike të
Tërvolit, të zvogëluara në gërmadha, që përzihen aq mirë me peizazhin përreth,
sa që pothuajse duket si një pjesë e vetë natyrës.
Shpella e Kabashit, një
mrekulli nga kjo tokë e bekuar
Në
mes të peizazhit që na ofroi Zonja Natyrë, në mes kilometrave dhe lartësimit
shtegu na çoi drejt shpellës së Farricës, e shtrirë në një gjatësi rreth 1, 2
km (e eksploruar) me orientim Jug- Veri dhe sipas banorëve të zonës ka dalje në
Sopot të Librazhdit, por asnjeri nuk ja ka gjetur fundin. Ajo është një
kompleks interesant i kaviteteve nëntokësore dhe ndodhet në lartësinë 900 m mbi
nivelin e detit.
Shprishej
gjumi i gjatë i saj, nga shkeljet e racës njerzore, në gjuhë të ndryshme e
shikime shtangëse.
Gjatë
pushtimit austro- hungarez, një grup ushtarësh, ndërsa kaluan aty i zbuluan
ato, të cilat i përqasen realitetit neolitik dhe thanë: “Ju të Kabashit duhet
të hani me lugë floriri”.
Ndaj
të endësh nëpër labirinthet e saj me peizazhe të pabesueshme, të jep ndjesinë e
një hyrjeje në një botë tjetër, një botë ku mbretëron mahnitja dhe një ftesë në
jetën e paraardhësve tanë që daton që në kohët parahistorike, kur shpellat
natyrore shërbenin si strehë për banorët e hershëm.
Ndonjëherë
është e vështirë të emërtosh ndjesitë që ndjen, nga e panjohura e fshehtë e
njëherësh e mrekullueshme e shpellave që përcjellin feste për sytë dhe ushqim
për shpirtin.
Përgatitemi
me helmetë, kapëse, elektrikë dore, doreza dhe litarë, me fjalë të tjera të
gjitha ato që duhen nën tokë, nëpër galeri misterioze.
Pastaj
erdhi hyrja brenda saj. Hyrja është e vogël, disi e ngushtë dhe e pjerrët. Që
në çastin e parë të duket sikur ndonjë qenie mitologjike do të shfaqet.
Dëgjon
zhurma, me përpëlitje krahësh që jehojnë frikshëm.
Lakuriq
nate, me sytë e zgurdulluar si xixa në errësirë, shfaqen zhurmshëm.
Instinkti
pëshpërit për t'u kthyer mbrapa. Hapat ngadalësohen. Errësira, si gjithmonë, të
frikëson pak. Dritat e elektrikëve krijojnë fotografi surreale, edhe kur hedhin
hije në fytyrat tona duke shtuar një efekt tjetër.
Natyrisht
duket sikur po ecën në rrathët e ferrit të rrëfyer nga Dante Aligeri. Aty, Hadi
po lëviz duke na larguar nga drita, për të na burgosur në jetën e errët
tokësore.
Sytë
mësohen me errësirën, të lëvizin në dyshemenë e shpellës. Por pastaj, hap pas
hapi, stëpimi lë vend për çudi.
Shfaqja
ështe unike dhe befasuese sa duket vetja sikur je në një sallë mbretërore plot
shandanë. Tavani, i cili është disa metra lartësi, degradon drejt pjesës së
poshtme.
Ajri
i mbushur me aromën e lagështirës, pothuajse i palëvizshëm ruan dekorimin e
stalaktive dhe stalagmiteve. Asnjë dorë njerëzore nuk mund ta imitojë atë durim
të lashtë të artistes së papërsëritshme natyrë.
Duke
ecur përgjatë labirinteve, që kërkojnë vëmendje, joshemi në çdo hap, që të bën
të besosh se ligjet e natyrës, janë të forta. Ecim mes tyre sikur të ishim
brenda galerive të artit, duke shijuar pafund të bukurën.
Ndjehesh
jo vetëm vizitor, por edhe, spelolog e eksplorues si Indiana Jones, në kërkim
të një relikeje të lashtë.
Futemi
më thellë, të zbulojmë mrekullitë e një bote të fshehur që dukej e ndërtuar nga
ëndrrat, sikur zhytesh në romanin fantastik “Udhëtim në qëndër të tokës “të
Zhyl Vernit, ku çdo cep rrëfen një fragment të së shkuarës. Të dukej sikur
udhëton, në një botë surreale jashtë hapësirës dhe kohës dhe ndjenja që del
prej saj eshtë fantastike.
Emocioni
ngrihet, çdo çast rrit perceptimin e bukurisë aqsa nuk e kuptojmë sa kohe ka
kaluar. E mbajmë frymën një çast dhe shkrepim aparatet fotografike.
Ndalojmë
përpara pamjeve ëndrra, ngjyra smeraldësh dhe forma të papërfytyrueshme.
Jehona
e uturimës së ujrave të nëndheshme, e mposht zhurmën e hapave e të kërcitjes
monotone të pikave të ujit. Pikimi i i ujit si lotët e mëdhenj e lëpin
dyshemenë e shpellës, ndërsa fjollat e ajrit, regëtinin freski.
Miliona
vjet uji, pikë-pikë skaliti shkëmbin dhe i dha formë bukurisë. Faktorë të tillë
si temperatura, sizmiciteti i zonës dhe natyra e shkëmbinjve krijuan këto
kavitete me dekorim të admirueshëm natyror.
Çdo
pikë uji që filtron përmes shkëmbit kontribuon në krijimin e formacioneve të
jashtëzakonshme, me dekoracione mbresëlënëse, që duke bashkëvepruar me gurin
gëlqeror, si dhe me dioksidin e karbonit të pranishëm në ajër formon
hidrogjenkarbonatin e kalciumit. Kjo tretësirë pikon nga (tavani) dhe në sajë
të gazit karbonik, le gjurmë, duke krijuar depozita kalciti të bardha, të kuqe
me okside të hekurit, të ngjyrës blu të lidhura me bakrin, të ngjyrës së zezë
apo edhe gri për shkak të pranisë së manganit.
Stalagmitet
ngrihen nga dyshemeja si kaktus saguro, ndërsa tavani shkëlqen nga grimca
kristalesh të bardha. Midis tyre ka shumë zbukurime të vogla të ngjashme me
qelqin, dhe aty-këtu substanca si bora e shkrirë.
Dallohen
qartë stalaktite gjigante, por edhe gurë të mëdhenj, që duken si të gdhendura
nga duart e një perëndie të lashtë, të cilët kanë krijuar skulptura
‘‘monstruoze” si vepra arti bashkëkohore me simbole dhe statuja pleqësh
shekullor me pamje të menduara; si mjekra e Gj. Kastriotit, apo ngjashmëri me
formën e një katedraleje. I përkëdhelim butë sikur të ishin xhevahire të
gjalla, duke të kujtuar se natyra na flet me një gjuhë të shenjtë që duhet ta
sodisim me përulësi.
Vendkalime
të ngushta ngjiten dhe zbresin thellë. Ne ngjitemi dhe zbresim nëpër masivet
shkëmbore të shpellës, sikur dhjetra shkallë pallatesh, me të gjitha shqisat
vigjilente. Kishte pasazhe që ngjallnin vëmendje, pasiguri dhe marramendje, por
e gjithë kjo ishte aq e bujshme sa ndjenjat mbizotëruese ishin mahnitja.
Asnjëherë
nuk shikojmë të njëjtat pamje, të njëjtat ngjyra. E kuqja e zjarrtë, e verdha e
okrës dhe bluja e ndërthurur me të bardhën, të ofrojnë një spektakël unik të
artit natyror.
Elektrikët
tanë hedhin dritë mbi një kalim nëpër shkëmbinjtë e thepisur. Ne ecëm andej. Në
një cep guri, një krijesë e vogël e zezë flinte e mbështjellë me krahët e saj
të tejdukshëm, duke shijuar ëmbëlsisht gjumin. Lakuriqi i vogël në fakt dukej
se luante rolin e “kryepriftit” të asaj shpelle, për të ruajtur shenjtërinë
solemne. Disa prej nesh shpejtojnë, disa të tjerë ngadalësojnë hapat. Unë
zgjedh të ndalem, të shijoj këtë çast.
Teksa
ecim në një labirint, ndjen një fllad të freskët, që të pëshpërit histori të
kohërave të kaluara, mistere të fshehura në thellësitë e saj.
Ndërkohë,
teksa përshkuajmë bukuritë e shpellës, e përfytyrojmë veten si një centurion i
lashtë romak që inspekton koçitë.
Ecim
kujdesshëm, pa prekur asgjë me dorë, për të mos i dëmtuar (një prekje e lehtë i
shkëput nga vendi).
Shpella
e Kabashit është banuar që në fillimet e shoqërisë njerëzore, ndoshta që në
epokën e gurit, me jetë në luftë për mbijetesë.
Ndjen
historitë, njerëzit që jetuan në kohërat e hershme. Të qeshurat, gjuetitë,
paralajmërimet, të gjitha të ngulitura në heshtjen e kohërave, fiset primitivë,
burra të mbështjellë me gëzofin e kafshëve që gjuanin, të fërkonin gurin për të
ndezur zjarr, të pjekin gjahun që ishte ushqimi i tyre. Duket sikur ndonjë
qenie mitologjike do të shfaqet në çast.
Gjatësia
e shpellës, por më e rëndësishmja bollëku i saj, me vend të mjaftueshëm, me ujë
brenda për të pirë, me gjasë, në kohërat e rrezikut strehuan kaçakët e malit,
njerëz që binin në hasmëri, murgj, barinj, bagët, kafshe të egra...
Në
fakt janë gjetur objekte të hershme prej guri dhe kocka të kafshëve që kishin
ndarë këtë shpellë me qeniet njerëzore dhe që datojnë nga neoliti deri në
epokën e bronzit. Jo vetëm kaq, por pikërisht këtu janë gjetur copa tjegullash,
sopata e çekan guri, heshta, fragmente të enëve prej balte, vegla stralli të
latuara si elementë që tregojnë praninë e njeriut.
Shpella
nuk i ka shpëtuar egos së sëmurë të vandalëve modernë që janë vërsulur asaj,
duke shkatërruar ekuilibrin e brishtë. Është sikur të shkulësh faqet e një
legjende dhe t'i copëtosh ato.
Shpella
e Kabashit, të tërheq me fshehtësinë e saj, duke nxitur përfytyrimin në
lashtësi, të së Panjohurës, që nuk mungojnë të jenë për njeriun modern edhe
mundësi hulumtimi. Ashtu si fundi i oqeanit, kjo botë e mistershme nuk është
eksploruar plotësisht.
Pas
orësh të tëra të mundimshme (normalisht, ishte një ditë e gjatë), ne dolëm nga
shpella e Kabashit, sikur kishim ardhur nga Parajsa, duke ndjerë një kënaqësi
të parrëfueshme për sytë, një prekje për shpirtin...
Mijëra
imazhe të lëkunden të gjalla para syve dhe depërtojnë në çdo qelizë. Një ecje e
lehtë, fytyra të lodhura, dielli dalëngadalë perëndon kodrat e Sulovës...