Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Mbi konceptin e heroit
E diele, 21.07.2024, 06:57 PM
MBI KONCEPTIN E HEROIT
Nga
Prof. Blerim Latifi
Çka
është heroi? Nga shkaku i përdorimit të shpeshtë të këtij termi, ne e kemi krijuar
iluzionin epistemologjik se e dijmë përgjigjen në këtë pyetje. Por sapo të
heqim mbulesën e opinioneve dhe stereotipeve të zakonshme, para nesh shfaqet
kompleksiteti konceptual i figurës së heroit. Titulli i librit të famshëm të
mitologut Joseph Campbell, HEROI ME NJË MIJË FYTYRA, na e sugjeron këtë
kompleksitet.
Secila
kulturë e ka figurën e saj të heroit. Edhe të antiheroit. Figura që kemi ne
është sajuar nga shtresat kuptimore të vendosura nga dy burimet kryesore të
Civilizimit europian: mitologjia antike greke dhe tradita religjioze
abrahamike. Athina dhe Jerusalemi, siç thotë Leo Strauss. Vetë fjala
"hero" na vjen prej të parës.
Në
përfytyrimin e grekëve të lashtë heroi ishte një qenie më shumë se njeri dhe më
pak se perëndi. Një qenie që jetonte midis njerëzorëve të vdekshëm dhe
hyjnorëve të pavdekshëm. Kjo e përcaktonte edhe statusin e tij ontologjik.
Derisa perënditë zotëronin pavdekësinë, njerëzit e vdekshëm ishin të dënuar të
vdisnin dhe të harroheshin, heronjtë zotëronin lavdinë, nderimin e përjetshëm.
Në këtë rend kierarkik të ekzistencës, njerëzit e vdekshëm kishin vetëm një
mundësi që t'i iknin zhdukjes dhe harrimit: të bëheshin heronj. Kjo nënkuptonte
se ata duhej të arrinin virtytin e tyre esencial: të bënin vepra të
jashtëzakonshme, mbinjerëzore, të cilat, duke qenë të tilla, do të mbaheshin
mend përgjithmonë, nëpërmjet adhurimit e nderimit nga të gjallët.
Historiografia perëndimore ka lindur pikërisht nga ky motiv mitologjik.
Modelet
klasike të heroit në mitologjinë antike greke janë Herkuli, Akili e Odiseu.
Edhe Aleksandri i Madh e shihte veten brenda këtij modeli. Ai e konsideronte
veten gjysëm-perëndi, bir të hyjnive, pra hero.
Shpesh
në figurën antike të heroit e gjejmë një cilësi, të cilën grekët e vjetër e
quanin "hybris". Hybrisi është sjellja arrogante e heroit,
kryengritja e tij kundër perëndive dhe rendit të tyre, kryengritje e cila
rëndom përfundon me dënimin e rebelit. Miti i Sizifit, ai Prometeut dhe i
Ikariusit, mes shumë të tjerëve, e shprehin këtë motiv.
Nga
burimi tjetër i Civilizimit europian, pra tradita religjioze abrahamike, na
vjen një figurë tjetër, ajo e martirit ( dëshmorit). Dëshmori është ai që me
vetëdije pranon vdekjen e dhunshme për të dëshmuar që nuk heq dorë nga besimi i
tij. Figura e dëshmorit është qendrore në historinë e krishterimit të hershëm.
Ajo është histori e martirëve të besimit të krishterë, martirologji. Vetë
Krishti është kryemartiri. Islami e ka adoptuar figurën kristiane të martirit,
duke krijuar atë të shehidit. Natyrisht me anë të një sinteze, ku janë shkrirë
edhe elemente të huazuara nga Judaizmi mesianik.
Në
modernitet këto dy figura, heroi dhe martiri, përvetësohen nga ideologjitë
moderne, në mënyrë të veçantë nga ideologjia kombëtariste, nacionalizmi.
Nacionalizmi e merr figurën e heroit antik dhe e shndërron në heroin e kombit,
e merr martirin kristian dhe e shndërron në martirin e kombit. Meqë për një
komb liria është vlera supreme, atëherë heroi është dikush që bën vepra të
jashtëzakonshme për këtë liri, dhe martir është ai që vdes dhunshëm duke mos
hequr dorë nga besimi tek kjo liri.
Por
liria kombëtare është vetëm një dimension i konceptit modern të lirisë, koncept
i cili i përcakton vetë modernitetin. Të jesh modern do të thotë ta çmosh
lirinë para të gjitha vlerave tjera. Në këtë kontekst, heroi modern e ka fatin
të lidhur me idenë e lirisë. Nisur nga kjo edhe Hegeli e shikon heroin si një
figurë që vepron në përputhje me agjendën universale të lirisë, e cila
përmbushet në kursin e ngjarjeve historike.
Filozofia
post'hegeliane e historisë, ndërkaq, ka lëvizur në drejtim të zëvendësimit të
figurës së heroit me figura të tjera. Tash historia nuk shikohet si produkt i
pasioneve të heronjve, por si produkt i forcave shoqërore, klasave, grupeve,
racave, etj. Janë këto forca që e lëvizin historinë, e jo individët e
jashtëzakonshëm. Shkenca e Sociologjisë ka lindur nga kjo pikëpamje.
Në
shekullin e XX figura e heroit mbijeton në kulturën e kinematografisë dhe në
ideologjitë e popujve të vegjël, të cilët luftojnë për të arritur lirinë e tyre.
Kjo e dyta e shpjegon prezencën e kësaj figure në historinë tonë moderne. Të
shtypur mizorisht nga regjimet e ndryshme serbe, ne është dashur të lidhemi pas
kësaj figure, ta nderojmë , adhurojmë e krijojmë atë, për ta mbajtur gjallë dhe
ushqyer shpresën e çlirimit. Sepse në thelbin e figurës së heroit qëndron një
premtim: premtimi për ta arritur atë që na duket e pamundshme derisa jemi të
prangosur nga forcat e epërme që na thonë se ky është fati ynë përfundimtar.