Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Shpesh ka ndodhur gjatë historisë që një komb të vuaj më shumë nga budallenjtë e tij, se nga armiqtë e jashtëm
E diele, 24.11.2024, 06:55 PM
Prof. Blerim Latifi:
Nuk
janë në pyetje tre shekuj, por tri dekada dhe ne nuk jemi të sigurtë se kur
është themelu UÇK'ja.
Prej
disa ditësh kam parë shkrime të ndryshme në rrjetet sociale, në të cilat
protagonistë të ndryshëm të viteve '90, të shekullit të shkuar, japin vende e
data të ndryshme. Dikush përmend vitin 1989. Një tjetër vitin 1992. Pastaj një
tjetër vitin 1993. Dikush vitin 1994, e ndonjë tjetër vitin 1998.
E
njëjta kakofoni shfaqet edhe rreth themeluesve dhe vendeve të themelimit.
Ata
që e kanë për zanat punën e qartësimit të këtyre gjërave, historianët,
zakonisht nuk dëgjohen në këtë kakofoni ku ngatërrohen faktet me interpretimet
subjektive dhe rrahagjokset personale.
Si
të dilet pra nga kjo kakofoni e turpshme?
Ka
vetëm një rrugë të sigurtë: t'i kërkohet një Noel Malcolmi të na e gjej të
vërtetën.
___________
Filozofi
amerikan Eric Hoffer ka shkruar një libër të shkëlqyer mbi natyrën e lëvizjeve
masive politike .
Libri
titullohet 'Besimtari i vërtetë- Mendime mbi natyrën e lëvizjeve masive'.
E
tëra, thotë Hoffer, fillon nga një grusht njerëzish të lapsit. Ata e përpunojnë
dogmën, katalogun e përgjigjeve përfundimtare në të gjitha pyetjet që e
mundojnë njerëzimin.
Por
që dogma të mos mbetet thjesht një muhabet kafenesh, duhen fanatikët,
besimtarët e verbërt, që ta popullarizojnë atë. Janë pikërisht fanatikët ata që
dogmën e kthejnë në lëvizje, e materializojnë atë. Këta vijnë kryesisht nga
rrethet e njerëzve të frustruar, njerëzve që vetëbesimin e humbur duan ta
kompensojnë përmes pjesëmarrjes në kauza të përmbysjeve të mëdha shoqërore.
Rëndom këto kauza motivohen nga urrejtja për një armik imagjinar, të cilit i
ngarkohen të gjitha fajet për fatkeqësitë individuale e kolektive.
Megjithatë
fanatikët nuk mjaftojnë. Që lëvizja të konsolidohet, të bëhet e qëndrueshme dhe
të mos shuhet si një shkarkim emocional i çastit, duhen njerëzit e aksionit me
mendje organizative. Këta e kthejnë lëvizjen në organizatë.
Por
organizata kërkon strukturim dhe kierarki të përgjegjësive, pra vendosje të
pushtetit brenda lëvizjes. Pushteti i bën disa njerëz më të rëndësishëm se të
tjerët. Egalitarizmi vëllazëror i ditëve të para zë e venitet përditë e më
shumë. Kjo sjell më pas mllefin dhe zilinë brenda lëvizjes. Egot personale
nisin të nxjerrin krye, ndërsa egoja kolektive fillon të zbrazet nga kuptimi.
Po
ashtu organizatës nuk i mjafton karburanti emocional i fanatikëve të sheshit.
Asaj i duhen burime ekonomike, financa. Administrimi i këtyre burimeve është
momenti kritik kur fillon alkimia morale, e cila idealistët e djeshëm i shndërron
në zhvatës të rëndomtë.
Kështu,
pak a shumë, në një ditë të bukur me diell, merr fund historia e
"lavdishme".
___________
Jennifer
Lopez e paska kallë publikun në Riad të Arabisë Saudite. Koncertin e gjeni
lehtë në youtube. Elita politike saudite e ka kuptu se mesjetarizmi wahabist
është duke i bërë një vend qesharak dhe u duhet të kapin trenin e fundit për
t'u bashkuar me trendet e modernizimit. Prandaj edhe kanë filluar një politikë
të hapjes kulturore ndaj Perëndimit, si një hap i parë i domosdoshëm.
Ndërkaq,
këta wahabistat shqipfolës tek ne ende nuk e kanë marrë vesh këtë punë. Këtu sa
herë organizohet Sunny Hill këta mjerana mbushin rrjetet sociale me mallkime
për këtë festival, të cilin secili vend
i vogël normal në botë do dëshironte ta kishte.
Shpesh
ka ndodhur gjatë historisë që një komb të vuaj më shumë nga budallenjtë e tij,
se nga armiqtë e jashtëm.
___________
Vizatim
i publikuar në gazetat gjermane në fillim të shekullit 20. Në të shihen dy
shqiptarë me tirq dhe plisa të mbështjellur me shall, në një rrugë të
Selanikut. Prapa tyre shihen anijet. Duket se vendi është pikërisht ai ku sot
shqiptarët e Kosovës bëjnë selfie gjatë vikendeve të tyre të shpeshta në
Selanik. Fjala është për shetitoren që fillon nga porti e vazhdon deri tek Kulla
e Bardhë, një strukturë e fortifikuar mesjetare që, sipas Franc Babingerit,
është projektuar nga arkitekti më i famshëm i Perandorisë Osmane, Mimar Sinani,
për të cilin disa autorë mendojnë se kishte origjinë shqiptare.
Deri
në vitin 1912 Selaniku ishte njëri ndër qytetet më multietnike në krejt
Europën. Pas këtij viti dy komunitete etnike të tij do të zhdukeshin shpejt, në
harkun kohor të tri dekadave: shqiptarët dhe hebrenjtë. Të parët nga presioni i
grekëve, të dytët fillimisht nga presioni i grekëve dhe në fund nga ploja
naziste gjatë Holokaustit.
Edhe
varret e tyre do ta pësonin të njëjtin fat. Siç tregon Mark Mazower, në librin
e tij mbi historinë e Selanikut, universiteti i sotëm në Selanik u ndërtua mbi
varrezën e madhe hebreje, ndërsa gurët e varreve, gjatë shkatërrimit të saj, do
të përfundonin në mure shtëpish dhe objekte tjera publike.
Në
200 vitet e fundit në Ballkan nga zjarrmia e nacionalizmit shovinist nuk kanë pësuar vetëm të gjallët, por edhe të
vdekurit.