E merkure, 30.04.2025, 03:51 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ne vazhdojmë të funksionojmë me mentalitetin e regjimeve autoritariste

E enjte, 10.10.2024, 06:57 PM


Prof. Blerim Latifi:

Mes shumë gjërave të vlefshme që demokracinë e dallojnë prej regjimeve tjera politike, është se demokracia e pranon se është krijim njerëzor dhe, rrjedhimisht, edhe e ekspozuar ndaj gabueshmërisë, që është një konstante e qenies njerëzore.

Ky pranim ka pasur dy rrjedhime, të cilat e bëjnë demokracinë moralisht superiore mbi rivalët e saj. I pari, zhvillimi i mekanizmit vetëkorigjues në rrafshin institucional. I dyti, etika e pranimit të gabimit nga akterët politikë.

Demokracitë nuk bëhen dot funksionale pa i konsoliduar këto dy standarte. Dhe pikërisht këtu qëndrojnë disa prej problemeve të demokracisë tonë.

Në Kosovë njerëzit e politikës pranojnë kush e di se çfarë, veç gabimet që i bëjnë kurqysh. Bëjnë dhjetë gabime të tjera, për të mbrojtur gabimin fillestar. Sajojnë dhjetë gënjeshtra, për të mbrojtur një gënjeshtër tjetër. Vetëm dhe që t'i ikin përgjegjësisë dhe kërkimit të faljes, të cilat i përjetojnë si dobësi e si fund të karrierës politike.

Rasti i Mimoza Kusarit është shembull tipik i kësaj mënyre dominante të sjelljes politike në Kosovë. Në vend se të dalë e të thotë se "po ka qenë gabim ai komunikim i imi me terroristin Radojiçiq dhe u kërkoj falje qytetarëve e votuesve të mi", ajo kapet pas sajesave të shpifura për ta arsyetur veten. Jo vetëm ajo, po krejt subjekti i saj politik.

Ky dhe raste të tjera të ngjashme, e që për fat të keq janë shumë dhe gjithandej partive, tregojnë se përtej retorikës demokratike që konsumojmë dhe fasadës liberale që shfaqim, ne vazhdojmë të funksionojmë me mentalitetin e regjimeve autoritariste, ku gjithçka lejohet, me përjashtim të pranimit publik të gabimeve. Dhe do të vazhdojmë kështu derisa nuk e marrim vesh se demokracia nuk ështe thesht një sistem ligjesh e procedurash shtetërore, por edhe një mënyrë jetese dhe një formë botëkuptimi.

___________

I duhej Rusisë një luftë tjetër e madhe! Për të krijuar sa më shumë kaos në botë, në mënyrë që t'i lehtësohej puna në Ukrainë. Plani A ishte Kosova. Prandaj ndodhi 24 shtatori. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç ishin menduar prej Kremlinit dhe Beli Dvorit. Rrjedhimisht, pas 2 javësh, u aktivizua Plani B: sulmi terrorist i Hamasit në Izrael. Ne përfituam nga fakti se jemi të rrethuar nga NATO dhe vetë NATO është në Kosovë, ndërsa Izraeli vazhdon luftën me milicitë terroriste të mbështetura nga masha e Rusisë në Lindje të Mesme, Irani. Gjatë gjithë kohës, prej se nisi kjo luftë, Tirana dhe Prishtina kanë mbajtur qëndrim konsistent në përputhje me interesin tonë kombëtar. Pra duke mos lëvizur nga linja amerikane dhe duke mos dëgjuar budallenjtë e shumë studiove televizive që bënin thirrje për të thyer qafën në aleanca të tjera.

___________

John Hopfield dhe Geoffrey Hinton janë fituesit e Çmimit Nobel në Fizikë për vitin 2024.

Victor Ambros dhe Gary Ruvkun janë fitues të  Çmimit Nobel në Fiziologji/Mjekësi për vitin 2024.

Prej katër shkencëtarëve, tre amerikanë dhe një britanik.

Kjo është edhe një e dhënë më shumë që na tregon se SHBA vazhdojnë të udhëheqin bindshën progresin shkencor të njerëzimit, e rrjedhimisht edhe atë teknologjik.

E ju që besoni në përrallat mbi rënien e fuqisë amerikane, të prodhuara nga industria ruse e dezinformimit, vazhdoni të kënaqeni me to!  E duke e bërë këtë, të na e kujtoni destabilizuesin e madh të dogmave, Volterin, që kur shihte të paditurit e lumtur, thoshte me ironi : Iluzioni është e para prej të gjitha kënaqësive!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx