Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Në Zvërnec, pranë ''ishullit të ëndrrave'' të Fatos Arapit
E merkure, 20.11.2024, 07:00 PM
NË ZVËRNEC, PRANË "ISHULLIT TË ËNDRRAVE" TË FATOS ARAPIT
UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA
Dita
shpërthen me ngjyra dhe ngrohtësi, dashuri, përshtypje dhe shumë hapa larg, në
një vend plot prekje të mrekullueshme natyre, të stërmbushur me histori,
kulturë, art, shije të pashoqe në shpirt.
Pasioni
im është tashmë i njohur për udhëtime: Është një festë autentike, në kontakt të
ngushtë me natyrën, traditat dhe zakonet e botës rurale. Pesha e punës dhe
ngarkesat që Tirana mbart e injekton padashje me gjithçka. Edhe moti në këtë
pikë dukej se ishte mik, duke na dhënë diellin, ngrohtësinë e ditëve tipike
vjeshtore. Në fakt anomalia termike e nëntorit është me temperatura mbi
mesataren sezonale.
Me
këtë ndjesi u nisa për në Vlorën atmosferike dhe të bukur, ku (në njërën anë ka
projekte futuriste dhe çmenduri në ndërtim, në tjetrën një shpirtërore mijëvjeçare
ende e rrënjosur në të kaluarën) të gjej veten duke përqafuar kryevepra
natyrore po edhe të befasishme. Rruga është e flladitshme, rrëfej se pasqyroj
në vetëdijen time një ndjenjë lumturie të një udhëtari kureshtar i tërhequr në
joshjen e vendeve të shenjta.
Kilometrat
e para, nuk ofrojnë shumë emocione. Vështron çrregullime urbane në nivele
dramatike, që kanë shkatërruar bukurinë dhe funksionalitetin e një territori
duke i ndryshuar rrjedhën natyrës. E ndjen dhimbjen e këtij mjedisi mizor.
Ndërkohë,
pa arritur në Vlorë, ndalem para një tabele që tregon drejtimet që do marrim.
Rruga në qytet, është vërtet e këndshme dhe aspak me trafik, duke kaluar disa
lagje banimi me të ardhur nga Labëria, Mallakastra, Skrapari, Përmeti, Gramshi.
U kthyem djathtas një rruge që jepte shenjat drejt Lagunës së Nartës. Një
mister më vete përbën ajo, me kohën, faktorët ndikues, mënyrën e krijimit dhe
“thesaret” që ruhen në tabanin e saj. Arrihet nga këtu përmes një rruge të
bukur dhe shumë të kënaqshme. Ndaj, dëshira për të parë atë qëndron përtej, e
cila të jep një vështrim unik, të një udhëtimi romantik të çasteve paqeje në
mes të natyrës.
Përqafimi
ngushëllues i mirëseardhjes vjen nga ndërtesat industriale të rrënuara e të
braktisura, të Uzinës së Sodës Kaustike e Fabrikës së Llampave (sot kanë ngelur
ca rrënoja dhe një çift oxhaqesh, ashtu larg njëri- tjetrit). Mbeturinat
helmuese të tyre do të derdheshin, përmes një tubacioni diku ne veri-perëndim
të Lagunës së Nartës, afër ishullit të Zvernecit, duke krijuar edhe një plagë
të pashërueshme për Vlorën.
Me
këto mendime që na kalonin në mendje hyjmë në pyllin me pisha që mbante erën e
rrëshirave. Rruga përmes pyllit të Sodës (i ngjante një tuneli përrallash)
është e mrekullueshme dhe e errët, duket sikur Hadi po lëviz në zemrën time,
duke kërkuar atë rreze drite që më kthen në jetën tokësore. Korniza e vjeshtës
me ajrin e freskët e bën peizazhin edhe më magjik.
Horizonti
përtej me qiellin e kthjellët që përthyhej në mënyrë harmonike nga Ishulli i
Sazanit dhe Gadishulli i Karaburuni, më jep mundësinë e hapsirës me shikim dhe
shpirt nga vezullimi i argjend i dallgëve të detit, të cilat përplasen mbi
ranishten e bregut duke vërshëllyer melodinë e tingujve ritmikë dhe arkaikë.
Emocionet
më rrëmbejnë të gjithin; madje duke harruar për ku jam nisur, saqë i lejoj
vetes ndalesa të shkurtra, për të fotografuar pishat e larta, grinë e trungjeve
me forma që duken si fantazma nga e kaluara e largët, të rrëzuar nga era apo të
tharë, që vetëm një fije shkrepëse nga pakujdesia, mund t'i bëj hi. Pastaj do
pyesin “Si ra zjarri”? Siç them gjithmonë, natyra është një burim i pafund
mrekullie dhe kjo mund të na shtyjë vetëm të reflektojmë se sa shumë duhet ta
duam dhe ta respektojmë atë për të ruajtur trashëgiminë e pafund që na jep.
Dikur
ishte tokë e kripur me duna rëre, e zhveshur dhe përvëluese në verë; me bimësi
tipike shëllirore, me tufa të vogla bari atipik gri në vjolë, jo i gjelbërt.
Tek- tuk ndonjë pemëz sa një bojë njeriu, marinëz quhet, ku mund të futesh pak
në hije; e mbushur me mina antitank, të vendosura nga gjermanët në Luftën e
Dytë Botërore për shkak të frikës prej një zbarkimi të mundshëm të forcave
aleate në Shqipëri. U mbollën rreth viteve 50 një brez pyjor me pisha. Kjo
mushkëri e gjelbër sot është një parajsë për të ecur, për të bërë sport ose
thjesht për të shijuar pak qetësi.
***
Sapo
mbërrita në Zvërnec, menjëherë u ndjeva i zhytur në një atmosferë tjetër
magjike. Ishte një pamje kaq
spektakolare, saqë më emocionoi me rrezet e diellit, që shfaqeshin më
marramendëse dhe më rrezatues se kurrë.
Eci
në heshtje, duke marrë frymë në lirinë e peizazhit, duke e lënë veten të
kujdesemi për gjerësinë përreth nesh. Aty- këtu shpërndarë mbetje të
artefakteve ushtarake, dëshmitarë të heshtur të kohërave fortifikime të
bregdetit.
Zvërnecin
e gjetëm të pastër. Vetëm paqe dhe qetësi përreth, që besoj se i çmend
entuziastët e soditjes. Edhe këtu peizazhi ishte aq i këndshëm sa më shtyu të
bëj ndalesa të shpeshta, veçanërisht të admiroj gjeologjinë e mrekullueshme dhe
marrëdhënien e saj me florën dhe rrjedhimisht me faunën. Zona është e bekuar,
me një lagunë të mrekullueshme e të pasur me gjithçka, me kullota në fusha të
shtrira, ullishte edhe shekullore.
Çdo
cep i Zvërnecit, është një kapitull në një libër të historisë së gjallë, vetëm
duke pritur për t’u zbuluar. Zvërnecin, për herë të parë e gjejmë të pasqyruar
në hartografi nga hartografi italian Vincenzo Maria Coronelli (Venezia, 16
gusht 1650 – Venezia, 9 dhjetor 1718), me emërtimin: Mad di Verneti” Harta e
vitit 1687, i cili na jep edhe një të dhënë interesante, i një porti tjetër në
Gjirin e Vlorës (Porto Novo Golfo della Valona). Porto Nuovo, është një mrekulli turistike e
paeksploruar, një pastërti bregdeti ku nuk derdhet asgjë prej njeriut. Ka edhe
një gji me rërë për adhuruesit e detit.
Misteret
më të mëdha lidhen me territorin e kodrave të Zvërnecit. Të moçmit e Nartës
këto kodra me dalje karstike i emërtonin “Pllaka”, ndoshta për shkak të
pllakave shkëmbore.
Këtu
shtrihet Treporti, në një terren ranor të ngurtësuar po aq edhe enigmatik që
zgjatet në Gjirin e Vlorës. Rrënojat e qytetit të lashtë gjenden ca mbi kep e
ca nën ujë. Një mori gurësh, qeramikë, fragmente mermeri, mure brenda dhe
jashtë detit, mbetje altarësh dhe shenja të gdhendura në shkëmbinj, janë
tregues të një vendbanimi antik. Gurët e Triportit të lashtë u morën për t’u
përdorur në Vlorën e sotme për kalanë e qytetit (Kanina). Një tjetër vendbanim
i madh ka qenë Spinarica e cila nuk përmendet më pas pushtimit osman të shek.
XV.
Pamja
përreth, tipike për filmat e bazuar në historitë e Tolkien. Diku para viteve
60-të të shek XX, ka patur edhe një mini shpellë të vogël sa një dhomë. Aty me
sa duket kishte banuar një eremit. Në faqe kishte disa gërryerje si vende me
vendosë sende, si qirinj etj.
Pastaj,
shikimi vrapon, përtej mureve shkëmbore, te Gjiri i Hënës, një kënd magjik, i
veçantë me panorama që të lënë pa frymë. Këtu asgjë nuk ka ndryshuar, me
përjashtim të farit të bardhë italian në shkëmbin përballë detit, i thjeshtë,
tipik në pikpamje të morfologjisë; dhe pas Farit është Ishulli i Karakonishtit,
ndërsa në sfond majtas Dajlani i Madh. Para syve qëndrojnë hijshëm përbri
njeri- tjetri qysh në kohë të moçme: Ishulli i Sazanit, së bashku me
Gadishullin e Karaburunit, dhe më tej, në horizont, Gjiri i Vlorës, ku
kryqëzohen ujërat e Jonit dhe Adriatikut.
Ecim
duke vështruar pak këtu e pak andej nëpër rrugicat e Zvërnecit, tani të mbetura
bosh. Shikon shtëpi banimi dy e
trekatëshe në Zvërnec. Shumë prej tyre kanë dekorime të ndryshme, ndonëse
modeste: motive të izoluara, seriale dhe rrethore, të gdhendura në drurin e
dyerve. Ashtu si shumë vendbanime të tjera, edhe Zvërneci ka njohur
shpopullimin. Harxhuan, ndërtuan, u lodhën dhe ikën.
Vëmendja
u tërhoq nga një ndërtim i bukur dhe mbresëlënës. Ulemi me një mik në kopshtin
e gjelbëruar të tij pranë një pemë mushmolle, që prodhon shumë fruta, të cilat
mund t’i këpusësh dhe t’i shijosh me dorën tënde, duke pirë verë shumë të mirë
dhe duke biseduar për mbi jetën e kaluar që, në kohë të largëta, u zhvillua në
këto vendbanime dhe të humbura, duke u përpjekur të përfytyrojmë se si mund të
ketë qenë kalimi i kohës në ato vende sa të këndshme aq edhe larg qytetërimit.
Na mbeti në mëndje shprehja e kamarierit të restorantit: Dikur vlonte Narta e
Zverneci nga banorët që bëheshin tapë me verë për ditë pushimi e festa me atë
që prodhonin vetë.
Vendasit,
duke bartur njohuritë e të parëve, dhe heshtjet midis kohërave tregojnë shumë
më tepër se ç’mendohet, elemente të asaj që ishte, dhe për ne dukje të
fshehura.
Një
gjë kurioze është emri Zvërnec: (zver-bishë). Vetë Zvërnec është ngritur me
punëtorë myzeqarë të marrë nga pronarët nartiotë për të punuar tokat e tyre,
sidomos ullinjtë në dimër, kur, për shkak të zgjerimit të Lagunës së Nartës,
kur ata nuk arrinin dot ti punonin, apo të mblidhnin prodhimet e tokave të
tyre.
***
Shfaqet
Ishulli i Zvërnecit si tablo e ndonjë piktori. Emocioni është intensiv, ndaj e
lë veten të udhëhiqem nga kënaqësia e ecjes, e cila qëndron në kureshtjen.
Ishull pothuajse 31 m lartësi që shtrihet në një sipërfaqe rreth 9 hektarësh.
Përbri tij është një më i vogël e 14 m i lartë.
Çdo
hap që hedh është një ftesë për të humbur veten, për të zbuluar thelbin e saj
dhe për të ndjerë se je pjesë e këtij cepi magjik. Ajri nuhat aroma të lëshuara
nga bimët, uji dhe dheu, mahnit këndshëm shqisat tona, të cilat nuk ngopen
kurrë. Ca fëmijë lozin pranë varkave prej druri të nxjera në breg, më tutje
dikush riparon një rrjetë peshkimi të nderur mbi hunj të ngulur në tokë.
Klithmat homerike të flamingove, të pelikanëve, të patave e rosave të egra, të
pulëbardhave, këto krijesa të jashtëzakonshme dhe të rralla janë të heshtura,
ka mbetur vetëm performanca artistike ne kujtim te tyre.
Ura
e drunjtë gjarpëruese në ishullin e Zvërnecit ishte rindrequr duke i bërë të
këndshme harkimet si rrugica shëtitëse mbi lagunë e duke i dhënë ecjes ndjesi
poetike. Ndalon para një vepre arti, me dërrasa si një nga pikturat më të
bukura natyraliste që kam parë ndonjëherë. Është e vështirë të thuhet me fjalë,
duhet ta shohësh me sytë e tu.
Një
det insektesh të thumbojnë. Çdo cep të fton të eksplorosh, duke ju bërë të
ndiheni sikur jeni në një vend ku natyra dhe historia ndërthuren në mënyrë
unike. Pamjet të lejojnë të fundosesh plotësisht në natyrë, nuk ke
shpërqendrime dhe mund të marrësh shumë më tepër detaje me sy, me foto…
Qielli
më jep ca furça magjike në dritën e ngrohtë të diellit me reflektimet që dukej
si një pikturë e përsosur e piktorit anglez akuarel Turner. Do të shoh një
kaleidoskop ngjyrash në ujë, në sajë të biodiversitetit natyror. Këtu gjenden:
algat e gjelbra, ato kafe, mineralet si dhe kripa e bardhë, e reflektimi i
diellit krijojnë një spektër të gjerë ngjyrash.
Hapi
është i lehtë dhe shikimi është gjithmonë kurioz. Ndjesia e hyrjes në një
peizazh të magjepsur dukej aq reale dhe arriti të më largonte nga jeta e
përditshme, për të më katapultuar në mënyrë magjike, në një mbretëri të
magjepsur të krijuar nga mister në të njëjtën kohë.
Ishulli
i Zvërnecit, njihet për peizazhet evokuese të një pylli të mrekullueshëm dhe
misterioz. Më pëlqen të eci nëpër atë pyll, ku dominon prania mbretërore e
drurëve të qiparisave, të harlisura si të futesh në një përrallë, të cilat na
tërhiqnin me gjithë bukurinë dhe madhështinë e tyre, që bien në sy në qiellin
blu. Megjithatë, nuk arrij të kap të gjitha bukuritë përreth, ngazëllehem me
çdo hap, edhe nëse dhimbshëm e gjej veten më të lumtur, ndërsa eci, harroj
jetën e përbashkët dhe bëhem pjesë e kësaj bote të palëvizshme dhe të heshtur.
Por ajo që shpaloset para syve të mi është përtej asaj që kam përfytyruar!
Jeshile dhe blu janë ngjyrat mbizotëruese dhe një diell që ngroh dhe shkëlqen
pa turp.
Vetë
Ishulli i Zvërnecit është i njohur për atmosferën e tij shpirtërore dhe ka qenë
një vendstrehim meditues për të urtët për shekuj. Është i lidhur me kujtimin
dhe poezinë e Fatos Arapit, si Isla Negra me poezinë e Nerudës. Poeti, Fatos
Arapi, këtu ka kaluar fëmijërinë e brishtë. Panorama i kishte dhënë shumë
ylbere, që i ruante ato si relike të shtrenjta në shpirt. Te qiparisat e tij të
dhimbjes, që në heshtjen dhe vetminë e tyre krenare fshehin “hirin e ëndrrave”.
Pamja
e Manastirit Fjetja e Hyjlindesës është mahnitëse dhe më shumë se një strehë të
duket si një pallat i rregullt, një vend ku koha duket se ka ndaluar dhe
qetësia ndërthuret me forcën e historisë. Është një prej manastireve të famshëm
të cilin e përshkruan hollsishëm në shkrimet e saj, historiania e njohur
bizantine Ana Komnena.
Nga
ana tjetër e ishullit është kishëza e “Trinisë së Shenjtë”. Më 1950 u kthye në
vend syrgjynosjeje për të burgosur politikë.
Roja
i manastirit, një banor i Nartës, kur e pyesim të thotë se kanë ndodhur plot
ngjarje që kanë përdhosur “pafajësinë e gjelbër” të qiparisave të Poetit.
Mësojmë për të burgosurit e ishullit të Zvernecit në periudhën e diktaturës (të
dënuar me punë të detyruar) për elitën e dënuar të Partisë së Punës. Bedri
Spahiu dhe Mark Ndoja që përktheu aty “Ferrin” e Dantes.
Këtu
është vrarë dhe Tuk Jakova nga një ushtar që e qëlloi se kishte kaluar gardhin
e kufirit të lejuar. Para viteve ‘90 ishulli u kthye në Rep. Ushtarak.
Sipas
legjendës, Manastiri Fjetja e Hyjlindesës në Zvërnec ishte një vend që
shëroheshin të sëmurët që vinin nga ana e anës, për të gjetur qetësi
shpirtërore, që buron nga fryma e shenjtë. Sepse aty ndodheshin edhe zërat e
natës, u hiqnin shqetësimet njerëzve, brengat, dhimbjet, por kuroheshin me
ilaçe të bëra nga disa bimë medicinale.
Manastiri
Fjetja e Hyjlindesës dhe Kisha e Shën Marisë së Fjetur mahnitëse në pamje dhe
pozicion, një monument i periudhës bizantine është ndërtuar shumë shekuj para
fshatit Zvërnec (në shekullin XIII-XIV).
Një
ndjesi madhështie më magjeps dhe mbështjell shpirtin tim, gjithçka është aq
hyjnore, saqë mashtroj veten duke menduar se jam njeriu i parë që shikoj këtë
foltore (pse kam pritur kaq gjatë për të ardhur këtu). Endem rreth kishës,
është një tjetër objektiv i imi, sidomos sepse ndjek me shumë interes periudhën
historike, duke kërkuar ngadalë elementë të saj.
Muret
dhe arkitektura e veçanta janë një libër i hapur. Janë çaste magjike, të
fuqishme që hyjnë në shpirt në mënyrë të pashlyeshme. Pyes veten a mund të gjej
në pjesët e brendshme dhe të fshehura të saj gjurmë të hershmërisë?
Ikonostasi
i kishës, ndonëse nuk ruhet i plotë dëshmon për një cilësi të lartë artistike.
Është realizuar më 1782 nga murgu voskopojar Tërpo Zografi, i cili ka pikturuar
edhe ikonostaset në Shën Naum, në Voskopojë, në Libofshë të Fierit dhe në malin
e Athos. Më 1806, rikonstruktohet totalisht manastiri me karakter
"rilindas latin.
Shkëlqimi
i butë i dritës së qirinjve hedh një shkëlqim të ngrohtë mbi altarët e stolisë,
pikturat e shkëlqyera dhe arkitektura magjepsëse.
Kisha
e Shën Marisë në Zvërnec, e vjeter mbi 800 vjet, ka elementë arkitekturor shumë
interesant. Është një nga kishat më të mira të ruajtura. Ajo ka 7 harqe shumë
elegantë. Përbëhet nga naosi, që i përket fazës fillestare të shekujve XIII-XIV
dhe narteksi i shtuar gjatë shek. XVIII-XIX.
Për
shkak të braktisjes për një kohë të gjatë, konakët e manastirit kishin pësuar
dëmtime të shumta dhe ishin drejt shkatërrimit. Megjithëse ishte një monument
kulturor që përjetoi gjatë kohës së diktaturës shumë kufizime, me shumë
përpjekje nga të krishterët e zonës duke i ruajtur ikonat murale me mënyrën e
vet. Restaurimi shpëtoi nga rrënimi i plotë këtë monument të rëndësishëm të
Kulturës tonë.
Manastiri
Fjetja e Hyjlindesës në Zvërnec përveç vlerave arkitekturore, si një testament
i frymës së qëndrueshme të përkushtimit shpirtëror, që ka hijeshuar këtë ishull
për shekuj me radhë, ka dhe vlera historike; aty varroseshin njerëz fetarë dhe
me merita kombëtare.
Në
brendësi të kishës ka simbole, ende të pa deshifruara; kemi një varr me
mbishkrim dhe me simbolikë të pazakontë e shkruar në greqishten bizantine: Këtu
prehet Argjiro K**aranxhas, burrë fisnik me prejardhje prej një fisi fisnik. Qe
komandant i gardës Perandorake Bizantine. Pllaka e varrit ka të gdhendur një
heraldikë pirati (kafkën dhe gjarprin mes dy kockave të kryqëzuara) si një
variant i veçantë i Skull & Cross Bones.
Në
një pllakë tjetër shkruhet me katër gërma greke F. F.F.F, që do të thotë: mik
bie, ha dhe ik.
Këtu
është edhe varri i Marigo Pozios, qëndistares së Flamurit të Pavarësisë. Kish
qenë amaneti i saj për të gjetur prehjen e shpirtit më 1937 këtu. Marigoja
ishte vajzë korçare, bijë prifti, martuar me Jovan Pozion nga Hoçishti, i cili,
kishte aktivitet tregtar në Vlorë. Jovani ishte një nga tre burrat e jetës së
saj. Ajo vdiq në Amerikë.
Krahas,
shtampave të përmasave të vogla e të mesme, ditën e fundit, Marigoja, me formën
që i dha dom Mark Vasa dhe atdhetari Petro Fotografi, pregatiti një flamur të
madh, i cili do të ishte Flamuri i Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Ky
flamur, nga Sarajet e Xhemil Vlora, më 1912, u vendos në Skelë te shtëpia e
Ceno Sharrës. Këtë e dëshmon koloneli hollandez Tomson, por edhe figura e
rilindjes Mihal Grameno, kur e shikon me dylbi Istref Vërleni, si pjestar i një
delegacioni nga Korça, i cili mbërriti në Vlorë pak me vonesë...
***
Manastiri
Fjetja e Hyjlindesës, qëndron si një dokument i gjallë duke dëshmuar për
cilindo nëse do të dijë e mësojë besimin e hershëm. Ndihesh sikur je në ëndërr,
nga pamjet befasuese që të mrekullojnë. Gjen paqe me misticizmin hyjnor.
A
ka një vend tjetër po aq të bukur në bregdetin e Adriatikut Shqiptar?
Mos
na u ndaftë shpirti nga këto shenjtëri njerëzore!
*Të
gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i
pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të
autorit.