E merkure, 30.04.2025, 03:43 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Leksione nga manualet e moçme të diktaturave

E diele, 27.10.2024, 06:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

Është një marrëzi e cila ka kohë që qarkullon nëpër rrjetet tona sociale. Ajo ka të bëj me një histori, që dinastinë serbe të Karagjorgjeviçëve e nxjerr me origjinë shqiptare, nga një degë e një fisi shqiptar, i asimiluar me kohë në etninë malazeze.

Edhe po qe e vërtetë kjo, çfarë rëndësie ka, e çfarë arsye kemi që të mburremi me të? Aq më tepër kur dihet se krimet më të mëdha kundër shqiptarëve në shekullin 20 janë urdhëruar e kryer pikërisht nga pjesëtarë të kësaj dinastie. Mjafton këtu të kujtojmë gjenocidin në Kosovë gjatë dy luftërave ballkanike, masakrat pas vitit 1918, shpronësimet masive të shqiptarëve në emër të Reformës Agrare, shtypjen e çdo të drejte të tyre kombëtare në periudhën midis dy luftërave botërore dhe planet për dëbimin e tyre kolektiv në Turqi, plane që nuk u realizuan vetëm falë rrethanave të krijuara nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore.

Karagjorgj do të thotë Gjorgji i Zi. Dhe këtë epitet Karagjorgjët e meritojnë plotësisht vetëm nga mënyra e trajtimit që ua kanë bërë shqiptarëve gjatë regjimeve të tyre.

Por edhe triumfi i shqiptarëve ndaj planeve gjenocidale të Serbisë në fundin e shekullit 20, lidhet me trashëgiminë monstruoze të Karagjorgjeviçëve. Takimi i famshëm i emisarit amerikan Richard Hollebrok me Milosheviqin, takim pas të cilit nisi bombardimi i Serbisë nga NATO, është mbajtur në Beli Dvor, rezidencën mbretërore të Karagjorgjeviçëve në Beograd. Dhe fundi i sundimit të Millosheviqit është shpallur pikërisht aty.

_____________

Leksione nga manualet e moçme të diktaturave

Vullneti primar i diktaturës është të zhdukë fizikisht kundërshtarin e saj. T'ia mbyll gojën përgjithmonë. Por nganjëherë krijohen të atilla rrethana objektive që e bëjnë të pamundur përmbushjen e këtij vullneti. Atëherë ajo, pra diktatura, zgjedh zhdukjen morale të kundërshtarit të saj. Kjo parasheh turpërimin e tij në sytë e popullit. Duke e imoralizuar kundërshtarin e saj diktatura afirmon mitin e vet të pastërtisë morale. Por, si për dreq, ndonjëherë edhe zhdukja morale e kundërshtarit nuk bën punë. Atëherë diktatura zgjedh ta psikiatrizojë kundërshtarin e saj. Pra ta shpallë të çmendur atë. Përmes kësaj shpalljeje diktatura afirmon idealin e saj për t'u pranuar si përfaqësuese e rendit normal të gjërave.

_____________

Një sulm terrorist në Ankara la prapa pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Ushtria turke nuk vonoi dhe nisi një bombardim masiv të dhjetëra fshatrave e qyteteve kurde në Siri dhe Irak, pa u lodhur fare që të vlerësojë paraprakisht dhe objektivisht në kishte lidhje midis terroristëve në Ankara dhe kurdëve që mezi po mbijetojnë në katundet e mjera në Sirinë dhe Irakun prej kohësh të shkatërruar. Si rrjedhim priten protesta masive gjithandej botës në dënim të sulmeve të shtetit turk mbi kurdët. Po bëj hajgare, sepse nuk do të ketë protesta të tilla askund. Nuk do të ketë, sepse sulmuesi në këtë rast nuk është Izraeli. Dhe në logjikën e antisemitëve dhe hipokritëve të majtë viktima kurde nuk ka asnjë vlerë propagandistike. Ashtu siç nuk kanë as ujgurët, muslimanët e Kinës, të cilët Pekini i trajton mizorisht pikërisht për shkakun e besimit të tyre fetar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx