Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Aty ku e tashmja zgjon të kaluarën
E merkure, 21.05.2025, 04:59 PM
ATY KU E TASHMJA ZGJON TË KALUARËN
NGA PËLLUMB GORICA
Udhëtojmë jo vetëm për të vështruar vende të bukura,
udhëtojmë edhe për të kuptuar historinë. Janë disa vende, në një rrugë që e
njeh mirë, por që çdo herë duket e re, që kur i sheh mendon se janë nga një kohë
tjetër, me thesare të fshehura murale dhe kulturore.
Rrethuar nga kodra të gjelbra dhe larë në dritë të butë, pamja e manastirit të besimit ortodoks të Gjon Vladimirit në Shijon të Elbasan, të përshëndet. Një vizitë këtu të lë sytë të verbuar dhe mendjen të qetësohet, sikur të jetë gdhendur, për një çast përjetësia.
Manastiri të shfaqet me pamjet
e kopshtit
gjeometrik si i dalë nga faqet e një përrallë, me
përsosmërinë hyjnore (shëtitja
nëpër të me aromë trëndafilash, cicërima zogjsh, përkëdhelje të erës mbi portokallet
dhe
qiparisët, që
ngriheshin si pikëçuditëse drejtë qiellit të kaltër); me
portat e harkuara me dyer druri, pëshpërimat e një shatërvani dhe çezmat, gurët e lustruar nga
koha…
Ndërkohe që po zbrisnim shkallët, takojmë At Irine Gegën.
Ecëm një copë rrugë bashkë, në të cilën më tregoi me rreshta të shkëlqyera për
jetën e “Gjon (Joan) Vladimiri, i cili ishte një princ
arbër i Krajës (Anës së Malit) Dioklesë, që u vra nga mbreti bullgar, Car
Samueli në Resnjë. Nuk dihet për çfare arsyeje e vret. Ishte i martuar me
Kosarën, vajzë e mbretit bullgar. E shoqja e mori trupin e tij dhe me nderime e
varrosi në Krajë, në kishën e Shën Mërisë. Aty, pra, në tokat shqiptare të
Malit të Zi. Kohë më vonë, arka me lipsanet (eshtrat e shenjta) të tij u vendosën
në kishën e Shirgjit të Shkodës. Rishtas, në vitin 1215, u morën prej Shirgjit,
u çvarrosën dhe rivarrosën në Durrës. Me ndërtimin e kishës së Manastirit në
Shjon të Elbasanit, në vitin 1381 princi i Arbërisë Karl Topia i mori lipsanet
e Gjon Vladimirit dhe i varrosi këtu për së treti.”
Manastiri i Gjon Vladimirit
Kisha, është fenomenale në vështrim, e lartë, me mure guri, dhe
çati që qëndron mbi 8 shtylla guri, që pas shumë rikonstruksioneve erdhi në
gjëndjen që është sot me forma të rregullta, e gjatë 18 m, gjërësi 12 m dhe
lartësi 8 m, e zbukuruar me punime guri
dhe druri, afreske dhe
Në shekuj manastiri u bë qendër e rëndësishme për shkrimet
shqipe. Shumë dijetarë gjetën strehë aty. Bënë përkthime, ku u kultivua gjuha
shqipe. Kështu, në vitin 1690 prifti elbasanas që shërbente aty, Joan Papa,
sponsorizoi e botoi në Venecia të Italisë librin e parë të Elbasanit,
Akoluthia, mbi shën Gjon Vladimirin. Hartuesi i tij ishte Kosntandin
Kristoforidhi.
Në portën e tij, Manastiri ka patur të gdhendur në mermer stemën
e Karl Topisë, e cila sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Tiranës. Ajo paraqet një
luan të ulur në fron, përreth disa kryqe të tipit grek e latin (si ato të
stemave franceze, meqë Karl Topia, nga e ëma, kishte prejardhje mbretërore
franceze).
Në mure shihen kryqe të llojeve të ndryshme, afresku i punuar
nga ikonografi Kostandin Shpataraku, pllaka varresh me datime, që nga shek
XVII, si edhe gurë me dekorime floreale.
Në këto pllaka ka shkrime. Jo me gërma latine. Janë sllave
apo greke që nuk mund t’i lexojmë por mund t’i përfytyrojmë se çfarë thonë?
Fqinjët e Shqipërisë dhe mund ti perdorin si baze për të
thënë se aty popullata ishte e tyre. Por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi ne e
dime mirë se shqipja nuk kishte gërmat e saj të alfabetit të stabilizuara dhe
sipas fesë shqiptarët përdornin gërma të ndryshme dhe shpesh liturgjitë ishin
ne gjuhe te huaj. Në atë kohë në kisha shkruhej greqisht dhe latinisht.
Kryqe në manastirin e Gjon Vladimirit
Përreth manastirit të Shën Joan Vladimirit sheh pamje të
bukura. Pemët e kornizojnë manastirin si një pikturë e gjallë, duke theksuar
këtë atmosferë paqësore.
Shatërvani dhe çezmat plotësojnë dekorin, që ende duket e
prekshme, dhe një pllakë përkujtimore për dy oficerë italianë, të bashkuar me partizanët
dhe të rënë në Luftën e Dytë Botërore kundër ushtrisë gjermane.
Varri i kolonelit italian nuk është gjetur. Ambasada
italiane ka vendosur këtë pllakë përkujtimore, ku mbesa e kolonelit vjen çdo
vit dhe vendos lule.
Largohesh nga manastiri i Shën Joan Vladimirit, me ndjenjën
se ishim në një parajsë të vogël, të rrënjosur në një botë magjike, nga e cila
ke jetuar një përrallë nga e kaluara.
“Ad Quintum” në Bradashesh i ''Via “Egnatia”
“Ad Quintum” i vetmi stacion, përgjatë “Via Egnatia”
Përtej rrugës Bradasheshi i Elbasanit. Makina ecën e qetë, ndërsa e gjejmë veten në
peizazhin që ndihej edhe më i shtrirë dhe meditues.
Toponomia e Bradasheshit vjen nga sllavishtja “sheshi i
bradave”, i trapave të lumit Shkumbin që përdoheshin për kalimin e mallrave,
bagëtive dhe njerëzve.
Furia romake dhe shekujt e historisë na kanë lënë një rend
gjërash, pothuajse të përsosur.
“Ad Quintum” në Via “Egnatia” që flinte në krahët e kohës së braktisur, ishte një surprizë e këndshme që, si një mik i vjetër, të fton të
zbulosh se çfarë fshihet në çdo cep të tij.
Emocionet të mbërthejnë kur je këtu aqsa të duket se hap një
libër të vjetër, në një raft plot me libra të palexuar, të një biblioteke.
“Ad Quintum”
Dikur ishte një “Ad
Quintum” (një
vend çlodhje, ushqimi, higjenë me banjo), “Mansio”, në kuptimin
“vendqëndrim” dhe “mutatio” “vend ku ndryshohen (kuajt) në Via “Egnatia”.
“Ad Quintum” është i vetmi stacion i periudhës Romake ende
mbi tokë, përgjatë gjithë Via Egnatia, e cila sot është tërësisht
rrënoja prej erërave të historisë me paplotësinë e përjetshme. Shtëpitë e rrethonin si gardhe mbrojtëse dhe
mburreshin që e ruanin këtë artefakt nga nata e kohës
Këtu nuk dëgjojmë zhurmë: dëgjojmë heshtjen e një dëshmie të
shkuarës antike. Takojmë Flamur Skënderin, specialistin e DRTK Korçë,
sektori Elbasan, me respektin e duhur, të atyre, që çdo ditë i japin dinjitet
rrënojave, të cilat duhen ruajtur dhe vlerësuar.
Bëmë disa biseda me të dhe shijuam pamjen, pa shkurret e
ferrat që i mbulonin dikur, siç dëshmojnë fotot, të
cilat i pushtonin egërsisht, sikur vetë natyra donte të shtonte prekjen e saj
të përjetësisë, duke i fshehur nga syri i njeriut, të shihnin gjënë e duhur.
Pyesja veten se sa njerëz kanë qëndruar këtu, njerëz që
jetojnë në përjetësinë e një kohe të gjatë dhe të pafund.
Sipërfaqja e strukturës së
vendqëndrimit është mjaft modeste, me një stil të veçantë ndërtimi, që nuk ta
lodhin syrin, duket se tregojnë një mijë histori, duke të dhuruar një
buzëqeshje me çdo vështrim.
Një strehë e vogël të zhyt në shtojca
(anekse) të cilat tregojnë mënyrën e furnizimit me ujë dhe kanalizimet e
ujërave të zeza, seksione muri të lagështa sikur të ishin duke qarë, gurë të
ngjyrosur me myshk jeshil dhe të zi.
Fragmente të “Via Egnatia
Ndalonin karvanet këtu, teksa ecnin në rrugën që njihet nga
lashtësia “Via Egnatia”, e cila vinte nga Roma dhe udhëtonte në Brindisi, do të
kalonte Adriatikun, do të arrinte në qytetin e
taulanteve, në Epidamin, që romakët e kthyen në “Dyrrachium” i cili pas
përfundimit të Via Egnatia mori kaq peshë sa kronikanët romakë të kohës e
quanin porti më i rëndësishëm ku ankoroheshin aq shumë anije. Do të
vazhdonte përgjatë lumit “Genus” (Shkumbin), për të vijuar më pas për shkak të
terrenit të vështirë në kahjen e mësipërme, mbi Kandavi deri në Qukës dhe prej
andej përreth liqenit të Ohrit, për të kaluar përmes Maqedonisë drejt
Selanikut. Kaloi në Kypselë në Evros dhe përfundoi në mbaron në Buzë Ane Konstandinopojë
(Stambolli i ditëve të sotme).
Romakët ndërtuan këtë
rrugën tokësore me kalldrëm, në mesin e shekullit II p.e.s, lindje-perëndim, e
cila lehtësoi tregtinë, lëvizjen ushtarake
dhe komunikimin
midis
popujve, kulturave, ekonomive duke u bërë pararendëse e botëkuptimit globalist., duke luajtur një rol vendimtar në përhapjen e ndikimit romak në të gjithë
Ballkanin dhe më gjerë, e forcoi dhe zgjeroi Perandorinë Romake.
“Ad Quintum” në Bradashesh nuk është atraksion tipik turistik, por nëse e sodit me qetësi, do t’ju
japin emocione autentike.
Lumi Shkumbin
Gjen vështrime që nuk duan
fjalë
Ne dolëm në rrugë. I largohemi smogut, grafiteve të godinave dhe oxhaqeve të shkalafitura, të perandorisë Kombinat
Metalurgjik, një vepër industriale, që thithi një fuqi të madhe inxhinierësh, teknikësh
e punëtorësh, dhe u kthye në një barbarizëm gërmadhash betoni dhe hekuri, si
një kafshë prehistorike. Tymrat kancerozë të tij e veshnin si retë e inatosura,
të derdhnin inatin edhe mbi kodrat, lumin dhe vendbanimet rreth tij.
Udhëtojmë drejt Peqinit. Dalëngadalë, peizazhi
hapet dhe zhytet në qetësinë që fshihet pas çdo kodre, të befason me pamjen e
mrekullive të dorës së banorëve. Ullishta, vreshta, pemë të tjera të bekuara nga zoti dhe dora e njeriut, që
të kënaqin syrin dhe shpirtin.
Arritëm në Papër, të shtrirë
përgjatë rrugës. Gjelbërimi i ullinjve, të shton një shtresë simbolike, e cila nuk është gjë tjetër
veçse një metaforë ndjesie. Banorët mbanin një
buzëqeshje në fytyrat e tyre, me dëshirën për të mirëpritur udhëtarët...
Lumi Shkumbin, që gjarpëron
nëpër brryle, apo gjunjëthyrje në udhëtimin e tij, rrjedh përbri shelgjeve dhe arave, të shton një prekje qetësie, të fton të ndalosh në në një varg kafenesh e
restorantesh që kanë hedhur spirancën buzë tij, me tabela të shkruara të
emërtimeve sipas toponomastikës apo dukurive të zonës. Kur Shkumbini fryhet nga
shirat gulçon brigjeve e rrëmben ç'të gjej përpara me prurje balte, llumra,
trungje si pasojë e erozioni dhe rrëshqitjeve të tokës.
Lumi Shkumbin buron në malet lindore Valamara dhe Gur i Topit
në Shqipërinë Juglindore, duke rrjedhur në gryka dhe kanione të thella. Lugina e lumit banohej
nga disa fise ilire. Parthinët jetonin në luginën e mesme të lumit. Ata u
afruan në perëndim me Taulantët që jetonin në zonën bregdetare duke përfshirë
luginën e poshtme të lumit. Shkumbini që në emër është një univers kuptimor, sepse
ka fjalët shkum (dalldi- dallgë), kum (rërë), um (lum) ka depozituar miliarda e milarda metra kub dheu
dhe ka stolisur vargun gjatësor nga lindja në perëndim. Ndaj dhe vendasit, këtë
lumë e quajnë Shkumi (me theks te zanorja e fundit), pasi dihet që
elbasanishtja i thjeshtëson grupet e bashkëtingulloreve, mb, nd, ngj, bd.
Shkumbini
është me të vërtetë mistik, sepse ndër të tjera çuditërisht ai ndan dhe i
bashkon të dy në të njëjtin kohë edhe dy dialektet tona, apo kufiri ndarës i
Ortodoksisë dhe Katolicizmit.
Përreth shpaloset një kantier epokaliptik, me
grumbuj gurësh dhe dheu, si teatër pune. Po
ndërtojnë Autostradën Rrogozhinë- Elbasan.
Peizazhi të ofron më të mirën nga
vetja: fusha, kodra të mbështjella me një mendafsh të gjelbërt, herë lakore e
herë të sheshta të tejpashme, pluguar, sistemuar dhe qëndisur nga dora e
banorëve punëdashës. Shijojmë simfoninë
e ngjyrave, tingujve dhe aromat e tokës, luleve, avullit që ngrihet nga
lëndinat...
Vendbanimet vërtet njëri më i bukur se tjetri. Pavarësisht
emrit, Bishqemi është një vend i bukur, me shtëpitë që mezi duken mes pemëve të
harlisura. Pamjet e bukura të kodrave, të japin ndjesi të mira.
Pas kësaj, Pajova, e përfshirë nga nxitimi i
rrugës. Në fakt, vë re detaje, lule, kafshë, vështrime që më tërheqin
kureshtjen. Ka dhe shumë njerëz, shumë dyqane, ka jetë. Plaka të rrudhura të përkulura mbi tufat e tyre të qepëve të njoma.
Mbërrijmë
në Përparim,
të pashkëputur nga rrugëshueshmëria dhe domosdoshmëritë moderne të jetesës; i
mbështetur mbi punën, tokën dhe traditat. Peizazhi i tij i krijuar në një kraharor ngjyrash si askund tjetër të
dehin shpirtin, dhe bëjnë të përgëzosh punën e banorëve, ku lexohet kujdesi për tokën, në një ekuilibër delikat mes kulturave
bujqësore, të qëndisura me pemëtari, vreshta dhe ullishta, me tregues
në rrugën e zhvillimit.
Teksa i afroheshim Peqinit, që rrezaton paqe në shikim, u kthyem në të djathtën tonë dhe s’kaloi
shumë e para syve në një faqe kodre, u shfaq Fatusha
me disa shtëpi dykatëshe, pjesa më e madhe e të cilave
të reja, me kopshte të rregullta dhe pemë që ngrihen përmbi gardhet me
kangjella. Jeta e lezetshme rurale: banorët kuriozë, bagëtitë
që kullosnin në fusha të gjelbëruara, kuajt e këndshëm, pulat që përkëdhelin në tokë
dhe sigurisht, qentë miqësorë që erdhën për të na përshëndetur teksa kalonim.
Fragmente të së shkuarës
që ende marrin frymë
Ndjekim
një rrugë përmes Fatushës që nuk është një rrugë e zakonshme... Është një rrugë
e vizatuar mes gjelbërimit, në një botë heshtjeje, me dehjen që era e freskët
na jep teksa fryn në arat me grurë.
Pamjet
të bëjnë të ndalosh vazhdimisht. Natyra
ka zërin e vet, flet
me pëshpërima që vetëm ecësit e heshtur dinë t’i dëgjojnë; nëpër lëndina të gjelbra dhe
hapësira të hapura, që të bëjnë të shpërqëndrohesh nga bukuria e peizazhit,
duke i lënë shqisat të përqëndrohen në të gjithë këtë, me atë shikim dhe dëgjim të mprehtë, edhe lëvizje
të vogla, tinguj paqësorë
të zogjve që mbizotërojnë valët e ajrit.
Lëndinat me lulëkuqe
Qielli
i kaltër, ajri i pastër dhe ato pamje gjithëpërfshirëse, të lenë pa frymë. Lule të verdha të ndezura
mbushën arat, me vija të purpurta dhe ndezje lulekuqesh të kuqe. Zogjtë po
cicërinin pa pushim nga diku afër. Por në vend të kësaj, ajo që ndjej më shumë
është qetësia. Vetëm kështu mund ta kuptosh sa
madhështor e tërheqës është peizazhi, sa mrekulli ka brenda tij, kur thith
ajrin e kohërave të tjera.
Ngjitemi
kodrave duke kaluar një radhë ullinj shekullorë, që të ngjajnë si komandantët e vjetër, me trungjet
e tyre të ashpër që bëjnë kontras me harlisjen e gjelbërimit.
Duke
ecur kupton se nuk je thjesht një udhëtar, por pjesë e një historie të madhe e
cila
të kujton, edhe një herë, se eksplorimi nuk është çudi, por një gëzim i
jashtëzakonshëm. Historia këtu është në çdo gur dhe në çdo hap që hedhim.
Hapat e lashtë na çojnë në një urë antike. Duke kaluar aty, përfytyrojmë karvanet e ngarkuar me kripë,
verë dhe sekrete, udhëtarët që bënë histori me gjurmet e tyre; ushtarët e nemur
larg vatrës së tyre, kthyer nga betejat e përgjakshme, pelegrinë të lodhur që
luteshin, despotë e sulltanë me tespie të përgjakura Anadolli, mbretër e prijësa
frankë që niseshin për Kryqëzata…
Ura antike e Fatushës
Ura nuk është një kartolinë, është një copë inxhinierie, “kryeneçe”,
e cila tregon mbi dy mijë vjet histori. Përreth, një pemë dardhe zgjat degët e saj si për
të përshëndetur me butësinë e saj pranverore, duke sjellë freski dhe hije në
këtë vend tashmë antik.
Çdo gur i urës, i zbehtë,
është një material mjaft i qëndrueshëm. E
vështron dhe mendon jo vetëm duke ecur,
por duke mbajtur me vete çdo emocion, çdo mahnitje: Nuk është e pabesueshme se
si këto vende flasin për ne, të kaluarën tonë, ndërsa ecja
nëpër të është mbresëlënëse, nga gurët me të cilën është ndërtuar.
Aty-këtu duken e zhduken fragmente të “Via Egnatia,
rrugës së lashtë, me kalldrëmin që zbardhëllon si ndërmytur me eshtra
dinosaurësh.
“Via Egnatia” është ndërtuar në kohën e konsullit romak Gnaeus Egnatiu, emrin e të cilit mbanin disa gurë të
zbuluar.
Në kohën romake filloi të merrte një rëndësi gjithnjë e
më të madhe derisa u bë një nga arteriet më të ngarkuara të komunikimit.
Në fakt shumica e fragmenteve mbetën në përdorim të
vazhdueshëm deri në shekullin e kaluar.
Ashtu si rrugët e tjera kryesore romake, ishte rreth 6-9 m e
gjerë dhe e shtruar me pllaka guri të mëdha, në një shtresë rëre të ngjeshur, mbi
një taban të zgjedhur që u ka qëndruar shekujve.
Ushtritë e Julius Cezarit dhe Pompeut marshuan përgjatë “Via
Egnatia” gjatë luftës civile të Cezarit dhe gjatë luftës së Mark Antoni dhe
Oktavianit, që ndoqën Cassius dhe Brutus deri në takimin
e tyre fatal në Betejën e Filipit.
Në vitin 32 Apostull Pali në udhëtimin e tij të dytë
misionar në Selanik (Veprat e Apostujve 16–17) kaloi “Via Egnatia” në Ilirinë
Taulantike dhe predikoi, Krishtin (Krishtërimin). Po mbushen dy mijë vjet prej
atëhere, kur kjo ngjarje u shënua në historinë e Njerëzimit.
Fragmentet e “Via Egnatia” sfidojnë
shpirtin e atyre që dinë të shohin përtej pamjes dhe të dëgjojnë pëshpëritjen e
së shkuarës.
Ikëm vonë, atëherë kur rrezet e diellit kishin përflakur kodrat
e Dumresë.
“Ad Quintum” në Bradashesh
Brendësia e “Ad Quintum”
Ishull i varur në lum
Traseja e urës antike