Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Nuk duhet të lejojmë që përdorimi politik i feve ta rikthejë këtë komb në të kaluarën e tij të errët
E enjte, 26.09.2024, 06:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Një
ndër arsyetimet që po përmendet nga ata që janë pro idesë së Ramës për një
shtet bektashi në Shqipëri, është edhe kontributi historik që bektashinjtë kanë
dhënë për ngritjen e nacionalizmit shqiptar. Dhe vërtet ky kontribut është fort
i madh. Patrioti më i madh shqiptar në Shekullin e Rilindjes Kombëtare vinte
prej tyre. Quhej Abdyl Frashëri.
Por
si t'ia bëjmë me Urdhërin e Françeskanëve në Veri, i cili po ashtu ka dhënë
kontribut fort të madh për të njëjtën çështje, bile për një periudhë shumë më
të gjatë se bektashinjtë?
A
duhet edhe atyre t'u ofrohet mundësia që po u jepet bektashinjëve
shqiptarë?
Nëse
nuk është e mundur, atëherë i bie se shteti shqiptar po vepron me logjikën e
diskriminimit. I bie si t'i thuash bektashiut Mitat Frashëri se për kontributin
tënd në drejtimin e Kongresit të Alfabetit në Manastir do të shpërblehesh me
një shtet brenda shtetit shqiptar, ndërsa françeskanit Gjergj Fishta për të
njëjtin kontribut të mos i jepet asgjë.
Të
tilla janë konsekuencat e një ideje dhe debati të panevojshëm.
Fatmirësisht
kur bektashiu Mitat Frashëri dhe françeskani Gjergj Fishta u takuan në
Manastir, në mendje kishin jo rehatimin e grupeve të tyre fetare, por si të
ngrinin një komb modern shqiptar që qëndron mbi fetë, si e vetmja rrugë për të
qëndruar e pasur një vend mes kombeve të lira europiane. Në fakt, si e vetmja
rrugë që bën të mundur vetë ekzistencën e këtij kombi shqiptar. Dhe si e vetmja
rrugë për të mos lejuar që përdorimi politik i feve ta kthej këtë komb në të
kaluarën e tij të errët e të mjerë.
___________
Të
vërtetat e kanë të vështirë të depërtojnë në veshët e bllokuar me dyllin e
miteve dhe iluzioneve, prandaj shpesh ato, pra të vërtetat, duhet të bëjnë
zhurmë, të alarmojnë dhe ndonjëherë edhe të brutalizohen në mënyrë që të arrijnë
të dëgjohen.
Këtyre
situatave u takon edhe deklarata "brutale" e ambasadorit Hovenier.
Nën tonin e saj jodiplomatik qëndron një e vërtetë shumë diplomatike. Ajo që
mendimtari amerikan, Joseph Nye, e paraqet në formë analogjie: Të jesh anëtar i
bashkësisë ndërkombëtare të shteteve është si të jesh anëtar i një klubi, ku
gjëja e parë që duhet të bësh është të pranosh rregullat e lojës dhe e dyta të
sillesh sipas tyre. Nëse e bën të kundërtën ose të përjashtojnë nga loja, ose
të dëbojnë krejt nga klubi.