Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Historia e arratisjes më të famshme në Jugosllavinë e Titos
E premte, 19.07.2024, 08:00 PM
HISTORIA E ARRATISJES MË TË FAMSHME NË JUGOSLLAVINË E TITOS
Nga Prof. Blerim Latifi
Ndjekja
që iu bë nëpër Serbi Faton Hajrizit, më kujtoi një histori të vjetër
arratisjeje, të cilën e kam dëgjuar shpesh në fëmijërinë time në Prekaz. Është
historia e njërës prej arratisjeve më të famshme nga burgjet e Jugosllavisë
socialiste, në tërë ekzistencën e saj. Protagonisti i kësaj arratisje është
njeriu që shikoni në fotografinë e parë, poshtë këtij teksti. Emri i tij është
Isë Zymer Prekazi, nip i prijësit të njohur, Ahmet Delisë.
I
lindur në vitin 1904, gjatë viteve 1941- 1944 ai ushtron detyrën e kryetarit të
Komunës së Prekazit. Pas ardhjes së brigadave partizane në Drenicë, ai refuzon
të dorëzohet tek ato dhe me një grup njerëzish arratiset në male.
Fillimi
i kryengritjes së Shaban Polluzhës e gjen në krye të një batalioni të kësaj
brigade, batalion i cili kishte për detyrë mbajtjen nën kontroll të rrugës
Mitrovicë - Pejë, e cila kalonte nëpër Drenicë.
Pas
shuarjes së Kryengritjes së Shaban Polluzhës, Isa sërish mbetet maleve. Gjatë
asaj kohe pushteti jugosllav shpallë një amnisti të përgjithshme për të arratisurit
që kishin marrë pjesë në kryengritje. Isën e bindin në vërtetësinë e kësaj
amnistie dhe ai dorëzohet tek pushteti jugosllav në Skënderaj. Me t'u dorëzuar,
ai e kupton se me të do të veprojnë ndryshe. Shpejt e sjellin para gjykatës
ushtarake në Mitrovicë, e cila e dënon me pushkatim. Gjatë seancës
përfundimtare një zyrtar i afrohet kushërinit të Isës, Brahim Ahmetit, dhe i
thotë se ka një mundësi për t'i shpëtuar pushkatimit: të mblidhet një sasi e
madhe parash, me të cilat do të korruptohet gjykatësi. Brahimi kthehet në
Prekaz, mbledh paratë nëpër të afërm dhe në apelim të vendimit dënimi me vdekje
i shndërrohet në dënim me 20 vite burg. Menjëherë e dërgojnë në burgun e
Mitrovicës së Sremit.
Fillimi
i viteve '50. Koha e terrorit të Rankovi?it. Shtohet dhuna mbi të burgosurit
shqiptarë në burgjet jugosllave. Shumë prej tyre vriten në tortura, siç është
rasti me NDSH'istin Isuf Kabashi nga Polaci. Isë Zymeri e di se nuk do t'i
shpëtoj kësaj ploje të UDB'së. Në këtë situatë ai e merr një vendim radikal: të
arratiset nga burgu. Shokët me të cilët e diskuton planin, shprehin dyshime për
suksesin e planit. Arsyeja themelore: Janë aq larg nga Kosova. Duhet të kalojnë
gjithë Serbinë për të arritur atje. Shto kësaj ndjekjen nga policia dhe
mosnjohjen e terrenit. E tëra u duket një çmenduri. Isa nuk tërhiqet nga
vendimi i marrë. Shokët me të cilët e diskuton planin janë Hilmi Zariqi nga
fshati Baicë i Drenasit dhe një i burgosur i ri, Murtez Fetahu nga fshati
Qirez. Dhe dita kur do të vihej në zbatim plani i arratisjes, arrin. Të
burgosurit nxirren për të punuar në plantacionet shtetërore të mistrit në
Vojvodinë. Isa u jep shenjën dy shokëve të tij dhe të tre marrin arratinë mes
fushave. Ende pa u larguar nga perimetri i kontrolluar prej rojeve, Hilmi Zariqi
vritet, ndërsa Isa dhe Murtezi ia dalin të arratisen me sukses. Në Beograd
jipet alarmi. Mobilizohen mijëra trupa në ndjekje të të arratisurve. Qyteteve
dhe fshatrave shpërndahen fotografitë e tyre. Të dy të arratisurit arrijnë të
kalojnë Danubin dhe nisen drejt jugut. Gjatë rrugës u shmangen vendbanimeve,
ndërsa ushqehen me barishtet e pyjeve. Pas dy javësh të arratisë, diku në
Serbinë qendrore, hetohen nga një grup i ndjekjes. Nga të shtënat plagoset
Murtezi, i cili kapet nga policia, ndërsa Isa ia del të shpëtoj duke u zhdukur
në brendi të pyjeve. I mbetur vetëm, ai endet edhe për dy javë të tjera nëpër
Serbi, në kërkim të shtigjeve drejt Kosovës.
Pas
një muaji në arrati, i ndjekur nga mijëra efektivë të policisë jugosllave, një
natë Isa shfaqet në Prekaz dhe troket në derë të kusherinit të tij, Vesel
Ahmetit. Siç rrëfente ky, kur e kishte parë në derë, nuk e kishte njohur fare.
Me rroba të shqyera, i dobësuar fizikisht, me mjekërr të madhe, gjithë plagë në
trup, ai i ngjante një njeriu të dalë nga varri. Isa ia tregon gjithë
historinë, i thotë se nuk mund të qëndroj në Prekaz dhe krejt çfarë i duhet
është një palë rroba dhe një pushkë.
Shpejt
merret vesh se Isa ka arritur në Drenicë dhe ndodhet në male. Në vend të
ndjekjes me forca policore, tani pushteti ndërmerr një dredhi tjetër për ta
kapur. E detyrojnë një të afërm të Isës nga një fshat tjetër që të fus në
kurth. Tradhtari shkon në Çyçavicë, gjoja për t'i dërguar ushqim, dhe në
momentin kur tenton t'ia grabis pushkën, Isa e heton dhe i hidhet sipër, duke
ia thyer duart dhe këmbët. Atë natë fshehurazi shkon në Prekaz, ia tregon
Veselit atë që i kishte ndodhur dhe pastaj i thotë se tanimë nuk ua ka besën as
njerëzve të afërm, prandaj do të arratiset për në Shqipëri. Veseli e shoqëron
deri në afërsi të kufirit. Bashkë me të është një i arratisur i njohur i atyre
viteve, luftëtari nga Shala e Bajgorës, Sherif Tërstena.
Dalja
e Isës në Shqipëri e tërbon pushtetin jugosllav. Ia burgosin gjithë familjen,
të cilën torturojnë mizorisht, ndërsa Veseli arrestohet dhe dënohet me 15 vite
burg. Në Shqipëri Isa dorëzohet tek organet shqiptare të sigurimit. Ato
dyshojnë në historinë e arratisjes që ua rrëfen. Në fund vendosin ta testojnë
besueshmërinë e tij. Pas disa muajve, së bashku me Aziz Zhilivodën, e vendosin
në krye të një grupi diversant, i cili do të futet në Kosovë me qëllim krijimin
e grupeve të rezistencës antijugosllave në mesin e shqiptarëve. Operacioni
diversant kalon me sukses të plotë. Në harkun kohor të dhjetë viteve Isë Zymeri
dhe Aziz Zhilivoda do të kryejnë disa operacione të tilla nga Shqipëria në
Kosovë. Në të fundit prej tyre, në vitin 1963, Isa e merr me vete në Shqipëri
djalin e tij të vogël. Tanimë kishte prekur të gjashtëdhjetat dhe forcat fizike
po e linin. I arratisuri i pakapshëm dhe diversanti i padukshëm, që u kishte
shpëtuar sa e sa operacioneve të ndjekjes, tani po e ndjente afrimin e të
vetmit kundërshtar prej të cilit nuk do të mund të arratisej, pleqërinë. Në
vitin 1978 vdes dhe varroset në Durrës.
I
arratisuri tjetër, Murtez Fetahu, pas 25 vitesh burg lirohet. Vdes disa vite
pas luftës së fundit. Pjesën e arratisjes nga burgu i Mitrovicës së Sremit, unë
e kam dëgjuar prej tij gjatë një të pame në fshatin Polac, në vitin 2004.
Ndërkaq, i arratisuri i tretë, Hilmi Zariqi, i vrarë në momentet e para të
arratisjes, është varrosur diku në Vojvodinë, në një varr të panjohur.
Personazhi tjetër, Aziz Zhilivoda, figurë kyqe në rezistencën antijugosllave në
Kosovë në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, vdes në Shqipëri në vitin 1994.
Sot një shtatore e tij qendron në sheshin e qytetit të Obiliqit.
Isë Zymer Prekazi, Vesel Ahmeti, Aziz Zhilivoda