E enjte, 18.09.2025, 10:49 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Perëndimi është superior mbi të tjerët

E enjte, 18.09.2025, 06:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

Pashë disa video nga protestat e së djathtës në Londër. Rreth 150 mijë njerëz duke kaluar Urën e Westminster.

Mund të bëhen analiza nga më të ndryshmet, por ajo që duket qartë në horizont është kjo: procesi i pandalshëm i ardhjes në pushtet të së djathtës kulturore në kontinentin europian. Kombinatorikat politike mes socialdemokratëve, liberalëve multikulturalistë dhe qendrës së djathtë mund ta vonojnë përkohësisht këtë proces, por nuk mund ta shmangin dot.

As etiketimet për një “rikthim të fashizmit në Europë” nuk kanë më fuqi bindëse. Sepse e djathta kulturore e sotme nuk ka asnjë lidhje me fashizmin. Konservatorizmi i saj nuk përkon as me konservatorizmin klasik, e as me programet radikale të fashizmit.

Konservatorizmi i së djathtës kulturore sot është konservatorizëm i trashëgimisë iluministe, e cila përbën identitetin europian të katër shekujve të fundit, identitet që e majta postmoderne nuk ka pushuar së luftuari, madje duke bërë edhe aleanca solidariteti me ideologji reaksionare e mesjetare. Ana teorike e kësaj lufte ka qenë ajo që Luk Ferry e quan “terrorizmi i dekonstruksionit”, ndërsa Pascal Bruckner e ka përkufizuar si “mazohizmi perëndimor”.

Ka ardhur koha të hiqet tabuja mbi një të vërtetë vetëevidente: Perëndimi është superior mbi të tjerët jo vetëm në rrafshin tekniko-shkencor, por edhe në atë etiko-politik.

_________________

Merreni me mend këtë situatë: dy palë ndërluftuese në front. Në një moment, njëra palë korr një fitore të madhe mbi palën tjetër. Pala humbëse tërhiqet, për të rimarrë veten dhe për t’u bërë gati që sërish të kthehet në fushëbetejë.

Ndërkaq, pala fituese, e kapluar nga euforia e fitores, bie në vetëkënaqësi dhe, pas një kohe, grupet brenda saj fillojnë të grinden e të luftojnë me njëra-tjetrën. Pala që kishte humbur betejën sheh një shans të ri në këtë sherr të brendshëm dhe nis njerëzit e burimet e saj për ta nxitur e për ta bërë atë sa më shkatërrimtar.

Nëse planet e saj ecin, atëherë hapet mundësia që disfata e dikurshme të kthehet në fitore. Kjo bëhet edhe më e sigurt nëse pala kundërshtare nuk e ka kuptuar një të vërtetë të thjeshtë dhe të vjetër sa vetë historia: “Armiku më i rrezikshëm i njeriut është krenaria që e verbëron dhe grindja që e copëton nga brenda. Fitoret e jashtme nuk kanë vlerë pa një fitore të brendshme mbi egon dhe përçarjen.”

_________________

Përtej propagandës së ndyrë serbe në njërën anë dhe folklorit tonë historiografik në anën tjetër, dëshmia e James Rubin në Hagë përbën një dokument esencial për historinë e vërtetë, ende të pashkruar, të UÇK-së.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx