E premte, 21.03.2025, 04:15 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Njerëzit e mirë largohen, për t’u kujtuar gjithmonë!

E hene, 03.03.2025, 06:59 PM


NJERËZIT E MIRË LARGOHEN, PËR T’U KUJTUAR GJITHMOMË!

NGA PËLLUMB GORICA

Nuk ka çast më të mrekullueshëm se kur kujton njerëz të mirë, të pasur shpirtërisht, e me vlera të trashëguara. Veç mjafton të kesh dëshirë, për të shkruar për ata dhe punët e mira të tyre.

E ndërmend jo thjesh si emër Petrit Bashën, qytetarin, mësuesin, studiuesin, ishte ikonë e dijes dhe kulturës në trevën e Gramshit e më gjërë. Në atdhelindjen e tij mblodhi Pasurinë e Folklorit, Mençurinë e burrave, Traditën shekullore të trevës.

Portreti i Petrit Bashës është në sytë dhe mendjen e gjithkujt që e njohu apo dëgjoi për të, një aristrokat me paraqitjen e vet, inteligjent dhe pasionant për dijen, edukator e fisnik në shpirt, me parime si qytetar i ndjeshmërisë së lartë njerëzore. Një njeri i thjeshtë deri në madhështi, tek i cili më shumë se kudo gjen konkretizimin e saj shprehja: “kalliri që është plot e mban kokën ulur”; njeri me bagazh të jashtëzakonshëm, vlerat e veprës së të cilit vetëm do të lartësohen me kalimin e koh?s, ashtu siç ndodh me lartësimin e majave t? maleve, kur largohesh prej tyre.

Ndërsa udhës së kujtimeve shkoj, kalin e mendimeve me yzengji shpoj.

E njoha vonë Petrit Bashën, ashtu si ishte: i thjeshtë, fisnik, i qeshur, dinjitoz, komunikues, me atë buzëqeshjen karakteristike. Nuk harroj takimet, bisedat meritat, por shkoj më tej e më thellë te jeta e tij, kontributi, studimet, te personaliteti, pasioni qëmtues në etnosin e trevës, librat, profesionin e shenjtë të mësuesit, miqësinë tonë që erdhi si një brumë i mirë në magjen e artit.

I kujtoj bisedat, gjithmonë të përzemërta, të shtruar si rrugët. E kam thënë dhe nuk tundem nga kjo thënie, se qëndrimi pranë tij nuk ishte kurrë kohë e humbur, pasi gjithmonë mësoje gjëra të reja. Kjo vinte nga faktin sepse ai, ishte njeriu i dijes i kulturës dhe se, horizonti i tij ishte i pa fund.

Ai ishte mjeshtër i gojtarisë, d.m.th. i të folurit rrjedhshëm, zëri i tij ishte i kthjellët, ai fliste me zërin që duhej dhe jo si e donte interesi i njërit apo tjetrit, me të ulur e me të ngritur.  Ai kurrë se përsëriste dy apo tre here një fjalë, sic kemi parë e dëgjuar në njerëz të tjerë. Pra ai mbante të njëjtin pozicion, të njëjtin qëndrim, të njëjtin ton të zërit. Ai nuk njihte nivele, për të gjithë ishin njësoi, prandaj dhe mbante të njëjtin qëndrim. Burrë me taban i bindur në ato që shprehte, të dukej një copë Tomorri që lartësohej në sytë e gjithë Sulovës. Nga ana tjetër nuk e merrte për keq dhe as që ofendohej, po ti ndërhyje me takt e me kulturë në bisedë. Përkundrazi, sa herë ndodhte kjo, ai ndalonte, të dëgjonte, të falenderonte dhe pastaj të përgjigjej dhe vetëm kur tjetri bindej, e nuk ndërhynte më, ai vazhdonte si më parë siç e kishte zakon, me një zgjuarësi që ishte në fakt një ndërhyrje e kulturuar me një buzëqeshje të lehtë.

Petrit Basha lindi 80 vjet më parë në Tunjë të Sulovës, në vendin e burrave të mençur, të pasur në shpirt, me dinjitet të përmendur tërë krenari. Lindi në ato ditë lufte të 1944. Fëmijëria e tij, si e gjithë të tjerëve, me kujtime të hidhura të varfërisë së tejskajshme që po kalonte Shqipëria.

Arsimimi ndikoi në formimin e tij, e pajisi me njohuri dhe kulturë. Ai ka studjuar në një nga shkollat e njohura në historinë e arsimit shqiptar, në Pedagogjiken e Elbasanit, pararëndëse e së cilës ishte Normalja. Këtu, nisi “regjistrin” e rëndë të jetës, pasioneve, shoqërisë dhe letërsisë.

Përcolli njohuritë dhe edukatën tek brezat e rinj, iu përkushtua i paepur shkrimit të të vërtetave historike, të cilat i bazoi në dokumenta arshivore; gërmoi në senduqet e folkut të trevës, mblodhi mençurinë popullore, pastaj u end në narracionin mjeshtëror e shterues të kuptimeve në gojën e Zotave.

Mblodhi këngë popullore (i botoi në tre vëllime voluminoze) duke respektuar kriteret shkencore, nga të cilat udhëhiqet një mbledhës folklori, i regjistroi ashtu siç i dëgjoi nga bartësit.

Mblodhi rite të moçme, të pandryshueshme në lloin e tyre: Ujin në besimet popullore, besimet rreth zjarrit; tokën e gurin në besimet popullore; bimësinë në besimet popullore; besime popullore rreth botës shtazore; kremtimin e Shëngjergjit; bimësisë; kultin e zjarrit; ritualet me karakter flijues, etj.

Qëmtoi frazeologjinë, elegancën e qasjeve, thellësinë e mendimit dhe gjuhën që derdhet si mëndafsh. Të bënte përshtypje, jo vetëm saktësia, transparenca e studiuesit, por edhe plotësia e realitetit të hulumtuar. Dija dhe kultura i kishin dhënë një përmasë të veçantë saqë gjithkush kishte dëshirë ta kishte pranë për të biseduar, për të pirë një kafe, apo për të ndenjur.

Puna e tij si qëmtues skrupuloz do të shfaqej me kumtesa në koferenca shkencore. Bashkëpunimi në fushën e publiçistikës përfshiu, veç gazetave, edhe botimet shkencore në kryeqytet, gjithmonë në funksion të nxjerrjes në dritë të historisë, gjuhës sonë të bukur, kulturës së vendlindjes...

Në Tunjë të Sulovës, dheun e të parëve të tij, krijoi një familje të mrekulleshme. Fëmijët e tij, krejt perëndimorë krijonin një ansambël harmonik. Kudo e shoqëroi zëri, sytë e ndritur, shqetësimet, buzëqeshja dhe kënaqësia e tyre.

Për shumë breza nxënësish ai ishte një mësues model, nga niveli i njohurive që zotëronte, nga takti pedagogjik por sidomos nga qytetaria, e cila rrezatonte në çdo sjellje e veprim të tij. Për punën me përkushtim e kompetencë, lëvdohet vazhdimisht nga instancat profesionale. Është vlerësuar me titullin “Mësues i Merituar”, “Qytetar Nderi” i Gramshit.

Dalta e kohës e ka gdhendur personalitetin e tij, madhështinë e njeriut të ecjeve vertikale dhe të pathyeshm?ris?, me durimin e një milingone dhe skurpulozitetin e një studiuesi.

Të shkruash për hulumtimet dhe librat e tij, thjesht, hyn në një labirint dhe nuk del lehtë, sepse të duket që ke parë universin e thesareve të kulturës sonë të lashtë.

Treva e Gramshit e shtrirë rrëzë malit mitik të Tomorrit, që njihet si vendi i përrallave dhe legjendave të pa shoqe që nga thellësia e antikitetit, ku e kanë zanafillën copëza të kulturës sonë kombëtare; tregime që rrokin një botë të tërë njerëzore, e pajisi me mjeshtërinë e të rrëfyerit.

Petrit Basha, nuk i shpërfilli vështirësitë për të udhëtuar në vendbanimet e ato lakoret gjarpëruse të ujërave të Devollit, Tomorricës dhe Holtës, në dimrin e ftohtë, në verën e dielltë, të qëmtonte vlera, siç mbledh bleta nektarin e luleve dhe krijon mjaltë në hoje, ashtu siç thuhet: “Kali e ka me të ngarë dhe burri me të parë”, hërë “piu një gotë raki”, ose “për të dredhur nga një duhan”, që janë motiv për të biseduar; të gjitha emërtimet e krojeve, arave, kodrave, pyjeve, prrenjtë, gurë e mure të kaluarës së trevës.

Në botimin “Legjenda nga Gramshi” spikatin rrëfimet kuptimplote, paraqitja e rrethanave historike, politike e shoqërore e deri te ato familjare të kohës, që kanë kushtëzuar edhe jetën e kombit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë, apo lidhen me ngjarje, vendbanime të harruara, toponime të lashta, historinë, traditat dhe kohën e largët. Janë krijimtari, burim i folkut tonë, traditave, zakoneve, historinë e tokës tonë...

Ishte një pus i thellë i historive të trevës. I pasqyroi në librat duke hedhur dritë mbi jetën e njerëzve të zakonshëm dhe ndikimin që ata patën në formësimin e historisë, si një urtan stoik që i dëgjohej “fryma”. Ndërkohë që mund të kishte shijuar më shumë bisedat me miqtë, në kafene, shëtitjet me familjen dhe jetën pa vrarje mendimi. Me siguri, dikush ka qënë nxitës për këtë, ndoshta ndonjë nga gjyshërit, ose prindërit, ndoshta dhe ajo kërkesë e kohës ndaj mësuesve për të mbledhur visaret e popullit.

Mbaronte një studim fillonte një tjetër, të botuara në një kolanë librash që të hapin mijëra dritare e të mbushin shpirtin me krenari për trashëgiminë kulturore e historike dhe gjuhën tonë të bukur.

Petrit Basha mblodhi gjuhën e përditshme, magjine e saj të pasur, me vlera, që do t’i shënonte në blloqet prej letre për ti mbjellë në libër, duke sjell origjinalitetin pa shformime të folurës së trevës, të frazeologjisë së saj dhe koloritit, si një veçori. Veçanërisht është një vlerë në pasurimin e gjuhës shqipe, sidomos të Leksikologjisë si shkencë.

Librat e tij studimor janë krijesa të një lloji të veçantë që s’vdesin dhe kanë vlera, si toka, që mban në gjirin e saj thesare minerare. Diku në sipërfaqe, diku në thellësi, diku me pakicë, diku me shumicë, por gjithkund ato nuk mungojnë.

Për 45 vjet rresht do t’i kushtohej studimit: “Fjalor me fjalë të rralla, shprehje frazeologjike e fjalë të urta, përralla, legjenda, histori gojore…” nga treva veriore e Toskërisë, Gramshi, me disiplinë gjuhësore deri në atë pikë sa mori vëmendje nga studiues e akademikë.

Gjithë ky material i larmishëm, i mbledhur me përkushtim, është strukturuar bukur në libër. Një pasuri që mund të barazohet me atë të gjuhëtarit Kostandin Kristoforidhi. Ai e punoi i vetëm dhe e botoi me ndihmën financiare të fëmijëve. Për vepra të tilla në historinë e Gjuhës Shqipe që kërkojnë përkushtim, kohë, mund, dije dhe njohje të thellë të gjuhës amtare, zakonisht angazhohet e gjithë Akademia e Shkencave (ata që kanë “pushtuar” katedrat e dijes, pseudohistorianët e pseudoakademikët) por që lenë për të dëshiruar. Gjergj Fishta do të thoshte “hanë kastraveca”, të strukur në zyra dhe kafene, pa dalë nga kulla e fildishtë.

Kur e lexon titullin e librit, në pamje të parë, të krijohet përshtypja se ky studim është për një kategori të “ngushtë” lexuesish, por në fakt pasi e shfleton kupton se i mbledhur në këtë areal trashëgimie kulturore prek limite gjuhësore: fjalë të rralla që shpjegohen dhe depërtojnë në thelbin e dukurive shoqërore; shprehje frazeologjike dialektore, të cilat nxjerrin në pah urtësinë, mençurinë e të mbërthejnë me mënyrën llogjike të të menduarit e vepruarit në jetë. Kështu parakalojnë një galeri e pasur karakteresh, protagonistësh e bashkëbiseduesish, emra të njohur nga urtia e mençuria, po edhe njerëz me kënd vështrime të ndryshme, sepse ndryshe e rrëfen një artist e ndryshe një bari; fjalët e të urta, si këshilla të vlefshme për ata që kanë veshë për t’i dëgjuar.

Nuk gjen trevë tjetër që të mund të dhurojë kënaqësi urimi dhe betimi, të mbushura me pjalm ëmbëlsie. Ato dhe të mallkimit janë shteruese në dhënien e kuptimeve, të ruajtura aq bukur prej përvojës. Dikur, burrat e mençur (që ishin dhe fjalë-pakët) thoshin fjali të veçuara, si “formula të prera”, manifestonin me argumenta të lidhura fort një logjikë e pakundërshtueshme. Petriti të gjitha këto i ka sjell të rrëfyera me gjuhë të pasur. Ato kanë aromë fisnikërie e më pranë kohërave dhe njerëzve, që i thurën me shpirt; nga kujtesa e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, në rrugëtimin e kohës.

Ndërkohë që Petrit Basha ndjehej komod në punën e tij studimore, në shtëpinë e tij të vogël në familjen e tij, mes librave të shumtë, mes shokëve dhe miqve, mes ideve shkencore, me mirënjohje nga ata që e vlerësonin, u përballë me injorancë, mospërfillje dhe mosmirënjohje provinciale.

Petrit Basha ishte dhe mbeti njeri i veçantë: vullnetmirë, fjalëpak e mendjendritur, që me dashamirësi njerëzore përcillte vlera, dije, kulturë, saqë rrallëkund i gjen, personazhi më tipik e i pa ngjashëm me ndokënd në turmën e qytetit të tij, me dekoracion të arkitekturës së vet shpirtërore, si njohës i krijimtarisë folklorike të popullit të vet, ishte fat që e kishim.

Mes qiellit mbi kala të Tunjës brezat do të vazhdojnë të kërkojnë urtësinë e tij. Me ikjen e tij, Tomorri mitik do të jetë më i heshtur, nuk do të ketë më atë kërshërinë e shkëlqimin.

Petrit Basha dritëroftë në udhëtimin drejt bojëqiellësisë së përjetshme!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx