Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Darzeza e Re që pakkush e njeh
E shtune, 02.08.2025, 07:00 PM
DARZEZA E RE QË PAKKUSH E NJEH
NGA
PËLLUMB GORICA
Dëshira
për të pushuar ca ditë në Jug është dhe mbetet gjithmonë tunduese për shumë
prej nesh. Aq më shumë për mua që më është bërë rit udhëtimi drejt këtyre
viseve.
Është
kënaqësi të rendësh, por është edhe e vështirë paksa të zvarritesh mes trafikut
të madh të makinave me njërëz që kthehen nga pushimet (të hareshëm e të
shkujdesur) apo që shkojnë me pushime; larg rrëmujës, larg zjarrit “saharian”
të kësaj vere të çmendur.
Një
udhëtim hipotetik na çoi në një nga ato vende që nuk i gjen rastësisht, ose
ndoshta po, në Darzezë të Re të Fierit, që nuk i përket plotësisht botës së
njohur, por as të panjohurës, një vend i këndshëm, i qetë që shtrihet midis
grykderdhjeve të Vjosës e të Semanit. Qasja për atje është e lehtë, rruga është
e rehatshme, dhe largësia nga Fieri është e shkurtër. Vendasit, njerëz të
thjeshtë dhe të përzemërt, që kujdesen për bregdetin, e bëjnë vizitorin të
ndjehet komod.
Sigurisht
që aty nuk mund të gjesh një luks të tepëruar, por në një farë mënyre kushtet
janë të pranueshme dhe çmimet të arsyeshme. Po njeriu kënaqet me thjeshtësinë
që gjen.
U
nisëm menjëherë, në këtë vend të mrekullueshëm, të pushojmë ditë të rrethuara
nga deti i pastër, rëra e imët, mëngjeset e ngadalta, pishat aromatike që
ofrojnë freskim.
Qyteti
i Fierit dukej tepër i lodhur me pluhur, rrëmujë dhe vapë, me kompleksitetin e
jetës moderne.
Në
kodrat e Ultësirës Perendimore është vendosur qyteti antik i Apollonisë. Tani
që është ndërtuar autostrada drejt Jugut e admiron edhe më mirë Apoloninë, këtë
sintezë të bukurive antike.
Ne
ecim përpara pa nxitim, duke e lënë veten të na bartë qetësia dhe drita, duke
ndjerë se si peizazhi i Myzeqesë, krahinës më të madhe fushore të Shqipërisë,
na kaplon dhe kalon përmes nesh si një sixhade me florë, që dukej sikur ka dalë
nga një pikturë.
Ndaj
e sheh veten duke menduar se si dukej ky peizazh shekuj më parë, përpara se
marshimi i pamëshirshëm i efikasitetit bujqësor ta shndërronte në hambar.
Ndryshime
të mëdha kanë ndodhur gjatë shekujve. Territori kryesisht i përbërë nga ujëra
dhe toka bujqësore e bën të vështirë të besosh se deri kohë më parë ishte
kënetë, në “shtëpi të mushkonjave”, burim sëmundjesh të Malarjes. Në mes të
shekullit XX, progresi shkroi historinë, që zgjuarsia e njeriut e nxori nga
uji, me tharjen e kënetës, bonifikimin, kanalizimet, sistemimet e tokave dhe
shkripëzimin e tyre, por edhe ndërtim rrugësh dhe hidrovoresh, duke sjellë
përmirësime dhe ndryshime konfiguracioni të terrenit.
Vendbanimet
të stolisura me pikëlima shtëpish të përhumbura, të zbukuruara me lule bougainvillea,
dorëzonja, kokarda, trëndafila dhe oleandra të japin një prekje ngjyrash.
Secili prej vendbanimeve ka një histori të ndryshme për të treguar. Ato
dëshmojnë mirëqënie e nxjerrin në pah ndryshimet që solli “Koha e Demokracisë”
larg nga distrofikja e Socializmit Utopik. Kullat e ujit të pishëm lartësohen
si obelisk.
E
ngadalësojmë shpejtësinë e makinës, për të shijuar peizazhin, atë atmosferë të
qetë, me ngjyra të buta dhe shumë gjelbërim të Ndërmenasit dhe Hoxharës. Rrugës
shfaqet Shën Pjetra, e vogël, modeste, e rrethuar nga fushat e mbjella. Më tej
Povelça e mbushur dikur me të persekutuar, sot e heshtur.
Disa
qindra metra më tej rrugës, të tërheq vëmendjen një kishë Mesjetare (Kisha e
Shën Premtes). Vetëm duke qëndruar pranë mureve të kishës, ndjen se sa histori
ka kjo tokë e formuar nga njerëz që vepronin me nderim dhe në emër të besimit.
Darzeza
e Re, e zgjatur si qafa e një shishe vere, e rrethuar nga ujërat kënetore, nga
toka bujqësore dhe pylli i dendur me pisha si një krah i gjelbër të ftonte në
përqafim.
E
vështron dhe synon të shkruash një përshkrim sa më të hijshëm.
Mjaft
pamje. Arrin të kapësh disa syresh. Ka hapësira për të dëgjuar tingullin e
hapave në pyll, këngën e zogjve me fëshfërimën e jetës së egër, kakofoninë e
bretkosave, gumëzhimëm e gjinkallave të inatosura nga vapa, për të ndjerë edhe
agresivitetin e mushkonjave, si një ushtri që mjafton për të mbajtur larg
kureshtjen. Në kanalet e ujërave të ndenjura, endet një ajër i qetësisë
paqësore; me mijëra peshq të pangopur që lypin ushqim, ndërsa rosat lundrojnë
përreth varkave me peshkatarë të përkushtuar duke nxjerrë rrjetat e peshkimit.
Nuk di pse merr një zhgënjim, si një grusht në bark, nga gjurmët e zjarrit shkatërrues të pyllit me pisha (edhe pse zjarri ka rënë vite më parë ende ndjen erëm e tymit dhe mund të shohësh grimca qymyri), si një koleksion figurinash.
Përreth Darzezës për të
zbuluar peizazhet e saj
Afërsia gjeografike e Darzezës së Re me detin nuk është thjesht një rastësi, është një mundësi. Darzeza e Re, me ndërtesa estetikisht dhe konceptualisht bashkëkohorë, me rrugë, me trotuare, me gjelbërim dhe ndriçim, si një copëz qytet, gjatë Verës ndryshon së tepërmi e fiton gjallëri, duke u kthyer në një vend të pushuesëve të shumtë, jo vetëm nga Fieri, por edhe nga Tirana, Berati, Elbasani, Gramshi, Kuçova, Mallakastra…
Por
duhet pranuar se ende janë larg nivelit si vend turistik, ndërkohë që ato mund
t’i afrohen me pak punë, pse jo, edhe fshatrave të Evropës. Vështrimi vrapon
kudo duke u përpjekur të kap dhe të mbaj me vete çdo cep të tyre.
Në
vitin e largët 1988, Darzeza e Gramshit, me vende, të pasura në historinë që
ndihej unike brenda saj, u fundos nga diga e H/C të Banjës. I shpërngulën
banorët me “Skoda” dhe “Zis”- a drejt Ultësirës Perendimore.
Banorët,
pasardhës të fisit të Dasaretëve të lashtë, me vendosjen këtu për të mos
harruar vendin ku lindën e u rritën prej brezash, gjysh pas gjyshi, e emërtuan
Darzezë e Re.
Në
atë kohë, përparimi po merrte vrull definitiv drejt modernitetit, entuziazmi
për të ardhmen ishte unanim dhe ngjitës, të gjithë ose pothuajse besonin se
ishte pozitiv për ata që u vendosën aty.
Darzeza
e Re ka shumë për të ofruar, ka njerëzit e tij të dashur, ka historinë,
kulturën dhe traditat e saj. Banorët janë të ngrohtë dhe mikpritës që presin
vizitorët krahëhapur.
Në
një botë gjithnjë e më indiferente, në të cilën çdo njeri mendon vetëm për
veten e tij, kur gjen njerëz “njerëzor”. Por gjëja që të godet, ishte
mirësjellja e tyre. Ata janë njerëz paqësorë, që e duam jetën, që përcjellin
qetësi me buzëqeshjen, me qytetarinë, fjalën e ngrohtë, nga të cilat del më
shumë në pah (me ndjeshmërinë dhe njerëzoren e tyre). Sinqeriteti i tyre,
miqësia pothuajse e menjëhershme, respekti, i bën ata që, me të njohur e të
panjohur, me pushues të vjetër e të rinj, të afërt e të largët, të zbukurojnë
jetën e tyre.
Të
presin e përcjellin me bujari zemre, që çel e shpërthen prej pastërtisë
shpirtërore dhe atyre cilësive morale, ende të papleksura nga deformimet
rrethanore. Emocioni që nuk të ndahet për asnjë çast, është ai që së brendshmi
të përfshin në një buzëqeshje prej kënaqësisë përthithëse brishtësore të
banorëve.
Këtu
ditët kanë forma, koha ka ngjyra, dhe njerëzit thonë pak, por është e vërtetë.
Në një kafene, do të gjesh karrige në hije, dhe dikë që të të bëjë një muhabet
me “qibarllikun” e fjalës së urtë, larg zhurmës e pseudohumorit pa karar,
dëgjon histori të largëta dhe të pashkruara, nga të moshuar, me atë qetësinë e
njerëzve që kanë parë më shumë, të përmendin copëza të një romani jetë, të
mbushur plot sakrifica, mundësi, konflikte, por edhe vlera njerëzore.
Biseda
me Mehmet Xhelilin, gjatë pirjes së një kafe të shoqëruar me një gote raki,
ngjyroset bukur. Të rrëfen për epokën socialiste, kur u vendosën këtu, në
bregdetin e Adriatikut, në një truall të përcaktuar prej shtetit. Duke
përmendur
Kur
sheh shtëpi të braktisura, e përfytyron jetën e përditshme të atyre që jetuan
atje, dhe nuk e di vërtet pse ndjen një përzierje melankolie.
Darzeza
nuk i ka shpëtuar braktisjes. Ikjet masive drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve
të tjera do të sillnin shkretimin e saj. Pe ikin njerëzit? Ikën në “një vend”
tjetër për një jetë më të mirë.
Megjithatë
në të gjitha këto, koha ndalon të shikosh përreth, duke të bërë të mendosh për
banorët e Darzezës, të cilët bëjnë shumë përpjekje duke u marrë me Bujqësi e
Blegtori (jo me Pemëtari si në vendbanimin e vjetër, pasi shtresat e tokës
përmbajnë kripe, që nuk arrijnë t’i zhvillojnë ato) por edhe me Emigracion
(kryesisht në Greqi e Itali) me të cilët sigurojnë jetesën e tyre.
Darzezasit
punojnë shumë për të ndërtuar një jetë të re. Punojnë në ara. Prodhojnë domate,
shalqinj, bostan, speca, bamje, patate, etj që shquhen për hershmërinë e
ardhjes së tyre. Megjithatë, ende ka krenari të vërtetë për punën që bëjnë
njerëzit këtu.
Në periudhat meteorologjikisht të paqëndrueshme, shqetësim i madh për banorët është se toka e saj që çdo vit kërcënohet nga përmbytjet, aqsa territori i Darzezës, rrethohet nga të katër anët me ujë, thuajse kthehet në kënetë (moçal) që, po t’u shtojmë edhe rrjetin rrugor të përmbytur, e vështirësojnë jetesën aty.
Magjia e Adriatikut
U futën në pyllin e dendur, me ca pemë si të hedhura andej këndej nga dora e ndonjë kopshtari të dehur. U gjëndem buzë detit. Qielli është veshur me nuanca të ngrohta. Përshëndetemi nga peizazhi që të lë pa frymë: një shtrirje rëre e imët si të ishte e përbërë me copra smeraldesh e diamantesh, me veti të larta kuruese për shkak të përqendrimit të lartë të jodit, nga deti blu (kur dielli shkëlqen), era që fryn mbi dunat me një pëshpërimë të butë dhe dallgët përkëdhelin qetësisht bregun, nën një ritëm për t’u admiruar, me ardhje, përplasje dhe zbrapsje drejt bregut ranor ku thyhen për t’u kthyer mbrapsht në stërkala të bardha që zhduken sakaq.
Dikur,
para viteve ’90 plazhi i Darzezës së Re, ishte një peizazh heshtjeje dhe
thjeshtësie, i ndaluar, si shumë të tjera të magjishme të Shqipërisë, si zonë
ushtarake me det të pastër, rërë të bollshme e të pasur me jod kuruese për
organizmin e njeriut. Përveçse është një pjesë magjepsëse e bregdetit është
ideal për ata që duan të jenë larg njerëzve që gjatë gjithë vitit në vendet më
të famshme. Realiteti është se vitet e fundit plazhi i Darzezës së Re është
kthyer në një vend turistik. Bukuria e e tij e përjetshme tërheq familje,
adhuruesit e detit.
Ulemi
në një bar- kafene. Aty-këtu biseda të vakta rrotullohen politikisht. I
hmangesh atyre të ngarkuara nga retorika përçarëse, sepse ndonjëherë durimi i
njerëzve shteron shpejt dhe gjuha, kur çlirohet në një grindje, mund të jetë
vërtet brutale.
Dita
vazhdon, duke u rrezitur në diell, apo nën hijen e çadrës së hapur si
luledielli. Pushues lumturakë shëtisin me hapa të ngadaltë. Një ftesë për të
ecur zbathur, dorë për dore, pranë bregut, duke ndjerë frymën e detit magjik.
Ecja dukej më pak si një xhiro turistike dhe më shumë një dyshe baba-bijë, duke
u ndalur shpesh për të bërë foto. Për një kohë, përpiqesh të shohësh peizazhin
përmes syve të saj kurioz.
Peizazhi
njerëzor vazhdon të shpaloset ne ngjyra të gjalla, aroma dehëse, pëshpërima
fjalësh, kukurisje të qeshurash, britma gëzimi...
E
këtu vazhdon argëtimi i shëndetshëm: futboll, volejboll, ecje, vrapime. Të
shqetësojnë thirrjet e ambulantëve që shesin fruta, lodra fëmijësh, akullore e
pije freskuese; më tej zhurmat e motorëve të ujit, duke rrëshkitur në pasqyrën
e detit...
Atje,
ku rëra dhe deti takohen në një përqafim të përjetshëm, shfaqet një kështjellë
prej rëre e ndërtuar nga fëmijë, që kur të rriten mund të ndërtojnë fortesa të
vërteta, apo një anije kozmike, e ndoshta raketa ndërplanetare. Mund të bëhen
inxhinier, arkitekt, apo skulptor shumë të mirë.
Gjurmët
e këmbëve fundosen në rërën e lagur, dhe uji i fshin pa nxitim. Një hap e prek
detin. Secila dallgë që vjen e lodhur është një melodi që flet tingujt e saj të
fshehtë, mbushur me jehona. Dëgjon llapaçitjet e notimit të vajzave që
shndërrohen në peshk.
I
gjithë qielli digjet në prush dhe zjarr, dhe uji reflekton atë shkëlqim të
ngrohtë. Ngrihesh për të shkuar drejt detit të pafjalë. Për mos u djegur nga
rëra e nxehtë kalon në rrugicat prej dërrase. Rrezet e diellit (të argjenda e
të arta) që pushtonin tërë hapësirat, deri tek ujërat e kaltra, përthyhen, duke
krijuar një lojë të shndritshme.
Shkel
rërën e lagët nën rrezet e diellit që qartësojnë pak nga pak konturet e
peizazhit në grykëderdhjen e Vjosës. Dallgët mbërrijnë butë, si të duash të
mbështjellësh trupin me përkëdheljen e kripur të tyre. Uji ishte i cekët dhe
fëmijët notonin aty si një grup flamingosh nën mbikëqyrjen e prindërve. Uji
është i vakët dhe zhytesh në blunë e detit si qielli, dhe shushërima e
dallgëve, me ardhje, përplasje bregut ranor, si në një vallëzim Tangoje, nën
një ritëm për t’u admiruar. Sado i lodhur të jesh, i shtypur nga problemet e
përditshme, sapo trupi yt është në det, bën ndonjë shtrirje apo zhytje,
ndjehesh i lehtësuar, i freskuar.
Plazhi
i Darzezës së Re, si shumë vende të tjera të bekuara të deteve, lumejve dhe
liqeneve shqiptare, duket se qëndron ende në kohë, me qetësinë rurale të ndihet
e përjetshme. Infrastruktura, ndërhyrjet, kujdesi parësor, të gjitha duket se
po vijnë me ritmin e ngadaltë. Sikur po pret, me durim, të kujtohen për të.
Bregu
ka shpëtuar nga lakmitë e çmendura të betonit. Çdo gjë është e ndërtuar me
materiale që natyra dhuron. S’ka lokale nate, por baraka druri, me raki e
birrë, dhe peshk. Por, shteti këtu shumë pak ka vënë dorë, prandaj përpjekjet
duhet të jenë të vazhdueshme rreth mirëmbajtjes së kësaj perle në breg të
Adriatikut.
Shteti
këtu shumë pak ka vënë dorë dhe përpjekjet duhet të jenë të vazhdueshme rreth
mirmbajtjes së kësaj perle në breg të Adriatikut. Aty problem janë hedhurinat vend
e pa vend, gjë që nuk varet vetëm nga edukata, por edhe nga zbatimi i ligjit
ndaj bizneseve dhe bashkive, që nuk marrin masa për trajtimin e tyre, por i
hedhin nëpër kanale, prrenj e lumenj, sikur të të jenë këta kosha plehërash.
Ndonjëherë
bregu i detit Adriatik dëshmon shfaqje mahnitëse. Në shuarjen e diellit, është
si të shohësh një përrallë. Dielli do të ulej i lodhur në horizont, duke
krijuar ato përzierje ngjyrash të pa përsëritëshme, dhe para se të fshihet,
duket sikur shikon edhe një herë botën për të na lënë një porosi: “Po iki, por
do kthehem, si gjithmonë... ”
Ashtu
si një fëmi që mahnitet nga e pa njohura, duke parë lojën e diellit mbi det, e
përfshin me një vështrim këtë kartolinë hyjnore. Përkëdhelesh nga fryma e
detit, nga rëra nën këmbë, që ruan ngrohtësinë e trupave, jehonën e të
qeshurave, aromën e kripës dhe ngrohtësinë e diellit.
Një
varkë e mbështetur pjerrtas në breg, e rrethuar nga dy- tre kandilë deti, të
cilët të mbetur në breg, shkëlqenin me masën e qullët të tyre, dukej e lodhur
dhe muzgu i jepte një ngjyrë si të shplarë e të grryer, gjurmë të lundrimeve.
Prushi
i fundit i diellit zbutet në det, duke e shndërruar atë në një pasqyrë bakri të
lëngshëm. Dallgët, të buta, pëshpërisin bregut herë romantikish, është muzikë
për veshët tuaj. Shkuma zgjatet, luan, përkëdhel këmbët e atyre që ecin
ngadalë.
***
Ne
largohemi nga Darzeza e Re. Në duar e trup kemi ende paksa nga jodi, dielli,
shushërima e dallgëve të detit, nga pylli me pisha të larta, që shtrihet
përgjatë vijës bregdetare, duke ofruar strehë nga dielli dhe hijeshi e
“shenjtëri” shlodhje, por fatkeqësisht po e shqyejnë të paudhët.