Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Mjerim intelektual e kulturor ishte Perandoria Osmane
E hene, 06.01.2025, 06:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Nga leximet e këtyre
ditëve pushimi
Prej
viteve ’40 të shekullit 19 Perandoria Osmane po përpiqej që të modernizohej, në
mënyrë që të mund të mbijetonte në gjeopolitikën e shteteve moderne europiane.
Pjesë e këtyre përpjekjeve ishte edhe dërgimi i të rinjve për t’u shkolluar në
universitetet perëndimore. Në mesin e tyre ishte edhe shqiptari Hasan Tahsini.
Ai u dërgua në Paris për t’u arsimuar në shkencat e natyrës. Për 12 vjet sa do
të qëndronte në Paris, Tahsini do të njihte dhe përvetësonte dituritë më
moderne të shkencave të natyrës, por edhe shumë dituri nga shkencat sociale.
Pas
12 vitesh ai kthehet në Stamboll dhe vendoset në krye të Universitetit
perandorak, i cili kishte filluar punën një vit më parë. I mësuar me klimën
intelektuale dhe shkencore të Parisit, ai vendos të krijoj një laborator fizike
në universitet. Një eksperiment i tij për të konkretizuar nocionin e vakumit në
fizikë, shkakton një reagim të tmerrshëm të krerëve fetarë të Stambollit.
Totalisht injorantë në fushën e shkencës së fizikës, ata mendojnë se Tahsini po
bën magji dhe e akuzojnë për magjistar. Presioni mbi autoritetet qeveritare
është aq i madh, saqë Tahsini pushohet nga puna dhe universiteti mbyllet.(
Burimi : THE GENESIS OF YOUNG OTTOMAN THOUGHT, A Study in the Modernization of
Turkish Political Ideas. By Sherif
Mardin. Princeton University Press, 1962, fq. 223-223)
Kjo
e dhënë mjafton për të kuptuar se në çfarë mjerimi intelektual e kulturor ishte
Perandoria osmane në kohën kur zbulimet shkencore po e transformonin
rrënjësisht Perëndimin. Dhe ky mjerim vinte eksluzivisht nga kasta e
pushtetshme e ulemave, ora e të cilëve kishte ngelur në mesjetë. Kjo kastë i
kundërvihehej ashpër çdo përpjekje modernizuese të shtetit osman dhe kjo gjë do
të kthehej në njërin ndër shkaktarët kryesorë të rënies së këtij shteti.
Në
anën tjetër, rilindasit shqiptarë do të përvetësonin shumë nga dituritë
shkencore të e Hasan Tahsinit dhe mbi bazën e tyre do të ngrinin një program
iluminizmi për kombin e tyre. Ata po bëheshin gati që kur të trokiste ora e
fundit për të “Sëmurin e Bosforit”, kombi shqiptar të mos merrte fund bashkë me
të. Sot ka komb shqiptar falë vizionit të tyre largpamës.
______________
Na
kanë bombardu këto ditë me "lajme" qysh Prishtina është bërë një ndër
tre-katër kryeqytetet më të ndotura në botë. Rregullisht kjo përsëritet sa herë
që në Kosovë ka krizë të energjisë elektrike dhe mediat e publiku zënë e flasin
për mafian energjetike. Pra duhet që mileti të tmerrohet nga ndotja e shkaktuar
prej termolektranave të Obiliqit, që pazaret kriminale që ndodhin në importin e
energjisë të mos problematizohen.
______________
Askush
ma nuk ia ka nevojën, por ai vazhdon të rrjedh. Për t'u bashkuar më poshtë me
prroin e moçëm, e ashtu të bashkuar të rrjedhin tutje drejt lumenjve, që
rrjedhin drejt detrave, për t'u bashkuar në fund të gjithë në anonimitetin e
Ujit të Madh.
Njerëzit
kanë ikur dhe ma nuk ia kanë nevojën, por ai sikur s'do t'ia dijë për ta.
Rrjedh pa ndalë, natën e ditën, mes acarit të dimrit dhe zhegut të verës. Si
vetë koha, që në rrjedhën e saj të pandalshme na merr me vete, për të na
bashkuar në fund të gjithëve në oqeanin e harresës kozmike. Atë që fetë na e
zbukurojnë duke e quajtur paqe e pasosun.
______________
"Çdo
brez mendon se është i përcaktuar që ta rikrijojë botën. Por brezi im e di se
nuk do ta bëjë një gjë të till?. Por, ndoshta detyra e tij është akoma edhe më
e madhe. Ai duhet të mos lejojë që bota të shpërbëhet".
Të
shkruara para 68 viteve, këto fjalë tingëllojnë si shprehje për gjendjen e
sotme të botës. Njësoj si edhe shkaqet e këtij rreziku shpërbërjeje, që i
renditë autori i këyre fjalëve: revolucionet e dështuara, teknologjitë e
çmendura, ideologjitë e rraskapitura, pushtetet mediokre, që nuk bindin askënd,
por mund të shkatërrojnë gjithçka, dituritë e vëna në shërbim të shtypjes dhe
urrejtjes...
Këto
janë pak fjali të shkëputura nga njëri prej fjalimeve më të fuqishme të
mbajtura në Akademinë e Çmimit Nobel.
Si
sot, 65 vjet më parë, autori i tyre do të humbte jetën në një aksident fatal.
Në kulmin e krijimtarisë së tij letrare e filozofike. I madhi Albert Kamy.
______________
Vetëm
në pesë ditët e para të vitit: 430 aksidente në rrugët e Kosovës. Dy të vdekur
dhe 160 të plagosur. Pothuajse bilanc lufte. Kjo është një nga shumë simptomat
e një fakti të dhimbshëm: iracionaliteti e ka mbërthyer keq kët' shoqëri në çdo
segment e sferë të saj.
______________
Sirianët
duke festuar në Damask, pasi nuk i përfillën këshillat nga Tetova e Kabuli për
ta bojkotuar festën e Vitit të Ri.