Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ahmet Delia do të vdiste duke bërë qëndresë
E enjte, 12.12.2024, 06:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
18
burrat e parisë së Drenicës i kishte pushkatu ushtria e serbe te Ura e Gurit në
Vushtrri, në mëngjesin e 16 nëntorit.
Nga
e njëjta ushtri, në Shkup, ishin arrestu udhëheqësit kryesorë të Kosovës. Në
mesin e tyre Hasan Prishtina, Idriz Seferi e Nexhip Draga.
Disa
krenë të tjerë kishin bërë aktin e turpshëm duke shkuar tek gjeneralët serbë
për t'iu deklaruar atyre përveç dorëzimit edhe besnikërinë.
Isa
Boletini kishte kapërcyer Drinin në rrugën e tij drejt Durrësit e Vlorës. Të
njëjtën rrugë po ndiqnin edhe Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani e Riza bej
Kryeziu.
Burri
i Prekazit, kryengritësi i përjetshëm, Ahmet Delia, e ndjente se kishte mbetur
i vetëm mes gjithë asaj gjame të madhe që po e mbyste në gjak krejt Kosovën. E
ndjente se asnjë kushtrim për kryengritje nuk do të mund të dëgjohej përtej
mureve të kullës së tij. E dinte po ashtu se kobi serb shpejt do të arrinte edhe
në katundin e tij dhe ai duhej të merrte një vendim.
Të
dorëzohej apo të fshihej diku? Kjo ishte
dilema. Por jo, kjo nuk ishte dilema e tij. Ai e dinte se veç një vendim do ta
merrte: do të vdiste duke bërë qëndresë. Me të vetmen armë që i kishte mbetur në
duar: sopatën. Për të dëshmuar për herë të fundit se kjo tokë është Shqypni dhe
nuk bàhet tjetër.
__________
Reagimet
ndërkombëtare ndaj sulmit në kanalin ujor në Veri, ishin të forta dhe pothuajse
të gjitha i referoheshin atij si "sulm terrorist".
Por
diçka thelbësore mungonte në to: asnjëra nuk bënte me gisht në drejtim të
Serbisë. Kjo lë të kuptohet se sikurse në rastin e Banjskës, edhe për këtë të
Varagës, Serbia nuk do të ketë pasoja. Në fakt, pasoja do të kemi vetëm ne, në
kuptimin se po rrënjoset imazhi ndërkombëtar për Kosovën si një vend ku
stabiliteti varet nga një fije e hollë, fije që mund të këputet sa çel e mshel
sytë.
Hezitimi
për ta penalizuar Serbinë për ndërhyrjet e saj subversive në Kosovë flet qartë
se tanimë përparësinë morale që e kishim në raport me të në rrafshin
ndërkombëtar, pothuajse e kemi humbur. Dikush duhet të japë llogari për këtë.
Sepse ky është dëmi ma i madh që na ka ndodhur. Shumë herë më i madh se ajo
masë betoni e kanalit ujor. Kjo e fundit mund të riparohet, por pyetja kryesore
është se a ka kush ndonjë ide konkrete se si t'i riparojmë kanalet e
shkatërruara diplomatike të Kosovës. Kam arsye të forta për të menduar se
përgjigjja në këtë pyetje është mohuese. Qofsha i gabuar!
__________
Shaban
Jashari në rininë e tij[ i djathti në foto]. Tjetri në foto është Maliq
Jashari, baba i dëshmorit të UÇK-së, Kajtaz Jasharit.
I
trajnuar nga mësuesit e Ernest Koliqit, pas luftës, për shumë vite, Shaban
Jashari do të jepte mësim në shkollën e Prekazit. Kallxojshin që rrugës për në
shkollë kthente rrugën dhe hynte në malin e Kërçinës për t'u dhënë torbën me
ushqime njerëzve të rezistencës së armatosur antijugosllave. Në mesin e tyre
Dervish Kopriva, Ali Fazlia, Sherif Tërstena e Isë Zymeri.
Gjysmë
shekulli më vonë djemtë e tij, bashkë me të, do ta ndërronin përgjithmonë
historinë e Kosovës.
__________
2400
vjet më parë, tek vepra e tij "Ligjet", ati i filozofisë perëndimore,
Platoni, flet për vallet e paqes dhe vallet e luftës. Për këto të fundit
shkruan: "Ajo( vallja e luftës) imiton lëvizjet që kryhen për të shmangur
goditjet trupore dhe të armëve, duke u tërhequr dhe kërcyer lart e poshtë, për
të shmangur shigjetat, shtizat dhe çdo lloj tjetër të goditjeve. Nëse vallet
kryhen me korrektësi dhe energji, nëse imitimi i trupave dhe shpirtrave të
guximshëm ?ryhet me përsosmëri ritmike dhe përçohet në të gjitha pjesët e
trupit, atëherë një vallëzim i tillë është më të vërtetë i përkryer..."
__________
Rrëzimi në rrugën për
Damask
Sauli
prej Tarsusi, një hebre me shtetësi
romake, ishte kthyer në tmerrin e të krishterëve të parë. I gjurmonte dhe i
persekutonte kudo që mund t'i gjente. Një ditë, rrugës për në Damask, mbi kokën
e tij shkreptiu një rrufe dhe ai rrëzua nga kali. Një zë jehoi në veshët e tij:
Saul, Saul, përse më përndjek? Ai e pyeti zërin e panjohur: Kush je ti? Unë jam
Jezusi që t'i e përndjek!
Në
atë rrugë, në atë moment, ndodhi një nga kthesat më radikale në historinë e
njerëzimit: persekutuesi i të krishterëve, u shndërrua në liderin e tyre dhe më
pas edhe në kodifikuesin e besimit të tyre.
Sot,
përgjithësisht, pranohet se Sauli, i latinizuar në Paul, ka meritën kryesore
për shndërrimin e krishterimit nga një sekt lokal judaist në një fe
ndërkombëtare.
Rrëzimi
i Palit në rrugën për në Damask, është vetëm një nga shumë dokumentet e moçme
që na flasin për peshën e madhe që toka e Sirisë ka pasur në historinë e
qytetërimeve. Dhe sot, njeriut që njeh këtë begati kulturore, s'ka si të mos i
vij keq kur sheh këtë vend të shkatërruar nga mjerimet dhe mizoritë e luftërave
dhe diktaturave, që zëvendësojnë njëra tjetrën, si stinët e motit.
A
është rrëzimi i Asadit fillimi i fundit të këtyre mizorive? Kjo mbetet të shihet në muajt në vazhdim.
Siria e rrëzuar nga kali në rrugën për në Damask, ka nevojë për një zë që i bën
thirrje arsyes së njerëzve të saj. Një
zë që me forcën e tij, si ajo shkreptima mistike që rrëzoi Saulin, t'i bëj të
heshtin pasionet e egra fetare e politike, që si në Siri, dhe kudo ku janë
shfaqur e shfaqen, lënë prapa vetëm vuajtje dhe rrënim.
__________
Prej
ditës kur amerikanët zbarkuan në Normandi, këtu e 80 vjet më parë, e deri me
sot, siguria e Europës ka qenë një punë për të cilën është kujdesur Amerika.
Duke
e pasur sigurinë gratis, vendet europiane kishin luksin t'i orientonin krejt
investimet e tyre në ekonomi dhe fusha të tjera. Kjo do t'u mundësonte atyre
vitet e bumit ekonomik të pasluftës, ngritjen e sistemeve tê fuqishme të
shtetit social, thjesht një mirëqenie të përgjithshme të paparë, prej të cilës,
në fund të ditës, përfitonin edhe grupet e badihavxhinjëve marksistë, që e
kalonin kohën duke sharë Amerikën për llogari të Rusisë Sovjetike, derisa kjo e
fundit nuk iku për lesh.
Europa
mburrej me "kapitalizmin e saj me fytyrë njerëzore" dhe shante
"kapitalizmin e egër
amerikan", derisa shijonte frytet e të parit që vinin nga i dyti.
Tash
gjërat po ndryshojnë. Amerika me Trumpin ka vendosur t'i japë fund epokës së
sigurisë gratis për Europën. Kërkesa është e qartë: 80 vjet kemi paguar për ju;
tash duhet të filloni të paguani edhe ju, nëse doni të jemi bashkë në NATO.
Kjo,
natyrisht, do të ketë pasoja të mëdha dhe njëra prej tyre do të jetë rizgjimi i
kombeve europiane nga gjumi i qetë dhe i gjatë i Pax Americana.
A
do të zgjohen edhe shqiptarët?
Sigurisht
që po, por ka fort rrezik që gjumi të na dalë pasi të jetë bërë vonë.
__________
As
Lufta e Dytë Botërore nuk ka fillu përnjëherë në të gjitha vendet. Rusia
Sovjetike është përfshi në këtë luftë gati dy vite pas fillimit të saj. SHBA-të
dy vite e tre muaj, tek pas sulmit japonez në Pearl Harbor. Disa nuk janë përfshi hiq, si Turqia, Spanja,
Portugalia e Zvicra. Shumë vende të
tjera nuk janë prekur fare brenda territorit nga zhvillimet luftarake. Dhe në
vitin e parë të saj opinioni dominues ishte se kjo luftë do të mbahej nën
kontroll dhe nuk do të zgjaste shumë.
Sot
i njëjti opinion po dominon rreth luftërave që po zhvillohen aktualisht, luftës
Rusi-Ukrainë dhe tri luftërave në Lindjen e Mesme.
Bota
duhet të pres edhe dy muaj për të parë nëse do të shmanget ose jo përsëritja e
të njëjtës dinamikë konfliktuale që 85 vite më parë e shndërroi agresionin
nazist mbi Poloninë në luftë botërore. Hegeli na kujton se të vetmin leksion që
e mësojmë nga historia është se ne nuk mësojmë prej saj.
Në
ndërkohë, derisa bota po hedh shikimin në humnerën e vetëshkatërrimit, ne,
populli ma optimist mbi faqe të dheut, jemi tërësisht të fokusuar në
"dramën" që po zhvillohet në Big Brother dhe në panairin elektoral,
ku premtimet për të ardhmen e ndritur po shiten flakë, siç i thonë fjalës.
__________
Ani
thoshin disa analfabetë të gjeopolitikës këtu e në Tiranë qysh ka fillu me u
kriju një aleancë panarabe kundër e Izraelit. Kur çka me pa: një luftë e re mes
sunitëve e shiitëve në Siri veç sa ka fillu, në mënyrën ma brutale të mundshme.
Tash krejt shtetet arabe i çojnë milicitë e tyre atje, që kasaphana të jetë e
plotë.
E
dhimbshme për civilët e pafajshëm, gratë e fëmijët, që duhet të vuajnë përsëri
mizoritë e mujsharëve të çmendur të Levantit, që vrasin e presin me emrin e
Zotit në gojë.
__________
Nëse
kryengritësit që e rrëzuan tiranin Asad, e mendojnë fitoren e tyre si "një
episod të suksesshëm në marshimin xhihadist në botë", atëherë do të
përfundojnë duke i ricikluar mizoritë e deridjeshme dhe në krijimin e një Afganistani
të dytë në Levant.
Në
të kundërten, nëse e mendojnë fitoren e tyre në terma racionalë, pra si një
mundësi për t'i dhënë fund një epoke të errët e të dhunshme dhe për ta ndërtuar
një shtet normal me parametra modernë, atëherë ka shpresë paqeje për njerëzit e
atij vendi dhe regjionin në tërësi.
Të
mirat më të mëdha popujve u kanë ardhur nga të kuptuarit e politikës si art i
të mundshmes.
Tragjeditë
më të mëdha nga të harruarit e kësaj.
__________
Tre
skenarë klasikë janë të mundshëm pasi bie një diktaturë e gjatë: Demokracia,
Diktatura e re dhe Anarkia.
Në
Sirinë pas Asadit çështja është se cili ka më shumë gjasë, skenari i dytë apo i
tretë.
Ndërsa
për skenarin e parë as që mund të bëhet fjalë.
Nuk
ka asnjë tregues serioz se bota arabe po lëvizë përtej modelit tradicional, në
të cilin historia politike nuk është asgjë më shumë se një qarkullim i
diktaturave.