Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Filozofia dhe Kushtetuta Amerikane
E enjte, 10.07.2025, 06:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
I
kam testuar personalisht në disa raste njerëz që derdhin lotë në Instagram e
Facebook për viktimat në Gaza. I kam pyetur nëse mund të më tregojnë se kur ka
ndodhur Masakra e Obrisë, Masakra e Mejës, Masakra e Vërbocit e të tjera, dhe
sa shqiptarë janë vrarë në to.
Asnjëri
nuk ka ditur të më japë një përgjigje të saktë.
Çfarë
tregon kjo?
Tregon
faktin se kemi të bëjmë me një gjeneratë – kryesisht të rinj – për të cilën
vuajtjet dhe dhimbjet e popullit të tyre nuk kanë asnjë vlerë.
Një
gjeneratë për të cilën varret e dëshmorëve dhe të masakruarve tanë, të para 26
viteve, janë thjesht memoriale të
parëndësishme, të cilat as nuk e dijnë se ku janë. Sepse kurrë nuk i kanë
vizituar.
Një
gjeneratë që ndjeshmërinë për Gazën nuk e ka prej ndonjë bindjeje humaniste
universale, por prej infektimit me antisemitizëm, me salafizëm dhe me lleftizëm
të tipit sovjetik ose jugosllav.
Sepse
nuk mund të jetë ndryshe kur sheh se këta vajtues virtualë nuk shkruajnë kurrë
asnjë fjalë për vuajtjet e kurdëve, të ujgurëve në Kinë apo të grave që
masakrohen në burgjet e Iranit, vetëm pse kërkojnë të jenë të lira.
Edhe
një gjë: prej një brezi që nuk di asgjë për historinë e vendit të vet, për
vuajtjet e dhimbjet e saj, kurrë mos prisni punë e sakrifica në shërbim të
lirisë. Prej tij veç një gjë keni të sigurt: dezertimin dhe ikjen. Dhe
natyrisht edhe broçkulla të pacifizmit abstrakt për të justifikuar qyqarllëkun
dhe tradhtinë e tij.
___________
Filozofia dhe Kushtetuta
Amerikane
"Ne
i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë
krijuar të barabartë; se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të
drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe ndjekja e
lumturisë. — Se, për të siguruar këto të drejta, ndër njerëz formohen qeveri që
marrin fuqinë e tyre të drejtë nga pëlqimi i të qeverisurve; — dhe se, sa herë
që ndonjë formë qeverisjeje bëhet shkatërruese për këto qëllime, populli ka të
drejtë ta ndryshojë ose ta përmbysë atë dhe të krijojë një qeveri të re, të
bazuar në parime që ai i konsideron më të përshtatshme për të siguruar sigurinë
dhe lumturinë e tij."
Çdo
rend kushtetues mbështetet mbi një metafizikë. As Kushtetuta Amerikane nuk bën
përjashtim. Teksti i mësipërm, i nxjerrë nga Deklarata e Pavarësisë, përbën
themelin metafizik të saj. Ai është i frymëzuar drejtpërdrejt nga “Traktati i
dytë mbi qeverisjen civile” i filozofit iluminist anglez Xhon Lokut.
Në
të gjejmë pesë ide themelore:
1.
Njerëzit lindin të barabartë.
2.
Ata gëzojnë të drejta natyrore të lindura: jetën, lirinë dhe pronën.
3.
Shteti krijohet për të mbrojtur këto të drejta.
4.
Njerëzit kanë të drejtë natyrore të rebelohen kundër një shteti që devijon nga
ky qëllim.
5.
Legjitimiteti i qeverisë nuk buron nga Zoti, por nga pëlqimi kontraktual i të
qeverisurve.
Këto
pesë ide përmbajnë thelbin e programit politik të Iluminizmit – çelësin për të
kuptuar dinamikën e historisë botërore gjatë 250 viteve të fundit, si dhe
arsyen pse agjenda e lirisë, në kursin e historisë njerëzore, nuk bën dot pa
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Konstitucionalizmi
perëndimor është përpunu në fushën e filozofisë, nga mendjet më gjeniale të
saj, prandaj edhe fati i filozofisë është i lidhur me vetë fatin e Perëndimit.
___________
Dietrich
Bonhoeffer (1906–1945) ka qenë teolog protestant dhe filozof gjerman. Ndër të
paktit intelektualë gjermanë që iu kundërvu publikisht nazistëve, ai u
arrestua, u torturua dhe u vra prej tyre në prag të kapitullimit të Rajhut të
Tretë.
Mes
të shkrimeve e tij të shkëlqyeshme mbi politikën dhe etikën, shquhen ato mbi
diagnozën e budallallëkut si fenomen moral e social.
Ky
është një fenomen që shpreh triumfin e manipulimit ideologjik e medial të
masave dhe humbjen e shpresës për një shoqëri të lirë e të arsyeshme.
Bonhoeffer
thotë se lufta kundër budallallëkut moral është shumë ma e vështirë se lufta
kundër të keqes, sepse "e keqja mund të ekspozohet, të pengohet, të
gjykohet. Por ndaj budallallëkut jemi të pafuqishëm. Ai nuk i përgjigjet
argumentit, ai nuk bindet nga faktet, ai është imun ndaj çdo përpjekjeje për ta
bindur".
Kush
do ta besonte se 80 vjet pas vdekjes së tij tragjike, ky fenomen i
diagnostifikuar nga Bonhoeffer do të merrte përmasa planetare dhe do të bëhej
konsumi ditor medial.
___________
Në
mbretninë e lajmeve e informacioneve të rreme, që ka shtri sovranitetin e saj
absolut në rrjetet sociale, e gjejmë edhe një dukuri që ka marrë përmasa
planetare: atribuimin e rremë të një mendimi, citati apo ideje këtij apo atij
filozofi, shkrimtari a shkencëtari.
Kam
përshtypjen se njeriu të cilit më së shumti i bëhen këto atribuime të rreme
është Albert Ajnshtani.
Sa
ta hapësh facebook-un, veç kur të shfaqen
"thëniet" e Ajnshtajnit mbi moralin, edukimin, kulturën,
artin, muzikën, fenë, sportin, gjumin, ëndrrat
familjen, shoqërinë, dashurinë, urrejtjen, pra për krejt çështjet që e
preokupojnë qenien njerëzore.
Me
ta marrë mendja se Ajnshtajni nuk paska qenë një shkencëtar që jetën e tij e ka
kalu në problemet e ndërlikuara të fizikës e kozmologjisë, po një kësi
matrapazi i dokrrave të mendimit pozitiv a i psikologjive të suksesit.
___________
Në
fillim të qershorit policia franceze arrestoi tre serbë, të cilët me urdhër të
Rusisë kishin përlyer objekte hebraike në Paris. Ata kishin ndotur me bojë
Muzeun e Holokaustit, fasadën e një restoranti të njohur hebre, si dhe muret e
jashtme të tri sinagogave.
Ky
veprim, siç u tha nga autoritetet e policisë franceze, kishte për qëllim që të
nxiste klimën anti-semite në Francë.
Tri
javë më herët, në Prishtinë, ishte vandalizuar shtatorja e Bill Klintonit me
thirrje kundër Izraelit, të shkruara në bazamentin e saj.
I
njëjti veprim ishte bërë në murin e një kishe katolike, ndërsa sot në rrjetet
sociale dolën pamjet e dëmtimit të një tabele ku tregohej kisha katolike në
Llapushnik.
Ngjashmëria
mes ngjarjeve në Paris dhe këtyre në Kosovë është pothuajse e plotë. Kjo tregon
se edhe urdhërdhënësi i tyre është i njëjtë, por zbatuesit ka fort gjasa që
janë të ndryshëm: në Paris ishin serbë, ndërsa në Kosovë duhet të jenë
shqiptarë që punojnë për Serbinë. Se si duken këta shqiptarë ( nëse ende mund
t'u themi kështu), besoj se e keni fare të lehtë ta kuptoni.
Këto
janë shenjat e para të skenarëve të errët, prej të cilëve ky vend ka vuajtur
dhe vazhdon të vuaj ende.
___________
Jean
Sibelius (1865–1957) konsiderohet si një ndër kompozitorët më të rëndësishëm të
muzikës klasike në Evropën veriore.
Në
Finlandë ai është ikonë e identitetit kombëtar dhe ditëlindja e tij është festë
shtetërore.
Fan
Noli kishte njohje me të dhe në një këmbim letrash Sibelius i shkruante Nolit,
pas leximit që i kishte bërë studimit të tij "Bethoveni dhe Revolucioni
Francez": "E lexova librin me
interes shumë të madh. Mendoja se dija gjithçka rreth Bethovenit, por në librin
tuaj kishte shumë gjëra që ishin të reja për mua".
Të
tillë ishin etërit e kombit shqiptar: mendje që komunikonin me nivelet më të
larta të kulturës europiane. Pastaj erdhën haxhiqamilët e stalinistët dhe nuk e
lanë kombin shqiptar të kapte ritmet politike e kulturore të qytetërimit perëndimor.
___________
Kështu
e ka jeta: disa fotografi që i kemi bërë dikur për një efekt çasti, vjen një
ditë e kthehen në kujtime të vlefshme për tanë jetën, në kujtime të atyre
ditëve e njerëzve të dashtun që nuk na kthehen kurrë më.
___________
Nostalgjia
e zhegut të fushave: