E premte, 14.02.2025, 05:37 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Tolerimi i jotolerancës shpie në fundin e demokracive dhe të çdo lirie

E hene, 29.07.2024, 07:00 PM


Prof. Blerim Latifi:

Ngrihen kundër Festivalit Sunny Hill. Kundër DokuFestit. Kundër Festivalit të Birrës. Kundër të gjitha festivaleve dhe eventeve të shoqnisë moderne. Ngrihen kundër festave kombëtare. Kundër festave të fundvitit. Kundër festave të maturantëve.

Madje edhe kundër të drejtës së njerëzve me i festu ditëlindjet e tyre.

Ngrihen kundër çdo gjëje që reflekton karakterin e një shoqërie të lirë dhe europiane. Talibanë 100 %. Mos më keq se vetë ata të shkretinave e gjirizeve të Kabulit e Kandaharit, marrë parasysh faktin se shpesh kopja është më e keqe se origjinali. Dhe gjoja thirren në lirinë e shprehjes. Po sa hajvani e krimineli ka ardhur në fuqi duke shfrytëzuar lirinë e shprehjes e të tubimit dhe naivitetin e shoqërive që  nuk arrijnë të kuptojnë se tolerimi i jotolerancës shpie në fundin e demokracive dhe të çdo lirie.

___________

Diku në fund të viteve '70, të shekullit të kaluar, në Fakultetin Filozofik mbahet një mbledhje për të bërë shpërndarjen e bursave shtetërore për vizita studimore jashtë vendit. Pasi lexohet lista e përfituesve, një asistent i asaj kohe e vëren se krejt bursat i kishin marrë profesorët, ndërsa asistentët asnjë. - E për ne nuk ka bursa a?- pyet asistenti. Njëri nga profesorët( figurë e shquar e historisë tonë më të re), i përgjigjet: - Ne po i marrim bursat, juve u përket e ardhmja e ndritur.

Kështu pak a shumë bëjnë edhe politikanët: pushtetin për vete, derisa për popullin poemat e bukura mbi të ardhmen e ndritur.

___________

Ajo ishte ndër gratë më të shkolluara në Europën e shekullit 19. Mentori i diplomës së saj ishte Aleksandër von Humboldt, një ndër mendjet më enciklopedike të shkencës së atij shekulli. Vëllau i të famshmit Wilhelm von Humboldt, me të cilin lidhet koncepti i universitetit modern.

Njësoj si mentori i saj, ajo fliste të gjitha gjuhët e rëndësishme europiane, përfshirë latinishten dhe greqishten e vjetër.

Një feministe e hekurt në Europën maskiliste të shekullit 19.

Duke i qëndru besnike origjinës shqiptare të familjes së saj, ajo, krejt autoritetin intelektual që e kishte në qarqet akademike e politike të kohës,  do ta vinte funksion të çështjes shqiptare, në një kohë kur pakkush në Europë donte të dëgjonte për shqiptarët.

E quanin Dora d'Istria. E njohur nga ne më shumë si Elena Gjika.

M'u kujtua sot derisa po shikoja Distria Krasniqin duke mposhtur rivalet e saj në Lojërat Olimpike të Parisit.

___________

Në kafe tre burra ja krisën muhabetit për duhanin. Ndonëse ishin afër meje dhe fjalët e tyre po më hynin në vesh, s'doja t'ia dija fare për ato që thoshin, derisa njëri prej tyre e përmendi një term, i cili e ndërroi aty për aty rrjedhën e mendimeve të mia. Termi që ai zuri në gojë ishte "duhani kaçak".

Më erdhi disi çuditshëm kur e dëgjova. Sigurisht nga fakti se ka kohë që nuk e kam dëgjuar këtë term, i cili dikur ishte aq i njohur dhe përdorej dendur, sidomos nga pleqtë.

I trajnuar në historinë e koncepteve( filozofia) menjëherë më vajti mendja tek dy pyetje: Çka domethanë "duhani kaçak"? Prej nga e ka origjinën ky term? Nuk kam hasur ndonjëherë në literaturë ku shpjegohet kjo gjë. Edhe një kërkim në internet nuk më siguroi ndonjë informatë të vlefshme. Më mbetej të supozoja një shpjegim logjik, duke u nisur nga zbërthimi etimologjik i termit. Dhe ky zbërthim ka të bëj me fjalën "kaçak". Origjina e saj është turke: kaçaku është një njeri i armatosur që ka ngritur krye kundër rendit ligjor të një shteti. Pra një njeri i paligjshëm nga pikëpamja e shtetit.  Një outlaw man, siç njihet në botën anglishtfolëse.

Siç e analizon Eric Hobsbawm në librin e tij "Banditët" ky lloj rebeli është tipik për shoqnitë fshatare paramoderne. Kur këto shoqni vuajnë nga masat represive të shtetit, atëherë në to kaçaku fiton aurën e një heroi.  Si Robin Hoodi tek anglezët, Wilhelm Teli në Zvicër apo komitët, hajdukët dhe kleftët në Ballkanin otoman dhe postotoman.

Por për të mos shkuar më tej dhe për të mos u zgjatur, të kthehemi tek tema për të cilën u nis ky tekst.

Sipas logjikës së supozimit tim ky emërtim "duhan kaçak" ose i referohet, në terma turke, një duhani të papërpunuar industrialisht e të shpërndarë në mënyrë të paligjshme (kaçakçe), pra kontrabandë, ose i referohet duhanit të konsumuar nga kaçakët e maleve, të cilët në kushtet e tyre të jashtëzakonshme të jetesës kanë bërë duhan prej barishteve e gjetheve.

Cila nga këto dy hipoteza mund të jetë e vërtetë?

Duhen prova empirike nga fusha e asaj që quhet "histori sociale" për të dhënë përgjigje në këtë pyetje. Dhe këto prova kërkojnë hulumtime. E këto hulmtime kërkojnë kohë. Dhe hulumtimet mund të nxjerrin prova të tjera që i hedhin poshtë të dy hipotezat. Këtë proces Karl R.Popper e quan proces i përgenjështrimit të hipotezave.

Ja pra sa të komplikuara janë gjërat, të cilat ne i konsiderojmë të thjeshta dhe mjaftueshëm evidente. Dhe sa i komplikuar është ai që quhet hulumtim shkencor. Sidomos në fushën e shkencave sociale, ku rrjeti i dendur i "diturive popullore" dhe keqpërdorimi e keqkuptimi i termave dhe koncepteve brenda këtyre diturive, shpesh e bëjnë hulumtimin të pashpresë.

Vetëm pasi të çlirohemi nga "siguritë epistemologjike" të këtyre "diturive", ne mund të hyjmë në shtegun që na shpie tek të vërtetat që kanë kredenciale shkenore. Dituria e vërtetë, thotë Platoni, fillon vetëm pasi të heqim qafesh opinionet e agorës( sheshit, pazarit).

___________

Në letërsinë franceze të shekullit 19 ka qarkulluar një frazë, e cila sot lidhet me emrin e artistit të njohur amerikan Andy Warhol. Fraza është : 15 minutat e famës. Para më shumë gjysmë shekulli Warhol profetizonte se do të vinte një kohë kur çdokujt do t'i mundësoheshin 15 minuta famë. Ajo çfarë po ndodhë sot në rrjetet sociale është saktësisht përmbushje e kësaj profecie. Dhe kjo përmbushje është krejtësisht e egër,  e paskrupullt, e nënshtruar vetëm ndaj një principi, principit makiavelist "qëllimi justifi?on mjetet". Pra le të mos e kufizojmë veten nga asnjë mjet a mënyrë që na sjell 15 minuta e famës!

Krejt ky obsesion me gjasë lidhet me shpejtësinë marramendëse të cilën është duke e zhvilluar makina e qytetërimit aktual teknologjik. Dhe si në optikë që pamjet zhduken shpejt nga sytë e vëzhguesit që lëviz me shpejtësi, edhe në shoqëritë e ndryshimeve të shpejta teknologjike fama ka të njëjtin fat.

Dikur vdekatarët e famshëm të tokës krahasoheshin me yjet që shkëlqejnë përjetësisht në qiellin e natës, ndërsa sot ky krahasim është bërë krejtësisht i demoduar. I vetmi krahasim është ai me meteorët. Pra 15 minuta shkëlqim dhe pastaj çfarë?  Zhdukje. Në harresën e përjetshme dhe pluhurin e madh që lë pas makina e çmendur e qytetërimit teknologjik.

___________

Muzgu po binte. Muzgu i ditëve përvëluese të korrikut. Tutje makinat vinin e shkonin me nxitim. Ktheva djathtas rrugën dhe u ngjita në Bregorën e Marinës. Sa i bukur ky emër! Dhe sa i shenjtë ky vend. Edhe heshtja që mbizotëronte aty, e shenjtë.  Një pllakë e gjatë që duket si një kolonë e nisur në marshim. Dhe mijëra emra të gdhendur në të. Burrat dhe gratë e Kosovës, djemtë dhe vajzat e saj, të rënë për gjënë më të shtrenjtë që kanë njerëzit dhe popujt: Lirinë.

___________

Në vitet '90 u pat kriju miti i Serbisë së gjithfuqishme, të cilës nuk guxohet as hija t'i shkelet. U dasht me u kriju UÇK-ja që me bindë veten se edhe polici serb është prej mishi e gjaku.

Sot, për shkakun e budallallëkut tonë kronik, e kemi kriju një mit tjetër të Serbisë së gjithfuqishme. Ky është miti i një Serbie që gjendet dhe ndikon në çdo pore të ekizstencës sonë. Me këtë nuk dua të përjashtoj aspak luftën hibride të Serbisë kundër Kosovës, planet e ndyta të saj kundër shtetit tonë, por kjo që po bëjmë me përdorimin e Serbisë në kusuritjet tona të brendshme, është përtej çdo logjike e arsye të shëndoshë. Është tmerrësisht abnormale.

E kemi bërë Serbinë makthin e jetës tonë të përditshme. Një makth nga i cili nuk po mund të zgjohemi dot. Nëse mund ta perifrazonim kështu thënien e Stefan Dedalusit tek "Uliksi" i James Joyce'it.

___________

U fol shumë ditëve të fundit për burgjet( për arsye që dihen) dhe befas më shkrepi të lexoj diçka nga ajo që quhet "letërsi e burgut". Nuk kisha dilemë se kë të zgjidhja. Midis sa e sa titujve shumë të njohur e më pak të njohur të kësaj letërsie, shkëlqen "Shënime nga shtëpia e vdekur" e Dostojevskit.

E mora me njëfarë dyshimi se nuk do të mund ta lexoja, shkaku se e pata lexuar shumë vite më parë dhe e dija thelbin e tregimit, por më ndodhi e kundërta. Kënaqësia e leximit ishte e njëjtë. Në mos më e madhe. Ja pra çka e definon thelbin e klasikëve të letërsisë:  kënaqësia e rileximit. Në rastin konkret, si në krejt veprat e tij, Dostojevski kujdeset ta shoqëroj rrëfimin e tij me refleksione filozofike e psikologjike. Në këtë pikëpamje "Shënime nga shtëpia e vdekur" mund të lexohet fare mirë edhe si një antropologji e psikologji e burgut.

___________

Me vendim të BE-së serbët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Zonën e Shengenit, me pasaporta të lëshuara nga Serbia, e në të cilat vendbanimet e tyre në Kosovë figurojnë sikur të jenë në Serbi. Kjo do t'ua mundësoj serbëve të Kosovës që ta përjetojnë edhe ma shumë veten si pjesë të Serbisë. Pra lamtumirë shtet multietnik i Kosovës! Dhe ngushëllime gjithë atyre që shihnin ëndrra me sy çelë për nji komb multietnik kosovar!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora