E enjte, 24.07.2025, 10:02 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Një copëz parajse e fshehur - Syri i Cikllopit

E hene, 14.07.2025, 07:00 PM


NJË COPËZ PARAJSE E FSHEHUR

SYRI I CIKLLOPIT

NGA PËLLUMB GORICA

Të shkosh atje, duke takuar natyrën me të gjithë shkëlqimin e saj, është më shumë se një arratisje, aq afër, “një kapje dore”, në ajër të freskët, në heshtje si një përkëdhelje për shpirtin.

U nisëm me kalin tonë mekanik drejt “Syrit të Ciklopit” që, nuk është thjesht një vend: është një udhëtim në egërsinë më autentike të Natyrës. Sa shumë kuriozitet dhe entuziazëm, për t’u zhytur në këtë parajsë. Larg nga pyjet e betonta, nga trafiku kaotik, me radhë të gjata, nga aksidente apo ndërtime. Larg nga grindjet politike jashtëzakonisht të nxehta. Larg nga kullotja në rrjetet sociale, nga overdoza e lajmeve dhe llafogjia mjerane e opinionistëve në ekrane televizive (fake news). Larg industrializimit dhe zhvillimit të egër, që shkaktojnë më shumë dëm sesa dobi. Larg gjithckaje që përfaqëson konsumimi, larg shfrytëzimit të burimeve, larg varfërisë së vlerave dhe ndjenjave. Larg nga kakarisje pseudo intelektualësh, me buzëqeshjet e shtirura të tyre si arlekinët dhe dhimbjet “e botës së sotme moderne”… dhe aq më shumë për të shpëtuar nga temperaturat përvëluese që pllakosën edhe Shqipërinë. Pra, përfitoj nga një ditë e paraprirë nga një vapë ekstreme.

Është atje një gllënjkë ajri e pastër, një qetësi kristalore, ujëra të freskëta që kanë gdhendur shkëmbinjtë, duke i dhënë formë një bote të vogël.

Rruga, bëhet më intime, të pëshpërit histori, të shfaq një kaleidoskop ngjyrash. Vijnë e shkojnë, jo vetëm njerëzit, shtëpitë, kafenetë, restorantet, pishinat e kalçetot, por edhe peizazhet, fshatrat, kodrat e banuara nga shpirtrat e lashtë që na presin me kureshtje ti zbulojmë frontet e lirisë së efektshme dhe elegancës çarmatosëse.

Krraba që flet me mineral dhe heshtje

Shikimi ynë humbet në horizontin e largët, nën një qiell masiv. Udhëton përmes peizazheve gjithëpërfshirëse, duke parë dhe dëgjuar ujërat që këndojnë këngën e tyre. Ndërsa dielli lindte, pamja e maleve marramendëse, të kujton bukurinë në çdo hap.

Marrim një rrugë dytësore që shkon lart, një lloj ngjitjeje gjarpërore drejt Krrabës. Dikur ishte pikë e rëndësishme strategjike, që kontrollonte luginën e Erzenit në rrugën e karvaneve Tiranë - Elbasan. Është rruga nga kaloi edhe Aleks I Komneni, perandor i Bizantit, kur u thye në Durrës e pothuaj u kap rob nga Normanët (por shpëtoi mrekullisht falë kërcimit të kalit të tij që çau rrethimin).

Krraba është qytezë minatorësh, të cilën e njihnim thjesht si emër, ndërtuar fare pranë minierës. Dikur një nga qytezat punëtore më të zhurmshme në Shqipëri, e quajtur “Qyteza e Minatorëve”, që mori jetë pas Luftës së Parë Botërore.

Në fillim të shekullit të kaluar, një shoqërie Italiane e transformoi në një perandori miniere, me investime mbi tokë e nën tokë për nxjerrjen e qymyrgurit. U ndërtuan baraka prej druri, të mbuluara me pllaka iterniti, të cilat u pasuan me pallate katër e pesëkatëshe. Erdhën shumë banorë kryesisht nga fshatrat malorë të Tiranës: Mollagjesh, Mamël, Korrë, Skuterrë, Rozavere dhe Kllojkë, duke arritur një popullsi prej rreth dhjetë mijë vetësh.

Hapja e minierës, kontribuoi në lindjen e një vendbanimi të qytetëruar, për t’u bërë kazan aktiviteti, për të jetuar vrullshëm, nga mëngjesi deri në mbrëmje, me burrat, që zbrisnin çdo ditë në thellësinë e tokës, si jashtëtokësor të gërmonin mineral, me mbitokën në shërbim të saj. Me fjalë të tjera, një lloj qyteze në të cilin çdo punëtor mund të gjente gjithçka që i duhej, ku njerëzit që punojnë mund të kishin kushtet më të mira. Dhe kështu ndër vite u ndërtuan shtëpitë e punëtorëve në fillim ca baraka terniti, me të gjitha shërbimet që puntorët (dhe familjet e tyre) mund t'u duheshin: shkolla, dyqane, spitali, varrezat...

Minerali nxirrej me bollëk. Minatorët kafshonin zgafellat e nëntokës, me një skllavërim fizik.

Ishte një kohë pune dhe ndryshimi të madh. Qytetet po zgjeroheshin, fabrikat po punonin me ritme të plota, dhe optimizmi dukej se po përhapej në çdo aspekt të jetës së përditshme. Ishte një periudhë gumëzhitëse. Me fillimin e demokracisë miniera pushoi së ekzistuari. Ndaj dhe Krraba është kthyer tashmë në një kavie sociale nga strukturat e të gjitha Forcave Politike, të cilët vijnë këtu vetëm për vota, apo për t’u shfaqur në TV kur ndodhin fatkeqësi natyrore, për të sjellë ndonjë pako ndihme.

Sot, duke u përpëlitur në udhën e mbijetesës, Krraba është pakuar, duke humbur nga madhështia e saj; shumica e banorëve janë larguar, si rezultat i zhvillimeve të reja ekonomike, shoqërore e kulturore dhe përballjen me vështirësitë e përpjekjet për mirëqenie.

Duhen shumë punë për të bërë për t’i parë ndonjë gjë të bukur jetës aty, edhe pse banorët i janë kthyer kultivimit të perimeve, ullinjve, drurëfrutorëve e mbarështimit të bagëtive, të cilat ngjallin shpresë për ditë më të mira, sepse, është edhe një vend i përshtatshëm për zhvillimin e Blegtorisë, sidomos të Blegtorisë së Imët, që është simbol i gjallë i bashkëjetesës me banorët.

Drita e artë e diellit mbështillte butësisht Krrabën dhe peizazhin e saj urban. Shikoj atë peizazh që ka mbetur nga miniera: grumbullin e çrregullt të ndërtesave, të kthyera në rrënoja të heshtura, nën peshën e mbetjeve të qymyrgurit, puset minerare si të përhitura nga një luftë prehistorike.

Krraba ndihet më shumë si një fshat, pa aktivitet, nuk ka kushte jetese, asnjë politikë ekonomike për punësim; asnjë fabrikë, mini industri, mardhënie tregtare të vakta, bujqësia përtokë...

Rrugë me hije, lule, fytyra të një brezi minatorësh që lanë gjurmët e tyre këtu, të lodhur nga një jetë në punëra, me sakrifica e halle, me fëmijët të larguar, me një pension tallës, me dhimbjen e tyre të fshehur, mundimin dhe mungesën e shpresës, nga papunësia e theksuar. Ata të mbledhur kujtojnë ndodhi të së kaluarës, komentojnë ngjarje të ditës, shkëmbejmë mendime e pikpamje për politikën, për taksat dhe çmimet e larta, papunësinë, shërbimet e munguara, nivelni e lartë të në çdo qelizë të jetës shqiptare, u dhimset fati i vendit, sidomos i rinisë që fatkeqësisht po e braktis masivisht atdheun.

Një cep ku historia pëshpërit

Përsëri në rrugë... Të ngjitesh në rrugën gjarpërore drejt Skuterrës ishte mjaft e mrekullueshme. Ajo ndihej mistike, nga gurët sikur po kalonim nëpër shtresa të diçkaje të lashtë. Çdo detaj duket sikur zbulohet me qetësi: një livadh mes pemëve, hijet e freskëta, kumbullat dhe gardhet e shtrembëruara. Qiell blu, ajër i pastër dhe ato pamje gjithëpërfshirëse, marramendëse. Dielli shkëlqen, i ngrohtë, djersa të vërshon sytë, ndërsa ndonjë re e bardhë kalon ngadalë nëpër qiell, duke e pikturuar atë si një kanavacë e gjallë...

Të rrethuar nga heshtja e qetë e natyrës vetëm tre prej nesh në rrugë. Ndajmë fjalë që lindin të buta si fllad, heshtje që thonë më shumë se një mijë fjalime, ndërlikime të thurura me fije të padukshme dhe të qeshura që shpërthejnë pastër, duke lënë në ajër jehonën e miqësisë së vërtetë...

Ndërsa udhëtimi vazhdon, shenjat e peizazhit baritor u rishfaqën, me bagëti që kullosnin: lopë të qeta, dhi lozonjare, pula që çukitnin tokën sigurisht, qen miqësorë që erdhën të na përshëndetnin.

Skuterra të godet me pozicionin e saj karakteristik. Skuterra ofron pak. Është tokë e varfër, por jo si ajo e kartolinave. Bëhen a s’bëhen dhjetë shtëpi, të shpërndarë në mënyrë të papërshtatshme, kredhur në një heshtje pikëlluese, si dëshmi e një angazhimi të kahershëm, për të ndërtuar jetesën.

Skuterra ishte një cep, ku mbretëronte varfëria dhe jeta rridhte në një pëshpëritje përpjekjesh të përditshme, për mirqënie. Aty, saktësisht, në gjërat e thjeshta, qëndron magjia e vërtetë e jetës...

Nuk e shqetësuam heshtjen e Skuterrës, teksa flladi mbarte pëshpëritjet e Së shkuarës. E shfrenon historinë e betejave dhe sfidave për të pushtuar këto troje. Një vello braktisjeje e ka katandisur në një vendbanim të rëndomtë thuajse “të pa vlerë”. Ata që takon të tregojnë histori që nuk janë shkruar kurrë, vetëm kaluan me fjalë goje.

Në kujtime dhe toponiminë e Skuterrës janë skalitur qëndresat e banorëve: topat e Serbit, kuajt e Nemses, Koha e Zogut; italianët pas kapitullimit të ushtrisë fashiste në Luftën e Dytë Botërore dhe këmba e gjermanit. Përveç djegjes së 1915 që mbahet si një ndër plagët më të rënda në historinë e Skuterrës nga Pushtuesit Serbë, u shkrumbëzua edhe në Luftën e Dytë Botërore, në vitin 1944 nga Nazistët Gjermanë. Pas luftës banorët ishin kthyer në trojet e dikurshme nga shpellat që në kohëra sipas zonave ishin strehuar dhe luftuar gjatë në periudha luftërash me hordhitë e pushtuesve të ardhur nga perëndimi dhe nga lindja, me sakrifica të panumërta. Socializmi gatoi këtu një skllavërim shpirtëror e fizik, i cili nuk mundet të përshkruhet me egërsinë që ndikoi në shpirtin e banorëve.

Ndonjëherë, të lodhur nga historitë e luftrave, nuk duam të flasim më për to, sepse vetë jeta është luftë e përplasje në kohë të asaj që ishte dikur, të asaj prej së cilës jemi ndarë; sikurse edhe të asaj që po vjen, që nuk ka kohë për të humbur me kujtime, edhe pse asgjë nuk harrojmë, por sulemi drejt jetës së re, duke lënë pas të kaluarën e hidhur.

Shikimi prek kreshtat e malit Pashkashesh me një kon i bukur shkëmbor që hap pamje sikur përqafon gjithçka. Pashkasheshi kishte lëshuar ca vargje kodrash në dy anët e tij. Dhe kështu, me atë shikim në sy dhe në zemër, u përgatitëm të ngjitemi përsëri...

Rrethuar nga një heshtje, rri pa lëvizur dhe ulur në shkëmb, me sytë plot dritë si një fëmijë që mbetet i magjepsur nga bukuritë e natyrës. Pothuajse një pëshpërimë fshihet nëpër shkëmbinj.

Këtu legjenda përmend Gjergj Kastriotin, për “gjurmët” e këmbës së kalit të tij, të ngulur në shkëmb. Kur Gjergj Kastrioti kaloi në rrugën për në Krujë i zunë pusi Turqit, kali i tij e nuhati dhe u hodh nga njëri kep në tjetrin mbi Skerranë, duke ngulur thundrat, por patkoin nuk e la në Skuterrë.

Pak poshtë nesh, peizazhi klith nga shkatërrimi, me ujin të futur në tuba, nga uturima e kamionëve dhe eskavatorëve, që me dhëmbët e mprehtë kanë gërryer shkëmbinjtë. Ngushëllohem ne bukuritë e këtyre vendeve dhe majat e tyre që më kanë parë të endem.

Drejt një vendi plot qetësi, që mban aq mirë emrin e tij

Prej andej, shtegu shtrihej përpara i pjerrët, shkëmbor dhe i vështirë. Shkëmbinjtë ngjajnë si kurrize kuajsh fantazmë, mbi të cilët hipnim për t'u transportuar në vende pa kohë, apo hapësirë. Aty- këtu shkurre kokëforte që mishërojnë karakterin e shkëmbinjve të ashpër. Qielli është pa njolla pa e ndotur asnjë re. Vapa të detyron shpesh të ndalosh. Është aq sa mund të pjekësh bukën në gur.

Toka, përveç disa shtrirjeve të shkurtra, është shumë e thepisur që kërkojnë më shumë vëmendje, por në përgjithësi çdo gjë shkon mirë.

Menjëherë zhytemi në një pyll të bukur ahu, disa pemë të reja, disa vërtet madhështore, që gërshetonin degët e tyre për të formuar tunele gjelbërimi. Thithim ajrin e lagësht dhe aromatik.

Çdo hap ishte një faqe libri e shkruar. Ecja po bëhej diçka më i thellë: nuk ishte vetëm për të mbërritur, por për të transformuar në natyrë. Zogjtë ishin kolona zanore, duke mbushur ajrin me këngë, sikur duan të përshëndesin kalimin tonë, ashtu edhe cërritjet e karkalecave, cinxërimat e gjinkallave me një kor monoton. Ndaj, shpesh ndalon për të bërë foto si një mënyrë për të inkurajuar një vlerësim të botës natyrore, në të gjitha format dhe bukurinë e saj. Fjalët i ndërthurim për bukurinë e vendit, mbi dhuntitë e natyrës dhe atë lidhje të padukshme që krijohet midis atyre që ecin së bashku.

Mbërrijmë në Grykën e Murdhanit. Pamjet e saj, të ngjajnë me një fotografi të nxjerrë nga peizazhet magjike të Tolkien, për të thënë më së paku, mahnitëse dhe na kujton se çfarë ka punuar tërbimi i lashtë i ujërave që rrëshqet nën çdo hap. Shkëmbinjtë janë aq surreal dhe dalëngadalë vërejmë se bëhen gjithnjë e më armiqësor: muret shkëmbore disa metra të gjera pothuajse preken, duke fshehur qiellin. Futemi brenda shkëmbinjve, dhe këtu temperatura ndryshon rrënjësisht, duket se ka një kondicioner të drejtuar përpara, ndërsa uji është vërtet i ftohtë. Ujërat rrjedhin bërrylimeve, me ujëvara 3-10 m dhe pellgje të thella me ngjyrë të kaltër dhe është aq i pastër sa mund të shohësh shkëmbinjtë në fund. Jemi të dehur me kaq shumë bukuri, por ka diçka që na bën të bërtasim në kor një ËOË të madhe.

Nuk ka fjalë që përshkruan atë që na shohin sytë, ndjenjën e paqes dhe mirëqenies që, për një çast ndjen sikur je brenda një picture. Të gjithë duan të marrin një kujtim të këtij vendi të mrekullueshëm. Me pamjen dhe lentet e tyre, kapin përmasat e kësaj bukuri që të lë pa frymë, për të ngulitur në shpirt poezinë e një çasti të papërsëritshëm...

“Syri i Ciklopit”, që dukej sikur dilte nga një ëndërr, ca rreze dielli derdhen mbi të si shigjetat e Zeusit, ndërsa zëri i ujit pëshpërit sekretet e lashta të që flet për një bishë të madhe (e ngjashme me Polifemin te “Odisea” e Homerit), e cila bënte zullume. Gjatë përleshjes me banorët përfundoi në greminë poshtë shkëmbinjve, duke humbur syrin, dhe duke krijuar një pellg me ujë të ftohtë.

Kjo mrekulli e Natyrës, e krijuar nga dora e Zotit, ngjason me një simfoni të pazëshme, që të kujton Naim Frashërin, kur këndoi për malet, fushat, pyjet, çukat, gërxhet e veçanërisht për lumenjtë e Shqipërisë. Ndihesh sikur po hyn në një botë fantazie, një skenë filmi e mbushur me magji dhe udhëtim në kohë. Këtu, koha mban frymën, dhe natyra pëshpërit premtimet e qetësisë. Megjithëse asnjëherë nuk mund të ngopesh me pamje të tilla, në hije të freskëta, me gurgullima ujërash. Kjo është magjia e tij, apo jo? Një vend pa zhurmë, pa shpërqendrime, vetëm ujë i mjaftueshëm për të reflektuar qiellin dhe mendimet e tua.

“Syri i Ciklopit” ujëpastër ishte plot me njerëz që kanë ardhur të kërkojnë freski. Uji që shtrihet ka temperaturë ideale, të guximshmit hyjnë menjëherë…

Fëmijët notojnë cektinave, ndjekin njëri-tjetrin. Më guximtarët kryenin edhe hedhje ekstreme sipër një guri të madh në formën e një ndenjëseje, të prekin fundin e pellgut.

Të gjithë të rriturit e tyre janë ulur në breg. Siç ndodh shpesh me të rriturit, ca theken në diell, të tjerë pushonin në hijet, të thithin një ndjenjë paqeje që vetëm vende të caktuara dinë ta japin.

Shtrati i lumit herë ngushtohet e herë zgjerohet nëpër gurët e stërmëdhenj. Ujërat udhëtojnë kilometra të tëra, me degën e Skurranës nën emrin Erzen derisa derdhen në Adriatik. Jehon shushurima e tyre, si një kolonë zanore.

E kundrojmë lojën e shkumbëzuar të ujit në shtratin e ngushtë, që thellohet me brrylime të befta shkëmbore. Zhurma e ujit e shpelluar në shkëmbinj bëhet magjepsëse dhe ke ndjesinë e të ecurit direkt në një përrallë magjike.

Ujërat e freskëta gurgullojnë nga shkëmbinjtë e lashtë si roje, të pëshpërisin të vërteta të vjetra që kemi harruar t'i shkruajmë. Zogj grabitqarë sipër kokave tona mbulonin kasafortën blu të qiellit, duke na kënaqur me fluturimin e tyre magjik.

“Syri i Cikllopit” është padyshim një nga dhuratat më të bukura të Nënës Natyrë në Tokë, por është gjithmonë pak e trishtueshme që, këto vende të jashtëzakonshme lihen në mëshirën e kohës.

Kthehemi, nën diellin plot shkëlqim, nën blunë si të lyer nga një penel piktorësh, midis shkëmbinjve dhe gjelbërimit, me këmbë të lodhura por zemrën plot nga peizazhi i “Syrit të Ciklopit”, duke u “arratisur” vetëm pak orë nga Tirana.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx