Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Një kujtim për 24 marsin e Gllogjanit
E hene, 24.03.2025, 07:58 PM
NJË KUJTIM PËR 24 MARSIN E GLLOGJANIT
Nga
Prof. Blerim Latifi
Duhet
të ketë qenë data 18 ose 19 mars i vitit 1998 kur u pata kthyer në Prishtinë nga
Prekazi. Bëra dhjetëra kilometra në këmbë, përmes fshatrave të Çiçavicës, për
të dalë në Sllatinë të Fushë Kosovës, ku pastaj mora autobusin që çonte në
Prishtinë. Krejt kjo rrugë për të shmangur post-blloqet e policisë në Komoran
dhe të “Kroi i Mbretit”.
Këto
post-blloqe ishin pjesë e një sistemi post-blloqesh, të cilat qysh nga nëntori
i vitit 1997 e kishin vënë Drenicën në shtetrrethim. Shumë njerëz kanë pësuar
ndalime e tortura të tmerrshme në to, gjatë asaj kohe. Shumë të tjerë ishin
arrestuar dhe zhdukur përgjithmonë.
Në
shtëpinë e madhe tre katëshe në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, ku mbante
ligjëratat Fakulteti Filozofik, pyetjet e profesorëve e të studentëve ishin të
pafundme. Ishin pyetje për ato që kishin ndodhur në datat 5, 6, e 7 mars në
Prekaz. E njëjta gjë më priste edhe në shtëpinë me qera ku banoja bashkë më
vëllaun dhe disa studentë të tjerë. Bisedat vërtiteshin rreth asaj se çfarë
mund të ndodhte tash e tutje. Një opinion i përgjithshëm ishte se luftë nuk do
të kishte. Ajo që kishte ndodhur në Drenicë do të kufizohej vetëm atje. Bota do
të bënte më shumë presion që të fillonin bisedimet me Serbinë, zgjedhjet e
paralajmëruara për atë që quhej “Parlamenti i Republikës së Kosovës” do të
mbaheshin së shpejti dhe çdo gjë, pak a shumë, do të vazhdonte si më parë.
Ndërkohë,
mua më brenin nga brenda shumë pyetje: Si mund të ktheheshim në gjendjen e para
5 marsit? Për çfarë ishte bërë gjithë ajo sakrificë njerëzore? Që të vazhdonim
si më parë, duke vegjetuar në pritjen e një shpëtimtari që vjen për të na
çliruar pa lëvizur ne nga vendi?
Krejt
kjo më shkaktonte një ndjenjë të thellë trishtimi. Më silleshin nëpër mend sa e
sa kryengritje lokale shqiptarësh, të cilat ishin shuar pa arritur qëllimin për
të cilin kishin shpërthyer, duke lënë prapa vetëm vuajtjet e çuara dëm. Më
dukej si një mallkim i fatit historik.
Një
natë në banesë ishim mbledhur të gjithë cimerët dhe po bisedonim për temën e
përditshme: politikën. Derisa unë e riktheja vazhdimisht bisedën tek ato që
kishin ndodhur në Drenicë, cimeri im nga Deçani, Haki Vishaj, më pa në sy dhe
më tha: - Nuk kemi me lanë vetëm Drenicën! Shpejt ke me ja ni krismën andej
prej neve. Në ato moment fjalët e tij më tingëlluan thjesht si një deklaratë e
mbështetjes morale, pa ndonjë bazë reale se do të ndodhte ajo që premtonin ato.
Por doli se e kisha gabim. Katër ditë më vonë erdhi lajmi: Në Gllogjan të
Deçanit po zhvilloheshin luftime mes UÇK-së dhe policisë serbe. Atëherë u morr
vesh përfundimisht se kthim prapa më nuk do të kishte. Pjesa tjetër është
histori. Historia më e lavdishme e kësaj toke.