| E hene, 23.09.2024, 07:58 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Ofensiva
e Qyçavicës ishte projektuar për t'i dhënë fund UÇK'së në njërin ndër bastionet
e saj kryesore. Mbi 23 mijë ushtarë e paramilitarë serbë, në mëngjesin e 22
shtatorit 1998, nga gjashtë drejtime, ai Skënderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë,
Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Drenasit, do të suleshin drejt Bjeshkës së
Qyçavicës. Përballë tyre qëndronte Brigada 114 e UÇK'së, dhjetëfish më e paktë
në numër dhe vetëm me armë të lehta kundër një makinerie tanksesh e artilerie të
rëndë.
Dhe
derisa mjegulla e vjeshtës së parë nga luginat po tërhiqej drejt majave të
maleve, katundet filluan të digjeshin. Mijëra e mijëra gra, fëmijë e pleq ia
mësyn Bjeshkës, për të gjetur strehim në prrojet e saj të moçme. Në grykat e
rrugëve që shpinin drejt saj ushtarët e UÇK'së po i harxhonin fishekët e
fundit. Shumë prej tyre u vranë në këto përpjekje. Në mesin e tyre edhe
komandanti i Brigadës 114, Fehmi Lladrovci. Rrugët, livadhet, kodrat dhe
luginat filluan të mbusheshin me të vrarë e të plagosur. I mbërthyer nën
terrorin e njëres prej armatave më fuqishme të kohës në Europë, një popullatë e
tërë po bënte sakrificën e fundme për hir të ëndrrës së lirisë. Në Malin e
Shenjtë të Qyçavicës. Aty ku dikur, në kohë të moçme, siç thotë një legjendë e Drenicës,
dëgjoheshin kambanat e 77 kishave dhe gurgullima e ujit të 77 krojeve.
____________
Shekulli
i dytë pas Krishtit. Një rebelim i hebrenjve në Jude, i drejtuar nga Simon
Barkoba, e zemëron fort Romën. Perandori Hadrian vendosë për masa gjenocidale:
shkatërrimin total të hebrenjve. Kështu fillon ekzili i tyre pothuajse 2000
-vjeçar.
Të
mbetur pa atdhe, pa tokë, pa mbrojtje institucuonale, ata detyrohen të bëjnë
jetën e njerëzve të përbuzur dyerve të botës. Kisha mesjetare i shpallë
"popull deicidal" dhe urrejtja ndaj tyre kanonizohet në botëkuptimin
europian.
Kështu
kalojnë shekujt. Të detyruar të jetojnë në kushte të tilla, me kalimin e kohës
ata e zhvillojnë një lloj gjenialiteti kolektiv. Prej këtij gjenialiteti do të
përfitojë shumë vetë Europa antisemite. Dhe kjo më së miri shihet në kanonin
kulturor të saj. Historia e shkencës është e mbushur me emra hebrenjsh. Edhe
ajo e filozofisë. Edhe ajo e artit dhe e kulturës. Edhe lista e fituesve të
Nobelit. Edhe historia e kapitalizmit.
Pas
krijimit të shtetit të Izraelit, në shekullin 20, arabët e bëjnë gabimin që e
kishin bërë më herët europianët: nuk e pranojnë ekzistencën e këtij shteti dhe
bëjnë çmos për ta zhdukur atë. Kjo ide i shtyn hebrenjtë që të krijojnë një
supershtet, i cili, sot, ndonëse territorialisht i vogël, garon me shtetet më
të fuqishme në tregun e teknologjive më të avancuara të luftës dhe të biznesit.
Ne
sot kemi hyrë në epokën e Inteligjencës Artificiale. Fati i luftërave, i
pushteteve dhe i ekonomive, tash e tutje do të përcaktohet prej saj. Dhe gjëja
e parë që e shohim është se hebrenjtë janë aty ku po merr trajtë kjo epokë.
Ne
popujt që ende humbim kohë me dije të skadume, i kemi qejf aforizmat popullorë.
Po e mbylli këtë tekst me një të tillë: Kija inatin, po hakun jepja!
Kalofshi
një ditë të bukur!
____________
Etimologjia
është gjurmim i origjinës së fjalëve. Të shkosh tek rrënjët e fjalëve është një
aventurë e këndshme intelektuale. Kuptohet nëse kjo aventurë mbështetet në baza
e metodologji shkencore dhe jo në hamendje spekulative. Dhe në çastin kur e
arrijmë cakun, befas na shfaqen kuptimet primordiale të fjalëve, të cilat
qëndrojnë të fshehura thellë nën shtresat e dendura semantike që shekujt pasues
kanë vendosur mbi to. Në këtë pikëpamje aventura etimologjike ka shumë ngjashmëri
me zanatin e arkeologut. Ashtu si arkeologëve që u ndodh që nën një monument
famoz të gjejnë një themel krejt të rëndomtë, edhe etimologjia shpesh në
themelin një fjale të madhe zbulon një kuptim të thjeshtë, e shpesh edhe banal.
Ja
shembulli që na intereson këtu: fjala "kritikë". Fjala është e
greqishtes së vjetër dhe etimologjitë standarde na thonë se ajo vjen nga fjala
"kritik?", rrënja e të cilës është folja "krino". Kjo e
fundit ka kuptimet: të ndash, të dallosh, dhe krejt në fund edhe të gjykosh e
të vendosësh.
Bazuar
mbi këto domethënie kritika më pas është definuar si art i të gjykuarit dhe të
shqyrtuarit të diçkaje. Pikërisht në këtë kuptim e hasim tek Kanti, i cili
titullin e veprës së tij "Kritika e Mendjes së Pastër" e shpjegonte
si hulumtim/shqyrtim i kapaciteteve njohëse të mendjes.
Por
hulumtues më lucid të leksikut të greqishtes së vjetër, si Jean-Pierre Vernant,
pyesin se çfarë kishin ndërmend fillimisht grekët e vjetër kur flisnin për këtë
operacion të ndarjes, të dallimit e të gjykimit?
Ja
përgjigjja: një aktivitet agrokulturor, të siturit. Sitja është përdorimi i një
ene prej metali a druri me fund me vrima, përmes të cilës arrihet ndarja e
kokrrave të grurit nga byku. Ashtu si kur gjatë të siturit që e ndajmë, e
veçojmë, grurin e dobishëm nga byku i panevojshëm, edhe arti i kritikës ka për
qëllim të ndaj, të veçoj, atë që vlen nga ajo që nuk vlen, të vërtetën nga
rrena, faktin historik nga falsifikimi historik, veprën e artit nga një vepër
kiçi, lajmin e vërtetë nga fake news-i, qeverisjen e mirë nga propaganda,
cilësitë reale të subjektit nga marketingu manipulues, e kështu me radhë.
Në
këtë kuptim, pra, kritika është arti i sitjes, arti i pastrimit të plehut.
Thënë shkurt: një ekologji e mendjes dhe
e kulturës.
____________
Dëshirat
i japin krahë imagjinatës. Ajo, në fluturimin e saj të lirë, mbledh sa andej e
sa këndej copa të preme të realitetit, i gëlltitë ato, dhe një ditë në sytë e
njeriut shfaqet si vetë realiteti.
Kështu
lindin deluzionet, nga të cilat pastaj është tejet e zorshme për t'u çliruar.
Kur
kjo bën vaki në jetën e individit, një jetë çohet dëm. Por kur i bën vaki një
kolektiviteti, atëherë përmasat e humbjes janë tragjike.
Të
urtët e lashtësisë e njihnin fort mirë këtë lidhje të shkurtër e të rrezikshme
midis dëshirave dhe imagjinatës, prandaj edhe insistonin që në mes të tyre të
vendosej një instancë disiplinuese për të dyjat: mendja. Por mendja duhet të
jetë aq e fortë sa të mos korruptohet nga dëshirat ireale dhe imagjinata e
lirë. Për këtë është shpikur edukimi racional.
____________
Njerëzimi,
gjatë historisë së tij, ka përpunuar kush e di sa legjenda, vepra artistike e
religjioze, për ta shprehur ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të
keqen. Kjo fotografi e qershorit 1999, e shkrepur prej një gazetari perëndimor,
bën pjesë në trashëgiminë e tyre.