E merkure, 30.04.2025, 05:25 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ofensiva e Qyçavicës

E hene, 23.09.2024, 07:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

Ofensiva e Qyçavicës ishte projektuar për t'i dhënë fund UÇK'së në njërin ndër bastionet e saj kryesore. Mbi 23 mijë ushtarë e paramilitarë serbë, në mëngjesin e 22 shtatorit 1998, nga gjashtë drejtime, ai Skënderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Drenasit, do të suleshin drejt Bjeshkës së Qyçavicës. Përballë tyre qëndronte Brigada 114 e UÇK'së, dhjetëfish më e paktë në numër dhe vetëm me armë të lehta kundër një makinerie tanksesh e artilerie të rëndë.

Dhe derisa mjegulla e vjeshtës së parë nga luginat po tërhiqej drejt majave të maleve, katundet filluan të digjeshin. Mijëra e mijëra gra, fëmijë e pleq ia mësyn Bjeshkës, për të gjetur strehim në prrojet e saj të moçme. Në grykat e rrugëve që shpinin drejt saj ushtarët e UÇK'së po i harxhonin fishekët e fundit. Shumë prej tyre u vranë në këto përpjekje. Në mesin e tyre edhe komandanti i Brigadës 114, Fehmi Lladrovci. Rrugët, livadhet, kodrat dhe luginat filluan të mbusheshin me të vrarë e të plagosur. I mbërthyer nën terrorin e njëres prej armatave më fuqishme të kohës në Europë, një popullatë e tërë po bënte sakrificën e fundme për hir të ëndrrës së lirisë. Në Malin e Shenjtë të Qyçavicës. Aty ku dikur, në kohë të moçme, siç thotë një legjendë e Drenicës, dëgjoheshin kambanat e 77 kishave dhe gurgullima e ujit të 77 krojeve.

____________

Shekulli i dytë pas Krishtit. Një rebelim i hebrenjve në Jude, i drejtuar nga Simon Barkoba, e zemëron fort Romën. Perandori Hadrian vendosë për masa gjenocidale: shkatërrimin total të hebrenjve. Kështu fillon ekzili i tyre pothuajse 2000 -vjeçar.

Të mbetur pa atdhe, pa tokë, pa mbrojtje institucuonale, ata detyrohen të bëjnë jetën e njerëzve të përbuzur dyerve të botës. Kisha mesjetare i shpallë "popull deicidal" dhe urrejtja ndaj tyre kanonizohet në botëkuptimin europian.

Kështu kalojnë shekujt. Të detyruar të jetojnë në kushte të tilla, me kalimin e kohës ata e zhvillojnë një lloj gjenialiteti kolektiv. Prej këtij gjenialiteti do të përfitojë shumë vetë Europa antisemite. Dhe kjo më së miri shihet në kanonin kulturor të saj. Historia e shkencës është e mbushur me emra hebrenjsh. Edhe ajo e filozofisë. Edhe ajo e artit dhe e kulturës. Edhe lista e fituesve të Nobelit. Edhe historia e kapitalizmit.

Pas krijimit të shtetit të Izraelit, në shekullin 20, arabët e bëjnë gabimin që e kishin bërë më herët europianët: nuk e pranojnë ekzistencën e këtij shteti dhe bëjnë çmos për ta zhdukur atë. Kjo ide i shtyn hebrenjtë që të krijojnë një supershtet, i cili, sot, ndonëse territorialisht i vogël, garon me shtetet më të fuqishme në tregun e teknologjive më të avancuara të luftës dhe të biznesit.

Ne sot kemi hyrë në epokën e Inteligjencës Artificiale. Fati i luftërave, i pushteteve dhe i ekonomive, tash e tutje do të përcaktohet prej saj. Dhe gjëja e parë që e shohim është se hebrenjtë janë aty ku po merr trajtë kjo epokë.

Ne popujt që ende humbim kohë me dije të skadume, i kemi qejf aforizmat popullorë. Po e mbylli këtë tekst me një të tillë: Kija inatin, po hakun jepja!

Kalofshi një ditë të bukur!

____________

Etimologjia është gjurmim i origjinës së fjalëve. Të shkosh tek rrënjët e fjalëve është një aventurë e këndshme intelektuale. Kuptohet nëse kjo aventurë mbështetet në baza e metodologji shkencore dhe jo në hamendje spekulative. Dhe në çastin kur e arrijmë cakun, befas na shfaqen kuptimet primordiale të fjalëve, të cilat qëndrojnë të fshehura thellë nën shtresat e dendura semantike që shekujt pasues kanë vendosur mbi to. Në këtë pikëpamje aventura etimologjike ka shumë ngjashmëri me zanatin e arkeologut. Ashtu si arkeologëve që u ndodh që nën një monument famoz të gjejnë një themel krejt të rëndomtë, edhe etimologjia shpesh në themelin një fjale të madhe zbulon një kuptim të thjeshtë, e shpesh edhe banal.

Ja shembulli që na intereson këtu: fjala "kritikë". Fjala është e greqishtes së vjetër dhe etimologjitë standarde na thonë se ajo vjen nga fjala "kritik?", rrënja e të cilës është folja "krino". Kjo e fundit ka kuptimet: të ndash, të dallosh, dhe krejt në fund edhe të gjykosh e të vendosësh.

Bazuar mbi këto domethënie kritika më pas është definuar si art i të gjykuarit dhe të shqyrtuarit të diçkaje. Pikërisht në këtë kuptim e hasim tek Kanti, i cili titullin e veprës së tij "Kritika e Mendjes së Pastër" e shpjegonte si hulumtim/shqyrtim i kapaciteteve njohëse të mendjes.

Por hulumtues më lucid të leksikut të greqishtes së vjetër, si Jean-Pierre Vernant, pyesin se çfarë kishin ndërmend fillimisht grekët e vjetër kur flisnin për këtë operacion të ndarjes, të dallimit e të gjykimit?

Ja përgjigjja: një aktivitet agrokulturor, të siturit. Sitja është përdorimi i një ene prej metali a druri me fund me vrima, përmes të cilës arrihet ndarja e kokrrave të grurit nga byku. Ashtu si kur gjatë të siturit që e ndajmë, e veçojmë, grurin e dobishëm nga byku i panevojshëm, edhe arti i kritikës ka për qëllim të ndaj, të veçoj, atë që vlen nga ajo që nuk vlen, të vërtetën nga rrena, faktin historik nga falsifikimi historik, veprën e artit nga një vepër kiçi, lajmin e vërtetë nga fake news-i, qeverisjen e mirë nga propaganda, cilësitë reale të subjektit nga marketingu manipulues, e kështu me radhë.

Në këtë kuptim, pra, kritika është arti i sitjes, arti i pastrimit të plehut. Thënë shkurt:  një ekologji e mendjes dhe e kulturës.

____________

Dëshirat i japin krahë imagjinatës. Ajo, në fluturimin e saj të lirë, mbledh sa andej e sa këndej copa të preme të realitetit, i gëlltitë ato, dhe një ditë në sytë e njeriut shfaqet si vetë realiteti.

Kështu lindin deluzionet, nga të cilat pastaj është tejet e zorshme për t'u çliruar.

Kur kjo bën vaki në jetën e individit, një jetë çohet dëm. Por kur i bën vaki një kolektiviteti, atëherë përmasat e humbjes janë tragjike.

Të urtët e lashtësisë e njihnin fort mirë këtë lidhje të shkurtër e të rrezikshme midis dëshirave dhe imagjinatës, prandaj edhe insistonin që në mes të tyre të vendosej një instancë disiplinuese për të dyjat: mendja. Por mendja duhet të jetë aq e fortë sa të mos korruptohet nga dëshirat ireale dhe imagjinata e lirë. Për këtë është shpikur edukimi racional.

____________

Njerëzimi, gjatë historisë së tij, ka përpunuar kush e di sa legjenda, vepra artistike e religjioze, për ta shprehur ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen. Kjo fotografi e qershorit 1999, e shkrepur prej një gazetari perëndimor, bën pjesë në trashëgiminë e tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx