E hene, 23.06.2025, 08:16 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: UÇK, shkolla më e mirë për të luftuar për një kauzë të drejtë me dinjitet

E diele, 08.06.2025, 06:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

Merreni me mend skenarin e mëposhtëm: UÇK i shpallë luftë shtetit serb, për t’i dhënë fund shtypjes së tij. E armatosur keq dhe pa kapacitete për të goditur objektivat ushtarake serbe, UÇK fillon të sulmojë civilët serbë. Vriten burra e gra, të rritur e fëmijë. Hidhen bomba në qytetet serbe. Raportohet për raste të dhunimit të grave serbe. Shteti serb përgjigjet me ashpërsi. Pjestarët e UÇK fshihen mes popullatës shqiptare. Në kërkim të tyre shteti serb bombardon pa dallim vendbanimet shqiptare. Viktimat janë më mijëra.

Mes dy palëve që përdorin të njëjtën metodë lufte, terrorin, bota demokratike nuk di si të veprojë. Nuk di cilën anë të marrë. Në fund epërsia ushtarake e bën të vetën. UÇK shkatërrohet dhe bashkë me të edhe popullata shqiptare. Kauza e saj për liri nuk mbështetet, sepse është diskredituar nga mjetet të cilat janë përdorur për ta realizuar atë.

Fatmirësisht ky skenar vetëvrasës as që u ka shkuar në mendje themeluesve të UÇK-së. Ata e dinin qartë se lufta për çlirimin e Kosovës duhej fituar së pari në rrafshin moral. Kjo do të thoshte, së pari, se nuk duhej të përdoreshin metodat terroriste. Duheshin goditur vetëm objektivat policore dhe ushtarake. Epërsia morale mbi armikun, shumë herë më të fuqishëm ushtarakisht, do të merrte simpatinë e vendeve demokratike dhe kjo do të përkthehej në mbështetje politike prej tyre.

Regjimi serb u mundua ta diskreditonte këtë strategji inteligjente të UÇK'së duke inskenuar sulme mbi civilët serbë nga pjestarët e saj. Rasti "Panda" në Pejë ishte më i njohuri. Por ky diskreditim nuk funksionoi dot. Nuk funksionoi dot as propaganda për ta paraqitur UÇK'në si guerile marksiste-leniniste apo islamiste. Aq i kthjelltë ishte karakteri i saj, saqë asnjë etiketë nuk i ngjitej dot. Prandaj edhe ndodhi triumfi i saj.

UÇK ishte, është e do të mbetet shkolla ma e mirë për të mësuar se si të luftosh për një kauzë të drejtë duke refuzuar mjetet e ndyra dhe mizoritë. Sepse asnjë kauzë, sado e drejtë që të jetë, nuk mund të justifikojë metodat e këqija.

____________

Derisa po lexoja lajmin mbi rivarrimin e dëshmorëve të UÇK-së nga Komuna e Istogut, një detaj më preku thellë dhe më zhyti në mendime. Njëri nga dëshmorët e zhvarrosur ishte me municion. Mu kujtuan amanetet e luftëtarëve të lashtësisë që të varroseshin bashkë me armët e tyre. Dhe mbi të gjitha një fakt tjetër: luftëtarët e UÇK-së gjithë kohën vuanin nga mungesa e municionit. Secili ushtar nuk kishte më shumë se disa karikatorë me fishekë. Kjo për faktin se e vetmja rrugë furnizimi ishte kufiri me Shqipërinë dhe armët e municionet barteshin mbi shpinë të luftëtarëve, përmes bjeshkëve të thepisura dhe pritave e minave të ushtrisë serbe. Me shumë se betejat, është kjo gjë që flet mjaftueshëm për guximin dhe sakrificën e djemve e vajzave të UÇK'së. Sa baltë është hedhur e sa gojë të ndyra janë sulur e vazhdojnë të sulen mbi emrin e saj, por koha historike, me gjyqin e saj, në fund do ta bëj që ky emër të mbetet emer nderi e lavdije për jetë e mot.

____________

Në një antologji të vjetër letrare, të cilën e bleva ditë më parë tek kioskat e librave në sheshin e Prishtinës, e gjeta të botuar një letër të cilën poeti i famshëm anglez Bajroni ia dërgonte nënës së tij nga Preveza, në vjeshtën e vitit 1809.

Letra flet për ditët e kaluara nga Bajroni në Pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës.

Mes tjerash, aty shkruhen edhe këto: "Më pëlqejnë shum' këta Shqyptarë, nuk janë të gjithë muhamedanë; disa prej tyre janë të krishtenë, por feja nuk ndikon në zakone të tyne. Këta përmenden si mâ të mirët ushtarë t'ushtris turke. Në jetën time nuk kam pá kund ushtarë mâ të sjellshëm, ndonse kam ndodhë në rojtore të Gibraltarit e të Maltës ku kam pá ushtri spanjolle, francese dhe siciljane. Askurrgjâ nuk më mungoi nga teshat që kisha. Të gjithë më ftojshin që të há e të pij bashkë me ta qumshtë e sende tjera që kishin".

Më tutje Bajroni shkruan për mikpritjen në Janinë dhe shërbimet falas të ofruara nga njerëzit e Aliut: "Të prishunat( shpenzimet) që bana nuk qenë as gjysma e atyne që prisha për tri ditë në Maltë".

Si shpjegohet kjo mikpritje shembullore, të cilën e gjeti Bajroni në shtetin e Ali Pashë Tepelenës?

Shpjegimi kulturalist thotë se kjo ishte rrjedhojë e traditës kulturore të shqiptarëve, në të cilën ai që vjen si mik, trajtohet me të gjitha nderet. Në Kanunin e Lekës kjo është e kodifikuar në dispozitën e mikpritjes që thotë se "Shpija e Shqyptarit ásht e Zotit dhe e Mikut".

Por, në rastin për të cilin po flasim, ka edhe një faktor tjetër me vlera shpjeguese: faktori institucional. Mirësjellja e ushtarëve të Aliut me të huajin që erdhi nga deti, flet për një disiplinë të hekurt dhe një rend ligjor, të cilin Aliu e kishte vendosur në zotërimet e tij. Kjo disiplinë dhe ky rend u jepte këtyre zotërimeve njërin nga atributet themelore të shtetit, në një kohë kur Perandoria Osmane kishte humbur fuqinë për të mbajtur rendin në provincat e saj ballkanike.

Ali Pashë Tepelena kishte rastin dhe mundësitë për ta avancuar proto-shtetin e tij në një shtet të mirëfilltë, por kjo nuk ndodhi për një arsye bazike: atij i mungonte ideja kombëtariste në politikën e tij.

Shqiptarët ishin zhytur aq thellë në strukturën institucionale dhe sociale  otomane, saqë nuk mund të shihnin një mundësi ekzistence në mungesë të saj, ndërsa grekët dhe serbët do ta shfrytëzonin kalbëzimin e Perandorisë Otomane që të krijonin shtetet e tyre, qysh në agimin e formimit të kombeve europiane në shekullin XIX.

Sikur të mos ishte Austro-Hungaria për t'i shpëtuar në çastet e fundit nga shembja finale e Perandorisë Otomane, sot shqiptarët do të ekzistonin vetëm në faqet e librave të pluhrosur të historisë.

____________

Shumica e njerëzve nuk e kërkojnë të vërtetën - ata e kërkojnë rehatinë në iluzione.

Kështu shkruante Niçe, duke iu referuar një zbulimi të hershëm të bërë nga metafizika perëndimore. Ky zbulim gjendet tek Libri i Shtatë i veprës "Shteti" të Platonit.

Të ngujuar në një shpellë të errët që nga lindja e tyre, njerëzit perceptojnë vetëm hijet e sendeve dhe me kalimin e kohës e bindin veten se këtoj hije janë vetë realiteti. Kështu ata e ndërtojnë një bot? iluzionesh, nga e cila nuk duan të çlirohen. Njërin prej tyre, që pasi doli nga shpella dhe më pas u kthye për t'u treguar lajthitjen mendore në të cilën ndodheshin, e vrasin.

Me këtë alegori Platoni donte të na thoshte se sa e rrezikshme është t'ua prekësh njerëzve iluzionet e mitet në të cilat njerëzit janë mësuar të jetojnë.

Ata janë në gjendje të vrasin për to. Ata janë në gjendje të shtypin çdo fakt e çdo të vërtetë që vë në pikëpyetje iluzionet dhe dogmat e tyre. Ata prodhojnë fanatizmin, i cili ka për funksion izolimin e mendjeve nga çdo fakt që e cënon besimin në dogmat e tyre.

Por krejt kjo nuk mjafton. Duhet edhe diçka tjetër. Duhet ajo që Dostojevski e quan "pasioni për injorancën"[ Novela "Adoleshenti"], ndërsa Mark Lilla e quan "dëshira për të mos ditur"[ Injoranca dhe Lumturia]. Injoranca e garanton më mirë se çdo gjë tjetër efektivitetin e iluzioneve dhe të premtimeve e spekulimeve mbi lumturinë, prandaj mitologjitë fetare dhe politike investojnë aq shumë në të.

____________

Vërtet bota po ndryshon rrufeshëm!

Ja një lajm i ri: Arabia Saudite ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në ligjin e saj për alkoolin. Për herë të parë pas 73 vjetësh, mbështetur në planin e saj të reformës "Vizion 2030", vendi ka vendosur të lejojë konsumimin e alkoolit. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe do të përfshijë rreth 600 lokacione, si hotele luksoze, resorte dhe zona të tjera të vendit të frekuentuara nga turistët. Kështu pra feja, si gjithmonë gjatë historisë, edhe tash duhet t'i nënshtrohet interesit ekonomik dhe atij politik. Tash çka mbetet është që klerikët atje të dalin dhe të thonë se ka qenë keqkuptim ideja se Islami e ndalon alkoolin.

Vërtet bota po ndryshon! Veç këta talibanët tanë nuk po e marrin vesh ende.

____________

Për një gjë jam i sigurtë: në çdo pikë kufitare të shtetit serb më pret poternica e tij. Dhe kjo më bën krenar. Sepse është dëshmi se kam bà diçka konkrete kundër atij shteti, që s'la formë dhune pa përdorë kundër nesh për gati 100 vjet dhe sot s'lë formë obstruksioni pa përdorur, që të na pengojë në zhvillimin tonë si shtet e shoqni.

____________

Janë shkruar mijëra e mijëra libra për lirinë. Historikë, filozofikë, letrarë. Poetët më të mëdhenj kanë shkruar vargjet më të mira dhe oratorët kanë deklamuar fjalime të pavdekshme mbi të. Por janë vendet e lirisë ato që na bëjnë ta ndjejmë aromën e saj, vlerën e saj, çmimin e paguar për të dhe atë që është themelore për gjeneratat e të ardhmes, kuptimin mbi brishtësinë e saj.

____________

Në 800 vitet e fundit dy herë Rusia është poshtnu keq. Në shekullin e 13 nga ushtritë mongole të udhëhequra nga nipi i Xhengis Khanit, të cilat i kishin bërë shkrumb e hi qytetet kryesore ruse të asaj kohe, dhe në vitin 1812 nga Grande Armèe e Napoleonit, e cila kishte arritur ta pushtonte Moskën. Hitleri, ndërkaq, me Operacionin "Barbarosa" nuk ia kishte dalë të pushtonte qytetet kryesore të Rusisë, Leningradin, Moskën e Stalingradin.

Poshtnimi i tretë i Rusisë ndodhi sot, kur Ukraina bombardoi bazën e avionëve bërthamorë, në thellësi të territorit rus, në Siberi, 4000 kilometra larg kufijve të Ukrainës.

Sulmi i sotëm është Pearl Harbor i Rusisë. Historia e madhe po ndodhë para syve tanë, por ne vazhdojmë të jemi të qetë, për faktin se kemi NATO'n që kujdestaron kufijtë tanë dhe kështu na e mundëson që të kalojmë ditët e netët në budallallëqet tona politike.

____________

Në kohën e Iluminizmit mendimtarët perëndimorë debatonin mbi atë se cila ishte prirja kryesore e qenies njerëzore. Makiaveli insistonte në idenë e luftës për pushtet. Hobsi këmbëngulte se njeriu parasegjithash kërkon siguri. Loku, ndërkaq, e shihte dëshirën për garantimin e të drejtave natyrore si preokupimin themelor të njeriut.

Në këtë debat Hegeli futi një ide të re: luftën për pranim. Njeriu modern, sipas tij, parasegjithash kërkon të pranohet nga tjetri si subjekt i lirë, i rëndësishëm e i vlefshëm. Kjo kërkesë shpesh merr formar brutale të dhunës, ngase njerëzit mendojnë të afirmojnë veten duke shtypur e nënshtruar të tjerët.

Ky koncept hegelian na mundëson të njohim shpirtin e kohëve moderne më mirë se të gjitha konceptet tjera.

Ai na mundëson të kuptojmë edhe luftën e sotme për vëmendje në rrjetet sociale, luftë në të cilën përdoren të gjitha mjetet e metodat që mundet t'i ofrojë imagjinata njerëzore. A nuk është mania globale për likes një formë bashkëkohore e luftës për pranim?

Prandaj "Fenomenologjia e Frymës" e Hegelit ka qenë dhe mbetet vepra themelore për vetënjohjen e njeriut modern.

____________

Një libër i shkelqyer që çmonton propagandën 80 vjeçare të Serbisë, propagandë që i portretizon serbët si antifashistë dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Holokauastit.

I shkruar nga një hebre dhe i mbështetur në qindra burime e dokumente, libri na sjell të vërtetën se serbët aktivisht morën pjesë në persekutimin dhe vrasjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se antisemitizmi ishte pjesë e programeve të nacionalizmit serb që nga fillimet e tij në shekullin e XIX.

Mbështetur në të dhëna burimore, libri evidenton se në Serbinë e  Milan Nedi?it, midis viteve 1942-1944, janë vrarë mbi 15 mijë hebrenj.

Libri po ashtu sjell një pasqyrë të antisemitizmit të kultivuar nga regjimi i Titos për më shumë se tri dekada.

____________

Në këtë kohë të zymtë politike, kur gati 4 muaj pas zgjedhjeve politikanët e zgjedhur e kanë lënë vendin pa Kuvend të konstituuar dhe pa qeveri me mandat të legjitimuar, megjithatë disa hallka themelore të shtetit janë duke bërë një punë që meriton gjithë respektin tonë.

Është fjala për institucionet e sigurisë, të cilat në një kohë të shkurtër kanë arritur të godasin dy të këqija të mëdha që kërcënojnë shtetin dhe shoqërinë tonë: grupin xhihadist me bazë në Kaçanik dhe një rrjet të mirëstruktuar të drogës.

Kjo është një dëshmi se në këtë vend ende ka burra e gra që e duan përnjëmend atdheun e tyre, e jo veç me fjalë e poza të rreme, siç bëjnë të ashtuquajturit politikanë.

____________

Një shok po më shkruante sot: Kam përshtypjen se krejt Kosova paska ardhur në Shëngjin.

Deti gjithmonë ka qenë metaforë për lirinë, për frymëmarrjen e lirë, motiv për të ikur nga kthetrat e ideologjive represive të tokës. Niçe shkruante: "Ai që do lirinë, duhet të dojë edhe rrezikun. Ai që do rrezikun, duhet të dojë detin.”

____________

Farsës monotone me 27 episoda të Kuvendit të Kosovës, iu shtua një skenë tjetër: bllokimi simbolik i dyerve të Kuvendit nga qytetarët. Heroi i skenës: avokati Arianit Koci.

Bravo Koci për risinë që solle!

Edhe kotësitë e reja nganjëherë janë të nevojshme. Për t'i dhënë pak ngjyrë ritmit monoton të kotësive të vjetra.

____________

Ditë më parë një mësues i gjermanishtes në Itali kishte uruar vdekjen e vajzës së kryeministres Giorgia Meloni në rrjetin e tij social. Publiku italian kishte reaguar i tronditur. Mësuesi e kishte parë shpejt se çfarë kishte bërë dhe ishte penduar. Madje kishte kërkuar një takim me Melonin për t'i shprehur kërkimfaljen në prani të saj.

Sot lexova në media se mësuesi në fjalë paska tentuar të kryej vetëvrasje. Sigurisht i shtyrë nga brerja e ndërgjegjës për aktin e tij verbal.

Krejt kjo flet për një shoqëri me standarte të larta morale të komunikimit publik, standarte që gjuhën e urrejtjes e konsiderojnë si diçka të papranueshme dhe abnormale.

Krahasojeni tash kët' shoqëri me shoqërinë tonë, ku në 24 orë të ditës dhe 365 ditë të vitet individët dhe grupet i kalojnë duke sha, urry, mallku, e kërcënu njëri-tjetrin. Dhe krejt kjo tanimë ka marrë formën e një çmendie kolektive, e cila ka të ngjarë të mos ketë një shembull të dytë mbi faqe të dheut.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Miti i Sizifit dhe Kuvendi i Kosovës Blerim Latifi: Vuçiç, i përkëdheluri i Bashkimit Evropian, qëndron në krah të Putinit Blerim Latifi: Prej vitesh kemi thënë se ekstremizmi islamik në Kosovë është projekt i inteligjencës së shtetit serb Blerim Latifi: Tregues i një bote të errët Blerim Latifi: Një kujtim për 24 marsin e Gllogjanit Blerim Latifi: Kjo është historia e Kajtaz Muharremit Blerim Latifi: Të prehesh në varr me emrin e armikut në gur Blerim Latifi: Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ekzaktësisht produkte të Perëndimit të bashkuar Blerim Latifi: Fillimi i fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve mes shteteve Blerim Latifi: Shumë gjatë është punu në këtë vend që me mbrri në ditën kur do ta pshtyjmë në fytyrë Amerikën Blerim Latifi: William Walker na fton të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura Blerim Latifi: Ai mbetet gjithmonë si një shembull unik Blerim Latifi: Mjerim intelektual e kulturor ishte Perandoria Osmane Blerim Latifi: Një histori unike në kodin universal të rezistencës kundër shtypjes dhe poshtnimit Blerim Latifi: Dikush që në moshën e pjekur largohet nga atdheu dhe e harron gjuhën e nanës, nuk e meriton vëmendjen e bashkatdhetarëve të saj Blerim Latifi: Ahmet Delia do të vdiste duke bërë qëndresë Blerim Latifi: Shpesh ka ndodhur gjatë historisë që një komb të vuaj më shumë nga budallenjtë e tij, se nga armiqtë e jashtëm Blerim Latifi: Brezi i fundit i heroinave të heshtura po pakësohet Blerim Latifi: Leksione nga manualet e moçme të diktaturave Blerim Latifi: Mendja e paedukuar është si një tokë e lënë djerrinë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx