Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Origjina banale e ferrit (xhehenemit)
E merkure, 18.06.2025, 05:57 PM
ORIGJINA BANALE E FERRIT( XHEHENEMIT)
Nga
Prof. Blerim Latifi
Kur
isha në Jerusalem dhe po shetisja në qytetin e vjetër, duke ndjekur hartën e
monumenteve historike të cilën e mora në hotel, u drejtova në jugperëndim të
qytetit në kërkim të një vendi, nga i cili nisi historia e njëres prej ideve më
me ndikim në historinë e njerëzimit. Është fjala për idenë e Ferrit. Emri
i vjetër i vendit sot është zëvendësuar
me një emër të ri: Wadi er-Rababi.
Po
cili ishte emri i vjetër? Gei
Ben-Hinnom. Kur Besëlidhja e Re u shkrua në greqisht ajo u bë Gehenna. Kuptimi i saj ishte i
thjeshtë: Lugina e Bijëve të Hinnomit.
Për
identitetin e këtij Hinnomit, historia nuk na thotë ndonjë gjë me vlerë.
Në
atë luginë, në kohët e moçme, ndodhnin dy gjëra. E para: Hebrenjtë politeistë,
që ende nuk i ishin nënshtruar Ligjit të Moisiut, kryenin aty rituale të
sakrificës në nderim të zotit të tyre, Molokut. Ata sakrifikonin fëmijët e
tyre, duke i djegur në zjarr.
E
dyta: Lugina shërbente si vend ku banorët e Jeruzalemit digjnin mbeturinat e
qytetit. Pra tërë kohën ai ishte një vend ku digjeshin zjarre. Profetët e
udhëheqësit judaistë e mallkonin atë vend, si vend të idolatrisë, i cili fyente
Zotin e Abrahamit, që kishte ndaluar sakrificën njerëzore.
Pas
kthimit nga Mërgimi në Babiloni, Lugina e Gjehinnomit mori një përmasë tjetër
në imagjinatën religjioze të hebrenjve. Ajo u transfomua nga një vend tokësor,
në një vend metafizik dhe me këtë edhe nga një vend i rëndomtë ku politeistët
digjnin sakrificat e tyre, në një vend misterioz ku Zoti do t'i dënojë
shpirtërat e mëkatarëve.
Në
këtë drejtim, zjarri i përditshëm dhe real në Luginën e Gjehinnomit, përmes
imagjinatës, u kthye në zjarrin e përjetshëm të dënimit hyjnor në botën tjetër.
Besëlidhja
e Re e ruajti këtë përfytyrim të transformuar të Luginës në jugperëndim të
Jerusalemit. Tek Ungjilli i Mateut dhe ai i Markut Krishti flet për
shkatërrimin e shpirtërave në zjarrin e pashuar të Gjehinnomit.
Kur
më pas Krishterimit iu shtua teologjia e përpunuar në dialog me filozofinë dhe
mitologjinë greke, Gjehinnomi hebraik u transformua në Ferrin e botës tjetër,
në vendin e ndëshkimit të përjetshëm të mëkatarëve.
Në
Islam Lugina e Gjehinnomit u transliterua në arabisht dhe nga kjo lindi termi
islamik i Xhehenem-it. Orgjina etimologjike dhe semantike e këtij të fundit nga
Gjehinnomi judaist është e drejtpërdrejtë. Pra nga Gjehinnomi judaist doli
xhehenemi islamik.
Kështu
e ka imagjinata fetare: vendet fizike dhe ngjarjet banale i shndërron në vende
metafizike dhe transcendente. Pastaj vijnë frika dhe injoranca për ta bërë të
besueshëm këtë transformim imagjinar.