E premte, 21.03.2025, 05:13 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Kjo është historia e Kajtaz Muharremit

E enjte, 06.03.2025, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Atë natë ai kishte rendin e rojës. Perimetri në të cilin do të bënte roje përfshinte rreth një kilometër, që shtrihej në kufirin midis Prekazit dhe Klinës së Ultë. Në jug ndodhej pylli i rrethuar me tel i Fabrikës së Municionit. Detyra e tij ishte e thjeshtë: nëse hetonte lëvizje të policisë nga ajo pjesë, duhej të shtinte dy herë me pushkën e tij të gjuetisë për të sinjalizuar Ademin që ishte poshtë në shtëpi.

Nata e gjatë e kishte lodhur dhe gati sa nuk e kishte zënë gjumi, kur zhurma e automjeteve të blinduara e kishte prishur qetësinë e natës që po ia linte vendin ditës.

Blindat ishin ndalur në qendër të Skenderajt. Pas pak minutash ai kishte parë se si hije dy rreshta policësh po vinin në drejtim të tij. Njëri kishte dalur nga pylli i Fabrikës së Municionit, tjetri vinte nga drejtimi i varrezave të Klinës së Ultë. Çasti i tij kishte arritur. Kishte vetëm pesë fishekë për pushkën e tij të gjuetisë dhe me ta duhej të bënte dy gjëra: të ndalonte për pak minuta dy njësitë që ishin nisur drejt Lagjes Jashari dhe të sinjalizonte Ademin se po vinin serbët. U ngrit dhe shtiu dy herë. Të shtënat e tij ishin të parat e asaj dite që do të ndryshonte historinë përgjithmonë. Ato u dëgjuan fort në atë mëngjes tragjik. Kjo është historia e Kajtaz Muharremit, i cili një vit pas atij mëngjesi do të binte dëshmor në po atë vend ku dha kushtrimin e 5 marsit 1998.

E kërkova fotografinë e tij në rrjetet sociale, por nuk e gjeta. Sa të shumë janë heronjtë, si ai, që nuk kanë as fotografi dhe rrallë kujtohen, ose janë harruar krejt.

______________

Kjo nuk është një shtëpi e djegur nga zjarri.

Është një shtëpi e bombarduar me artileri.

Qindra predha e mijëra plumba të hedhura mbi të.

Duke e kthyer në gërmadhë,

shteti serb donte të mbillte frikën radikale tek ne.

Atë frikën që e thyen njeriun, e bën të gjunjëzohet dhe të pranojë skllavërinë.

Frikën nga vdekja e dhunshme.

Prej kohësh që nuk mbahen mend,

tiranët janë ngritur e jetuar duke mbjellë kët' frikë mes njerëzve.

Dhe, po ashtu, prej kohësh që nuk mbahen mend,

njerëzit e kanë ditur se mposhtja e frikës është hapi i parë drejt çlirimit.

Në kët' shtëpi ndodhi mposhtja e frikës.

Nga shndërrimi i saj në gërmadhë, lindi një legjendë; nga legjenda një kryengritje, e nga kryengritja një mrekulli: Liria e Kosovës.

______________

Në vitin 1912 kur ushtritë ballkanike po marshonin pa pengesa serioze nëpër territoret shqiptare, shqiptarët injorantë dhe dembelë rrinin duke bërë sehir e duke ia bërë qejfin vetes me përrallën për topin e madh sekret të Babës Mbret, i cili me t'u shkrepur do ta ndryshonte fatin e luftës.

Fatkeqësisht edhe sot nuk është se kemi ndryshu shumë. Bota po ndryshon para syve tanë, kombet janë vënë në lëvizje për të mbrojtur sigurinë e tyre, ndërkaq ne rrijmë e bëjmë sehir, duke ëndërruar me sy hapur për fuqi të huaj, e cila me një të rame do t'i prapësoj armiqtë tanë.

______________

Ligji i sotëm ndërkombëtar është produkt i SHBA. OKB realisht është themelu nga SHBA.NATO po ashtu. Shumë institucione tjera ndërkombëtare mbajnë vulën themeluese të SHBA. Mposhtja e fashizmit[1945] dhe e komunizmit[1989] nga demokracia, ishte rezultat i SHBA. Supremacia morale e demokracisë është garantuar kryesisht nga SHBA.

Sot në Washington dëgjohen thirrje që krejt kjo trashëgimi të braktiset. Në emër të MAGA[Make America Great Again].

Por a mund të jetë e madhe Amerika pa këtë trashëgimi?

Kjo është pyetja e madhe e ditëve tona.Mbase edhe e krejt shekullit.

______________

Nga deklarata e presidentit Bush në Tiranë, në qershorin e vitit 2007, e deri në ditën e 17 shkurtit 2008, një pyetje kishte dominuar në mënyrë absolute në publikun kosovar: kur do të shpallet pavarësia e Kosovës?

Kjo ishte vendosur në Washington dhe njeriu i parë nga i cili do ta merrnin vesh instituticionet tona datën ishte diplomati amerikan Frank Wisner. Sot ai paska vdekur, duke na lënë me një mik më pak, në kohën kur shteti ynë i ri ende ka nevojë ekzistenciale për mbështetjen e atyre që ndihmuan në mënyrë vendimtare në krijimin e tij.

Nesër kur të jetë krijuar distanca e nevojshme historike dhe interpretimet partiake të historisë të jenë fashitur, e vërteta historike e atyre muajve do të shkëlqejë me krejt lavdinë që e meriton. Kuptohet, nëse ne do të jemi në gjendje ta mbajmë në këmbë të forta Republikën e Kosovës.

______________

Bashkimi Europian i tanishëm ka lindur nga nevoja për ta frenu dhe tejkalu nacionalizmin brenda kombeve të tij dhe për ta jetësu atë Kanti e quante "paqja e përhershme".

Sot historia ka çelur një mundêsi të re: ribërjen e Bashkimit Europian mbi bazën e nevojës për ta frenu nacionalizmin ekspansionist rus.

A ka gjasa të ndodhë kjo?

Vështirë të thuhet po, marrë parasysh faktin se kombet euro-perëndimore tash e 80 vjet që jetojnë me idenë se Europa i ka lënë pas përgjithmonë rreziqet e luftës. Kombet që besojnë tek paqja e përhershme, vështirë e kanë të gjejnë fuqi për të shkuar në luftë.

Si në vitin 1940 edhe sot veç një komb europian mund të përballet me tiraninë: Britania e Madhe. Të tjerët lënë për të dëshiruar.

______________

Tek "Shteti" i Platonit zhvillohet një dialog midis Sokratit dhe Trasimakut mbi thelbin e drejtësisë. Trasimaku argumenton se drejtësia përcaktohet nga interesat e të fortit, ndërsa Sokrati përpiqet të vërtetoj se drejtësi do të thotë t'i bindemi të mirës universale.

Mbi kët' dialog është themelu krejt historia e filozofisë politike perëndimore. Pasioni konstant i filozofëve politikë ka qenë që ta demantojnë Trasimakun dhe t'i japin të drejtë Sokratit, por historia politike e njerëzimit rregullisht e ka vërtetuar të kundërtën.

Rastet kur drejtësia dhe fuqia kanë qenë në përputhje me njëra tjetrën, janë të rralla në histori. Njëri prej tyre është i yni në vitin 1999. Ukraina me gjasë nuk do ta ketë kët' fat. Natyrisht se do të duhet pak distancë historike për t'i marrë vesh shkaqet, të cilat gjithmonë janë kompleks faktorësh.

Para 35 vitesh bota festonte fundin e lumtur të historisë. Sot e shohim se ajo ishte një festë naive. Historia po vazhdon rrufeshëm dhe duke replikuar e rimuar të gjitha huqet e veset e saj të moçme.

______________

Kryeministri britanik, Keir Starmer: Bota ndodhet në udhëkryq historik. Ndërkaq, shqyptarët: Sa po shkojnë sivjet hurmat dhe pitalkat?

Si gjithmonë injoranca për realitetin në të cilin jeton, është kusht i lumturisë. Kuptohet, derisa nuk të del gjumi dhe e sheh humnerën ku ke ra.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Të prehesh në varr me emrin e armikut në gur Blerim Latifi: Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ekzaktësisht produkte të Perëndimit të bashkuar Blerim Latifi: Fillimi i fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve mes shteteve Blerim Latifi: Shumë gjatë është punu në këtë vend që me mbrri në ditën kur do ta pshtyjmë në fytyrë Amerikën Blerim Latifi: William Walker na fton të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura Blerim Latifi: Ai mbetet gjithmonë si një shembull unik Blerim Latifi: Mjerim intelektual e kulturor ishte Perandoria Osmane Blerim Latifi: Një histori unike në kodin universal të rezistencës kundër shtypjes dhe poshtnimit Blerim Latifi: Dikush që në moshën e pjekur largohet nga atdheu dhe e harron gjuhën e nanës, nuk e meriton vëmendjen e bashkatdhetarëve të saj Blerim Latifi: Ahmet Delia do të vdiste duke bërë qëndresë Blerim Latifi: Shpesh ka ndodhur gjatë historisë që një komb të vuaj më shumë nga budallenjtë e tij, se nga armiqtë e jashtëm Blerim Latifi: Brezi i fundit i heroinave të heshtura po pakësohet Blerim Latifi: Leksione nga manualet e moçme të diktaturave Blerim Latifi: Mendja e paedukuar është si një tokë e lënë djerrinë Blerim Latifi: Ne vazhdojmë të funksionojmë me mentalitetin e regjimeve autoritariste Blerim Latifi: Natyra e komunizmit! Blerim Latifi: Nuk duhet të lejojmë që përdorimi politik i feve ta rikthejë këtë komb në të kaluarën e tij të errët Blerim Latifi: Aty ku punohej e luftohej për Kosovë e Shqipni Blerim Latifi: Ofensiva e Qyçavicës Blerim Latifi: Pagëzohuni msheft! Nëpër katakombe, si të ishim në kohën e Neronit!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx