Editorial » Latifi
Blerim Latifi: William Walker na fton të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura
E marte, 28.01.2025, 06:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
William
Walker paska thanë: “Një shqetësim që kam është se kosovarët këtu dhe
kosovarët në diasporë mendojnë se nëse diçka nuk shkon, Amerika do të hyjë dhe
do ta zgjidhë situatën si ne në vitet ’90-ta. Nuk do të ndodhë”.
Janë
fjalët e një njeriu që ka bërë shumë për ne, në orët më të liga të historisë
sonë, dhe që ka dëshmu se vazhdon me qenë një ndër miqtë më të mëdhenj që kemi
në botë.
Janë
fjalë që na ftojnë të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura, në të
cilat luftërat për ne kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë dhe Amerika
përgjithmonë do të kujdeset për ekzistencën tonë, pavarësisht kthesave që mund
të marrin ngjarjet në historinë botërore.
Janë
pikërisht këto ëndrra që na kanë mbjellur mentalitetin e dembelit dhe atdhetarizmin e rrjeshëm, nën të cilin ka
rilulëzu bindja për shtetin si favor personal, e jo si mekanizëm i domosdoshëm
i ekzistencës kolektive, në të cilin duhet të investojmë të gjithë, në mënyra
të ndryshme dhe vazhdimisht.
___________
Fillimi
i viteve '90. Kosova gjendet nën terrorin shtetëror serb. Shqiptarët janë
dëbuar nga vendet e punës, nga institucionet, fakultetet e shkollat. Policët
serbë patrullojnë rrugëve si gangsterë të dehur. Maltretimi dhe rrahja e
shqiptarëve kthehet në kënaqësi ditore për ta. Një popull i tërë ndodhet në
panikë. Dhe në këtë panikë qet krye një fenomen retrograd: njerëzit nisin t'i
ndalin vajzat e tyre nga shkolla. Shkaku: frika e maltretimit prej policëve
serbë. Në Drenicë një grua guximtare shkon shpi për shpi katundeve për t'i bindur
baballarët që të mos i ndalin vajzat nga shkolla. Sepse serbët pikërisht këtë e
donin.Të na kthenin në kohët e shkuara. Nê mjerimin e tyre. Luftëtarja
përballet me shumë vështirësi. Rojtarët e mentalitetit të mykur patriarkal ende
kolliten prapa mureve të larta. Por ajo ia del. Guximi i saj jep fryte. Në
vitin 2019 ajo vdes, si pasojë e një sëmundje të rëndë. Sot ekzistojnë kush e
di sa shoqata që luftojnë për të drejtat e grave, por asnjëra nuk është kujtuar
të marrë emrin e kësaj heroine të emancipimit të gruas, e cila quhej Ajnishahe
Halimi. Shembulli i saj na e përkujton një gjë themelore: emancipimi i gruas bëhet nga ato gra e burra
që përnjëmend besojnë dhe duan barazinë gjinore, e jo nga ato ose ata që kauzën
e barazisë gjinore e shfrytëzojnë për të zhvatur fonde kombëtare e
ndërkombëtare.
___________
Vjeshtë
e vitit 1912. Ushtritë serbe marshojnë në Kosovë. Kudo ku shkelin, lënë prapa
shkatërrim e vdekje.Nga Merdarja në Shkup rrugët janë të mbushura me kufoma
shqiptarësh të masakruar. Një gazetar i huaj i sheh me sy këto skena të
llahtarshme dhe i pari i raporton botës.
Është
hebreu Leon Trocki.
Janar,
1999. Një masakër e llahtarshme kryhet nga policia serbe mbi civilët shqiptarë
në fshatin Reçak. Një gazetar i huaj arrin i pari në skenën e krimit dhe i pari
i raporton botës.
Është
hebreu Tzur Shezaf.
___________
Nga
Lev Trocki [1912] e deri tek William Walker[1999] të shumtë ishin dëshmitarët
që e panë dhe ia treguan botës masakrimin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimet
e ndryshme serbe. Me kalimin e kohës këto dëshmi i mbulonte pluhuri i harresës.
Ajo harresa e ftohtë e arkivave diplomatike dhe arkivave të shtypit, për të
cilat interesohej vetëm ndonjë historian i pasionuar me historinë e Ballkanit.
Dhe ndërkohë harrimi i krimeve ndillte krime të reja. Me 15 janar të vitit
1999, në Reçak, ky cikël tragjik i krimit dhe harrimit, do të mbyllej
përfundimisht. Falë njeriut William Walker, i cili u ndodh aty për ta shënuar
çastin fatlum të historisë tonë: përputhjen e të vërtetës, të drejtësisë dhe të
fuqisë, përputhje nga e cila do të dilte Liria e Kosovës.
___________
Liria
dhe pavarësia e Kosovës ishin produkte të një kohe kur bota dhe Amerika besonin
se kjo e fundit kishte për mision përhapjen nëpër botë të demokracisë, të
lirive e të drejtave të njeriut. Kjo nënkuptonte luftën kundër diktatorëve dhe
krimeve të tyre.
Sot
ne po jetojmë fundin e kësaj filozofie amerikane të historisë. Tash secili
duhet të kujdeset për çatinë e tij, sepse nuk ka asnjë garanci se zjarrfikësi
amerikan do të vijë kur të shpërthej zjarri.
Po
ne si e kemi gjendjen në raport me këtë zhvillim epokal?
Ne
ende jemi në gjumë. Në gjumin e ëndrrave të bukura, në të cilat Amerika
përjetësisht kujdeset për sigurinë tonë dhe nxjerrjen nga gropat septike ku e
hudhim veten herë pas here, si pasojë e mbrapshtive tona kronike.
___________
1
milion e 100 mijë njerëz janë vrarë në dhomat e gazit në Auschwitz- Birkenau,
kampi ma i madh i Holokaustit. 90 për qind e tyre hebrenj. Komandanti i këtij
kampi ishte Rudolf Höss, i cili pas luftës u kap duke u maskuar si një fermer i
varfër. Ai u dënua me varje, pikërisht në vendin e tij të krimit, aty midis
njërës prej dhomave të gazit dhe shtëpisë së tij private, ku ai, mbrëmjeve, pas
"punës", argëtonte fëmijët e tij me piano dhe lexime poetike.
Vendvarja e tij ende sot qëndron si dëshmia e fundit e ekzistencës së këtij
monstrumi mbi tokë. Dhe si dëshmi se çfarë monstruozitetesh mund të prodhojnë
ideologjitë e liga.
___________
Një
klerik italian, Giovanni Peragine, qenka zgjedhur arqipeshkv i ri i Shkodrës.
Hyna me pa profilin e tij dhe e dëgjova një predikim të tij në Katedralen e
Shkodrës. Fliste me një shqipe të kulluar dhe, veç ruajtjes së besimit në
Zotin, bënte thirrje edhe për besnikëri ndaj atdheut. Kjo ka ndodhur e vazhdon
të ndodhë veç të Kisha Katolike dhe misionarët protestantë. Fjala është për
ekzistencën e një tradite të gjatë që e ka normë të brendshme të saj
respektimin dhe nderimin e gjuhës dhe identitetit të vendasve.
Fatkeqësisht
kjo nuk ndodhë me misionarët e feve tjera. Vijnë imamë nga Turqia e vendet
arabe dhe veç faktit se nuk njohin asgjë nga gjuha dhe kultura shqiptare,
shpesh edhe i përçmojnë ato hapur në predikimet e tyre. Njësoj ndodhë me klerin
ortodoks grek. Ndërsa për popat serbë s'kemi çka flasim. Dihet gjithçka për
qendrimet e tyre historike dhe aktuale ndaj shqiptarëve.
___________
Nacionalizmi
i hapur ekonomik i Trump, si dhe goditja e rrufeshme që ai po u bën mekanizmave
dhe organizatave transnacionale, natyrshëm kanë me çu në një ringjallje globale
të nacionalizmit.
Ëndrra
e dikurshme e globalistëve për "fundin e kombeve", tani veç mund të
përfshihet në katalogun e parashikimeve të dështuara të historisë.
Parulla
e re e kohës që po vjen është kjo: Secili komb për veten!
___________
Politika
e Trumpit për imigrantët do ketë domino efekt të pashmangshëm në ardhjen në
pushtet në Europë të partive të djathta që janë kundër imigracionit. Kohës kur
ke mundur me shku në Perëndim, me hangër bukën e tij dhe pastaj me pshty në
fytyrë Perëndimin, po i vjen fundi. Kush mendon se mundet me vazhdu me të
njëjtin avaz, shpejt ka me e kuptu se ka ardhur momenti me i paketu teshat.
Gjithçka
në kët' botë e ka një fund. Pra edhe mosmirënjohja.
___________
Në
historinë e artit manipulimi me perspektivën pamore ka kriju vepra të mëdha
artistike.
Në
Kosovë manipulimi me perspektivën pamore i ka kthy sallat e mjera të qyteteve
tona në megahapësira, që s'ua gjenë shoqet as në shtetet ma të zhvilluara të
botës.
___________
Gjesti
këndej, Gjesti andej. Gjithandej rrjeteve sociale. Thash ta shoh kush është ky
tip kaq i famshëm. I pashë disa video të shkurtra të tij nga Big Brother
Albania. Tipi, palaço tipik. Klloun, në kuptimin klasik të fjalës. Dhe, me
gjasë, edhe analfabet. Pastaj ankohemi për promovimin e budallallëkut dhe
idiotizmit nga TikToku kinez.