E marte, 14.01.2025, 08:36 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Seminari po merr formën e një akademie të përvitshme përkujtimore!

E merkure, 21.08.2024, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Kam përshtypjen se ky Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare përherë e më shumë po merr formën e një akademie të përvitshme përkujtimore.

Kjo ka një shpjegim: prej kohësh mungojnë ristë e rëndësishme në studimet albanologjike. Kur mungojnë gjërat e reja, krejt çfarë mbetet është përkujtimi ritualistik i të kaluarës.

Por çfarë shkaku qendron pas këtij shterrimi të kërkimit albanologjik?

Nuk ka më ndonjë interesim serioz nga studiues të rëndësishëm ndërkombëtarë për këtë lloj kërkimi. Kjo ka sjellur edhe krizën në departamentin e brendshëm të kërkimit albanologjik. Arsyeja është e qartë: prej kohës së Johann Georg von Hahn studiuesit shqiptarë kanë qenë të varur nga të gjeturat e studiuesve ndërkombëtarë. Kontributet kryesore në albanologji janë meritë e tyre.

Natyrisht faktorëve që i kanë kontribuar krizës u duhet shtuar edhe faktori politik. Kosova ende nuk ia ka dalë  të normalizohet pas shkatërrimit të plotë të saj gjatë viteve të sundimit të Milosheviqit dhe atyre të luftës, ndërsa Shqipëria, duke bërë përpjekje anarkike për të lënë pas trashëgiminë komuniste, në rrugë e sipër ka shkelmuar edhe kulturën kombëtare.

Kriza në shkencë, thotë filozofi i shkencës Thomas Kuhn, shfaqet kur një paradigmë e vjetër shkencore nuk është në gjendje të ofrojë zgjidhje për problemet e reja që kanë dalë rrugës. Tejkalimi i krizës nënkupton lindjen e një paradigme të re që ofron konceptet dhe instrumentet e duhura metodologjike për ta kryer këtë punë. Nëse shkenca nuk e bën këtë zëvendësim paradigmash, ajo është e destinuar të vdes. Si organizmi i gjallë që merr fund nga pafuqia për t'iu përshtatur ndryshimeve të biosferës.

Në këtë pikëpamje studimeve albanologjike u mbeten dy rrugë përpara: paradigmat e reja për problemet e reja, aktuale, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ose muzeizimi.

___________

Me 9 gusht një i moshuar ra në një pusetë të hapur në një rrugë që lidhë Prishtinën me Podujevën. Sot mediat lajmëruan se plaku i shkretë ka vdekur, si pasojë e plagëve të marra. Menjëherë filluan përplasjet mes zyrtarëve komunalë dhe atyre qeveritarë për ta larguar fajin nga vetja. Për përgjegjësi as që bëhet fjalë. Askush nuk do të shkarkohet, ndërsa storia për plakun do të harrohet shpejt.

Kjo është Kosova jonë ku të gjithë vrapojnë të rrëmbejnë pushtete dhe askush nuk merr përgjegjësi për dështimet e gabimet që bëhen. Sepse jeta njerëzore në këtë vend është bërë aq e pavlerë.

Kjo është Kosova jonë: një vend ku u këndohet me çifteli vdekjeve heroike, ndërsa njeriu i zakonshëm sapo të dalë në rrugë rrezikon të gjejë vdekjen nga shkaqe krejtësisht banale.

Nga një pusetë në rrugë që e kanë lënë të hapur. Nga një lukuni qensh të egërsuar, nga shumë të tilla që popullojnë çdo rrugë të kryeqytetit.

Nga një kulm ndërtese që shembet edhe nga një erë e rëndomtë, sepse është punuar për faqe të zezë.

Nga shoferë të çmendur që në mes të qytetit vozisin si në garat e Formula's.

Nga një tel i rënë i energjisë elektrike, nga mijëra të tillë që qëndrojnë mbi kokat e njerëzve si rrjete merimangash.

Nga qindra shkaqe banale, që në tërësinë e tyre pasqyrojnë keqqeverisjen e këtij vendi në çdo nivel.

___________

E pashë një intervistë të Al Pacinos me James Lipton. I rritur në kushte të vështira ekonomike, nga shkaku i divorcit të prindërve, Pacinos i ishte dashur të siguronte bukën e gojës si punëtor i bartjes së mobileve. Derisa nëna e dërgonte në teatrin e lagjes, ai zbulon dashurinë për aktrimin. Më vonë, i mbetur pa strehë, ai kalon netët në kthinat e teatrit. Aty zhytet në leximet e klasikëve të letërsisë europiane, asaj ruse e franceze më shumë. Marroset pas dramave të Çehovit. Dhe një ditë krejt mundi i shpërblehet.

Këtu tek ne, ndërkaq, njerëzit duan të bëhen aktorë të mëdhenj pa lexu kurgjo, pa e njohur Kanunin Letrar të Perëndimit, por veç me qyfyret e pazarit. Dhe kur dështojnë, i sulen me të shame shtetit që s'po i ndihmon.

___________

Llojeve të shumta të mashtruesve që bëjnë pare duke shfrytëzu injorancën e njerëzve, kohëve të fundit i është shtu edhe një lloj i ri: trajnuesit motivues. Këta demek si njerëz të suksesshëm që i trajnojnë të tjerët për të çarë rrugën e suksesit në jetë. Në fund të çdo trajnimi rezultati është ky: trajnuesi merr paratë, ndërsa të trajnuarit një grumbull frazash boshe.

___________

Lufta në Ukrainë dhe ajo në Lindje të Mesme janë në fakt dy fronte të një lufte të vetme, e që është lufta midis Perëndimit dhe fuqive autoritariste të Lindjes.

Kriza financiare në dekadën e parë të këtij shekulli u kuptua nga strategët e këtyre fuqive si shenjë e rënies së Perëndimit, prandaj edhe si momenti më i volitshëm për ta ribërë rendin botëror sipas një skeme postperëndimore.

Në funksion të kësaj u krijua miti për ekonominë kineze që ka lënë prapa krejt ekonomitë e botës, përfshi atë të SHBA's, ndërsa rusët morën përsipër krijimin e kaosit në botë përmes industrisë së dezinformimit dhe përmes ndezjes së luftës në Europë dhe në Lindjen e Mesme.

Krejt ky skenar është në zhvillim e sipër, por jo ashtu siç ishte planifikuar. Aktualisht trupat ukrainase po marshojnë në territorin rus, ndërsa aleati kyç i Rusisë në Lindje të Mesme, Irani, nuk po ka guxim të bëj pjesën e tij të lojës, edhe pas turpnimit që ia bëri Izraeli duke e eleminuar kreun e Hamasit n'midis të Tehranit.

Vërtet shtetet liberale duken të dobëta dhe frikacake përballë retorikës agresive të diktaturave, por kur vendosin të luftojnë atëherë ua kallxojnë përnjimend vendin këtyre të fundit.

___________

Kosova ka rënë shumë poshtë në perceptimin e diplomacisë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se tani trajtohemi thjesht dhe vetëm si një vend në krizë, me rrezik të lartë të rrëshqitjes në dhunë dhe ku e vetmja gjë me interes ndërkombëtar është menaxhimi i këtij rreziku. Prandaj vazhdimisht kemi  reagime të ashpra ndaj veprimeve që për ne duken krejt normale dhe të ligjshme, siç është edhe kjo puna e Urës në Mitrovicë.

___________

Nekropolitika është fjalë e greqishtes. Do të thotë të bësh politikë me të vdekurit. T'i kthesh të vdekurit në kapital politik. Dhe në vende ku ka nekropolitikë, nuk duhet pritur të gjesh edhe biopolitikë, pra politikë që merret me problemet e të gjallëve. Dhe fatkeqësisht ne jemi njëri prej këtyre vendeve. Sa pak ekonomi [ biopolitikë] ka në të folurit tonë politik, e sa shumë varre. Tmerrësisht shumë. Prandaj të gjallët, në kërkim të ekonomisë, po ikin, duke lënë këtu veç varret. Dhe politikën e çmendur që jeton prej tyre.

___________

Esenca e gjërave fshihet në zanafillën e tyre, thotë Martin Heidegger. Prandaj të kuptuarit e tyre nënkupton rikthimin tek zanafilla e tyre. Për ta konstektualizuar në rastin tonë: esenca e shtetit të Kosovës fshihet në zanafillën e tij. Kush e injoron këtë fakt nuk do ta kuptojë kurrë këtë shtet, përfshi mënyrën se si gjallëron ai.

___________

Njerëzit janë të prirun me i ngatërru elokuencën me diturinë. Atë që flet rrjedhshëm e bukur e marrin edhe për njeri të ditun, që ka në xhep shkopin magjik për t'u dhënë fund krejt halleve e brengave të tyre. Kështu magjepsen pas melodisë së fjalëve, i kapë zjarrmia e tyre dhe veç kur i sheh duke u shndërru në mish për top të ideologjive e sekteve. Imunizimi nga magjepsja prej fjalëve është një nga kushtet themelore të mbrojtjes së lirisë personale. Por vetë ky imunizim kërkon përmbushjen e një kushti paraprak: mendimin kritik.

___________

U hyna me rend arave buzë rrugës në Prekaz e kund s'mund gjeta shtalba të bardhë. Krejt i kishin mbjellë të llojit tjetër, misër të ëmbël. Kjo tregon se buka e misrit tanimë i përket të kaluarës. Shija e misrit të ëmbël, siç dihet, nuk i ofrohet fare asaj të të bardhit. Sidoqoftë rëndësi ka nostalgjia e rrotullimit të shtalbit në prush, nën freskinë e kandshme të netëve të gushtit.

___________

Një rus dhe një çeçen i sjellin dy medalje olimpike Shqipërisë. S'ka kurfarë krenarie kombëtare këtu. Dhe entuziazmi i shfaqur në mediat e Tiranës është qesharak.

___________

Shikoni lajmin e dytë, të tretë, të katërt dhe kohën e  publikimit të tyre. Kjo është përditshmëria e grave në shoqninë kosovare, një shoqni ku burrat luten që NATO t'i mbrojë nga agresioni i Serbisë gjatë kohës kur vetë sillen si kriminelë të egër me gratë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora