E merkure, 19.03.2025, 09:44 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Njeriu që pa nga largësia e shekujve ardhjen e Shekullit amerikan

E enjte, 04.07.2024, 06:57 PM


Njeriu që pa nga largësia e shekujve ardhjen e Shekullit amerikan

Nga Prof. Blerim Latifi

Zogu i Minervës e nisë fluturimin në muzg!

Kjo ishte motoja e filozofisë së Hegelit.

Po cili është kuptimi i kësaj formule, që mund të duket e errët në sytë e një lexuesi të pamësuar me vokabularin hegelian?

Minerva është emri romak për perëndeshën Athina. Në panteonin e lashtë grek Athina ishte perëndesha e diturisë. Zogu i saj simbolik ishte huti.

Pse?

Huti është zogu i natës. Ai fluturon pasi të ketë mbaruar dita. Kështu bën edhe filozofia, sipas Hegelit. Ajo është fuqia e mendjes për të parë në errësirë, por parasegjithash fuqia e reflektimit mendor mbi atë që tanimë është përmbyllur. Kjo fuqi reflektimi synon të gjej logjikën e brendshme që ka prodhuar ngjarjet e një epoke të cilës i ka ardhur fundi.

Kur Hegeli hidhte në letër këto ide, ishte viti 1822. Përtej Atlantikut, para pak dekadash, ishte krijuar një komb i ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky shtet ende ishte shumë i dobët dhe përçmohej nga shtetet e fuqishme të Europës, të cilat e shihnin veten si epiqendrën e botës dhe të historisë.

Në këtë klimë europiane përçmimi politik e kulturor të SHBA-së, Hegeli do të shmangej pak nga motoja e filozofisë së tij dhe do të bënte një parashikim mbi të ardhmen e tyre: " Amerika pra është vendi i të ardhmes. Në kohën që po vjen qendra e rëndësisë botërore historike do të shfaqet atje... Ky është vendi i dëshiruar për të gjithë ata që janë të mërzitur me arsenalin historik që është Europa e vjetër".

Pas 125 vitesh kjo profeci do të përmbushej, kur me rënien e Nazizmit( 1945) do të niste ai që quhet "Shekulli amerikan". Ky është emri për rolin udhëheqës të SHBA'së në politikën globale, rol të cilin sot po mundohen ta minojnë diktaturat e mëdha, si Rusia e Kina, të mbështetura nga diktatorët e vegjël gjithandej botës. Falë këtij roli Kosova u bë e lirë dhe vazhdon të jetë e sigurtë në këtë kohë turbullirash gjeopolitike.

Po çfarë do të ndodhë në kohën që po vjen?

Fatkeqësisht nuk e kemi një Hegel që ta pyesim. Në vend të tij veshët tanë torturohen nga nostradamusët dhe babavangat e çmendur, që të ushqyer nga industria ruse e dezinformimit, përrallisin poshtë e lart, ditën dhe natën, mbi rënien e Perëndimit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx