E premte, 21.03.2025, 04:34 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Një udhëtim që të fton sërish

E diele, 02.03.2025, 07:01 PM


NJË UDHËTIM QË TË FTON SËRISH

NGA PËLLUMB GORICA

A doni të shkoni në një udhëtim, ndoshta më pak të njohur, por po aq të bukur, të përqafojmë një toke me vështrime që të lënë pa frymë?

Kështu, në mëngjesin e një dite të fund dimrit, me miqtë e mi Zabit Cukun dhe Daut Kokolin, nisëm një udhëtim në trevën e Gramshit, të ngarkuar me ndjesi kënaqësie, që të jep paqe në shpirt, buzëqeshje, bujari dhe miqësi, të përkëdhelur nga melodioziti i tingujve të stërlashtë fyejsh.

Nga Tirana nuk të duhet shumë për të arritur atje. Thellë ndjen një zë që të nxit më shumë, një marëdhënie stërgjyshore, që është gjithnjë e më e fortë.

Rruga, buzë liqenit të Banjës me standarte të larta, e ka lidhur këtë trevë me Korçën dhe Elbasanin, duke ndihmuar në një lëvizje më të shpejtë të udhëtarëve. Ajo zgjatet si në një film me xhiro të përshpejtuara. Pemët vrapojnë, vendbanimet shfaqen e humbasin dhe i lëshojnë duart njëri- tjetrit, ndonëse, lëvizjet demografike drejt vendeve me toka pjellore dhe kushte të mira, i kanë shpopulluar ato.

Devolli i stërlashtë, që rridhte prej shekujsh si zot i shtratit të tij, sa në njërin krahë në tjetrin, u shndërrua në një liqen të madh, me tonelata ujë që mban brenda tij dhe infrastrukturën e digës së H/C - it, si gjurmë e një ndërgjegjeje kohore aty.

Retë, që duken si një spërkatje gri, sikur kërkojnë diçka të harruar nëpër kohëra. Ndalemi në një shesh buzë liqenit, që është bërë i zakonshëm për çdo udhëtar, kur kalon këtu.

Liqeni shtrihet i qetë me një zgjatim të bukur, duke reflektuar në pasqyrën e tij të ujit bukurinë e paprekur dhe qetësinë e një peizazhi që duket i pikturuar nga një artist hyjnor.

Një tufë dhi na befasojnë në një urë, të paraprirë nga një qen totalisht i bardhë, me vështrimin intensivisht të një gjenerali para ushtrisë ndërsa niseshin në luftë.

Peshkatarë të pakët, figura të vetmuara buzë liqenit. Pamja nxit një dëshirë të rrënjosur thellë brenda nesh, një dëshirë për t'u bashkuar me ta, për të humbur veten në ritualin e përjetshëm të gjuajtjes së peshkut.

Peizazhet evokojnë kohërat e largëta. Vende që ishin ekzistenca e banorëve të lashtë. Duke kaluar mbi urën e gjatë, kujton Darzezën e dikurshme, atë vendbanim si një parajsë e vërtetë, mbi të cilën janë gdhendur historitë e brezave. Të kalojnë në mendje ndërtimet e atjeshme që mbanin atmosferën e epokave të largëta dhe dëshmonin bujarisht jetën e banorëve në shekuj. Rilindi diku tjetër në një vendbanim moderne, larg Sulovës.

*****

Atje ku largohet liqeni, si i pikturuar rrëzë një kodre të bleruar me fytyrë nga Perëndimi, shtrihet qyteti i Gramshit, i vogël, i veçantë, i bukur, mikpritës, periferik, jo për shkak të largësisë së qyteteve kryesore, por për shkak të nxitimit urban për të hedhur përtej kambëve të veta gjithë tallazitjen e e kohës.

Rrugët e qytetit, në dukje të shkreta, me ajrin që përplaset në fytyrë si parfumet e shtrenjta mes pallateve, kafeneve, të cilat ofrojnë një vështrim në vitrina e dyqaneve, në faqe muri e shtylla dritash, ku lajmërimet “bërtasin”: Shesim shtëpi, shesim dyqane, shesim tokë ose… Jepet me qera, ose… Na duhet kamerier, pastruese, hidraulik, shofer, etj.

Ndalojmë në qendër të qytetit, për të parë gjithçka, ngadalë e me nge. Ka kaq shumë dashuri mes njerëzve, kaq shumë miqësi dhe e gjithë kjo shton një ndjenjë sigurie. Ndaj duke ecur në ato rrugë merr një simfoni përshëndetjesh.

Mjaftojnë vetëm pak minuta për të takuar një nga miqtë tanë, Isa Bashën, drejtorin e çështjeve  Social-Kulturore në bashkinë Gramsh pak më vonë ushtarakët në rezervë Ardian Mullai dhe Ramazan Mane, këngëtarin popullor Xhevahir Bora, ish drejtorin e uzinës së armëve Fiqiri Matën. Pas vërshimit të përshëndetjeve entuziaste, buzëqeshjet e tyre çarmatosin të ftohtin e stinës. U ulëm në një kafene pranë ndërtesave të zbukuruara me vija e forma të drejta. Biseda mbështillet si thotë populli: “Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha”, të realitetit nëpër të cilin zvarritet Shqipëria, nga keqqeverisja demokratike mbi tridhjetë vjeçare.

Dikur, para 30 vjetësh, Gramshi ishte qytet që trashëgoi një punësim, kryesisht në tre sektorë: në prodhim armësh, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Socialiste, për t’u mbrojtur nga çdo agresion i mundshëm, në prodhim baterish (edhe për ekonominë) dhe në konservim frutash e zarzavatesh (edhe për eksport). Në fillim të 90 pas një papunësie “rekord”, në vend që të nxiste më shpejt përshtatjen (ligji natyror i kompensimit) rriti varfërinë.

1997- a shkërmoqi shtetin dhe rrafshoi uzinën e armëve në Gramsh.

Vandalët nuk erdhën nga Skithia, por ishin këtu dhe gjërat morën rrokopujë, aqsa punëtorët përjetuan drama të mëdha (më e rënda, papunësia e lartë).

Për të përballuar jetën, shumica, me familjet e veta, morën rrugën emigruese. Është kjo një dhimbje e mbijetesës, megjithëse u dha një hap zhvillimi me rrugët dhe hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës. Zhurma e mjeteve të punës dhe fryma njerëzore, u pruri njerëzve të qytetit ndjesinë e punës, shpresën, pasi prej vitesh kishte rënë në koma. Por s’mund të bëhej fjalë për zhvillime të mirëfillta kapitaliste që rrisin mirëqënien e qytetarëve të mos emigrojnë jashtë vendit.

*****

Përtej Gramshit, rruga e qetë na fton të vazhdojmë drejt Çekrezit. Shoqërohemi nga tingulli i rrjedhës së ujërave të lumit Devoll, i tejfryrë nga shirat, në shtratin e mbushur me zaje. I mbushim mushkëritë me atë erën e ftohtë të maleve.

Gjithsesi e di dhe e kam thënë edhe më parë, që në çdo skaj që ecim, qoftë këtu apo diku tjetër emocioni është i fortë. Sidomos drejt vendeve, që ndjehen si takime ndarje dhe përkujtime.

Ndalemi në një peizazh tokash erozive dhe ngrehina me origjinë ushtarake, të rreshtuara që menaxhonin aktivitetin, por edhe aq sa mundeshin në një formimi të mbrojtjes, sot kthyer në një ndërmarrje fitimprurëse, i japin kuptim jetës së konsumatorëve me anë të punësimit të qindra banorëve. Në muret e tyre zbulon histori të pikturuara me ngjyra që duket sikur pëshpërisin ironinë therëse të politikës shqiptare, apo shfleton një libër komik.

Ardian Mullai, Sekretar i Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it të Bashkisë Gramsh na ndalon, në vendin e rënies së katër dëshmorëve të Gramshfshatit (Ali Musa Koci; Bajram Sadush Cekrezi; Ismail Abedin Cekrezi dhe Sadush Dalan Cekrezi). Në nderim e përjetësim të veprës dhe gjakut të tyre, ngrihet e lartësohet lapidari, i sintetizuar në katër kolona vertikale dhe pllakën e mermertë horizontale me emrat dhe ditëlindjet e tyre.

Me pak fjalë Ardiani të rrëfen historinë e kësaj ngjarje:

“... Luftetarët vullnetarë të trevës së Verçës në bashkëpunim me çetat partizane të Mokrës, Gorës dhe Oparit goditën dhe asgjesuan garnizonin dhe postëkomandën e karabinierisë fashiste, në Snosëm më 31 janar 1943, duke nxjerrë jashtë luftimit kolonën e tyre, që u nis nga Elbasani për t'i ardhur në ndihmë.

Dhe ndodhi terrori fashist në tërë trevën e Gramshit, nga data 5 deri 9 shkurt të vitit 1943 për të përligjur humbjen e turpshme që pësuan trupat e karabinierisë dhe milicisë fashiste italiane.

... Katër atdhetarët, katër banorët dhe aktivistët e këshillit antifashist NÇL të Gramshfshatit, pasi i'u dogjën shtëpitë, i torturuan në mënyrë çnjerëzore sepse nuk treguan bazat e Luftës. I goditen me zjarrin e armëve në mënyrë makabre më 5 shkur 1943, në vendin e quajtur Mumlume pranë rrugës automobilistike Gramsh – Kodovjat.

Kjo ngjarje e skalitur në kujtesën historike të kohës na qartëson vetëdijen për të mos i harruar kurrë, por edhe na frymëzon e motivon para gjakut të deshmorëve.“

*****

Ardiani, duke zgjatur krahun, të tregon peizazhin e Tomorit, një tempull natyror, që me të vërtetë Krijuesi ynë e ka skalitur, aqsa kjo një parajsë gjeografike dominon mbi malet e tjera përreth, të largëta e më pak të larta. Tomori vendos para teje një kanavacë me ujëra, dëborë dhe shkëmbinj, me maja të mbuluara me re gri, si sfinks përrallor.

Tomori mban mbi shpatulla madhështinë shekullore të shenjtërisë së Perëndive të Lashta pagane. Një puthje e këtij froni, ku lartësohen profecitë për etërit fisnikë, e vargëzojnë frymëmarrjen e një shpirti të paepur, qëkurse ka lerë: morfemë e endur me perla historie, shtjellur virtytshëm në vetë Historinë.

Kryezoti Zeus, nga këtu lëshonte rrufetë e zjarrta, ndaj të pabindurve. Aty priftërinjtë bekonin popujt pellazgjik dhe parashikonin betejat; aty ku ka marrë frymëzim Akili, Odiseja, Aleksandri i Madh etj.

Gjeografi i Lashtësisë, Straboni, në librin VIII shkruante se “tempull i Dodonës dimërkeqe gjendej në lartësitë e Tomorrit, me këmbanë të ramtë shumë të madhe”.

Aty, sipas Homerit te poema “Iliada”, ndeshim këtë dialog të Akilit, kur merr kupën për të pirë verë e i lutet Zeusit: “O Zeus, ti që nga larg sundon edhe Dodonën dimërkeqe (me akuj dimri), ku rrojnë priftërinjtë Selas…”

Herodoti në librin e II thotë: “Tempull i Dodonës ka qenë i vetmi, më i vjetri i gjithë të tjerëve”.

Rilindasit tanë, me veprat e tyre, e shkëlqyen dritën e endjes së bukur të Tomorrit.

Kristoforidhi i madh që pohonte:

“…Te mali i Tomorit rri Zoti, rri i madhi i jetës. I qofshim falë atij Zoti. Hieja e atij na mbuloftë e na ruajtë”.

Ndërsa, Çajupi do të shkruante:

“Baba Tomorr, Kish’e Shqipërisë,/ Mal i lartë, fron i Perëndisë, / Tek ti vinë njerëzit qëmoti/

Për të mësuar se ç’urdhëron Zoti”.

Bilbili i Gjuhës Shqipe, poeti bektashi, Naim Frashëri e përmend Tomorin:

“Tomor! O mal i bekuar, fron i lartë, që rri Zoti-Pasë fesë së vjetër, që kishin shqiptarët qëmoti”.

Tomori të shikon dhe sikur të thotë ec mespërmes peizazheve magjepsëse që shpalosin plot vende magjike. Rrjedhat e ujërave, si damarë gjaku, vërshojnë tatëpjetë: herë të qeta e herë rrëmbyeshëm, duke krijuar stërkala ylberësh.

Ndjekim valëzimet e kodrave, nëpër rrugën gjithë gropa. Në Sotirën e heshtur thithim gjithë poezinë e saj. Aty ende jetojnë pak banorë, duke jetuar në mënyrën më mitike të mundshme. Ata janë të mishëruar me shpirtgjerësinë e tyre, si e Zotave, pasardhës të Ilirëve, gjithë respekt për mikun e vizitorin e thjeshtë dhe ndjehen me fat që lindën këtu rrëzë kryelartit të mbuluar shekujsh me borë.

Heshtja në Sotirë zgjohet nga pëshpëritimat e Ujëvarës së Sotirës, bijë e një burimi të nëndheshëm të Tomorit, të cilin banorët e njohin me emrin “Tek bie ujët”, tejet magjepsëse dhe perla e çmendur, që të bënë të biesh në dashuri me të.

*****

Vështrimi shkon më thellë në përqafimin e natyrës dhe lirisë së saj, në këtë tokë legjendash dhe bukurish të pathëna, me plot dëshmi lashtësie.

Në rrëzë të Tomorit shtrihet krahina e Sulovës mikpritëse, me një përkatësi historike dhe kumte qytetërimi. Vendbanimet ruajnë thesare autentike të qytetërimeve të lashta, por edhe të mëvonshme, jetën rurale, njerëzit e tij, dritën, aromën, gjithashtu shijen dhe prekjen e tingujve të natyrës.

Si rrallëkund krahinë, në Sulovë ndërthuret historia me dëshmi antike, sakrificat dhe dhimbjea, tabu dhe karaktere, krenari, shtëpi e zemra të hapura, ndjesi dhe instikte, folklor, gjurmë shpirtërore, tradita që s’i gjen gjetkë, të cilat kanë origjinë të hershme, në thelb të mira: me filozofi dhe mençuri brenda.

Dyert, si edhe zemrat e banorëve të Sulovës, janë të hapura; ato shëndrisin e gufojnë nga njerëzit shpirtgjërë, të urtë, të mençur, punëtorë, me respekt për mikun e udhëtarin që i binte rruga asaj ane.

Po u ngjit muhabeti, Sulovarët të bëjnë mik për kokë. Të shtrojnë sofrën e mikpritjes dhe të kënaqësisë. Ne dasma e bëjnë tym. Rakinë e bëjnë vetë nga rrushi, nga kumbullat e egra, edhe nga mareja. Siç është i bukur dhe plot lezet edhe pirja e gotave të para, apo ballit të kazanit...!

Riti që më tepër të magjeps është dollia, që jo vetëm të pish, por të mos e teprosh e cila tregon për traditën e tyre, që çdo gëzim e kalonin me kupën e rakisë. Dollia, ku matet ritmi i pirjes me urime plot lezet, shtërngim duarsh, trokëllima gotash, me miqësi për njëri- tjetrin, nderej edhe dalldia e këngës, muhabeti e vallja sa tundej dyshemeja e konakut.

Kanë qënë ca shprehje të tilla, lidhur me rakinë si: E pinin rakinë me opingë në Sulovë.

Dollia ishte e bukur por, teprimi i pijes ka qënë jo i këndshëm.

A pitë raki mbrëmë? Pimë. A u rrahët? Jo! Nuk paskeni pirë raki!

Të dukej se do të shfaqen personazhet stërgjyshorë, me fustanellat palë-palë, ulur këmbëkryq pranë oxhakut, ku bubulonte zjarri, teksa rrëzonin takijen mbi sy e festonin në gëzime si fëmijë me këngët që i stisnin aty për aty.

Duke ecur poshtë rrugës, vështron të mbjellat e braktisura që me shekuj kanë ushqyer banorët e Shëmrizës, Duzhës dhe Lubinjës. Muret e shtëpive ende rrahin me tingujt e banorëve të tyre të parë, si një lidhje e bërë nga jetët, shekujt, zemra rrahëse e një qytetërimi të hershëm, që ka lënë pas legjendat të cilat po shkërmoqen nën vështrimin indiferent të kohës.

Qyteti antik i Kodrionit ngrihet në majën e kodrave të larta të Sulovës, ndërtuar e mbrojtur me lumej gjaku, kur banorët e lashtë, donin aq shumë lirinë, mes atyre mureve me brohërimat e fitoreve, tani historia jeton në heshtje, në një kohë që nuk ka fund.

Nga aty, pamja të jep një prekje magjie, edhe nga muret (gurë me përmasa ciklopike) të kalasë së Lashtë. Është një fragment prej dhjetra metrash, që i ka qëndruar provës së kohës.

Vështron pamjen e Tunjës, e qarkuar nga vargje kodrinash, ku toka, edhe pse e pjerrët, është si tul buke. Tunja në Sulovë, është një pasuri në ballin e krenarisë së sajë, me vlerat e sakrificës dhe qytetërimit të hershëm.

Më lart Jança, pothuajse dremit në këmbët e Tomorit. Sikurse çdo vendbanim, ka historinë e vet, si vendi i pijetarëve që nuk i deh rakia, po kënga dhe vallja popullore. Të parët kanë bërë emër, kanë jetuar e mbijetuar, sot vendbanim i shkretë. E kush do të jetojë në këtë vend të mrekullueshëm? Askush.

Rëmonja (Orma e Lashtësisë) s’dihej sesi kishte mbirë në atë vend. Nuk ishin as dhjetë-pesëmbëdhjetë ndërtesa të rrënuara sikur të kishte rënë apokalipsi. Njerëzit bashkë me blegërimat e bagëtive mbushnin dikur këto shtëpi, tashmë s'ka gjallëri dhe rëndesë të dikurshme. U bë e vështirë të jetohej, ndaj banorët morën rrugën e arratisë drejt zonave fushore dhe qytete.

*****

Lugina e Holtës e mbyllur midis kodrave bëhej gjithnjë e më e ftohtë. Vështrimi rrëshqet mbi kreshtat shkëmbore, të cilat mbartin qëndresën deri në kufijtë e të pamundurës për mbijetesë të banorëve, në vendbanimet dhe fortifikimet e historisë së hershme. S’e di as vetë, ç’më rrugëtuan mendimet në hershmërinë e kështjellës së moçme të Tërvolit, që dikur qëndronte si roje të këtyre viseve. Nga struktura kanë mbetur disa mure rrethuese, të cilat, duke sfiduar shekujt, dëshmojnë për një të kaluar heroike.

Një legjendë flet për një thesar të fshehur brenda kështjellës. Kush e di, ndoshta në ndonjë fragment të murosur, qëndron ende ai thesar legjendar. Duke u besuar të vërtetave historike dhe copëzave të legjendave, ëndërrimtarët kanë nisur prej kohësh kërkimet e tyre, me kazma, lopata dhe aparate metalkërkuese, duke shkatërruar gjurmët historike.

Ajo ishte edhe kështjella e prijësit, Gjorg Golemi, që betejat antiosmane i nisi më herët nga ç’na kanë mësuar në libra. Përplasen në shkëmbinjtë mjekërbardhë jehonat si dikur të shkrepëtimave nga patkonjët e kalit të Gjorg Golemit. Sot vendasit u tregojnë udhëtarëve gjurmët e mpiksura, si relike në shkëmbin e fortë.

Lumi i Holtës, që dredhon si një zvarranik, gjatë mijëvjeçarëve me rrjedhën e tij të pandalshme ka gdhendur një formacion gjeologjik dramatik (kanion), që të kujton skenat e filmave horror. Sheh pamje interesante të formacioneve me një arkitekturë të bukur përmes tuneleve natyrore me kalime të ngushta. Admirojmë detajet, duke përfshirë guacka të vogla fosile, si xhevahire të vegjël fildishi. Dhe thua “Zot i madh, sa e bukur është kjo botë dhe sa pak gjëra mjaftojnë për të shtegëtuar dhe ndier shpirtin plot, nëpër mrekulli që rrallë mund ti hasësh.

Shpellat me perden e errët mistike shëmbëllejnë si xhepa misteriozë të kratereve shkëmborë.

Përballë kështjellës Antike të Tërvolit ndodhet shpella e Kabashit. Endja në shpellë, të çon në labirinte, në të cilat mund të vërehen stalaktite me forma dhe ngjyra të çuditëshme. E kuqja e zjarrtë, e verdha e okrës dhe bluja e ndërthurur me të bardhën, ofrojnë një spektakël unik të artit natyror. Ajo që e karakterizon edhe më shumë këtë shpellë është se nga kristalet janë krijuar simbole dhe portrete si peshku, mjekra e Skënderbeut, gjarpri, etj. I përkëdhela butë sikur të ishin xhevahire të gjalla, duke të kujtuar se natyra na flet me një gjuhë të shenjtë që duhet ta dëgjojmë me përulësi.

E gjen veten duke përfytyruar fiset e burrave primitivë, të cilët në kohë të largëta jetonin në këto brendësi shkëmbore, të ngrohur nga zjarri miqësor dhe të mbështjellë me gëzofin e kafshëve që gjuanin për t’u ushqyer dhe mbuluar.

***

Ishte një ditë që ushqeu shikimin dhe zemrën me emocione të këndshme në trevën e Gramshit. Kthimi qe i zymtë me retë që po përgatiteshin të lëshonin ngarkesën e tyre. Duke ecur me zhurmën e makinës, vetëm një fjalë të vjen në mendje: po iki, por do të kthehem përsëri.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx