Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Natyra e komunizmit!
E hene, 07.10.2024, 06:00 PM
Prof. Blerim Latifi:
Këta
dy lisa nuk i thonë asgjë një të huaji, por në memorien tonë familjare ata janë
të lidhur me një ngjarje traumatike, të cilën në kohën e saj e kishin jetuar
mijëra familje gjithandej Kosovës.
Është
viti 1947. Regjimi komunist në Jugosllavi ndodhet në kolaps ekonomik.
Furnizimet me dridh nga Stalini janë ndërprerë. Është në zhvillim e sipër kriza
e marrëdhënieve mes tij dhe Titos. Në Beograd merret një vendim drastik: duhet
t'u merret drithi fshatarëve, në mënyrë që të zbutet uria nëpër qytete. Vendimi
u referohej "tepricave të drithit", por sapo fillon zbatimi i tij
gjërat degjenerojnë në marrje të krejt sasive të drithit që u gjenden
fshatarëve nëpër shtëpi e hambare. Kjo ishte pasojë e faktit se regjimi
stimulonte me shpërblime ato komisione që grumbullonin më shumë grurë e misër
në zonat e tyre. Nuk tregohej asnjë mëshirë, sidomos në zonat që regjimi i
konsideronte armiqësore.
Kur
mbledhësit e grurit nisin punën në komunën e Skënderajt, gjyshi im thërret tre
djemtë e tij për t'u treguar vendimin që bluante në kokë prej ditësh.
-
Kta faqezi kanë me na lanë pa bukë, prandaj na duhet ta mshefim drithin! Këto
ishin fjalët e tij të para.
Meqë
komunistët bënin kontrolle të plota nëpër shtëpi dhe gjithandej oborreve, duhej
gjetur një vend i përshtatshëm sa më larg tyre. Në fund e zgjedhin qoshin e një
are, gati një kilometër larg shtëpisë dhe në afërsi të varrezave. Aty do të hapnin një gropë dhe pasi ta
fshihnin drithin në të, do ta mbulonin me ferra, për të zhdukur çdo gjurmë. Por
përpara kishin një problem: pushteti kishte lëshuar hafije gjithandej. Ata jo
vetëm që duhej të raportonin se sa grurë e misër kishin njerëzit në hambare,
por edhe të survejonin nëse po ndodhnin sabotime të fushatës së mbledhjes së
drithit.
Në
këtë situatë gjyshi im u thotë tre djemëve të tij:
-
Do ta çelim gropën natën dhe po natën do ta bàjmë gropsjen e drithit.
Krejt
në fillim mendojnë që babën tim, që në atë kohë ishte vetëm dhjetë vjeç, ta
përjashojnë nga sekreti, nga frika se ai duke qenë i vogël rrezikon të zbulojë
sekretin, por gjyshi u thotë dy djemëve të rritur se "ky asht ma trim se
ju, kryet ja kpusin e se çelë gojën".
Kështu,
pa humbur kohë, një natë me shumë erë e stuhi të katërt e kryejnë punën.
Pikërisht në vendin mes këtyre dy lisave që shihen në fotografi.
Pas
dy tre ditësh mbledhësit e grurit trokasin në derën e shtëpisë tonë.
Kontrollojnë gjithandej, marrin atë sasi gruri e misri që gjejnë, madje edhe
atë pak miell që kishte mbetur në magje. Derisa burrat po i mbanin nën arrest
jashtë shtëpisë, gjyshja ime shtyhej me policët e mbledhësit që po ia
përdhosnin magjen. Djalit të saj të vogël, që po shihte krejt atë dramë, nga
ajo ditë dhe për tërë jetën do t'i bëhej fiksim frika nga mungesa e bukës. Këtë
frikë do ta qetësonte duke u dhënë me tanë qenien e tij pas punimit të tokës.
Dhe sa herë që ia relativizonim këtë punë, ai na kujtonte: - Nuk e dini ju
kohën e Qesatllakut.
Kjo
mikrohistori, si qindra e qindra të tilla, na e tregojnë më mirë natyrën e
komunizmit. Më mirë se shumë libra teorikë dhe makrohistori që mbushin librat
shkollorë.
_______________
Në
kush e di sa raste gjatë dramave dhe kthesave historike ne kemi qenë të pafat.
Por vitet 1998- 1999 defintivisht ishin vitet tona më fatlume në histori. Bota
ishte në qetësi, nuk kishte kriza serioze askund dhe njerëzit po prisnin ta mbyllin
në paqe shekullin më të përgjakshëm të historisë botërore. Edhe Serbia, për
shkak të krimeve të kryera në Bosnje, reputacionin ndërkombëtar e kishte në
fund të pusit.
Kjo
rrethanë bëri që e tërë bota të hedh sytë në krizën e Kosovës. Dhe ky
përqendrim nu? kishte se si të mos jepte fryte.
Shi?oni
sot çfarë po ndodhë në botë! Lindja e Mesme buzë humnerës së një lufte
katastrofale. Një luftë e pafund dhe shkatërrimtare në lindje të Europës. Vatra
tjera konfliktesh që presin një shkëndi për të marrë flakë. Me pak fjalë: një
botë buzë greminës së madhe, për të cilën na rrëfen e kaluara e shekullit të
shkuar.
Po
të ishte një gjendje e tillë para 25 vitesh, askush nuk do të kishte kohë të
merrej seriozisht me ne dhe kjo sigurisht do të rezervonte një rrjedhë tjetër
të ngjarjeve.
A
ishte pra rastësi fatlume apo lexim i mençur i momentit historik për të nisur
luftën në vitin 1998?
Gjithsesi
duhet punë e madhe mendore dhe hulumtuese për të dhënë përgjigjje serioze në
kët' pyetje.
Grekët
e vjetër e kishin konceptin e Kairosit. Kairos është koha e duhur, momenti i
duhur për të kryer një punë të caktuar. Moti i mirë, do të mund të thuhej në
shqip. Hegeli shkruan se vetëm ata që kanë fuqinë për ta kuptuar kairosin,
motin e mirë historik, i kanë gjasat për të pasur sukses në aksionet e tyre
historike.
Por
kjo fuqi nuk është një virtyt i lehtë për t'u arritur. Kusht i tij
themelor është investimi i popujve në
intelektin e tyre.
_______________
Kam
pasur rastin ta takoj disa herë pas luftës. Një burrë zotni në komunikim dhe në
sjellje. E siç tregojnë ata që e njihnin nga afër, i tillë ishte edhe në luftë.
Komandant në betejat e Maleve të Jezercit. Emër i nderuar i UÇK'së, i një
ushtrie të vogël, me pak armë, por me zemër të madhe guximtare. I një ushtrie e
cila, duke respektuar kodet e moçme morale të kësaj toke, fitoi zemrat e botës
së qytetëruar dhe kështu ia doli ta bëj realitet ëndrrën 100 vjeçare të
shqiptarëve të Kosovës: çlirimin përfundimtar nga Serbia.
Bota
ka pasur dhe ka shumë luftëtarë. Por gjithmonë janë më pak ata që bashkë me
pushkën e bartin edhe kodin e nderit. I tillë ishte Imri Ilazi.
U
kujtoftë gjithmonë emri dhe jeta e tij!
_______________
Në
vitin 1999 Izraeli doli në përkrahje të bombardimit të Serbisë, e cila po e
lante në gjak krejt Kosovën. Irani ishte kundër, pra ishte në anën e Serbisë.
Izraeli e ka njohur shtetin e Kosovës. Irani nuk na njeh dhe na konsideron
pjesë të Serbisë. Në këtë ekuacion gjeopolitik çohen disa shqipfolës dhe
gulçojnë e bërtasin në mbështetje të Iranit. Tradhtarët dhe hajvanët brina nuk
kanë. Ata kanë fytyrën e këtyre shqipfolësve.
_______________
I
duhej Rusisë një luftë tjetër e madhe! Për të krijuar sa më shumë kaos në botë,
në mënyrë që t'i lehtësohej puna në Ukrainë. Plani A ishte Kosova. Prandaj
ndodhi 24 shtatori. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç ishin menduar prej
Kremlinit dhe Beli Dvorit. Rrjedhimisht, pas 2 javësh, u aktivizua Plani B:
sulmi terrorist i Hamasit në Izrael. Ne përfituam nga fakti se jemi të rrethuar
nga NATO dhe vetë NATO është në Kosovë, ndërsa Izraeli vazhdon luftën me
milicitë terroriste të mbështetura nga masha e Rusisë në Lindje të Mesme,
Irani. Gjatë gjithë kohës, prej se nisi kjo luftë, Tirana dhe Prishtina kanë
mbajtur qëndrim konsistent në përputhje me interesin tonë kombëtar. Pra duke
mos lëvizur nga linja amerikane dhe duke mos dëgjuar budallenjtë e shumë
studiove televizive që bënin thirrje për të thyer qafën në aleanca të tjera.
_______________
Demolimi
i shpejtë dhe spektakular i Hezbollahut në Liban, na vë përpara një të vërtetë
të madhe të kohës sonë: Mbështetja në ideologji mesjetare nuk të garanton asnjë
mbrojtje, asnjë fitore në beteja dhe, në fund, as të ardhme politike e
ushtarake. Ajo të garanton veç mbetje prapa në progresin e pandalshëm të
shkencës dhe të teknologjisë, mekanizmi i të cilit shtyhet përpara nga mendimi
kritik, e jo nga dogmat e legjendat e moçme. Kushdo që mendon të ketë të ardhme
mbi këtë dhe, duhet ta ketë parasysh këtë fakt vendimtar. Në të kundërtën, do
të ketë vetëm të kaluar.
Në
fillim të kohëve moderne, anglezi i zgjuar, Francis Bacon, e formulonte kështu
slloganin e tyre : Dituria është fuqi! Dhe për të shmangur çdo keqkuptim rreth
këtij sllogani, shtonte: Me këtë
kuptojmë diturinë empirike shkencore.
_______________
Nuk
e di me siguri se kush i ka fajet, por vetë fakti se po flitet për probleme të
furnizimit me ushqim të FSK'së, është një turp i madh. Të tilla situata ta
turpnojnë ushtrinë, krejt shtetin dhe u japin material gratis atyre që
propagandojnë se Republika e Kosovës është hajgare. Besoni ose jo, por as UÇK
në rrethana lufte nuk ka pasur të tilla probleme.
_______________
Ushtritë
mbahen nga patriotizmi dhe paret. Në shumicën e rasteve këto dy elemente e
plotësojnë njëra- tjetrën. Me raste edhe e kompensojnë njëra-tjetrën. Por çka
ndodhë kur mungojnë të dyjat? Nuk ke ushtri. Ose e ke veç iluzionin e saj.