Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Kanioni i Holtës - një mrekulli gjeologjike
E diele, 07.09.2025, 07:00 PM
KANIONI I HOLTËS - NJË MREKULLI GJEOLOGJIKE
NGA
PËLLUMB GORICA
Natyra
ofron thesare: lugina të paqta, fusha të rrokullisura, fshatra të përgjumura ku
koha dukej sikur ishte pezulluar, një fllad të butë, një liqen, një kanion i
fshehur …, që duken sikur janë një ëndërr, ose një film fantazi. Të dish të
kapësh bukurinë e tyre, varet nga ndjeshmëria dhe dashuria, si të shikosh një
pikturë, një imazh që ka parë artisti ose fotografi.
Rruga
zgjatet si një film me xhiro të përshpejtuara, të tërheq më shumë për të
zbuluar vende magjepsëse, të humbasësh veten në heshtjet e kësaj toke me një
freski të lehtë dhe ngrohtësi të banorëve. Ecim me freskinë e Vjeshtës, pa
ankthin e trafikut të rënduar dhe shoferët e papërgjegjshëm, larg nga
ditët e nxehta të Verës ,nga zjarret që
përfshinë pyjet dhe vendbanimet, me sytë
në gjelbërimin dhe shkëmbinjtë e gdhendur që pëshpërisin më shumë histori sesa
një libër shkollor i vitit të 9-të.
Natyra të lejon të
takosh anën e saj më të mirë
Unë
kam vite që eci në shtigjet e trevës së Gramshit dhe çdo herë, kureshtarë për
të zbuluar qoshe piktoreske që meritojnë të tregohen. Librat e mi janë plot me
to, me emocione, bukuri vërtet të bollshme, jo vetëm me peizazhe, ngjyrat dhe
historitë e pafundme të treguara.
Tashmë
jam këtu, dal nga makina, magjepsem nga bukuria e tyre dhe ulem në një kafe
buzë rruge, apo në cep të një pemtore të harlisur duke u çlodhur në ngrohtësinë
e diellit të mëngjesit.
Çdo
kthesë e rrugës, që duket sikur hap një dritare, është një ftesë për të humbur
veten, për të lënë të shkojë, në një udhëtim zbulimi, të mrekullive të
fshehura.
Vendbanimet
shfaqen, me qetësinë për të kërkuar pak paqe mes gjelbërimit që i rrethon, aqsa
nuk i lëshojnë kurrë duart njëri- tjetrit. Fasadat e shtëpive lahen në një
dritë të butë.
Liqeni
i Banjës me ujërat e tij të qeta, shtrihet gjatë, duke ofruar rrugë dhe peizazhet
marramendëse që nuk do t'i harrojmë kurrë. Liqeni i Banjës ka një mënyrë për të
nxjerrë në pah çdo gjë që secili prej nesh ka mbajtur me vete në kujtesë.
Ujërat e tij përmbytën luginën e Devollit; u varros nën ujë historia e saj kur
duhej që banorët që jetonin aty, të linin shtëpitë, pemët, trojet e tyre.
Rilindën diku tjetër në vendbanime të tjera moderne.
Qielli
i veshur me ca re, reflektohej në ujërat si një pasqyrë argjendi. Adhuruesit e
fotografisë mund të gjejnë këtu një kanavacë të vërtetë natyrore, ku drita dhe
hija zbukurojnë ngjyra dhe profilet malore, me forma përreth nesh të gdhendur
ndër mijëvjeçarë. Ndërsa pyjet shushurijnë nga ajri i pastër që të përplaset në
fytyrë si parfumet më të shtrenjta të botës.
Mes
këtyre mrekullive një xhevahiri natyral të tërheq aq shumë: Kanioni i Holtës,
një simbol i forcës dhe bukurisë së një natyre që mund të befasojë dhe
gjeologjinë.
Rruga
u shtri në të majtë e rrethuar nga gjelbërimi i pishave, të cilat qëndrojnë
elegante, duke hedhur hije me dritën e diellit. Para nesh një luginë e qetë,
mikpritëse. Thashethemet e lumit të Holtës, si polifoni e shpirtit punëtor,
bujar e zemërmirë të kësaj treve Toske, ku është kënduar e hijeshuar në shekuj
(që mbart intonacionet shumëzëresh të Jugut, ashtu edhe tingujt e stërlashtë të
fyellit, unikal në trojet shqiptare) të shoqërojnë në të djathtë.
Ecim,
duke e lënë peizazhin të flasë. Natyra është është pothuajse hipnotike. Kodra
të valëzuara rrethojnë rrugën si një përqafim, ndërsa disa re të ngadalta
udhëtojnë sipër nesh, me lojëra drite dhe hije që pikturojnë peizazhin. Flladi
dukej sikur fliste, i mbushur me zëra që vijnë e shkojnë, fëmijë që luajnë,
udhëtarë që shkojnë ...
Një
bari përkëdhel me duar delet, godet gjembat që ngjiten në leshin e tyre. Është
një skenë që të shkëput nga nxitimi i jetës së përditshme dhe të kthen në një
shkallë më të qetë, njerëzore të kohës. E megjithatë, ai vend ngjan i zymtë për
shkak të shpopullimit të fshatrave, që së paku është e dhimbshme.
Së
shpejti do ta gjejmë veten pranë shpateve shkëmbore, sikur kanë dalë nga faqet
e librit, me nje histori të lashtë, nga kështjellat dhe shpellat, të cilat na
rikthejnë në fillimet e jetës.
Vështrimi
rrëshqet mbi rrënoja të kështjellës së moçme të Tërvolit, një dëshmitare e
heshtur e epokave të largëta, që vazhdon të pëshpërisë për të kaluarën. Ato
mbartin qëndresën deri në kufijtë e të pamundurës për mbijetesë të banorëve, në
vendbanimet dhe fortifikimet e historisë së hershme, me kaq shumë trimëri,
tragjizëm dhe legjenda. Tani nga kështjella e lashtë ka mbetur shumë pak, që
përzihet aq mirë në peizazhin përreth, saqë pothuajse duket si një pjesë e vetë
natyrës.
S’e
di as vetë, ç’më rrugëtuan mendimet në hershmërinë e kështjellës, që na kujton
një qytetërim të hershëm si protagonist i historisë së trevës.
Kështjella
e Tërvolit, është e njohur jo aq për historinë dhe legjendën e saj, por për atë
turbinë emocionesh. Ndërkohë që je afër saj, ndjen se të shikojnë mijëra sy,
shikon përreth dhe nuk sheh njeri që mendon se figurat e ndryshme janë njerëz të
lashtë që e populluan në kohëra, ata të shikojnë, ti kërkon pamjen e tyre, por
ti takon vetëm shikime guri të ftohta.
Një
legjendë flet për një thesar të fshehur brenda kështjellës, që ka çuar në një
kërkim pa fryt për zbulimin e tij. Kush e di, ndoshta në ndonjë fragment të
murosur, qëndron ende ai thesar legjendar...
Duke
u besuar të vërtetave historike dhe copëzave të legjendave me ajër mistik,
ëndërrimtarët me sy hapur kanë nisur prej kohësh kërkimet e tyre, me kazma,
lopata dhe aparate metalkërkuese, duke shkatërruar gjurmët historike. Për fat
të keq, kemi midis nesh njerëz aq shumë injorantë që, për të gjetur një “mal me
flori” shkatërrojnë vlera të tilla të jashtzakonshme antike, që bota na i ka aq
shumë zili.
Ajo
ishte edhe kështjella e prijësit, Gjorg Golemi, që betejat antiosmane i nisi më
herët nga ç’na kanë mësuar në libra, të një periudhe historike me ngjarje
dramatike.
Përplasen
në shkëmbinjtë mjekërbardhë jehonat si dikur të shkrepëtimave nga patkonjët e
kalit të Gjorg Golemit. Sot vendasit u tregojnë udhëtarëve gjurmët e mpiksura,
si relike në shkëmbin e fortë.
Shpellat
me perden e errët mistike shëmbëllejnë si xhepa misteriozë të kratereve
shkëmborë. Përballë kështjellës ndodhet shpella e Kabashit. Jashtëzakonisht e
madhe, që përbën një objekt me vlera shkencore, kulturore dhe turistike, jo
vetëm (ende jo plotësisht të eksploruar) një mister me pushtetin e saj.
Të
shkosh atje duhet një farë guximi për të eksploruar atë; të vështrosh
stalaktitet dhe stalagmitet, që as i ke hasur më parë. Jo vetëm kaq, por
pikërisht këtu janë gjetur copa tjegullash, sopata e çekan guri, heshta të
vogla, të kohërave antike.
Nisur
nga shenjat brenda saj, dhe sipas historive gojore, kemi te bëjmë me një
shpellë të banuar që në kohët e lashta.
Natyra po humbet
shkëlqimin
Duke
ndaluar disa herë për të shijuar pamjet, për të bërë foto, etj, të shfaqen
vende të bukura për t’u parë, por të kafshuara nga ndërhyrjet e njeriut për të
përmirësuar veprimtarinë e tij.
Shikova
me sytë e mi këto vende të dobishme, që po i nxjerrin rropullitë; duke i
zgavruar shpatet e kodrave, duke trazuar ujërat, duke i poshtëruar me plehra e
duke u shkaktuar plagë pyjeve me prerje e zjarre.
Në
rrokopujën dhe mishmashin e përgjithshëm ku noton Shqipëria, njerëzit e
“fuqishëm” kujtojnë se janë zotër e mund të bëjnë çfarë të duan me Natyrën, me
turravrapin e tyre që nuk dihet kur do ndalojë, duke i zhvatur natyrës atë që
ka të rrallë e të shtrenjtë peizazhet madhështore. Po vazhdoi kështu, nuk do të
mbetet asnjë copë e tokë e paprekur në Shqipëri.
Përtej
këtyre ndjenjave, janë edhe disa mësime që mund t’i nxjerrë çdo shqiptar për
t’i mbajtur këto hapësira të paprekura. Vetëm kështu njeriu nuk do të humbas
lidhjen shpirtërore me magjinë e Natyrës, me forcën dhe vitalitetin e saj.
E
vetmja gjë që mund të bëjmë është ta vlerësojmë bukurinë e Natyrës, ta mbrojmë
atë, ta bëjmë të njohur dhe të përgatisim brezat të jenë mbrojtësit e saj.
Sepse nëse nuk e ruajmë natyrën, atëherë ajo do hakmerret ndaj nesh. Po e
shohim dhe po e përjetojmë këto vitet e fundit, që paraqiten ekstreme në
temperature të larta, me zjarre, apo përmbytje. Për shkak të prerjes së pyjeve,
kemi erozion, mungesë shiu e thatësira të zgjatura, vërshime e breshër duke
rrezikuar gjithçka.
E
vetmja gjë që mund të bëjmë është ta vlerësojmë kaq shumë bukurinë, ta mbrojmë
atë, ta bëjmë të njohur dhe të përgatisim gbrezat që të jenë mbrojtësit e
natyrës së mrekullueshme. Sepse nëse nuk e ruajmë natyrën, atëherë ajo shumë
keq do hakmerret. Po e shohim dhe po e përjetojmë këto vitet e fundit, që
paraqiten ekstreme në temperatura, në reshje e thatësi. Për shkak të prerjes së
pyjeve, kemi erozion, mungesë shiu e thatësi, vërshime e breshër duke rrezikuar
gjithçka.
Përse
i duam fshatrat turistikë, hotelet me pesë yje, guroret, fabrikat e çimentos,
H/C dhe çdo lloj ndërtimi për zhvillim, kur shkatërrojmë natyrën?
Të
vetëdijësuar dhe të revoltuar ndaj të papërgjegjshmëve dhe atyre me pushtet që
kanë dhënë leje për shfrytëzimin, duke bërë të zhduken monumentet e bukura,
janë ngritur për ndalimin e tyre, me kurajo, pa asnjë marrveshje për të marrë
fund fuqia e një grushti politikanësh dhe pushtetarësh, të krimbur nga
korrupsioni, kriminaliteti, vjedhja e mashtrimi me babëzinë e tyre mizore ndaj
natyrës.
Disa
vende meritojnë të ruhen, të mbrohen nga turizmi masiv dhe një mentalitet
modern që shpesh sakrifikon natyrën në altarin e fitimit që sjell me vete
pasoja të pakthyeshme. Mbrojtja e kësaj mrekullie është një akt dashurie ndaj
tokës sonë dhe atyre që do të vijnë pas nesh.
Një vend i bukurisë së
jashtëzakonshme natyrore
Zhytesh
menjëherë në një rrugë shkëmbore që duket si e pikturuar nga duar hyjnore. Në
mijëravjeçarë, gjatë proçeseve të gjata gjeologjike, ujërat kanë gdhendur
shkëmbinjtë ndër shekuj. Peizazhi duket nga një planet tjetër, me shpate të
cilat ngrihen vertikalisht mbi njëqind metra, duke krijuar një korridor
natyror, aty ku rrjedhin ujërat e lumit të Holtës, herë në njërin krah e herë
në tjetrin, mbi guralecë ngadalë, solemnisht, me gurgullima të lehta si muzikë
dhe nxitojnë si një zvarranik drejt liqenit të Banjës.
Në
hyrje të kanionit, shihnim kavo çeliku dhe dërrasa ku dikur një urë të vogël e
varur lidhte shpatet shkëmbore. Ajo e shkatërruar lëkundej lehtë nga një rrymë
ajri, duke e bërë më arkaike pamjen. Kjo urë i lejoi njerëzit të kalonin lumin,
i cili, sidomos në pranverë, ishte me bollëk dhe i turbullt.
Mbishkrimet
nëpër faqet shkëmbore, të kujtojnë kujdesin për t’u mbrojtur nga rënia e
mundshme e gurëve, që shkëputeshin nga lart. Ishte një tufë dhish që kalonin
mbi shkëmbinjtë për në kullotë dhe rrëzonin gurë. Ne, duke e harruam këtë
këshillë të kujdesit, ecëm të vënë varg njëri pas tjetrit. Por herë pas here
ndalemi, të rrëmbyer nga kjo bukuri e fuqishme sikur futemi aq thellë në
ngushtica midis ndërtesave të larta dhe guvave të frikshme, si shtëpi zanash,
të cilat uji luan lojëra të bukura.
Formacionet
e ndryshme gjeologjike pasqyrojnë një histori të pasur gjeologjike. Një kanion
që duket sikur ka dalë nga një film dhe nuk ka asgjë për t’i pasur zili më të
famshmit, ku mund të ecësh në qetësi dhe në një paqe, që dukej sikur përqafon
gjithçka, të humbasësh veten në hijeshinë piktoreske. Ecja e përshtatshme për
të rritur dhe fëmijë, me zhurmën e ujit që shoqëron çdo hap. Është një shtrirje
që fton ngadalësinë. Niveli i ujit të lumit Holta është mjaft i ulët, gjë që
lejon të ecësh lehtë, ndërsa kur bien shira zgjohet dhe ulërin i tërbuar si
djalli me mëri. Dhe kalimi nëpër kanion nuk është i lehtë, sepse lumi
egërsohet, përmbyt toka, pyje, bagëti, shkakton edhe viktima në njerëz.
Këshilla në këtë rast: Mos hyni në kanion nëse është kohë me shi, sepse bëhet i
frikshëm sa merr ç’gjen para.
Vizitorë
të shumtë kishin qenë atje, dhe këtë e tregonin gjurmët. Mirëpo ndjen një
dhimbje të thellë kur e sheh të dhunuar brutalisht... copa letre, plastikë,
shishe...
Kanioni
përfaqëson një nga shembujt më të vlefshëm dhe magjepsës se si puna e kohës
është e aftë të prodhojë vepra të mrekullueshme, që sfidojnë dhe pse jo,
tejkalojnë kapacitetet njerëzore. Një
faqe shkëmbore madje dukej sikur kishte një petroglif të bërë nga një hardhucë
e dehur.Të duket sikur udhëton brenda një libri gjeologjie, me shekuj të
shtrirë para syve.
Në
maj të shkëmbinjve ka edhe pemë. Disa nga këto janë ende duke qëndruar në
formacionet shkëmbore si simbol i shpresës dhe elasticitetit. Rrënjët e drurëve
të ngulur fort e diku në sipërfaqe të tyre, që duket sikur kanë dalë nga
përrallat, u kanë thënë shkëmbinjëve “shtyhu më tej” se dua të jetoj edhe unë.
Në
një plasë shkëmbi në krahun e majtë të lëvizjes sonë, rrjedhin ujëra me
përmbajtje të lartë sulfuri, që i japin ujit ngjyra të çuditshme si dhe e
përthith ajrin me erën klasike. Turistë të paktë freskohen si tritonët e
legjendave greke.
Kanioni
bëhej gjithnjë e më i ngushtë në muret si të gdhendura nga Zotat, me forma të
ndryshme gjeometrike, aq surreale që të kujtojnë skenat e frikshme të filmave
horror.
Ne
admirojmë këtë spektakël të natyrës. Miliona vjet më parë, ky ishte fundi i një
deti prehistorik, dhe sot, ende mund të gjeni jetë detare të fosilizuara të
ngulitura në shkëmbinjtë.
Natyrisht
do të doja të zgjaste sa më shumë udhëtimi këtu, si të gjithë gjërat e bukura,
që nuk mbarojnë kurrë, por pjesa e fundit e kanionit ishte e ngushtë e mbyllur
nga gurë të mëdhenj, të shpërndarë sikur të ishin penguar nga një forcë e
errët.
***
Kanioni
mahnitës i Holtës, është unik me format e tij. Dhe thua: Zot i madh, sa e bukur
është Natyra dhe sa pak gjëra mjaftojnë për të shtegëtuar dhe ndier shpirtin
plot, nëpër mrekulli që rrallë mund ti hasësh. Një vend që e shikon e ndjen, e
jeton, e mban brenda teje...