E merkure, 30.04.2025, 03:30 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Mendja e paedukuar është si një tokë e lënë djerrinë

E hene, 21.10.2024, 06:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

Derisa vëllau po plugonte Rrahishtën dhe Trojën, unë po kënaqesha duke bredhur rreth e rrotull dhe duke shijuar qetësinë me të cilën vjeshta i mbushë fushat dhe malet. Pastaj, kur po bëja këto fotografi, më erdhi në mendje vetë emri Tokë.

Edhe pse gjuhëtarët kompetentë i japin një shpjegim tjetër origjinës së kësaj fjale[ shih: Eqrem Çabej, Studime Gjuhsësore, II], ajo duket fort e ngjashme me fjalën "?????" të greqishtës së lashtë. ????? do të thotë “ajo që lindë”. Në teologjinë bizantine Shën Marinë, nanën e Krishtit, e quajnë Theotokos. Në ekuivalentin latin ajo quhet Dei Genetrix. Zoti dhe toka. Dhe njeriu midis tyre. Me sytë drejt qiellit dhe këmbët mbi tokën.

Në kultet pagane të natyrës toka përfytyrohej si një Nanë nga e cila lindë natyra e gjallë. Kulti i Demetrës e ka këtë kuptim. Gjithçka e gjallë lindë nga kjo Nanë e Madhe dhe, në fund, kthehet tek ajo, për të rilindur prapë në ciklin eternal të stinëve. Ky kult i Tokës Nanë është përfshirë edhe në mitologjitë e feve abrahamike [ Judaizmit, Krishterimit, Islamit]. Edhe në to njeriu krijohet nga toka dhe prehjen e fundit e gjen në gjirin e saj.

Edhe vetë fjala "kulturë", në origjinën e saj latine, ka kuptimin e punimit dhe kultivimit të tokës. Romakët pastaj e përfshinë brenda këtij kuptimi edhe kultivimin e mendjes. Për ta një mendje e paedukuar është si një tokë e palavruar, e lënë djerrinë. Ashtu si në tokën e djerrë mbijnë barishtet e këqija, bimët e egra, edhe në mendjen e pakultivuar lulëzojnë veset dhe sjelljet e egra. I gjithë programi i Iluminizmit Europian do të mbështetej mbi këtë analogji romake. Në mënyrë të veçantë shpresa e tij më e madhe për përmirësimin e fatit të njeriut mbi tokë nëpërmjet edukimit racional të mendjeve. Sot ne jetojmë me vetëdijen për pasigurinë e kësaj shprese.

___________

N’Beograd Erdogani paska thanë se “marrëdhëniet e Turqisë me Serbinë janë në një epokë të artë”. Sigurisht, ky është termi më i saktë për të përshkruar faktin për miliarda investime që shteti turk ka bërë në Serbi, ndërsa marrëveshjet dypalëshe përfshijnë të gjitha fushat, përfshi edhe industrinë e armatimeve. Ndërkaq, shqiptarëve u ndërton xhami dhe investime në restaurime të objekteve të periudhës otomane. Një aforizmë e moçme thotë : Budallës mos i zbrit as teposhtë!

___________

Kur pas mijëra e mijëra vitesh njeriu u bë bipedal, ai e zbuloi qiellin. Duke mos pasur krah të nisej drejt tij, e dërgoi atje imagjinatën e vet. Nga ky udhëtim lindën mitet e fetë. Duke lypur gjurmët e zotave nëpër tokë, njeriu mësoi të fshehtat e saj. Dhe duke depërtuar thellë e më thellë në këto të fshehta, ai nisi të luante me to, me elementet e tyre. Dhe nga kjo lojë lindën shkencat dhe teknologjia. Prej tyre njeriu u bë me krah dhe një ditë u nis drejt qiellit, drejt froneve të tij të imagjinuara me shekuj. Dhe kur arriti atje nuk gjeti asgjë nga ato që ia pat rrëfy imagjinata e moçme. Gjeti vetëm pafundësinë e qiejve e të botëve dhe e pa me sy vogëlsinë prej grimce të botës së tij në këtë pafundësi. Dhe kështu ai e përmbushi këshillën e lashtë delfike: Njihe vetveten! Gn?thi seauton!

___________

Merreni me mend se në çfarë gjendje kemi ardhë: bisedën e shkurtër midis Ramës dhe Kurtit gjatë fotografisë së përbashkët në Samitin e Procesit të Berlinit, mediat po e japin si lajm. Pra si ngjarje që duhet shënuar. Dhe arsyeja është e qartë: dy kryeministra të dy shteteve, që i përkasin një kombi, takohen veç në forume ndërkombëtare. Çfarë mjerimi kombëtar!

___________

Shqipnia i ka pre marrëdhëniet me Iranin. Qeveria shqiptare ka mbajtur dhe mban qëndrim të hapur pro Ìzraelit. Ndërkaq, studiot televizive në Tiranë gëlojnë nga të vetëquajturit "ekspertë për Lindjen e Mesme", të cilët hapur bëjnë tifozllëk opinionesh për Iranin e Hezbollahun. Kjo është lufta hibride. Dhe paret e pista që fshihen pas saj.

___________

Nga i papërsëritshmi Fridrih Niçe:

Mos bini viktimë e idealizmit të tepruar dhe të mendoni se duke thënë të vërtetën do të afroheni me njerëzit.Që nga kohërat e lashta njerëzit i duan dhe i shpërblejnë ata që mund t'i drogojnë me iluzione dhe t'i ndëshkojnë ata që thonë të vërtetën. Nëse doni të qëndroni me njerëzit, ndani me ta të njëjtat iluzione; të vërtetën e tregojnë ata që duan të largohen prej tyre.

___________

Çfarë çmendurie: vendosen gurë mbi trasenë hekurudhore Prishtinë-Pejë. Për punë sekondash shmanget aksidenti që do të mund t’u merrte jetën kush e di sa njerëzve. Vërtet shumë e fortë kish pas qenë kjo Kosovë e shkretë, marrë parasysh faktin sa e sa hajvani me fytyrë njerëzore frymon në të.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx