E enjte, 08.05.2025, 11:51 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Prej vitesh kemi thënë se ekstremizmi islamik në Kosovë është projekt i inteligjencës së shtetit serb

E enjte, 08.05.2025, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Pardje Policia e Kosovës arrestoi një shqiptar [nëse mund ta quajmë të tillë], i cili kishte qenë pjestar i organizatës terroriste ISIS dhe tani paska qenë duke kryer punë spiunazhi për BIA, Shërbimin Inteligjent Serb.

Prej vitesh kemi thënë se ekstremizmi islamik në Kosovë është thjesht dhe vetëm projekt i inteligjencës së shtetit serb, për ta minuar nga brenda shtetin e brishtë Kosovës, duke e diskredituar në sytë e mbështetësve të tij perëndimorë.

Ky projket ka shkuar shumë larg, sepse paralajmërimet tona të hershme janë injoruar.

Nga politikanët, që për një grusht votash janë në gjendje të bëjnë pakt me çdo kënd, qoftë ai edhe armik i vendit të tyre.

Nga mediat, të cilat për ca klikime e pak audiencë, u kanë dhënë hapësirë enorme ideologëve vahabistë, duke i bërë kështu reklamë pa pare planit të lartpërmendur të BIA's.

Nga intelektualët e akademikët, të cilët, qoftë nga frika, qoftë nga mosdija, kanë mbyllur gojën, sytë dhe veshët.

Nga krejt një shoqëri, e cila përditë e më pak është në gjendje të rezistojë për vlerat prej të cilave erdhi dhe varet krejtësisht e ardhmja e lirisë së saj dhe e Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, të mos e harrojmë një fakt themelor: njeriun mund ta shpëtosh nga agresioni i tjetrit, por jo edhe kur ai do ta shkatërrojë veten, duke kryer vetëvrasje. E kjo sigurisht vlen edhe për kombet. Secili, në fund të fundit, do të korrë atë që ka mbjellur.

___________

Në Mesjetë analfabetizmi ishte gjendje natyrshme për shumicën absolute të njerëzve. Kjo do të thotë se të ishte analfabet në atë kohë nuk konsiderohej diçka e turpshme. Kultura e leximit dhe e shkrimit ishte një privilegj i pakicave fetare e politike.

Me shpikjen e shtypshkronjës lindi edhe ëndrra për masivizimin e kësaj kulture. Iluminizmi Europian do ta kthente në ideal të tij këtë ëndërr. Të gjithë kanë të drejtë në edukim, ndërsa shtetet e kanë për detyrë ta bëjnë të mundur përmbushjen e kësaj të drejte. Ishte pra Iluminizmi ai që të qenit analfabet e ktheu në diçka të turpshme për individët dhe shoqëritë.

Sot gjërat kanë ndryshuar, për të keq. Në njëfarë mënyre ne jemi kthyer në Mesjetë, ngase sot analfabetët nuk ndihen të turpëruar që janë të tillë. Mjafton të shikosh komunikimin në rrjetet sociale, për t'u bindur në këtë. Dhe jo vetëm që nuk ndihen të turpëruar, por për më tepër edhe krenarë me faktin se nuk lexojnë kurrë.

Fundi i kulturës së leximit e tërheq prapa edhe kulturën e mendimit. E aty ku njerëzit nuk mendojnë me kokën e tyre, nuk vonojnë të shfaqen ideologjitë paternaliste, të cilat me lehtësi i manipulojnë njerëzit për qëllimet e tyre rëndom të mbrapshta. Parulla e tyre si gjithmonë është e njëjtë: Paduria është fuqi!

Kështu, muzgu i përndritjes iluministe na paralajmëron ardhjen e një kohe të errët, në të cilën mashtruesit dhe zuzarët e të gjitha ngjyrave do t'i kenë gjasat dhe favoret në anën e tyre.

___________

E kishte në duar gjithë lavdinë e fuqisë më të madhe të kohës, por ai zgjodhi lavdinë e atdheut të tij.

Në vend të nënshtrimit të popujve tjerë, ai zgjodhi të mbronte popullin e tij nga nënshtrimi.

E kur vdekja e morri dhe froni i tij ra, lavdia e tij bëri që emri i Shqipnisë të mbijetonte në hartat e botës, deri në rilindjen e saj nën flamurin e tij.

Dhe po nën kët' flamur lindi, u rrit dhe triumfoi kryengritja ma e suksesshme në historinë moderne të Europës: Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

___________

Në këtë fotografi shihen ushtarë italianë të KFOR-it duke bërë inspektime teknike të urave në komunat Pejë, Klinë dhe Gjakovë. Neve, ndërkaq, për këtë gjë na bie në mend veç kur shembet ndonjë urë dhe merr jetë njerëzish. Po nuk kemi faj, sepse jemi të zënë gjithë kohën me broçkulla politikanësh që nuk janë të zotë të bëjnë një qeveri dhe me analizat gjithëkombëtare të shpullës që u dha në Big Brother.

___________

Në këtë park, i cili ndodhet midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Fakultetit Filozofik, në vitet e paraluftës regjimi serb kishte vendosur një statujë të madhe të Petar Petrovi? Njegoshit. Njegoshi i gdhendur në bronz bënte me gisht kah toka, ku në bazamentin e statujes ishte gdhendur në serbisht fjalia “Ovo je Serbija”.

Në atë kohë në objektet e Universitetit të Prishtinës mësimet i ndiqnin vetëm studentët serbë e malazezë, ndërsa neve na kishin përzënë prej tyre. Po ndodhte që një shqiptar të kalonte andej, më e pakta që mund t’i ndodhte ishte ndonjë sharje a fyerje prej studentëve serbë e malazezë nga dritaret e Fakultetit Filozofik.

Sot, kur po ua tregoja studentëve këtë histori, e hetoja një lloj habie në mënyrën se si më dëgjonin. Është ajo habia e njeriut që i duket disi e pabesueshme historia që po e dëgjon. Gjeneratat e rritura pasluftës në Kosovë kanë një përfytyrim krejtësisht të zbehtë për atë që ky vend ka kaluar vetëm 26 vite më parë, ndërsa shkollat kanë dështuar krejtësisht në edukimin e tyre me vetëdijen themelore historike për ato vite kur luhej tragjedia jonë më e madhe ekzistenciale. Këtyre gjeneratave liria u duket diçka e vetëkuptueshme, një e dhënë e përhershme, që do të jetë aty përherë, e duke qenë e tillë nuk ia vlen të mendohet rreth saj.

Por liria nuk është e tillë. Ajo është aq e brishtë (sidomos në kohën tonë), sa mjafton një gjeneratë e pakujdesshme që ajo të thyhet e të përmbyset. Liria, thoshte Foucault, gjithmonë është punë e pakryer. Vetëm shoqëritë që e përvetësojnë këtë të vërtetë thelbësore, do të mund t’i gëzojnë frytet e saj për një kohë të gjatë.

___________

Dita e të pagjeturve në Kosovë

Luftërat nuk linin pas veç rrënimet dhe të vrarët. Linin pas edhe një dhimbje tjetër të madhe: të humburit. Duke mos pasur një varr dhe duke ditur se kujtesa për ta me kalimin e kohës zbehet pakthyeshëm, grekët e lashtë e krijuan Kenotafin. Kenotaf dmth varr i zbraztë.

Kenotafet ngriheshin në sheshet e qyteteve për të ruajtur kujtimin e të humburve në luftëra dhe shpesh ato nderoheshin më shumë se varret që mbanin eshtrat e të rënve. Dhe kjo kishte një arsye: të humburit e shprehin më fort thelbin tragjik të një lufte.

Një kenotaf grek mund të kishte një mbishkrim të tillë: "Këtu, ndonëse jo me trup, prehet Nikias, që ra në ujëra të huaja, por zemrat tona e kujtojnë gjithmonë".

Një ditë Kosova duhet të ketë Kenotafin e saj kombëtar.

___________

Kur Rexhep Shehi na e pat bërë këtë fotografi, mua dhe Nehat Shalës, u pata gëzu shumë. Për një arsye që e mendoja në çastet ma dramatike të luftës në Koshare: askush nga familja ime nuk e dinte se isha aty dhe nëse ndodhte që të vritesha, atyre një ditë mund t'u binte në dorë kjo fotografi dhe përmes saj ata mund të më kujtonin mua.

E di se këtë mendim kaq intim e tragjik në thelb, e kanë pasur edhe shokët tanë që ranë në Koshare për çlirimin e Kosovës.

Koha e bën të veten, kujtimi për ne që mbetëm gjallë një ditë do të zbehet, por kujtimi i atyre që ranë do të mbetet i gjallë dhe frymëzues përgjithmonë.

___________

Konflkti i moçëm midis Indisë dhe Pakistanit ka shpërthy sërish. Disponimi i fuqive të mëdha për t'i zgjidhur kontestet ndërkombëtare me tytat e armëve, kurrë nuk ka qenë më i lartë se tash, qysh nga rënia e komunizmit, 35 vjet më parë. Ligji ndërkombëtar, i menduar për të mundësuar zgjidhjet paqësore, tani i ngjan një lecke të pavlerë, ndërsa OKB-ja, paraardhëses së saj, Lidhjes së Kombeve, në prag të Luftës së Dytë Botërore.

E ne ku jemi në kët' përmbysje të madhe, që po ndodhë para syve tanë?

Mjaftojnë fjalët e At Gjergj Fishtës, të para më shumë se një shekulli, për ta kuptu këtë:

Shka bajn Shqyptarët? Han fiq e kastraveca:

E pijn mastikë, e qesin petlla n'uej;

E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;

E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej.

___________

Fìlozofia shërben për ta urryer budallallëkun, për ta bërë të turpshëm budallallëkun, shkruante dikur mendimtari francez Gilles Deleuze.

Tridhjetë vjet pas vdekjes së tij, budallallëku jo që nuk është bërë i urryer, as i turpshëm, por përkundrazi ai është kthyer në aset, në teknikën kryesore të marrjes së vëmendjes. Atë e përdorin të gjithë, që nga kryetarët e shteteve, kriminelët e të gjitha llojeve, kllounët e masmediave, deri tek të marrët e  rëndomtë të rrugëve.

A ka shpresë që bota t'i mbijetojë epokës së budallallëkut profitabil?

Po, nëse e arrijmë ditën kur njerëzit do të ngopen me të dhe vlera e tij e tregut të fillojë të bjerë.

___________

Na kemi vuajtur shumë nga racizmi i fqinjit tonë verior. Na kanë quajtur "njerëz me bisht". Një kryeministër serb ka shkruar një libër për ta bindur botën se jemi të tillë. Na kanë quajtur "njerëz të paaftë me u qytetëru e evropianizu". Ende sot Serbia, që nuk pajtohet me humbjen e Kosovës, investon shumë në kët' propagandë. Prandaj âsht e turpshme kur një djalë si ky bëhet subjekt i sjelljeve raciste nga njerëzit tanë. Nëse ne sillemi me të tjerët ashtu si të tjerët janë sjellur me ne, atëherë veç një gjë do ta arrijmë: lirisë tonë dhe vuajtjeve tona do t'ua ulim vlerën.

___________

Arti dhe e keqja

Polemika mbi dobinë e artit është fort e moçme. Platoni e vinte në dyshim këtë dobi, ngase mendonte se përmbajtja shqisore e arteve na devijon nga rruga që na shpie tek të vërtetat e mëdha, të cilat qëndrojnë jashtë fushës së perceptimit shqisor.

Aristoteli mendonte ndryshe, teksa fliste për efektin e katarsisit në shfaqjet dramatike.

Në Mesjetën teokratike dobia e artit u definua brenda funksionit vizuelizues të rrëfimeve teofanike të Krishterimit.

Sekularizimi modern bëri të mundur që artet të braktisnin gradualisht funksionin religjioz dhe të tranformoheshin në praktikë autonome estetike.

Por Iluminizmi nuk mjaftohej me kaq. Ai donte që përmes arteve të shtynte përpara qëllimet e tij përndritjes e të racionalizimit të botës.  Kështu artet u funksionalizuan brenda tregimit të madh të Progresit Moral në Histori. Gjithandej u përhap besimi në fuqinë humanizuese të tyre, por nuk do të vononte të vinte shekulli XX, që ky besim të përgënjeshtrohej. Arti u tregua i pafuqishëm të frenonte barbaritë e Nazizmit e të Stalinizmit. I pari i përdori artet për të zbukuruar shëmtinë e tij ideologjike, ndërsa i dyti për t’i bërë të besueshme rrenat e bukura ideologjike të tij.

Megjithatë ky zhgënjim me fuqinë humanizuese të artit, nuk është përvojë e kohës tonë. Për të na parlajmërojnë edhe mitet e lashta greke, sidomos Miti i Orfeut.

Orfeu, i biri i Apollonit, i binte lirës së tij fushave dhe maleve. Nga meloditë e tij të mahnitshme edhe bishat e pyllit frenonin instiktet e tyre grabitqare. Paqja dhe harmonia zotëronte jetën e egër të natyrës kur dëgjohej zëri i Orfeut dhe tingujt e lirës së tij. Por një ditë, Euridika, vajza që u dashurua dhe u martua me Orfeun, u pickua nga një gjarpër dhe prej helmit të tij ajo vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme.

Ky fund tragjik i Euridikës është paralajmërimi antik se e bukura dhe artet nuk mund t'i çrrënjosin egërsinë dhe të keqen. Pacifikimi i natyrës së egër përmes artit, ishte një iluzion i Orfeut, iluzion të cilin ai e pagoi me humbjen e njeriut më të dashur të tij.

Iluminizmi e lexonte Mitin e Orfeut duke e injoruar fatin e Euridikës, ndërkaq, shekulli i njëzetë dhe ky që jemi tash, na këshillojnë ta vëmë theksin pikërisht tek ky fat.

___________

Po të mos e shihja nga disa postime në facebook, sigurisht që nuk do të kujtohej fare. Sot qenkan bërë 45 vjet nga vdekja e Titos, themeluesit dhe diktatorit të Jugosllavisë Socialiste.

Libri "Tito dhe shokët" i sllovenit Jože Pirjevec është njëra ndër biografitë ma të mira të shkruara për të. Aty tregohet gjithë kompleksiteti i kësaj figure, e cila, një një moment, do të arrinte majat e reputacionit ndërkombëtar, falë aftësisë për të luajtur rolin e të pavarurit në përplasjen e dy blloqeve të Luftës së Ftohtë.

Ky reputacion shihet në faktin se funerali i tij është funerali ma i madh politik i shekullit XX. 120 delegacione, dhjetëra kryetarë shtetesh nga Lindja e Perëndimi.

Por, për kundër dekorit të jashtëm kuaziliberal, brenda shteti i Titos përfaqësonte një regjim me tipare të qarta totalitare. Socializmi vetëqeverisës i tij doli të ishte një farsë ekonomike, e cila, me të rënë komunizmi, do të shembej brenda pak muajsh, për t'ia lënë vendin konflikteve të përgjakshme ndëretnike.

Siç tregon Pirjevec, në librin e tij të përmendur më lart, Tito e dinte se shteti që ai krijoi nuk do të mbijetonte pas vdekjes së tij. Dhe kjo për tri arsye themelore: Ideologjia jugosllave e "Bashkim-Vëllazërimit" nuk kishte arritur t'i tejkalonte nacionalizmat e popujve që e përbënin Federatën Jugosllave, modeli ekonomik i saj jepte shenja të qarta të dështimit të pakthyeshëm dhe kulti i liderit që Tito kishte ndërtuar për veten, nuk do të mbijetonte mungesën e tij fizike.

I vetëdijshëm se shqiptarët e Kosovës ishin më të diskriminuarit në shtetin e tij dhe përfituesit më vegjël nga kohët e mira të zhvillimit të këtij shteti, Tito qysh në vitin 1976 do të profetizonte fundin e tij. Në një intervistë dhënë gazetares Darja Janekoviç, ai do të shprehej: "Fillimisht do të shpërthejë aty[Kosovë]".

___________

"Bota ka prapë, edhe një herë, tërë të ngjethurat e një krize. Sot nuk flitet më për sigurimin e paqes, siç bëhej 6-7 vjet më parë. Sot ëshë koha e aleancave ushtarake dhe e armatimeve më të mëdha e më të tmerrshme, që shënon historia e njerëzimit mbi dhe. Një kataklizëm po afrohet. Është e paevitueshme. Është çështje kohe...Bota vuan nga një krizë. Është një krizë brenda në sistem. Prandaj është e paevitueshme edhe një luftë e madhe. Dhe natyrisht kjo luftë e madhe do të jetë të paktën nga dhjetë herë më e madhe nga ajo që u fillua me 1914".

Ky tekst është shkruar në vitin 1936. Ai e parashikon me saktësi Luftën e Dytë Botërore. Për më shumë edhe përmasat e saj.

Ky tekst parashikues nuk është shkruar prej ndonjë mendimtari të njohur perëndimor. Është shkruar nga një publicist shqiptar, i viteve tridhjetë të shekullit të shkuar.

Në publicistikën shqiptare të asaj kohe, ai dallohej për kriticizmin e hapur, të guximshëm, dhe të informuar me dijet më të avancuara të shkencës e filozofisë. Polemika e tij me Klerin është debati i parë publik i një intelektuali shqiptar me teologët, nga pikëpamja e filozofisë së religjonit.

I përfshirë në një rebelim lokal kundër Zogut, ai do të dënohej me varje në Kalanë e Gjirokastrës, në vitin 1937. Ishte vetëm 29 vjeçar. Quhej Ismet Toto.

___________

Para 2000 viteve Romën e furnizonin me ujë 11 ujësjellës. Roma ishte qyteti i parë në botë që kishte ujë 24 orë në ditë pandërprerje. Ishte Roma që krijoji kulturën e higjienës publike e private dhe e bëri atë shenjë indentifikuese të qytetërimit.

Sot, 2000 vite pas, shumë vende që dikur patën fatin të jenë nën qytetërimin romak, vazhdojnë të kenë probleme bazike të furnizimit me ujë dhe me higjienën publike. Sepse, pasi perëndoi dielli i Romës, askush nuk ia doli t'i mirëmbajë dhe avancojë standartet e saj kulturore. Pisllëku ripushtoi ambientin, mendjet dhe zemrat e njerëzve. Përjashto Perëndimin modern dhe vendet që kanë përvetësuar përnjëmend modelin civilizues të tij.

___________

Po qeshim me Vuçiqin që iu anulua takimi me Trump në SHBA dhe për të fshehur turpnimin tha se u sëmur dhe u detyrua të kthehej në Serbi.

Vërtet poshtnim, por bile ai është kah mundohet me hapë rrugën për vete deri në Shtëpinë e Bardhë.

E ne, çfarë jemi duke bërë në këtë drejtim?

Ne s'po mundemi me gjetë rrugën deri te zgjedhja e një kryetari të Kuvendit, e po e gjejmë rrugën për të shku në Shtëpinë e Bardhë.

Serbia e Vuçiqit e ka humbur orientimin, duke u mundu me përfitu njëkohësisht edhe nga Washingtoni, edhe nga Pekini, edhe nga Moska, edhe nga Brukseli, në kohën kur mes këtyre po ndodhin përplasje të mëdha gjeopolitike.

Neve, ndërkaq, na ka ndodhë diçka edhe më e keqe: e kemi humbur udhën në oborrin tonë.

___________

Arabët që adhurojnë Platonin dhe Aristotelin

Sot në botë Platoni, Aristoteli, Pitagora e Plotini mësohen në shkolla si themelues të traditës intelektuale të Perëndimit. Ata i konsiderojmë si mendimtarë që e zhvilluan mendimin kritik, logjikën, të menduarit me anë të koncepteve, pra si shtegçelës të metodës shkencore.

Por ekziston një grup i vogël etno-fetar në botë, në besimet e të cilit Pitagora, Platoni dhe Aristoteli nuk nderohen si filozofë, por si profetë të Zotit. Ky grup janë Druzët, në traditën fetare të të cilëve janë sintetizuar të gjitha fetë e Levantit dhe filozofia antike greke.

Pasi u kanë mbijetuar për 1000 vjet stuhive të historisë, ata sot po përballen me një fushatë sistematike shkatërrimi nga regjimi i ri në Siri.

Në antikitet dhe në mesjetë Lindja e Mesme ishte toka ku njerëzit bashkëjetonin brenda një pluralizmi shumë kompleks fetar, gjuhësor e kulturor. Druzët janë mbase dëshmia e fundit e gjallë e asaj bote. Mbrojtja nga Izraeli mbetet shpresa e tyre e fundit në një botë ku urrejtja dhe ideologjitë intolerante po rikthehen fuqishëm në teatrin tragjik të Historisë.

___________

Diktaturat nuk lindin vetëm nga njerëz që duan të kenë pushtet absolut dhe për t’ia arritur këtij synimi nuk zgjedhin mjete.

Diktaturat lindin edhe nga njerëz me pretendime të tjera, që janë të rrafshit epistemologjik e moral. Në këto raste kemi të bëjmë me njerëz që kanë vetëvlerësim absolutist për veten. E mendojnë veten të pagabueshëm, të pakorruptueshëm dhe moralisht superior mbi kundërshtarët e tyre. Dhe të tillët, kur vijnë në  pushtet dhe ballafaqohen me dështimet, gabimet dhe abuzimet e pushtetit të tyre, në vend të autokritikës, vrapojnë t’i akuzojnë të tjerët për krejt gjërat që shkojnë keq mbi faqe të dheut. Është vlerësimi absolutist për veten që i shpie në këtë rrugë.

Projektimi i të gjitha të këqijave tek të tjerët, nuk vonon të prodhojë bindjet konspirative mbi politikën. E kur këto bindje besohen përnjëmend, vetëm një hap larg ndodhet diktatura institucionale.

Krejt këto dihen prej kohësh, por, siç thotë diku një autor francez, meqë njerëzit, ta hajë dreqi, nuk po marrin vesh, atëherë duhet t’i përsërisim e përsërisim vazhdimisht ato që janë thënë e dihen qysh moti.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Tregues i një bote të errët Blerim Latifi: Një kujtim për 24 marsin e Gllogjanit Blerim Latifi: Kjo është historia e Kajtaz Muharremit Blerim Latifi: Të prehesh në varr me emrin e armikut në gur Blerim Latifi: Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ekzaktësisht produkte të Perëndimit të bashkuar Blerim Latifi: Fillimi i fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve mes shteteve Blerim Latifi: Shumë gjatë është punu në këtë vend që me mbrri në ditën kur do ta pshtyjmë në fytyrë Amerikën Blerim Latifi: William Walker na fton të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura Blerim Latifi: Ai mbetet gjithmonë si një shembull unik Blerim Latifi: Mjerim intelektual e kulturor ishte Perandoria Osmane Blerim Latifi: Një histori unike në kodin universal të rezistencës kundër shtypjes dhe poshtnimit Blerim Latifi: Dikush që në moshën e pjekur largohet nga atdheu dhe e harron gjuhën e nanës, nuk e meriton vëmendjen e bashkatdhetarëve të saj Blerim Latifi: Ahmet Delia do të vdiste duke bërë qëndresë Blerim Latifi: Shpesh ka ndodhur gjatë historisë që një komb të vuaj më shumë nga budallenjtë e tij, se nga armiqtë e jashtëm Blerim Latifi: Brezi i fundit i heroinave të heshtura po pakësohet Blerim Latifi: Leksione nga manualet e moçme të diktaturave Blerim Latifi: Mendja e paedukuar është si një tokë e lënë djerrinë Blerim Latifi: Ne vazhdojmë të funksionojmë me mentalitetin e regjimeve autoritariste Blerim Latifi: Natyra e komunizmit! Blerim Latifi: Nuk duhet të lejojmë që përdorimi politik i feve ta rikthejë këtë komb në të kaluarën e tij të errët

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx