Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Pesë orë në të panjohurën e shpellës së Kabashit

| E enjte, 09.10.2025, 07:00 PM |


PESË ORË NË TË PANJOHURËN E SHPELLËS SË KABASHIT

NGA PËLLUMB GORICA

Udhëtar i shekullit 21, në mbretërinë e panjohur të shpellës së Kabashit, nëntokën e saj me thesare natyrore, nga epoka të ndryshme gjeologjike.

Në këtë kohë globaliste, ndërsa njerëzimi tenton të ngrihet për të arritur qëllime të larta, ne gëzohemi kur zbulojmë universin e një shpelle të veçantë, e cila përbën një objekt me vlera shkencore, pse jo kulturore dhe turistike.

Është në secilin prej nesh të dimë të shohim dhe jo vetëm të shikojmë, të dëgjojmë dhe jo vetëm të ndjejmë, të jetojmë dhe jo thjesht të kalojmë kohë për të prekur misteret e natyrës tonë.

Një gjë është e sigurt: nëse nuk vendosim, të dalim nga zona jonë e rehatisë, në natyrën, nuk do të shijojmë zbulimet e bukura.

Atmosferë pothuajse si poema e Naim Frashërit

Rruga na çoi thellë në malet e Gramshit, në vende plot mistere, poezi që shqiptohet njëherësh, por duhet të zgjedhësh kohën e duhur për t'i zbuluar ato...

Dita e bukur sidomos kur, si sot, dielli tregohet bujar dhe udhëzon lëvizjen tonë, në mëngjesin e këtij fillimtetori, duke pëshpëritur fllad të freskët.

Rruga flakëron si një shirit gri përmes mozaikut të kudrateve, të cilat variojnë nga e gjelbra intensive në të verdhën e djegur.

Vështrimet tona përkëdhelnin vendbanimet që shtriheshin përgjatë rrugës kryesore (edhe ato pak të vogla sa pothuajse kalojnë pa u vënë re), që përtej kufijve të jetës së përditshme, ofrojnë një botë plot bukuri natyrore, qetësi dhe autenticitet. Është interesante të ndalosh në brendësitë e tyre dhe të gërmosh pak më thellë në historinë e tyre.

Ndërsa rruga flet me ty, të tregon peizazhet. Shfaqet liqeni artificial i Banjës me digën e tij. Liqeni shtrihet i qetë si një pasqyrë mëndafshi blu, përqafuar nga kodrat me gjelbërim. Ato krijojnë një sixhade të ngrohtë vjeshte. Megjithëse priren të arrijnë kulmin pak më vonë, zakonisht në fund të tetorit deri në fillim të nëntorit.

Shikojmë të zakonshmen, shekulloren, një copë e vogël e “gjërave të përditshme” që zhdukej grisur, e projektuar për zhvillim ( ura, pengesa të betonta, kavo çeliku) plot me ambiciet e dështuara njerëzore.

Pastaj, pas një kthesë të ngadaltë në Bardhaj, në këtë fshat të vogël të shtrirë kodrave me bimësi mesdhetare, shkrepim disa fotografi në dritën e diellit që përkëdhel majat, të ngjall kujtimin e kalueshëm të një vere që iku, duke lënë pas ngrohtësinë e saj.

Ndjekim thirrjen e lumit Holta që rrjedh paqësisht, me ca thashetheme ujërash indiferente, ndërsa Gryka e Kanionit të Holtës më tej, e krijuar dhe modeluar nga puna e vazhdueshme e ujit, i flet shpirtit në një gjuhë përtej fjalëve.

Shkëmbinjtë e lartë me majat e tyre të shkarravitura duken si të gdhendura nga duart e lashta.

Ngjitja e rrugës “copë- copë’’, me zigzage, gropa dhe gunga, të cilat e ulin shpejtësinë, ndonjëherë jo më se shpejtësia e ecjes, të shfaq shtëpitë e para të Kabashit (lagjes Toska), këtij vendbanimi të këndshëm dhe mikpritës, larg zhurmave moderne, të njohur për ata që kanë sy, për të parë përtej reales. Gryka e përrenj shkojnë përfund kodrave, me gurë që duken sikur janë rrokullisur dje, por ndoshta nuk janë lëvizur që kur mamuthët ishin në modë.

Kabashi ka një ndjenjë të fortë lirie, pastërtie dhe paqeje, të flet një heshtje që frymon me një ritëm të ngadaltë, të thjeshtësisë dhe vrazhdësisë së jetës.

Natyra kishte bërë oda mikpritëse, ndër shekuj me durimin e artistit të mrekullueshëm, e kishte zbukuruar peizazhin me bimësi, shkurre dhe drurë te lartë.

Sytë humbasin në nuancat e kodrave, ndërsa zemra mbushet me një heshtje të paqtë. Kodrat shkëmbore janë një pamje unike, e skulptorit të pashoq të natyrës. Ajri mban erë barishtesh aromatike dhe frutash. Çdo cep duket sikur pëshpërit poezi për ata që ndalojnë për të dëgjuar.

Mullarët e kashtës si piramida të pjerrëta; pemët e mbushura me fruta që kërkojnë vëmendje dhe për një çast, sikur je para një pikture të Rene Magritte.

Çdo hap në Kabash na jep vështrime të papritura, aroma, zëra që pëshpërisin histori të lashta, ti rri aty, duke dëgjuar. Në mes qiellit dhe tokës ruan në shpirt, bukurinë e qetë të vendeve të banuara, që nga kohët më të hershme.

Dikur mbretërit ilirë ndërtuan një kështjellë atje, mbi shkëmbinj, pastaj erdhën banorët, bartës të shpresës dhe besimit, të cilët ndërtuan këtu me guxim të madh një strehë paqeje.

Ndeshim pak atmosferën e këtij vendi, pikërisht plagën e largimit të banorëve, për një jetë më të mirë po gjithnjë e më shumë, të duket se i ngjan të rendurit për të kapur hijen në perëndim të diellit. Dhe pyes veten se sa fshatra malore janë braktisur gjatë gjithë këtyre viteve. Tani ata që banojnë aty, në aspektin numerik kanë mbetur pakicë. Shkaku dhe pasojat dihen. Ka një arësye që të bind, se lëvizja e banorëve nga vendi i tyre, është i justifikuar. Nëse do të kishte punë, shëndetësi të mirë, arsim cilësor, rrugë atëherë ky vend i bukur; do të ashtu siç e ka falur Zoti me bujari do vazhdonte të jetohej.

Kabashi tërheq vëmendjen, me diçka të veçantë. Në çarje shkëmbinjsh dhe (gurë) të shtresuar, është shtëpia e të paktën dhjetra “dhomave” gjeologjike, me stalaktite dhe stalagmite marramendëse, të formuara gjatë miliona viteve. Një frymë e ngrirë e kohës, ku natyra tregon aftësinë e saj për të na befasuar në mënyra, që as teknologjia më e mirë nuk mund t’i rikrijonte.

Skulptorët dhe piktorët e njohur do ta kishin zili bukuritë e papërshkrueshme të tyre.

Ecim të përkëdhelur nga një fllad i lehtë, në një shteg me gurë të lëmuar nga hapat e njerëzve dhe bimësi tipike të shkurreve mesdhetare me fruta të vogla: të zeza, të kuqe, të verdha. Shpella është disa kilometra përpara.

Shtegu rrotullohet midis shtrirjeve të kodrave, të cilat i japin peizazhit një hijeshi unike. Prania e njeriut në këtë natyrë kaq madhështore është e rrallë. Dhitë me kambanat e gjata, në zbritjet e pjerrëta shkëmbore. Qentë i rrethojnë tufën nga të gjitha anët, në gatishmëri të plotë, ndërsa lëvizin me delet na shohin: lehin por rreth njëzet metra nga ne. Shoqërues krenarë, duke ndarë ngjitjen tonë të ngadaltë, aty- këtu një klithje shpendi, një kuitje kafshe që ngjan me ujkun, fëshfërima gjethesh…

Pjerrësia e butë dhe e vazhdueshme na la kohë për biseda të shkujdesura, por mbi të gjitha të përkëdhelur nga aroma e këndshme që kontribuan për ta bërë ecjen të jashtëzakonme nga të gjitha këndvështrimet. Nuancat e gjelbërta, gri dhe kafe kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, në një harmoni të tillë sa mendon se vetëm një dorë hyjnore mund të kishte bërë kaq shumë dhe kjo ishte ekstaza më absolute.

Nën pyll, myshku qëndis shkopinjtë, si një peizazh direkt nga një përrallë e thellë. Aty- këtu takime interesante me shenjat që ka lënë aktiviteti njerëzor, një kryq i gdhendur në trungun e një lisi), ndërsa re dele kërcejnë lehtë nëpër qiell, duke e pikturuar atë si një pikturë.

Pas këtyre hapave plot ndjesi, shtegu na çon afër shkëmbinjve të një vargmali, që shkon nga verilindja drejt jugperëndimit.

Pamja që shohim është e përkëdhelur; ne vendosim që të ndalemi para dizajneve surrealiste plot thepa e gthepa. Për një gjeolog, është shkëmb i gërryer nga fenomeni karcik. Për një artist, është një pikturë me kontraste të egra. Por për një udhëtar, veçanërisht për dikë, është më shumë se një strehimore natyrore për njerëz e për bagëti.

Dalëngadalë, lodhja të prek. Shpatullat janë të rënda, këmbët janë të nxehta. Shpirti shkrihet në lëvizje. E marrim shtegun shtruar edhe kur ai është i paqartë dhe humbet midis shkëmbinjve të shtrirë si fjalë.

Menjëherë pas një masivi shkëmbor ikonik, i cili dhuron pamje fotografike, të shfaqen kreshtat e dhëmbëzuara shkëmbore me ca fragmente muresh të kalasë antike të Tërvolit, të zvogëluara në gërmadha, që përzihen aq mirë me peizazhin përreth, sa që pothuajse duket si një pjesë e vetë natyrës.

Shpella e Kabashit, një mrekulli nga kjo tokë e bekuar

Në mes të peizazhit që na ofroi Zonja Natyrë, në mes kilometrave dhe lartësimit shtegu na çoi drejt shpellës së Farricës, e shtrirë në një gjatësi rreth 1, 2 km (e eksploruar) me orientim Jug- Veri dhe sipas banorëve të zonës ka dalje në Sopot të Librazhdit, por asnjeri nuk ja ka gjetur fundin. Ajo është një kompleks interesant i kaviteteve nëntokësore dhe ndodhet në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit.

Shprishej gjumi i gjatë i saj, nga shkeljet e racës njerzore, në gjuhë të ndryshme e shikime shtangëse.

Gjatë pushtimit austro- hungarez, një grup ushtarësh, ndërsa kaluan aty i zbuluan ato, të cilat i përqasen realitetit neolitik dhe thanë: “Ju të Kabashit duhet të hani me lugë floriri”.

Ndaj të endësh nëpër labirinthet e saj me peizazhe të pabesueshme, të jep ndjesinë e një hyrjeje në një botë tjetër, një botë ku mbretëron mahnitja dhe një ftesë në jetën e paraardhësve tanë që daton që në kohët parahistorike, kur shpellat natyrore shërbenin si strehë për banorët e hershëm.

Ndonjëherë është e vështirë të emërtosh ndjesitë që ndjen, nga e panjohura e fshehtë e njëherësh e mrekullueshme e shpellave që përcjellin feste për sytë dhe ushqim për shpirtin.

Përgatitemi me helmetë, kapëse, elektrikë dore, doreza dhe litarë, me fjalë të tjera të gjitha ato që duhen nën tokë, nëpër galeri misterioze.

Pastaj erdhi hyrja brenda saj. Hyrja është e vogël, disi e ngushtë dhe e pjerrët. Që në çastin e parë të duket sikur ndonjë qenie mitologjike do të shfaqet.

Dëgjon zhurma, me përpëlitje krahësh që jehojnë frikshëm.

Lakuriq nate, me sytë e zgurdulluar si xixa në errësirë, shfaqen zhurmshëm.

Instinkti pëshpërit për t'u kthyer mbrapa. Hapat ngadalësohen. Errësira, si gjithmonë, të frikëson pak. Dritat e elektrikëve krijojnë fotografi surreale, edhe kur hedhin hije në fytyrat tona duke shtuar një efekt tjetër.

Natyrisht duket sikur po ecën në rrathët e ferrit të rrëfyer nga Dante Aligeri. Aty, Hadi po lëviz duke na larguar nga drita, për të na burgosur në jetën e errët tokësore.

Sytë mësohen me errësirën, të lëvizin në dyshemenë e shpellës. Por pastaj, hap pas hapi, stëpimi lë vend për çudi.

Shfaqja ështe unike dhe befasuese sa duket vetja sikur je në një sallë mbretërore plot shandanë. Tavani, i cili është disa metra lartësi, degradon drejt pjesës së poshtme.

Ajri i mbushur me aromën e lagështirës, pothuajse i palëvizshëm ruan dekorimin e stalaktive dhe stalagmiteve. Asnjë dorë njerëzore nuk mund ta imitojë atë durim të lashtë të artistes së papërsëritshme natyrë.

Duke ecur përgjatë labirinteve, që kërkojnë vëmendje, joshemi në çdo hap, që të bën të besosh se ligjet e natyrës, janë të forta. Ecim mes tyre sikur të ishim brenda galerive të artit, duke shijuar pafund të bukurën.

Ndjehesh jo vetëm vizitor, por edhe, spelolog e eksplorues si Indiana Jones, në kërkim të një relikeje të lashtë.

Futemi më thellë, të zbulojmë mrekullitë e një bote të fshehur që dukej e ndërtuar nga ëndrrat, sikur zhytesh në romanin fantastik “Udhëtim në qëndër të tokës “të Zhyl Vernit, ku çdo cep rrëfen një fragment të së shkuarës. Të dukej sikur udhëton, në një botë surreale jashtë hapësirës dhe kohës dhe ndjenja që del prej saj eshtë fantastike.

Emocioni ngrihet, çdo çast rrit perceptimin e bukurisë aqsa nuk e kuptojmë sa kohe ka kaluar. E mbajmë frymën një çast dhe shkrepim aparatet fotografike.

Ndalojmë përpara pamjeve ëndrra, ngjyra smeraldësh dhe forma të papërfytyrueshme.

Jehona e uturimës së ujrave të nëndheshme, e mposht zhurmën e hapave e të kërcitjes monotone të pikave të ujit. Pikimi i i ujit si lotët e mëdhenj e lëpin dyshemenë e shpellës, ndërsa fjollat e ajrit, regëtinin freski.

Miliona vjet uji, pikë-pikë skaliti shkëmbin dhe i dha formë bukurisë. Faktorë të tillë si temperatura, sizmiciteti i zonës dhe natyra e shkëmbinjve krijuan këto kavitete me dekorim të admirueshëm natyror.

Çdo pikë uji që filtron përmes shkëmbit kontribuon në krijimin e formacioneve të jashtëzakonshme, me dekoracione mbresëlënëse, që duke bashkëvepruar me gurin gëlqeror, si dhe me dioksidin e karbonit të pranishëm në ajër formon hidrogjenkarbonatin e kalciumit. Kjo tretësirë pikon nga (tavani) dhe në sajë të gazit karbonik, le gjurmë, duke krijuar depozita kalciti të bardha, të kuqe me okside të hekurit, të ngjyrës blu të lidhura me bakrin, të ngjyrës së zezë apo edhe gri për shkak të pranisë së manganit.

Stalagmitet ngrihen nga dyshemeja si kaktus saguro, ndërsa tavani shkëlqen nga grimca kristalesh të bardha. Midis tyre ka shumë zbukurime të vogla të ngjashme me qelqin, dhe aty-këtu substanca si bora e shkrirë.

Dallohen qartë stalaktite gjigante, por edhe gurë të mëdhenj, që duken si të gdhendura nga duart e një perëndie të lashtë, të cilët kanë krijuar skulptura ‘‘monstruoze” si vepra arti bashkëkohore me simbole dhe statuja pleqësh shekullor me pamje të menduara; si mjekra e Gj. Kastriotit, apo ngjashmëri me formën e një katedraleje. I përkëdhelim butë sikur të ishin xhevahire të gjalla, duke të kujtuar se natyra na flet me një gjuhë të shenjtë që duhet ta sodisim me përulësi.

Vendkalime të ngushta ngjiten dhe zbresin thellë. Ne ngjitemi dhe zbresim nëpër masivet shkëmbore të shpellës, sikur dhjetra shkallë pallatesh, me të gjitha shqisat vigjilente. Kishte pasazhe që ngjallnin vëmendje, pasiguri dhe marramendje, por e gjithë kjo ishte aq e bujshme sa ndjenjat mbizotëruese ishin mahnitja.

Asnjëherë nuk shikojmë të njëjtat pamje, të njëjtat ngjyra. E kuqja e zjarrtë, e verdha e okrës dhe bluja e ndërthurur me të bardhën, të ofrojnë një spektakël unik të artit natyror.

Elektrikët tanë hedhin dritë mbi një kalim nëpër shkëmbinjtë e thepisur. Ne ecëm andej. Në një cep guri, një krijesë e vogël e zezë flinte e mbështjellë me krahët e saj të tejdukshëm, duke shijuar ëmbëlsisht gjumin. Lakuriqi i vogël në fakt dukej se luante rolin e “kryepriftit” të asaj shpelle, për të ruajtur shenjtërinë solemne. Disa prej nesh shpejtojnë, disa të tjerë ngadalësojnë hapat. Unë zgjedh të ndalem, të shijoj këtë çast.

Teksa ecim në një labirint, ndjen një fllad të freskët, që të pëshpërit histori të kohërave të kaluara, mistere të fshehura në thellësitë e saj.

Ndërkohë, teksa përshkuajmë bukuritë e shpellës, e përfytyrojmë veten si një centurion i lashtë romak që inspekton koçitë.

Ecim kujdesshëm, pa prekur asgjë me dorë, për të mos i dëmtuar (një prekje e lehtë i shkëput nga vendi).

Shpella e Kabashit është banuar që në fillimet e shoqërisë njerëzore, ndoshta që në epokën e gurit, me jetë në luftë për mbijetesë.

Ndjen historitë, njerëzit që jetuan në kohërat e hershme. Të qeshurat, gjuetitë, paralajmërimet, të gjitha të ngulitura në heshtjen e kohërave, fiset primitivë, burra të mbështjellë me gëzofin e kafshëve që gjuanin, të fërkonin gurin për të ndezur zjarr, të pjekin gjahun që ishte ushqimi i tyre. Duket sikur ndonjë qenie mitologjike do të shfaqet në çast.

Gjatësia e shpellës, por më e rëndësishmja bollëku i saj, me vend të mjaftueshëm, me ujë brenda për të pirë, me gjasë, në kohërat e rrezikut strehuan kaçakët e malit, njerëz që binin në hasmëri, murgj, barinj, bagët, kafshe të egra...

Në fakt janë gjetur objekte të hershme prej guri dhe kocka të kafshëve që kishin ndarë këtë shpellë me qeniet njerëzore dhe që datojnë nga neoliti deri në epokën e bronzit. Jo vetëm kaq, por pikërisht këtu janë gjetur copa tjegullash, sopata e çekan guri, heshta, fragmente të enëve prej balte, vegla stralli të latuara si elementë që tregojnë praninë e njeriut.

Shpella nuk i ka shpëtuar egos së sëmurë të vandalëve modernë që janë vërsulur asaj, duke shkatërruar ekuilibrin e brishtë. Është sikur të shkulësh faqet e një legjende dhe t'i copëtosh ato.

Shpella e Kabashit, të tërheq me fshehtësinë e saj, duke nxitur përfytyrimin në lashtësi, të së Panjohurës, që nuk mungojnë të jenë për njeriun modern edhe mundësi hulumtimi. Ashtu si fundi i oqeanit, kjo botë e mistershme nuk është eksploruar plotësisht.

Pas orësh të tëra të mundimshme (normalisht, ishte një ditë e gjatë), ne dolëm nga shpella e Kabashit, sikur kishim ardhur nga Parajsa, duke ndjerë një kënaqësi të parrëfueshme për sytë, një prekje për shpirtin...

Mijëra imazhe të lëkunden të gjalla para syve dhe depërtojnë në çdo qelizë. Një ecje e lehtë, fytyra të lodhura, dielli dalëngadalë perëndon kodrat e Sulovës...