E merkure, 18.09.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Me parulla ndizen zemrat e turmave, por nuk zgjidhen problemet e shoqërive

E diele, 01.09.2024, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Në një vend ku ekonomia vuan stagnimin e stërgjatur, pra në një gjendje kronike moszhvillimi, ndodh që fusha të tjera sociale të marrin përsipër funksionet e saj. Në radhë të parë politika dhe feja. Ato kthehen në biznese praktike dhe, si rrjedhim, debati shoqëror zë e dominohet nga debatet pasionante politike dhe ato fetare.

Por ky kompensim politiko-fetar i ekonomisë, në rrugë e sipër, vetëm i zhytë edhe shumë shoqëritë në mjerim, sepse politika dhe feja në thelbin e tyre janë veprimtari joprodhuese.  E dihet se mjerimi luftohet vetëm përmes prodhimit ekonomik, i cili duke gjetur tregje gjeneron të hyra dhe investime të reja dhe nga këto pastaj vijnë rritja ekonomike, vendet e punës dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar një shoqëri nga fukarallaku dhe pasojat e tij, të cilat, mes tjerash, përfshijnë edhe mjerimin kulturor e intelektual dhe zbrazjen demografike.

Sot Kosova ka nevojë për heronj që dinë dhe mundin ta ndalin spastrimin demografik të saj, e jo për dokrraxhi të parullave politike e religjioze. Sepse me parulla ndizen zemrat e turmave, por nuk zgjidhen problemet e shoqërive.

___________

Filozofia e religjionit definohet si shqyrtim kritik i marrëdhënieve midis besimit dhe diturisë. Ky shqyrtim fillon me zbërthimin e dallimit midis këtyre dy koncepteve, të cilat shpesh ngatërrohen me njëra tjetrën dhe nga ky ngatërrim lindin pastaj dogmatizmat dhe fanatizmat e rrezikshëm.

Pra të besosh dhe të dish nuk janë e njëjta gjë. Të besosh do të thotë ta pranosh një pohim si të vërtetë në mungesë të fakteve dhe provave. Prandaj quhet besim. Të dish do të thotë të shprehesh një pohim të mbështetur në fakte dhe prova.

Por çka janë faktet dhe provat?

Kjo pyetje i përket teorisë filozofike të njohjes, e cila quhet epistemologji. Në këtë kontekst filozofia e religjionit ndërvepron me epistemologjinë. Faktet dhe provat përcaktohen nga arsyeja dhe përvoja. Bile, siç thotë Kanti, nga ndërveprimi midis arsyes dhe përvojës. Nuk ka dituri pozitive jashtë këtij ndërveprimi. Sepse arsyeja pa përvojën është e zbraztë, ndërsa përvoja pa arsyen është e verbër. Përpjekja e arsyes me prodhu dituri pavarësisht përvojës dhe jashtë rrafshit të dukurive, pashmangshëm përfundon në sajime iluzionesh dhe në spekulime të kota, të cilat nuk i përballojnë dot kritikës racionale.

Kështu filozofia e religjionit fillon me "Shtetin" e Platonit, ku pretendohet se mendja njerëzore mund dhe duhet të çlirohet nga përvoja shqisore për të arritur njohjen e Absolutit( Zotit), dhe përmbyllet me "Kritikën e Mendjes së Pastër" të Kantit, ku hidhet poshtë kjo mundësi.

Përfundimi kantian është se përpjekjet shekullore të teologjisë natyrore për t'i dhënë një bazë logjike besimit, janë vetë të palogjikshme. Besimit i mbetet vetëm një strehë: zemra e njeriut, vendi prej nga rrjedh lumi i pashterrshëm i ëndrrave, fantazive, utopive, dëshirave e shpresave njerëzore.

___________

Franca është pjesë e konkurencës sê fuqive të mëdha në tregun e teknologjive ushtarake. Prestigji i saj varet shumë nga ky treg dhe aktualisht është duke ecur shumë në fushën e aviacionit luftarak. Në këtë kontekst kush ka pare dhe interes mund të blej prej saj modelet më të reja të këtij aviacioni. Serbia i ka paret dhe i ka ble 12 të tillë. Kroacia më herët, po ashtu. Ne, ndërkaq, nuk kemi pare dhe prandaj s'mund t'i kemi. Është punë e thjeshtë tregtie dhe tregtia i ka ligjet e saj. Bile ligjet e saj janë ligjet më të rëndësishme në atë që quhet kapitalizëm. Ne mund të nervozohemi, ta shajmë Francën, t'i kujtojmë aleancat e saj të moçme me Serbinë, por në fund të ditës nuk do të arrijmë asgjë, përveç të dukurit qesharakë në sytë e të tjerëve. Bota në të cilën jetojmë është botë e shteteve kombëtare, ku secillit, në fund të fundit, i bie barra të kujdeset për veten e tij. Kush e mendon të kundërtën dhe e bën gjumin e qetë me idenë se të tjerët do të jenë gjithmonë diku aty, në gatishmëri për t'ia mbrojtur shtëpinë, herët a vonë do të befasohet për të keq kur të zgjohet nga gjumi.

___________

Teologu ma i madh i Krishterimit latin, Toma Akuini, ka shkruar: Zoti nuk është përgjigjja e madhe; Zoti është pyetja e madhe.

Ky përcaktim është esencial për ta kuptuar Krishterimin perëndimor, sepse falë këtij përcaktimi ky krishterim ia ka hapur dyert arsyes, refleksionit, të cilat, përmes shpalosjes së potencalit të tyre, kanë çuar në zhvillimin e madh të teologjisë natyrore, të filozofisë kritike, të pluralizmit epistemologjik, të shkencës dhe të vetë Iluminizmit. Krej këto bashkë i kanë dhënë jetë qytetërimit modern. Dhe duhet theksuar se ky qytetërim nuk ka lindur nga lufta për jetë a vdekje midis dogmës kristiane dhe arsyes iluministe, por nga debati kritik mes tyre. Ky debat shpesh ka prodhuar edhe pasoja të pakëndshme, por në fund ka triumfuar gjëja ma e rëndësishme, pa të cilën nuk ka zhvillim të shoqërive: liria e mendimit.

___________

Derisa po kaloja rrugën Deçan - Gjakovë thashë me vete se nuk bën të mos kthehem në Junik dhe prej aty të ngjitem në Koshare. Dielli përvëlonte, frymë njeriu nuk shihej atypari, por unë u ndjeva si njeriu mes shokëve, mes më të mirëve që dha kjo tokë për të qenë e lirë.

___________

Në shoqëritë moderne çdo përpjekje e feve për t’i rivalizuar shpjegimet shkencore të realitetit, i bën ato qesharake, ashtu si çdo përpjekje e tyre me diktu principet e rendit politik përfundon në rikthimin e katastrofave mesjetare të luftërave fetare. Prandaj, në kontekstin modernitetit, humanizmi mbetet justifikimi i vetëm serioz i feve. Duket se askund më mirë se në Krishterimin perëndimor nuk është kuptu ky fakt dhe sigurisht figura e Nënë Terezës paraqet njërin nga treguesit më të shquar të këtij të kuptuari.

___________

Kur çohet në kambë Amerika: një defilim luftanijesh në bregun lindor të Mesdheut dhe Irani i ajatollahëve i zbuti fjalët fill. Në anën tjetër armët superiore amerikane në duart e ushtrisë së Ukrainës po e turpnojnë Rusinë në territorin e saj dhe një vizitë e befasishme e kreut të CIA's në Ballkan ua shurdhoi pipën mujsharëve të tij primitivë që shohin ëndrra me luftë.

Kjo është Pax Americana.

Si e dikurshmja dhe e lavdishmja Pax Romana.

___________

Një njeri i armatosur shfaqet në një rrugë fshati, merr në krah një vajzë të vrarë dhe thërret me sa fuqi që ka: Kush të vrau çika jeme? Skena mbyllet me shfaqjen e një policeje, e cila ia drejton armën njeriut të armatosur.

Nuk është skenë e shkëputur prej ndonjë filmi. As montazh i budallenjëve në TikTok. Është spot reklamues për një telefoni në Kosovë. Një spot i cili jepet gjithë kohën nëpër televizionet tona dhe veç shijes së hidhur e brutale që lë tek të rriturit, po i terrorizon edhe fëmijët e këtij vendi të shkretë, të zhytur në mjerim mental.

Çka të thuash tjetër përveçse të rikujtosh thënien e Ajnshtajnit se dy gjëra nuk kanë kufi, Universi dhe budallaku njerëzor.

___________

Vizita e shefit të CIA's në Sarajevë dhe Beograd  paska ndiku që Dodik hajvani me i hangër një nga një fjalët e veta. Apo qershitë e lagme, siç thonë nga anët tona. Serbët veç fjalorin e CIA's e marrin vesh. Ndërsa fjalët e buta i kuptojnë si favorizim për ta. Ndalesa e shefit të CIA's veç në Beograd dhe Sarajevë tregon se Washingtoni tanimë i ka identifiku serbët si rrezikun kryesor për destabilizimin e Ballkanit. Natyrisht kjo është vizita ma e rëndësishme amerikane e viteve të fundit në rajon, sepse kjo vizitë i rifreskon vijat e kuqe përtej të cilave secilin cub të Ballkanit e pret kosa.

___________

Dasmorë duke vallëzu me tupana rreth një kafshe të therrur dhe gjakut të saj. Nëse kjo pamje është e vërtetë, atëherë pa frikë se gabojmë mund të themi se psikopatologji të randa janë përhapur midis shqiptarëve.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora